Nëse mjekët, laborantët e të tillë si ata u bëjnë autopsi të vdekurve kur një gjë e tillë kërkohet nga prokuroria, gjykata, avokatët etj., atëherë ç’autopsi mund të bëjmë ne të vetmuarit?! Ne nuk kemi laboratore, as salla spitali e asgjë tjetër nga mjetet e duhura për një autopsi. Pa mjete të nevojshme mund t’i bëjmë autopsi vetëm atyre që vdesin nga kanceri, mbase edhe atyre nuk ia bëjmë dot. Sepse mund që ata të kenë vdekur nga frika prej kancerit para se të vdesin prej kancerit. A mos vallë ne po duam t’i bëjmë autopsi vetmisë? Mos vallë duam t’i gjejmë shkaqet e vetmisë?! Apo mbase duam t’i bëjmë një autopsi gjumit të humbur?! Jo, i dashuri lexues, nuk duam t’i bëjmë autopsinë vetmisë e as gjumit, ne do të bëjmë disa autopsi të tjera. Ne sot po e shohim lumturinë të shtrirë për toke dhe të vdekur. Ne sot po e shohim turpin e rrëzuar përdhe, të përgjakur dhe të vdekur. Ne sot po ndiejmë aromën e keqe të arsimimit që dikur moti e mbytëm dhe nga turpi, pa arsye, e lëmë të qelbet mbi dhe. Ne sot dëgjojmë vajtimin e moralit që prej varrit ku ai u vorros bashkë me të moralshmit. Dhe autopsitë e këtyre vdekjeve po i bëjmë ne. Nuk na paguan ndonjë gjyq, as prokurori, as avokat e askush tjetër përpos vetmisë dhe ankthit. Po deshe ta dish se sa na paguan vetmia, do ta them unë, na paguan me miliona. Vetmia na dhuron neve miliona lotë e pastaj ne në këmbimoren që e quajmë errësirë, këmbejmë një milion pika loti për një mijë fjalë. Lirë shkon loti në këtë treg të mbushur me lotë. Kështu na i paguan neve vetmia autopsitë e atyre të vdekurave që i përmenda.
Në mes të rrugës gjejmë lumturinë të vdekur, vetmia na paraqitet dhe na kërkon autposinë e saj, do t’i dijë shkaqet e vdekjes. Dhe pas autopsisë ne dalim me konkluzat në vijim: lumturia vdiq nga dy plumba:
- i pari, lakmia e tepërt e pasurisë
- i dyti, arsyetimi i mjetit për arritjen e qëllimit të caktuar, në këtë rast, qëllimi është arritja e pasurisë.
Pastaj një ditë tjetër, vetmia të paraqitet dhe kërkon autopsinë e moralit që u gjet i vdekur në mes të rrugës. Ne e bëjmë autopsinë dhe arrijmë në konkluzën në vijim: morali vdiq nga tri të goditura:
- e goditura e parë është: largimi i njerzimit nga njerëzshmëria dhe afrimi i tij tek kafshëria.
- e goditura e dytë është: largimi nga adhurimi i Zotit të robërve drejt afrimit tek adhurimi i robërve të Zotit.
- goditja e tretë dhe më e rënda është: vlerësimi i jomorales si e moralshme dhe vlerësimi i morales si jo e moralshme.
Pastaj disa ditë më parë vetmia erdhi vet tek unë pa u paraqitur fare dhe tha se arsimimi është gjetur i vdekur buzë lumit dhe se dyshohet të ketë vdekur nga plagët e një thike. Ne e bëmë autopsinë dhe dolëm me konkluzën: shkollimi u gjet i therrur me thikë buzë lumit, nga katër plagë kryesore:
-e para plagë është: mosmirënjohja ndaj mendjes me të cilën Zoti e dalloi njeriun nga gjallesat e tjera
- plaga e dytë është: shndërrimi i arsimimit nga të qenët ushqim shpirtëror në vegël për ushqim material dhe trupor.
- plaga e tretë është: mospërfillja e dhuruesve të mësimit dhe dijes
- kurse plaga e katërt është: mosfutja në praktikë e asaj pak dije dhe e atij pak arsimimi që ekzistonte.
Ndërsa autopsia e fundit për të cilën vetmia më detyroi ta bëja, ishte autopsia e turpit. Turpi ishte gjetur i varrosur pa mos e parë njëri ceromoninë e varrimit dhe dyshohej të ishte varrosur i gjallë në dhe. Pikërisht për këtë arsye u kërkua autopsia e tij. Dhe pas saj ne dolëm me konluzën: turpi para se të futej i gjall në dhe ishte goditur 4 herë rëndë, edhe atë:
- goditja e parë ishte: arsyetimi i çdo sjelljeje të paturpshme me kohën. Ose thënë më qartë, çdo vepër të paturpshme e arsyetojmë më atë se koha e kërkon të atillë, koha është ashtu.
- goditja e dytë ishte: burimi i turbullt i edukatave prej ku ne pijmë. Burimi i pastër vazhdimisht është përpara nesh, ndërsa ne pijmë ujë në burime të tjera.
- goditja e tretë ishte: dëshira për t’u dukur më ndryshe nga të tjerët. Kur një dëshirë e këtillë është shumë e madhe në zemrën e njeriut ajo godet ashpër turpin dhe bën sjellje të paturpshme, vetëm e vetëm që të duket më ndryshe nga të tjerët.
- goditja e katërt dhe vdekjeprurësja ishte: zhytja sa më e thellë në gjëra të turpshme ose mosturpërimi edhe pas kryerjes së ndonjë vepreje të paturpshme. Pra, bëjmë punë të paturpshme e nuk turprohemi prej tyre, por vazhdojmë edhe më me ato punë.
Shkrova autopsitë dhe u ndava pak me vetminë, dola në rrugë e takova veten time jashtë. Mirëdita, o Unë, më tha vetja, pak si shumë kishe filozofuar me ato atupsitë e tua. Mirëdita, o Unë, ia ktheva unë vetes sime, i paske parë ti autpositë që i bëra?! Po pra, me siguri që i pashë, po prej kur keni filluar t’i bëni autopsi edhe gjërave abstrakte? A thua vallë me ç’vegla bëni autopsitë e gjërave abstrakte?! Atëhera iu drejtova vetes dhe i thashë: dëgjo mirë, o Unë! Fillimisht autopsitë që unë i shkrova janë të rënda për ty, ti nuk ke imagjinatë të majftueshme që ta kuptosh imagjinatën time, por nuk i kupton as metaforat që t’i kuptosh ato të miat në Autopsitë. Kur më jepje kritika negative për ato shkrimet e tjera të dëgjoja, jo se e kishe mirë, por sepse unë i shkruaja me gjuhën tënde të vobektë dhe me stilin tënd të thatë. Mirëpo tani nuk do të të lejoj të flasësh, nga se ti nuk ke mendje aq të thellë që të thellohesh ne imagjinatat dhe metaforat e mia. Mbase do t’i kuptosh ato, pasi që unë t’i shkruaj më gjerësisht në një hapsirë më të gjërë. Ndërsa sa i përket asaj se me çfarë mjete bëjmë autopsitë e gjërave abstrakte do të të përgjigjem: mus’hafi që ti e mban në raftet e dhomës për zbukurim, ai brenda kopertinave të tij ka fjalët e Allahut që janë mrekullia e vetme abstrakte që Allahu ia dha njerëzmit, për dallim nga mrekullit të tjera që ishin të ngurrta, të pashme, të dëgjuehme, të prekshme,etj. Me këtë ne i bëjmë autopsitë abstrakte. Tani më lër të qetë, vazhdo e shëtit rrugëve si gjithherë, shëtit në mesin e lumturisë së vdekur, turpit të varrosur, moralit të therrur dhe arsimimit të vrarë.