بسم الله الرحمن الرحيم
وَمَا أَرْسَلْنَا مِنْ رَسُولٍ إِلاَّ بِلِسَانِ قَوْمِهِ لِيُبَيِّنَ لَهُمْ… ﴿٤﴾
“Ne nuk kemi dërguar asnjë pejgamber, që ai, për t’ia shpjeguar të mos ketë folur me gjuhën e popullit të vet.” (El-Kur’an, Ibrahim: 4)
“Shqiptari do të mbesë shqiptar, edhe nëse është besimtar musliman” (F. Mehdiu)
Hyrje
Në traditën[1] islame të komentimit të Kur'anit (tefsirit) ështe e pranishme teza se Zoti duke e larguar njeriun nga xhenneti në tokë, bijtë e Ademit (Benu Adem) nuk i privoi nga përudhja dhe mëshira hyjnore. Ai nga amshueshmëria e Tij çdo populli ia zbriti (tenzil) në gjuhën e tyre fjalën e vet (kelimetu’ll-llah) nëpërmjet të të dërguarve (rusul) të tij[2]. Ngjashëm me shumë shpallje të mëparshme, Kur'ani iu shpall Muhammedit a. s. në gjuhën e pastër arabe për mbarë njerëzinë. Kjo njëherit ishte mbyllje përfundimtare e ciklit të shpalljeve të deriatëhershme.[3]
Me daljen në botën fenomenale, në hapësirë e kohë, Kur'ani inicoi transformimet më të mëdha në historinë e deriatëhershme njerëzore. Ai ishte bosht i çdo lëvizjeje në rrafshin fetar, moral, politik, ekonomik e social si ndër arabët ashtu edhe më gjerë. Po ashtu, ai ishte faktor integrues në botën arabe, arabo-islame dhe islamo-islame duke marrë parasysh tërë heterogjeninë e diversitetin politik, ekonomik, social e fetaro-kulturor. Kur'ani kërkon përparim të vazhdueshëm cilësor, sasior e dinamik. Mirëpo, përkundër kërkimeve të shumta, ndikimi i Kur'anit në zhvillimin e mendimit njerëzor është i pahulumtueshëm sa duhet dhe së këndejmi edhe i pavlerësuar në më-nyrë meritore.
Aspekte të perceptimit të Kur’anit
Historiku i Kur'anit nga shekulli VII e deri në shekullin XXI ofron një trashëgimi mjaft të pasur, e cila në thelb karakterizohet me tri pikëpamje morfologjike të diferencuara qartë në aspekt të perceptimit të tij.
Këto janë:
a. Shkathtësia e recitimit të Kur'anit (kiraeti)
apo përkthimi i Kur'anit për veshin njerëzor
Perceptimi i Kur'anit nëpërmjet shqisës së të dëgjuarit pa dyshim është më i vjetri. Meqë etimologjikisht fjala Kur’an do të thotë recitim, pasi që Kur’ani është libër që recitohet dhe libër që dëgjohet[4] ai para së gjithash i drejtohet veshit, dëgjuesit e jo lexuesit.[5] Aftësia dëgjuese e njeriut në rrëfimet kur’anore është glorifikuar më shumë se çdo shqisë tjetër e njeriut.[6] Edhe mësimet antropologjike në Islam në përgjithësi e kanë lavdëruar shqisën e të dëgjuarit. Orientalisti D. Tanaskoviq aspektin e ‘recitimit’ e përshkruan në këtë mënyrë: “Është mendim i përgjithshëm se pjesa më e madhe e magjisë kur’anore buron pikërisht nga gjuha, më saktësisht nga organizmi i veçantë i gjuhës së diskursit profetik të Muhammedit. I potencuar me rregullat e përpunuara dhe në mënyre precize të përcaktuara të ‘leximit’ (recitimit ritual), ky organizim fonik bën që edhe fjalia më e thjeshtë të fitojë oreolë çudibërëse në perceptimin auditiv, që ftesa pesë herë në ditë e përsëritur stereotipe nga minarja çdoherë bën te njeriu efekte rrëqethëse.”[7] Ky është aspekti i parë i veçuar morfologjik i perceptimit të Kur’anit, si në kohë ashtu edhe në hapësirë. Ai është më i përhapuri dhe është inherent për religjiozitetin popullor, …me efekte të fuqishme emocionale, me variabilitet të fuqishëm të zanoreve, e herë-herë edhe të bashkëtingëlloreve[8], apo siç e pohon këtë intelektuali musliman S. H. Nasr “Muxhizja (mrekullia) e Kur’anit zë fill në posedimin e gjuhës i cili në mënyrë efikase prek shpirtrat e njerëzve deri në ditët e sotme …”.[9]
b. Shkathtësia e shkrimit të Kur’anit
apo përkthimi i Kur’anit për syrin njerëzor
Aspekti i dytë i perceptimit të Kur’anit është të shkruarit e Kur’anit. Qysh në fazën boshtore, formative të Islamit, krijohen vepra interesante artistike në papirus, rrasa (pllaka) guri, lëkurë të përpunuar e të tjera. Shkrimi i Kur’anit në Islam konsiderohet i shenjtë, akt devotsh-mërie.[10] Nga kjo traditë është krijuar arti islamik i cili ka manifestuar karakterin e vet të mono-teizuar. Konsiderohet se të shkruarit e Kur’anit si akt artistik ka arritur që nëpërmjet formave poli-forme të ngjyrave, dritës dhe hijes, ta paraqesë monoteizmin kur’anor në mënyrë vizuele (Kul huva’ll-llahu ehad).[11]
Kur’ani në diskursin e tij e quan veten libër “të dritës” (nur), që ka ndikuar në krijimin e lojërave të ndryshme të dritës dhe hijes në artin islam, si edhe në shpërfilljen e funksionit statik në arkitekturën e tij. Pasi që drita nuk është statike, por vazhdimisht lëviz, funksioni statik nuk mundi të mbijetojë më gjatë në arkitekturën lindore islame, sepse kjo artitekturë paraqet materializimin e shkronjave kur’anore dhe të formave të tyre të ndryshme.[12]
Po ashtu, arti islam në përgjithësi dhe arti i shkathtësisë së shkrimit të Kur’anit apo të përkthimit të Kur’anit për syrin njerëzor karakterizohet edhe me abstraktivitet. Kjo karakteristikë mbështetet në konceptin kur’anor mbi Zotin, siç paraqet arabeska fotografinë pa figurë dhe një-kohësisht paraqet negacionin e fotografisë në “kuptimin evropian”.[13]
c. Shkathtësia e komentimit të Kur’anit
Aspekti i tretë i perceptimit të Kur’anit i shënuar me fjalën komentim, duke mbetur në tezën traditio interpretativa, sa i përket Kur’anit, është përkthimi i Kur’anit në histori dhe anasjelltas, përkthimi i historisë në arketipin kur’anor.[14]
Kur’ani si libër i hapur, i përshtatshëm për interpolim, ekstrapolim, deduktim (te’mim), induktim (tahsis) dhe për aktivitetet tjera të frymës dhe shpirtit njerëzor gjatë historisë 14-15 shekullore, është kuptuar si literaturë mitike[15], historike[16], filozofike[17] dhe më së shpeshti si literaturë teologjike, sipas së cilës diskurs i saj është Fjala e Zotit, shpallja, Ligji i Zotit dhe Fjala dërguar Muhammedit si instrument i shpalljes i cili e kishte për obligim ta komunikonte shpalljen e Zotit.[18]
Disa këtë konceptim të Kur’anit e kanë klasifikuar në: tradicional, dogmatik, mistik, sektar dhe modernist[19], kurse disa të tjerë në: narrativ, juridik, tekstual, retorik, alegorik[20] e në shumë lexime tjera.[21]
Në këtë mënyrë, veshi, syri dhe mendja në të perceptuarit kur’anor gjatë historisë 14 sheku-llore kanë dhuruar trashëgimi interesante, që mund të krahasohet me muzikën, pikturën, ekzo-gjezën dhe hermeneutikën në kulturat tjera, thënë kushtimisht, jashtë traditës muslimane.[22]
Kur’ani, ndonëse vetë nuk është vepër letrare ngjashëm me shumë vepra letrare kulminante, ka pasur mijëra përkthime, që kanë provuar të marrin nga ai sa më tepër dhe të lënë nga ai të papërkthyer sa më pak”.[23]
Popujt evropianë, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët, mesazhin kur’anor e lexojnë nëpërmjet dhjetëra përkthimeve në anglisht, gjermanisht, frengjisht, shqip[24], nëpërmjet përkthimeve të vjetra e të reja, nëpërmjet përkthimeve nga origjinali apo tërthorazi, nëpërmjet përkthimeve të bëra nga muslimanë apo nga jomuslimanë, nëpërmjet përkthimeve të suksesshme apo përkthimeve heretike etj.
Nga pikëpamja e teorisë së perceptimit mbetet e hapur çështja se sa janë të ndryshëm e të llojllojshëm të gjitha ato përkthime të shumta, pasi që ofrojnë vetëm disa aspekte të Kur’anit: veçoritë e tij poetike apo magjike, thellësinë teologjike apo filozofike, proveniencën konservative apo moderniste, mesazhin determinist apo indeterminist, shi’it-imamologjik, ehli-sunnetik/tradicionalist, mu’tezilist/racionalist ose ndonjë shkollë tjetër filozofiko-teologjike të leximit dhe të komentimit të Kur’anit.[25]
Çdo përkthim i Kur’anit fikson vetëm disa domethënie dhe kuptime për të cilat përkthyesi e konsideron se duhet afirmuar, aktualizuar dhe përcjellë në gjuhën e vet. Po ashtu, çdo përkthim është edhe eksterierizimi i Kur’anit, bashkëkohëzimi i tij dhe historicizimi i arketipit (mus’haf’ul-imam) të tij. Së këndejmi, është interesant të përcillet rezistenca kundrejt përkthimit dhe komentimit të Kur’anit nga gjuha e origjinalit në gjuhën e përkthyesit.[26]
Përkthimi i Kur’anit në kulturën
shpirtërore islame shqiptare
Në trojet shqiptare kërkesa për përkthim të Kur’anit dhe rezistenca kundrejt përkthimit të Kur’anit është paraqitur mjaft vonë, kah fundi i shekullit XIX me Naim Frashërin[27] në fillim të shekullit XX e më vonë. Diskutimet e polemikat që janë zhvilluar e që po zhvillohen edhe tash më tepër janë jehonë e polemikave të zhvilluara në botën islame (arabe, turke e boshnjake) e herë-herë edhe polemika per se, kurse më pak për ndonjë interes fetar, kulturor dhe shkencor.[28]
Mirëpo, në këtë vorbull debatesh, polemikash e diskutimesh, nuk shtrohet më pyetja: a të përkthehet apo jo Kur’ani, por diskutimi zhvillohet në drejtim të pyetjes si të bëhet kjo punë më mirë e më me sukses. Ndonëse përkthimet e para të Kur’anit në gjuhën shqipe u paraqitën në fund të shekullit XIX, ai i pjesërishëm i Naim Frashërit me titull “Thelb i Kur’anit” në librin “Mësimet”, Bukuresht, 1894[29] dhe në fillim të shekullit XX,[30] megjithatë deri për përkthimin e parë të plotë, që deri sot e dimë, pritëm deri më 1985, kur u botua përkthimi i Feti Mehdiut[31]. Ishte ky çast me rëndësi si për autorin ashtu edhe për vetë përkthimin, për bashkëpunëtorët, botuesin, si edhe për tërë kulturën islame shqiptare dhe kulturën në përgjithësi, sepse me këtë botim populli shqiptar hyri në radhën e rreth 80 gjuhëve botërore që e kanë përkthyer Kur’anin në gjuhën e tyre.
Siç e dimë, Kur’ani në trojet tona, që nga koha paraosmane joinstitucionalisht, por shpesh edhe ilegalisht,[32] e deri në ditët tona ka ndërtuar e ngritur një kulturë të veçantë në sferën e besimit, edukimit, arsimimit, në kulturën e ushqimit, banimit e të veshmbathjes, në raportet ndaj njeriut në përgjithësi, ndaj Krijuesit, gjallesave të dukshme e të padukshme, botës së faunës dhe florës e të ngjashme. Kjo kulturë apo ky botëkuptim specifik ka ndikuar që populli shqiptar të mbrohet e të ruhet nga asimilimi sllavo-ortodoks, heleno-bizantin dhe romano-katolik.[33] Ndonëse këto fakte janë të qarta edhe për të verbëtit, qarqe të caktuara intelektualësh dhe thuajse tërë hierarkia kishtare katolike ndër ne këtë realitet përpiqen ta injorojnë dhe ta paraqesin gjendjen krejtësisht tjetër, pra të kundërt.[34]
Krahas kontributit të lartpërmendur, Kur’ani dhe përkthimi i tij në gjuhën shqipe paraqet çështje me rëndësi edhe në disa rrafshe të tjera:
- Kur’ani si fjalë e All-llahut me mesazh gjithënjerëzor u dedikohet të gjitha shtresave të popullit: intelektualit, nxënësit, studentit, luftëtarit, bujkut, tregtarit, pra të gjitha gjinive, moshave, racave e strukturave sociale. Ai i integroi këto shtresa në besim, në rituale, si dhe në rrafshin social e kulturor me shumë popuj të botës. Populli shqiptar me përkthimin e Kur’anit hyri në gjirin e një trashëgimie madhështore që e krijuan popujt muslimanë në të kaluarën;
- Përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe letrare standarde, kontribuoi fuqishëm në integri-min e popullit shqiptar në aspektin fetar, kulturor e shkencor. Ai dialektet e shqipes i shkriu në tërësi me sukses dhe ndihmoi edhe më në standardizimin e gjuhës së shkruar e të folur (ligjëratave - vazeve, këshillave - hutbeve etj.). Po ashtu ai ndikoi edhe në frymëzimin dhe shkrimin e shumë krijimeve në prozë, poezi, dramë dhe gjini tjera letrare gjatë shekujve. Shembulli më i mirë është krijimtaria e bejtexhinjve (alhamiade) e rilindasve dhe më vonë deri në ditët tona;[35]
- Përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe popullin shqiptar dhe kulturën e gjuhës së tij e futi në analet ndërkombëtare, si në Lindje ashtu edhe Perëndim. Me këtë u dëftua se gjuha shqipe është e denjë për përkthimin e veprave më të mëdha njerëzore, pra edhe për përkthimin e Kur’anit. Hyrja e përkthimit shqip të Kur’anit nëpër katalogë, doracakë e enciklopedi botërore është një ngjarje e llojit të vet;[36]
- Përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe ka luajtur dhe po luan rol shumë të rëndësishëm për studimet islame në gjuhën shqipe. Disa dhjetëra vepra origjinale nga autorët tanë dhe disa qindra përkthime në gjuhën shqipe përdorin kryesisht njërin prej tre përkthimeve[37] ekzistuese te ne. Në këtë mënyrë është lehtësuar puna në përkthim, janë unifikuar sadopak qëndrimet dhe janë zvogëluar mundësitë për të gabuar gjatë përkthimeve të ajeteve kur’anore;
- Përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe, më në fund kontribuoi edhe në një pikëpamje tjetër - sepse e hoqi frikën se a ka potencial leksikor-semantik gjuha shqipe për t’i përkthyer veprat kapitale botërore (si p. sh.: Kur’anin, Biblën, Epin e Gilgameshit, etj.). Po ashtu, përkthimi i tij e hoqi frikën se, siç e shprehu këtë intelektuali dhe përkthyesi Feti Mehdiu, shqiptari do të mbesë shqiptar, edhe nëse është besimtar musliman.[38] Këtë e pohojmë për arsye se shumë intelektualë muslimanë të tokave shqiptare, të shtypur e të ndrydhur nga kompleksi i inferioritetit si pasojë e mosnjohjes së fesë së vet, ndonëse intimisht e ndiejnë veten muslimanë, publikisht shtiren tjetërfare.[39]
Shtojcë:
Disa teza rreth përkthimit dhe
përkthyeshmërisë së Kur’anit në gjuhë të tjera
1. Përkthimi i Kur’anit nuk mund t’i përcjellë synimet qenësore të fjalëve të origjinalit kur’anor për shkak të konvencioneve religjioze, mitologjike, socio-kulturore e të tjera në të kuptuarit e leximit të Kur’anit në gjuhën arabe dhe botën islame. Për këtë arsye, para përkthimit as nuk mund të shtrojmë kërkesa përfundimtare;
2. Përkthimi i Kur’anit në gjuhë të tjera mund të përcjellë shumë ide të origjinalit. P. sh.: Një Zot (All-llahu ehad) është togfjalësh që mund të përcillet pa shumë vështirësi në shumë gjuhë;
3. Përkthimi i Kur’anit është i pamundur të lexohet si origjinal për shumë arsye: teologjike, etimologjike etj.;
4. Përkthimi i Kur’anit bën të lexohet pikërisht si përkthim e jo si origjinal, sepse përkthimi, pos tjerash, është dialog i Kur’anit dhe i situatës historike (ekzistenciale) të përkthyesit dhe medoemos bart në vete gjurmët e këtij ballafaqimi. Sikur që nuk ekziston lexim përfundimtar, ashtu nuk ekziston as përkthim korrekt përfundimtar;
5. Përkthimi rrallëherë mund ta arrijë sugjestivitetin e origjinalit kur’anor, ritmicitetin, onomatopenë dhe bukurinë e tij. Veçanërisht rima humbet edhe në përkthimet më të suksesshme;
6. Pasi që ekzistojnë përkthime të ndryshme të Kur’anit, ata dëftojnë edhe stilet e ndryshme të përkthyesve. Përkthimi i Kur’anit gjithnjë e përmban dhe e emanon stilin e përkthyesit.
7. Përkthimi i Kur’anit duhet lexuar si bashkëkohës i përkthyesit e jo si bashkëkohës i Urtexit të shekullit VII. Sikur që tefsiret e Kur’anit i kuptojmë si bashkëkohës të mufesirit, ashtu edhe përkthimet e Kur’anit duhen kuptuar si bashkëkohës të përkthyesit.
8. Përkthimi i Kur’anit megjithatë duhet lexuar edhe si vepër e vetë përkthyesit. Stilizimet e gjera të Kur’anit ofrojnë shumë mundësi që ndonjë fjalë e tyre të specifikohet, të reduktohet dhe të fiksohet në zgjidhjen njëkahëshe përkthyese, por me këtë nuk përcillet tërë kuptimi. Është problem i shpeshtë si të veprojmë atëherë kur një term kur’anor ta përkthejmë me zgjidhjen përkthyese që ka “shtrirje më të gjerë kuptimore”, përkatësisht si të veprojmë kur nuk kemi zgjidhje ekuivalente.[40]
Këto dhe shumë pyetje të tjera janë të hapura, sikur edhe vetë çështja e përkthyeshmërisë së Kur’anit, por e shoh të arsyeshme ta them atë që e kanë thënë edhe të tjerët para meje, se Kur’ani nuk mund të përkthehet, por ai patjetër duhet provuar të përkthehet. Mrekullia e Kur’anit qëndron edhe në atë që fton ta imitojmë, por na bën të ditur se nuk mund t’ia kalojmë gjithanshmërisë së tij.
[1] Kumtesë e lexuar në Tryezën e rrumbullakët të mbajtur në Bibliotekën Popullore Universitare të Kosovës në Prishtinë më 27. 04. 2000, e organizuar nga Shoqata Humanitare Bamirëse “Urtësia” me rastin e promovimit të përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe nga prof. dr. Feti Mehdiu, botimi II, me titull: Kur’ani dhe hija e tij shqip, Shkup – Stamboll, 1999. Këtu botohet me disa plotësime.
[2] “Ne nuk kemi dërguar asnjë pejgamber që ai, për t’ia shpjeguar të mos ketë folur me gjuhën e popullit të vet…” (El-Kur’an, XIV, 4); “…dhe çdo popull ka një udhërrëfyes.” (El-Kur’an, XIII, 7); “Çdo popull ka pasur një pejgamber…” (El-Kur’an, X, 47); Gjerësisht shih: Enes Karič, Semantika Kur’ana, Sarajevë, 1998, fq. 556-559.
[3] Muhammedi a. s. është përfundim i pejgamberëve dhe Kur’ani është përfundim i shpalljes hyjnore : “Muhammedi …është i dërguar i All-llahut dhe vulë e pejgamberëve….” (El-Ahzab, 40); “…Sot jua kam përsosur fenë tuaj dhe e kam plotësuar dhëntinë time ndaj jush, dhe jam i kënaqur që feja Islame të jetë fe e juaj…” (El-Maidetu, 3).
[4] Enes Karič, Tefsir, Uvod u tefsirke znanosti, Sarajevë, 1995, fq. 17 e pas.
[5] Darko Tanaskovič, Kur’an, në: Mogučnosti – časopis za književnost, umjetnost, i kulturne probleme, nr. 8-9/1979, Split, Kroaci, fq. 880.
[6] Shih disa ajete kur’anore që favorizojnë dhe glorifikojnë shqisën e të dëgjuarit në krahasim me shqisën e të parit dhe zemrën: “…Ai është që juve ju pajis edhe me dëgjim, me të parit e me zemër,…”. (Es-Sexhdeh, 9); “…Ai është që ju krijoi, ju dhuroi të dëgjuarit, të parit dhe mendjen…”. (El-Mulku; 23 e ajete të tjera.)
[7] Darko Tanaskovič, op. cit., fq. 880.
[8] Më gjerësisht: Enes Karič, Hermeneutika Kur’ana, Zagreb, 1990, fq. 17 - 20.
[9] Sejjid Husein Nasr, The Qur’an – the Word of God, the source of knowledge and action, (Kur’ani – fjalë e Zotit, burim i dijes dhe i veprimit), në: Enes Karič, Kur’an u savremenom dobu, I, Sarajevë, 1997, fq. 67 – 92.
[10] Ajo që në kristianizëm konsiderohet me pikturimin e ikonave, në Islam është shkrimi i Kur’anit … Shih: S. H. The Qur’an …, op. cit., fq. 78 - 79.
[11] Ibid., fq. 19 - 30.
[12] Sipas: Enes Karič, Hermeneutika Kur’ana, op. cit., fq. 20 –21.
[13] Husref Redžič, Islamska umjetnost, Zagreb, 1982, fq. 20, sipas: Enes Karič, Hermeneutika Kur’ana, op. cit., fq. 21. Arti islam me abstraktivitetin e tij zë fill me Zotin, i cili nuk mund “as të mendohet as paraqitet me çfarëdo vije të përbashkët me njerëzit apo me qeniet tjera të gjalla. Andaj synimi që të mos pikturohet, vizatohet, të punohet figurë, e as të fiksohen qeniet, qofshin ato konkrete dhe reale apo nga imagjinata dhe të gjallëruara nga miti, sepse sipas filozofisë pereniale kur’anore detyra e njeriut nuk është ta krijojë bukurinë, por që ta përkthejë, ta çlirojë dhe ta bëjë evidente, apo, siç e shpreh këtë Titus Burkhart “Në koncepcionin islam, në kuptimin më të gjerë, arti është metodë e fisnikërimit të materies.” (Titus Burkhart, Osnove muslimanske umjetnosti, Delo – časopis za teoriju, kritiku i poeziju, Beograd, nr. 7/ 1978, fq. 46.
[14] Edhe shkrimtari i madh botëror gjerman (disa thonë se në heshtje e ka përqafuar islamin) J. V. Gëte ka vërejtur se Kur’ani gjithnjë ka qenë në fokus të interesimeve më të ndryshme dhe se traditio interpretativa ka ecur krahas traditio constitutiva: “Posa u paraqit, Kur’ani u bë objekt i komentimeve të pafundta. Ai ka dhënë shkas për mendjemprehtësi më subtile dhe, pasi që ka nxitur çdokën në përsiatje, janë krijuar mendime të pafundta të ndryshme, kombinime të pamenduara mirë e për më tepër, janë bërë aplikime absurde të çdo lloji, kështu që çdo njeri i mençur, e i arsyeshëm është dashur gjithnjë të angazhohet me vetëmohim që sërish të kthehet në baza të tekstit të pastër, korrekt. Së këndejmi në historinë islame hasim se komentimi, aplikimi dhe përdorimi i Kur’anit shpesh është për mallëngjim.” (J. V. Gete, Spisi o književnosti i umetnosti, Beograd, 1982, fq. 111, sipas: Enes Karič, Hermeneutika Kur’ana, op. cit., fq. 30.
[15] Walter Beltz, Mitologija Kur’ana – čežnja za rajem, Zagreb, 1982.
[16] Noldeke, Emin el Huli e të tjerë si promotorë të kësaj ideje. Shih: Enes Karič, Hermeneutika Kur’ana, op. cit., fq. 32-34.
[17] Ibn Arebiu, Ihvan’us-safa, El-Farabi, Ibn Sina, Ibn Rushdi e filozofë të tjerë arketipit kur’anor i japin dinjitet të literaturës filozofike, që mund të lexohet në disa mënyra. Shih: Enes Karič, Hermeneutika Kur’ana, op. cit., fq. 34.
[18] Sipas: Enes Karič, Hermenutika Kur’ana, op. cit., fq. 36.
[19] I. Goldziher, sipas: Enes Karič, Hermenutika Kur’ana, op. cit., fq. 36.
[20] Andrew Rippin, Historiku i tefsirit të Kur’anit, Prizren, 2002, fq. 13 – 18.
[21] Sipas: Enes Karič, Hermenutika Kur’ana, op. cit., fq. 37 - 38.
[22] Enes Karič, Hermenutika Kur’ana, op. cit., fq. 30 - 39.
[23] Deri më 1980 në botë ka pasur 1380 përkthime komplete të Kur’anit dhe 1292 përkthime jokomplete të Kur’anit, të botuara në rreth 70 gjuhë. Shih: Ismet Binark & Halit Eren, World bibliography of translations of the meanings of the Holy Qur’an, printed translations 1515 - 1980, Istanbul, 1986. Vetëm në gjuhën urde ekzistojnë mbi 300 përkthime të Kur’anit e disa janë edhe si komente. Rudi Peret and J. D. Pearson, Translation of the Kur’an. The Encyclopedia of Islam, V. Leiden, 1981, pp. 429. Po ashtu: A. T. Welch, Al-Kur’an, Sarajevë, 1986, fq. 162-177. Shih: S. Kutub, Et-Tasvir’ul-fenni fi’l-Kur’an, Kairo, 1976. Përkthimi i parë (i pabotuar) i Kur’anit në latinisht është në vitin 1143, sipas: Nerkez Smailagič, Leksikon Islama, Sarajevo, 1990, fq. 464; dhe: A. T. Welch, Al-Kur’an, Sarajevë, 1986, fq. 171.
[24] Feti Mehdiu, Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe, Prishtinë, 1996.
[25] Shih: Enes Karič, op. cit., fq. 40. Shih: Andrew Rippin, Historiku i tefsirit të Kur’anit, Prizren, 2001/1422.
[26] Shih: Enes Karič, Hermeneutika Kur’ana, op. cit., fq. 40.
Për këtë çështje shih: A. L. Tibawi, Da li je Kur’an prevodiv?, në: Enes Karič, Kur’an u savremenom dobu, Sarajevo, 1991, fq. 305 – 324; A. T. Welch, Al-Kur’an, Sarajevë, 1986 dhe burime tjera.
[27] Shih: Mahmud Hysa, Alamiada shqiptare, vëll. II, Shkup, 2000, fq. 39 - 79.
[28] Shih shkrimin tonë me titull “Mbi përkthimin e Kur’anit”.
Përkthyes i parë (jokomplet) i Kur’anit është Naim bej Frashëri me titull ‘Thelb’ i Kur'anit’ që është botuar në veprën e tij ‘Mësime’ në vitin 1894, Bukuresht.
[30] Ilo Mitko Qafzezi, Ploeshti, Rumuni, 1921, Feti Mehdiu, Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe, Shkup, 1996, fq. 13 e tj.
[31] Profesor i Orientalistikës në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës.
[32] Nexhat Ibrahimi, Islami dhe muslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin mesjetar, Shkup, 2002.
[33] Shih: Muhamet Pirraku, Kultura kombëtare shqiptare deri në Lidhjen e Prizrenit, Prishtinë, 1989.
[34] Nexhat Ibrahimi, ibid..
[35] Hajdar Salihu, Poezia e bejtexhinjve, Prishtinë, 1987; Hasan Kaleshi, Kontributi i shqiptarëve në dituritë islame, botimi II, Rijad, 1992/1412 etj.
[36] I këtij mendimi është edhe intelektuali i mirënjohur Gazmend Shpuza. Shih: Kur’ani në gjuhën shqipe, në: www.shirazi.org.al/gazmend1htm, fq. 3. Mirëpo, derisa pajtohemi me vërejtjen e G. Shpuzës se a mund të konstatojmë se përkthimet shqipe janë të denja të qëndrojnë krahas përkthimeve në gjuhë të tjera, nuk mund të pajtohemi me pjesën tjetër të vërejtjes së G. Shpuzës se kriter për të konstatuar vlefshmërinë dhe nivelin e përkthimit janë gjuhëtarët (Gazmend Shpuza. Shih: Kur’ani në gjuhën shqipe, në: www.shirazi.org.al/gazmend1htm, fq. 3). Mendoj se mbi të gjitha në përkthimin e suksesshëm të Kur’anit nuk është faktor kryesor gjuha, por aspekti shumëdimensional i konceptimit dhe perceptimit të tij, ku edhe njohja e gjuhës shqipe, krahas asaj arabe, ka rëndësi të pakontestueshme.
[37] Mendoj në përkthimin e Feti Mehdiut, përkthimin e Hasan Nahit dhe përkthimin e Sherif Ahmetit.
[38] Kur’ani – bosht i literaturës islame, intervistë e Faik Mustafës me prof. dr. Feti Mehdiun në: Flaka, e datës 11 - 12. 12. 1999, Shkup.
[39] Kompleksi i inferioritetit nuk vjen vetëm nga mosnjohja e fesë. Ka edhe shkaqe tjera politike, ideologjike, shoqërore, kulturore, psikologjike etj. Po bëhet një propagandë e fuqishme ballore dhe tërthorazi kundër islamit, që i topit njerëzit dhe u servon pamje joreale për fenë e tyre, gjë që shton dyshimet, mëdyshjet e luhatjet, si dhe e dobëson burrërinë për t’u afirmuar e dëshmuar idetë dhe politikat e veta.
[40] Parafrazim i tezave nga: E. Karič, Hermeneutika Kur’ana, op. cit., fq. 220 - 221.