SHQIPËRIA E KA TË VËSHTIRË TA SHOHË TË KALUARËN E SAJ, ËSHTË ENDE E KUSHTËZUAR NGA KOHA E ENVER HOXHËS

Tridhjetë vjet më parë, Republika Popullore e Shqipërisë ishte Korea e Veriut e Europës. Diktatori Enver Hoxha, sundues që prej 1944-ës, e izoloi vendin dhe banorët e tij nga pjesa tjetër e botës. Shqiptarët e izoluar u indoktrinuan se ishin avangardët e komunizmit botëror, ruajtësit e vetëm të ortodoksisë së vërtetë marksiste-staliniste pas devijimit të Bashkimit Sovjetik mbas vdekjes së Stalinit dhe largimit të Kinës prej mësimeve të Maos. Kësisoj, Shqipëria ishte e rrethuar prej armiqve, nga “imperialistët” në Perëndim, “monarkofashistët” në Greqi, “titistët” jugosllavë në lindje dhe veri. Edhe brendapërbrenda “popullit të rrethuar” rrinin në pritje kundërshtarët, të cilët duhet të luftoheshin pa mëshirë, mbi të gjithë “poliagjentët”, si Mehmet Shehu, bashkëluftëtari i fundit i Hoxhës nga koha e partizanëve në Luftën e Dytë Botërore dhe për shumë vite ministër i Brendshëm dhe Kryeministër, i akuzuar më 1981 si spiun i shumë fuqive të huaja dhe, sipas gjasave, i shtrënguar të vrasë veten. Frika e rrethimit u vizualizua me ndërtimin e qindra mijërave bunkerëve, një deri katër vetësh, prej të cilëve do të sulmoheshin pushtuesit. Kritikët e programit absurd ushtarak dhe ekonomik u ekzekutuan në vitet ’70.

 

Vazhdimësi e fortë elitash

 

Bota përtej nuk merrte asnjë informacion mbi luftën për pushtet të komunistëve shqiptarë apo mbi kushtet e jetës së qytetarëve.  Kështu, Shqipëria u kthye në vendin më të mistershëm të Europës, një vend rreth të cilit edhe vetë atyre pak specialistëve shpesh nuk u ngelej veçse të spekulonin. Perëndimi e vështronte me rrëqethje këtë diktaturë, që sa e parrezikshme ishte për fqinjët e tij, aq penetruese ishte në jetën e njerëzve të kyçur në Shqipëri. Vetëm pak grupe të vogla maoiste-leniniste, si p.sh. ato në Republikën Federale Gjermane, e glorifikonin vendin si një parajsë socialiste mbi tokë.

Çfarë dimë sot rreth Shqipërisë enveriste? Përgjigjja është deziluzionuese: Në Shqipëri, historianët e lidhur me partinë i shmangen Epokës së Komunizmit. Varianti zyrtar i historisë paraqitur nga Akademia Shqiptare, për t’iu shmangur çdo lloj saktësimi të termave dhe, si rrjedhim, edhe vlerësimit ideologjik, flet për “kohën e pasluftës”. Vazhdimësia e elitave në politikë dhe në shkencë është e fortë. Nëse flitet për epokën komuniste, kjo ndodh në mënyrë tepër të politizuar dhe emocionale. Ai përpunim kritik që ndodh i dedikohet iniciativës së disa intelektualëve të angazhuar të shoqërisë civile, si Fatos Lubonja dhe Revista e tij “Përpjekja”, ose Ardian Klosi, ndarë pak kohë më parë nga jeta. Këta, dhe kolegët e tyre, kur kërkojnë një debat mbi pasojat e diktaturës shumëvjeçare, përballen shpesh me urrejtje të pastër.

Lexuesi shqiptar gjendet përballë një bulevardizimi të fortë të kujtesës, që kryhet nga gazetarë të orientuar nga sensacioni dhe ish-kuadro të partisë, që në kujtimet e tyre përshkruajnë merita të pretenduara personale para vitit 1991 dhe persekutimin e tyre të supozuar më pas. Kur publicisti Blendi Fevziu botoi para pak kohësh biografinë e parë të Diktatorit, libri i mbushur plot anekdota pati një sukses të madh te publiku. Por simpatizantët e regjimit u irrituan me zë të lartë; në Ferizajn kosovare, madje, libri u dogj, shenjë se Enver Hoxha, si një udhëheqës i fortë, nuk glorifikohej vetëm në epokën jugosllave.

Arkivat e shërbimit sekret, të frikshmit Sigurimi, vazhdojnë të qëndrojnë kryesisht të mbyllura. Prej viteve nëntëdhjetë ato përdoren si prej kundërshtarëve të papajtueshëm “socialistëve” postkomunistë ashtu edhe prej “demokratëve” në krye të pushtetit, të cilët përtej retorikës janë po aq të lidhur me regjimin e Hoxhës, mbi të gjitha, për të diskretituar kundërshtarin politik. Trashëgimia e rrjetit të plotë të spiunëve të regjimit të Hoxhës përfaqëson sot një dollap helmesh të shoqërisë shqiptare, prej të cilit ushqehen thashetheme dhe dyshime.

Edhe jashtë Shqipërisë interesi dhe dija mbi diktaturën e Hoxhës janë minimale. Se sa i vështirë është klasifikimi i sistemit e tregoi një takim i historianëve të rinj bashkëkohorë në fillim të vitit në Vjenë: teksa për RDGJ dhe Çekosllovakinë e viteve shtatëdhjetë – tetëdhjetë shkenca flet për “shtete socialiste” dhe e sheh të tejkaluar tashmë teorinë e totalitarizmit, vlerësimi i historianit të ri shqiptar, se Shqipëria duhej konsideruar si një sistem totalitar ngjalli çudi e, madje, refuzim.

 

Shoqëria e transformuar

 

Ashtu si në regjimet e tjera komuniste, edhe në rastin e Shqipërisë interpretimet luhaten midis theksimit të dhunshmërisë së regjimit dhe ndryshimeve që ka arritur një “diktaturë modernizuese”. Është e padiskutueshme që komunistët e transformuan shoqërinë e tyre: Industrializimi, një nga kolektivizimet më radikale të tokës në Europën Lindore, ndërtimi i një infrastrukture arsimore, shkencore dhe transporti, alfabetizimi i një populli gati të paarsimuar, ndalimi i feve dhe barazia formale e gruas e ndryshuan rrënjësisht shoqërinë që më 1945 ishte akoma osmane.

Por regjimi ndërtoi edhe një sundim të terrorit. Ai erdhi në pushtet i dalë nga një luftë civile (1941-1945) kundër partizanëve jo komunistë me mbështetjen e Jugosllavisë së Titos; eliminoi elitat e vjetra kulturore dhe shoqërore; veproi në mënyrë klanoredhe mirëmbajti deri në vitet tetëdhjetë kampe ndëshkimore, ku me mijëra detyroheshin të punonin në kushtet e një skamjeje të tmerrshme. Emigracioni u ndalua kurse migrimi brenda vendit u kufizua radikalisht: Populli shqiptar, migrues klasik, u burgos me plot kuptimin e fjalës. Regjimi u imponoi shtetasve të tij orientime të ndryshme: Mbas Jugosllavisë (deri më 1948) pasoi Bashkimi Sovjetik (deri më 1961) e më pas Kina maoiste (deri 1978) si fuqi proteksioniste, të cilat sollën parà për mbështetjen e ndërtimit të industrisë dhe ideologjisë, parà të cilën Shqipëria nuk ishte gati t’i kthente, gjë që shpjegon shumë herë më mirë sesa histeria ideologjike prishjen me fuqinë proteksioniste të radhës.

Shqipëria importoi “revolucionin kulturor” të Maos, por i dha atij edhe karakteristika të vetat: Duke filluar prej viteve shtatëdhjetë, nacionalizmi arriti kulmin e tij dhe prejardhja e shqiptarëve prej ilirëve u kthye në doktrinë shtetërore. “Njeriu i ri” i llojit shqiptar nuk duhej vetëm të kapërcente të gjitha pengesat e natyrës, të kishte ndërgjegje klasore, të ishte i shëndetshëm dhe i fuqishëm ashtu si modeli i tij shembull sovjetik dhe kinez, por ai duhet të ishte edhe një nacionalist i bindur dhe ateist.

Dekretimi i ndalimit të fesë më 1968, i cili u zbatua me një brutalitet të jashtëzakonshëm, e ktheu Shqipërinë, të paktën zyrtarisht, në shtetin e vetëm ateist të botës. Stalinizmi dhe nacionalizmi, me theksin te kjo e fundit, përbënin ideologjitë bazë të regjimit. Brenda këtij nuk mungonte as larja e hesapeve mes kuadrove të lartë të partisë, që i tërheq vazhdimisht historianët te komunizmi: Hoxha, në “spastrimet” e tij, ndiqte me zell shembullin e Stalinit. Në këtë kontekst harrohet shpesh fakti që viktimat e tij ishin vetë gjithashtu përgjegjës për krime të rënda. Nomenklatura e Hoxhës i ngjante në shumë aspekte asaj të Stalinit: një klan që kishte në dorë edhe pushtetin edhe të mirat materiale.

Në Shqipëri mbizotëron sot më shumë interesi te personat sesa te çështjet e strukturave sociale. Për shembull, sesi ndërtimi i një metalurgjiku gjigant e shndërroi qytetin osman të Elbasanit në një kombinat dhe qytetarët e tij në rrotëza të një mekanizmi industrial, sapo ka filluar të hulumtohet. Mbetet akoma për t’u analizuar nëse barazimi i brohoritur propagandistik i gruas solli vërtet një përmirësim apo thjesht një ngarkesë të dyfishtë në familje dhe në pune. Sesi izolimi i vendit ndryshoi edhe vetë jetën private të njerëzve po bëhet gjithmonë e më e qartë: nga frika, shpesh heshtej edhe në rrethin më të ngushtë familjar.

Sigurimi kishte vendosur një sundim të terrorit. Kontrolli i regjimit mbi çdo gjë që ndodhte i ngjante skenave Orwell-iane, si p.sh. kur klasa punëtore mallkonte me parulla urrejtjeje grupet e politikanëve të rrëzuar. “I jemi betuar Partisë dhe shokut Enver se do t’u qëndrojmë besnikë dhe se jemi gati t’u falim jetën tonë, sepse jetën dhe fatin ia dedikojmë Partisë.”

Raporte të shërbimit sekret tregojnë edhe se ku gjendeshin rezervatet e vogla të privates, veçanërisht në periudhën e fundit të regjimit: në zonat kufitare njerëzit i drejtonin antenat nga vendet fqinje dhe u justifikoheshin kontrolluesve se drejtimin ua kishte ndryshuar era. Në fshehtësi praktikoheshin madje edhe rite fetare. Por edhe pse hapësirat private ishin tepër modeste, në fillim të viteve tetëdhjetë Partia përforcoi luftën kundër asaj pak prone private që i kishte mbetur fshatarit. Kësisoj, me përjashtim të nomenklaturës së furnizuar mirë në lagjen e rrethuar të “Bllokut”, që e përkëdhelte veten me qumësht të freskët dhe spaghetti italiane, në fund të kohës së Hoxhës në Shqipëri mbizotëronte varfëria e madhe dhe mungesa e furnizimeve.

 

E mbrujtur me trashëgiminë e Hoxhës

 

Për të kuptuar Shqipërinë e Hoxhës duhet të dimë më shumë për njerëzit që mbështetën atë dhe ndërtimin e komunizmit, që kontribuan në luftën pa mëshirë kundër atyre që mendonin ndryshe. Botëkuptimi manichais-t (manikeist) i Hoxhës shpjegon pjesërisht paaftësinë për dialog e kompromis të elitës së sotme politike. Asaj nuk i bie në sy se sa shumë e mbrujtur është me trashëgiminë e Hoxhës. Për këtë asaj do i duhet të mësojë që të flasë mbi të kaluarën (edhe mbi atë personale) dhe që të gjejë një gjuhë për atë që ka ndodhur. Por koha e Hoxhës ka mbrujtur të gjithë shoqërinë shqiptare. Prandaj, çelësi për të kuptuar të kaluarën dhe të sotmen e Shqipërisë nuk është te vështrimi nga udhëheqësi komunist, por te pyetja se cilët ishin njerëzit e thjeshtë që kontribuan për komunizmin. Deri atëherë, shumica e shqiptarëve janë të vendosur të mos i hedhin sytë në këtë pasqyrë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme