HYRJE
Qëllimi i kësaj eseje është që të tregojë se si koncepti i orientalizmit i zhvilluar nga Saidi është definuar ngushtë në kuptim të gjeografisë dhe është tepër përzgjedhës duke përjashtuar kështu studiues të rëndësishëm orientalistë gjermanë, francezë dhe britanikë. Andaj, ai koncept mund të kritikohet edhe në kohën kur është dhënë për herë të parë, lëre më në epokën e globalizimit shoqëror dhe kulturor. Megjithatë, ai shpjegon me sukses një pjesë të diskursit perëndimor që ndriçon mënyrën se si oksidenti ka ‘krijuar’ orientin pas periudhës së iluminizmit dhe akoma mbetet aktual në mesin e autorëve që përkrahin tezat e ‘përplasjes së qytetërimeve’ dhe ‘fundit të Historisë’, si dhe në politikën ndërkombëtare, veçanërisht në politikën e jashtme të SHBA në raport me ‘botën e tretë’, e dukshme sidomos pas 11 shtatorit 2001. Eseja gjithashtu diskuton relevancën e kritikës së Saidit në kohën bashkëkohore që po dëshmon ngritjen e shteteve të Lindjes, domethënë Kinës dhe Indisë. Ngritja e këtyre dy shteteve i ka kontribuar zhvendosjes së kufijve të imagjinuar ndërmjet Oksidentit dhe Orientit, duke e bërë kështu Lindjen – përkundër asaj që thotë Orientalizmi – jo vetëm subjekt, por lojtar në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikën globale.
Kjo ese është e ndarë në tre pjesë. Pjesa e parë e esesë do të diskutojë argumentin e Saidit në veprën e tij Orientalism (Orientalizmi). Pjesa e dytë do të diskutojë të metat apo dobësitë dhe kritikat kryesore të ‘orientalizmit’ siç e përkufizon Saidi, në dritën e kritikave të Bernard Lewis, historian dhe specialist i Lindjes së Mesme, dhe Robert Irwin, specialist i historisë dhe kulturës së Lindjes së Mesme. Pjesa e tretë analizon implikimet kulturore dhe politike të ‘orientalizmit’ në marrëdhëniet mes ‘Perëndimit’ dhe ‘Lindjes’ në përgjithësi, dhe veçanërisht ndërmjet SHBA dhe Lindjes së Mesme.
ORIENTALIZMI
“Orienti ishte thuajse një trillim europian.” (Said, 1978:1)
Ndoshta ju është e njohur tabloja vijuese që pasqyron Lindjen e Mesme: një dhomë e gjerë e veshur me pllaka me ngjyra të ndezura, me mbishkrime që ngjajnë me shkrimin arab (por që nuk janë arabisht), pa asnjë shenjë pluhuri (një përbërës i rëndësishëm i jetës arabe), dhe aty një grup i ‘pleqve të fëlliqur’ që shohin drejt një djali të zhveshur rreth trupit të të cilit është mbështjellur një gjarpër.
Në fakt, kjo është fotografia në ballinën e librit Orientalism (1978) e botuar 32 vite më parë që tregon në mënyrë tipike fantazitë orientale dhe nocionet paraprake për popujt e Orientit, madje pa rënë në kontakt me ata. Fotografia është pasqyrimi tipik i Orientit, pavarësisht nga diversiteti i tij. Në këtë vepër, Edward Said, studiues amerikan i lindur në Palestinë ka paraqitur një pikëpamje që ka propozuar ta ekzaminojë Orientalizmin si një diskurs në kuptimin që Michel Foucault i jep atij (Said, 1978:4) dhe marrëdhënien ndërmjet Oksidentit dhe Orientit si marrëdhënie pushteti, dominimi, hegjemonie të shkallëve të ndryshme, sipas pikëpamjes së Antonio Gramscit (Said, 1978:5).
Orientalizmi i Saidit mori kuptimin e mënyrës se si paraqitet ‘tjetri’, dhe jo vetëm arabët, por të gjithë ata që iu nënshtruan një paraqitjeje të tillë, si indianët, kinezët, gratë, etj. Këto paraqitje të trilluara nuk janë vetëm për konsum perëndimor, por edhe për Orientin: pikturat ‘orientaliste’ mund të gjenden edhe në botën arabe, apo të prodhuara në Kinë, dhe jo domosdoshmërisht në Perëndim. Ato tejkalojnë kufijtë kontinental dhe kanë të bëjnë me fantazitë e klasave të mesme që pasqyrohen në pikturat që ata varin në muret e shtëpive të tyre.
Natyrisht, ndarja e botës në Lindje dhe Perëndim nuk lindi në periudhën kolonialiste, për të cilën shkruan Saidi. Ajo është historike dhe gjurmët e saj mund të gjenden qysh te grekët të cilët gjithmonë kishin barbarët e tyre. Mirëpo, nga fundi i shekullit XIX orienti u identifikua me Islamin dhe u bë pjesë e polemikës së krishterë mbi Islamin: orienti paraqiste vendin e apostazisë, herezive të ndryshme, por edhe sfidë për botën e krishterë; muslimanët erdhën në Spanjë në fillim të shekullit XIII dhe mbetën aty deri në fund të shekulli XVI.
Edhe pas kësaj, orientalizmi vazhdoi deri në pushtimin e Egjiptit nga Napoleoni. Ekspedita e Napoleonit, ndryshe nga pushtimi i Egjiptit nga Aleksandi e Cezari, solli diçka të re: Napoleoni me vete mori një ekip shkencëtarësh, si arkeologë, biologë, linguistë të cilët qëndruan atje për një kohë të gjatë dhe regjistruan çdo gjë, dhe nga perspektiva e ekspertëve shkruan tekste mbi Egjiptin për të krijuar kështu një dituri mbi të për publikun europian, për të cilën vetë popujt autokton nuk kishin dijeni. Me këtë Orientalizmi u bë disiplinë e studimit shkencor, dhe jo vetëm çështje e pasqyrimeve në piktura, dhe me kohë u formalizua për t’u bërë temë universitare.
Mirëpo, ky përshkrim apo paraqitje e Orientit, e popujve dhe kulturës së tij, jo domosdo bazohej në realitet. Ajo ishte më tepër diskurs se si perëndimorët e mendonin Lindjen. Por, ngjashëm si me pikturat që krijoheshin edhe për konsum në Orient dhe nga vetë Orienti, edhe ky diskurs shkencor ndikoi, jo vetëm në mënyrën se si Oksidenti e shihte Orientin, por edhe se si njerëzit e Orientit e shihnin vendin dhe vetveten. Vetë Saidi – i shkolluar në kolegje koloniale në Lindjen e Mesme dhe më pas në SHBA ku specializoi në letërsinë angleze dhe krahasuese – shkroi librin e tij Orientalism qysh pasi kishte lexuar autorët klasikë si Mahfuz, el-Ghazali, Ibn Halduni dhe u vetëdijesua se sa shumë ishte keqinformuar për realitetin dhe mendimin arab nga ajo se si perëndimorët flisnin për Orientin, siç pohon në intervistën e fundit të jetës së tij. (Said 2004)
Orientalizmi i Saidit ka ndihmuar të krijojë një fushë që është quajtur studime post-koloniale duke i vënë tekstet që ai i ka analizuar në kontekst më të gjerë politik: ‘[...] tekstet ekzistojnë në kontekst [...] kushtet politike, institucionale dhe ideologjike veprojnë tek autori individual.’ (Said, 1978:13) Ai e sheh Orientin ashtu siç shfaqet në Orientalizëm si sistem i përfaqësimit të ‘forcave të caktuara politike dhe aktiviteteve në Perëndim.’ (Said, 1978:203) Diskursi i Orientalizmit nënkupton se orientalët (njerëzit e Orientit) – pasi që rallë herë janë parë apo janë shikuar me vëmendje, por janë konsideruar si të huaj – janë kuptuar si ‘problem që duhet zgjidhur, të izolohen, ose të pushtohen.’ (Said, 1978:207)
Sidoqoftë, analiza e Saidit nuk ka për qëllim të zhdukë dallimin ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, por të sfidojë idenë se ky ‘dallim nënkupton armiqësi, esenca statike në raport kundërvënieje, si dhe dijen armiqësore të formuar nga këto gjëra.’ (Said, 1978:305)
Pikëpamja e Saidit ishte aq tërheqëse në periudhën post-koloniale sa që në të vërtetë e ndërroi vetë kuptimin e fjalës ‘orientalizëm’ duke i dhënë atij një konotacion përbuzës. Para kësaj, Orientalizmi ka paraqitur një disiplinë të filologjisë që ka zbuluar, studiuar, botuar dhe interpretuar veprat e Orientit. Ai shkruan:
“Orientalizmi është mënyrë e të menduarit që bazohet në dallimin ontologjik dhe epistemologjik ndërmjet ‘Orientit’ dhe [...] ‘Oksidentit”. Kështu, shumë shkrimtarë [...] e kanë pranuar dallimin themelor ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit si pikënisje për të elaboruar teoritë, poezitë, romanet, përshkrimin shoqëror, dhe shpjegimet politike përkitazi me Orientin, popullin e tij, zakonet, ‘mendjen’, e kështu me radhë.’ (Said, 1978:4)
Për të shtuar, një kuptim i rëndësishëm i Orientalizmit të Saidit është se ai ka të bëjë me gënjeshtra apo mite (Said, 1978:6) si dhe emra të tjerë përulës, dhe se në fund të fundit është i lidhur ngushtë me imponimin e pushtetit perandorak.
Kontributi pozitiv i veprës së Saidit është se ajo ka qenë forcë kryesore që e ka shtyrë Perëndimin të pranojë rolin e botës joperëndimore në krijimin e saj dhe, mbase, të fillojë ta vlerësojë këtë.
KRITIKA
Argumenti i Saidit në veprën e tij është një kritikë e vlefshme përkitazi me mendimin euro-amerikan dhe si i tillë ka pasur ndikim të madh në mesin e intelektualëve dhe akademive në Perëndim. Sidoqoftë, libri i tij Orientalism është kritikuar për të meta të rënda gjë që e ka bërë të vlerësohet si i dobët në kuptim shkencor.
Një nga kritikat kryesore është se ndonëse pretendon të shpjegojë se si Perëndimi (në përgjithësi) e trajton Lindjen (në përgjithësi), megjithëkëtë, Orienti reduktohet në pjesë të veçanta të Lindjes së Mesme duke përjashtuar pjesë të tjera të rajonit, ose duke mos i vënë re fare ato (si Kina, Azia jug-lindore, Japonia) ose duke folur fare pak për to (India). Në anën tjetër, analiza përzgjedh vepra të caktuara orientaliste të Perëndimit, duke përjashtuar kështu autorë të rëndësishëm gjermanë, holandezë, italianë, dhe francezë (si Gérard Nerval dhe Gustave Flaubert). Në të vërtetë, një nga akuzat kundër tij është se ai ishte injorant përkitazi me Lindjen e Mesme, ngase vetë ai ka shpërfillur vepra të rëndësishme në gjuhën arabe!
Ironike, por vetë Orientalism është vepër orientaliste ngase bie në të njëjtat lajthitje orientaliste ndaj tjetrit, dhe atë në dy mënyra. Së pari, ai supozon se është Perëndimi që projekton dhe e paraqet Lindjen sipas një pamjeje të caktuar, duke neglizhuar kështu faktin se kjo është diçka që e bëjnë të gjitha shoqëritë. Së dyti, Orientalism e konsideron botën perëndimore (imperializmin europian, kolonializmin perëndimor, etj.) si të ishte unike, gjë që është e pavërtetë. Natyrisht, nuk do të kishte asgjë të keqe po qe se libri i Saidit do të merrej si një polemikë politike, me të cilin rast lëshime të tilla do të mund të faleshin. Mirëpo, pritjet nga një kritikë shkencore janë shumë më të mëdha se kaq.
Kritikat e tjera, si ajo e Lewis (1993:101) thonë se ai i neglizhon plotësisht çështjet gjinore, dhe se e gjithë përpjekja shkencore për të ‘njohur’ Orientin (përveç ajo e Saidit!) gjithnjë ka qenë akt shtypjeje, si dhe se ai ka nënvlerësuar veprat dhe arritjet e arabologëve dhe islamologëve në fushat relevante. Një kritikë tjetër është se dështimi i tij për të pranuar heterogjenitetin e Orientalizmit mund të jetë një shkak përse analiza e tij futet në definicione të kundërshtueshme. (Kenndey, 2000:29)
Një tjetër akuzë kundër tij është se ai nuk e njihte Lindjen e Mesme, ngase ishte vetë ai që ka shpërfillur vepra të rëndësishme të studiuesve arabë.
Një kritikë e përhapur është se tërë disiplinën e studimeve të Lindjes e akuzon si raciste dhe imperialiste. Duke i varur një domethënie përbuzëse, termi ‘orientalist’ është ‘helmuar’ duke i kontribuar kështu skepticizmit brenda qarqeve të caktuar në botën muslimane kundrejt orientalizmit. (Lewis, 1993:101)
Kjo që thotë Lewis mund të jetë e saktë, sidomos për ata që veprën e Saidit e lexojnë në mënyrë të gabueshme si mbrojtje e lindjes nga perëndimi. Mirëpo, në të vërtetë Saidi vetëm sfidon nocionin e kontrastit ndërmjet këtyre dy botëve.
Sidoqoftë, ndonëse ka një lidhje ndërmjet orientalizmit dhe imperializmit, vepra e Saidit nuk duket se i barazon ato. Pra Saidi nuk nënkupton se të studiosh ‘tjetrin’ domethënë se je imperialist dhe racist. Ai bën dallimin ndërmjet ‘diturisë mbi popujt e tjerë që është rezultat i studimit dhe analizës së kujdesshme dhe mirëkuptimit [...] dhe diturisë që është pjesë e fushatës për vet-afirmim. (Said 2003) Madje, ai as nuk zhvilloi një perspektivë se si duhet të studiohet orienti. Të tjerët të frymëzuar nga vepra e tij e bënë këtë. Ajo çfarë vepra e Saidit na tërheq vëmendjen është se si të flitet për ‘tjetrin’ pa i përdorur paragjykimet dhe konceptet apriori për ta.
ORIENTALIZMI SOT
Siç u tha në seksionin paraprak të kësaj eseje, teza e Saidit është ballafaquar me kritikë të ashpër qysh nga koha kur është botuar për herë të parë. Sot, studimet orientale dhe të lindjes janë më të interesuara të njohin dhe studiojnë orientin si dhe të bëjnë dallimin ndërmjet disiplinave të studimeve orientale (kinologjia, iranologjia, etj.). Ky ndryshim zhvlerëson argumentin e Saidit, së paku në diskursin akademik. Por, a mund të thuhet kjo edhe për diskursin e politikës së jashtme të neokolonializmit dhe imperializmit perëndimor (siç do të argumentonte dikush) kundrejt Orientit, raporteve me të dhe përfaqësimit të tij?
Pavarësisht nga kritika, Orientalizmi i Saidit mbetet një analizë që ka shumë për të treguar. Libri është më i gjerë se sa rrethanat në të cilat është krijuar ai. Për shumë studiues në Orient dhe në Lindjen e Mesme në veçanti, pikat e forta të librit janë më të rëndësishme se sa dobësitë e tij. Ndërsa pranojnë gabimet dhe dobësitë e argumentit të Saidit, studiuesit kanë vlerësuar arritjet e librit të tij, për shkak të “debatit dhe hulumtimit që ka nxitur ai.” (Irwin, 2006)
Në artikullin që e ka shkruar njëzetepesë vjet pas librit të tij Orientalism, Said argumenton se mënyra se si SHBA e sheh Lindjen e Mesme, arabët dhe Islamin nuk është përmirësuar shumë. (Said 2003) Se çfarë nënkupton ai me ‘SHBA’ mund të gjendet në këtë analizë të tij, që kryesisht është media dhe politika.
Media
Më herët ai kishte nxjerrë në pah faktin se bota elektronike përforcon stereotipet përmes së cilave shihet orienti, duke i futur informacionet që transmetohen përmes televizioneve, filmave, etj. në kallëpe të standardizuara me qëllim të përfshirjes së ‘Orientit misterioz’ në listën e armiqve akademikë dhe imagjinarë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. (Said, 1978:26)
Orientalizmi bashkëkohor përqendrohet në mënyrën se si Islami dhe arabët përfaqësohen në median amerikane dhe gjetiu, si dhe në mbizotërimin kulturor dhe politik të SHBA-ve në vendet arabe. (Kenndey, 2000:20) Kjo është një inerci e paraqitjes së arabëve si të mundur, qyqarë, të dobët, të pazotë dhe të nënshtruar dhe një fond i gjatë i klisheve për arabët qysh nga Dante që Profetin Muhamed e shihte në ferr.
Racizmi anti-arab shkon shumë larg dhe për popujt arabë mund të bësh gjeneralizime që për popuj dhe grupe të tjera nuk do të lejoheshin. Kjo shfaqet në krijimin e një figure kërcënuese dhe të dehumanizuar të terroristit islamik, që theksohet me të madhe nga gazetarët dhe Hollivudi.
Jo që terroristi nuk ekziston, por ai është rezultat i gjendjes së dhunës politike në Lindjen e Mesme. Sidoqoftë, në këtë pjesë të botës ka diçka më shumë për të cilët media në Perëndim flet fare pak. Lajmet janë të mbushura me ‘terroristë islamikë’ që kërcënojnë Perëndimin. Rezultat i këtij përqendimi të medias kryesisht në aspekte negative të këtyre shoqërive krijon një ndjenjë paranoje që bën që popujt muslimanë të njihen si fanatikë, ekstremistë dhe të dhunshëm, gjykuar vetëm nga prejardhja dhe ngjyra e lëkurës së tyre. Ndërkohë që Lindja e Mesme është diverse dhe komplekse, të kuptuarit e këtij rajoni në mënyrë aq të ngushtë dehumanizon miliona e miliona njerëz të dinjitetshëm që jetojnë atje.
Përveç dehumanizimit të këtyre popujve, si rezultat i gjeneralizimeve të tilla edhe Islami dhe mësimet e tij në fjalorin e Perëndimit janë bërë sinonime të terrorizmit. Ky demonizim i Islamit verbon të shihet dallimi ndërmjet devocionit fetar dhe terrorit, duke krijuar kështu një frikë irracionale e patologjike nga çdo musliman i devotshëm. (Said 1997)
Politika: Marrëdhënia ndërmjet diturisë perëndimore dhe pushtetit
Riprezantimi dhe sundimi apo me fjalë të tjera dija dhe pushteti shkojnë tok. Në Culture and Imperialism (1993) Saidi shpjegon se si riprezantimi i Lindjes nuk u bë vetëm për konsum artistik, por edhe për mbizotërim. Autori në Orientalism nuk kishte bërë fjalë për shembuj të tjerë të kësaj lidhjeje të dijes me pushtetin, por kjo mund të zbatohet edhe në raste të tjera në të cilat pushtimit të një vendi i paraprin dija diskurseve mbi të. Kjo përputhje e dijes dhe pushtetit, një teori e zhvilluar nga Foucault, nënkupton se nëse do të sundosh një vend duhet ta bësh këtë duke krijuar një njohje për të dhe për popullin e tij. Britanikët në Indi dhe në kolonitë e tjera krijuan një dije për popujt atje duke u përpjekur t’i njohin ata. Po kështu, SHBA krijoi ide kur e pushtoi Irakun. Orienti tani studiohet si pjesë e programit për sigurinë kombëtare. Madje, edhe gjuhët mësohen si pjesë e studimeve të sigurisë: rusishtja dhe arabishtja mësohen për të qenë të sigurt nga këta popuj.
Në mënyrë që të justifikojë lidhjen e studimit të kulturës me një dukuri politike, siç është imperializmi, Saidi përdor konceptin e hegjemonisë kulturore (format dhe modelet mbizotëruese të kulturës). Ai shkruan: ‘Reflektimi, debati, argumenti racional, parimi moral i bazuar në nocionin shekullar se qeniet njerëzore duhet të krijojnë historinë e tyre janë zëvendësuar nga ide abstrakte që lartësojnë veçantinë amerikane ose perëndimore, zhvlerësojnë relevancën e kontekstit, dhe kulturat e tjera i shohin me përbuzje.’ (Said, 2003)
Ai e merr Orientalizmin si shembull se si hegjemonia (në kuptimin që Gramsci i jep këtij nocioni), ose më saktë hegjemonia kulturore funksionon në shoqërinë civile për të fuqizuar ideologjinë sunduese të shoqërisë politike jo me dominim, por me miratim. (Said: 1978:10-11) Me fjalë të tjera, prodhohet një dituri mbi popullin vendi i të cilit pushtohet, pastaj shoqëria civile jepet pas këtij diskursi duke e përjetësuar sundimin e strukturave politike. Ai shkruan: ‘Ka pasur sulm të madh dhe të qëllimshëm agresiv në shoqëritë bashkëkohore arabe dhe muslimane për prapambeturi, mungesë të demokracisë dhe mungesë të të drejtave të grave, sa që ne thjesht harrojmë se nocione të tilla si moderniteti, iluminizmi dhe demokracia assesi nuk janë të thjeshta dhe koncepte mbi të cilat ka konsensus…’ (Said, 2003)
Lidhja ndërmjet diturisë dhe pushtetit është e pashkëputur. Arsimimi amerikan vazhdon të mbesë thellësisht ideologjik, në sajë të intelektualëve provincialë amerikanë, duke i paraqitur amerikanët si çlirimtarë e promotorë të demokracisë, në Afganistan, Irak, e gjetiu.
Gjurmët e ‘luftës kundër terrorizmit’ ai i gjen në përshtypjen e organizuar që thotë se muslimanët/arabët nuk janë si ‘ne’ dhe se janë kërcënim për vlerat ‘tona’, që në të vërtetë është ‘vetë thelbi i dogmës tradicionale Orientaliste’. Më tutje, ai vazhdon të analizojë ‘demonizimin e një armiku të panjohur’ të etiketuar si ‘terrorist’ dhe se si mund të shfrytëzohet kjo për qëllime të agjendave politike. (Said, 2003)
Sidoqoftë, ndërsa Saidi është i saktë kur thotë se qëndrimi europian ndaj Orientit është përmirësuar, duket se ai tërthorazi nënkupton se ka pasur një zhvendosje nga orientalizmi tradicional racist, i cili megjithatë akoma është i pranishëm tek elitat politike në SHBA i shprehur në politikën e jashtme, e që mbështetet nga media. (Said, 2003)
Disiplina post-kolonialiste thekson shkallën jo të vogël të vazhdimit të formave kolonialiste të pushtetit në politikën botërore bashkëkohore. Për shembull, niveli i kontrollit ekonomik dhe ushtarak të interesave perëndimore në hemisferën jugore në shumë mënyra është më i madh se sa në sistemin e kontrollit të drejtpërdrejtë – një formë e neo-kolonializmit.
Format kolonialiste të pushtetit vazhdojnë në politikën botërore bashkëkohore, dhe kjo shihet posaçërisht në mënyrën se si konstruktimi shoqëror i dallimeve racore, gjinore dhe klasore mbështesin marrëdhëniet e pushtetit dhe të nënshtrimit. Forma perandorake dhe të tjera të pushtetit operojnë në kushte të gërshetimit të gjinisë, racës dhe klasës. Për shembull: kombet në Perëndim veten e perceptojnë si të ‘qytetëruar’ ndërsa armiqtë e tyre si ‘barbarë’. Më parë, britanikët, për të justifikuar sundimin e tyre perandorak në Indi, kanë përdorur pretendimet seksiste duke nxjerrë në pah mënyrën ‘joqytetëruese’ të trajtimit të grave nga ana e burrave indianë. Burrat e iluminuar, të bardhë britanikë do t’i sillnin qytetërimin Indisë së ‘errët’, ndërkohë që vendin do ta eksploronin ekonomikisht. Sidoqoftë, çështja nuk ka qenë aq shumë te liria e grave, as në Britaninë Viktoriane e as në Indi, por te strategjia efektive e sundimit perandorak.
Gjithashtu, duke përdorur kritikën e orientalizmit mund të analizohet se si Lindja paraqitet në formë të një konstrukti oriental: bota ndahet në qytetërime më të ‘larta‘ dhe të tjera më të ‘ulëta’. Perëndimi lufton për të mbrojtur vlerat e botës së ‘qytetëruar’ (demokracinë liberale dhe ekonominë e tregut të lirë) kundër ‘antivlerave’ (terrorizmit, tiranisë, etj.) Bota e ‘paqytetëruar’ duhet të arrijë botën e ‘qytetëruar’ nëse do që të ecë përpara. Në pajtim me këtë konstrukt, SHBA legjitimon pushtimin e territoreve në Lindje të Mesme, dhe mbi këtë diskurs bazohet ‘lufta kundër terrorizmit’.
Ngritja e ‘Kindisë’ dhe sfida e diskursit orientalist
Dukuria e zhvillimit fenomenal të ekonomisë së Kinës dhe Indisë nganjëherë quhet ‘Kindia’ duke bashkuar kështu dy fjalë: Kina dhe India në një të vetme. Shfaqja e tregut të ‘Kindisë’ ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në tregun botëror dhe implikime të tjera politike. Kjo forcë e re është parë si shans, por edhe kërcënim për ndërmarrësit perëndimorë. Në sajë të forcës së lirë punëtore dhe mundësisë për të prodhuar energji me kosto të ulët, Kina po bëhet qendër e industrisë prodhuese në botë. Në anën tjetër, India me një numër të madh të diplomuarve në shkencat ekzakte dhe inxhinieri, po e zhvendos qendrën e shkencës botërore në drejtim të territorit të saj.
Mrekullia ekonomike që ka filluar me Kinën në fillim të viteve 1970 ka ndërtuar një bazë ekonomike për zhvillim e Prodhimit Bruto Vendor (PBV) që është zhvillimi më i shpejtë që historia ka njohur ndonjëherë, dhe sillet rreth 9-10% brenda vitit në dy dekadat e fundit. Kurse në Indi reforma ka filluar në fillim të viteve 1990, ndërsa ky shtet radhitet i dyti për sa i përket rritjes së PBV-së që sillet nga 6-7% brenda vitit në dy dekadat e fundit.[2] PBV i Kinës në vitin 2008 ka qenë mbi 4 bilion dollarë amerikanë, që e radhit atë të tretën në listën e ekonomive më të zhvilluara në botë, ndërsa India qëndron e dymbëdhjeta me PBV mbi 1 bilion dollarë amerikanë.[3]
Implikimet e këtij zhvillimi ekonomik në marrëdhëniet ndërkombëtare
Ky zhvillim fenomenal e shndërron Orientin në lojtar të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, në kohën kur Perëndimi po e humb fuqinë në Kinë dhe disa vende aziatike. Orienti nuk është më pasiv, por i aftë të konkurrojë ekonomikisht si dhe politikisht Oksidentin. Forca në sferën ekonomike mund të shtrihet edhe në nivel politik: Kina si aktor në politikën globale i reziston ndërhyrjes në çështjet e brendshme të saja në emër të ‘qytetërimit’ që bëhet në stilin imperialist të kohëve të kaluara. Kina nuk do të pranojë të kufizojë shanset për zhvillimin e saj ekonomik në emër të institucioneve globale ekonomike. Kështu, Azia sfidon rendin botëror të mbizotëruar nga Perëndimi dhe të krijuar nga hegjemonia amerikane apo perëndimore. (Huntington 1993)[4] Kjo paraqet një sfidë të madhe për Perëndimin, posaçërisht për faktin se këto dy shtete (Kina dhe India) janë fuqi bërthamore.
Në perspektivë, ky zhvillim mund të zgjerohet në shtetet e tjera aziatike, duke i bërë ato edhe më të fuqishme. Marrëveshjet dhe traktatet ekonomike në rajon mund të bëhen edhe më të rëndësishme në ekonominë botërore. Prandaj, si pasojë mund të kemi një botë që nuk ndahet nga një vijë ndërmjet Perëndimit të fuqishëm dhe Lindjes së dobët. Kjo do ta detyrojë Perëndimin ta ndryshojë pikëpamjen e tij orientaliste për Lindjen, të pranojë rëndësinë e pjesës tjetër të globit dhe të hyjë në marrëdhënie më të përgjegjshme me këtë pjesë të botës që është duke u zhvilluar për të mos provokuar ‘përplasje të qytetërimeve’, por të provojë që së bashku me të tjerët të ndërtojë një rend në të cilin qytetërimet bashkëjetojnë dhe bashkëpunojnë.
Këto zhvillime e kanë sfiduar kritikën e orientalizmit. Megjithatë, diskursi orientalist akoma vazhdon, bile në disa forma, për shembull, kur zhvillimi i ekonomisë kineze i atribuohet pranimit të ekonomisë perëndimore të tregut në periudhën e pasluftës. Ky supozim shpërfill strukturat dhe traditat e pasura që kanë ekzistuar për shumë kohë. Ai presupozon vetë zemrën e idesë orientaliste se Perëndimi si bartës i diturisë mban çelësat e suksesit. Ndikimi i imperializmit dhe kolonializmit në ekonomitë e Azisë është zmadhuar. Vlerësimet e specialistëve të Azisë në përgjithësi tregojnë se efektet e drejtpërdrejta kanë qenë më të vogla se sa që është menduar më parë. (Tipton, 1998)
Diskursi orientalist shkon edhe më larg për ta konsideruar demokracinë si të vetmen formë të qeverisjes me të cilën duhet të qeveriset një shoqëri e ‘qytetëruar’, apo si e drejtë fundamentale e njeriut. Kjo pikëpamje shpërfill kontekstin në të cilin është zhvilluar demokracia në Perëndim, si e vetmja alternativë e diktaturave të tmerrshme që varfëronin shtetet dhe bënin luftëra.
PËRFUNDIM
Diskursi oriental është ende i gjallë në botën e globalizuar! Siç e thekson një nga kritikët e veprës së Saidit, historiani Robert Irwin (2006), nuk dyshon njeri se ka një paraqitje orientaliste (në kuptimin saidian) të arabëve dhe muslimanëve si dekadentë, të prapambetur, injorantë, e kështu me radhë. Diskursi racist kundrejt arabëve dhe muslimanëve është i pranishëm në kulturën perëndimore, si në departamentet qeveritare, ushtarake dhe policore, si dhe në redaksitë e shtypit tabloid. Sidoqoftë, ky racizëm më së paku do të duhej të kërkohej nëpër universitete. Dehumanizmit të arabëve dhe muslimanëve më shumë i kontribuon një film hollivudian, se sa një pikturë orientaliste, apo një vepër orientale e përkthyer keq nga ndonjë orientalist europian.
Vlera shpjeguese dhe normative e Orientalizmit zbehet në një botë në të cilën Kina dhe India po dëshmojnë një zhvillim fenomenal. Suksesi i tyre i bën këto vende lindore jo vetëm subjekte por lojtarë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në politikën botërore. Kjo shkon kundër idesë orientaliste se Perëndimi është bota e qytetëruar mbi të cilën bie barra e ‘qytetërimit’ të kombeve orientalë.
Megjithatë, diskursi oriental akoma vazhdon dhe pasqyrohet në mënyrën se si Lindja paraqitet në formën e konstruksionit oriental, që e ndan botën në qytetërime të larta apo më të mira dhe më të ulëta apo inferiore në anën tjetër.
Burimet dhe literatura
Huntington, S., 1993, If not civilizations, what? Samuel Huntington Responds to His Critics, në internet:
http://www.foreignaffairs.org/19931201faresponse5213/samuel-p-huntington/if-not-civilizations-what-samuel-huntington-responds-to-his-critics.html (10 tetor 2009)
Irwin, Robert (2006) For Lust of Knowing: The Orientalists and their Enemies. London: Allen Lane.
Kennedy, Valerie (2000) Edward Said, A Critical Reader. Cambridge: Polity Press.
Lewis, Bernard (1993) Islam and the West: The question of Orientalism. New York, Oxford: Oxford University Press.
Said, Edward (1978) Orientalism. Western Conceptions of the Orient. London: Penguin Books.
Said, Edward(1993) Culture and Imperialism Western Conceptions of the Orient. London: Vintage Books.
Said, Edward(1997) Covering Islam: How the Media and Experts Determine How We See the World. New York: Vintage Books.
Said, Edward (2003) Worldly Humanism v. the Empire-builders. Në internet: http://www.counterpunch.org/said08052003.html
Said, Edward (2004) The Last Interview.
Tipton, Frank B. (1998) The Rise of Asia: Economics, Society and Politics in Contemporary Asia. London: Macmillan Press.