Luftë për liri dhe nder
Para një viti në Siri filluan protestat kundër regjimit të Asadit. Filloi lufta për liri dhe nder. Që atëherë kemi me mijëra të mbytur, të burgosur dhe të masakruar. Kjo e fundit është shumë aktuale në “trend” për ushtritë kriminele të diktatorëve të shekullit 21.
Fillimisht të rinjtë sirian të qytetit të Damaskut në paralagjen Daraja të inspiruar nga ato që po ndodhnin në Tunizi dhe Egjipt, kah mesi i muajit mars, në një mur patën shkruar: “Populli kërkon rrëzimin e pushtetit”. Pas kësaj policia arrestoi 15 të rinjë dhe si rezultat patëm edhe demonstratat e para. Forcat e sigurisë gjuajtën në masë dhe ranë viktimat e para. Ceremonitë e varrimit të shehidëve zakonisht ktheheshin në pakënaqësi edhe më të mëdha dhe numri i demonstruesve dhe demonstratave rritej edhe më tepër edhe në qytetet tjera. Sidomos qyteti Homs ishte shumë aktiv dhe u dallua në padëgjueshmërinë ndaj pushtetit, ndaj tani po tregohet i pamëshirshëm si ndaj fëmijëve, grave e pleqëve.
Krahasuar me vendet tjera, në Siri pakënaqësitë filluan më vonë. Në këtë drejtim, presidenti sirian atë kohë në një intervistë për një gazetë amerikane pat thënë: “Siria dhe populli sirian nuk varen nga Amerika, ata kanë agjendën e vet dhe jo të huajën, ne bisedojmë me popullin dhe jemi duke përgatitur reforma të nevojshme”. Kjo sipas tij, se në Siri nuk parashihen pakënaqësi, çrregullime dhe trazira. Kjo e bënte atë të sigurt në pushtetin e tij absolut.
Fytyra e re e regjimit të njëjtë
Na kujtohet kur Bashar el-Asadi si 34 vjeçar, pas vdekjes së babait të tij, e morri pushtetin në Siri dhe i filloi disa reforma që për mua atë kohë nuk zgjonin ndonjë kurreshtje të jashtëzakonshme. Një gjë e mbaj mend mirë, atë kohë pat liruar nga burgu një numër të caktuar të të burgosurve politikë, pat lejuar mendimin e lirë ku shtroheshin debate politike e religjioze dhe kjo fillimisht na bënte të shpresojmë se do të ketë ndryshime për të mirë krahasuar me periudhën nën sundimit të babait të tij. Në ndërkohë ai i vendosi njerëzit e tij nëpër pozita kyqe, duke e shtuar besimin në vëllaun e tij, dhëndrrin dhe persona tjerë kryesisht nga pakica Alevite.
Por, parë në përgjithësi lëvizjet taktike që i bëri kishin disa qëllime. E para: Për t`u faktorizuar në rajon mjafton që në çështje të caktuara ndoshta edhe të parëndësishme t`u thuash amerikanëve “Jo” . Bashiri nuk mund të merret as përkrahës i çështjes palestineze, sepse duhet të jemi të sinqertë sikurse Izraeli t`ua kthente territoret e okupuara të njohura si “Lartësitë e Golanit), Siria dhe po ky president do ta njihte shtetin izraelit. Na kujtohet qëndrimi i Muamer el-Gadafit kundrejt perëndimit dhe amerikanëve me patriotizmin e tij arab dhe kryeneqësinë e tij gjoja prej “mbretit të mbretërve” afrikan. Kjo nuk i solli asgjë as atij e as popullit libias. Kjo solli fundi i tij më meritor sesa që mendohej. Përfundoi në në gyp kanalizimi. Fatin e tij do ta përjetojnë të gjithë mbretërit e rremë. Prandaj edhe në intervistën e tij e fundit në televizionin shtetëror sirian se jemi duke luftuar në dy fronte në atë të jashtëm dhe atë të mbrendshëm, nuk janë asgjë tjetër vetëm se një luftë psikologjike dhe përpjekjet e tij të fundit për t`i mbajtur me shpresë edhe ata pak aleat dhe ithtarë të mbetur.
E dyta: Ndërsa në planin e mbrendshëm që u shfaq me lirimin e debateve për shprehjen e mendimit të lirë dhe të disa asociacioneve nuk zgjatën shumë. Të gjitha ato përsëri u ndaluan dhe filloi arrestimi i të gjithë atyre që kishin qëndrime të kundërta. Futja e frikës dhe mbajtja e saj me burgosje, likuidime dhe forma tjera të dhunës ishin qëllim dhe program i partisë së tij. Ai dëshironte të krijonte bindjen se vetëm me Basharin në sundim mund të jetohet mirë dhe qetë në Siri. Në të kundërtën mund të pasonte një luftë qytetare ndërkonfeksionale apo pushtetin mund ta marrin forcat radikale.
Me burgosjen e të rinjëve në Daraja pakënaqësitë u rritën edhe më, në skenë shohim diçka të paparë deri atëherë në Siri. Rrëzimi i statujës së presidentit të kaluar dhe të rinjtë duke e shqyer fotografinë gjigante të Bashar el-Asadit, u vërjet se mllefi i të rinjëve ishte shumë më i madh se sa paraqitej në mediat shtetërore. Këto pamje ishin të pabesueshme sidomos për gjeneratën më të vjetër siriane, një luftë e re e dy botërave po përgatitej.
Protestat vazhduan në qytetin Hama, qytet i njohur që nga koha e ish presidentit Hafiz el-Asad në vitet e tetëdhjeta, ku pas një proteste që kishte ndodhur ai e kishte shuar atë me disa mijëra viktima. Thuhet, por numri i saktë nuk mund të dihet, se atëbotë u mbytën mbi 30 000 njerëz nga operacioni i udhëhequr nga i vëllai i Hafiz el-Asadit. Tani jemi në vitin e dytë trazirave dhe nuk mund të flitet më për protesta, por për një luftë të vërtetë ku asnjëra palë nuk ka një epërsi në teren. Natyrisht ushtria qeveritare ka epërsi në makineri luftarake por ajo po përballet me dezertime si nga personeli ushtarak ashtu edhe nga stafi politik. E një rëndësie vendimtare do të ishte krijimi i zonave të mbrojtura ushtarake nga bashkësia ndërkombëtare, derisa palët ndërluftuese nuk mund ta bëjnë këtë. Kjo u kërkua sot edhe në këshillin e sigurimit nga ministri i jashtëm turk Ahmed Davutogllu.
Gjithashtu, do të ishte në interesin e pakicës Alevite që përfundimisht ta kuptojnë pozicionin dhe momentin e duhur në dobi të ruajtjes së pasurisë së tyre që nga mbrenda ta likuidojnë Bashar el-Asadin, në mënyrë që të fillojnë bisedimet. Përdryshe, nuk parashihet një e ardhme e nderë për pakicën Alevite e përfshirë në të gjitha ngjarjet dhe zhvillimet e fundit në Siri. Për momentin nuk po ndodh asnjëra e as tjetra.
Masakra të papara në Daraja
Mu aty ku edhe filluan pakënaqësitë në Daraja këto ditë trupat qeveritare masakruan qindra qytetarë të pambrojtur. Ata së pari e kishin rrethuar qytetin me makineri të rëndë luftarake dhe pastaj kishin filluar sipas tyre, “pastrimin e qytetit nga terroristët”. Krejt këto ishin bërë nga “Bandat mbytëse” dhe “Shahiba policët”, duke u futur në qytet dhe bërë masakra, varje masovike, ekzekutime të llojeve të ndryshme. Vetëm në një xhami u gjetën mbi 100 të vdekur. Xhamitë, shkollat dhe objektet tjera publike janë shfrytëzuar dhe po shfrytëzohen nga popullata për t`u strehuar duke menduar se do të kursehen nga “Bandat mbytëse”. Tani derisa po i shkuaj këta rreshta në mediat botërore shfaqet krimineli Bashar duke lavdëruar luftëtarët e tij dhe duke premtuar se do ta pastrojë Sirinë nga “terroristët islamik”.
Dhe derisa e tërë bota vetëm po shikon, po ndodh vetëm një variant, masakra të papara të ushtrisë dhe policisë Alevite kundër popullatës së pambrojtur. Po ndodh një luftë mes dy botërave, e kur të vij momenti do ta shohim të vërtetën.