Ateizmi

Si kuptim origjinar termi përkufizohej si mospranim i zotave të një qyteti, mosbindja ndaj zotave të një qyteti, mospasja e një zoti. Në vazhdim do të përdorej nga paganët kundër kristianëve dhe anasjelltas, meqënëse për secilën palë mosbesimi i palës tjetër ndaj zotave të palës akuzuese (ndonëse kishin natyrë të ndryshme) konsiderohej si ateizëm. Ateizmi ishte shkalla më e lartë e mosbindjes ndaj ligjeve fetare apo besimit në zota të caktuar. Shërbente si fjalë përbuzëse ndaj personit apo qëndrimit përkatës që binte në kundërshtim me fenë apo adhurimin a pranimin e hyjnive të qytetit për të cilin bëhej fjalë. Me kalimin e kohës termi i është nënshtruar një saktësimi dhe përcaktimi më të qartë nga ana kuptimore deri në ditët tona duke marrë dhe ngjyrim krejt tjetër nga përdorimi i vjetër.

 Në kuptimin bashkëkohor termi ateizëm si qëndrim dhe si pikëpamje filozofike do të thotë tashmë mosteizëm, të mosqenit teist, të mosqenit besimtar, të mospasurit besim në ato çfarë beson një teist, që jo përjashtimisht, por të paktën tradicionalisht, për kontinentin evropian: të mosbesuarit në "zotin" monoteist të feve të Lindjes së Afërme e të Mesme; Kjo sepse vetë qëndrimi varet thelbësisht nga përkufizimi që teisti i jep fjalës "zot", një përkufizim që buron nga fetë në fjalë dhe deri më sot nuk qëndron në logjikë.

 "Jam ateist" përmbledh në radhë të parë frazën "nuk jam teist" pasi qëndrimi është mohues i pohimeve teologjike dhe së dyti frazën "nuk besoj në ekzistencën e "zotit"", duke përfshirë në të të gjithë ata që nuk kanë besim në asnjë "zot", apo në asnjë fuqi "mbinatyrore". Dallimi i bërë këtu, në ndryshim nga kuptimi historik që i është dhënë nga fetarët, është se ateizmi përfshin gjithçka që nuk është teizëm dhe si e tillë gjendja nuk lë mundësi të tjera zgjedhjeje veç teizmit, apo ateizmit, pasi është një rast pyetjeje me përgjigje po ose jo. Shkurtimisht, pra, me përkufizim, nëse nuk je teist, je ateist; nëse nuk je besimtar, je mosbesimtar.

 Një keqkuptim që është kryer në përcaktimin e ateizmit për disa shekuj me radhë është ai se ateizëm do të thotë "besimi se nuk ka zot". Kjo kryhej në lidhje me atë kategori të ateistëve që pohojnë hapur se "zoti" nuk ekziston, në dallim nga pjesa që thjesht nuk beson në "zot" e që nuk niset të pohojë asgjë në lidhje me "zotin". Ndërsa është e diskutueshme nëse pohimi se "zoti" nuk ekziston është shprehje besimi ose jo, reduktimi i ateizmit në thjesht një pjesë të ateizmit teorik (eksplicit, pozitiv) nuk e paraqet të plotë qëndrimin ateist, ndaj dhe shihet në çdo rast si shtrembërim i qëllimshëm. Ateizmi si qëndrim gjithëpërfshirës nuk thotë "besoj se nuk", por "nuk besoj se", një dallim thelbësor pasi i dyti e përfshin të parin, por nuk barazon me të dhe nuk vlen anasjelltas.

 Dy kategoritë kryesore të ateizmit janë ateizmi praktik (implicit, negativ) dheateizmi teorik (eksplicit, pozitiv).

 

Ateizmi praktik është ai qëndrim apo mënyrë jetese ku "zoti", besimi në "zot", apo çështjet rreth fesë, apo "zotit", nuk përfillen, nuk llogariten e nuk merren fare parasysh në asnjë instancë të jetës së përditshme të dikujt, nuk prekin asnjë veprimtari të njeriut a jetës së tij, pa qenë këtu e nevojshme që të kryhet ndonjë pohim rreth "zotit" apo fesë, ndaj dhe ka karakter të nënkuptuar e të pashprehur drejtpërdrejt (implicit).

 

Ateizmi teorik është ai qëndrim dhe ecuri ku "zoti" apo feja hetohen imtas në aspektin teorik dhe rrëzohen shprehimisht duke iu nënshtruar zbërthimit të rreptë logjik. Ky lloj ateizmi është i shprehur në mënyrë të drejtpërdrejtë (eksplicite) dhe nis filologjikisht që në lashtësi me Epikurin, Demokritin, Anaksagorën, Stratonin, Protagorën dhe vazhdon deri në ditët tona me një sërë mendimtarësh të tjerë si F. Niçe, D. Hjum, B. Rasëll, Xh. Smith, R. Doukins, etj.

 

   A T E I Z M I

  Ateizmi agnostik 

 

Agnosticizmi si term sipas shpjegimeve te fjaloreve standard buron prej trajtës se gjuhes "greke" "a = pa" dhe "gnosticizëm = dijshmëri" ose "gnosis = dije", në zbërthim kuptimor: mos-dijshmëri, të mospasurit dije.  Kjo mosdije:  1. përqendrohet rreth disa pikëpamjeve teologjike dhe metafizike si "mbinatyra, zoti, etj." 2. përbën një qëndrim në njohshmërinë e subjektit dhe nuk merr pozicion rreth besimit ose jo në këtë subjekt.

 Agnosticizmi pohon se subjektet teologjiko-metafizike në fjalë janë të panjohura dhe diku dhe të panjohshme për njeriun, ndaj dhe ai nuk e shqetëson veten me dijen rreth tyre, duke pezulluar përfundimisht gjykimin për kuptimin a vërtetësinë e këtyre subjekteve.

 Si qëndrim rreth njohshmërisë së subjekteve teologjike, agnosticizmi përmbahet në të dy qëndrimet rreth besimit në "zot", pra, dhe në ateizëm (mosbesim) dhe në teizëm (besim).

 Ateizmi agnostik nuk di asgjë rreth "zotit", "mbinatyrës" dhe subjekteve të tilla relevante për termin dhe po ashtu nuk beson në "zot", apo në "mbinatyrë", duke u përfshirë natyrshëm në kategorinë e gjerë të ateizmit praktik a implicit.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme