Mund të konstatohet se kjo qeveri edhe në këtë aspekt ka pasur suksese më të mëdha, pasi Turqia gjatë qeverisjes së AKP-së e mori statusin e kandidatit për në BE dhe më pas e fitoj të drejtën për të filluar negociatat, që është faza e fundit për anëtarësim të plotë në BE. Por në vitet e fundit kemi ngërç në rrugën e Turqisë për në integrimin në BE dhe, kjo jo vetëm me faj të saj, por shkak kryesor është ndërrimi i klimës politike në BE. Për ta shpjeguar këtë duhet që së pari të japë një shpjegim për rrugën e Turqisë në integrimin në BE dhe identifikimin e saj me Evropën.
Identifikimi i Turqisë me Evropën për herë të parë ndodh pas Luftës së Krimesë në sh.k. XIX. Gjatë kësaj periudhe Rusia kishte marrë hov që të shtrijë influencën e saj në Evropë dhe dëshironte të pushtojë apo të çlirojë Kostandinopojën (Stambollin) nga osmanlinjtë. Forcimi i Rusisë me siguri që nuk i konvenonte Anglisë dhe prandaj ajo e inkurajoi dhe e ndihmoi Turqinë që të luftojë invazionin rusë dhe qëllimet e saja. Rusia Cariste, e cila krishterimin e pranoi shumë më vonë, në krahasim me shtetet e tjera Evropiane, e zgjodhi si religjion shtetëror të saj krishterimin ortodoks, pasi një komision shtetëror i vizitoi qendrat e ndryshme religjioze, me qëllim që të gjejë një religjion më të përshtatshëm për Rusinë. Ky komision, me pajtim të Carit rus zgjodhën ortodoktizmin, që në atë kohë e kishte qendrën në Bizant apo më saktësisht në Kostandinopoje. Pas shkatërrimit të Bizantit nga osmanlinjtë, Rusia vazhdoi që të quhet trashëgimtare e ortodoksizmit dhe Kostandinopoja vazhdonte që të konsiderohej si vend shpirtëror i Rusisë, prandaj dhe donin ta çlirojnë atë. Kostandinopoja asokohe, edhe pse ishte nën sundim të osmanlinjve, vazhdonte të popullohej me thuajse shumicë ortodokse.
Pasi Turqia deri diku arriti që të ndalë hovin e Rusisë, në qarqet diplomatike evropiane, Turqia, edhe pse me rezervë filloj të trajtohet si pjesë e Evropës. Ky identifikim i Turqisë me Evropën u shprehë edhe në lëvizjet pan-evropiane të intelektualëve të kohës dhe pas saj, të cilët kishin për qëllim bashkimin e Evropës dhe evitimin e luftë-rave në Evropë.
Orientimi i Turqisë drejt Evropës dhe identifikimi i saj me të filloj seriozisht pas themelimit të Republikës së Turqisë me në krye Mustafa Kemalin. Pas Luftës së Dytë Botërorë, kur ideja për bashkimin e Evropës filloj gradualisht të materializohet në Evropë, Turqia në vazhdimësi ka insistuar që të jetë pjesë e këtij proçesi. Ajo në ndërkohë ka nën-shkruar disa traktate, me qëllim të afrimit me shtetet Evropiane. Në krahasim me disa shtete të tjera, që kanë mundur të lëvizin më shpejtë drejt integrimit në Bashkimin Ekonomik Evropian, Turqia ka ngecur në këtë proces për disa arsye, por një nga arsyet kryesore janë puçet ushtarake që i kanë ndodhur Turqisë pas periudhës së Luftës së Dytë Botërore.
Turqia hyri në një proces serioz të integrimit evropian, në kohën kur shtetet kryesore të BE-së udhëhiqeshin nga spektri politik i të majtëve. Sidomos në periudhën kur qeveria e Gjermanisë dhe ajo e Mbretërisë së Bashkuar, por dhe kryetari i Komisionit Evropian që ishte Italian, ishin me bindje të majtë. Situata ndryshojë atëherë kur partitë e djathta erdhën në pushtet në Gjermani e sidomos me ardhjen në pushtet të presidentit djathtist në Francë. Përderisa Gjermania sot i propozon Turqisë një partneritet të priveligjuar me BE e jo anëtarësim të plotë në të, presidenti i Francës as që do të diskutojë për anëtarësimin e Turqisë në BE, pasi, ai shoqërinë e Turqisë nuk e pranon si pjesë e identitetit evropian dhe si të tillë ata s’kanë pse të bëhen pjesë e BE-së. Por, si duket nga zgjedhjet e fundit rajonale që i humbi partia e presidentit të Francës, si rezultat i krizës ekonomike dhe, poashtu sipas mendimit tim për shkak të përulësisë së tij ndaj politikës së jashtme amerikane për shkaqe personale, forca e tij është në rënie të vazhdueshme, e, që do të thotë se Turqia do ta kalon më shpejtë se sa pritej edhe këtë sfidë për marrëdhëniet e saja me BE-në.
Kjo politikë hipokrite që ndodh me proçesin e integrimit të Turqisë në BE, me të drejtë e ka shtyrë, që kryeministri i Turqisë së fundi të pyesë Francën dhe Gjermanin, se a mos nuk duan ata që Turqia të bëhet anëtare e plotë e BE-së, për shkak se popullsia e sajë është muslimane. Por edhe pse Kryeministri e parashtron këtë pyetje dhe është i vetëdijshëm për përgjigjen e pyetjes së tij, ai vazhdon me këmbëngulje në rrugën për anëtarësim të plotë në BE.
Sipas mendimit tim janë disa arsye se pse Kryeministri insiston apo harxhon energji dhe kohë për anëtarësim në BE, edhe pse vetë është i bindur se për momentin dyert për Turqinë janë të mbyllura. Arsyet për këtë janë:
1. Harmonizimi i ligjeve, kjo është arsyeja kryeso-re që qeveria vazhdon kursin për t’u integruar në BE. Ligjet e Turqisë duhet të harmonizohen me ato të BE-së, pasi kjo është kërkesë e Komisionit Evropian, për mbylljen e proçesit të negociatave me BE-në para se Turqia t’i plotësojë kushtet për anëtarësim të plotë në të. Këto harmonizime të ligjeve ndodhin me sugjerim të Komisionit Evropian, pasi nëse Turqia aderon në BE, ajo duhet që rendin juridik të sajë ta ketë të ngjashëm me rendet juridike të shteteve të tjera anëtare të BE-së. Për rastin e Turqisë ky proçes është më i theksuar, por dhe më i komplikuar, pasi burimi i ligjeve është Kushtetuta, që është përpiluar në kohë të diktaturës ushtarake në Turqi dhe, kjo nënkupton automatikisht se në Turqi shumë ligje nuk i plotësojnë standardet e BE-së. Qeveria e Turqisë i shfrytëzon sugjerimet e Komisionit Evropian për t’u shpjeguar para faktorëve politik në Turqi dhe popullatës së saj se, harmonizimi apo ndërrimi i ligjeve është i domosdoshme për rrugën e integrimit evropian dhe demokratizimin e shoqërisë. Në këtë aspekt Qeveria ka arritur që të bëjë ndryshime të dukshme për sa i përket fjalës së lirë, liberalizimit të masmediave, ndryshime në kodin penal, kontrollin civil të ushtrisë si dhe për të drejtat e pakicave. Këto ndryshime që vijnë si sugjerime në formë të direktivave nga Komisioni Evropian, Qeveria i implementon dhe beson që ata në radhë të parë i interesojnë vetë partisë në pushtet, por dhe qytetarëve të Turqisë. Qeveria i bazon ndryshimet ligjore për demokratizim të shoqërisë në direktivat e Komisionit Evropian e jo në vetiniciativën e sajë për t’u justifikuar para kemalistëve, të cilëve nuk iu pëlqejnë këto ndryshime të ligjeve të imponuara nga ata. Kemalistët nuk guxojnë t’i bllokojnë këto ndryshime të ligjeve për shkak se e humbin reputacionin që e kanë krijuar brenda dhe jashtë shtetit, se vetëm ata janë për integrimin e Turqisë me perëndimin dhe për të argumentuar thënien e tyre se partia në pushtet ka qëllim të integrimit të Turqisë me lindjen.
2. Luftimi i propagandës, qeveria e vazhdon rrugën drejt BE-së, për arsye se kjo qeveri konservatore duhet të luftojë propagandën kundër partisë së sajë, e që kanë krijuar media vendase dhe të jashtme. Kjo propagandë mbështetet në supozimin se partia në pushtet ka plan të fshehtë islamik dhe, se kjo Qeveri ka për model Republikën Islame të Iranit dhe ajo tenton që dhe Turqia të ketë sistem politik të ngjashëm me atë të Iranit.
Për këtë arsye qeveria e Turqisë edhe pas provokimeve të shumta që i vijnë, sidomos nga shtetet e BE-së, të qeverisura nga qeveri të spektrit të djathtë, ka qenë e detyruar që mos e ndërrojë kursin kundrejt BE-së, për t’i dëshmuar opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm se nuk ka asnjë plan të fshehur.
3. Investimet e huaja, pozita gjeografike e Turqisë që lidhë një pjesë të Evropës me Azinë ndikon në rritjen e investimeve të huaja në të, sa herë që Turqia bën një hapë para drejt anëtarësimit në BE. Këtë e vërteton fakti që, pasi Turqia mori statusin e kandidatit për në BE dhe, pasi i hapi negociatat për anëtarësim në BE, investimet e huaja e sidomos atyre Aziatike u rritën shumë në Turqi. Tregu evropian përfshin 500 milion banorë, të cilët për shkak të standardit të lartë përfaqësojnë kapacitet të madh për konsumim. Për shtetet e Azisë e sidomos për shtetet e Lindjes së Mesme, të Kinës apo Japonisë afrimi i Turqisë me BE-në zgjon interes. Harmonizimi i ligjeve ekonomike të Turqisë me ato të BE-së, si dhe lehtësimet e proçedurave doganore për qarkullimin e mallrave në mes sajë dhe BE-së janë arsyet kryesor të rritjes së interesit për investim të shteteve të Azisë në Turqi. Për ta zhvilluar edhe më shumë këtë rend të ri e, që është në favor të Turqisë, pasi përveç rritjes ekonomike ndikon në zvogëlimin e papunësisë; qeveria së fundi ka lançuar një projekt për ta shndërruar Stambollin qendër të rëndësishme financiare ndërkombëtare.
Por sot gjasat e anëtarësimit të Turqisë në BE realisht janë dobësuar, por jo vetëm për faj të Turqisë, por edhe të BE-së, pasi propaganda e egër që është lançuar në media perëndimore kundër Islamit, në dekadën e fundit është shndërruar në islamofobi në perëndim dhe, ky realitet shoqërorë reflektohet edhe në politik, ku politikanët perendimorë, e sidomos ata të spektrit të djathtë, qëndrimin e tyre kundër anëtarësimit të Turqisë në BE, si shtet me popullsi muslimane e shfrytëzojnë për të arritur mbështetje politike më të madhe gjatë zgjedhjeve.
Ky qëndrim i BE-së kundrejt Turqisë natyrisht që reflektohet dhe në Turqi dhe, sot anketat publike tregojnë se dhe përkrahja e pa-rezervë e popullatës për anëtarësim në BE është në rënie të vazhdueshme. Por çfarë alternative i mbetet Turqisë, nëse nuk arrin që të anëtarësohet në BE? Alternativa e Turqisë me siguri që nuk do të ishte izolimi i sajë në këtë periudhë të globalizmit, ku shtetet për t’i përballuar sfidat ekonomike lidhin aleanca me shtete të tjera, për shkak se në skenën ndërkombëtare dëgjohet vetëm zëri i të fuqishmëve.
Sipas disa politikanëve, Turqia nuk duhet të insistojë për anëtarësimin në BE, pasi BE-ja është një komunitet vlerash, ku vlerat e veta i identifikojnë me krishterimin. Turqia si vend me popullsi muslimane nuk e ka vendin aty dhe nuk do të ndihej e barabartë me shtetet e tjera. Sot edhe në Turqi diskutohet për alternativa të tjera, por ende me një rezervë të madhe, pasi kjo ende nuk ka përkrahje të publikut. Diskutohet për mundësinë e krijimit të një bashkimi tjetër në mes të disa shteteve, që do ta kishin si model funksionimin e BE-së, e, në të cilin bashkim ekonomik, politik dhe kulturor Turqia do të kishte rol udhëheqës. Ky bashkim do të bëhej me shtetet e tjera turke, të cilat përbëjnë një tërësi territoriale të pandashme me burim të njëjtë gjuhësor dhe fetar, tregues këto që janë parakushte për krijimin e një identiteti të përbashkët politik.
Kjo bashkësi e influencuar nga Turqia do të mund të përbëhej nga Azerbejxhani, Turkmenistani, Kazakistani, Uzbegistani dhe Kirgistani.
Por, ky projekt sot duket i largët për tu realizuar, që nuk do të thotë që është e pamundur për tu realizuar. Sot ky projekt nuk do të kishte përkrahje te shumica e popullatës së Turqisë, pasi shumica ndihet se është pjesë përbërëse e identitetit evropian. Por identiteti si fenomen politik krijohet, ai nuk lindë dhe, mund të ndryshojë në bazë të planeve të përbashkëta të një kolektivi.
Qeveria e Turqisë jep shenja që është duke punuar për ndërrimin gradual të këtij identiteti dhe, se punon gradualisht për këtë projekt alternativ. Do të mjaftonte që të shihen vetëm shifrat e investimeve të Turqisë në shtetet e lartpërmendura dhe, do të konstatohet se ajo është investitori kryesor i huaj në shtetet e lartpërmendura. Turqia poashtu nëpërmjet kolegjeve private ndikon në sistemin arsimor në ato shtete, përderisa studentëve e tyreve iu mundëson që të studiojnë në universitetet e saja. Kritika e ashpër e Kryeministrit kundrejt Kinës pas rastit të konfliktit të pakicës ujgure në Kinë, si dhe kujdesi që tregon Turqia për pakicat muslimane në Federatën e Rusisë, janë tregues se Turqia sot ndihet se është në gjendje që t’i përfaqësojë popujt me prejardhje të përbashkët turke dhe, se përpiqet në ri-identifikimin e identitetit të saj.