Në diskursin modern dhe shekullar antiislam, “islamofobia” në masë të madhe është shtrirë pas 11 shtatorit 2001, sidomos në vendet e Evropës perëndimore të cilat i konsiderojmë bërthamë të Bashkësisë së tanishme evropiane. Me “islamofobinë’ nga kjo periudhë janë me bollëk retorika dhe argumentimi në mbrojtje të legjislativit të ri i cili ishte jashtëzakonisht diskriminues ndaj muslimanëve evropianë. Aty, para së gjithash, mendohet në setin e ligjeve antiterroriste, ligjet të cilat kanë të bëjnë me ndalimin e theksimit publik të simboleve religjioze, me protestat dhe reaksionet e pamatura kundër ndërtimit të xhamive. Duke e përshkruar këtë nocion, relativisht, të ri, Kate Zebiri, ligjëruese në Studimet Arabe dhe Islame në Shkollën e Studimeve Orientale dhe Afrikane në Londër, për “islamofobinë” shkruan se ky është emërtim për atë që na duket se është fenomen me shumë fytyra, është më i dukshmi kur është në pyetje prezantimi i Islamit në mediat perëndimore, por fenomen i cili ka historinë e tij dhe ajo depërton madje në periudhën e Kryqëzatave, Inkuizicionit dhe deri te imperializmi dhe sionizmi.[2] Ajo gjithashtu iu shërben synimeve ideologjike në Evropë[3], duke e marrë parasysh se komentohet edhe si koncept i fuqishëm politik i cili realitetin ia nënshtron frikës dhe, do të thoshin disa, është i bazuar në konceptin e përhapur të ndarjes në “neve” dhe “atyre”.
Disa autorë më me dëshirë flasin për disponimin antimusliman dhe për format e ndryshme të diskriminimit dhe dhunës kundër muslimanëve dhe institucioneve apo simboleve islame, se sa që e përdorin shprehjen “islamofobia”. Debati për legjitimitetin e përdorimit të këtij termi është mjaft i shtrirë [4] dhe shpesh në kuadër të saj shtrohen pyetjet si të dallohet “islamofobia” nga termat e tjerë, të cilët gjithashtu nënkuptojnë format e diskriminimit, siç është antiislamizmi, ksenofobia etj. Profesori i Universitetit në Amsterdam Marcel Maussen konsideron se ky term i unifikon format e ndryshme të diskriminimit, duke sugjeruar që të gjithë ata kanë amzën e përbashkët ideologjike, kurse ky është “fryma irracionale” (fobia) nga Islami.[5] “Islamofobia” merr forma të ndryshme dhe interpretohet ndryshe në varësi nga konteksti në të cilin shfaqet dhe përkufizohet. Faktorët potencialë të ndikimit në përkufizimin e formës së saj, pak-a-shumë edhe të përmbajtjes, janë mjedisi apo konteksti në të cilin ajo shfaqet (karakteri i shoqërisë/ shtetit, para së gjithash), konteksti ndërkombëtar, pozita shoqërore e bashkësisë muslimane, statusi i religjionit në sferën publike, diskriminimi në bazë të religjionit, politikat emigruese dhe zhvillimi i politikave të cilat përkrahin të kuptuarit multikultural dhe realitetin e tillë jetësor.
2. 3. 1. Evropa: Djepi i jotolerancës
Si tregojnë rezultatet e studimit “Islamofobia në Evropën perëndimore”, pasqyra e muslimanëve evropianë formohet nëpërmjet katër aspekteve kyçe:
1. Shumica e muslimanëve në Evropë janë emigrantë, duke mos marrë parasysh se a janë brezi i parë, i dytë apo i tretë i emigrantëve;
2. Ata i përkasin etnive dhe kulturave të ndryshme;
3. Në shumicën e vendeve të zhvilluara të Evropës pjesëtarët e bashkësisë muslimane janë, duke shikuar në mënyrë të përgjithësuar, të margjinalizuar në mënyrë socio-ekonomike dhe përfundimisht;
4. Integrimi i tyre në shoqërinë evropiane shikohet nëpërmjet pasqyrës dominuese negative e cila referohet në prapambetjen e fesë së tyre, luftërat dhe terrorizmin. Këto janë shkaqet për shkak të të cilave “islamofobia” pajtohet me format e tjera të diskriminimit siç janë ksenofobia, politikat antimigruese, shpërfillja e dallimeve të kulturave dhe masave të padrejta dhe absurde antiterroriste të cilat shumë vende i kanë futur pas sulmit të 11 shtatorit. [6]
Në Forumin Botëror Ekonomik në Davos në fillim të vitit 2008, është paraqitur studimi i hollësishëm për marrëdhëniet e Islamit dhe Perëndimit, më i vëllimshmi deri tash. Gjetja kryesore, sipas Klaus Schwabit, themeluesit dhe kryetarit të Forumit Botëror Ekonomik, është shqetësuese sepse tregon se si jazi ndërmjet vendeve islame dhe perëndimore gjithnjë e më i thellë. Koordinatori i këtij studimi ishte John DeGioi, kryetari i Universitetit Georgetown në Washington, kurse ndër autorët ka qenë edhe princesha Lolowah, e bija e ish-mbretit saudias Fejsalit, ministrja e punëve të jashtme izraelite Tzipi Livni dhe princi norvegjez Haakan. Pjesën anketuese të hulumtimit në 21 vende e bëri “Gallupi” deri sa analizën e përmbajtjes mediale me qëllim që ta verifikojë se si njoftojnë mediumet për kulturat e “të tjerëve” e ka bërë ekipi i analistëve nga Instituti zviceran “Media Tenor”. Autorët e studimit konsiderojnë se frikësimet nga kontakti me kulturat rrjedhin dhe janë intensifikuar për shkak të rrezikimit të identitetit kulturor evropian për shkak të shpërnguljes së forcuar të njerëzve nga vendet islame. Nga ana tjetër, shumica e të anketuarve në Palestinë (84%) dhe Egjipt (80 %) konsideron se Perëndimi nuk e respekton botën muslimane, kurse 82% të amerikanëve, shumica në Evropë dhe 73% të izraelitëve konsiderohen të jorespektuar nga ana e muslimanëve.[7]
Analizë interesante ka bërë edhe Qendra për Studime Politike Evropiane (CEPS - Center for European Policy Studies), të cilën e ka promovuar në fillim të vitit 2008 në Bruksel me titull “Islami politik dhe politika e jashtme evropiane – perspektivat e demokracive muslimane në Mediteran”. Ky studim nuk merret vetëm me demokracitë muslimane por edhe me konsideratën e BE në këto vende, i cili është rrënuar mjaft, sidomos për shkak të raportit të BE ndaj pranimit të Turqisë në anëtarësim të saj dhe ndërprerjes së ndihmës për qeverinë e Hamasit në Palestinë. Megjithatë, nami i BE është mjaft më i favorshëm nga ai që në vendet muslimane e gëzon ShBA. Krahas qëllimit që të prezantohen rezultatet e studimit, Konferenca në Bruksel qe e parashikuar edhe për debat më të gjerë për pozitën dhe diskriminimin e muslimanëve në BE. Si e tha Emine Bozkurt, delegate socialiste në Parlamentin Evropian nga Holanda, në BE vërehet indiferenca shqetësuese ndaj njerëzve të fesë islame. Sipas fjalëve të saj, në disa vende muslimanët mbajnë vend më të dobët në tregjet e punës kurse në shkolla janë më pak të suksesshëm dhe më vështirë hyjnë në institucionet e shoqërisë. Në Holandë, e ceki Bozkurt si shembull, ka dyfish më shumë të papunë të huaj me prejardhje muslimane kurse shkaqet për këtë janë diskriminimi dhe islamofobia.[8]
Një hulumtim diç më i vjetër, i aplikuar në Gjermani, tregoi se qëndrimet ndaj pjesëtarëve të bashkësisë muslimane nga viti në vit po bëhen jashtëzakonisht negative. Rezultatet kanë treguar se “islamofobia” ekziston në formën latente, që e ilustrojnë të dhënat se në vitin 2004, 70% të të anketuarve kanë konsideruar se kultura muslimane nuk pajtohet me shoqërinë perëndimore; 58% nuk i dëshironte muslimanët për fqinjë; dhe 39% në mënyrë të përgjithshme e kanë shprehur mosbesimin e tyre ndaj bashkësisë muslimane”. [9] Pas shtatorit të vitit 2001, masat emigruese janë ashpërsuar në legjislativin e shumë vendeve, më së shumti që ta dekurajojnë mbetjen e pakicës muslimane në ato vende. Në Francë politika e re emigruese e ka hequr mundësinë e kërkimit të azilit, e ka dobësuar politikën e tërheqjes së familjeve dhe ka bërë atë që emigrantët e padëshiruar lehtë mund të “dëbohen” nga vendi.[10] Ligji i ri për emigrim në Gjermani, i cili hyri në fuqi më 1 janar të vitit 2005, kishte për qëllim rritjen e emigrantëve të kualifikuar lartë, rregullimin e kërkesës së azilit, depërtimin e lehtësuar, heqjen e lejeve për qëndrim dhe verifikimin e detyrueshëm të prejardhjes.[11]
Edhe pse pushteti në Gjermani ka theksuar se bartja e shamisë nuk është e ndaluar në shkollat publike, në raport të Komisionit Evropian kundër racizmit dhe jotolerancës (European Commision against Racism and Intolerance - ECRI) qëndron se imponimi i rregullave rigoroze të mirësjelljes, kurse të cilat kanë kundër bartjes së shamisë në shkolla, ka ndikuar në atë që vajzat muslimane janë penguar të shkollohen në institucione të caktuara, që është diskriminim. Diç në mënyrë më të përgjithësuar për këtë kanë raportuar organizatat muslimane, duke cekur se të gjitha përpjekjet e muslimanëve që të integrohen në shoqërinë gjermane janë pritur me rezerva, sidomos nga ana e autoriteteve dhe mediat shtetërore. Në rekomandimet e veta ECRI iu ka sugjeruar pushtetit në Gjermani që të ndërmarrin masa efektive se si ta përballojnë racizmin ekzistues dhe diskriminimin e pjesëtarëve të bashkësisë muslimane në Gjermani. Në lidhje me këtë, i është tërhequr vërejtja pushtetit gjerman në rekomandimet të përmbajtura në “Rekomandimet gjenerale për politika: nr. 5, i cili rekomandon vëllim të gjerë të masave legjislative dhe politike të cilat qeveria do të duhej t’i ndërmarrë.[12]
Në Francë, sipas Raportit të ECRI-së për vitin 2004, muslimanët qenë nishan i dhunës së sforcuar dhe deklaratave diskriminuese. Sipas Komitetit Nacional Këshillues për të drejtat njerëzore, aktet antisemitike kanë përbërë shumicën me 72% të pjesëmarrjes në të gjitha veprat e krimit dhe dhunës raciste të evidentuara në vitin 2003. Disa raporte kanë treguar se çështja ka ecur përpara nga ndjenjat antimigruese dhe akteve të racizmit të drejtuara nga ardhacakët nga Afrika veriore drejt atyre prapavija e të cilëve është muslimane. Si pasojë e kësaj, xhamitë dhe varrezat muslimane kanë qenë nishane të shpeshta të sulmeve; liderët fetarë muslimanë edhe fizikisht janë sulmuar kurse kërcënimet dhe pakëndshmëritë ndaj muslimanëve janë bërë përditshmëri.
Nganjëherë në opinion janë paraqitur paralele të pabazuara dhe identifikim të pjesëtarëve muslimanë qytetarë të Francës me terrorizimin, ekstremizmin dhe bashkësinë muslimane në përgjithësi. Ka pasur situata kur kjo për rezultat kishte diskriminimin direkt, sidomos në fushën e punësimit, ku pjesëtarët e bashkësisë muslimane janë refuzuar për punë për shkak të dyshimeve të pabazuara se janë kërcënues potencial dhe terroristë. Raporti i ECRI-së pjesërisht ka paralajmëruar në retorikën të orientuar nga kjo të dëshmojnë dhe tregojnë se si muslimanët është e pamundur të integrohen në shoqërinë franceze për shkak të dallimeve evidente kulturore të cilat në masë të madhe i përkufizon dhe religjioni i tyre, Islami. Në këtë raport ECRI rekomandon inter alia nënshkrimin dhe ratifikimin e “Protokollit nr. 12” të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut me të cilin mundësohet mbrojtja gjenerale ligjore nga diskriminimi.[13]
2. 3. 2. Nga derrat deri te ‘fitneja’
Vitin 2007 “e kanë shënuar peticionet në Londër, protestat në Këlln, procesi gjyqësor në Marsejë dhe konfliktet në Berlin” ku muslimanët evropianë kanë hasur në rezistencë të rreptë ndaj dëshirës (dhe të drejtës ligjore) të ndërtojnë xhami. Në arsyetimin e qëndrimeve të tilla, kundërshtarët e ndërtimit të xhamisë kanë cekur se “xhaminë e refuzojnë si shenja të islamizimit”. Të tjerët pohonin se minaret do ta rrënojnë kompozicionin arkitektonik të qyteteve, që ishte një nga argumentet në Lubjanë, ku ndërtimi i xhamisë është prolonguar më shumë e njëzet vjet. Ultra të djathtët austriak, në krye me Joerg Haiderin, i cili vdiq para do kohe, guvernator i Korushkës, sollën vendimin që në këtë zonë austriake, të ndërrohet Ligji për kultivimin e pamjes së vendit, me të cilin ligj tërthorazi pengohet ndërtimi i xhamive. Është interesant se fjala “xhami” në tekst të Ligjit nuk përmendet askund, por fjala është për “objektet me dimensione të veçanta”. Edhe pse në Korushkë nuk ekziston kërkesa për ndërtim xhamie, këtë ligj hajderistët e shpjeguan si shenjë të preventivës. Se djathtistët kanë vendosur “ta shpëtojnë botën perëndimore nga Islami”, tregon edhe një nismë nga Austria.
Si paralajmëroi në fillim të vitit 2008 Heinz-Christian Strache, kryetar i Partisë së Lirisë Austriake (Freiheitlichen Partei Österreichs) shumë parti të djathta nga vendet anëtare të Be-së [janë të gatshme të unifikohen në një parti të cilën do ta quanin Partia Liridashëse Evropiane dhe synimi i saj do të ishte “shpëtimi i botës perëndimore nga Islami dhe kërcënimeve të tjera të parashikueshme”. Projektin e themelimit të kësaj partie në atë çast e përkrahën Fronti nacional nga Franca në krye me Jean-Mari Le Penin, Vlaams Belang flaman nga Belgjika të cilin e udhëheq Frank Vanhecke, sikur edhe Ataka nga Bullgaria të cilën e udhëheq Volen Siderovi.[14]
Më ekstremistët konsiderojnë se faltoret muslimane janë kërcënim për siguri dhe këto i lidhin me terrorizmin. Ekstremistë të tillë do të mund të quheshin edhe pjesëtarët e opsioneve ultradjathtiste në Itali, para së gjithash të Ligës veriore në Itali. Anëtari i tyre, në atë kohë edhe senator italian, nga gjysma e vitit 2007, paralajmëroi organizimin e “Ditës së derrave” në shenjë proteste kundër ndërtimit të xhamisë në Bolonjë. Roberto Calderoni nga Liga Veriore e orientuar antiemigracioniste ka thënë se është i gatshëm ta sjellë derrin e tij në mënyrë që ta shnderojë (blasfemojë) lokacionin e xhamisë së ardhshme. “Unë dhe derri im do të jam në dispozicion për shëtitje nëpër lokacionin në të cilin dëshirojnë të ndërtojnë xhami”, tha Calderoni i cili është nënkryetar i Senatit italian.
Calderoni i mbajti fjalët, kurse ish-ministrja në qeveri të Italisë, gjithashtu anëtare e Ligës veriore, Mariella Mazzeto nxiti një valë kritikash për shkak të protestës së saj të pavend kundër ndërtimit të xhamisë në Padovë. Si kanë përcjellë mediat, ajo dhe disa pasues i kanë “shëtitur” derrat nëpër vendin të caktuar për xhami, kurse aktin e vet e ka shpjeguar si “mbrojtje e identitetit kristian”. Si shpjegoi për mediat atëherë Riem Spielhaus, profesoreshe e studimeve islame të Universitetit Humboldt në Berlin, tendosja u zgjua sepse objektet fetare kanë vlerë të madhe simbolike në Evropë, ku katedralet dhe kishat më së shpeshti janë në qendër të qytetit. Ndërtimi i xhamive, sipas saj, simbolikisht paraqet ndryshim në shoqëri. Ajo hapë debatin për atë se a janë ndryshimet e mira, se a duhet të jetojnë muslimanët këtu, madje edhe a është Islami fe e mirë.[15]
Opinionin gjatë vitit 2008 e ka lëkundur edhe një kontrovers – shfaqja e filmit dhjetëminutësh “Fitneja”, në të cilin me ton islamofobik frymojnë mesazhet e urrejtjes të politikanit holandez Geert Wilders, kryetarit të Partisë djathtiste të Lirisë. Wildersi ka theksuar, duke e paralajmëruar filmin, se synimi i tij nuk është të provokojë, por të qortojë në kërcënimin të cilin Islami e paraqet për Perëndimin. Shprehja “Fitne” paraqitet në Kur’an dhe përkthehet si jaz apo si përçarje/ Përkundër ndalesës të cilin e dha qeveria holandeze në emitimin eventual të këtij filmi dhe frika se shfaqja e tij do t’i zemërojë muslimanët në Holandë, ku përbëjnë 6% të popullsisë, dhe në tërë botën, klipi është treguar në faqet e www.liveleak.com dhe në www.youtube.com. Qeveria e Holandës u distancua, duke konsideruar që filmi nuk ka kurrfarë qëllimi tjetër pos ofendimit. Filmi fillon me qortimin se skenat që pasojnë janë shqetësuese, kurse mbaron me përfundimin se nacizmi është thyer më 1945, komunizmi ka rënë më 1989 dhe se tash “është koha që ideologjia islame të pësojë humbje”.
Skenat e sulmeve terroriste islame janë prerë me pjesë nga Kur’ani dhe me fjalimet e liderëve radikalë islamë, kurse krahas incizimeve të sulmeve terroriste në New York (2001), Madrid (2004) dhe Londër (2005), me skena autentike të eksplodimeve të tmerrshme dhe trupat e viktimave, është treguar videoincizimi nga Kosova, në të cilin shihet se si shqiptarët përdhosin Kishën e Shën Spasit në Prizren. Në një pjesë të filmit janë treguar edhe karikaturat e Pejgamberit Muhammed me turbanin-bombë të cilat dy vjet më parë, pas publikimit të Danimarkë, nxitën reaksione përgjatë tërë bashkësisë muslimane. Analiza më e vëmendshme e filmit na zbulon edhe manipulimin gjatë zgjidhjes së shkëputjeve ku dominojnë ato radikale dhe ekstreme, vetëdijshëm të përzgjedhur, sikur ajo e muslimanëve të rinj të cilët në demonstrata bartin mbishkrime “Zoti e bekoftë Hitlerin”, “Liri, shko në ferr”. Pastaj incizimi i muslimanes trevjeçare e cila me ofendim flet për hebraikët, skena e gurëzimit të femrave etj. Qysh ditën e parë filmin e kanë shikuar mbi katër milionë njerëz. Në anketën të- cilën e ka bërë televizioni RTL, 54 % holandezë ka deklaruar se filmi duhet të tregohet, 76% nga ky numër konsideron se kjo do të mund t’i rris tensionet ndërmjet muslimanëve dhe jomyslimanëve, kurse 74 % se kjo do t’i rrezikonte raportet me vendet arabe. Pasuan reaksionet e ashpra. Në Pakistan në rrugë dolën në protesta me qindra njerëz kurse ambasadorit holandez në Islamabad iu dorëzua nota protestuese. Alaeddin Boroujerdi, kreu i Komisionit për politikë të jashtme në Iran, paralajmëroi protesta të mëdha edhe në Teheran por edhe verifikimi i raporteve të Iranit me Holandën. Pakënaqësinë e vet e shprehën edhe Ban Ki-moon, sekretari gjeneral i KB-ra, sikur edhe Këshilli i Evropës, i cili ka vlerësuar se “fjala është për manipulim e cila është e bazuar në eksploatimin e frikës.”
‘Mbulesa’: Praktika religjioze si objekt i diskriminimit
Besohet se debati për kufizimin e bartjes së shamisë (maramës) është njëri prej më të përhapurve kur është në pyetje raporti, jorrallë armiqësor, ndaj muslimanëve në Evropë. Pushtetet në disa shtete, Francë, Turqi, sikur edhe në disa krahina gjermane, e konsiderojnë mbulesën, akt të dukshëm të praktikës religjioze te muslimanet, kërcënim për demokracinë, shekullarizmin duke e ndaluar këtë praktikë pa arsyetim përkatës. Ligjvënësit e ligjeve dhe dispozitave të tilla restriktive thuajse janë të verbër për shkaqet e vërteta të mbulimit. Madje është bërë edhe trend sot në opinion të sillen në lidhje sulmet e tmerrshme me bomba dhe terroriste, vrasjet fetarisht të motivuara, me praktikën e sinqertë dhe të parrezikshme religjioze, siç është mbulesa. “Femrën e mbuluar në fotografi, karikaturë apo ilustrim, sot në mënyrë automatike do ta identifikojmë me Islamin, por mendimi i parë për Islamin e “tillë”, me të cilin po identifikohemi do të jetë refuzues, sepse Islami i tillë është i prapambetur dhe konservativ, diskriminues dhe i vjetërsuar. Bartja e shamisë në publik, sidomos në institucionet publike dhe shtetërore, konsiderohet rrezik dhe kërcënim për sistemin demokratik të bazuar në parimet shekullariste.
Femrat e fesë islame të cilat jetojnë në Evropën perëndimore e konsiderojnë bartjen e shamisë pjesë të identitetit të vet. Por, ka edhe raste ku mbulesa iu është imponuar nga ana rigoroze patriarkale e familjes. Kur është në pyetje mbulesa, diskriminimi mund të shfaqet në dy nivele. Nga një anë, akti i mbulimit mund të konsiderohet simbol të shkeljes së qartë të të drejtave të femrës[16] dhe diskriminim të femrave në përgjithësi. Argumentet e këtilla jorrallë e shpërfillin faktin se ka shumë muslimane të cilat mbulohen me vullnetin e tyre duke e konsideruar këtë pjesë të identitetit të tyre. Nga ana tjetër, ndalimi i bartjes së shamisë i diskriminon edhe ato femra të cilat, krahas lidhjes identifikuese, në mbulesë shohin edhe praktikën e tyre të përditshme fetare. Duke iu referuar javores gjermane “Der Spiegel”, nga shtatori i vitit 2003, raporti periodik për islamofobinë thekson se si në Gjermani “53% të të anketuarve janë deklaruar kundër mbulimit të arsimtarëve në shkollat shtetërore.”[17] Gjithashtu, anketa nga viti 2000 në Qendrën për Studime në Turqi (Centre for Studies on Turkey), e kryer ndër 2000 qytetarë dhe qytetare me prejardhje turke në Gjermani, tregon se 27.2% të turqve të intervistuar beson se muslimanet do të duhej të jenë të mbuluara kur paraqiten në publik. Po kjo anketë tregon në atë se debati për mbulesën në Gjermani, shpesh i përmbushur edhe me emocione, ka sjellë deri te numri i rritur i atyre që janë përkrahës të mbulimit.[18]
Në fillim të vitit 2008 Turqia u gjend, siç njoftonin mediat, “para vendimit historik” të cilën e paralajmëroi kryeministri Tayyib Erdogan, duke thënë se është arritur ujdia në Parlament për heqjen e ndalimit të bartjes së shamisë në institucionet publike. Që partia e Erdoganit t’i heq amendamentet në nenet e kushtetutës 10 dhe 42 i nevojitej përkrahja e Partisë së Aksionit Kombëtar (MHP) në Parlament sepse vetë Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP) edhe përkundër përkrahjes 60% të zgjedhësve nuk i ka dy të tretat në Parlament, të nevojshme për ndryshimin e kushtetutës së Ataturkut, i cili është në fuqi më shumë se 80 vjet. Analistët në Stamboll kanë konsideruar se marrëveshja e AKP-së në qeverisje dhe MHP nacionaliste opozitare do të mund të nxiste konfrontime politike me shekullaristët dhe ushtrinë të cilët i mbrojnë të arriturat e revolucionit të Ataturkut.
Elita shekullare, në krye me gjeneralët, gjykatësit dhe rektorët e universiteteve, ndalimin e bartjes së shamisë e konsideron vendimtare për ndarjen e shtetit dhe fesë, që është karakteristika kryesore e sistemit shekullar në Republikën e Turqisë. Pas këtyre paralajmërimeve, AKP dhe kryeministri Recep Tayyip Erdogan, bashkë me funksionarët e lartë të kësaj partie, janë akuzuar se me “veprimin e tyre dhe nxitjen e aktiviteteve islame e kanë shkelur Kushtetutën e Turqisë” dhe rasti u hodh në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata kushtetuese i refuzoi në fillim të qershorit amendamentet të propozuara nga ana e AKP-së. Gjykatësit votuan nëntë kundrejt dymbëdhjetë për vendosjen e sërishme të ndalesës, duke thënë se me vendosjen e shamisë muslimane në universitete shkelet parimi i shekullaritetit.
Edhe pse shekullaristët për shkak të kërkesave të AKP-së kërkuan ndalimin e partisë, Gjykata nuk mori vendim për ndalimin e saj por vendosi t’ia heq ndihmën shtetërore Partisë të Drejtësisë dhe Zhvillimit, që merret si qortim serioz.
T’i kthehemi vendeve të BE-së, ku për bartjen e shamisë shikohet nga këndi diç tjetër. Diskriminimi në lidhje me ndalimin e mbulesës është i pranishëm edhe në sistemin arsimor dhe në institucionet e tij. “Për shkak të identifikimit të shtrirë të Islamit me fundamentalizmin në pjesën më të madhe të shoqërisë, nevojat e muslimanëve në fushën e arsimimit një kohë të gjatë kanë qenë të injoruara”, paralajmëron Raporti periodik mbi islamofobinë në Evropën perëndimore. Në raport qëndron se si emigrantët me prejardhje turke në Gjermani kryesisht janë nishan të ndjenjave në rritje ksenofobie.[19] Edhe pse në shkollat dhe universitetet gjermane ligji iu mundëson muslimanëve që lirshëm t’i bartin shamitë, disa drejtori të shkollave këtë e konsiderojnë simbol të prapambetjes, presionit dhe diskriminimit të femrave, sikur edhe simbol të getoizimit dhe izolimit nga shoqëria gjermane dhe po përdorin mekanizma të ndryshëm ta ndalojnë mbulesën.[20] Përkundër vendimit që e ka sjellë Gjykata Supreme në Gjermani në korrik të vitit 2003, sipas të cilit bartja e shamisë nuk mund të jetë shkak për akuza apo humbje të punës, disa raporte tregojnë se femrat muslimane të cilat mbulohen kanë qenë viktima të diskriminimit në opinion dhe në tregun e punës.[21] Rasti Fereshte Ludin në Gjermani ishte në qendër të debatit kontravers për shkaqet e bartjes së shamisë nga ana e arsimtareve në shkolla. Rasti ka ndodhur në krahinën gjermane Baden-Württember, ku Fereshta Ludin, arsimtarja e re me prejardhje afganistaneze, i është kundërvënë vlerësimit zyrtar të bartjes së shamisë si diç e prapambetur dhe fundamentaliste, duke theksuar se si do t’i mbrojë gjithnjë dy parime: i pari, se si bartja e shamisë është vendim i saj dhe mënyrë se si ajo e koncepton Islamin dhe, i dyti, se refuzon çdo lloj imponimi dhe presioni mbi muslimanet e reja të cilat nuk dëshirojnë të mbulohen.[22]
Rasti Fereshte Ludin nxiti diskutime të shumta dhe në krahinat e tjera gjermane të cilat rezultuan me propozimet për sjelljen e “ligjit kundër shamisë”, i cili simboleve kristiane do t’u jep pozitë privilegjuese. Shtatë nga 16 parlamente krahinore në Gjermani kanë përgatitur “ligjet kundër simboleve specifike religjioze të cilat do të mund ta çrregullojnë qetësinë politike dhe religjioze në shkolla.”
Duke i marrë parasysh zgjidhjet ekzistuese ligjore në krahinat gjermane, është e qartë se ato nuk janë të drejta në raport me të gjitha religjionet dhe se kanë për qëllim të ndalojnë vetëm bartjen e vellos (hixhabit) te muslimanet.[23] Në shkollat e Baden-Württembergut dhe të Bavarisë ligjet e mbrojnë qetësinë religjioze ashtu që ndalojnë theksimin e simboleve specifike religjioze, duke përjashtuar ato kristiane.[24] Në shkollat e North Rhine-Westphalisë gjithashtu konsiderohet se shenjat kristiane nuk e shqetësojnë qetësinë politike dhe religjioze në shkolla. Në Bremen, sipas ligjeve të vitit 2005, është i ndaluar theksimi i të gjitha atyre simboleve religjioze dhe politike në mënyrë provokative.
Shkalla e respektimit dhe konsideratës për “tjetrin” dhe atë “ndryshe’ imponohet si diç e domosdoshme në botën demokratike dhe qytetëruese. Për fat të keq, jemi dëshmitarë se në erën e globalizimit vjen deri te shfaqjet reaksionare, kurse një prej tyre është kthimi në rrënjë, fundamente, nga të cilat lindin lëvizjet fundamentaliste dhe dominimi i kolektiveve dhe identiteteve grupore, ku të tjerët, sidomos nëse janë pakicë, më së shpeshti pësojnë dhe bëhen të diskriminuar. Si qëndron në artikullin “Kultura e tyre, kultura jonë”, “viktimat e politikës së këtillë nuk janë vetëm ata të cilët këto ligje i godasin drejtpërdrejt, por këto ligje janë në kundërshtim për tërë njerëzinë.” [25]
Përktheu nga gjuha boshnjake: N. Ibrahimi
[1] Burimi: Davor Marko, Zar na zapadu postoji neki drugi bog?, Sarajevo, 2009.
[2] Zebiri, Kate. Muslims and Christians: Face to Face. Oxford: Oneworld publications, 1997, fq. 1
[3] Debati për traditën (eksluzive) kristiane në të cilën zë fill Evropa dhe e cila është zhvilluar gjatë harmonizimit të tekstit të Kushtetutës Evropiane.
[4] Razliciti stavovi mogu se pronaci u Werbners .Islamophobia, Incitement to Religious Hatred - Legislating for a New fear ?. (2005), Modoods .The Place of Muslims in British Secular Multiculturalism. (2002), Vertovecs .Islamophobia and Muslim Recognition in Britain. (2002), and Hallidays .Islamophobia Reconsidered. (1999).
[5] Cesari, Jocelyne, and Peter De Wan, ed. .Islamophobia in Western Europe; Intermediary Report of Work Package 10: Securitization and Religious Divides in Europe.. Harvard University, decembar 2005, fq. 4-5
[6] Cesari, Jocelyne, and Peter De Wan, ed. .Islamophobia in Western Europe; Intermediary Report of Work Package 10: Securitization and Religious Divides in Europe. Harvard University, decembar 2005, fq. 5.
[7] Raporti në tërësi ka akces në faqen: http://www.weforum.org/pdf/C100/Islam_West.pdf
[8] Akcesi në faqen e Qendrës për Studime Politike Evropiane (CEPS), në linkun vijues: http://www.ceps.be/Article.php?article_id=559; Oslobodjenje, 18 shkurt 2008, fq. 21; Oslobodjenje, 14. janar, 22.
[9] Heitmeyer, Wilhelm, ed. Deutsche Zustande, Folge 3: Gruppenbezogene Menschenfeindlichkeit. Die Theoretische Konzeption und empirische Ergebnisse aus den Jahren 2002, 2003 und 2004. Frankfurt am Main: Suhrkamp, 2005, fq. 20.
[10] Cesari, Jocelyne, and Peter De Wan, ed. Islamophobia in Western Europe; Intermediary Report of Work Package 10: Securitization and Religious Divides in Europe. Harvard University, dhjetor 2005, fq. 8.
[11] Ibid.
[12] European Commission Against Racism and Intolerance. Third report on Germany., e miratuar më 5 dhjetor 2003 dhe publikisht është shpallur më 8 qershor 2004, në të cilën ka akces: ttp://www.coe.int/t/e/human_rights/ecri/1-ecri/2-country-by-country_approach/germany/Germany_CBC_3.asp#TopOfPage , e vendosur më 12 maj 2006.
[13] European Commission Against Racism and Intolerance. Treci izvjestaj za Njemacku, e miratuar më 25 qershor 2004. dhe publikisht është prezantuar më 15 shkurt 2005, në të cilën ka akces: http://www.coe.int/t/e/human_rights/ecri/1-ecri/2-country-by-country_approach/France/France_CBC_3.asp#TopOfPage , e vendosur më 14. maj 2006.
[14] Burimi është nga disa tekste gazetareske të botuara në mediat ditore vijuese: Dnevni avaz, 29 janar 2008, fq. 26, dhe 14 shkurt 2008, fq 23; Oslobodjenje, 21. shkurt 2008, fq. 20.
[15] Marrë nga: Danas: http://www.danas.co.yu/20070813/evropa1.htmlm
[16] Këtë argument kryesisht e përdorin pjesëtaret e lëvizjes feministe.
[17] Cesari, Jocelyne, and Peter De Wan, ed. .Islamophobia in Western Europe; Intermediary Report of Work Package 10: Securitization and Religious Divides in Europe.. Harvard University, decembar 2005., fq. 61
[18] Për shembull, hulumtimi nga viti 2005 ka treguar se 47 % të popullsisë turke në Rhine-Westphali veriore lejojnë bartjen e shamisë në publik.
[19] Cesari, Jocelyne, and Peter De Wan, ed. .Islamophobia in Western Europe; Intermediary Report of Work Package 10: Securitization and Religious Divides in Europe. Harvard University, decembar 2005., fq. 44
[20] Sipas Raportit periodik, shkolla e mesme protestanste në Gelsenkirchen iu lejon vajzave që të mbuluara ta vijojnë mësimin në dy raste: a) Nëse i kanë mbushur 14 vjet, që konsiderohet si viti i arritjes së pjekurisë religjioze në Gjermani dhe; b) Pasi ta kalojnë provimin para komisionit shkollor në të cilën arsyetojnë për ç’arsye kanë vendosur për mbulesë.
[21] Cesari, Jocelyne, and Peter De Wan, ed. .Islamophobia in Western Europe; Intermediary Report of Work Package 10: Securitization and Religious Divides in Europe. Harvard University, decembar 2005., fq. 65
[22] Ibid.
[23] Cesari, Jocelyne, and Peter De Wan, ed. .Islamophobia in Western Europe; Intermediary Report of Work Package 10: Securitization and Religious Divides in Europe.. Harvard University, decembar 2005., fq. 66-68
[24] Në nëntor të 2005, në vendin Ebersbach, mësuesja në entin shtetëror mori dorëheqje sepse ishte e mbuluar. Në procesin gjyqësor mësuesja pranoi ujdinë që mos të kthehet në punë por qyteti e ka për detyrë t’i paguajë 8.000 euro me qëllim të kompensimit social.
[25] Their Culture, Our Culture: Muslim Migrant Women in Europe Condemn Cultural Relativism.. Women.s International Network News, 01457985, Spring 1997, Vol. 23, Issue 2. Academic Search Premier (EBSO online database).