Të vetmuar në Lindjen e Mesme?!

image

 

Llogaritë e gabuara




Duke lexuar komentet e fundit mbi “vetminë” e supozuar të Turqisë në politikën e re të Lindjes së Mesme, të krijohet përshtypja se po jetojmë në vitet e para të shekullit të njëzetëose në një pjesë tjetër të botës.
Mbase domethënia e fjalës “vetmi” ka ndryshuar pa e kuptuar ndokush. E tërë hiperbola mbi Turqinë e tërhequr zvarrë në “moçalin” e Lindjes së Mesme, të lënë jashtë në të ftohtë, që po luan dhe po humbet një bast të rrezikshëm etj., u referohet më pak fakteve në terren se kritikës së pavend dhe përllogaritjeve meskine mbi politikën e brendshme. Pjesë e saj është maskimi i neo-orientalizmit si analizë strategjike.
Le t’u hedhim një sy së pari fakteve. Turqia fitoi zemrën dhe mendjen e njerëzve në botën arabe dhe islame me mbështetjen e revolucioneve arabe. Ajo po ashtu fitoi besimin e aktorëve të rinj. Në Tunizi, Libi dhe Egjipt kemi tashmë një udhëheqje të re politike dhe e tërë ajo ka marrëdhënie të mira me Turqinë. Nga lëvizja Nahda në Tunizi te presidenti Muhammed Mursiu në Egjipt kuadrot e rinj kanë një vizion politik të ngjashëm me atë të Turqisë mbi Lindjen e Mesme dhe politikën globale.
Turqia ka marrëdhënie të mira me vendet e Gjirit Persik, duke përfshirë Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin e Bahrejnin dhe bashkëpunon ngushtë me to për çështje të ndryshme politike, ekonomike dhe të sigurisë, si edhe në rastin e Sirisë. Ndërsa Jemeni po pëson një shndërrim të ngadaltë dhe të dhimbshëm politik, Turqia po e ndihmon pa e ndier udhëheqjen politike jemenase, duke hapur ndërkaq fusha të reja bashkëpunimi.
Kryeministri Rexhep Tajjip Erdogan u distancua nga kryeministri irakian Nuri el-Maliki pasi ky i fundit filloi të marrë masa drakoniane ndaj kundërshtarëve të tij, duke i tëhuajtur sunnitët e kurdët dhe duke e shtënë vendin në një qorrsokak politik. Kritikët duket se e harrojnë që ftohja e marrëdhënieve midis Erdoganit dhe Malikit është rezultat i rritjes së përmasave të krizës së brendshme politike në Irak. Unë besoj se kriza aktuale ka për t’u tejkaluar shpejt dhe të tërë aktorët politikë në Irak kanë për t’u kthyer te politika e konsensusit.
Turqia ka mendim të ndryshëm nga Irani në lidhje me Sirinë, por ky nuk është fundi i marrëdhënieve turko-iraniane. Të dyja vendet e mirëkuptojnë peshën strategjike të njëri-tjetrit.
Tani le të kthehemi nga Siria, ku shpotia e re është se Turqia na qenka lënë vetëm. Kritikët pretendojnë se Turqia ka luajtur bixhoz dhe ka humbur në Siri, sikur loja të kishte mbaruar tashmë dhe të ishin shpallur fituesit. Turqia, argumentojnë ata, është lënë jashtë, në të ftohtë, nga miqtë dhe aleatët e saj, përfshirë amerikanët, sauditët, katarasit, europianët, etj.. Ca shprehen më tutje se forcat e neoimperializmit po e shtyjnë Turqinë në një luftë me Sirinë, që do ta zhyste më tej atë në luftërat e subvencionuara të Lindjes së Mesme. Këto kritika do të kishin merituar të merreshin seriozisht në konsideratë nëse do të ishin mbështetur në faktet në terren, por nuk është kështu. Të pretendosh se Turqia është vetëm në lidhje me Sirinë do të thotë gjithashtu të pretendosh se kundërshtarët e regjimit të presidentit sirian Beshar el-Esad janë vetëm dhe se regjimi i tij ka shumë mbështetës. A është kështu vërtet? Sa vende e mbështesin sot Beshar el-Esadin?
Regjimi i Esadit e ka humbur legjitimitetin në sytë e shumicës dërrmuese të popullit sirian, në sytë e pjesës më të madhe të arabëve dhe myslimanëve, e të pjesës tjetër të botës. Tre takimet e fundit të grupit të Miqve të Sirisë, të mbajtura në Tuniz, Stamboll dhe Paris, mblodhën bashkë thuajse njëqind vende dhe organizata ndërkombëtare.
Ligjërimi i “Turqisë së vetmuar” është nënprodukt i politikës së brendshme turke. Partia kryesore opozitare, Partia Popullore Republikane (CHP) lë të kuptohet se revoltat arabe janë një komplot neoimperialist. Drejtuesi i CHP-së, Kemal Këllëçdaroglu, u shpreh në televizionin CNN TÜRK para nisjes për në kongresin e Internacionales Socialiste se “liria dhe demokracia janë lojërat e reja të imperializmit” dhe se “publiku turk duhet të ndërgjegjësohet për këtë”. Këto komente tronditëse zbulojnë “vizionin global” të CHP-së. Në dallim nga kjo, Internacionalja Socialiste, zëvendëkryetar i së cilës është tani Këllëçdaroglu, u dha mbështetje të fuqishme revolucioneve arabe. Komunikata përfundimtare, e lëshuar nga Internacionalja Socialiste më 1 shtator, thoshte: “Internacionalja Socialiste vendos që me nisjen e këtyre lëvizjeve në anën e atyre që luftojnë në botën arabe për objektivat dhe parimet tona të përbashkëta, për drejtësinë shoqërore, për të drejtat e njeriut, për lirinë e fjalës dhe të shprehjes, për demokracinë përfaqësuese, edhe angazhimi ynë ndaj kësaj kauze mbetet i palëkundur”.
Internacionalja Socialiste ishte tërësisht e qartë në lidhje me Sirinë. Ajo u shpreh: “Keqtrajtimi i vazhdueshëm i popullit sirian është një fyerje për njerëzimin dhe regjimi i Esadit, i cili është përgjegjës për vdekjen e mijëra civilëve sirianë, e ka humbur të gjithë legjitimitetin”.
Regjimi i Esadit i ka çuar dëm njëra pas tjetrës mundësitë për ta bërë Sirinë një vend demokratik, pluralist dhe të begatë. Taktikat e tij brutale kundër popullit sirian kanë marrë tashmë më shumë se 20.000 jetë njerëzish, e me mijëra janë dhe të lënduarit e të shpërngulurit. Të ashtuquajturat përllogaritje strategjike nga politikanët, të bëra dhe të konsumuara çdo ditë, nuk mund ta fshehin këtë kosto njerëzore./Shenja-Almakos

Përktheu:
Bujar M. Hoxha                     

* Autori është kryekëshilltar i kryeministrit të R. së Turqisë për politikë të jashtme.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme