
Gazetari i televizionit Klan, Blendi Fevziu, në emisionin Opinion të datës 24 dhjetor 2009, me temë: “Krishtlindjet”, bëri shoun mediatik të radhës në televizionin e të fortit mediatik Aleksandër Frangaj. Shout e Blendi Fevziut që kur në Shqipëri erdhi në pushtet qeveria Berisha, shkojnë e nga shkojnë, por vetëm partinë në pushtet nuk e prekin, pasi prekja e partisë në pushtet nënkupton prekje të bizneseve të pronarit të TV Klan-it dhe si pasojë heqja e rrogës së Blendi Fevziut. Shterpësia e këtyre emisionesh vjen si pasojë e përpjekjeve që Blendi Fevziu bën sa herë, që këto emisione të dalin sa më politikisht korrekt që të jetë e mundur dhe të mos mërzisin partinë në pushtet: Doktorin, Jozefinat dhe Melisa Dodat e pushtetit të vendit tonë. Edhe fytyrat që ftohen në opinionet e Fevziut janë po të njëjtat, si në teatrin e kukullave në Tiranë, ku të njëjtat fytyra luajnë shumë pjesë.
Në emisionin me të cilin dua të merrem në këtë shkrim, dedikuar “Krishtlindjeve”, Blendi Fevziu deklaroi se në Shqipëri po rikthehet tradita e festimit në mënyrë të barabartë të festave fetare. Në të njëjtin emision u bë edhe thirrje për kontribut për dhurata për Shtëpinë e Fëmijës. Mua si besimtare muslimane që jam, pyetja e parë që me erdhi ndër mend kur po shihja këtë shou ishte “a ekziston në arkivat e emisionit Opinion ndonjë debat me temë: Bajrami?” Pyetja ime retorike nuk kishte nevojë për përgjigje, por si gjithmonë më shkakton një nënqeshje të hidhur, pasi dihet që gazetari Blendi Fevziu dhe padroni i tij katolik Frangaj, nuk do të linin organizimin e një emisioni të këtillë në televizionin filokatolik Klan. Në këtë emision ne shohim njerëz si Maks Velo që fyejnë muslimanët, dhe edhe kur aty del ndonjë musliman, Fevziu mundohet me duar e me këmbë që të ruajë fenë e bukëdhënësit të tij.
Por pyetja që unë dua ti drejtoj Fevziut në këtë shkrim është se ku e sheh barazinë e festimeve fetare në Shqipëri ky gazetar? Mos vallë tek minutazhet e publicitetit dedikuar urimeve për festat e muslimanëve dhe atyre të të krishterëve që ndryshojnë në përpjesëtime marramendëse? Apo tek investimet dhe fondi që Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj i krishterë i dedikon zbukurimit të qytetit, kur vinë festat e krishtera dhe bëhen shpenzime marramendëse?
Me rastin e Krishtlindjeve, zoti kryetar i bashkisë, Edvin Rama, i bën vizita fëmijëve të sëmurë nëpër spitale me dhurata masive, shtron dreka madhështore për të varfër, ndërsa për Bajram është mjaftuar vetëm duke i dhënë nga “një pjatë me pilaf” disa tipave nga Komuniteti Musliman.
Ku e sheh barazinë e festimeve të festave fetare ti, zoti Fevziu? Mos ndoshta në faktin që ne besimtaret dhe besimtarët muslimanë falemi nëpër rrugët me baltë të Tiranës, ndërsa të krishterët ortodoksë dhe katolikë falen si zotërinj nëpër katedralet e tyre që janë fringo të reja dhe që janë të ndërtuara mbi tokat e muslimanëve të Tiranës, në një kohë që ne na ndalohet e drejta e ndërtimit të një xhamie të madhe?!
Bëni një llogaritje të thjeshtë matematikore të bilanceve z. Fevziu, për sa i përket shpenzimeve që bëhen për Bajram dhe të atyre që bëhen për Krishtlindje apo festa tjera pagane dhe do ta gjeni përgjigjen e barazisë që ju pretendoni ...
Apo nëse do të bindesh edhe më shumë, shko të lutem deri në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve e cila ka vënë në ndërtesën e saj drita zbukurimi, ku ministri Ferdinand Xhaferri ju uron shqiptarëve gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, ndërsa për Bajram askush nuk është kujtuar që t’i urojnë besimtarët muslimanë në këtë formë ekstravagante. Shko z. Fevzi, shko në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe pyete Nand Xhaferrin pse ai duhet të urojë Krishtlindjet në një formë kaq pompoze, në një kohë që kur vjen puna te ne gratë me shami, kjo Republikë që ne kemi na thotë që ju gratë me shami dilni jashtë pse administrata është “laike”? Kur në të njëjtën kohë në Pallatin e Operës dhe Baletit shfaqet "Salome-ja" një opera, legjenda e së cilës merr spunton dhe subjektin nga Bibla.
Ju z. Fevziu e dini fare mirë që në Shqipëri nuk ka barazi fetare pse në një kohë që ne gratë me shami diskriminohemi dhe nuk na punësojnë në shtet, fotot e Nënë Terezës gati sa nuk thyejnë muret e prokurorive, ministrive dhe institucioneve servile të këtij vendi, anëtar i NATO-s (pa dyshim).
Apo nëse do edhe një tjetër fakt, unë të sugjeroj të shohësh hapjen e Festivalit të 48-të të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar, i cili u zhvillua në Pallatin e Kongreseve, ku në gamën e gjerë të performancave që u lëshuan aty, kishim fatin të shikonim edhe sa e sa versione të këngëve “Ave Maria”, meqenëse ky eveniment përkonte me festën e Krishtlindjeve.
Prandaj z. Fevziu, ju e dini mirë se në këtë realitet ku ne jetojmë, muslimanët janë pjesa më e poshtëruar e kësaj shoqërie. Nëse të dhimbsemi sadopak, ne të diskriminuarit e kësaj shoqërie, duhet mundësisht që atë fjalën barazi ta heqësh nga fjalori, pse pastaj do na duket sikur jemi duke lexuar Xhorxh Oruellin në “Fermën e Kafshëve” ku Derri shkon dhe shkruan që “të gjithë janë të barabartë, por disa janë edhe më të barabartë”.