
Në mënyrë shumë të rëndësishme kjo çështje duhet të mbahet parasysh, veçanërisht si çështje që preokupon individët e klasave të edukuara të shoqërive Islame mbi të cilët rëndon barra e përgjegjësisë dhe kryesimit të ummetit.
Modernizimi është ndër çështjet më delikate dhe jetike me të cilat përballemi, ne populli i vendeve joevropiane dhe shoqërive Islame. Një çështje më e rëndësishme është lidhja mes një modernizimi të imponuar dhe një civilizimi të vërtetë. Na duhet të zbulojmë nëse modernizimi siç deklarohet është sinonim i të qenit i civilizuar, apo një çështje e ndryshme e përbashkët dhe fenomen social duke mos pasur lidhje me civilizimin aspak. Fatkeqësisht modernizimi na është imponuar neve, kombeve joevropiane në petkun e civilizimit.
Për 150 vjet, perëndimi ka ndërmarrë detyrën e modernizimit të njeriut me zell misionar. Të gjitha kombet joevropiane u vunë në kontakt të ngushtë me perëndimin dhe civilizimin perëndimor dhe duhej të ktheheshin në kombe ″moderne″. Nën petkun e kombeve të civilizuara, duke i shkrirë ata me kulturën, ata na prezantuan me këtë modernizëm, (kur them ″ne″, nënkuptoj kombet joevropiane dhe të botës së tretë), të cilin ngulmonin ta quanin ″civilizimi ideal″. Intelektualët tanë duhet ta kuptonin vite më parë dhe t′i bënin njerëzit të kuptojnë dallimin mes civilizimit dhe modernizimit. Por dështuan. Pse nuk e hetuan dijetarët këtë çështje gjatë 150 vjetëve të modernizimit perëndimor të kombeve të tyre? Do të diskutoj për këtë dështim më vonë.
Para se të diskutoj do të doja të përkufizoja terme të caktuara në të cilat dua të përqendrohem, të cilat nëse i lë të dyshimta do ta çonin diskutimin në paqartësi. Pasi t′i sqaroj termet do të kthehem në temë.
1.Intelektual: një term i përditshëm i dëgjuar shpesh në shoqërinë iraniane dhe në të gjitha shoqëritë, evropiane e të tjera. Ç′do të thotë kjo? Cilët i quajmë intelektualë? Kush janë intelektualë dhe cili është roli dhe përgjegjësia e tyre në shoqëritë e tyre?
Intelektual është ai që është i vetëdijshëm për ″statutin e vet njerëzor″ në një kohë e vend social dhe historik specifik. Me vetëdije mbi të rëndon barra e përgjegjësisë. Ai me përgjegjësi, vetëdijesim drejton popullin e tij në veprim shkencor, social e revolucionar. (Shiko gjithashtu ″Prej nga t′ia nisi″ dhe ″Intelektuali dhe përgjegjësitë e tij shoqërore″ nga Dr Sheriati për diskutim të mëtejshëm për këtë).
2. Asimilimi: ai ndodhet në rrënjët e të gjitha problemeve dhe detyrimeve që përballin vendet joperëndimore dhe myslimane. Zbatohet ndaj sjelljes së një individi i cili me qëllim ose pa qëllim, fillon të imitojë sjelljen e dikujt tjetër. Personi që paraqet dobësi të këtillë harron prapavijën e tij, karakterin dhe kulturën kombëtare, ose nëse i mban mend sadopak, i kujton ato me përbuzje. Dukshëm dhe pa rezerva ai mohon veten për ta transformuar identitetin e tij. Duke shpresuar të arrijë dallimet dhe madhështitë që i sheh tek një tjetër, i asimiluari synon ta drejtojë veten të arrijë shoqëritë e turpshme me shoqërinë dhe kulturën e tij prejardhëse.
3. Tjetërsimi: procesi i harrimit ose të bërit i panjohur ose indiferent me dikë. Kjo ndodh kur dikush humbet veten dhe drejton perceptimin nga brendia e një personi ose sendi tjetër. Kjo sëmundje e rëndë shoqërore dhe shpirtërore paraqitet në shumë forma të ndryshme dhe varet nga shumë faktorë. Një faktor që tjetërson një qenie njerëzore, është mjeti me të cilin punon. Sociologjia dhe psikologjia raportojnë se njeriu gjatë jetës së tij gradualisht tenton të harrojë identitetin e tij të vërtetë dhe të pavarur kur rrit kontaktin e tij me një numër mjetesh ose profesionesh çdo ditë gjithnjë e më shumë. Ai fillon të pranojë mjetet e tij në vend të vetvetes.
Për shembull, në një person që merret me kundërvidha dhe bulona çdo ditë nga ora tetë e mëngjesit deri në gjashtë pasdite të gjitha ndjenjat, mendimet, shtirjet dhe personaliteti gradualisht do të zhduken. Ai duhet të paraqesë një sërë detyrash mekanike vazhdimisht. Një rrip lëviz drejt tij dhe ai është i porositur të kapërcejë dy kundërvidha dhe të zhvidhosë të tretën. Ky njeri që ka ndryshuar emocionet, prirjet, mendimet, shijet, tensionet, urrejtja ndjenja dhe talenti bëhen një trup që kapërcen dy kundërvidha dhe zhvidhos të tretën në të shumtën e kohës, gjatë kohës së tij të punës, e cila është gjithashtu koha kur ai është më aktiv dhe energjik. Ai bëhet një instrument, thjeshtë një copë mjeti për prodhim dhe mundimi i tij i kufizuar nga një punë monotone të cilën duhet ta bëjë çdo ditë dhe duke bërë kështu, zhduk të gjithë karakteristikat që e përbëjnë personalitetin e tij.
Shembulli më i mirë mes shumë shembujve të situatave të këtilla është ai i Çarli Çaplinit në një film të famshëm ″Kohët moderne″, në të cilin ai luan rolin e një burri të lirë nga çdo detyrë ose obligim me të gjitha dëshirat, emocionet, ndjenjat, ngacmimet dhe nevojat. Ai ndjen dashuri për të dashurën e tij, respekt për prindërit e tij dhe simpati për shokët e tij. Ai kënaqet duke u ulur dhe biseduar me të tjerët, duke marrë pjesë me zakonet e tyre normale dhe paraqet një sërë frikash, shpresash, talentesh dhe përgjigjesh normale. Për shembull, kur e sheh nënën, ai shpreh ndjenja ndaj saj sikur të mos e ketë parë për një kohë të gjatë. Kur e takon një shok të vjetër, ai dëshiron të kalojë disa çaste me të duke folur për çfarë ka ndodhur, për jetën dhe ditët e mira të kaluara. Ai ndjen dashuri dhe dhembshuri kur e sheh të dashurën e tij; ai ndjen urejtje dhe mëri kur sheh armikun e tij. Ai do ta luftojë, ta sulmojë, dhe t′ia marrë hakun. Ai është një njeri me nevoja dhe shpresa komplekse. Ai kënaqet të shohë të gëzuar dhe jo të dëshpëruar, ashtu siç pret të shohë një njeri normal dhe i lirë.
Pastaj shkon në punë në një fabrikë të madhe dhe të komplikuar, funksionimin e së cilës ai nuk mund ta paramendojë. Ai as që e di se çfarë prodhon fabrika dhe as çfarë sinkronizojnë elementet e saj shumë të ndryshme. Ai aplikon në një zyrë, mbush disa formularë dhe pastaj i thuhet të raportojë tek zotëri filani. Pastaj, atë e çojnë nëpër një korridor në një dhomë. Një burrë afrohet dhe i tregon se ç′të bëjë. Por çfarë do të punonte ai? Ja se çfarë punonte ai: gjendej një korridor i madh që përdorej si vend për brezin lëvizës ku lëvizte një rrip i gjerë i metaltë. Rripi hyn nga njëra anë e korridorit dhe dilte jashtë në pjesën tjetër të brezit lëvizës. Ai nuk e di se prej nga vjen rripi dhe ku shkon dhe pse e bën këtë. Shtatë ose tetë punëtorë qëndrojnë pranë njëri tjetrit. Puna e tij është të kapërcejë dy kundërvidha në shiritin lëvizës dhe të zhvidhosë të tretën një herë. Sërish ai kapërcen dy dhe zhvidhosë të tretën dhe këtë duhet ta përsërisë gjithnjë gjatë dhjetë orëve të punës. Pastaj bie zilja dhe dita e punës ka mbaruar. Ai shkon në shtëpi pa e ditur çfarë ishin kundërvidhat dhe pse e bënte atë çfarë i kishin thënë të bënte, prej nga vinin, ku shkonin dhe për çfarë përdoreshin. Ai nuk mund ta kuptojë këtë punë aspak. Pranë tij qëndronin shtatë a tetë punëtorë të tjerë, ata madje nuk mund të flasin me njëri-tjetrin sepse rripi lëviz me kaq shpejtësi sa që nëse provon të dijë për punëtorin pranë tij dhe e neglizhon rripin lëvizës, ai do ta humbë kundërvidhën e tretë, tërë fabrika do të ndalonte dhe ai do të dënohej ose do të pushohej nga puna.
Ky njeri duhet t′i bëjë sytë katër t′i shohë kundërvidhat. Puna e këtij njeriu është të zhvidhosë kundërvidhat një herë ose dy herë dhe kaq. Por një qenie njerëzore është një krijesë me shumë karakteristika. Fillimisht ai duhet ta dijë qëllimin e punës së tij dhe së dyti ai duhet të bëjë një punë për ta arritur një qëllim të veçantë. Ai e zgjedh qëllimin dhe pastaj sapo e zgjedh krijon një punë si mjet drejt këtij qëllimi. Pastaj, gjatë punës fillon të prekë dhe të ndjejë thelbin e qëllimit të tij. Një qëllim dhe rezultat i zgjedhur kufizon punën e dikujt dhe eventualisht ai arrin qëllimin. Veç kërkimit të qëllimit derisa punon duke qenë i vetëdijshëm për punën njeriu është një qenie me ndjenja dhe dëshira të ndryshme.
Çarli Çaplin, në rolin e këtij punëtori, e shikon nënën, të fejuarën dhe shokun e tij, që kanë ardhur ta shohin në fabrikë. Ai nuk është mësuar akoma me sistemin e rëndë dhe monoton të makinerisë, ai nuk është thyer akoma. Derisa punon, papritmas sheh nënën, të fejuarën dhe shokun e tij, dhe duke ulur poshtë veglat e tij, e lë punën për tu thënë ″përshëndetje...si jeni?″ ″ku keni qenë″ ″ka kaluar një kohë e gjatë që kur ju kam parë. Më keni munguar...uluni, të pimë nga një çaj dhe...″.
Papritmas ai shikon policë që nxitonin, drita të kuqe të ndezura, zilet e alarmit që binin, inspektorët që hynin. Çfarë ka ndodhur? Sistemi i kontrollit të fabrikës ka raportuar se një kundërvidhë ka kaluar pa u zhvidhosur dhe gjithçka ka ndaluar. ″Çfarë bëre?!″ ″Si munde?!″ Ai u arrestua, akuzua dhe dënua për neglizhencën e tij.
Një manifestim çasti i një sentimenti të thjeshtë njerëzor natyror në të, shkaktoi që sistemi i makinerisë të prishet. Kjo ilustron qartë se në sistemin e tashëm nuk ka qoftë edhe hapësirën më të vogël për shprehjen e një sentimenti njerëzor. Edhe pse, ata e ushtrojnë dhe kontrollojnë këtë njeri që një herë kishte ndjenja dhe emocione deri sa bëhet si makinë gjithashtu dhe pas njëzet vjet pune frazat ″njeriu është një qenie racionale″, dhe ″njeriu është shtazë adhuruese″ dhe ″njeriu është shtazë vetë-kontrolluese dhe kreative″ dhe fraza të ngjashme që normalisht i drejtoheshin njeriut nuk i drejtoheshin më atij.
