Parimet juridike lidhur me mishin e derrit

Në të vërtetë, ngrënia e mishit të derrit është e ndaluar edhe në të gjitha fetë hyjnore, si në Hebraizëm e në Krishterizëm. Në Tevrat (Dhiata e Vjetër, Libri i shenjtë i hebrenjve) derri është konsideruar si kafshë e papastër dhe është ndaluar ngrënia e mishit dhe prekja me dorë e cofëtinës së tij: "Edhe derri është i ndaluar për ju. Ai është vërtetë me thundra të ndara, por nuk është ripërtypës. Mos hani asnjërën prej këtyre kafshëve dhe mos i prekni kur ngordhin. Ju duhet t?i mbani ato për të papastra" (Libri i Besëlidhjes së ripërtërirë, 14:8); "Gjithnjë kam qenë gati për ta pritur mirë popullin tim, i cili me kokëfortësi bën keq dhe shkon udhës së vet...Ata hanë mish derri dhe pinë lëng mishi prej flijimesh pagane. Pastaj u thonë të tjerëve: ?Largohuni prej nesh; ne jemi shumë të shenjtë, prandaj nuk duhet të na prekni!? Njerëz të tillë i urrej - zemërimi im kundër tyre është si një zjarr që nuk shuhet kurrë" (Libri i Profetit Jeshaja, 65:2-5);" Zoti thotë: ?Do të asgjësohen të gjithë ata që rrethojnë turma-turma priftërinjtë idhujtarë dhe marrin pjesë në flijimet që bëhen në korijet e shenjta, të gjithë ata që hanë derra, minj dhe ushqime të tjera të papastra. E di mirë se çfarë bëjnë atje?" (Libri i Profetit Jeshaja, 66:17-18).

Kurse, në Inxhil (Dhiata e Re, Libri i shenjtë i të krishterëve) nuk hasim dot ndonjë shprehje të qartë që e ndalon ngrënien e mishit të derrit edhe pse vetë derri vende-vende është përmendur me nënçmim: "Mos u jepni qenve për ushqim gjëra të shenjta! Mos ua hidhni derrave margaritarët tuaj. Ata vetëm sa do t?i shkelin, e pastaj do të hidhen kundër jush për t?ju sulmuar" (Ungjilli sipas Mateut, 7:6); "Aty pranë në shpatin e malit po kulloste një tufë e madhe derrash. Shpirtrat e këqij iu lutën: ?Na dërgo ndër derra që të hyjmë në ta! ? Jezusi i lejoi. Ata dolën nga njeriu, hynë në derrat dhe e gjithë tufa u lëshua drejt greminës, u hodh në liqen dhe u mbyt. Ishin afro dy mijë krerë. Barinjtë e derrave ua mbathën këmbëve dhe treguan në qytete e fshatra se ç?kishte ndodhur" (Ungjilli sipas Markut, 5:11-14). Mirëpo, kjo gjendje shpjegohet me qëndrimin e Palit i cili, duke dashur që ta mbjellë Krishterizmin ndër shoqëritë që thellë-thellë e kishin bërë shprehi konsumimin e mishit të derrit, shprehjet që e ndalonin mishin e derrit i ka nxjerrë prej Inxhilit (Ungjillit) dhe e ka nisur një praktikë të re të cilën e ka shprehur duke marrë për bazë këto parime: "Pastaj Jezusi e ftoi popullin t?i afrohej e i tha: ?Dëgjoni mirë e kuptoni! Njeriun nuk e ndot ajo që i hy në gojë, por ajo që i del nga goja?" (Ungjilli sipas Mateut, 15:10-11); "Gjithçka që shitet në treg, hahet lirisht. Nuk ka nevojë të të vritet ndërgjegjja për këtë, as të shqyrtosh prejardhjen e mishit" (Letra e Parë Drejtuar Bashkësisë së Korintit, 10:25).

Në Kur’an disa herë përsëritet se është bërë haram (ndaluar rreptësisht) ngrënia e kafshës së ngordhur, e gjakut të derdhur, e mishit të derrit dhe e kafshës që nuk është prerë në emër të All-llahut xh.sh., por në emër të ndonjë hyjnije tjetër apo të ndonjë personaliteti a sendi tjetër të ngritur në kult. Kështu në Kur?an thuhet:

"(All-llahu) ju ka ndaluar juve vetëm të ngordhtën, gjakun, mishin e derrit dhe atë që therret jo në emër të All-llahut. E kush shtrëngohet (të hajë nga këto) duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, për të nuk është mëkat. Vërtet All-llahu fal, është mëshirues" (el-Bekara, 2:173);

"Juve ju janë ndaluar (t?i hani): ngordhësirën, gjakun, mishin e derrit, ajo që therret jo në emrin e All-llahut, e furmja, e mbytura, e rrëzuara, e shpuara (nga briri i tjetrës), ajo që e ka ngrënë egërsira, përveç asaj që arrini ta therrni (para se të ngordhë), ajo që është therrur për idhuj dhe (ju është e ndaluar) të kërkoni me short fatin. Kjo është mëkat ndaj All-llahut" (el-Maide, 5:3);

"Thuaj: ?Në atë që më është shpallur mua (në Kur?an) nuk po gjej të ndaluar diçka nga ushqimi, përveç në qoftë se ai (ushqim) është: cofëtinë, gjak i derdhur ose mish derri, e ai është i ndytë, dhe pos asaj që është therrur jo në emër të All-llahut (por të ndonjë idhulli) e që është mëkat. E kush detyrohet (t?i hajë këto të ndaluara), por duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, Zoti yt është që fal e mëshiron shumë" (el-En’am, 6: 145) dhe "Ai ju ndaloi juve vetëm cofëtinën, gjakun, mishin e derrit dhe atë që therret jo në emër të All-llahut. E kush detyrohet (t?i hajë) duke mos qenë dhunues dhe duke mos e tepruar (në ngrënie), Allllahu ia fal dhe është mëshirues (ndaj tij)" (en-Nahl, 16: 115).

Po kështu në Kur?an thuhet se gjithçka që është e pastër është e lejuar (hallall) për njerëzit, kurse gjithçka që është e pistë dhe e ndytë është e ndaluar (haram), (el-A?raf, 7:157; Taha, 20:81; el-Mu?minun, 23:51). Edhe Muhammedi a.s. vazhdimisht e ka mbështetur këtë ndalesë duke thënë: "All-llahu dhe Pejgamberi i Tij jua kanë ndaluar shitblerjen e verës (alkoolit), mishin e kafshës së ngordhur, derrin dhe idhujt!". Kurse në vazhdim të hadithit ka thënë se është haram përdorimi i dhjamit të cofëtinës edhe për lustrimin (dyllosjen) e anijeve, për lyerjen e lëkurave dhe për ndriçim si lëndë djegëse (qiri etj.), (Buhariu, Buju? :112; Ebu Davudi, Buju? : 66; Tirmidhiu, Buju? : 61). Për nga aspekti i ngrënies, juristët islamë janë të një mendimi se nuk ka dallim midis mishit dhe dhjamit të derrit dhe se të dyja janë haram.

Sa i përket përdorimit të pjesëve të derrit, fjala vjen të dhjamit të brendshëm, qimeve etj. jo për nevoja ushqimore, shumica e juristëve muslimanë duke i komentuar ajetet dhe hadithet gjegjëse, kanë arritur në përfundimin se edhe këto janë të papastra dhe të ndaluara.

Mendimtarët islamë, me qëllim që ta sqarojnë arsyen e ndalimit të mishit të derrit, insistojnë në theksimin e ndikimit negativ të mishit të derrit mbi shëndetin dhe karakterin e njeriut dhe për këtë sjellin shpjegime e prova të ndryshme racionale, eksperimentale dhe shkencore. Mirëpo, meqë këto veçori të tij që përmenden me këtë rast nuk janë arsyeja (il-leti) e vërtetë dhe e vetme për ndalimin e mishit të derrit, vendimi për ndalim nuk ndryshon sipas ekzistimit apo mosekzistimit të këtyre rreziqeve e dëmeve. Madje këtë ndalesë të qartë fetare nuk e shfuqizon as edhe shmangia e këtyre rreziqeve, përgatitja në forma e përbërje të ndryshme e mishit dhe e dhjamit të derrit ose përdorimi i tyre si lëndë shtesë në tretje të ndryshme me anë të mundësive teknologjike bashkëkohore. Sepse, edhe sikur urdhresat e ndalesat fetare pashmangshëm të kishin nga një arsye e sqarim racional, do të ishte i pamatur pretendimi sipas të cilit sot janë kuptuar e gjetur të gjitha arsyet e mirëfillta të tyre. Me rritjen e zhvillimeve dhe përvojave shkencore do të kuptohen më drejtë edhe urtësitë dhe arsyet e urdhresave e ndalesave fetare. Nga ana tjetër, për një musliman, urdhresat dhe ndalesat e fesë paraqesin nga një aksiomë, nga një të vërtetë të qartë e të padiskutueshme. Të jesh musliman i mirë për të nënkupton t?u përmbahesh fort këtyre urdhresave e ndalesave të shpallura nga Zoti. Në shoqëritë islame, për sa i përket ndalimit të ngrënies së mishit dhe dhjamit të derrit, ekziston një konsenzus i qartë si në praktikë ashtu edhe në doktrinën juridike. Mirëpo, sa u përket çështjeve juridike jashta ngrënies së mishit të derrit, ekzistojnë dallime mendimesh. Ndër to mund të veçojmë: vendimi për enën dhe ujin në të cilën derrri e ka futur turirin; përdorimi i qimeve, lëkurës dhe eshtrave të derrit; shitblerja e derrit; duhet apo jo të paguhet dëmshpërblim në rast të mbytjes së tij etj.

Në vija të përgjithshme do të thonim se në të drejtën islame, nga aspekti i muslimanëve, derri nuk llogaritet si mall i vlefshëm juridikisht (malu?l-mutekavvim). Një musliman, si nuk mund të ketë të drejtë pronësie mbi derrin, ashtu nuk duhet të paguajë dëmshpërblim në rast të mbytjes së tij me paramendim apo të dënohet në rast të vjedhjes së tij. Sa i përket derrit nga aspekti i jomuslimanit, është e diskutueshme nëse është ose jo mall i vlefshëm. Sipas shkollës juridike hanefite dhe malikite, në këtë rast ai konsiderohet mall dhe në qoftë se një derr i një jomuslimani mbytet me paramendim e pa të drejtë, ai duhet të shpaguhet me dëmshpërblim.

Shumica dërmuese e juristëve islamë janë të mendimit se derri edhe sa është gjallë konsiderohet i pistë, i papastër, ndaj dhe sendi apo objekti që është prekur nga jargët, djersët etj. të derrit, konsiderohet e papastër. Për këtë shkak thonë se një enë që ai e ka prekur apo lëpirë, duhet të lahet shtatë herë, prej të cilave një herë me dhê, truall. Juristët malikitë janë të mendimit se ai, derisa është i gjallë, nuk konsiderohet i papastër, ashtu sikurse edhe te qeni. Rezultati praktik i këtij mospajtimi idesh shfaqet te çështja e pastërtisë dhe pastrimit të ujit në të cilin ka hyrë e dalë derri, apo në të cilin i ka lëshuar jargët e tij. Përderisa shumica e juristëve islamë janë të mendimit se lëkura e derrit nuk mund të përdoret dhe konsiderohet e papastër, edhe në qoftë se është regjur (rrahur); disa juristë të tjerë si Dhahiritët, Ebu Jusufi, Ibnu Hazmi, janë të mendimit se lëkura e regjur e derrit mund të përdoret.

Kurse disa juristë të tjerë thonë se kjo lëkurë nuk mund të përdoret në lëndë të lëngëta, si në janxhik (enë prej lëkure për bartje të ujit e të ushqimeve), kurse mund në sende që nuk preken me ujin, si në mbulesë, shtruese, tendë etj. Lejen që e kanë dhënë shumica e juristëve islamë lidhur me përdorimin e qimeve të derrit për gjilpërë dhe brusha, e kanë dhënë për shkak të nevojës që e kanë patur njerëzit asokohe. Në qoftë se derri shkrihet e prishet dhe shndërrohet në një materie tjetër, sipas shumicës së juristëve islamë, për bazë merret vendimi lidhur me këtë lëndë të re që është formuar. Edhe ndodhja e një sasie dhjami të derrit në ndonjë përzierje mbrojtëse, mund të shpjegohet e përligjet në bazë të kriterit dhe qasjes dominuese lidhur me shndërrimin dhe ndryshimin e një sendi duke u përzier me sendet e pastra.

Fragment i shkëputur nga, ILMIHAL - Islam ve Toplum (ILMIHALI - Islami dhe Shoqëria), grup autorësh, bot. ISAM, Ankara, 2001, vëll. 2, f . 43-45.

Perktheu Mr. Rejhan Neziri

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme