Bajrami i Vitit të Ri - Paradokse

Dikur moti, kur Bajrami kishte rënë në një ditë me Shëngjergjin, njerëzit e kishin pyetur një plak këtu në rrethinën e Shkupin se cilën festë ta festojmë. Çuditërisht ndonëse plaku mysliman e i devotshëm i kishte këshilluar ta festojnë Shëngjergjin sepse Bajrami nuk rri në një ditë. Mbajeni Shëngjergjin, kishte thënë plaku, se Bajramit nuk i dihet, luan shumë.
Kjo pak a shumë na ndodhi edhe neve sivjet: na u mblodhën plot festa për një javë a më pak, saqë njerëzit bile u turbulluan dhe kur dikujt i thoshe “Urime festën”, habitej se cilën festë, u bënë shumë. Së pari u fillua me Krishtlindjet katolike të Anton Sereqit, vijoi Bajrami i Naim Tërnavës i pasuar nga Bajrami i Sulejman Rexhepit që krejt të përmbyllen me Vitin e Ri të “të gjithëve”. Bile edhe Krishtlindjet e Stefanit sa nuk u përzien, që ashtu të ketë festa për të gjithë – festo e kënaqu, cilën festë dëshiron festoje se festa plot. Sivjet u realizua tamam ai urimi i pakuptimtë e përgjithësues “Urime festat”.
Ndonëse këto festat tjera, ajo e krishtlindjeve për të Krishterët dhe ajo e Vitit të Ri për të tjerët, krijuan kënaqësi, pushim dhe rehati në mesin e atyre që i festojnë, festa jonë e Bajramit i trullosi njerëzit. Sa çel e mshel sytë ndërrohej dita e Bajramit. Së pari ishim të njoftuar se Bajrami i bie të dielën, kjo sipas matjeve astronomike, kështu edhe ishte lajmëruar më parë në Kosovë, pastaj doli fjala se në Arabinë Saudite ku ishte në vijim haxhi, ishte ndërruar kjo ditë dhe tash Bajrami po bëhej të shtunën. Kjo nuk e di a kishte lidhje fort me astronominë, ama se kishte shumë lidhje me politikën, kjo u mor vesh qartë qysh këtu. Dhe, të kishte mbaruar ky cirk me kaq, ne edhe do ia bënim hallall, por kjo u shkaktoi mërzi edhe komuniteteve myslimane në trojet shqiptare: derisa ata të Shqipërisë tashmë njihen si “të përkëdhelurit” e turqve dhe sa nuk e kanë zëvendësuar Qaben me Sulltan Ahmetin, ndërsa ata të Kosovës sa nuk janë shpallur karasevdali pas Arabisë, këta tanët mbetën as te Hata as te Fata. Jo të shtunën jo të dielën, rrotullohej zari, derisa ra kështu: Kosova e ndërroi dhe e bëri sipas astronomisë saudite, pra të shtunën, ndërsa Shqipëria dhe ne mbetëm sipas astronomisë turke, pra të dielën. Desh u përziemë edhe në qiell.
Ndërkaq këtu në tokë zhvillohej dramë tjetër. Ajo shfaqej më shumë në rajonet kufitare ku ndonëse na i kanë vënë kufijtë fizikë, komunikimi mes nesh nuk është ndërprerë. Kjo sidomos u shfaq në fshatin Bllacë që ka shumë më tepër lidhje me Hanin e Elezit dhe fshatrat e tij se me Shkupin ku bie politikisht. Së pari ca pleq gjetën rastin që një herë në jetën e tyre t’i falin dy bajrame të njëjta, “të marrin një lumë sevapesh”, një në Han të Elezit të shtunën, një në Shkup të dielën. Në anën tjetër përkundër këtyre sevaplinjve pleq, një kiamet mallkimesh morën Sulejman Rexhepi e Naim Tërnava nga ato nuse, dhëndurë, vjehrra e miqësi që nuk dinin kur t’i organizojnë adetet e tyre. Kur të shkonte dhëndri i Seçishtes te gjyshja (vjehrra) e vet në Bllacë, ai të shtunën e kishte ditën e parë të Bajramit? Apo, si të shkonte dhëndri i Bllacës në darkën e dhëndurëve me baxhanakët në Seçishtë të shtunën kur këndej vendkalimit kufitar akoma nuk kishte arritur Bajrami. Telash u bë edhe për ato familje që duhej ta organizonin adetin e nishaneve të nuseve: si të shkonin për nishane nga Elez Hani në Bllacë ditën e dytë të Bajramit, pra të dielën, kur në Bllacë ajo ishte dita e parë e Bajramit. Problem e gjithë ditën. Nëmë e mallkime sa të duash për atë që e ndërroi ditën e Bajramit. Problem u paraqit edhe për haxhinjtë që në këtë bajram qëndronin në vendet e shenjta. Ata paraqiteshin të shtunën t’ua urojnë Bajramin familjeve të tyre që akoma nuk kishin bajram. Hajt medet, si u përzje puna! Po të kishte pasur bajrame më shpesh ç’do të kishin bërë këta njerëz!? Po të kishim qenë ne më afër me Pakistanin e Bangladeshin, na ruaj Zot, por ne vetëm që të jemi top-temë dhe për inat të dikujt, Bajramin do ta kishim shtyrë edhe të hënën, si në Isllamabad e Daka. Paramendoni çfarë hallakame do të bëhej atëherë. Sepse ne jemi të prirë për atraksione. Ruana Zot prej sahatit të ligë!
Megjithatë edhe kjo amulli e kishte një të mirë: të gjithë ata kosovarë që për arsye të ndryshme nuk kishin arritur të presin kurbane deri në ikindinë e ditës së katërt të Bajramit në Kosovë, këtë krejt rehat mund ta bënim vetëm nëse e kalonin kufirin e Bllacës, bile edhe aty te Bardhtë e Poshtëm në ndërmjetzonë, sepse aty Bajrami vazhdonte një ditë më vonë. E shihni, nuk ishte krejt zi, kishte edhe gjëra të bukura.
E krejt në fund, që kësaj pune t’ia vënë pikën, në një mënyrë t’ia lënë bajat edhe Naim Tërnavës edhe Sulejman Rexhepit, bile edhe atij të komunitetit të Shqipërisë, si e pat emrin, Selim Muçës, shqiptarët si në stilin e asaj anekdotës së fillimit të këtij teksti vendosën që bashkërisht ta kremtojnë Vitin e Ri. Këtu së paku nuk kishte mundësi të ndërhyjë askush. Qoftë kjo edhe festë huq.
Ndërkaq në qiell Hëna e Dielli e vazhdonin rrugën e tyre të caktuar nga Zoti pa u brengosur për çrregulluesit e rendit të Tij në Tokë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme