JA PËRSE NUK E PASKA NDIHMUAR PAPA, SKËNDERBEUN!

 

Ahmet Çaushi

Sokrati e këshilloi një grua: “Para se të flasësh, kaloje fjalën tënde nëpër tri filtra: 1- A është e vërtetë ajo që do të thoni; 2- A ka për qëllim mirësinë!; 3- Sa e vlefshme është”. Romani i Ben Blushit “Të jetosh në ishull” asnjërën nuk e plotëson. E kam lexuar me kujdes librin. Të ndërtosh një libër në bazë mashtrimin, gënjeshtrën, shpifjen, nëpërkëmbjen e vlerave fetare dhe atyre kombëtare nuk është aspak etike e jo vetëm kaq, por edhe e dënuar. Ben Blushi e nis librin me paraqitjen e pesë shtyllave të Islamit. Të tëra i shtrembëron, bën përpjekje t’i paraqesë si tepër të vështira, antinjerëzore dhe të dëmshme. Deri tani në historinë e fesë islame askush nuk ka marrë guximin të bëjë përpjekje për një mashtrim të tillë. Si duket, ose dëshiron ta ndajë tokën sipas besimeve: perëndimi për të krishterët, lindja për muslimanët, kurse fetë e vogla të kenë parcela në të djathtë ose të majtë siç bëhet me partitë. Harron ky Beni i Blushëve se të tërë besimet kanë ardhur nga lindja e disa janë tjetërsuar. Beni dhe të tjerë kërkojnë të zhvlerësojnë namazin e muslimanëve. Sikur ky pengoka punën. Aspak jo. Tre namaze janë natën. Dy të tjerët janë vendosur në kohën më të përshtatshme për pastrim e qetësim shpirtëror dhe fizik. Le ta provojë secili. Pas një pastrimi të gjymtyrëve dhe atyre lëvizjeve të përsosura e të lehta, do të ndjejë kënaqësi dhe lehtësim shpirtëror dhe fizik. Ben Blushi bën përpjekje, duke mashtruar, të ulë vlerat e zekatit, duke e vështirësuar atë deri në mbarimin e pasurisë. Aspak nuk është e vërtetë. Zekati nuk jepet për shtëpinë, tokën, veglat e punës dhe të tjera mjete jetese. Ai jepet për fitimin, pasi të kesh siguruar edhe një vit tjetër rezervat për jetesë. Atëherë jepet 2.5 % e tepricës. Autori i librit, ortodoksi i familjes Blushi, e shtrembëron qëllimshëm këtë për t`iu thënë lexuesve: “Po u bëtë muslimanë ju iku pasuria”. Për agjërimin tjetërson kërkesat e besimit Islam, tjetërson edhe qëllimin. Agjërimi aspak nuk të ndalon natën të hash e të pish sa të duash dhe të jetosh me gruan si në çdo muaj të vitit. Po kështu vepron edhe për Haxhin e muslimanëve. Vlerat e pesë shtyllave të fesë Islame nuk ka mundur kush në botë t`i zhvlerësojë. Kjo është fyerje e luftë fesë Islame. Ky shkrimtar shkon edhe më tej. Ai kërkon që ligje të krishtërimit t`ia ngjeshi fesë Islame. Në fenë krishtere të bën të krishter prifti. Ai të kungon me ujë dhe të pranon në fenë e tij, ai të fal gjynahet dhe të merr edhe para për këto. Ai është zëvëndës i Zotit në tokë. Në fenë Islame imami nuk e ka këtë privilegj. Ai është si gjithë të tjerët. Një njeri, siç ka ndodhur e po ndodh edhe sot, mund të bëhet musliman pa e ditur askush dhe as Ben Blushi. Është e mjaftueshme që të deklarojë se ka vetëm një Zot e ky nuk ka as baba, as grua dhe as bir. Beni me qëllim shtrembëron dhe kërkon të tallet kur flet për emrat në fenë Islame. Nuk është aspak ashtu siç shkruan autori. Në fenë tonë nuk të bën besimtar emri. Musliman nuk të bën as imami siç ndodh me priftin. Ka një porosi profetike për të zgjedhur një emër të mirë e gjuha shqipe ka plot të tilla si: Korab, Manushaqe, Valbonë, Ilir, Genti etj, e janë shumë të pëlqyer. Prindërit dhe vetë njerëzit kur kanë dëshirë mund të marrin emra edhe tek popujt fqinjë etj, pse jo edhe në vendet arabe. Besimtar të bën zemra, deklarimi me zemër e me gojë. Dikur, tek ne janë lënë emrat si Lenin, Stalin, Marenglen (Marks, Engels, Lenin) etj, e shumë prej tyre nuk u bënë komunistë. Ndoshta i vjen keq Benit të Blushëve. Po i tregoi autorit të këtij libri një të vërtetë të sigurtë. E di që do t’i vijë keq, por nuk mund ta kurojmë. Emri më i përhapur në Londër është emri Muhamed. Ben Blushi gabon rëndë, nuk njeh të vërtetën histroike, mashtron vehten e kërkon të mashtrojë edhe të tjerët kur thotë se feja Islame është përhapur me shpatë. Aspak jo. Nëse dikush mund të ketë ushtruar forcë, ka bërë një gabim të rëndë në besimin islam. Në Kur`an, sure “Bekare”, faqe 71, ajeti 256, thuhet se nuk ushtrohet dhunë për të pranuar fenë Islame. Në vitin 1520 Sulltan Selimi vendosi të ushtrojë dhunë për konvertim. Ishin drejtuesit e fesë Islame ata që e ndaluan. Zotni, turqit dhe feja janë dy. Nëse ka gabuar ndonjë turk, nuk ka gabuar feja, Zoti që e krijoi. Le ta mësojë ky Beni që sapo filloi të shkruaj gaboi rëndë, se si është e vërteta. Aristidh Kola (grek) në librin “Arvanitasit” (Athinë 1986) shkruan: “Ndërrimi i fesë së shqiptarëve me anë të dhunës është pjellë dhe shpifje e murgjëve dhe nuk është aspak e hijshme që ta pretendojnë këtë disa historianë”. Para dy shekujsh, George Sale (1735), ky përkthyes i Kur`anit në gjuhën angleze, shkruante: “Unë do t`i hulumtoj shkaqet që bënë që feja Islame të hasë në një mirëkuptim të paparë në botë, mirëpo, atyre që mendojnë se ajo është përhapur vetëm me shpatë, mund t`iu them se ata mashtrojnë veten”. Pse ky Ben Blushi nuk përmend fare kur greku Theodhosi i madh para vitit 395 bëri ekzekutime masive vetëm pse nuk pranonin fenë ortodokse. Në stadiumin e qytetit bregdetar, Kavalla, ai theri 50.000 grekë vetëm pse nuk bëheshin ortodoksë, ndërsa Stefan Dushani në bazë të ligjit nr. 8 “Nëse një prift latin zbulohet duke u përpjekur të kthejë një katolik në ortodoks, dënohet me vdekje. (S. Juka, “Rilindja”, janar 1995/1, f 46/2). Ben Blushi kërkon të tjetërsojë dhe figura të mëdha Islame si Umerin. Nuk është si thotë ky shpifës. Personaliteti i shquar amerikan Majkëll Hart e rradhit Muhamedin të parin e njëqind njerëzve më me ndikim në botë, ndërsa Umerin e vë në vendin e pesëdhjetë e dytë. Ja çfarë amaneti la Umeri për të krishterët: “Unë po vdes, ju lutem të interesoheni për të krishterët që i keni amanet prej Zotit dhe prej Pejgamberit. Shpirti i tyre është shpirti ynë, gjaku i tyre është gjaku ynë, nderi i tyre është nderi ynë; hapni sytë e mos i cënoni, mos i lëndoni se nesër para Zotit s`keni se si të përgjigjeni”. (Arnold i cituar H. Ali, “Zani i Naltë”, Viti i V-të, Nr.3, janar 1928, f.454). Imagjinata është pjesë e dëshirave të atij që e shpreh. Autori i librit në këtë gjykim kalon çdo kufi e, qëllimi i tij është i sigurtë se është të shpifë e fyejë aq shumë e aq trashë sa ta bëjë fenë Islame të papranuar dhe së fundi të krijojë shqetësime serioze për prishjen e bashkëjetesës ndërfetare, aq të çmuar për popullin tonë. Le t’i bëjmë një pyetje këtij plangprishësi: Po sot a më shpatë po hyn furishëm feja Islame në Europë, Amerikë e kudo në botë? Milionat e muslimanëve në Europë, Amerikë e kudo dëshmojnë të kundërtën e Ben Blushit. Me gënjeshtra, shpifje, deklarime të pa baza priftërinjsh, Ben Blushi fyen rëndë muslimanët dhe, në se do t`i shkohet pas shkatërron bashkëjetesën ndërfetare në vendin tonë. Së pari, në libër thuhet se çdo i krishterë ortodoks duhet të jetë grek. Ndoshta ky Ben Blushi është me ata që edhe në ditët tona detyrohen me uri të ndërrojnë fe e kombësi. Ndoshta, ndoshta Beni që ushqehet me prodhimet më të mira të tokës sonë është në shërbim të kishës ortodokse serbe, armiken kryesore të Kosovës e të kosovarëve. Të dhëna të bollshme vërtetojnë këtë. Dëshira e Ben Blushit është që të ndërtojë një konfederatë të krishtere ballkanike e të kryesohet nga serbët e Gjorgj Brankoviçit (f.68-69). Pra shoku Beni, u mbetet detyrë muslimanëve ta mbrojnë tërësinë e tokës së shqipëtarëve. Kështu është bërë gjithmonë. A thua se një grusht ortodoksësh që nuk i kalonin 12 % të popullsisë shqiptare e bënë Lidhjen e Prizërenit, apo shpallën pavarësinë e vendit tonë në vitin 1912, apo bënë luftrat e shumta kundër tërë pushtuesve. Mazhoranca zotni Beni, mazhoranca Islame ka mbajtur peshën kryesore, qoftë të ruajtjes së kombësisë, qoftë të mbrojtjes së vendit. Beni, historia dhe logjika të vënë në karrigen e të akuzuarit. Prifti i dashuri yti, o Beni, ja si çirret në f.29 “më mirë një i çmendur se sa një musliman”; në f.32 “nënë, nënë mbylle derën se erdhi muslimani”, më tej një gënjeshtër e pacipë se 50 burra paskan djegur Kur`anin e vazhdon me thirrjen “Ibrahim o derr, Muhamedi të pret në ferr, apo “Ibrahim o derr me dorën time do të therr”; në f. 36 e 56 “Muslimanët janë si kafshët”. Në faqen 22 shkruan se “Kolera Islame ka hyrë në shtëpi. Në f. 23 “Islami është një kolerë që ka 1000 vjet që përhapet me anë të shpatës” e vazhdon se “ujrat Islame ndotin fshatin e tij” etj pa kufi. Beni, të tëra janë pjesë e imagjinatës tënde, por janë të pa vërteta, fyese, luftënxitëse e prishëse të bashkëjetesës ndërfetare. Midis kryetarëve të feve është nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi. Atëherë ç`bën Janullatosi kur një djalosh i tufës si tij i del nga tufa, gënjen, poshtëron dhe lufton! A duhet të heshtë e të fërkojë duart për t`u krenuar për djaloshin që krekoset!!! Duhet të distancohet nëse nuk e ka udhëzuar kryepeshkopi. Skënderbeu, ky hero kombëtar i përmasave botërore, paska qenë xhuxh, tradhëtar, i pa besë, djallëzor, turk, i ka dhënë Krujën Venedikut, mashtrues, musliman e qenka bërë i krishterë për t’u bërë mbret, nuk paska luftuar për Atdhe, prandaj nuk e paska ndihmuar as papa as Venediku (ky i fundit synonte Durrësin, Shkodrën, Ulqinin etj) por për pushtet, pederast se ka qenë jeniçer etj. (f.56-61). Kush je ti more zotni Beni që nëpërkëmb tani, pas 600 vjetësh, figurën më të zëshme të kombit tonë, heroin që u bë symbol lirie në kohën e tij dhe në kohërat e më pastajme, atë që ka qenë gjithmonë simbol i bashkimit pa dallime fetare e ngjyre!!! Kush jeni more Ben Kiço Blushi që kërkon të nëpërkëmbësh birin e Dibrës, që në shekuj historia ka shkruajtur ndryshe e imagjinata jote e ve poshtë komnenëve të dyshimtë për përkatësi shqiptare! Qëllimi është i pistë e i shkruar nga një… Po me Ali Pashën ç`pate?! Ti zotni jo vetëm Ali Pashën, por edhe Sabri Godon me shokë i ke fyer rëndë. Më rëndë se të gjithë fyeni bektashinjtë, sepse ata na qenkan kurvarë e pederastë. Kështu shkruan ti për Demir Hanin. Akuzat tuaja more Ben as toka nuk i mban. Edhe probleme të tjera që shtjellon Ben Blushi nuk edukojnë, përkundrazi poshtërojnë. Arianit Komneni marton djalin me motrën e vet. (f.110-111). Kockat e bababit të Komnenit i mbetën në Kretë, u lodh shumë, personazhi i Benit për t`i sjellë në Greqi, por nuk mundi. E bëri këtë rrugë tre herë. Së fundi u ndihmua nga një tregtar, por kur erdhën në Selanik, bamirësin e spiunoi, e futi në burg dhe së fundi i mori gruan. Çfarë edukon me këtë ky Beni që na merr përsipër të shkruajë një libër?! Nuk janë praktika shqiptare këto. Kam dëgjuar të thonë se ka një stilistikë tërheqëse! Në libër ka qindra, ndoshta mijëra gabime gjuhësore, ndërtim fjalish, pse jo edhe të trasha shumë. A thua për hirë të stilistikës bëhesh i lirë të shpifësh, të gënjesh, të tjetërsosh apo të prishësh historinë e bashkëjetesën e një Kombi?! Beni në shumë vende kundërshton edhe vetveten. Në faqen 14 thotë se profeti Ibrahim nuk ka qenë as i krishter as musliman. Për të parën ka të drejtë, sepse Ibrahimi profet ka jetuar mijëra vjet para se të vijë Jezusi, ndërsa musliman ka qenë. Në faqen 268 Beni kundërshton veten e tij kur shkruan se Ibrahimi ka qenë musliman. Kjo është rrënjë e vërtetë si e gjithë profetëve duke filluar nga Ademi, Nuhu, Ibrahimi, Musai, Isai etj. Edhe Jezusi (Isai) ka qenë musliman por historia e tij për ne është ndryshe. Feja Islame hap horizonte pa kufi për dije (nuk djeg shkencëtarë në turra drushë). Feja Islame të siguron pastërti shembullore e nuk të lejon të jetosh 70 vjet pa u larë fare. Feja Islame fillon me fjalën “paqe” dhe njeriu ndahet nga kjo botë po me fjalën paqe. Feja Islame urdhëron për punë, por gjithmonë të ndershme. Feja Islame të urdhëron të duash për tjetrin atë që don për vete. Feja Islame nuk të lejon të gënjesh, të vjedhësh, të tradhëtosh, të ndalon çdo gjë që dëmton vehten dhe shoqërinë. Feja Islame të detyron ta duash, ta mbrosh e ta ndërtosh Atdheun. Ajo, edhe pse nuk duan Blushët, bëhet pjesë udhëheqëse, bashkuese dhe e nxit njerëzimin për zhvillim e përparim të pandërprerë.

Ç’prish dhe ç’fitohet nga libri?

1. Tjetërson përmbajtjen e shtyllave të fesë Islame. Kjo është e papranuar, cinike dhe e kundërshtuar ashpër.
2. Krijon shqetësime serioze në marrëdhëniet ndërfetare të tre feve. Idealizon ortodoksizmin greko-sllav dhe nëpërkëmb kontributin e muslimanëve e të katolikëve në vendet me popullsi shqiptare. Gënjen, mashtron dhe tjetërson për t’ia arritur qëllimit dhe dëshirave të tij.
3. Ia ka dëshira të krijojë një perandori kristiano-ortodokse të drejtuar nga Gjergj Brankoviçët.
4. Tjetërson historinë e popullit tonë, veçanërisht atë të heroit tonë kombëtar dhe të Ali Pashë Tepelenës. Kjo ka shqetësuar tërë popullsinë islame, të cilën shkrimtari me të drejtë e quan shqiptare, por edhe të tjerët.
5. Morali i shqiptarit nuk është ai që pasqyrohet në roman, ku djalit i jepet për grua halla e tij, pra motra e babait dhe mosmirënjohja e atij që të bën mirë, duke e spiunuar, e fut në burg dhe i merr gruan për vete. Aspak nuk janë praktika shqiptare.
6. Kristo Frashëri, professor-doktor i historisë, thotë: “Ky libër nuk është as roman historik e as letrar.” Atëherë çfarë është? Një shkrimi rëndomtë që cënon deri në prishje të historisë së kombit tonë e gjithashtu edhe bashkëjetesën midis muslimanëve e të krishterëve dhe të krishterëve ndërmjet tyre.

Autori është Myftiu i Dibrës.

 

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme