Mendimi se feja dhe morali janë vlera të mëvetësishme, të izoluara dhe të ndara, porse ata duhet të koekzistojnë në mënyrë tolerante dhe jokontraverze, janë të paqëndrueshme, siç është i paqëndrueshëm morali pa fe: a mund të kërkojë njeriu, në emër të njeriut, atë që feja e kërkon prej tij në emër të Zotit[1], sikundër që ishte i paqëndrueshëm pretendimi i tyre se: ateistët në vend të drojës nga përgjegjësia para Zotit ofrojnë dashurinë e njeriut ndaj së mirës nga vetëdija dhe pa frikë, sepse theksimi i njeriut në vend të Zotit do të ishte një lloj tautologjie dhe besimi në njerëzinë do të ishte vetëm një trajtë më e ulët e religjionit.
Në kundërshtim me tendencat dhe pretendimet e kohëpaskohshme të sistemeve të ndryshme filozofike dhe relikteve të mbetura të feve të shpallura, ka dominuar mendimi se feja dhe morali duhet të ecin tok njëri me tjetrin, e jo njëri pranë tjetrit. Edhe Volteri[2] në fund të jetës së tij, edhe Kanti[3], por edhe filozofë të tjerë kanë mbështetur ecjen e moralit dhe të fesë së bashku.
Zh. Zh. Ruso pati shkruar: “Në fillim kam menduar se është e mundur të jesh i moralshëm e të mos besosh në Zotin. Tash e kam të qartë se kjo është e pamundur dhe se bindjet e mia të dikurshme ishin iluzione të thjeshta.” [4]
Morali është te njeriu, por nuk është nga njeriu, sepse po të ishte morali nga njeriu, nuk do të mund të flisnim për të mirën dhe të keqen, por vetëm për dobinë dhe dëmin, interesin dhe jointeresin, pëlqimin dhe mospëlqimin. Nga parimi i moralit fetar, njeriu jofetar nuk bën mirë, por bën vepra kalimtare momentalisht të dobishme.[5]
[1] A. Izetbegović, Islam izmedju Istoka i Zapada, op. cit., fq. 144.
[2] Shih: Fridrih Jodl, Istorija etike, I, Sarajevë, 1975, fq. 283-287.
[3] Shih: Vuko Pavicević, op. cit., fq. 417-439.
[4] Citati sipas: Halid Buljina, op. cit., fq. 820-823.
Gjerësisht për konceptin e filozofit Ruso për moralin dhe religjionin shih: Fridrih Jodl, Istorija etike, I, op. cit., fq. 287-292.
[5] Mustafa Spahić, Učenje Islama, Zenica, 2002, fq. 68. Krahaso: Abbas Mahmud El-Akkad, El-Felsefet’ul-kur’anijjeh, Kairo, pa vit botimi, fq. 19-27.