Perandorë, Shërbëtorë dhe Konflikti Sirian

“Ne po i hedhim me mijëra në zjarrin e vdekjes më të keqe, jo që të fitojmë luftën por që misri, orizi dhe nafta e Mesopotamisë të bëhen tonat”, – do të shprehej në librin e tij “Shtatë Shtyllat e Mëncurisë” agjenti britanik T.E.
Lorenc, i njohur ndryshe si Lorenci i Arabisë, për ushtarët britanikë në luftë kundër Perandorisë Osmane. Një zgjidhje ishte në hartim e sipër. Në marrëveshje me forcat e Antantës dhe me përkrahjen e tyre financiare dhe ushtarake, Sherif Huseini i Mekës do të ngrihej në revoltë në bashkëpunim me disa shoqëri të fshehta të krijuara nëpër perandori (plane të tilla të ngjashme ishin vënë edhe më parë në jetë në pjesë të ndryshme të perandorisë përfshi edhe Shqipërinë). Në atë që më vonë u bë i njohur si letërkëmbimi MekMahon – Husein, në këmbim të revoltës, Sherifit i premtohej krijimi i një shteti arab që përfshinte pjesën më të madhe të Sirisë së Madhe, Irakun, Libanin, Jordaninë, Palestinën dhe Hixhazin. E panjohur për Sherifin ishte një tjetër marrëveshje, ajo Saiks-Piko (Sykes-Picot) e përfunduar në qershor 1916, vetëm një muaj pas marrëveshjes së tij me MekMahon, e cila në ndarjen e planifikuar të perandorisë Osmane mes Britanisë, Francës dhe Rusisë, i jepte Sirinë Francës. Marrëveshja u bë e njohur pas revolucionit Bolshevik në Rusi dhe publikimit nga Lenini të pazareve të fshehta mes fuqive. Një tjetër marrëveshje e fshehtë e një viti më pas, e njohur si Deklarata Balfur, i premtonte lobit zionist Palestinën si shtëpinë kombëtare të cifutëve. Në fjalët e vetë Lorencit të Arabisë: “…më mirë të fitojmë e të thyejmë fjalën tonë se sa të humbim.”

Për të justifikuar veprimin e tij ndaj Osmanëve, Sherif Husein, djemtë dhe bashkëpunëtorët e tij, lëshuan proklamata fetare, të amenduara nga britanikët, në gazetat e tyre si Al Qibla etj. ku denonconin Komitetin e Bashkimit dhe Progresit të Xhonturqve. Në bashkëpunim me britanikët, të pajisur prej tyre me armatimet më të fundit dhe të mbështetur nga ajri, ata filluan sulmet kundër hekurudhës së Hixhazit të ndërtuar nga osmanët dhe ndërmarrjen e aksioneve guerrile. Diversioni detyroi qeverinë qëndrore në Stamboll që forca, furnizime dhe para të nevojshme për tu përdorur kundër forcave të Antantës të shpenzohen në Arabi. Në fund, Sherif Husein u përzu prej Hixhazit nga Ibn Saud, themeluesi i Arabisë Saudite në territoret e sotme. Djali i tij Feisal,
pas dëbimit nga Damasku, u caktua mbret i shtetit të ri të Irakut ku familja e tij sundoi deri në 1958, vit në të cilin pasardhësit e tij u ekzekutuan së bashku nga ushtarakët nacionalistë irakenë. Një tjetër udhëheqës kryesor i revoltës dhe bashkëpunëtor i Faisalit dhe familjes së tij, tashmë kryeministër, Nuri as Said, po ashtu u kap duke u përpjekur të largohet i veshur si grua.
Pasi u var, trupi i tij u tërhoq zvarrë nga njerëzit nëpër rrugët e Bagdadit. Djali tjetër i Sherif Husain, Abdallahu, u bë mbret i Jordanisë, vend të cilin familja e tij vazhdon ta sundojë dhe sot. “E vetmja nevojë që kishim”, - shprehet T.E. Lorenc në librin e tij, “ishte mundja e armiqve tanë (Turqia mes tyre) dhe kjo u arrit më në fund …. me më pak se katërqind të vrarë, duke vënë në përdorimin tonë duart e të shtypurve në Turqi.” Por jo të gjithë arabët ishin me Sherif Huseinin. E vërteta është se përvec disa oficerëve të lartë, asnjë nga garnizonet arabe të ushtrisë osmane nuk kaloi në anën e rebelëve. Shumica e popullit arab qëndroi deri në fund me osmanët dhe një pjesë e madhe e elitës dhe inteligjencës arabe e dënoi revoltën si tradhëti në një kohë kur bashkimi ishte shumë i nevojshëm.

 


2. Rrethimi i Një Qyteti

Pak ditë më parë ushtria siriane filloi një ofensivë ndaj trupave rebele të vendosura në qytetin e Alepos. Qyteti njihet si qendra komerciale e Sirisë. Menjëherë mediat perëndimore filluan paralajmërimet për masakër nga ana e ushtrisë dhe për mundësinë e përdorimit të armëve kimike prej saj. Diku në një kanal televiziv Alepo përshkruhej si qytet i trashëgimisë botërore i mbrojtur nga UNESCO, ndërkohë që raportime të ndryshme flisnin për 200,000 civilë të larguar nga qyteti e akoma në një tjetër program presidenti francez bënte thirrje për ndërhyrje. Para tij thirrje për veprim nga ana e Këshillit të Sigurimit bënte edhe shefi i OKB, Ban Ki Mun, i cili nuk mungon të shfaqet sa herë e thërrasin. Muni, sidoqoftë, akoma nuk ka thënë asnjë fjalë për genocidin që po ndodh ndaj popullsisë muslimane Rohingia në Burma. Thjesht një krahasim.
 
E ndërsa lexoja këto lajme në mendje më erdhi një tjetër rrethim: Falluxha. Emri është bërë sinonim i atyre qyteteve që kanë hyrë në histori si shembuj të dhunës së pashembullt – Hiroshima, Grozni, Srebrenica etj. Pas përpjekjes së parë të dështuar për të marrë qytetin që shtrihet në zemrën e pjesës sunite të Irakut në prill 2004, marinsat amerikanë e britanikë u rikthyen në nëntor, kësaj rradhe të vendosur për ta rrafshuar atë. Qindra mijëra civilë u detyruan të lënë qytetin. Të mbijetuar të masakrës raportuan vrasje me snaiper mbi burra, gra e fëmijë. Numri i të vrarëve mendohet të ketë arritur në mijëra njerëz nga shumica e ekspertëve. Por numri i vërtetë ndoshta nuk do të mësohet kurrë për shkak se forcat aleate nuk numëronin vdekjet e shkaktuara prej tyre. Irakenët e vdekur nuk ja vlenin as të numërohen.

Pasi i hodhën poshtë në fillim, SHBA u detyruan të pranojnë akuzat për përdorim të fosforit të bardhë, një material kimik i cili shkakton djegje të trupit të viktimave me të cilat bie në kontakt, dhe të bombave thërmuese, bomba që shpërbëhen në shumë pjesëza duke shkaktuar viktima në një rreze të gjërë. Dëshmi të mbledhura tregojnë edhe për përdorimin e bombave me uranium të shteruar efekti i të cilave zgjat për mijëra vite. Një studim i Janar-Shkurtit 2010 i dr. Kris Basbi i përshkruar në The Independent nga Patrik Kokbërn, tregon për një rritje prej 38 herësh të rasteve të leucemisë dhe 10 herësh të kancerit të gjirit tek femrat duke tejkaluar me disa herë Hiroshimën dhe Nagasakin ku numri i rasteve me leucemi tek të mbijetuarit u rrit me 17 herë. E gjitha kjo ndërsa perëndimi kish akuzuar vazhdimisht për mëse një dekadë Sadam Huseinin për përdorim të fosforit të bardhë ndaj popullsisë kurde. Kolegu i Kokbërn, i mirënjohuri Robert Fisk, në një artikull në 27 prill 2012 mbi numrin e madh të lindjeve me deformime në Falluxha të titulluar “Fëmijët e Falluxhas – spitali i tmerreve” shprehet se “As qeveria irakene, as ajo amerikane apo britanike nuk lëshojnë as një cicërimë për Falluxhan.” http://www.independ ent.co.uk/ opinion/commenta tors/fisk/ robert-fisk- the-children- of-fallujah- -families- fight-back- 7682416.html.
Disa nga shenjat e raportuara të viktimave që bien në kontakt me uranium të shteruar janë rënia e thonjve, e dhëmbëve dhe e flokëve. Në 2008, më ka rënë rasti të takoj një ish-ushtar amerikan i cili kishte kryer disa ture në Irak të cilit i kishin rënë dhëmbët, flokët dhe thonjtë. Rastësi?



3. Aleanca e Rinovuar

Ujë nën rrogoz. Të harruara janë Guantanamo, Abu Graib, Falluxha e sa të tjera. Në Libi, një nga komandandët kryesorë pjesëmarrës në betejën për marrjen e Tripolit ishte një ish-i burgosur i Guantanamos, i lavdëruar nga shtypi perëndimor për trimërinë e tij. Pasi pa Irakun ti rrëshkasë nga duart ngadalë drejt influencës iraniane, SHBA më në fund i vuri veshin Zbigniew Brzezinskit, këshilltarit të sigurisë nën presidentin Carter dhe ideatorit të krijimit të lëvizjes së muxhahidinëve në Afganistan. “Sadami mund të ishte një diktator,” – shprehet Brzezinki, por ai ishte shumë efektiv kundër Iranit.” Gabimi i dërgimit të qindra mijëra trupave si në Irak nuk mund të përsëritet. E kështu, diku mes thirrjeve e fetfave që bëhen haptazi për xhihad (madje edhe në Tiranë e Kosovë ndërkohë që për problemet e muslimanëve brenda vendit askush nuk pipëtin), nga transformimi i Al-Jazeerës në nëndegë të CNN, nga financimi e armatimet nga Saudia, Katari e Kuvajti, tek buzëqeshjet mes Mursit e Klintonit, tek dërgimi i ish-rebelëve libianë për të luftuar në Siri nëpërmjet Turqisë, miqtë e vjetër po ribashkohen ashtu si në kohërat e lumtura të luftës ndaj BRSS në Afganistan. Dikush mund të pyesë ku përfundoi politika e fqinjësisë së mire që Ankaraja ndërmorri pak vite më parë? Asnjë gjurmë e saj. Turqia, sot në anën e konfliktnxitë sve, harron se ndoshta nesër mund të bëhet Siria e ardhshme, atëherë kur perëndimi të vendosë që islamikët duhet të ikin. Atëherë do të dëgjojmë për kurdët e shtypur që duan liri nga thundra e tyre. Dikush mund të pyesë pse bëhen thirrje kaq haptazi për në Siri ashtu si dhe në Libi, por jo për ne Palestinë apo Bahrain?


4. Mallkimi i Puthjes me Sarkozinë

Por nuk ka qenë gjithnjë kështu. Vetëm para pak viteve Siria ishte një aleat i devotshëm i perëndimit në “luftën kundër terrorit.” Regjimi i Asadit shërbentë si pikë “trajtimi” për ata të dyshimtë që perëndimorët e moralshëm nuk i torturonin dot në burgjet e tyre. I tillë ishte për shembull rasti i Maher Arar, kanadezo-sirianit i cili iu dorëzua autoriteteve siriane nga amerikanët me dijeninë e plotë të kanadezëve si një i dyshuar për lidhje terroriste. Pas daljes nga burgu dhe kthimit në atdhe, Arar hodhi në gjygj qeverinë kanadeze e cila pasi mohoi për një kohë të gjatë skandalin, u detyrua nga gjykatat e vendit që të paguajë dëmshpërblim. Ato ishin kohë të tjera, kohë kur Sarkozi propozonte themelimin e një unioni mesdhetar, kur Asad ftohej në Paris për të marrë pjesë në festimet e 14 korrikut në Bastijë, kur Gadafi hapte tendën e tij ne Pallatin Elize e kur ai e mbrohej me furi ndaj sulmeve të atyre që e quanin diktator. Por kohët ndryshojnë.


5.
“....ne nuk jemi një popull i ri me një rekord të pafajshëm dhe një trashëgimi të pakët. Ne kemi pushtuar për veten tone … një pjesë krejtësisht jo-proporcionale të pasurisë dhe trafikut të botës. Ne kemi marrë gjithcka që dëshirojmë në territore dhe kërkesa jonë për tu lënë të pangacmuar në shijimin e zotërimeve të pamata dhe të shkëlqyera kryesisht të marra me dhunë, në pjesën më të madhe të mbajtura me forcë, shpesh u duket më pak e arsyeshme të tjerëve se sa na duket ne.”

Këto fjalë të Winston Churchillit të paraqitura kabinetit britanik në 1914 tregojnë më së miri ndërgjegjshmërinë e elitave imperialiste për veprimet e tyre. Churchilli nuk mund ti lejonte vetes një sinqeritet të tepruar dhe për këtë arsye i la jashtë fjalët e nënvizuara kur bëri botimin e artikullit në 1922. Atëherë ishte Gjermania ajo së cilës zotërimet britanike i dukeshin të paarsyeshme. Kërkesa për rinegocim solli fillimin e Luftës së Parë Botërore në të cilën një tjetër fuqi, perandoria Osmane, e pakënaqur nga humbjet e njëpasnjëshme, kërkoi të merrte pjesën e saj. Sot, Rusisë dhe Kinës zotërimi i gjithë Lindjes së Mesme nga anglo-amerikanë t mund të mos u duket shumë i arsyeshëm. Ndaj, pasi hëngrën sapunin për djathë në Libi, ato refuzojnë të lëshojnë pe. Qëndresa e tyre në Këshillin e Sigurimit të OKB nuk ka të bëjë me ndonjë fjalë nderi të pathyeshme që ato i kanë dhënë Iranit apo Sirisë, por pikërisht me kërkesën për një rihapje të negociatave dhe një ricaktim të zotërimeve dhe zonave të influencës. Në fund të fundit, kush mund të ketë besim tek oreksi i madh perëndimor? Putini vetë, i prekur pak kohë më parë nga influenca perëndimore në formën e protestave kundër qeveritare, ligjëroi deklarimin e shoqatave apo partive që marrin fonde nga jashtë si agjentë të huaj.



6.
Perandorë, Shërbëtorë dhe Konflikti Sirian

“Politika e SHBA-ve është sigurimi i vazhdimësisë së sulmeve terroriste deri sa qeveria të hapë rrugë apo të rrëzohet, ndërsa agjentët servilë të perandorit shqiptojnë fjalë qetësuese për “demokracinë” dhe “të drejtat e njeriut” – thotë i mirënjohuri profesor Noam Chomsky në librin e tij Perandorë dhe Piratë. Paralelet me një shekull më parë janë të shumta.
Dikur nacional-separatizm i arab u përdor si pykë për të përcarë një popull, sot sunitët përdoren si masha kundër shiave. Atëherë Sherif Huseini bënte marrëveshje me Britaninë dhe kërkonte ndërhyrjen e saj, sot Këshilli Kombëtar Sirian e të tjera grupe, njëlloj si një tjetër këshill simotër ai Tranzicional Kombëtar Libian një vit më parë, kërkojnë bombardimin e vendit drejt demokracisë nga ana e NATO’s. E gjithë shfaqja, ashtu si njëqind vite më parë, justifikohet me terma fetare për luftë të shenjtë e po ashtu si një shekull më parë kundër xhonturqve bëhet thirrje për liri nga shtypja dhe dhuna.

Rezultati rënies së perandorisë Osmane ishte ndarja e territorit në mënyrë arbitrale.  Siria, Iraku, Irani, Egjipti dhe Libia arritën në vitet ‘50-‘60 të rrëzojnë elitat pro-pushtuse shumë nga të cilat ishin pjesëmarrëse apo produkte të revoltës arabe. Për ti shpëtuar thundrës xhonturke (më saktë për të realizuar qëllimet e tyre për pushtet) ato elita i dhuruan Lindjes së Mesme lirinë nga xhonturqit vetëm për ta hedhur më pas në kolonizimin europian pasojat e të cilit i vuajnë edhe sot. Ashtu si atëherë, kjo luftë nuk bëhet për lirinë e popullit e as për demokraci, por për pushtet, influencë e ndarje pasurish.

E ndërsa Siria vërtet ka nevojë për liri, liria nuk mund ti vijë nga perëndimi, rekordi i të cilit në Afganistan, Irak e Libi është i tmerrshëm, për ta shprehur butësisht, e as nga kukullat e tij. Dy dekada më parë ish-kryeministri i Malajzisë Muhamed Mahathir do të shprehej “Nëse më parë (para rënies së Bashkimit Sovietik) kishim mundësinë për të dezertuar tek pala tjetër, tani nuk e kemi më. Mundësia jonë e re është të nënshtrohemi ose të rezistojmë.” Ndoshta krijimi i një boshti të ri Rusi, Kinë, Iran, ndërsa aspak i pafajshëm apo bamirës, mund ti lejojë botës në përgjithësi, e asaj Islame në vecanti, më në fund, një mundësi për frymëmarrje. Shkatërrimi i njëpasnjëshëm i shteteve të Lindjes së Mesme dhe nxitja e luftës civile nuk mund të jetë pranverë. Ai është vecse rikolonizim dhe regress.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme