Kroni i rrjedhshëm i Suzi Prizrenit

Asht e natyrshme qi prezantimi i nji figurë historike, kur i shoqnuem nga nji trashëgimi e prekshme fizike, përfiton prej saj nji dozë të fortë intimiteti. Kjo qasje shkurton e harkut të botëkuptimeve qi i ndajnë midis shekuj e zbeh diqysh abstrakimin e përparësive të ndryshme qi rrjedhin prej tyne. Ma vonë, njeriu mund të hulumtojë me nge, përtej pluhunit të panjoftunës e harresës, qysh e tek t’a ngucë kurreshta. Sidoqoftë, çka mund me u zbardhë ma vonë prej lëvrimit shkon, në shumicën e kohës, dorë për dore me përshtypjen e parë qi na tërhoqi në fillim ndaj subjektit. 

Nen kët kandvështrim, kroni Suzi Prizrenit asht nji hapje e përkryeme drejt  figurës së shpirtndritunit. Ndjesia e mirë qi të shporitë në fillim të njohjes me te, vazhdon të shoqënojë e njillojtë gjatë shtjellimit të matejshëm. Në nji lidhje të ngushtë funksioni e kohe, kroni i vjetër ka ndifë për pesëqind vjet rresht, shtegtarë e banorë njilloj. Në kët vijë të paendun breznish, rrjedha e kthjellët e tij ka bekue si jo tjetër, lemajen e hershme mes ujit e jetës. 

Faqja e internetit e komunës e përshkruen si nji krue me pipa të bronzit e prej mermeri të bardhë të sjellë prej Shkupi. Petalorja përmidis gurit të latuem, kordhëzat e kryqëzueme e motivi i gjarpënimit qi ndahet mëdysh prej gëlimit të ujit, paraqesin nji punim të hollë e të kandshëm. Në sfond, kauket, qylafet e taxhet, qi dikur qendruen mbi krye vorresh e nen hije qiparisash, japin jetës ngjyrë të thellë brishtie.   

Kësokohësh kroni nuk dallon vetëm kah hijeshia por asht interesant dhe për kah simbolika. Përdorimi i kahmotçëm i ka dhanë gurit nji cilësi gati të tejdukshme e qelibari qi ndodh shpesh here me ato krijime qi vjetrohen mirë kah koha. Të njajtën cilësi ka fitue përgjatë kohës dhe krijimtaria e larmishme e Suziut.  

Shenjat e punës së shpitndritunit janë shpërhapë kahdo në topografinë e Prizrenit. Kroni gjindet pranë xhamisë së ngrejtun po prej tij më 1512, vit ky qi shënon kthimin përfundimtar në vendlindje. Aty sherbeu vetë si imam, derisa u nda prej kësaj jete me 1524. Përveç mbëhive shpirtnore të besimtarëve, ai asht përgjegjë samund edhe nevojave të tyne kurmore.  Ndërthurë pra në punë të tij, gjindet deshira për dije e bukë, besimi e mbrothëtia. Andaj përmendja e tij si shenjtor nuk tingëllon aspak e habitshme; emni i mirë përputhet përsosmënisht me trashëgiminë e tij të gjithnduershme. Përnderimi i thellë në Prizren i detyrohet ma së shumti  punës gratçore të bamirësit, sesa ndonji shenje mrekullie e të mistershme të lanme kah pas.

Xhamia e Suziut

Emnin e dritëpastit e mbajnë gjithashtu me krenari edhe ura e tij prej guri (tash e rindërtueme), nji nga kalimet ma të vjetra mbi Lumëbardh, e mejtepi (mësonjtorja) e parë e qytetit.

Miradia ndaj bamirësit mbulon edhe ndërtimin e kanalit vaditës të gjatë 7 km, qi mundësoi ujitjen e fushës së Prizrenit prej Kerk Bunarit deri në katundin Grazhdanik. Megjithëse studiuesit serb pretendojnë se kanali mund të ketë ekzistue qi në kohën e Car Dushanit e mbase ma herët, Suziu sëpaku rindërtoi ate, tue rimakambë kësi begatinë qytetit. 

Ura e Suziut

Edhe ma bresëlanëse asht trashigimia e imamit në letra. Biblioteka e tij, e para në Kosovë, e qi ma vonë përban zanafillën e biblotekës së tashme të qytetit, asht pernjimend nji visar i çmuem. Për përdorimin e saj lihen udhëzime të qarta e saj në amanetin e vetë dijetarit. Në te, Suziu përcjell mësimin e vjetër Sufist, ku shjegon se preokupimi ngulmues i ne mortorëve me të tashmen duhet me u zavendësue me përpjekjen për amshimin. Jeta njerit merr kuptim të plotë at’here kur këqyret përmjet qelqit të së përtejshmes; vetëm at’here ne mund të përpiqemi për të mirën e përgjithshme, e të shohim përtej interesit të përnjihershëm e vetjak.

“Pas vdekjes time këto libra i mbikëqyr imami i xhamisë dhe ai do t’ua japë të interesuarve, qofshin ata nxënës, qytetarë me evidencë, duke u kujdesur që të mos humbin dhe dëmtohen.”

Vorrezat e Suziut

Ndër vëllimet dorëshkrimore e kaligrafike te Suziut renditen ato të vyeme poetësh e filozofësh persianë si Feriddudin Attarit, Al-Ghazaliut e Xhelaluddin Rumiut [Rumi]. Përzgjedhja e hollë të ban të mendosh se Suziu kish nji interes të gjallë dhe e gjithnduershëm në letrat e mistikën islame.

Dhe kështu asht përnjimend. Letërsia zen nji vend edhe ma kuptimplotë në krimtarise e tij.

Shpirtndrituni ka lanë pas gati 1500 distie (dyvargjëzore me rimë), nji formë e njoftun rrëfimi i letersisë islamike, e simbas monografisë së shkurtën  të orientalistit të shquem shqiptar Hasan Kaleshi kushtue Suziut, ky i mbrami renditet nji nga poetët e randësishëm të poezise otomane të shekujve XV -XVI. 

Rëndësia e poetit merr kuptim te veçantë sidomos në dritëhije të krijimit të quejtun Gazatvaname, nji poeme epiko-romantike qi i thurr lavde nji personazhi të vërtetë historik, Alibeg Mihaloglu-ut. Alibegu ish nji  kryekomandant i kufinit ballkanik kur perandoria ish ne nji vërshim të rrëmbyeshem drej Europës qendrore. Lidhje kureshtare me kët figure historike kanë kangët popullore boshnjake si edhe eposi shqiptar; Alibegu asht frymëzimi për Djerzelez Alinë e Bosnjes e Gjergj Elez Alisë shqiptar.  

Megjithëse poema asht thellësisht e personalizueme rreth individit të Alibegut, Suziu përdorë ate si nji vegje të dobishme me shpalosë ide e filozofi të përbotshme. Ai përvetë pyetje thelbësore e qi duhet me shqetesue çdonjanin e kësi shpërhapë universalitetin e ideve të tyne. Cka e ban punen edhe ma interesante asht trashësia e botës së protagonistit dhe pasqyrimi i saj në gjuhën e përdorme. 

Ja disa mendime të Suziut mbi vanitetitn e botës në lidhje me fatin e Mihal Szylagyse (Regjent i Hungarise), i cila ra rob i Alibeg-ut. (Tubzat e përzgjedhuna prej Hasan Kaleshit).

Ruaju, mos i kalo kufijtë e tu, se fati

Do të të bejë qesharak përpara banorëve të botës,

 

Vëlla, bëhu i matur, mos e ço lart qafën,

Qielli është gjakësor, çdo ditë pret krenë

 

Ec, por me kujdes, mos i zgjat shumë hapat,

Se në çdo hap ka mija pengesa e do ngatërrohesh!

 

Mos ia hap botës kraharorin simburojë

Se do të bëhesh nishan i shigjetave qiellore,

 

Princ, mos mendo se përgjithmonë do të mbetet kulltuku

Sepse Husrefit (mbreti persian – H.K.) fati ia hoq kurorën nga koka.

1507  

Origjina e poetit asht rrethue nga mjegullimi, thuhet serb ase shqiptar. Ndryshe nga Jahja Beg Dukagjini, Suziu nuk dëshmon në kupë të zanit se asht shqiptar. Për ma tepër në punën e tij të gjatë studuesit s’kanë mundë me gjetë ndonji reference a përmendje për prejardhjen. Çka dallohet prej punes se tij asht se për masëshumti ai qe i angazhuem me tema qi mund të perceptohen si përtejshme. Bota e tij asht nji tokë e besimit dhe e dijes.

Ja dhe nji pjesë prej Gazavatname kushtue Alibeg Mihaloglu-ut.  Dy mugarë interpretojne andrën e Mejremes (Maries), zanafilla e idilit te saj me Alibegun 

N’ nji ditë të bekueme në mëngjes 

U gjenda n' Jerusalemn e  shenjt;

 

Tek u enda asaj toke t’lume qi zemrën t’a shend,   

E  me lotë curk trollin vadita anekend

 

Ja behu nji i huej prej atij caku Përtej  

Qi n’ at vend amshueshëm t’ vinte strehe 

 

Në ballë i shkëlqejshin yj lumnimi

Në kunorë i ndritshin gurë të mirë fisniku 

 

Si Bahmani qe i urtë, Hipokrati dora vetë; 

Për vetepërmbajte për urti ndër fjalë përmendë.

 

Nj’ashtu dhe ime zemër, trazue si det dëshirit 

Prej kandjes për te ju shtje fërgëllimi 

 

Anise shembëllim si i tij s’ kish ra ndër sy ma parë,

E vërteta s’ka nevojë me u shpalue pafund me fjalë. 

 

Veç ai i urtë qi njeh vërtetsinë [Zotin] asht mik për besë,

Te tjerë janë t’ huej, për k’ëte s’ka pikë pendese. 

 

Mos përfillë pra kend qi s’ njej Perendinë,

Edhe nëse e bjen fati qi asht prindi yt.  

 

Për mue të ngratin udhevë mbetë asht boll fatmirsi 

Me pas nji zemër-dlirtë kasnec si ti.  

 

Andaj zambaku i lendinës ka heshtë 

S’ ka kend me bisedue, t’a ndajë  kte dnesë. 

 

Në visar të dijes çelim ne nji portë;

E shpërndajm inxhi pafund në kët botë. 

 

Vec kur ti shohim shenjat hyjnore të Zotit, 

Më at’here na do t’kemi këqyrë në at lëmi provat .

 

Vetëm kur të flasim misterin e njishit të Perendisë,  

Më at’here zogu i mendimit do t’i shkundi pendët e tij. 

 

Kur të bisedojme në astronomi,

Mandej mund folim për natyrën e qiejve.

 

Do ta gjemjë tokën nji herë të rrumbut, e përsëri petë; 

At’her do mund me këqyresh qellin si prej rase e masandaj të sheshtë.

 

Kur historitë e mbretënve na t' kuptojmë, 

Ma pas shenjtorët qi jetën flijunë mund t' njehim.

 

Në duer i kish mbetë nji shembëllim i prarue. 

Si dhe qiella, kur zbulon ai pasqyrën diellit. 

 

Më foli mue e tha, ti oh nuni i i vllaznimit, 

Kush asht kuptimi i kësaj fytyre?

 

A e din kush asht njohë pas ketij emni, 

Kush asht kuptim i jetës, e kush asht thelbi i këtyne shkrimeve?

 

Ç’ka sekreti asht mbëshehë ne kët imazh?

Cillin diell rrezatë kjo hanë e shkëlqyeme?

_______

 

Përkthye prej anglishtes nga v-bey

Per ma shumë: http://prizren360.com/what-to-visit/monumente/434

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme