Si duhet lexuar Kurani

Gjatë jetës sime shume herë e kam lexuar Kuranin, por kurrë nuk jam pyetur: Si duhet lexuar realisht Kurani? Pyetja juaj më ngacmon që të mendoj për këtë, dhe ja, po rendis disa mendime ashtu sipas radhës që më vijnë ndërmend.

Para së gjithash duhet të kemi parasysh se Kurani është një tërësi. Asnjë ajet kuranor i marrë veçmas nga teksti, nuk është një e vërtetë e plotë, por një pjesë e të vërtetës. Vetëm Kurani është tërësi dhe një e vërtetë që s’mund të cenohet (e vërtetë e plotë). Citimi i veçuar i ajeteve është i pashmangshëm, por kurdoherë duhet llogaritur kufizimi përkatës. Kjo është tamam si tek mozaiku. Guraleci i zi ose i kuq në mozaik merr (fiton) kuptimin (rëndësinë, pamjen) e plotë vetëm në kompozicionin në tërësi. Të ndarë nga e tëra, ata pak ose aspak nuk kontribuojnë (ndihmojnë) që të përfytyrohet figura, pjesë e së cilës janë vetë ato. Për të shpjeguar këtë po sjell ca shembuj.

Një ajet kuranor përshkruan shpagimin (hakmarrjen), e keqja me të keq (Bekare, 179), kurse tjetri bën thirrje për falje. Ose në një ajet Allahu thotë (deklaron): “ Mos ia mohoni vetes punët e mira e të pastra që ju ka lejuar Zoti“ (Maide, 87 ), kurse tjetri këshillon: “Mos i ngul sytë tek zbukurimet e kësaj bote… “ (Taha, 131 ) etj.

Një lexues sipërfaqësor (i cekët) mund të mendojë se këtu është fjala për mospërputhjet (kundërthëniet, kundërshtitë) në Kuran, gjë që sigurisht nuk është rastësi. Përkundrazi, bëhet fjalë për diçka cilësore, të veçantë të Kuranit për Islamin, për sintezën në pamje të parë të këtyre kërkesave kundërthënëse. Kurani, sigurisht, nuk dëshiron njërën por të dyja. Ai nuk do vetëm ndëshkimin, por dhe faljen. Po kështu ai nuk do vetëm atë botë, por edhe këtë, asnjëherë vetëm njërën prej tyre.

Njerëzit që vetëm do të ndëshkonin, qoftë dhe me drejtësi, nuk do të ishin myslimanë, sepse nuk kanë falur. Ndërsa ata që vetëm kanë falur, nuk do ta dëbonin (kundërshtonin) të keqen me të keqe, gjithashtu nuk do të ishin myslimanë. Myslimanë janë vetëm ata që dinë masën e rregullt të njërës e të tjetrës, baraspeshën.

Por përfundimet që sollëm, siç i pamë, mund të nxirren vetëm nga Kurani si tërësi, e jo ajetet e veçuara nga e tëra. Mendoj se kjo është një metodë që ndihmon për t’u ngritur shkallë-shkallë deri në kuptimin e plotë të Islamit dhe thelbit të porosive të tij.

Rregulli i dytë i leximit të Kuranit na porosit:

“Lexojeni Kuranin vazhdimisht e përsëri (përsëriteni) sigurisht me ndërprerjen e domosdoshme të kohës. Kjo është mënyra për të zbuluar atë që mund të quhet shtresëzim kuranor. Çdo rilexim i Kuranit zbulon diçka të re. Kurani me siguri ka mbetur unik (i pacenuar), por diçka ka ndryshuar; ju jeni ndryshuar, ose janë ndryshuar mundësitë tuaja vetjake, ose është ndryshuar bota në të cilën ju jetoni. Por këto ndryshime mundësojnë që në Kuran të zbuloni tani një kuptim të ri që më parë nuk e keni vënë re, ndërsa disa ajete të cilat i keni kaluar më parë pa vëmendjen e duhur, tani jehojnë në shpirtin tuaj në një mënyrë të re. Këtë mund ta besojë (verifikojë) secili, por unë këtu për ilustrim do të sjell disa ngjarje nga përvoja personale.

Kur isha i ri, lexoja Kuranin, ndaloja posaçërisht tek ajetet që bënin fjalë për punën, për luftën, për drejtësinë. Për këtë dëshmon dhe një fashikull nga ajo kohë i cili me disa ngjarje është ruajtur dhe është plot me ajete të tilla të nxjerra nga Kurani. Më kujtohet mirë që si i ri isha shumë i impresionuar me ajetin që flet për detyrat e rezistencës ndaj tiranisë, d.m.th. në një vend, duke folur për portretin e myslimanëve, besimtarëve, Kuranin krahas të tjerave i përshkruan si “…kur i godet ndonjë dhunues i rezistojnë, e kundërshtojnë. “ (Shura, 39.)

Më kujtohet se sa me gëzim e citoja në çdo rast. Sot ndërkohë, më tepër më tërheqin ajetet që flasin për Zotin, për relativitetin e jetës, madje të kalimit (transfertës), ajete që të çojnë drejt meditimit dhe jo drejt aksionit (veprimit). Më kujtohet se si më parë më bëri një përshtypje mjaft të madhe ajeti kuranor që flet për Zotin si një ekzistencë e patjetërsueshme: “Çdo gjë kalon (lëviz), por mbetet vetëm qenia e të madhit Zot, e Zotit tënd… “. Zoti është Ai që ekzistonte para yjeve dhe që do të mbetet pas tyre. Ai është një e vërtetë dhe një realitet. Dhe kur më vdiq nëna, e deri në kohen kur në shpirtin tim dhimbja ishte akoma e freskët, me gëzim hapja atë faqe Kurani ku ndodheshin ato fjalë të mrekullueshme:

“O shpirt i qetë, kthehu tek Zoti yt, i kënaqur, se edhe Ai nga ti është i kënaqur. Hyr te njerëzit e mi te mirë dhe qëndro në Parajsën time.” (fundi i sures Fexhr)

Dhe meqenëse këto versete vazhdimisht më ndillnin lot, ata më ngushëllonin në mënyrën më të mirë. Atëherë mendoja: A do të mund të shqiptonte njeriu fjalë më të mira ngushëlluese, kush do ta kishte fat të kërrusej, të shikonte mbi fytyrën e fëmijës së vdekur?

Kurani në një rast është kod penal ose britmë luftarake, dhe në një rast tjetër është ngushëllim për nevojat e pashmangshme të kësaj bote. Në një rast do të preferojmë njërën, në një rast tjetër tjetrën.

Ky zbukurim i kuptimeve të ndryshme ose toneve Kuranore në varësi nga mundësitë vetjake, vlen edhe në planin historik në jetën e bashkësisë. Atëherë flasim për aktualitetin e veçantë të disa ajeteve Kuranore. Aty ku tërbohet racizmi, domethënie të veçantë do të kenë ajetet Kuranore që flasin për origjinën e origjinës, prandaj ndaj kësaj i mëshohet barazisë ndërmjet gjithë njerëzve. (p.sh. Ajeti i pare i sures Nisa). Aty ku ushtrohet dhunë fetare ose sundon ndonjë gjë e kësaj natyre, duhet të vihet në dukje ligji me tri fjalë; “ Nuk ka dhunë në fe” (Bekare, 256 .)

Ne myslimanët nuk bëjmë dallime ndërmjet ajeteve Kuranore, por thuajse njëzëri mendimi unanim i të huajve se versetet Kuranore në lidhje me tolerancën fetare, janë ajetet më sublime, mund të zgjatej konsiderata në këtë aspekt, por kjo i kalon qëllimet e këtij artikulli të shkurtër.

Kur është fjala për leximin e Kuranit, duhet thënë (folur) edhe për një lloj të veçantë të këtij leximi; Ai që zakonisht ne e quajmë këndim Kurani ose dëgjim nga origjinali arabisht. Disa njerëz këtë lloj leximi të Kuranit nuk e konsiderojnë të vlefshëm, për shkak se shumica jonë nuk e kupton atë që lexon. Duhet të them se nuk jam i një mendjeje me këtë. Këtu nuk mund të mos kujtoj një përjetim që s’mund ta harroj gjithë jetën.

Para disa vitesh m’u dha mundësia që të marr pjesë në një konferencë që u kushtohej problemeve të rilindjes islame. Në konferencë e cila u mbajt në një qytet të madh evropian, një numër i madh dijetarësh të njohur shfaqën mendimet e veta rreth çështjeve që i përkasin fesë dhe përtëritjes islame.

Çdo ditë puna fillonte dhe përfundonte duke lexuar një pjesë nga Kurani e këto i lexonte njeh hafëz i njohur botërisht. Edhe n.q.s. njerëzit me kujdes dëgjonin fjalimet e pjesëmarrësve të konferencës, me gjithë këtë ndjehej prania e masës (disa qindra njerëz), disa pëshpëritin, ndonjëherë dëgjohej shushurima e fletëve ose lapsave etj. Por kur fillonte hafëzi të lexonte Kuran, çdo gjë shkallë-shkallë binte në qetësi e pas disa minutash mbretëronte qetësi mortore. Në pushimet që herë pas here bënte hafëzi gjatë leximit, asgjë s’dëgjohej më, dukej sikur asgjë s’merrte më frymë. Kjo është ajo qetësi ku njerëzit dëgjojnë rrahjet ritmike të zemrave të veta. Ndërsa Kurani nga goja e këtij hafëzi të mrekullueshëm i ngjan një lumi që rrjedh e për një moment (çast) është i qetë dhe i urtë, për një çast shndërrohet në një ujëvarë (katarakt) zhurmëmadhe (buçitëse) që kërcënon t’ju marrë e t’ju rrëmbejë. Kulmi i këtij përjetimi ndodhi ditën e mëpasme, kur hafëzi në shenjë respekti për ndarjen kishte vendosur të na përshëndeste. Kësaj radhe ai lexoi suren e mrekullueshme Er-Rahman, sure kjo e njohur për bukurinë dhe harmoninë e saj. Mendoj se këtë mbresë nuk jam në gjendje ta përshkruaj.

Nuk e dija kuptimin e kësaj sureje (përveç disa verseteve që përsëriteshin si refren), por më dukej sikur e kuptoja plotësisht unë dhe gjithë të tjerët. Pas çdo leximi të tillë unë ndjehesha pafundësisht më i afërt me gjithë të tjerët dhe më dukej sikur gjithë ata njerëz dëshironin t’i thonin njëri-tjetrit: A nuk e shihni që ne jemi vëllezër ?

Asnjëherë pas këtij përjetimi nuk mund ta shikoja çështjen e vlerës së leximit të Kuranit së bashku ose dëgjimin në origjinalin arabisht. Të gjithë myslimanët e vërtetë e kuptojnë Kuranin kështu ose ashtu.

Këtë artikull të shkurtër do ta përfundoja me mendimin se leximi i Kuranit i ngjan një udhëtimi nëpër tokat e njohura dhe të panjohura. Dy njerëz kalojnë të njëjtën rrugë dhe njëra rrugë është plot përshtypje, mbresa, ndërsa tjetra sikur ke kapsallitur sytë. Kjo varet nga ata dhe jo nga peizazhi dhe qytetet nëpër të cilat kanë kaluar.

Secili në Kuran, do të gjejë aq sa vlen ai në të vërtetë.

Përktheu nga boshnjakishtja Ismail Dizdari

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme