
Hafiz Ibrahim Dalliu ka hyrë në historinë e kulturës shqiptare me të gjitha tiparet e një rilindësi, si njeri i penës e i pushkës, si një figurë e shumanshme, e si një personalitet i shquar. Për vite me radhë ai u përfshi drejtpërsëdrejti në lëvizjen kombëtare të popullit tonë për liri, pavarësi e drejtësi shoqërore, e për nevojat e kësaj lëvizje ai përdori poezitë e tij në gjuhën shqipe. Hafiz Dalliu i përket plejadës së nderuar të figurave të shquara të kulturës fetare te shqiptarët. Krijimtaria e tij letrare e fetare ka hyrë në thesarin e kulturës shqiptare në përgjithësi, e në atë të kulturës fetare në veçanti.
Ibrahim Dalliu lindi në Tiranë më 1878 në një familje atdhetare, kur në vendin tonë lëvizja patriotike-arsimore rritej e bëhej gjithnjë më intensive, kur u bënë përpjekjet e para për të përcaktuar alfabetin shqip, e për të thelluar e për të themeluar një shoqëri kulturore shqiptare, kur u bënë përpjekje për të krijuar e ngritur shkolla shqipe. Në këtë vrull atdhetarie e kaloi rininë “Dalliu liberal’’ sikundër e kanë quajtur edhe të huajt. I ati, Mustafai, e lidhi ngushtë me shumë qendra që kryenin veprime në interes të popullit shqiptar. Njëkohësisht babai i hafizit ishte dhe fetar me titullin “Hoxhë, Hafiz” ku qe kujdesur edhe për djemtë e tij që t’i jepte këtë kulturë. Kështu të bijtë, Hysniu dhe Aliu kishin marrë titullin Haxhi Hafiza të Kur’anit. Ibrahim Dalliu mbasi mbaron shkollën e mesme, i ati e dërgon për studime në Stamboll te djali tjetër Hysniu. Këtu ai mori njohuri të thella teologjike, por njëkohësisht u brumos me idetë e rilindësve tanë, u bë i vendosur për të luftuar për përparimin shoqëror e demokratik të vendit.
Kur kthehet në Shqipëri, personaliteti i H. Dalliut merr vlera të mëdha. Ai vazhdoi veprimtarinë e tij fetare e patriotike, duke luftuar me guxim e mençuri, me armë e me penë në dorë, pa asnjë kompromis edhe me ata persona që ishin vënë në shërbim të të huajve, për të cilët thuri këto vargje: “Kajmekam e kadilerë; miletin po marrin për kame; Myderriza efendilerë, mbjellin zi e mbjellin gjamë”.
Hafiz Dalliu ishte gjurmues i mirë i visareve të kombit, përpiqej të njihte e të stjudionte të kaluarën e shkëlqyer të kombit tonë dhe zotëronte gjuhë të huaja, kishte njohuri të mira për historinë dhe letërsinë botërore. Ai shpejt u bë një figurë me rëndësi e lëvizjes kombëtare në Shqipëri, i njohur jo vetëm nga dijetarët tanë, por edhe të huaj. Në moshë të re, duke qenë hoxhë u bë mësues i gjuhës amtare, bashkëpunëtor i Filip Ashikut në hapjen e shkollës së vajzave në Tiranë në vitin 1902. Ai shërbeu si përhapës i gjuhës dhe i kulturës së përpunuar të gjuhës shqipe, veçanërisht në kohën e xhonturqve, kur çështja arsimore u bë e fortë dhe mori hov në të gjitha drejtimet, kur çështja e shkronjave dhe e shkollave shqipe u bë e rendit të ditës; veprimtaria e Hafiz Dalliut ishte gjithnjë në ngritje. Kjo nuk qe punë e lehtë, ishte me shumë rreziqe, që mund t’i kushtonte edhe jetën, por si patriot ai nuk u ndal.
Ai shkruan: “Patriot quhet ai njeri qi asht i pajuem me gjithë vetijat e nalta njerzore dhe kombtare… Ati duhet ti ndizet gjaku, ti idhnohet zemra kur të shohi e të ndigjojë se po cenohet e po merret ndër kammbë e drejta e kombit të vet. Ai duhet ti sakrifikojë interesat vetiake, bile të mos kursejë gjakun e vet për tia mrrië qëllimit të shenjtë, për tia vu në vend nderin e kombit dhe atdheut”. Nga ana tjetër ai veprimtarinë e tij fetare nuk e ndanë asnjëherë nga ajo kombëtare, për të mos lejuar që përçarja fetare të kthehej në përçarje politiko-fetare. Ai përçoi me kujdes parimet e islamit tek njerëzit, me qëllim që të ushqejë shpirtin e besimtarëve muslimanë me cilësi më të larta morale njerëzore, për të sjellë paqe e vëllazërim në mes tyre.
Si teolog i shkallës së lartë, ai ishte njëkohësisht dhe atdhetar i flaktë, me shpirt e me mendje, që punoi për bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje, për të mbrojtur pavarësinë e vendit nga pushtuesit, që krijuan ndarje e përçarje deri brenda islamit me sektet që përfaqëson ai. Për këtë Hafiz Dalliu shkruan: “Ndashti jam tue pa se ka hy një mace e zezë ndër ne. Gjithashtu Hafizi ishte tolerant dhe i respektonte fetë e tjera. Për këtë sjell argumente nga Kur’ani ku shprehet: Hallbuqi në Kur’an përmend me emrin e lavdrueshëm ‘Ehli qitab’ të zotët e librit (ungjillit)”. Pastaj shprehej: “Na shqiptarët, prej çdo feje qofshim, jemi të tanë vllazën të një gjaku, vllazën gjuhe, dhe vllazën vatani”. Hafiz Dalliu bëri një jetë aktive publicistike, shkencore dhe sociale të udhëhequr nga parimet fetare. Atje ku ishin ngjarjet më të mëdha të vendit, nuk ishte e mundur që të mos ishte prezent Hafiz Dalliu. Ai themeloi klubin “Bashkimi” më 1908 në shtëpinë e Murat Toptanit. Këtu mbrojti me konseguencë parimin e vëllazërimit të muslimanëve me të krishterët në çështjen e mbrojtjes së atdheut. Në ditarin e tij shkruan: “Një ditë erdhi te ne një prift i kthjellës Mirditë, i cili na mbajti një fjalim në vjershë. Ai u duartrokit me brohori: “Rroftë liria, rroftë bashkimi! Ai bashkëpunoi dhe me deputetët e perandorisë osmane si Hasan Prishtina dhe me figura të tjera të jetës kulturore si Ismail Ndroqi, Hasan Vogli, Myslym Llagami, Musa Maçi, Ibrahim Hasnaj etj. Hafizi u bë i njohur edhe tek personalitetet ndërkombëtare si Norbert Jokli në fushën e letërsisë.
Hafiz Dalliu si njohës i mirë i gjuhëve orientale, i arabishtes e turqishtes dhe si fetar i devotshëm, shquhet si përkthyes i talentuar i literaturës fetare në gjuhën shqipe. Nëpërmjet tyre, ai kapërceu didaktikën fetare që kishte traditë të fortë në Shqipëri, duke i hapur udhën shqiptarizmit, duke futur elementin e gjuhës shqipe. Si hoxhë dhe patriot ka marrë pjesë në Kongresin e Manastirit më 1908; më 1909 si delegat i Tiranës bashkë me të vëllanë Hysniun dhe Refik Toptanin e Mahmud Fortuzin morën pjesë në Kongresin e Elbasanit, ku u vendos të hapej shkolla e parë e mesme “Normalja” me drejtor Luigj Gurakuqin. Ky shkruan: “Pedagog u caktua Hafiz Dalliu, Aleksandër Xhuvani e unë, që po derdhnim djersën tonë brenda asaj shkolle, e po mundoheshim ti jepnim një fytyrë fjesht kombtare e ta bënim të zonjën për të ushqyer me dituri e për të rritur si duhet edukatorët e kombit”. Përsëri Hafiz Dalliu merr pjesë në Kongresin e Lushnjës më 1920.
Pra, aktiviteti i Hafiz Dalliut është i gjerë dhe për këtë shkak bëhet objekt ndjekjesh, intrigash dhe burgimesh. Armiqtë e çështjes kombëtare e ndoqën hap pas hapi duke e ngarkuar me lloj-lloj akuzash, për ta armiqësuar me popullin e për ta demaskuar përpara tyre. Ata dolën me parrullën se Hafiz Dalliu po lufton Zotin e po qit bidate në fenë e Muhamedit. Përhapën fjalë se shqipja të bën kaurr, të bën me marrë për grua i vëllai të motrën, të bën me shemb teqe e xhamia, të bën me lanë Kur’anin, agjinesën etj. Bile dy tregtarë në këtë kohë shkruajnë letër në prefekturë kundër hafizit se ai u mëson vajzave gjuhën shqipe kundër dëshirës së përgjithshme. Ai është thirrur të heqë dorë nga shqipja por nuk ka pranuar. Atëherë myftiu i Tiranës nxjerr një fetva ku thuhesh: “Të mos ligjërojë kurkush me shqiptarë se ata i mëson shejtani” (bëhej fjalë për hafizin). Ndërsa Hafizi kudo, në kontakte me njerëzit predikonte konceptin e drejtë të fesë islame, që duhet të kishte çdo besimtar, por gjithmonë në gjuhën shqipe. Ai me guxim përgjigjej: “E drejta për të mësue gjuhën time më asht dhanë me kushtetutë prandaj nuk e kam ndërmend të heq dorë nga misioni im”. Kulmi arriti në shtator të vitit 1910 kur u gjend përpara torturave më të egra për artikullin në formë të një letre të hapur në gazetën “Bashkim”, ku dënoheshin xhonturqit. Ndërmjet të tjerash ai shkruan: “E vetmja rrugë për zhdukjen e injorancës së egër është arsimi, por përkundrazi po përdoret topi. Injoranca nuk zhduket me top. Topi zhduk vetëm njerëzit”.
Për këto mendime ai u arrestua. Kur e morën, i thanë: “Në mos heqësh dorë prej shqipes do të therim”. Ai është përgjigjur: “A kujtoni se do të shuani Shqipninë me therjen time? Jo. Ta dini se prej çdo pike të gjakut tim mbin një shqiptar si këpurdhë, prandaj të më vritni një orë e më parë”. E kanë torturuar barbarisht në publik, i goditnin këmbët me dru e pastaj ia fusnin në ujë të ftohtë, që të mohonte atdheun e tij. Ai jo vetëm nuk bëri si thanë, por përkundrazi u dha zemër dhe të tjerëve me thirrjet: “Rroftë Shqipnija”. Kur këmbët filluan t’i nxirrnin gjak nga torturat, ai thirri: “Le të bëhet mereqep gjaku im, qi populli shqiptar të shkruaj gjuhën e vet të bukur”. Armiqtë përdorën forma nga më të ndryshmet për ta mposhtur. Pastaj i kanë kontrolluar shtëpinë dhe i kanë gjetur librat e botuar prej tij. Ata e kanë pyetur: “Ç’janë këta libra kaurrçe? Ai ka thënë: “Janë ilmihale të shkruara në gjuhën shqipe. Ata i thanë: “Qysh shkruhen ilmihalet me shkronja latine bre qafir hoxha? A e shihni hoxhën kaurr? Një oficer i thoshte: Në çengel e ka punën, në çengel”. Hafizi i përgjigjet: “Nuk shuhet bota pse varet një hafiz, rroft atdheu”. Kjo i kushtoi daljen para gjyqit dhe u dënua me 10 vjet burg të rëndë në fortesën e Rodit e pastaj e kanë çue në Jedikule të Selanikut bahskë me Jusuf Elezin, Mahmud Fortuzin, Beqir Lugën dhe Mustafa Marën. Në burg pas torturash të shumta i është drejtuar Zotit duke iu lutur: “Asnjëherë nuk e kam lanë pa falë xhumanë, e sot s’do mundem me e falë. Ti e di, o Perëndi që unë s’kam pas ndonjë qëllim të lig në zemër, veçse kam dasht të mirën e këtij populi, por njerëzit e ligj më banë në këtë farë halli. Jepu pra ndëshkimin atyre pa vonesë”.
Nga të gjitha anët e vendit kërkonin lirimin e patriotëve. E ngriti zërin e tij të fortë në parlamentin turk edhe deputeti Hasan Prishtina. Sulltani u detyrua t’i falte. Gazeta “Koha” që drejtohej nga Mihal Grameno shkruante: “Të lirohet nga burgu Ibrahim Dalliu, Isuf Elezi, dhe shokë. Gëzimi ynë i pa treguar duke marrë një tejshkrim nga Selaniku, ku na lajmëruan se… Sulltani u fali dënimet atdhetarëve tanë të dashur që qenë dënuar nga regjimi ushtarak. Këta atdhetarë kanë tetë muaj që kur u dërguan në burgun e Selanikut, të dënuar për politikë. Siç dihet Dalliu është profesor në Normale”. Kur është kthyer në shtëpi e kanë pyetur se si ishte burgu dhe ai ka thënë: “S’ka pendë në botë që ta përshkruajë atë farë barbarizmi”. Mbas kësaj mbetet i papunë, askush nuk e pranonte për imam të falesh pas tij, nuk e thirrnin në dasma as në farefisni, nuk e përshëndetnin me selam etj., e megjithatë ai nuk u tërhoqë nga aktiviteti fetar i tij në gjuhën shqipe.
Hafiz Ibrahim Dalliu i përket brezit të dijetarëve islamë shqiptarë, që përfaqëson me dinjitet si periudhën e rilindjes sonë kombëtare ashtu dhe të pavarësisë, duke qëndruar në ballë të shumë aktiviteteve, për mëkëmbjen e arsimit dhe për vënien e një rendi demokratik në Shqipëri. Për këtë arsye Hafiz Dalliu si figurë e kompletuar, vlerësohet e nderohet, kurse veprimtaria e tij studiohet. Fushat e dijes ku u përfshi kontributi i tij qenë të shumta. Dëshmi e autoritetit të Dalliut si teolog është dashuria për njerëzit, zemërgjerësia, thjeshtësia, dhe durimi; cilësi këto që e bënë atë të gatshëm të flijonte veten e tij për të mirën e atdheut. Këto janë parime të rëndësishme të fesë islame, dhe me ta ai pasuronte vazhdimisht jetën e tij shpirtërore, duke ushqyer dhe besimtarët me libra fetarë në gjuhën shqipe.
Hafiz Ibrahim Dalliu si dijetar i thelluar në shkencat e teologjisë dhe njohës i mirë i gjuhëve orientale, konsiderohet se është autor i 15 veprave fetare, disa nga të cilat përkthime nga arabishtja e turqishtja, kurse shumica janë origjinale. Nga veprat më me rëndësi konsiderohen:
Udha Muhamedane – përkthyer nga arabishtja. Ky është një libër me vlera të mëdha për kulturën dhe shkencën islame, që ndikoi në përsosjen morale fetare të besimtarëve muslimanë. Për të ruajtur traditën islame në Shqipëri, këtë vepër e ribotoi “Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam”.
Texhvidi – i përkthyer prej Hafiz Dalliut në vitin 1921 në Tiranë, ku për kuptimin e tij shprehet: “Me këndue bukur Kur’anin, tue i nxjerr shkronjat e tij nëpër vende të veta dhe tue i dhanë çdo shkronje tingullin e vetishëm e atë që vjen pastaj”. Ky texhvid është përdorur nëpër mejtepe e xhamia. Këtu Hafiz Dalliu përdor terma të reja fetare të kësaj shkence me një gjuhë të standardizuar të kohës së tij.
Besimet e muslimanëve – është vepër origjinale e tij, ku trajton një tematikë shumë të rëndësishme si nga përmbajtja, ashtu dhe nga nevoja që kishin besimtarët muslimanë shqiptarë.
Ilmihali – Trajton çështje të besimit në vargje, ku autori në fillim falënderon Zotin, duke përmendur argumente kozmologjike dhe ekzistenciale për Zotin xh.sh. dhe atributet e tij. Me vargje që shpjegojnë domethënien dhe rëndësinë e ilmihalit, shihet një specifikë e veçantë e ndikimit të rrethanave kulturore fetare të kohës ku jetoi autori.
Mevludi – “E lemja e të madhit profit dhe jeta e tij”, botuar në vitin 1924 me 238 faqe. Ai e fillon veprën me shënimin: “Këtë vepër ja kushtoj resulull-llahit si miza përdhese që i dhuroi të madhit Sulejman një fletë karkaleci dhe ai ja pranoi. Kjo është një vepër e rëndësishme për kulturën muslimane shqiptare, për shkak të të dhënave dhe stilit të rrjedhshëm e shumë prekës për shpirtin e lexuesit.
Dhuntia e Ramazanit – botuar më 1935, zë një vend të rëndësishëm, për shkak të tematikës së trajtuar, e cila ka të bëjë me një kulturë filozofike fetare, dhe si një nga pesë shtyllat e Islamit.
Mësimet teorike dhe praktike të moralit islam – përkthyer e botuar në vitin 1935. Ky libër bën fjalë për moralin, ndërgjegjen, ekzistencën e një ligji islam mbi moralin, burim i të drejtave, detyrave familjare e shoqërore, të drejtat reciproke të besimtarëve muslimanë etj. Këtu Hafiz Dalliu përdor një terminologji të veçantë, që është më e afërt me muslimanin shqiptar, me shënime që qartësojnë çështje të ndryshme, duke përdorur dhe terma filozofike të vetë autorit.
Ç’është islamizmi – vepër origjinale botuar nga Qendra Islame Amerikane në vitin 1992 me titull “Besimi Islam”. Ky libër përmban mësime të ehli sunet vel xhemat.
Ajka e kuptimeve të Kur’ani Qerimit – apo siç quhet “Tefsiri i Dalliut”. U botua më 1929, është përkthim i komentuar i Kur’anit në shqip, dhe është i pari i këtij lloji në hapësirën shqiptare. Imam Vehbi Ismaili thotë se ky tefsir është origjinal i Dalliut. Në kopertinë shkruhet: “Ky botim u lexua, u shqyrtue e u pëlqye prej Këshillit të Naltë të Sheriatit. Këtë e merr përsipër Komuniteti Musliman Shqiptar. Kjo vepër si nga përkthimi i Kur’anit ashtu dhe nga komenti i tij, paraqet një ndërmarrje të rëndësishme në kulturën e tefsirit, dhe dëshmon intelektin e lartë të Dalliut, i cili zë një vend shumë të priviligjuar në mesin e komentatorëve të Ballkanit e më gjerë. Hafiz Dalliu duke përkthyer Kur’anin në shqip, thekson se barazia e gjuhëve është e njëjtë siç thuhet në suren “Rum”, ajeti 22: “Llojshmëria e gjuhëve tuaja”, ose në suren “Ibrahim” ku thuhet: “Ne nuk kemi dërguar asnjë profet, që ai për t’ua shpjeguar të tjerëve të mos ketë folur në gjuhën e popullit të vet”. Për besimtarët shqiptarë Dalliu e bëri më të afërt e më të kuptueshëm fjalën e Zotit – Kur’anin. Ai botoi dhe vepra të tjera si “Degët e imanit”, “Libri i së falmes”, etj., nëpër të cilët spikati mendimi i tij për çështjet e fatit njerëzor dhe të atij fetar.
Veprat e Hafiz Ibrahim Dalliut në masë të madhe paraqesin përpjekje për kritikë të jetës, për kërkesa e mendime bashkëkohore dhe metodën e studimit të problemit fetar, të cilat shkaktuan mendime të ndryshme në masën e teologëve. Dijetari i shquar Imam Vehbi Ismaili, i shpërngulur në Amerikë shkruan se Dalliu ka shkruar apo përkthyer 10.000 faqe me përmbajtje fetare, që do të thotë më tepër se çdo shqiptar tjetër musliman. Ndërsa Ibrahim Hasnaj thotë: “Hafiz Ibrahim Dalliu mund të konsiderohet si njëri nga punëtorët shkencorë dhe teologët më të njohur shqiptarë të asaj kohe, jo vetëm nga shkrimet e shumta, por edhe nga aktiviteti i tij i palodhshëm në botime”. Ai vetë përkthente, vetë korrektonte tekstin arabisht dhe shqip, me një drejtshkrim të saktë të asaj kohe. Botuesit e veprave të Dalliut patën meritë të veçantë në radhitjen e materialeve botuese, duke shprehur një dashuri të thellë për autorin, për të nxjerrë në dritë ato thesare të kulturës islame. Vetë hafizi ka shpenzuar për botime e i ka shpërndarë falas derë më derë, duke i ushqyer besimtarët muslimanë me literaturë fetare në gjuhën shqipe. Shumë shkrime kanë mbetur pa botuar ose në rastin më të keq janë zhdukur qëllimisht.
Hafiz Ibrahim Dalliu ishte orator i zoti. Fjala e tij karakterizohej nga pasioni i thellë për t’u futur në botën e brendshme të secilit. Si hoxhë për kohën ishte përparimtar aktiv, që e bashkoi fjalën me veprën, besimtar i denjë që thërriste për bashkim e vëllazërim, për veprim, optimizëm në jetë duke u mbështetur tek Zoti. Ai u mbështet fortë në binomin fe-atdhe, siç e ka cilësuar në botimin e vet Imam Vehbi Ismaili, themeluesi i Qendrës Islame të shqiptarëve të Amerikës e të Kanadasë. Ai u bë simbol i qëndresës për mbrojtjen e lirisë së atdheut, simbol i luftës kundër prapambetjes e paditurisë; si teolog u bë njeriu që u njohë si pikë referimi për të gjithë ata të cilëve u rrihte zemra për çështje fetare, larg fanatizmit të kohës. Ai nuk u pajtua dhe me idetë komuniste. Në kohën kur ishte mësues teologjie në Medresenë e Tiranës, burgoset në vitin 1948.
U burgos, u persekutua e ç’nuk përjetoi ky kolos i mendimit të lirë, që kërkoi dritën e i dhanë errësirën; që kërkoi besën e i dhanë tradhëtinë; që kërkoi bukën e i dhanë urinë; që kërkoi nderin e i dhanë poshtërimin.
Në këtë mënyrë Hafiz Ibrahim Dalliu mbetet në historinë e kulturës dhe shkencës islame një luftëtar konsekuent, një mendimtar i guximshëm, një teolog i shquar dhe demokrat i zjarrtë. Veprimtaria dhe krijimtaria e Dalliut u la në harresë nga regjimi komunist. Figura e tij u vlerësua e u ngrit lartë kur erdhi në pushtet demokracia, për të cilën ai punoi shumë. Vepra e Dalliut është një shembull frymëzimi jo vetëm për besimtarët muslimanë, por për të gjithë brezin e ri, për formimin e tyre me traditat e shquara të kombit shqiptar. Ai është simbol i qëndresës së pamposhtur, i atdhetarit të zjarrtë, i pastërtisë morale, që kurdoherë me besimin e patundur tek Zoti, mbrojti interesat e vendit të tij. Ai sot vjen i gjallë me veprat e tij, që shoqata me emrin e tij, do të dijë t’i nxjerrë në dritë në ditët që vijnë.
* Ky artikull është botuar në revistën “URA”, nr. 3, Vjeshtë-Dimër, Tiranë 2009, organ i “Qendrës Shqiptare për Studime Orientale”, acfos_albania@yahoo.com