Liria dhe paracaktimi

     

 

            Arsyeja për këtë janë transmetimet autentike, hadithet, që transmetohen prej Muhammedit a.s. në të cilët gjithnjë përsëritet porosia e njëjtë se popujt e vjetër janë shkatërruar pikërisht për shkak sepse së tepërmi i janë dhënë të menduarit dhe shqyrtimeve për këtë dhe se neve nuk na lejohet që të preokupohemi pas temave të këtilla. Serioziteti i këtyre qortimeve të Pejgamberit a.s. është theksuar edhe më shumë me atë sepse është e njohur se ky është një ndër shkaqet e rralla të hidhërimit të tij. Vërtetë Pejgamberi a.s. është personalitet i qetësisë, butësisë dhe durimit të jashtëzakonshëm dhe me sjellje më të mira dhe se janë shumë të rralla gjendjet kur ai hidhërohej, kurse këtë e bënte vetëm atëherë kur e shihte diçka që ishte jashtëzakonisht e rrezikshme për fenë dhe për komentimin dhe aplikimin korrekt të fesë. Dhe pikërisht në hadithe theksohet se gjithnjë kur dëgjonte apo i shihte shqyrtimet për atë se çka konkretisht dhe sa në jetët tona është e paracaktuar prej Zotit dhe çka dhe sa sërish na është dhënë neve të lirshëm të zgjedhim, aq është zemëruar sa i skuqej fytyra dhe i fryhej damari ndërmjet vetullave dhe gjithnjë në mënyrën më energjike i ndalonte shqyrtimet e llojit të tillë.

Prandaj, kushdo që ndien dëshirën që t’ia shtrojë vetes pyetjet e theksuara dhe të lëshohet në përsiatje dhe diskutime të mëdha për këtë, duhet të dijë se vjen në një terren mjaft të rrezikshëm dhe të rrëshqitshëm në të cilin mendja njerëzore lehtë mund të rrëshqasë dhe që, Allahu mos dhëntë, të rrezikohet edhe vetë feja. Qortimet energjike të Pejgamberit janë shenjë e mjaftueshme se në këtë territor kanosen shumë kurthe shejtani kurse një prej tyre, të cilin ne mund ta arrijmë me dijen tonë të kufizuar është ajo që Zotit t’i përshkruajmë padrejtësi, Zoti na ruajt nga kjo. Kjo rrezikshmëri do të manifestohej në përsiatjen e tillë: Nëse Zoti ia ka paracaktuar që të bëhet mosbesimtar, i tilli nuk ka kurrfarë gjasash që të bëhet besimtar, e përse ai të ndëshkohet me zjarr në atë botë – nëse do të ndëshkohet atëherë kjo është padrejtësi të cilën atij ia ka bërë Zoti?! Përse do të ndëshkohej kur paraprakisht i është përcaktuar jetë e gabueshme?! Është e qartë se të kritikohet Zoti dhe të gjykohet për urdhrat e Tij është mëkat mjaft i rëndë, madje për më tepër, kjo lehtë mund të bëhet akt i kundërshtimit të vrazhdë të hapur ndaj Allahut të dashur, kurse kjo është pikërisht ajo që Iblisi, qoftë i mallkuar, e ka bërë.

Mendojmë se kjo është e mjaftueshme të tregojë ne rrezikun i cili me vete bartë përsiatjet e tepruara dhe sidomos në diskutimet mbi çështjen e lirisë dhe të paracaktimit. Për disa kjo është e mjaftueshme dhe ata, kur njoftohen për urdhëresën e Muhammedit a.s. nuk shkojnë në kurrfarë diskutime. Mirëpo, ndodh shpesh, sidomos në epokën bashkëkohore, se për njerëzit shpjegimi i tillë nuk u mjafton sepse arsyeja njerëzore sipas natyrës së tij është dashamirës i pyetjes dhe dëshiron të mësojë sa më shumë që mundet. Për të tillët ka nevojë ndonjë shpjegim i arsyeshëm dhe ata nuk mund të kënaqen vetëm me porosinë që të braktiset çdo përsiatje dhe diskutim i tepruar. Për këtë arsye e konsiderojmë të detyrueshme të themi diçka për këtë temë aq sa arsyeja jonë mund ta absorbojë.

E para që duam ta themi është se pa dyshim Allahu i gjithëmundshëm paraprakisht ka përcaktuar me përcaktimin e Tij tërë ndodhinë jo vetëm me jetët njerëzore por edhe për jetët dhe fatet e të gjitha krijesave: melekëve, xhinëve, kafshëve, bimëve dhe të të gjithëve. Ai, qoftë i falënderuar dhe i lavdëruar, me dijen e pakufishme ka përcaktuar të gjitha ndodhitë në tërë universin. Kjo është krejt e qartë sepse Allahu është larg çdo kufizimi më të hollësishëm në cilindo aspekt. Atë askush nuk e kufizon, as hapësira, as koha, as fuqia, as dija, deri sa Ai me urdhrin e tij përcakton kufijtë për të gjithë të tjerët të cilët i ka krijuar dhe të cilët krejtësisht janë të varur nga Ai. Prandaj, Ai me gjithëdijën e Tij e përfshin çdo gjë dhe asgjë nuk mbetet jashtë përfshirjes, dijes dhe përcaktimit të Tij. Kjo pikërisht do të thotë paracaktimi i çdo gjëje nga ana e Allahut xh. sh..

Mirëpo, ne e dimë, nga ana tjetër, se njerëzit (po ashtu dhe xhinët) kanë lirinë e zgjedhjes së mënyrës së jetës të cilët do të jetojnë në Tokë. Neve vërtet na është dhënë liria në zgjedhjen e rrugës së të mirës dhe të keqes dhe në pajtim me këtë e kemi edhe përgjegjësinë për veprimet tona. Liria jonë e vullnetit mundëson se mund ta fitojmë shpërblimin apo ndëshkimin varësisht nga zgjedhja jonë dhe veprat tona të cilat i bëjmë sipas vullnetit tonë të lirë.

Si t’i pajtojmë këto dy gjera, e para thuhet se çdo gjë, pikërisht çdo gjë paraprakisht është e përcaktuar nga Allahu dhe se atëherë thuhet se njerëzit kanë lirinë e veprimit e cila tërheq me vete përgjegjësinë?!

Sipas mendimit tonë pajtimi ndërmjet këtyre dy të vërtetave, vetëm në dukje kundërthënëse, konsiston si vijon: Kur flitet për paracaktimin absolut të çdo gjëje dëshirohet të thuhet se çdo gjë zhvillohet ashtu si është shkruar moti, qysh në kohën parazanafillore, në Librin e Allahut (Lewhi mahfudh) caktimi dhe fati. Ky Libër është absolut, përfundimtar dhe gjithëpërfshirës dhe asgjë nuk mund të ndodh jashtë asaj çka është shkruar në të. Nga ana tjetër, kur flitet për lirinë kjo i përket lirisë në bazë të çkahit edhe Allahu i dashur përcaktoi çka do të shkruhet në Lewhi mahfudh. Aty ku Allahu nuk lejoi liri për krijesat e Tij Ai ka caktuar çka do të shkruhet në Librin e caktimit sipas vullnetit të Tij, kurse aty ku i dha liri krijesave të Tij, Ai ka caktuar çka do të shkruhet në bazë të vullnetit të krijesave të Tij, kurse i cili për Të është paraprakisht dhe gjithnjë i njohur.

Prandaj, ne e dimë se disa gjera janë të lidhura me fatin tonë për ne të paracaktuara me caktimin direkt të Allahut dhe ne assesi nuk mund t’i shmangim, kurse ato të tjerat neve na janë dhënë në vullnet të lirë dhe se për këto jemi përgjegjës. Mirëpo, ne nuk mund t’i identifikojmë, d.m.th., ne kurrë nuk mund t’i dallojmë se cila nga situatat tona konkrete jetësore bën pjesë në cilën kategori dhe kjo është ajo që nuk guxojmë as të tentojmë sepse Pejgamberi na ka ndaluar këtë dhe se me këtë i afrohemi skajit të rrezikshëm. Allahu i dashur cakton ku dhe sa liri të vullnetit do të na jep, respektivisht ku dhe sa do të na merr, kurse ne për këtë nuk kemi kurrfarë dije as informacioni. Aty ku sipas vullnetit të Tij na ka dhënë liri, Allahu ka caktuar që në Librin e fatit tonë të shkruhet sipas vullnetit tonë të lirë, kurse e cila gjithnjë ka qenë për Të e njohur. Kurse aty ku ka vendosur të mos na jep liri Allahu ka caktuar që të shkruhet sipas vullnetit të Tij. Pasi që çdo gjë është shkruar në Librin e fatit, nuk mund të ndodh assesi ndryshe por si është shkruar dhe ky është caktimi i plotë, determinizmi i plotë.

Kjo, sipas mendimit tonë, është e tëra që për këtë temë guxohet të thuhet dhe të përsiatet dhe çdo përsiatje dhe sidomos diskutim i mëtejmë, është i panevojshëm dhe madje mund të jetë edhe i rrezikshëm. Me këtë duhet të kënaqemi dhe të mos pyesim dhe të hulumtojmë më tej.

Mirëpo, kjo assesi nuk mund të kuptohet si rekomandim i që t’i lëshohemi pasivisht fatit as aspak angazhim që të bëhet diç aktive. Është e drejtë e jona por njëkohësisht edhe detyrim yni, ta bëjmë qëllimin (nijetin), t’i bëjmë lutje Allahut të dashur sa më mirë që mundemi, kurse është e Allahut çka dhe sa do të sendërtohet dhe çfarë frytesh do të japin.

Ne mund të ulemi pranë fushës së papunuar dhe të presin që ushqimi të vjen nga qielli. Ne duhet të sjellin nijet të pastër që duam të punojmë vetëm në emër të Allahut të madhërishëm, dhe për dashurinë dhe kënaqësinë e tij, në mënyrë që ta marrin nafakën tonë me punë që Ai e ka bërë një nga rrugët e arritjes së saj hallall. Pastaj duhet t’ia drejtojmë duanë që të na frymëzojë që arën tonë ta punojmë në mënyrën më të mirë dhe më efikase dhe të na ndihmojë në këtë. Kur e kemi bërë nijetin dhe ia kemi drejtuar duanë na mbetet që të angazhohemi ta përpunojmë arën tonë dhe atë sa më mirë dhe sa më shumë që mundemi. Kur këtë e kemi kryer krejt, vetëm atëherë pasivisht i lëshohemi caktimit të Allahut dhe presim çka do të na jep Allahu i dashur si rezultat. Mund të ndodh që ai të na sprovojë me rezultate të shumta që të shihet a do të jemi falënderues dhe a do ta ndajmë një pjesë apo jo në rrugën e Tij. Mund të ndodh që të na sprovojë me rezultate të dobëta apo me dëmtimin e të lashtave që të shihet a do të jemi të durueshëm. 

Që edhe njëherë ta theksojmë nevojën dhe domosdoshmërinë e raportit aktiv për këto çështje. Këtë tekst e përfundojmë me një transmetim të cilin mund ta gjejmë në librat e vlefshme islame. Me fjalë të tjera, transmetohet se Iblisi, qoftë i mallkuar, njëherë i erdhi Isait a.s. dhe i tha afërsisht këtë: “Ti thua se çdo gjë paraprakisht është e caktuar dhe se asgjë nuk mund të bëhet jashtë kësaj. E nëse kjo është kështu, përse nuk ngjitesh në shkëmbin e lartë dhe të hedhesh poshtë sepse edhe ashtu do të bëhet vetëm ajo që [të është caktuar.” Isai a.s. iu përgjigj: “Nuk është e njeriut që Krijuesin e tij ta vë në sprovë, por Krijuesi e sprovon robin e tij ashtu si dëshiron Ai”. Prandaj, nëse do të ishim tërësisht pasiv kjo do të mund të kuptohej se ne Allahun e madhërishëm po e vëmë në sprovë. Nijeti, duaja dhe angazhimi janë të drejtat tona dhe detyrimet tona kurse çdo gjë tjetër, edhe para edhe pas këtyre tri gjerave, është e Allahut, dhe duhet të përpiqemi që ashtu çfarë është ta pranojmë me durim dhje me kënaqësi.

 

 

Përktheu: N.I.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme