
Kontaktet e shqiptarëve me persët në fusha të ndryshme, si: tregtare, ushtarake, fetare, kulturore etj, janë realizuar kryesisht nëpërmjet turqve në periudhën e sundimit osman në trojet shqiptare dhe kanë kushtëzuar një gamë të gjerë ndikimesh gjuhësore. Shqipja, si gjuhë hindoeuropiane, takohet me persishten që në lashtësi, por kontaktet më të mëdha me këtë gjuhë ajo i pati pas shekullit XV, nëpërmjet veprimtarisë së organeve administrative dhe ushtarake të osmanlinjve, kur në gjuhën shqipe depërtoi një fond i konsiderueshëm fjalësh nga persishtja, çka solli si rrjedhojë edhe përdorimin e tij në procesin e fjalëformimit të gjuhës shqipe, duke e rritur gamën e këtij fondi në procesin e pasurimit të saj.
Kjo dukuri, krahas fushave të tjera, përfshin edhe onomastikën, ku studiuesi gjen një numër të madh persizmash, që i janë përshtatur natyrës së gjuhës shqipe dhe janë bërë pjesë e fondit leksikor të saj. Vëzhgimi me kujdes i këtij fondi nxjerr në evidencë, përveç të tjerash, edhe një listë të gjatë persizmash që kanë shërbyer për sajimin e antroponimeve, të etnonimeve, patronimeve, toponimeve, hidronimeve, zoonimeve etj., çka përbën një tregues të qarte të rolit marrës të shqipes nga persishtja.
Në këtë trajtesë synohet që të ndriçohet sado pak ky proces, duke paraqitur rrugët që janë ndjekur, metodat që janë praktikuar, si dhe mjetet që kanë shërbyer për realizimin e këtij procesi.
* * *
Pjesa më e madhe e fondit të leksikut të persishtes që ka depërtuar në fondin leksikor të shqipes përbëhet nga emra konkretë ose abstraktë, të cilët kanë hyrë në gjuhën shqipe bashkë me objektet ose nocionet që emërtojnë dhe, me kalimin e kohës, këto fjalë u janë nënshtruar ligjeve të gjuhës shqipe dhe kanë shërbyer në procesin e fjalëformimit njëlloj si njësitë leksikore të fondit autokton të saj.
Shqiptarët dhe persët, duke qenë popuj që për rreth pesë shekuj kanë jetuar në kontakte të ngushta me Perandorinë Osmane (shqiptarët të pushtuar prej saj, ndërsa persët në fqinjësi me të), vendosën ura komunikimi ndërmjet tyre, kryesisht nëpërmjet tregtisë, por këmbimet e ndërsjella midis tyre, më së tepërmi, janë realizuar nëpërmjet turqve (administrata, ushtria, veprimtaria fetare, arsimi, kultura etj.).
Persët, që kishin formuar shtetin e tyre rreth 2000 vjet para turqve, kishin grumbulluar një përvojë të pasur në fushën e organizimit shtetëror, si dhe në sektorë të tjerë të jetës shoqërore, çka kishte ndikuar edhe në zhvillimin e arteve, të letërsisë dhe të shkencave, të cilat kërkonin si kusht paraprak për zhvillimin gjithçka që u duhej për miradministrimin e shtetit dhe për përparimin shoqëror e kulturor të tyre, veçanërisht një gjuhë e punuar.
Gjatë këtij procesi marrëdhëniesh të gjithanshme turko-persiane u realizua edhe një vërshim masiv i persizmave në gjuhën turke. Por, krahas këtij procesi, ndodhi edhe depërtimi i turqizmave në gjuhën shqipe, që u krye nëpërmjet veprimtarisë tregtare, si dhe i asaj administrative, ushtarake dhe fetare. Gjatë procesit të huazimit të turqizmave në gjuhën shqipe u krye, njëkohësisht, edhe huazimi i disa persizmave, që kishin depërtuar me kohë në leksikun e turqishtes. Persizmat që depërtuan në gjuhën shqipe nëpërmjet turqishtes ruajnë shpeshherë gjurmët e ndryshimeve fonetike që kishin pësuar ato gjatë procesit të përshtatjes me natyrën e turqishtes.
Cilat qenë fushat kryesore të leksikut të shqipes që u pasuruan me material leksikor të huajtur nga turqishtja? Përgjigja e kësaj pyetjeje përcaktohet nga sferat e veprimtarisë shoqërore që njohën më shumë zhvillim gjatë periudhës në të cilën depërtuan këto fjalë në gjuhën shqipe. Dihet se orientalizmat filluan të dynden në gjuhën tonë në zhvillimet e vendosjes së administratës së pushtuesve osmanlinj në trojet shqiptare dhe nga shekulli në shekull ato u shumuan dhe u përpunuan në përshtatje me veçoritë e shqipes.
Një tregues që e pasqyron qartë zhvillimin e këtij procesi është pasqyra krahasuese e orientalizmave në veprat e shkrimtarëve shqiptarë të shekujve XVI, XVII dhe XVIII (Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani, Kazazi etj.), ku vërehet jo vetëm numri në rritje i këtyre orientalizmave nga shekulli në shekull, por edhe sferat e leksikut të cilave u përkasin këto njësi leksikore. Një pjesë e këtyre orientalizmave janë fjalë të fondit leksikor të persishtes, të huajtura nga turqishtja. Për ta veçuar fondin persian të këtij kontingjenti orientalizmash lipset një studim i kujdesshëm, që mund të realizohet me sukses duke iu referuar orientalistëve të mirënjohur shqiptarë Tahir Dizdari e Vexhi Buharaja.
Pushtimi osmano-turk i trojeve shqiptare u shoqërua me përhapjen e kulturës së popujve të lindjes në arealin shqiptar. Në Shqipëri depërtuan përvoja të reja të prodhimit e bashkë me to edhe lëndët që përpunoheshin, mjetet që përdoreshin për realizimin e këtij procesi dhe objektet që prodhoheshin, çka u shoqërua me pasurimin e fondit leksikor të shqipes me fjalë të kësaj emërtese dhe te teknologjisë se aplikohej në veprimtarinë prodhuese, çka u shoqërua me pasurimin e fondit leksikor te shqipes me fjalë të kësaj emërtese dhe të teknologjisë që aplikohej në këtë veprimtari, si dhe me pasurimin e fondit antroponimik të shqipes me një numër të konsiderueshëm persizmash të cilat, si pjesë e fondit leksikor të shqipes, u përdorën edhe si patronime.
Duke u mbështetur në klasifikimin që u ka bërë Prof. Dr. Emil Lafe persizmave të shqipes (1), po paraqesim këtu më poshtë, emërtimet shqiptare, që janë sajuar nga njësi leksikore të fondit të persizmave të shqipes.
Patronimet (emrat e familjeve)
Përbëjnë elementin më të pasur onomastik të shqipes, që është përftuar me material leksikor të huajtur nga persishtja, duke u bazuar në fushat kryesore të leksikut të persishtes, që kanë shërbyer për sajimin e patronimeve shqiptare, ata mund të grupohen si më poshtë:
1. Patronime shqiptare që vijnë nga fondi persian i kuzhinës dhe i gjellëtarisë.
Me përfshirjen e këtij fondi në leksikun e shqipes filloi edhe procesi i përdorimit të tij në fushën e patronimisë, krahas njësive të tjera të fondit autokton të gjuhës shqipe. Midis shembujve të shumtë po shënojmë për ilustrim patronimet: hoshafi (pers. khoshab), pekmezi (pers. pekmez), sheqeri (pers. shekar).
2. Patronime shqiptare nga persizma që emërtojnë banesa dhe pajisje të tyre. Të kësaj emërtese janë emrat familjarë: Çardaku (pers. chardak), perdja (pers. perdeh), qoshja (pers. kushk), qilimi, rafti, kafazi etj.
3. Emra familjarë shqiptarë nga persizma që i takojnë sferës së bimësisë. Ky fond është shumë i pasur, por po shënojmë vetëm pak shembuj për ilustrim. Të tillë janë: patronimet: bostani (pers. bostan), gonxhe (pers, ghonceh), pambuku (pers. panbeh), sheboja (pers. shabbui: shab – natë, bui-erë, arome), vishnja (pers. vishni, vishne).
4 . Patronime shqiptare nga persizma të sferës së almiseve (1).
Kësaj emërtese i takon një numër i vogël emrash familjarë të shqiptarëve. Po shënojmë këtu më poshtë disa shembuj që kanë përhapje më të gjerë: Beli (pers. bel-bil, vegël bujqësore: vangë, qyrek), Çiraku (pers. cirakh - përdorëse e drunjtë ose metalike, që shërben për të mbajtur bishtukun) etj.
5. Llagape shqiptare me burim nga persizma që emërtojnë njeriun dhe tiparet e tij fizike e morale.
Të tillë janë patronimet që po rendisim këtu, më poshtë: Ashiku, Beqari (pers. bekr, bekareh - i virgjër), Çallaku (pers. calak), Kahremani (pers- ghahreman, trim me fletë, kreshnik, hero), Nishani, Pehlivani, Qeli, Qorri, Qorraj, Qosaj, Qosja, Xhani, Xhemerti etj.
6. Emra familjesh që vijnë nga persizma të sferës së veshmbathjes. Në fondin leksikor aktiv të shqipes numërohen shumë fjalë që i takojnë kësaj nënndarjeje, por po shënojmë disa sish që kanë kaluar në fondin patronimik të saj, si: Çorapi (pers. xhurab), Ibershimi, Ibrishimi (pers. abrasham, abrishom – mëndafsh), Meshini, Qelepoçi (pers- kelle - kokë dhe push – temë e prezentit të foljes pushidan – vesh), Qyrku (pesrs. kurk - ujk, bishë).
7. Patronime shqiptare nga persizma të emërtesës së fondit leksikor të mjeshtërive.
Zhvillimi i qyteteve në Mesjetë i dha një impuls të fuqishëm përhapjes së zejeve të ndryshme, çka e pasuroi edhe më tepër listën e emërtesës së profesioneve dhe të artikujve artizanale që prodhoheshin. Me këtë rast në gjuhën shqipe hyjnë një numër i madh fjalësh të kësaj sfere të veprimtarisë ekonomike e, si rrjedhojë, u pasurua edhe lista e patronimeve shqiptare, nga të cilat po shënoj: Bostanxhiu, Çiraku (pers. Cirag, djalë ri që vendoset pranë një mjeshtri për të mësuar zanat), Heqimi (pers. hakam – mjek), Tabaku, Terezi (pers. terazu- ekuiliber), Terziu (pers. ders-i geristen -qepje, darsikar).
8. Patronime shqiptare nga persizma të fondit leksikor të emërtesë së tregtisë.
Tregtia, si degë e rëndësishme e ekonomisë në periudhën e Mesjetës, la gjurmë të spikatura në fondin antroponimik shqiptar. Dëshmi e qartë e kësaj dukurie është lista e emrave me origjinë nga fondi leksikor i tregtisë, që është përdorur për emërtimin e familjeve shqiptare anembanë hapësirës ku gjallon edhe sot e kësaj dite raca arbërore.
Në këtë grupim bëjnë pjesë edhe një numër i konsiderueshëm fjalësh të huajtura nga persishtja. Për të argumentuar këtë dukuri po japim emrat e disa familjeve që gjallojnë në hapësirën shqiptare, si: Bakalli, Bazhdari, Baxha (pers. baxh – takse), Çiraku (pers. cerag - djalë i ri që vendoset prenë një mjeshtri për të mësuar zanat, shegert), Kuta, Pazari, Qese, Xhambazi (pers, jan-shpirt dhe baz – sakrifikoj. Ka kuptimin martir) etj.
9. Patronime shqiptare me prejardhje nga fondi i persizmave të emërtesës së kozmetikës.
Kësaj nënndarjeje i përket një numër i kufizuar patronimesh, ndër të cilat më të përhapura janë: Lala (pers. lale- lule e familjes së zambakut, tulipan, tulippa persica), Mazija (pers. mazu, mazuxh - gogla që formohen në degët e lisit, të cilat përzihen me këna. Përdoret për të nxirë flokët), Myshku etj.
10. Emra familjesh shqiptare nga fondi leksikor persian i emërtesës së qytetit dhe të pjesëve të tij.
Pushtimi i Shqipërisë nga Perandoria Osmane përkoi me zhvillimin e qyteteve që u shoqërua me pasurimin e fjalorit të shqipes me fjalë që i takojnë emërtesës së tregtisë dhe të sferave të tjera të veprimtarisë ekonomike, si emërtime mallrash, peshash, masash, personeli administrativ etj. Nga kjo emërtesë kanë mbetur të fiksuar si emra familjesh shumë njësi leksikore, prej të cilave po paraqesim patronimet: Çezma, Hani, Jenishehri, Shehri etj.
11. Patronime shqiptare nga persizma të emërtesës së fesë.
Kjo kategori emrash familjarë është futur në fondin leksikor të shqipes si rrjedhojë e procesit të islamizimit të popullsisë së trevave ku jetojnë shqiptarët. Ndonëse në numër të kufizuar, këto patronime kanë përhapje shumë të gjerë.
Me së shumti familjet shqiptare, veçanërisht ato të Toskërisë, përdorin patronimin Dervishi (pers. dervish - i varfër), që takohet dendur gjithandej. Kështu, nga rreth 50 000 familje të qytetit të Tiranës që janë të pajisura me telefon fiks, 250 (0.5%) prej tyre mbajnë patronimin Dervishi. Nga emri Dervish kanë rrjedhur edhe patronime të tjera, nëpërmjet bashkimit të tij me antroponime të tjera ose me ndihmën e prapashtesave. Të tillë janë patronimet: Dervishaj, Dervishaliaj, Dervishhasani, Dervishej, Dervishllari etj.
Në këtë grupim përfshihet edhe patronimi Hoxha (pers. hovaxhe), që përdoret dendur në anë te ndryshme të hapësirës shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë. Në Numëratorin telefonik të Tiranës gjenden rreth 700 abonentë që mbajnë patronimin Hoxha (shifër që përbën 1.4% të numrit të përgjithshëm të familjeve të qytetit të Tiranës, që janë të pajisura me telefon fiks nga Albtelekomi. Por, krahas patronimit Hoxha, shumë familje shqiptare janë emërtuar me patronime te prejardhura nga kjo fjalë, si: Hoxhaj, Hoxhallari, Hoxhalli etj.
Kjo dukuri vërehet edhe në zona të tjera të hapësirës shqiptare. Kështu, në Lushnjë dhe në Shkodër familjet e emërtuara me këtë tip patronimi zënë, respektivisht 1.3 dhe 1.1 për qind të numrit të abonentëve, ndërsa në Prishtinë me ketë patronim janë regjistruar 7,1 të numrit të përgjithshëm të abonentëve (përfshirë këtu edhe abonentët e kombësive joshqiptare të këtij qyteti).
Një numër mjaft i madh familjesh emërtohen me patronime që vijnë nga bashkimi i një patronimi me emrin e përgjithshëm hoxha. Ky tip patronimesh takohet mjaft dendur gjithandej në hapësirën shqiptare. Për ilustrim po rendisim disa shembuj: Abdihoxha, Alihoxha, Hoxhdheu, Hoxhvogli, Shakohoxha etj. Në këtë grupim përfshihen edhe patronimet Kauri dhe Nevruzaj, i cili mbahet nga disa familje shqiptare. E tillë është familja Nevruzaj, që jeton në qytetin e Tiranës. Origjina e këtij patronimi duhet të jetë nga emri vetjak Nevruz, me të cilin emërtohen, zakonisht, djemtë që lindin ditën e festës së Nevruzit, që bie me 21 mars (dita e pranverës).
Përhapje të gjerë ka edhe patronimi Shehu, që takohet shpesh ne hapësirën shqiptare. Në Numëratorin telefonik të Tiranës gjenden rreth 600 abonentë që mbajnë këtë patronim (rreth 1.2% e numrit të përgjithshëm të abonentëve të këtij qyteti). Në disa raste ky emërtim gjendet në përbërjen e patronimeve të përngjitura. Të tillë janë emrat familjarë Shehedula, Shehetila etj. Në këtë nënndarje përfshihet edhe patronimi Terihati (pers. terighati).
12. Patronime shqiptare nga njësi leksikore të sferës administrative dhe ushtarake.
Siç dihet, në fondin e turqizmave që kanë hyrë në gjuhën shqipe, një pjesë të madhe përbëjnë ato të sferës ushtarake, meqë Perandoria Osmane ishte shtet feudal-ushtarak dhe emërtesat e fondit leksikor të kësaj fushe përbënin volum shumë të madh. Mirëpo, siç është pohuar edhe me lart, një pjesë e konsiderueshme e fjalëve turke, që kanë depërtuar në gjuhën shqipe u takon huazimeve perse, prandaj do të përpiqemi që të pasqyrojmë në këtë punim njësitë leksikore të këtij fondi, të cilat shqipja i huajti nga turqishtja dhe, me kalimin e kohës, u natyralizuan si pjesë të leksikut të gjuhës shqipe dhe u përdorën për sajimin e emrave të familjeve shqiptare. Sot në krahina të ndryshme të hapësirës shqiptare ka familje që mbajnë patronime të këtij fondi, si: Bajraktari (pers. bayrag), Dilaveri etj. Ndër patronimet shqiptare të përftuara nga njësi leksikore të persishtes, përdorim më të gjerë ka emri familjar Dizdari (pers. dezdar- mbrojtës kështjelle), që takohet si emër familjar në shumë krahina të Shqipërisë ku ka pasur kështjella, kryesisht në Shkodër, Delvinë, si dhe në Margelliç, në Ulqin, në Shpuzë dhe në shumë vise të Kosovës etj. Këtë patronim e gjejmë edhe në formën Dezdari, çka dëshmohet në dokumentet historike të vitit 1614 (T. Dizdari, Fjalori i orientalizmave në gjuhën shqipe, Tiranë, 2005). Me emrin Desdarë njihet një sipërfaqe sinoresh në Breg të Bunës. Po kështu, në Delvinë ndodhet një ngastër me emrin Gjezdarat, që i takon familjes së Gjesdarajve. Të këtij fondi janë edhe fjalët: hanxhari, havani, kumbaraja prej të cilave janë sajuar patronimet që mbahen nga disa familje shqiptare, si Hanxhari (pers. khançar- një lloj kame me dy presa e me majë të hollë), që mbahet si patronim nga shumë familje shqiptare anekënd Shqipërisë dhe të hapësirës shqiptare jashtë kufijve shtetërore të Republikës së Shqipërisë.
Patronimi Havani (pers. havan-armë e artilerisë me tytë të shkurtër dhe shumë të gjerë, por edhe enë prej guri, druri apo metali që shërben për të shtypur materiale të ndryshme), mbahet sot nga disa familje të vjetra shkodrane me banim në Shkodër dhe në Tiranë. Po kështu, emri familjar Kafazi (pers. kafaz ose kavas - rojtar i posaçëm, vendas pranë konsullatave, përfaqësive dhe misioneve te huaja në viset e Perandorisë Osmane), Kalemi, Kumbaraja (pers. khumbara - bombë dore, predhë e hekurt e rrumbullakët, e çelur brenda, që hidhej me havan), Myhyrdari, Qehaja, Spahija, Spahiu, Suvarija, Topi, Tophana (pers. tup-hane, vend për prodhimin e topave).
13. Patronime shqiptare nga persizma të fondit leksikor të bimësisë janë të rralla.
Për ilustrim po shënojmë disa prej tyre: Bahçevani, Bostani, Çinari, Vishnja.
14. Emra familjarë shqiptarë nga persizma të sërës së blegtorisë dhe të botës shtazore.
Shumë familje anekënd trevave ku banojnë shqiptarët, mbajnë patronime të këtij tipi. Disa prej këtyre zoonimeve mund të jenë përdorur fillimisht si antroponime dhe, me kalimin e kohës, falë praktikës së shqiptarëve të përdorimit të emrit si emër familjar, këto emërtime janë kthyer në patronime. Po shënojmë këtu, më poshtë disa patronime të këtij lloji: Bilbil (pers. Bolbol), Çakalli, Çobani, Kumria etj.
15. Patronime shqiptare nga emërtime të sferave të tjera të fondit leksikor të persishtes.
Në këtë nënndarje përfshihet një numër i madh emrash, kryesisht abstrakte, të fondit të persishtes, që kanë hyrë në fondin aktiv të shqipes. Ndër ta veçojmë patronimet: Ashikja, Ashiku, Bafti, Behari, Berbati (pers. Barbad, i ndyrë, rrënues, i keq). Ka shumë mundësi që origjina e këtij patronimi të ketë lidhje me ojkonimin Bervat, që emërtonte dikur një fshat të rrethit të Tropojës, që sot njihet me emrin Shkëlzen), Derti, Dynjaja, Gazepi, Mileti, Nishani, Paçarizi, Poçi, Sade, Zarari etj.
ANTROPONIMET
Njësi të fondit të leksikut të persishtes sot i gjejmë, jo vetëm në leksikun e gjuhës shqipe, por edhe në fondin antroponimik të saj, pra në listën e emrave vetjakë të shqiptarëve. Disa njësi të këtij fondi janë përdorur si antroponime edhe nga persët dhe si të tillë kanë hyrë në gjuhën shqipe, pra janë huajtur nga shqiptarët si antroponime, por ka raste, ndonëse të rralla, që njësi të fondit leksikor të persishtes janë përdorur nga shqiptarët si emra vetjakë, ndonëse në gjuhën e origjinës nuk përdoren si të tillë. Kësisoj janë antroponimet që vijojnë: Çobani (pers. Cupan – Çoban Deda në Malësinë e Pukës, Çoban Lula i Dukajve në Shalë të Dukagjinit, në rrethin e Shkodrës), Dervishi (pes. i varfër), Dizdar-i (pers. Dezhdar – mbrojtës kështjelle) etj., që janë përdorur gjithandej në hapësirën e banuar nga shqiptarët, madje shumë prej tyre janë përdorur edhe me funksion patronimik, çka vërtetohet me dendurinë e familjeve shqiptare që mbajnë këtë emërtim, brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë të Republikës së Shqipërisë, por, siç u tha më lart, shumica e antroponimeve të fondit leksikor të persishtes kanë hyrë në gjuhën shqipe si emra njerëzish, kryesisht nëpërmjet turqishtes. Të tillë janë antroponimet: Ashk-u (pers. Ashegh, Behar, Bilbil-i (pers. bolbol), Dervish-i, Dilaver-i, Dylber-i, (pers. dalbar, delbar), Gonxhe-ja (pers. ghonceh), Haki-u, Jasemin-i (pers. yasmin, shkurre kacavjerrëse e familjes së Oleaceve, Jaseminus frutikans), Kahreman–i, Kajmak (pers. geymag), Kalem–i (pers. kalam), Kumrije-ja (pers. ghomri), Melek-u, Meleqe-ja, Nae-ja, Pelivan (pers. pahlevan), Razi – u, Selam – i, Selami-u, Sevdije, Sheboje-a, (pers. shabui), Sheqer-i, Xhevahir-i, Xhevahir-ja (pers. javaher), Zylyf-i etj. Vite më parë këto antroponime kanë pasur përhapje shumë të gjerë në popullatën e trevave të banuara nga shqiptarët, por takohen edhe sot e kësaj dite, sidomos në popullatën e zonave rurale.
TOPONIMET
Në ndryshim nga antroponimet dhe patronimet, toponimet lindin shumë rrallë dhe kanë jetë shumë të gjatë. Kështu, ndonëse kanë kaluar më shumë se 2000 vjet disa toponime që emërtojnë qytete shqiptare, si Durrësi, Shkodra, Vlora etj., janë po ato (me ndonjë ndryshim të vogël fonetik). Kështu gjatë jetës së persizmave në gjuhën shqipe janë krijuar shumë pak emra vendesh. Për të sajuar këto emërtime është përdorur material leksikor nga fondi i leksikut vendas, por është krejt e arsyeshme që edhe ndonjë fjalë e huazuar nga persishtja, që është bërë pronë e shqipes, të ketë shërbyer si material gjuhësor në procesin e sajimit të emrave gjeografikë. Le të paraqesim disa shembuj që e ilustrojnë këtë dukuri.
OJKONIMET
Takohen më shpesh se çdo emër tjetër vendi, meqë qendrat e banimit krijohen kohë pas kohe në përshtatje me nevojat e komuniteteve të ndryshme dhe me zhvillimet e mundshme ekonomike të zonave të caktuara. Sipas madhësisë së vendeve që emërtojnë, këto emërtime grupohen si më poshtë:
Emra qytetesh: Hani i Elezit (pers. khane–han), qytet midis Kosovës e trevave shqiptare të Maqedonisë, Tirana (nga pers. Teheran). Janë shprehur shumë opinione që sjellin emrin e kryeqytetit tonë, Tiranës, nga emri i kryeqytetit të Iranit, Teheranit.
Emra fshatrash: Hani i Hotit (pers. khane–shtëpi, familje), pikëkalimi kufitar midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, Jeran (pers. jar– mik, shok, dashamir), fshat në Bajzë të Kastratit në Malësinë e Madhe).
Emra lagjesh: Bahçallëk (pers.Hahcheh–kopsht), lagje në qytetin e Shkodrës, Shallvare (pers. shalvar – pantallona), lagje në qytetin e Tiranës. Sheher (pers. shahr – qytet), është quajtur para pesë dekadash pjesa e qytetit të Shkodrës, që është e vendosur në fushë, për të dalluar nga pazari dhe lagjet që ngrihen mbi kodrat, në pjesën jugore të qytetit, Tepe (pers. teppeh – kodër), lagje e qytetit të Shkodrës, Tophane (pers. top–hanë, vend ku prodhohen topa artilerie), lagje në qytetin e Shkodrës.
MIKROTOPONIMET
Në trevat ku banojnë shqiptarët takohen gjithandej emërtime njësish të vogla topike të emërtuara me fjalë nga leksiku i persishtes. Të tilla janë: Çinari i Hoxhdheut (pers. çinar–rrap), qendër banimi që ndodhet në kryqëzimin e Durrës “Lek Dukagjini” me rrugën “Oso Kuka”, në qytetin e Shkodrës. Çinari i Zef Zorbës (hapësirë që ndodhet pranë varrezës së Rremajit, në Shkodër), Dervish Mustafa (emër lagjeje në Dibër të Madhe), Dezdare (emër tokash në Breg të Bunës, Shkodër), Gjezdaraj (ngastër toke në Delvinë, e banuar nga familjet e Gjezdarajve), Gur’i çoban’it, Varr’ i çobanit (Dukagjin, Pukë), Hoxhaj, fshat në Gash të Tropojës, Lagjja Hoxhaj në fshatin Kosmaç, Shkodër dhe lagje në Pajengë të Kërrabës së Tiranës, Hoxhallar, lagje në Libohovë, Gjirokastër, Rruga Karvanej (pers. karevan), rruga që lidh lagjen Lirie në fshatin Dobraç të Shkodrës, duke ndjekur drejtimin paralel me bregun lindor të Liqenit të Shkodrës, Udh’e Karvanit (emër topik në Pojan të Korçës), Grop’ e kaurrit, Varr’i kaurrit (Paftal, Berat), Podi i dervishit (emër në fshatin Dardhë të Pukës), Zajat e kaurrit, Trojet e kaurit, Apripë e gurit, Pukë).
FITONIMET
Emërtimet e këtij tipi, që janë huazime nga fondi leksikor i persishtes, përbëjnë një numër të kufizuar fjalësh, të cilat emërtojnë bimë të llojeve dhe të madhësive të ndryshme.
Ndër to po veçojmë:
- nga emra zarzavatesh: bamje (pers. bamie), bostan (pers.bostan)
- nga emra bimësh drusorë: çinar (pers. cinar), zerdeli (pers. zardalu)
- emra lulesh: jasemin (pers. yasmin), manushaqe (pers. benefshe), shemshir (pers. shamshir), zambak (pers. zambak), zymbyl (pers. zymbyl).
ZOONIMET
Fjalët e këtij grupimi që shqipja i ka huazuar nga persishtja, gjenden me pakicë. Prej këtyre po përmendim:
- emra insektesh: akrep (pers. aghrab)
- emra shpendësh: bilbil (pers. bolbol), lejlek (pers. leklek, laklak)
- emra kafshësh: gomar (pers. gomar), majmun (pers. maimun) etj.
Trajtimi i dukurive që lidhen me huazimet e shqipes nga persishtja në lëmin e onomastikës është bërë duke u mbështetur, kryesisht, në një fond të kufizuar emërtimesh, që vijnë nga persizmat e përfshira në fjalorët e gjuhës së sotme shqipe, duke lënë jashtë një listë mjaft të gjatë fjalësh të burimit persian, të cilat kanë dalë jashtë nga fondi aktiv i gjuhës së sotme. Zhvillimi i gjuhës shqipe në të ardhmen do të shoqërohet, pa dyshim, me spastrimin e mëtejshëm të saj nga fjalët e huaja, pra edhe të persizmave, por shumë prej këtyre fjalëve, sidomos ato që i takojnë fondit patronimik dhe atij toponimik, do të kenë jetë të gjatë dhe do t’u rezistojnë dekadave që do të vijnë.
Literatura e konsultuar
§ Numëratori telefonik i Shqipërisë 2001- 2002.
§ Numëratori telefonik i Prishtinës
§ Tahir Dizdari, Fjalori i orientalizmave në gjuhën shqipe, Tiranë, 2005.
§ Feti Mediu, Ngulitja e disa persizmave dhe evoluimi i tyre semantik në gjuhën shqipe, Perla, 1/1999, f.47.
§ Jusuf Shpuza, Vëzhgim për emrat familjarë të shqiptarëve, Shkodër 1998.
* Jusuf Shpuza (1937-2010).