Çfarë u bë mbi të gjitha ky njeri? Tani ai është ″një shtazë që zhvidhos kundërvidhën″, që kapërcen dy dhe zhvidhos një herë të tretën. Në rrugë kur ai sheh një polic me kopsa si kundërvidha në uniformën e tij, ai menjëherë nxjerr çelësin dhe i shtrëngon ato. Sheh një grua me dekorime në kapelën ose pallton e saj, menjëherë i shkon në mendje të shkojë dhe ta zhvidhosë një herë ose dy herë ose sa do që të jetë! Për të, e tërë bota është përmbledhur në një frazë, ″kapërce dy dhe zhvidhose të tretën″. Kjo është filozofia e tij, identiteti, realiteti dhe titulli i të qenit njeri. Pse zhvidhos ai? Për të ngrënë. Pse ha ai? Për të zhvidhosur! Njeri qarkor!
Ky njeri nuk e kupton më veten si qenie që njëherë kishte sentimente, dëshira, nevoja, dobësi, ndjenja, kujtime dhe virtyte të ndryshme. Ato kanë rënë dhe ai është bërë, siç thotë Markus ″njeri një-dimenzional″. Kurse Shandel e quan atë ″njeri qarkor″ që prodhon për të mirë të prodhimit.
Ky njeri që një herë ishte një fjalë e vogël, mikrokozmike, si Zoti me atributet e Zotit, tani është zvogluar në zgjerimin e shtrëngimit; e cila është ajo e karakterit të makinës, të bulonave dhe të lëvizjes mekanike që ka depërtuar në të. Ai nuk e konsideron veten të tillë, biri i filan fistekut, nga kjo apo ajo familje, racë dhe prejardhje e tilë apo e atillë, me veçori të tilla dhe të atilla. Ai nuk e kupton veten dhe realitetin e tij jo më shumë se një pjesë e makinës.
Tjetërsimi ndonjëherë mund të bëhet një sëmundje mendore serioze që kërkon kujdesin e psikoanalistit. Atij mund t′i nevojitet vetëbesim në strehim, në shkallën më të lartë të intenzitetit. Tjetërsimi, që ndikon tek njerëzit përmes disiplinës mekanike dhe çnjerëzore, mund të shkaktohet nga burokracia dhe teknologjia gjithashtu siç thotë njeri nga sociologët Maks Veber ose Marsel Mus, në një burokraci të komplikuar ku ka shumë kabina, të gjitha bashkë, njeri që ka punuar në të, të themi kabina 345, për njëzet ose tridhjet vjet dhe ka bërë të njejtën punë për këtë kohë, përgjithësisht e konsideron veten si kabina 345, se sa të ketë emër ose titull tjetër. Njerëzit i drejtohen ″ kabina 345″ dhe mendojnë për të si ″kabina 345″. Dhe ndjenja e përgjithshme që nuk i bashkohet asgjëje përveç ″ kabinës 345″ gjeneron tek ai ndjenjën se ai është ″kabina 345″, jo zotëri filani me këto apo ato karakteristika. I tillë është tjetërsimi i shkaktuar nga burokracia.
I tjetërsuar, si fjalë, nënkupton me qenë i pronësuar nga një ″shpirt″, ose në persisht, ″një Xhin″. Njerëzit besonin në ″shpirtra″ të tillë në të kaluarën dhe kur një njeri çmendej ata besonin se ″shpirti″ e ka pronësuar atë dhe ka ndikuar në trurin e tij. Ata mendonin se ″shpirti″ e kishte larguar aftësinë e tij mendore dhe kishte marrë vendin e tij, kështu i pronësuari nuk e ndjente më veten njeri, por ishte një qenie e ligë. Sot fjala nënkupton një lloj sëmundje e përshkruar nga psikologët dhe sociologët.
Ashtu siç ishin pronësuar njerëzit nga ″shpirtërat″ në kohët e lashta, sot njeriu është reduktuar në pozitën e një dhëmbëse të disiplinuar, burokracie monotone dhe të pamëshirshme si rezultat i një kontakti të vazhdueshëm me një mjet mekanik të sigurtë. Ai nuk ndjen dhe kupton më individualitetin e tij; ai e ka ″humbur″ veten. Ashtu siç besonin se një ″Xhin″ ka pronësuar shpirtin e njeriut dhe e ka çmendur atë, ashtu edhe sot, mjetet e prodhimit, veglat dhe lloji i punës së tij e pronësojnë atë dhe e kontrollojnë shpirtin e tij. Ata gradualisht e zhdukin personalitetin e tij të vërtetë dhe e mbushin atë me karakteristikat e veglave të makinës, rutinën e punës, hierarkinë burokratike dhe eventualisht ai fillon ta përcaktojë veten me këto.
Ka një lloj tjetër të ″kontrollit nga xhinët″ që pronëson vetitë njerëzore dhe tjetërson një njeri ose një shtresë të tërë për vete. Ky lloj tjetërsimi është më i vërtetë më i frikshëm dhe më i dëmshëm dhe është kjo... formë kudo e pranueshme e tjetërsimit që ndikon tek ne, iranianët, muslimanët, aziatikët dhe afrikanët. Kjo nuk është një tjetërsim i shkaktuar nga teknologjia ? ne nuk jemi tjetërsuar nga makinat. As makina nuk është përfshirë, dhe as ndonjë burokrasi. Disa dapartamente administrative me personel të kufizuar nuk janë në pozitë të tjetërsojnë ndonjë. As borgjezia nuk arriti shkallën të na tjetërsojë. Më mirë se sa të jemi të mbërthyer brenda diçkaje jashtëzakonisht të papëlqyer dhe të rrezikshme ? ″tjetërsimit kulturor″.
Ç′do të thotë ″tjetërsim kulturor″? Siç e kemi përmendur më parë, tjetërsimi, në çfarëdo lloj forme dhe pamje, tregon një kusht në të cilën dikush nuk e percepton veten siç është, por percepton diçka tjetër në vend të tij. Njeriu në këtë konditë është tjetërsuar. Çfarë e përfytyron veten si të mos jetë vetvetja aspak, dhe a do të jetë si para, makinë apo kabina 345, koncepti i tij nuk ndryshon aspak dhe varet vetëm në fat ose shije.
Ç′është kultura? Unë nuk do të citoj definicionet, kultura përfshin një koleksion shprehjesh intelektuale, artisktike jo materiale, historike, letrare, religjioze dhe emocionale (në formë të shënimeve, traditave, zakoneve, relikeve etj.) të një kombi që ka akumuluar në kursin e historisë së vet dhe fiton formë unike. Ata shënojnë dhimbjet, dëshirat, temperamentet, karakteristikat shoqërore, modelet e fesë, lidhjet shoqërore dhe strukturën ekonomike të një kombi. Kur e ndjej fenë time, letërsinë, emocionin, nevojat dhe dhimbjet nëpërmjet kulturës sime, unë e ndjej veten time, veten shoqërore dhe historike (jo veten individuale), burimin nga e cila kjo kulturë e ka origjinën. Prandaj kultura është shprehja e super-strukturës së qenies së vërtetë të shoqërisë sime, aktualisht të gjithë historinë e shoqërisë sime. Por faktorët e caktuar artificial, kryesisht të një natyre të dyshimtë, futen në një shoqqëri që ka përcaktuar mirë kushtet shoqërore ose lidhjet shoqërore, të zhvilluara përmes një kornize historike të veçantë dhe prekin atë me dhimbje, mundime, emocione dhe ndjenja që kanë një shpirt të huaj dhe janë produkt i një të kaluare të ndryshme, një shoqërie të ndryshme (të ndryshme në mënyrë shoqërore dhe ekonomike). Këto faktorë artificial fshijnë ndonjë kulturë të vërtetë dhe e zëvendësojnë një kulturë fallce e përshtatshme për kushte të ndryshme dhe në shkallë të ndryshme historike së bashku me një ekonomi të ndryshme dhe një ndrrim të ndryshëm politik dhe shoqëror. Atëherë kur unë dëshiroj të ndjej veten time të vërtetë, e gjej veten duke përfytyruar një kulturë tjetër shoqërore në vend të times dhe duke vuajtur jo problemet e mia aspak. Unë rënkoj për cinizmin që nuk ka lidhje me të vërtetat kulturore, filozofike dhe shoqërore të shoqërisë sime. Atëherë unë e gjej veten duke u ushqyer me aspiratat, idealet, dhe ankthet që u takojnë legjitimisht kushteve shoqërore, ekonomike dhe politike të shoqërive se sa të miat. Unë i trajtoj këto dëshira, ideale dhe dhimbje jo më pak si të ishin të miat.
Një kulturë tjetër më ka tjetërsuar. Njeriu me lëkurë të zezë i Afrikës, berberi i Afrikës së Veriut, persiani dhe indjani i Azisë, secili ka një të kaluar të veçantë dhe të tashme të vetme. Megjithatë ata ndjejnë brenda dhimbje dhe obligim të veçantë të cilat i shohin si të vetat, por që në të vërtetë janë trashëgimtare të problemeve të periudhave që ndoqën Mesjetën, renesansën e shekullit të 16, liberalizimin e shekullit të 17, progresin shkencor të shekullit 18 dhe ideologjitë e shekullit të 19 dhe shoqëritë kapitaliste që erdhën në fuqi pas Luftës së parë dhe të dytë Botërore.
Kështu, juve populli afrikan, aziaktik, sa ju shqetëson kjo? Çfarë problemi keni ju që ju shkakton kaq shqetësim në lidhje me ekzistencën e tij, zgjidhjen, ndjenjën dhe reagimin? Është sikur unë të kisha dhimbje në këmbë dhe e regjistroj në nerva! Pse? Sepse u shoqërova me njerëz që mendoj se janë më intelegjentë, të lustruar, të respektueshëm dhe më të pasur se unë dhe ata kanë ″çrregullime nervore″. Në vend që të pranoj se më dhemb këmba dhe të kërkoj medikamente për të, të themi, barëra; unë kërkoj një psikiatër për ″çrregullimin nervor″ të cilit ia cilësoj dhimbjen time.
Konceptet e mia për vetveten nuk janë siç jam në të vërtetë, por siç ″ato″ janë; kështu unë jam tjetërsuar. A nuk është qesharake, të kesh në një shoqëri me kaq shumë mjerim dhe ndjenja të përgjithëshme, dëshira dhe sjellje duke u përngjarë atyre të amerikanëve, anglezëve ose francezëve të sotëm? I fundit është velitur me teprimin e delikatesave dhe kënaqësive dhe mungesa të synimit dhe qëllimeve. Ai dëshiron pushim dhe kërkon paqe. Ai është i sëmurë nga disiplina e rreptë e ndikuar tek ai nga makina. Ai rënkon dhe ankohet për disiplinën dhe rregullin që i ka shkaktuar kaq shumë mjerim. Por unë, duke vuajtur nga mungesa e teknologjisë, jam akoma duke rënkuar dhe ankuar për vuajtjet e shkaktuara nga teknologjia! Është sikur të jemi shtypur nga makina, na janë thyer krahët dhe këmbët, na është gjakosur tërë fytyra dhe koka; dhe akoma shprehim ndjenjën për njeriun pas rrotës, që është fryrë me vozitje dhe duke shtypur njerëz!
Në këtë mënyrë shoqëritë jo-evropjane tjetërsohen nga shoqëritë evropjane; intelektualët e tyre nuk ndjehen më Lindorë, ankohet si person Lindor apo dëshiron të jetë Lindor. Intelektuali nuk vuan për shkak të problemeve të veta shoqërore, më mirë se të përfytyrojë për dhimbje, vuajtjet, ndjenjat dhe nevojat e një evropiani në shkallën e fundit të suksesit dhe kënaqësisë kapitaliste dhe materialiste. Kështu, sot çrregullimi më i dhembshëm përfshin vendet jo-evropiane, çrregullimin psikologjik të jo-evropianëve që kanë një karakter të vetëm dhe sërisht e mohojnë atë. Ata kanë në mendje diçka të huaj. Ata perceptojnë dikë tjetër dhe e imitojnë atë qorrazi.
Këto vende jo-evropiane në të kaluarën ishin të vërteta. Nëse i kishit vizituar këto vende para 200 vjetëve atyre do tu mungonte civilizimi Perëndimor i sotëm, secila prej tyre kishte civilizimin e vet autentik dhe solid. Ata ishin unike; dëshirat, delikatesat, format e tyre të adhurimit dhe gjithë sjellja e tyre e mirë dhe e keqe; veprimi, bukuria, filozofia, feja e tyre ? gjithçka u takonte atyre, për shembull, nëse kisha shkuar në një vend si India ose ndonjë vend afrikan, do ta dija se ata kishin shijet dhe ndërtesat e tyre unike. Ata krijuan poezinë e vet unike, kulturën e tyre përkatëse dhe relevante me jetën e tyre. Ata kishin mënyrën e tyre shoqërore unike. Ata kishin ngjyrat, sëmundjet, dëshirat dhe fetë e tyre unike. Ata i kishin të gjitha të tyret. Përkundër faktit se ata ishin shumë poshtë nivelit të civilizimit, kënaqësisë materiale të ditëve të sotme, tërë çfarë kishin edhe pse të vogla ishte e tyre. Ata nuk ishin të sëmurë, të varfër ishin, por varfëria është ndryshe nga sëmundja.
Por sot, shoqëritë perëndimore ishin të afta të shfrytëzojnë filozofinë e tyre, mënyrën e tyre të të menduarit, dëshirat, idetë, shijet dhe mënyrat e tyre ndaj vendeve jo-evropiane me masë të njejtë sa kishin mundësi për të futur simbolet e tyre të civilizimit (të rejat teknologjike) tek këto vende që konsumojnë produkte dhe vegla të reja; vende që nuk mund të përshtasin veten me mënyrat, dëshirat, shijet dhe mënyrat e mendimit evropian.
Siç thotë Alined Yope, një nga intelektualët më të mëdhenj zezakë: ″shoqëritë kanë dalë jasht civilizimit evropian ? si shoqëritë tona që janë ″shoqëri mozaike″. Çfarë nënkupton ai me ″shoqëri mozaike″? Një mozaik përmban qindra pllaka të ngjyrosura me ngjyra dhe forma të ndryshme, të gjitha të shtypura në një shtresë. Çfarë forme bëjnë këto pllaka? Asnjë! Një mozaik ka ngjyra të ndryshme dhe i kompozuar nga pjesë të ndryshme të zhavorit me forma të ndryshme, por të gjitha bashkë nuk kanë formë. Disa civilizime gjithashtu janë civilizime mozaike. Kështu civilizimet që bartin pjesë të lëna të së kaluarës disa pjesë të deformuara nga Evropa dhe kombinimi i dy prodhimeve, një shoqëri gjysmë ? të modernizuar. Gjithashtu ka mozaik edhe atje ku nuk zgjedhim materiale të njejta si evropianët për të bërë një civilizim për veten, sepse nuk e dinim çfarë ishte civilizimi dhe si ta formojmë atë. Janë ata që na e dhanë formën gjithashtu.
Kështu pa e ditur çfarë të bëjmë dhe pa pasur ndonjë qëllim prioritar se si të formojmë shoqërinë tonë sipas shijeve dhe mendimeve tona dhe pa ditur si të integrojmë pjesë të ndryshme ose duke i marrë prej këtu dhe atje sipas para ? planifikimit, ne filluam duke i bashkuar pjesë dhe elemente të ndryshme për të ndërtuar një shoqëri moderne por jo paformë, pa qëllim ose synim. Në rezultatin e shfrytëzuar gjejmë pjesë prej kudo, disa vendas, evropjanë, disa jashtë mode, dhe disa modern ? të gjitha të stivuara pa formë, në konfuzion pa qëllim dhe me rezultat duke krijuar një shoqëri pa formë dhe qëllim gjithashtu. Shoqëri të tilla janë shoqëritë jo ? evropiane të cilat gjatë shekullit të fundit, kanë mundur të fitojnë materialet e tyre ndërtuese nga Perëndimi, në emër të civilizimit.
Cila është origjina e shfaqjes së këtij civilizimi mozaik (ose që unë do ti quaja shoqëri kameleoparde) tek vendet jo ? evropiane që nuk kanë formë të veçantë dhe asnjë qëllim fiks? Nuk është e qartë se çfarë lloj shoqërishë janë ato; popujt dhe intelektualët e tyre nuk mund të kuptojnë se për çfarë jetojnë ata, cili është qëllimi i tyre, cila është e ardhmja e tyre dhe çfarë përmban ideologjia e tyre.
Makina u shfaq dhe u zhvillua gjatë shekujve të 17, 18 dhe 19 në Evropë në duart e kapitalistëve dhe të pasurve. Makina ka karakteristikën e nevojës për rritjen konstante në prodhim, kur punon. Ky është detyrimi i makinës. Nëse nuk e rrit prodhimin për 10 ose 11 vjet, ajo do të vdesë, ajo nuk mund të vazhdojë të funksionojë dhe nuk mund të konkurojë me makina të tjera. Pse? Sepse nëse nuk e rrit prodhimin, makinat e tjera, që prodhojnë mallra të njejtë në rendiment të lartë, mund ta shesin më lirë. Prandaj, prodhimi i makinës së vjetëruar stagnon. Makina duhet të prodhojë më shumë që të mund ti paguajë punëtorët dhe t′i vërë në treg prodhimet më lirë se konkurentët e saj. Shkenca dhe teknologjia kanë kontribuar në zhvillimin e makinës dhe kanë përmirësuar efikasitetin e saj. Ky zhvillim ka ndryshuar fytyrën e njerëzimit sot. Ne nuk duhet ta konsiderojmë atë si një nga problemet që shfaqen sot në botë; folur më drejtë, nuk ka problem tjetër veç atij, që ka qenë para nesh gjatë dy shekujve të fundit. Prej tij dalin të gjitha problemet tjera që përballë bota sot.
Makina duhet ta rrisë prodhimin e vet vazhdimisht çdo vit. Prandaj për ta penguar mbetjen stok, ajo duhet gjithashtu të krijojë vazhdimisht nevojën e konsumimit të vazhdueshëm. Megjithatë konsumimi i njerëzve nuk rritet në vlerë të njejtë si prodhimi. Një shoqëri e caktuar mund të ketë rritje prej 30 % në konsumimin e letrës në 10 vjet dhe 300 % ose trefishim të prodhimit të letrës. 10 vjet më parë makinat prodhonin 5 kilometra letër në orë kurse sot prodhojnë 50 kilometra në orë, përderisa konsumi i letrës nuk është rritur dhe nuk mund të rritet në këtë masë.
Çfarë do të bëhet me prodhimin e tepër ose tepricën? Çfarë do të bëhet me grumbullin e letrës? Vende të reja konsumi duhet të sigurohen. Çdo vend evropian ka një shije të veçantë dhe të caktuar dhe një konsum fiks; popujt e tyre nuk i kalojnë 40 deri 60 miljonë banorë. Vlera frenetike e prodhimit, që rritet vazhdimisht, i kalon dëshirat e popullit për konsum. Ata nuk mund të qëndrojnë! Kështu që kur makina ka prodhuar detyrimisht mallra tepricë, ajo duhet të kalojë kufijtë kombëtar dhe t′i fusë mallrat në tregjet e huaja. Kur kapitalistët morën kontrollin e makinerisë, teknologjisë dhe shkencës në shekullin e 18, u përcaktua fati i njerëzimit. Çdo njeri në sipërfaqen e tokës do të detyrohej të bëhej konsumues i mallrave të prodhuara. Tregjet evropiane u ngopën shpejt; vazhdimisht mallrat tepricë duhej të shkonin në Azi dhe Afrikë. Aziatikët dhe afrikanët duhej të konsumonin produktet evropiane tepricë.