Përçarja dhe pasojat e saj

Hyrje

 

Në shtypin islam (Titulli i origjinalit: Muharrem Omerdiq, Razdor i njegove posljedice, në veprën: Zhivjeti u Islamu, Stamboll, 1995, fq. 161 - 180. Përktheu: Nexhat S. Ibrahimi.) kohë pas kohe paraqiten shkrime që trajtojnë çështjen e (jo)harmonisë ndërmjet xhematlinjve dhe xhematit tonë. Sado të shkruhet mbi dëmet e ndarjeve të tilla si nga aspekti fetar ashtu edhe nga ai shoqëror, as për së afërmi nuk do t'i kënaqim nevojat reale për këtë temë. Duke e marrë parasysh se ky lloj i problematikës është mjaft i gjallë, manifestim i realitetit të jetesës sonë të përditshme, në këtë drejtim do të duhej të ofrojmë më shumë vështrime, shkrime, shqyrtime shkencore dhe hutbe se që ka qenë rasti deri tash. Disa probleme si manifestim dhe pasojë e joharmonisë ndër xhematlinjt tonë duhet të kuptohen sa më seriozisht dhe të soditen në mënyrën sa më studioze me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve sa më urgjente.

 

Frakcionizmi është fatal për besimin

 

I soditur nga pikëpamja e akaidit përçarja shpie në frakcionizëm, kurse frakcionizmi synon rrënimin e Bashkësisë e me këtë edhe të fesë. Sektarizmi ndër muslimanët është mohim i urdhëresës kur'anore dhe sunnetike mbi xhematin, mbi ruajtjen e kompaktësisë së Bashkësisë. Pjesëtarët e Islamit në këtë nënqiellin tonë e kanë ruajtur kompaktësinë e organizatës së vet fetare gjatë pesë shekujve të ekzistencës së tyre dhe janë të parëndësishme ato raste që do të dëftonin në disa elemente të përçarjes dhe ndarjes. Për fat të keq, kohëve të fundit ka ardhur në shprehje liderizmi në disa të ashtuquajtur "liderë" të cilët e kanë lajthitur një numër xhematlinjësh dhe janë shkëputur prej Bashkësisë dhe në këtë mënyrë kanë treguar vetëdije të ultë islame dhe ambicie të sëmura për t'u vetëdalluar. Ky është gabim i rëndë fetar i cili me asgjë nuk mund të arsyetohet, si theksohet qartë në thëniet e Muhammedit a. s.: "Kush nuk u nënshtrohet eprorëve të vet dhe kush ndahet nga Bashkësia, dhe në këtë gjendje vdes, ka vdekur me vdekjen e të pafeut." (Muslimi). Me këtë ka treguar jo vetëm në rreziqet e frakcionizmit ndaj Bashkësisë, por edhe ndaj besimit të cilitdo që bëhet frakcionist apo ndikon në frakcionizëm. Disa frakcionistë për veten gjejnë arsyetim përse janë ndarë nga Bashkësia dhe në këtë përpiqen t'i bindin të tjerët, duke mos pasur parasysh interesin e përgjithshëm dhe pasojat për Bashkësinë dhe për tërë shoqërinë që nga kjo mund të rrjedhin. Besimtarët e sinqertë, edhe kur u cenohet interesi personal, më shumë do ta kenë parasysh interesin e përgjithshëm, duke e shpërfillur interesin e vet personal apo të familjes së tij. Ibn Abbasi transmeton se Muhammedi a. s. ka thënë: "Kush në obligimet (të drejtat) e veta sheh diç që personalisht nuk i përgjigjet le të durojë (e mos të bëjë përçarje), sepse kush largohet prej Bashkësisë vetëm për një pëllëmbë dhe në gjendjen e tillë vdes, ka vdekur me vdekjen e të pafeut." (Muslimi). Muslimi në përmbledhjen e tij të famshme të haditheve ka shënuar edhe një thënie të Pejgamberit a. s. në të cilën thuhet se tërë Bashkësia është e obligueshme të ngritet në këmbë kundër atyre që në te bëjnë përçarje, nëse duhet të pengohen në këtë me forcë, kushdo qofshin ata. Thënia vijuese e Pejgamberit a. s. në tërësi zbulon rreziqet nga sektarizmi dhe sëmundjet shoqërore që shpiejnë deri te rrënimi i një Bashkësie: "Edhe juve po ju kaplojnë sëmundjet e popujve të kaluar: smira dhe urrejtja. Ato janë të tmerrshme sikur tehu i thikës. Nuk po them se ky është tehu i thikës që e rruen qimen, por tehu i thikës që e shkatërron fenë. Pasha Atë në dorën e të cilit është jeta ime, nuk do të hyni në xhennet deri sa nuk besoni, e nuk keni besim deri sa nuk duheni ndërmjet veti. T'ua zbuloj çka do t'u forcojë në këtë: Përhapejeni ndërmjet veti selamin (paqen)." Në çdo bashkësi shoqërore duhet të respektohet rendi dispozitat që ajo i sjell me qëllim të rregullimit të raporteve ndërnjerëzore. All-llahu xh. sh. me Kur'an ua ka përcaktuar pasardhësve të Muhammedit a. s. normat e mirësjelljes së përgjithshme. Ato janë aplikuar nëpërmjet praktikës së Pejgamberit a. s. dhe shokëve të tij besnikë. Dhuna më e madhe kundrejt Bashkësisë është të nxitet përçarja, konflikti dhe joharmonia. Është detyrë e të gjithë muslimanëve që të ndikojnë dhe të veprojnë në vendosjen e rendit, paqes dhe drejtësisë, si në bashkësinë e vet ashtu edhe në mesin e njerëzve të tjerë. Ky është obligim fetar, si i individit ashtu edhe i Bashkësisë si tërësi. "Nëse dy grupe besimtarësh bien në kundërshtim, pajtojini ata, e në qoftë se njëri nga ata, megjithatë i bën dëm tjetrit, atëherë luftone atë (grup), i cili ka bërë krime derisa t'u bindet normave të All-llahut. Nëse binden, atëherë pajtojini ata pa mbajtur anën e askujt, dhe jini të drejtë! All-llahu njëmend i do të drejtët." (El-Kur'an, El-Huxhurat, 9). Sikur Muhammedi a.s. të mos kishte punuar në pajtimin e armiqëve shekullor në tokat arabe, në eliminimin e anarkisë që dominonte në ato hapësira, nuk do të mund të arrinte kurrfarë rezultate në misionin e Tij që e ka arritur për një periudhë relativisht të shkurtër kohore prej 23 viteve. Për këtë është lavdëruar prej Zotit xh. sh., që, me mëshirën e Tij, ka qenë i butë ndaj njerëzve, por sikur të ishte fodull dhe i vrazhdë, do të mbetej vetëm dhe të gjithë do të largoheshin prej tij. I urdhërohet falja, lutja për ta dhe konsultimi me ta që është themel i shoqërisë së shëndoshë njerëzore dhe i ekzistimit të saj. (Krahaso: Kur'an, Ali Imran, 159). Me ardhjen e Islamit në nënqiellin përvëlues arab është vendosur rendi dhe qetësia, janë krijuar kushtet për jetë të sigurtë dhe dinjitoze të njeriut. Shumë shfarosje për shkak të gjakmarrjes qenë ndaluar, fiset qenë pajtuar dhe ndërmjet tyre qenë vendosur marrëdhëniet martesore e të tjera, qenë mbrojtur të drejtat e të ligshtit, qe garantuar siguria e jetës, e pasurisë dhe e nderit etj. Pejgamberi a. s. i ka obliguar pasardhësit e vet me detyrën dhe emanetin se duhet të ndalen violentët dhe fodullët, sikur edhe atë se duhet të pengohen të gjithë ata që thyejnë parimet e së vërtetës dhe të drejtësisë shoqërore. Personin që ka lajthitur duhet butësisht ta kthejmë në rrugë të vërtetë dhe ta përudhim të bëjë mirë. Nuk mund të konstituohen themelet e forta të përbashkësisë në Bashkësi deri sa nuk konstituohen relacionet e mirëfillta të drejtësisë dhe të interesit të përgjithshëm. Domethënia dhe mesazhi i ajetit të theksuar kur'anor mund ta ketë kuptimin edhe për individin që duke e avansuar interesin e tij ia kthen shpinën interesit të Bashkësisë dhe punon të rrënimin e kompaktësisë së saj. Domethënia e ajetit, po ashtu, mund ta ndërlidhet edhe me Bashkësinë që jodrejtësisht vepron kundrejt grupit apo individit të caktuar, në pajtim me një thënie të Pejgamberit a. s.: "Besimtarët janë sikur një organizëm: nëse një pjesë e tij pëson për shkak të sëmundjes, kjo i shpie në pagjumësi dhe ethe edhe pjesët tjera të organizmit." Nuk guxojnë të pajtohen në padrejtësi, në të pavërtetën, në dhunë, në përçarje, në frakcionizëm e të tjera, sikur që thotë Pejgamberi a. s.: "Pasardhësit e mi nuk do të pajtpohen në të pavërtetën." Prandaj, kur të vijë deri te raportet e tendosura ndërmjet dy personave, apo më shumë syrësh, apo në Bashkësi të mbretërojë joharmonia për çfarëdo çështjeje, është detyrë e të gjithë besimtarëve që ta japin kontributin e vet në vendosjen e rendit, qetësisë dhe harmonisë. Pa rend, paqë dhe harmoni nuk ka as përparim, as ekzistencë. Të tolerohet rrëmuja është mëkat, asgjë të mos ndërmerret në eliminimin e rrëmujës është dëshmi e imanit të dobët, si ceket në një hadith: "Kush nga ju e sheh një të keqe - … (dhe përpiqet ta evitojë ate) me zemrën e tij (pasivisht), ky është imani më i dobët." Muslimanët duhet medoemos të jenë në harmoni dhe unik në të gjitha çështjet e jetës së bashkësisë dhe të tubuar rreth parimit kur'anor: "Kjo feja e juaj është fe e vetme (e drejtë), kurse unë jam Zoti juaj, prandaj vetëm mua të më adhuroni." (El-Kur'an, El-Enbija', 92). Fatkeqësisht, shumë muslimanë nuk i përmbahen ajetit të theksuar, sepse më së shumti energji shpenzohet në përçarje, në fesad, në fitne, kurse në Kur'an është thënë: "…Shpifja është më e rëndë se vrasja. …". (El-Kur'an, El-Bekaretu, 191), sepse me këtë nuk vritet individi, por tërë Bashkësia. …

 

Çka shpie në përçarje?

 

Ekzistojnë dy lloj përçarjesh:

1) Ato që janë manifestim i frytit të mendimeve dhe qëndrimeve, por bartësit e tyre për këtë arsye nuk e gjykojnë rivalin e vet por i bëjnë respektin e merituar, duke mbajtur me të harmoni në çështjet dhe gjerat tjera, bashkërisht duke punuar dhe duke bashkëpunuar në atë që i jep kontribut përparimit të përgjithshëm dhe

2) Ato që shpiejnë në përçarje për shkak të qëndrimit jotolerant kundrejt rivalëve. Përçarjet e para nuk janë të dëmshme, janë manifestim i jetës, i mendimeve dhe hulumtimeve dhe i kontribuojnë përparimit të mendimit përgjithësisht, deri sa të tjerat drejtpërdrejt manifestohen në stabilitetin e Bashkësisë duke e marrë parasysh se kërkohen simpatizues dhe ithtarë të rinj të qëndrimeve të tilla e me këtë ndikojnë në ndodhitë e përgjithshme brenda vetë asaj. Shembull i këtillë i përçarjeve ndër muslimanët ka filluar në kohën e hazreti Aliut r. a. dhe ithtarëve të tij nga një anë, dhe harixhitëve dhe palëve të tjera rivale nga ana tjetër. Ky ka qenë fillimi i krijimit të frakcioneve të shumta që e kanë copëtuar kompaktësinë e bashkësisë muslimane deri në ditët e sotme. As'habët nuk janë pajtuar në çështjet interpretative, por asnjëherë nuk janë ndarë në çështjet konstitutive. Në këtë nuk ka pasur kurrfarë dëmi për fenë as që ka ndikuar në unitetin ndër muslimanët, në të vërtetë manifestohej gjerësia dhe potenciali i mendimit islam. Ky dallim është mëshira e Zotit, si ceket në hadith. Kështu, ata llojllojshëm i kanë kuptuar disa ajete dhe hadithe, por për këtë shkak ndërmjet veti nuk janë grindur, nuk kanë polemizuar ose ekskomunikuar. Për shembull, Ibn Umeri rrëfen se Muhammedi a. s., kur kthehej nga Ahzabi ka thënë: "Askush mos ta falë ikindinë pos te fisi Kurejdhë." Por, disa ende ishin në rrugë kur hyri koha e ikindisë, e disa mendonin se nuk duhet falur deri në vendin e caktuar, kurse të tjerët se duhet dhe se kjo nuk do të jetë kurrfarë gabimi. Më vonë këtë rast ia rrëfyen Pejgamberit a. s., dhe ai aske nuk e qortoi. (Buhariu dhe Muslimi). Aty-këtu mund të lexohen mospajtimet e tyre në mendime dhe në aplikimin e ixhtihadit të tyre. Për shembull, Ibn Abbasi thotë se Aliu r. a. ka thënë: "Nuk duhet ngrënë atë mish që është prerë nga arabët kristianë, sepse është traditë e tyre se asgjë nuk bëjnë pa konzumimin e alkoholit." Ibn Abbasi ka pasur qëndrim tjetër: "Atë që e presin kristianët është hallall të hahet, sepse All-llahu xh. sh. ka thënë: "…I atyre është madje edhe ai nga mesi i juaj i cili i pranon për mbrojtës…". (El-Kur'an, El-Maideh, 51). Sipas doktrinës së Ehlu 'us-sunnetit janë të lejuara mospajtimet vetëm në çështjet interpretative, e assesi në bazat e fesë. Mospajtimi ndër njerëzit në esencë është e keqe: ky shpie deri te raportet e çrregulluara, e dobëson organizatën, e çrrënjos dashurinë, i hapen dyert fatkeqësive të të gjitha llojeve e veçantë frakcionizmit. Në këtë emër të gjithë njerëzit janë të obliguar për ndërtimin e paqes, koekzistencës, për respektimin e çdo qenieje njerëzore individualisht. Ky do të ishte kontribut aktiv i çdo njeriu stabilitetit të bashkësisë njerëzore në tërësi. Mospajtimi dhe grindjet është për fat të keq përvojë e përbashkët e të gjithë popujve, e disave veçan, të gjitha grupeve dhe bashkësive fetare, e edhe muslimanëve. Edhe pse, në fund të fundit, bashkësia njerëzore është një familje me dinjitet të pacenueshëm të çdo personi, megjithatë raportet në të nuk janë zhvilluar dhe nuk zhvillohen, as sot, në këto parime. Ky parim themelor i ekzistencës njerëzore si bashkësi, si familje e Zotit, duhet pa tjetër të sendërtohet në njëmendësinë e përditshme të jetës.

 

Shkaqet e mospajtimeve

 

Shkaqet e mospajtimeve janë të shumta që me peshën dhe kompleksivitetin e tyre shpiejnë deri te jouniteti, përçarja dhe çrregullimet më të rënda ndër muslimanët. Ato u përkasin gjithnjë bazave dhe themeleve të fesë e jo vetëm degëve të tyre dhe çështjeve interpretative.

 

1. Sfera e besimit

Historia islame na dëshmon deri te çfarë polemikash, e edhe konfliktesh të armatosura ka ardhur për shkak të mospërmbajtjes së shkronjës së Kur'anit, në komentimin dhe aplikimin e çështjeve esenciale të akadit, veçan në çështjet e Qenies së Zotit, atributeve të Tij, nëpërmjet të të kuptuarit të ajeteve jo të qarta e të tjera. Raporti i këtillë ndaj Kur'anit ka krijuar frakcione të shumta prej të cilave disa fare nuk mund të konsiderohen se janë në gjirin islam. Mospajtimet kanë qenë aq të tmerrshme, të përgjakshme dhe eksagjeruese sa që gjaku ka rrjedhur në çdo hap, pasuria është shkatërruar dhe uniteti i bashkësisë muslimane në themel është luhatur. Mbi raportin e këtillë kundrejt besimit dhe unitetit të bashkësisë Muhammedi a. s. ka thënë: "Pasardhësit e mi do të ndahen në shtatëdhjetë e tri degë, prej të cilave në mëshirën e Zotit do të jetë vetëm një, e kjo është ajo që do t'i mbahet drejtimit në të cilin jam unë dhe shokët e mi."

 

2. Mosdija

Njerëzit që dijnë pak janë më të rëndë për njerëzit e ditur si bashkëbisedues se sa ata që janë të barabartë me ta, e qoftë ka të bëjë edhe me diskutimin më shkencor. Shafiu ka vërejtur se të gjithë bashkëbiseduesit e tij dijetarë i ka bindur me qëndrimet e tij, kurse ka heshtur në kontakt me të paditurit. Është rrezik i madh kur injoranti vëhet në ballë të grupit të njerëzve, bëhet lider i tyre dhe në mënyrën e vet gjykon mbi fenë dhe fatin e tyre. Muhammedi a. s. ka theksuar se shenjë e shkatërrimit të botës është kur jodinjitozët dhe jokompetentët e marrin timonin. Në hadithin tjetër ka theksuar se shenja e shkatërrimit të diturisë do të jetë kur injorantët të depërtojnë në krye të njerëzve, ata do t'i pyesin e këta pa dije do të japin përgjigjje jopërkatëse, për ç'arsye do të shkatërrohen edhe këta edhe ata. Në disa xhematet tona ka ardhur dhe do të vijë deri te mosmarrëveshjet e rënda pikërisht për atë se disa xhematlinj, duke mos poseduar as dije mektebi mbi fenë i janë imponuar imamëve dhe xhemateve, kanë zbatuar hamendjet dhe qëndrimet e tyre edhe pse ata nuk kanë qenë as me arsyetimin më elementar islam, veçan kur janë në pyetje dispozitat mbi zekatin, kurbanët, lëkurat e kurbanave, xhenazen e të tjera.

 

3. Mospajtimi në natyrë, karakter, dëshira dhe synime

Muhammedi a. s. ka thënë: "Shpirtrat e afërm janë unik. Ata që njihen unjësohen, kurse ata që kundërshtohen, shpërndahen." (Buhariu, Muslimi etj.) Të mirët anojnë nga e mira dhe në këtë janë unikë, deri sa të këqinjt anojnë nga e keqja dhe në këtë janë unikë. Këto janë kundërshti që nuk mund të pajtohen. Njeriu i mirë kurrë nuk mund të pajtohet me dhunën, as që do ta durojë, as që mund ta tolerojë te tjetri dhe ka për obligim ta pamundësojë tiranin që të veprojë. Njerëzit e këqinj në çdo gjë kërkojnë interesin e vet, e shpërfillin interesin e Bashkësisë dhe në këtë kuptim bëjnë ç'kanë mundësi që ta arrijnë synimin e vet. Ata janë nxitës të përçarjes, sepse vetëm në bashkësinë e përçarë mund të paraqesin diç dhe dikë dhe ta arrijnë synimin e tyre. … Me një rast Muhammedi a. s. ka përgatitur ushtrinë dhe në krye të muxhahidëve e vendosi Ebu Ubejdeten e në krye të të tjerëve e vendosi Amr ibn El-Asin, duke iu urdhëruar atyre bashkëpunim, koordinim dhe harmoni. Në momentin e dhënë Amri veproi jashtë planeve të përcaktuara për çka Mugire ibn Shu'be i bëri vërejtje Ebu Ubejdetes: "Pejgamberi i All-llahut të ka obliguar të na udhëheq, e filani e filani priren me disa instrukcione tjera, e jo me tuajat?!" Ky i tha: "Pejgamberi i All-llahut na ka urdhëruar harmoni dhe unë i nënshtrohem Atij, ndonëse Amri ka gabuar." Sikur Ebu Ubejdete të kishte reaguar hovshëm dhe rreptë kjo ka mundur të shpiejë deri te sektarizmi në ushtri dhe në personelin komandues, për këtë arsye Ebu Ubejdete i mbeti konsekuent udhëzimit të Pejgamberit a. s. që të ruhet harmonia dhe bashkëpunimi. Me gjestin e këtillë ky as'hab ka treguar pjekuri, maturi, urtësi dhe largpamësi, që është këshillë e vlefshme për të gjithë ata që marrin pjesë në vendosjen e përbashkët në situatat vendimtare që nuk u përkasin vetëm atyre por një numri më të madh të njerëzve apo tërë bashkësisë.

 

4. Mospajtimi në qëndrime dhe mendime

Ky lloj i mospajtimeve është i pranishëm ndërmjet Ehlu 'us-sunnetit, Shiitëve dhe Harixhitëve. Tek Ehlu 'us-sunneti bazë e hulumtimit është Kur'ani dhe Sunneti i përcjellur nëpërmjet as'habëve; te Shiitët hulumtimi zë fill në bazë të Kur'anit, qëndrimeve të Ehli-bejtit dhe imamëve etj. Në këtë lloj mospajtimi mund të numërohen mospajtimet ndërmjet mutekel-liminëve dhe fakihëve. Fakihët dëshmitë e tyre i bazojnë në kuptimet e tekstit të jashtëm të Kur'anit dhe Sunnetit, deri sa mutekel-limunët i miratojnë edhe dëshmitë e arsyes.

 

5. Eksluziviteti medhhebor

Gjatë historisë ekskluziviteti medhhebor i ka sjellur muslimanët deri te problemet dhe konfliktet e shumta. Çështja ka shkuar aq larg sa nëpër xhami janë ndarë xhematet, janë ndërtuar mihrabe, janë zhvlerësuar imamët e medhhebit tjetër duke e konsideruar imametin e tyre për jokompetent etj. Ky ishte krimbi i përçarjes që ishte futur në shtresat e gjera muslimane dhe e copëtonte unitetin e tyre mu në rrënjë. Në viset tona nuk ka pasur probleme të këtilla deri në agresionin ndaj Bosnjes kur disa studentë dhe humanitarë nga bota arabe, si pjesëtarë të medhhebeve tjera, kanë provuar të përhapin disa forma të praktikës së atyre medhhebeve.

 

6. Liderizmi i "imamëve" dhe i alimëve të vetëquajtur

Sot jemi dëshmitarë që disa imamë … të shkarkuar ndahen nga Bashkësia islame duke e mashtruar masën naïve dhe të paditur në interes të depërtimit vetjak, me çka i bëjnë dëm të madh fesë së tyre, bashkësisë fetare dhe bashkësisë së gjerë shoqërore në gjirin e së cilës jetojnë dhe forcën, kompaktësinë dhe efikasitetin e përgjithshëm të së cilës e dobësojnë për shkak të çrregullimit të raporteve, harmonisë, paqes dhe bashkëpunimit ndërnjerëzor. Pa xhemat nuk ka iman / besim. Të gjithë as'habët kanë qenë të mendimit se xhemati, harmonia dhe kompaktësia e Bashkësisë është farz dhe nuk mund të jetë musliman kush punon në kundërshti me këtë. Kush e thenë harmoninë në Bashkësi ka hequr dorë nga islami, pa qoftë edhe nëse pohon se i përket islamit. Këta janë harixhitë bashkëkohorë, të cilëve Bashkësia duhet kthyer kokën drejt rrugës së drejtë, sa më herët aq më mirë.

 

Kur njerëzit copëtohen - shkatërrohen

 

Kur'ani e motivon kundërvënien mëkatit, përçarjes, si sëmundje shoqërore, joharmonisë, intrigave etj. I lavdëron ata që bëjnë dallime ndërmjet të mirës dhe të dëmshmes, e zgjedhin vetëm atë që është e mirë. Në hadithet e shumta veçan është dëftuar në rreziqet e joharmonisë, ndarjes sipas intereseve personale e të ngjashme. Me Kur'an është urdhëruar thirrja në të mirë dhe pajtim, kurse është ndaluar të nxitet përçarje dhe frakcionizëm. "Dhe le të ketë nga ju të atillë që do të thërrasin në të mira dhe kërkojnë të bëhen punë të mira dhe të pengojnë nga veprat e këqia. Ata do të jenë të shpëtuar. Dhe mos bëheni sikur ata të cilët janë përçarë dhe konfrontuar pasi që u kanë ardhur argumente të qarta - ata i pret dënim i madh." (El-Kur'an, Ali Imran, 103 - 104) Me këtë ajet është treguar në detyrën e shkallës së parë të ulemasë. Bashkësia është e obliguar t'i sigurojë kushtet për veprimin dhe punën e tyre, në mënyrë që të ruhet kompaktësia e shoqërisë e cila do të jetojë harmonikisht dhe bashkërisht, e jo shumësi bashkësishë të imta të mbyllura në intereset e tyre lokale prej të cilave secila "gërryen" në anën e saj. Sikur sot në botë të mbretëronte interesi unik, do të çrrënjosej uria, varfëria, analfabetizmi, shumë sëmundje, nuk do të kishte luftëra, dhunë e të ngjashme. Duke e marrë parasysh se nuk është kështu, në shumë pjesë të botës lulëzon mjerimi dhe vuajtja e çdo lloji. Ndasia dhe copëtimi ka sjellur deri te ajo që sot e kemi dhe nga e cila të gjithë frikësohemi. Fundi i ajetit të dytë tregon në kërcënimin atyre që punojnë në ndarjen e njerëzve, në përçarje dhe krijimin e dallimeve në baza të ndryshme. Err-Rraziu i famshëm konsideron se fjalët "… dhe konfrontuar …" do të thotë se këta janë njerëzit që nga e vërteta thërrasin në lajthitje, nga rruga e vërtetë thërrasin në rrugë të shtrembër. Ibn Tejmije pohon: "Kur të vijë deri te përçarja në Bashkësi fillon çrregullimi që shpie në zhdukje. Kur në Bashkësi mbretëron harmonia dhe kompaktësia, ajo fillon të përparojë dhe të forcohet, sepse përbashkësia është mëshirë e All-llahut. Përçarja është çmenduri dhe flakë që e djeg Bashkësinë, e që mos të vijë deri te kjo të gjithë anëtarët e saj, veçan përgjegjësit, janë të obligueshëm që të unjësohen në parimet e së mirës dhe në eliminimin e të keqes." Në rastin konkret konstatimi kur'anor ka të bëjë me kultivimin e harmonisë, shoqërimit, unitetit, përbashkësisë dhe në ndalimin e të keqes, eliminimin e përçarjes dhe jounitetit. Nëse mbretëron joharmonia në një bashkësi shoqërore duhet shtruar pyetjen se mos është ky dënimi i All-llahut me të cilin i dënon ata njerëz?! Vallë, mund të ketë dënim më të rëndë? "Thuaj: 'Ai ka mundësi të dërgojë kundër jush një dënim përmbi ju ose nën këmbët tuaja, ose t'ju ndajë në frakcione dhe të shijoni të keqen e njëri-tjetrit'. …." (El-Kur'an, El-En'am, 65) Apo jo, përçarja është fatkeqësia dhe shkatërrimi më i madh që mund t'i godasë njerëzit. Përveç llojeve tjera të dënimeve All-llahu mllefin e Vet mbi njerëzit e manifeston edhe në atë mënyrë që disa kthehen kundër të tjerëve, se fillojnë t'i vënë intereset personale mbi të përgjithshmet etj. Xhabiri r. a. thotë: "Kur është shpallur ky ajeti (i sipërm), Pejgamberi a. s. për llojin e parë dhe të dytë të dënimit ka thënë: "Kërkoj mbështjetjen Tënde! - e për të fundit ka thënë: Kjo për Të është e lehtë!" (Buhariu) Njerëzit vetë duhet t'i ndërtojnë dhe kultivojnë marrëdhëniet e tyre dhe të përpiqen t'i eliminojnë të gjitha ato që atë marrëdhënie i prishin. Nuk duhet pritur që Zoti i madhëruar me intervenimin e vet t'i eliminojë individët ose grupet të cilët tentojnë që interesin e vet t'ia imponojnë interesit të shumicës. Rasti i këtillë ka qenë edhe me Muhammedin a. s., i cili me përpjekjet, sakrificën dhe shkathtësinë vetjake ka ardhur deri te bashkësia e fuqishme, harmonike dhe kompakte. Nëse njerëzit nuk i kundërvihen dhunës, të keqes, tiranëve dhe kriminelëve por presin që këtë ta bëjë dikush tjetër për ta, me anë të po atyre njerëve do ta shijojnë dënimin e Zotit për shkak se nuk i janë kundërvënë dhunës dhe padrejtësisë së tyre. Pejgamberi a. s. ka lutur All-llahun që ta ruaj ummetin e tij nga përçarja, e këtë nuk ia ka pranuar. "E kam lutur Krijuesin tim për tri gjëra, dy mi ka pranuar e një ma ka refuzuar. E kam lutur që ummetin të mos ma shkatërrojë nga uria, dhe këtë ma ka pranuar. E kam lutur që ummetin mos të ma shkatërrojë fare pastaj, dhe edhe këtë ma ka pranuar. E kam lutur që ummetin të ma kursejë nga përçarja, por këtë nuk ma ka pranuar." El-Hafaxhi pohon për këtë hadith: "Shkaku i mospranimit të kësaj pjese të duasë së Pejgamberit a. s. janë mëkatet e ummetit tëTij, largimi nga udhëzimet dhe thirrjet e Tij, nga këshillat dhe rekomandimet e Tij dhe mospunimi sipas asaj që Ai i ka mësuar." Ata muslimanë që i përmbahen Kur'anit dhe Sunnetit do t'i rregullojnë raportet e tyre në mënyrën më të mirë dhe ndërmjet tyre nuk do të ketë përçarje. Islami dhe përçarja nuk ecin së bashku. Islami është fe e xhematit, shoqërimit, harmonisë dhe përbashkësisë. Ata muslimanë që bëjnë përçarje në mesin e njerëzve e kanë lëshuar islamin. Atyre u është drejtuar kërcënimi kur'anor se për ta All-llahu do të kujdeset: "Ti nuk ke asgjë të përbashkët me ata të cilët fenë e tyre e kanë copëtuar dhe janë përçarë në frakcione. Çështja e tyre është në duar të All-llahut. Ai do t'i informojë se çka kanë punuar." (El-Kur'an, El-En'am, 159)

 

Përçarja - punë djalli

 

Shumëfytyrësia dhe diskutimet e rrepta shpiejnë deri te mospajtimet dhe konfliktet, këto të dyja lindin rivalitetin dhe armiqësinë e nga kjo buron frakcionizmi dhe përçarja. Pastaj vjen deri te polarizimi i forcave, konflikteve të intenziteteve të ndryshme, luftërave, shpifjeve, intrigave dhe çdo gjëje tjetër më të keqe që vetes mund t'ia lejojë njeriu të cilin e udhëheq shejtani. Në thëniet e shumta të Muhammedit a. s. është thënë se konfliktet ndër muslimanët janë shenjë e besimit të dobët, hipokrizisë dhe moralit të dobët: "Kush e braktisë një cilësi hipokrizie ai është trim dhe do të shpërblehet me pallat dhe trem xhenneti; kush në tërësi e braktisë hipokrizinë ai është bërë besimtar i mirëfilltë dhe për këtë do të shpërblehet me pallat në xhennetët e mesëm; kush e përkryen moralin e vet do të shpërblehet me pallat në pjesët më të zgjedhura të xhennetit." (Ebu Davudi, Tirmidhiu, Bejhekiu e tj.) Me Kur'an imperativisht është urdhëruar harmonia kurse është ndaluar përçarja, urrejtja dhe të gjitha grindjet. Kush nuk i përmbahet këtij imperativi është hipokrit kundrejt tij: "Kush është hipokrit kundrejt Kur'anit, nuk beson në All-lahun" - pohon Muhammedi a. s.. (Ebu Davudi, Ibn Hibbani etj.) Sipas Ibn Abbasit Muhammedi a. s. ka thënë: "Mos u ndesh me vëllain tënd. Hipokriti nuk kupton urtësinë e harmonisë dhe nuk beson se joharmonia sjell shkatërrim."(Texhrid 'us-sahah) Ebu Bekr ibn Nasr pohon: "Kur All-llahu dëshiron ta dënojë një popull, i lejon t'u jepen diskutimeve dhe t'i shpërfillin aktivitetet (pozitive)." (Xhami 'ul-bejan) Llukman-hekimi i famshëm e cek një mendim të ngjashëm: "Kur All-llahu ia dëshiron shkatërrimin një populli i lë në grindjet joproduktive dhe në aktivitetin fare të vogël produktiv." Jahja Ibn Kethir thotë se Sulejman ibn Davudi a. s. i ka thënë të birit të tij: "Shmangiu shumëfytyrësisë, sepse prej saj ka pak dobi. Ajo nxitë armiqësi ndër vëllezërit e vet." (Ed-Darimiu). Nga këtu vjen shkapërderdhja ndër njerëzit, çdo lloj mjerimi në shoqëri dhe fatkeqësie që rrënojnë edhe ndjenjën më të vogël të dashurisë dhe kujdesit të disa ndaj disave. Ekzistojnë njerëz që kanë prirje për konflikte dhe diskutime të rrepta, kurse në këtë fshehet mikrrobi i rëndë i përçarjes dhe mospajtimit sikur që ka thënë Muhammedi a. s.: "Tek All-llahu njerëzit më të urrejtur janë grindavecët e rreptë." (Buhariu, Muslimi etj.) Thënia e Ebu Derdait r. a. në këtë drejtim ka kuptimin dhe domethënien e vet të plotë: "Nuk do të jesh dijetar deri sa së pari nuk bëhesh nxënës, kurse me diturinë e arritur nuk do të jesh i ditur deri sa nuk punon sipas dijes së arritur. Nëse e tepron në grindje do të gabosh mjaft dhe, do të gabosh mjaft nëse je së tepërmi skeptik (dhe i dyshimtë) dhe ke gënjyer mjaft nëse pohon se krijimi (i çkadohit) ndodh jashta All-llahut." (Ed-Darimiu) "Ruajuni grindjeve në fe, sepse kjo shkatërron veprat e mira" ka theksuar El-Avvam ibn Havsheb. Ai ka përcjellur thënien e Ibrahim ibn Tejmijes, i cili ka thënë lidhur me ajetin: "…prandaj u kemi shtënë urrejtjen në mes tyre …" (El-Kur'an, El-Maideh, 14) se kjo armiqësi dhe urrejtje është manifestuar nëpërmjet grindjeve të flakta dhe debatave të pabazuara mbi fenë. (Xhami 'ul-bejan) Edhe Muavi ibn Amri ka tërhequr vërejtjen duke theksuar se ajo shkatërron veprat e mira, deri sa Muhammed ibn Aliu tërheq vërejtjen se fare nuk duhet shoqëruar me ithtarët e diskutimeve dhe grindavecët, sepse ata nuk llogarisin mbi ajetet e All-llahut. (Ed-Darimiu) Sot jemi dëshmitarë të diskutimeve dhe polemikave të shpeshta në të cilat shprehen fjalë të rënda, akuza, fyerje, zhvlerësime, shprehen argumente të çfarëdo lloji kundër bashkëbiseduesit, qoftë ka të bëjë me fjalën e gjallë apo të shkruar dhe ku rëndom shfrytëzohen mjetet dhe mediumet sa më të fuqishme. Muhammedi a. s. pohon: "Për muslimanin është e shenjtë çdo gjë e vëllait (motrës) të tij: jeta, pasuria dhe nderi." Diskutimet e tilla më së shumti janë apel për mosunitet, çarje, grupëzim dhe armiqësi. Çdonjëri qëndrimet e veta i konsideron të drejta, deri sa ata më të flaktit ngriten në piedestal të idolit, madhërohen dhe mbështillen me oreolin e prijatarit dhe liderit. Omer ibn Abdulazizi i drejtë në një qarkore të tij Medinasëve, ndër të tjera ka shkruar: "Kush e adhuron All-llahun pa dije, prej tij për fenë ka më shumë dëm se sa dobi. Kush nuk i harmonizon fjalët me veprat e tij, duhet ta zvogëloj të folurit e tij në domenin vetëm të asaj që i përket atij. Kush e merr fenë e tij si mjet në grindje, e shndërron atë në vërshimë." Edhe hipokritët janë mjaft të dëmshëm në Bashkësi. I ndërrojnë qëndrimet dhe mendimet sikur rrobat, që është shenjë evidente e hipokrizisë dhe karakterit të ulët. Ebu Muhammed Ed-Darimiu me mençuri ka vërejtur për njerëzit e tillë: "Ndërrimi i qëndrimeve (jostabiliteti) shpie në konfrontim."

 

Unik në të vërtetën

 

Sipas Ibn Mes'udit bashkësia / xhemati është grup i njerëzve që janë unik në të vërtetën. E vërteta është e kundërta e të pavërtetës. Ekziston dallimi ndërmjet të mirëfilltes dhe të shtrembëtes, të saktes dhe të gabueshmes. Në ixhtihad dhe në hulumtimin shkencor ekziston zgjidhja e drejtë dhe jo e drejtë. Ai që në hulumtim edhe gabon nuk ka bërë mëkat. Edhe e lejuara (hallalli) edhe e ndaluara (harami) janë kategori të qarta, sikur edhe urdhëresa edhe ndalesa dhe në këto gjera nuk ka dilema. Mirëpo, në shumë çështje tjera vjen deri te pikëpamjet e ndryshme, madje edhe ndër as'habët (ixhtihadi i as'habëve), por shumica, gjithnjë kanë marrë atë pikëpamjen më dominuese. Kështu Ibn Mes'udi ka konsideruar: "Nëse vjen deri te pikëpamjet e ndryshme ndërmjet meje dhe xhematit, duhet anuar nga mendimi i as'habëve kurse duhet shpërfillur pikëpamjen time." Ky as'hab autoritativ ka nënvizuar se në diversitetin e mendimit të tij nuk duhet shikuar se ai ia ka kthyer shpinën Bashkësisë, por se ky është gjykim i tij personal deri te i cili ka ardhur me mjetet e hulumtimit personal dhe me përsiatje. Dikush as'habit të përmendur i ka rrëfyer se Osman ibn Affani në Mine ka falur katër rekate namaz edhe pse ka qenë musafir. Ai ka vërejtur: "Unë me Pejgamberin e All-llahut në Mine kam falur dy rekate, edhe me Ebu Bekrin dy rekate, edhe me Omerin dy rekate dhe çfarë fati të kam pjesëmarrje prej katër rekateve sikur prej dy të pranuarve." (Buhariu). Më vonë është pyetur përse e ka kritikuar Osmanin, e ai është përgjigjur: "Ndarja është e keqe!" Pejgamberi a. s. ka dëftuar se çdo kontribut në fushën e forcimit të Bashkësisë shpie në mëshirën e All-llahut, kurse çdo pengim i kontributit të tillë dhe thyerja e harmonisë dhe unitetit shpie në pakënaqësinë dhe zemërimin e Tij: "Kush e punon një punë që i kontribuon xhematit (Bashkësisë) dhe në këtë arrin sukses, All-llahu do t'ia pranojë këtë vepër, e nëse gabon (nuk arrinë) All-llahu do t'ia falë. E kush punon një punë me të cilin synon thyerjen e kompaktësisë së Bashkësisë dhe duke e përfunduar këtë synim megjithatë punon pozitivisht, All-llahu këtë nuk do t'ia pranojë, e nëse arrinë sukses në synimin e tij, le të përgatitet për vendqëndrim në xhehennem." (Taberaniu dhe Bezzari) Aliu r. a. vdekjen e ka konsideruar më të mirë se joharmoninë dhe jounitetin në Bashkësi, e ka thënë: "Gjykoni (mbi) njerëzit ashtu si do të deshironit për vetveten. Unë e urrej përçarjen, andaj, ose jetoni në harmoni (xhemat) ose vdisni sikur që kanë vdekur as'habët." Sqarim përkatës për mendimin e sipërm mund të gjejmë në fjalët e Ibn Mes'udit: "Bëni çka është e mundur që t'i jeni të nënshtruar All-llahut dhe ta ruani kompaktësinë e Bashkësisë. Nënshtrimi All-llahut dhe harmonia ndër njerëzit është litari (rruga) i Zotit që e ka lëshuar në mesin e njerëzve dhe u ka urdhëruar që t'i përmbahen. Edhe ajo që nuk të pëlqen në xhemat është më e mirë se ajo që e dëshiron por në përçarje." Është urdhër kur'anor lidhshmëria e njerëzve në themel të drejtësisë, barabarësisë, vëllazërisë dhe dashurisë. "Të gjithë së bashku mbahuni për litar të All-llahut dhe mos përçaheni!…" (El-Kur'an, Ali Imran, 103), në vete përmban tërë filozofinë e përbashkësisë. Sikur njerëzit në botën e sotme të trazuar t'i përmbaheshin këtij ajeti kur'anor, në këtë Tokën e përvuajtur do të mbretëronte paqja, bashkëpunimi dhe harmonia. Muhammedi a. s. ka thënë se Libri i All-llahut është litari i Tij që është lëshuar nga Qielli në Tokë dhe me të cilin është urdhëruar: "Përmbajuni harmonisë dhe mos u përçani!" Edhe me ajetin vijues kur'anor dëftohet në rrugën e unitetit dhe në rrezikun nga joharmonia: "Nënshtrojuni All-llahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos kundërshtoni që të mos dështoni dhe mos t'u humbas fryma luftarake…" (El-Kur'an, El-Enfal, 46). Grindja, përçarja dhe joharmonia janë shkak i shkatërrimit, shpartallimit të Bashkësisë dhe shoqërisë. Njeriu si individ nuk paraqet as forcën, as fuqinë, as nuk ofron mundësi të mëdha, vlerën përkatëse e arrinë vetëm kur është në Bashkësi, kur vlerat dhe kualitetet e veta i unifikon me njerëzit tjerë, kur shumë individë e arrijnë unitetin e atillë që të bëhet sikur një qenie, si një organizëm që punon në të mirë dhe në interes të tërësisë. Bashkësia e tillë mund t'i kundërvihet armikut, ta çrrënjosë varfërinë, t'i përballojë vuajtjet dhe krizat e ndryshme. Muhammedi a. s. me një rast e ka pyetur një njeri nga një fis i vogël beduin, i rrethuar me fiset e tjera të fuqishme dhe luftarake, se si kanë mbijetuar në atë furtunë dhe e kanë ruajtur mëvetësinë dhe lirinë e vet, të mirat dhe jetat e tyre? Njeriu u përgjegj: "Kemi qenë unik! Unikë!" Nëpërmjet zemrave harmonike të unjësuara në dashuri All-llahu ndihmon fenë e vet, siç ka thënë: "Dhe ua ka bashkuar zemrat e tyre. Sikur ta shpenzosh tërë atë çka ekziston në tokë, nuk do t'i kishe bashkuar zemrat e tyre, kurse All-llahu i ka bashkuar. …" (El-Kur'an, El-Enfal, 63). Në pajtim me këtë ajet Muhammedi a. s. ka theksuar: "Mos u përçani që edhe zemrat t'u largohen (në dashuri)." Kur zemrat t'u jepen të këqiave, këndjeve dhe lavdisë së kësaj bote, me to sundojnë forcat e këqia të garimit, rivalitetit, kundërshtisë dhe luftës, nga çka rrjedh përçarja e kur zemrat i kthehen të vërtetës shkatërrohen të gjitha prirjet e këqia, mbretëron preokupimi i plotë vetëm me All-llahun, rivalitetet më nuk ekzistojnë, kurse në Bashkësi mbretëron paqja dhe siguria, njerëzit fillojnë të ndihmohen ndërmjet veti në rrugë të progresit dhe përparimit të përbashkët. Uniteti ndërmjet njerëzve nënkupton unitetin e përshkuarjes së përbashkët në të gjitha elementet e jetës së përbashkët. Urdhëresa e hapur e All-llahut është ruajtja e këtij uniteti dhe përshkuarja e ndërsjellë kurse ka ndaluar përçarjen si kanosje të rëndë për fenë dhe ekzistimin e saj. Një hutbe e hazreti Osmanit r. a. ka pasur përmbajtjen vijuese: "O njerëz, All-llahu ju qorton që të bëheni të kujdesshëm në raport me unitetin tuaj dhe të mos ndesheni, që me xhelozi ta ruani kompaktësinë e Bashkësisë Tuaj dhe që të mos copëtoheni. "…Pastaj përkujtone dhantinë e All-llahut ndaj jush kur ishit të armiqësuar, e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe ju me mëshirën e tij u bëtë vëllezër…." (El-Kur'an, Ali Imran, 103).

 

Përktheu: N. Ibrahimi

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme