Me dallim prej moralit dhe fesë, të cilët kanë lidhje të pandashme, morali dhe dituria nuk janë në raporte të ngushta, madje përjashtohen ndërmjet tyre. Këtë e pohon, në njëfarë mënyre edhe A. Izetbegoviq, në punimin e tij meastral Morali dhe religjioni, se “mbi shkencë nuk mund të bazohet kurrfarë etike”.[1] Kjo për arsye se sferat e veprimit të moralit dhe të fesë dhe moralit dhe diturisë dallojnë pothuaj diametralisht. Pretendimi që këto dy fusha mund të interpretojnë njëra tjetrën sjellë dy lloj supersticionesh: I pari: kur shkenca përpiqet të shpjegojë botën e brendshme të njeriut; I dyti: kur religjioni përpiqet të shpjegojë dukuritë natyrore. Sepse, duke e shpjeguar botën shpirtërore, shkenca e ka objektivizuar atë, duke krijuar prej shpirtit psikën, kurse prej Zotit - parashkaktarin, ndërsa religjioni e ka personalizuar natyrën palodhshëm, pra, e ka shndërruar në jo-natyrë.[2] Derisa morali vepron në sferën e lirisë njerëzore, në horizontet intime të shpirtit, në shkaqet dhe mundësitë e pakapshme të vullnetit, në rrafshin e vetëdijes, të personalitetit, në hapësirën e raporteve ndërmjet njerëzve, në botën e brendshme të qëllimeve, dëshirave dhe përpjekjeve, shkenca, respektivisht dituria, vepron, preokupohet me hulumtimin teorik dhe empirik të fakteve në rrafsh të materialitetit, sasisë, kauzalitetit dhe entropisë së botës.[3] Kjo do të thotë se dituria, pra shkenca nuk mund të argumentojë shkencërisht se diçka është e mirë apo e keqe, se diçka bën të flitet e të veprohet e diçka jo. Shkenca nuk mund t’i eliminojë dilemat morale, nuk mund të hyjë në idealet morale, shkenca nuk i rregullon çështjet, p.sh., si t’i ndihmohet plakës së moshuar që ta kapërcejë rrugën e rrezikshme, shkenca nuk ofron përgjigje para dilemës: çka të shpëtohet nëse zjarri ka kapluar një shtëpi ku gjenden një njeri i moshuar dhe një figurë artistike me vlera botërore. Përgjigjja morale është se duhet shpëtuar njeriu i moshuar.[4]
Ndryshe nga dituria në fetë dhe sistemet e tjera, dituria në islam duhet të zhvillohet në pajtim me parimet morale. Këtë All-llahu i madhëruar e konfirmon me fjalët e tij “Lexo në emër të Krijuesit tënd. ...” (El-Alek,1-5). Me këto pesë ajete të sures El-Kalem është vendosur themeli i raporteve ndërmjet njeriut, natyrës, diturisë dhe Krijuesit, duke ofruar zgjidhjen në konceptin e raporteve njeri-shkencë me futjen e cakut dhe kuptimit, pikëmbështetja e të cilave qëndron jashtë njeriut dhe jashtë shkencës. Shkenca në vetëvete nuk është cak, por instrument i tewhidit dhe i njohjes.[5]
Gjatë historisë së mendimit njerëzor janë spikatur veçanërisht dy tema: Zoti dhe njeriu. Pretendimi që dituria të flasë dhe të preokupohet me temën për Zotin dhe njeriun do të rezultojë negativisht, sepse të vërtetat më të mëdha për Zotin, por edhe për njeriun, nuk do t’i gjejmë në biologji, fizikë, astronomi, psikologji, madje as në teologji. Këto të vërteta do t’i gjejmë në librat e shenjtë të feve qiellore.[6] Këto kufizime të shkencës kanë të bëjnë edhe me lirinë e dinjitetit të njeriut, të të drejtave njerëzore, kuptimit të jetës, së keqes dhe së mirës, ...miqësisë, sakrificës, përkushtimit, martesës, dashurisë [7] etj.
Prishja e raporteve ndërmjet morales dhe shkencores dhe etikes dhe estetikes rezulton me shtrembërimet kërcënuese ndaj njerëzisë, të manifestuara nëpërmjet shekullarizmit, materializmit, globalizmit dhe krizës ekologjike.[8] Dituria pa religjion dhe etikë është synim në vetvete dhe vë në rrezik jetën e njerëzve.
[1] Alija Izetbegović, Moral i religija, në: Etika u islamu, Zbornik Radova III Simpozija Zagrebačke Džamije 1410/1990, Zagreb, 1991, fq. 25. Punimi i njëjtë me ndryshime të vogla është në: A. Izetbegović, Islam izmedju ..., op. cit, fq. 117-147.
[2] Sipas: A. Izetbegović, Islam izmedju ..., op. cit, fq. 248 e tutje.
[3] Shih me vëmendje tekstin e Abdus Selamit, nobelist i shkencave fizike, me titull: Islam and Science (Islam i znanost), Etika u islamu, op. cit., fq. 95-114.
Arif Tanović, Etika i politika, botimi II, Sarajevë, 1980, fq. 15-51; Džemaludin Latić, Islam i svjetske religije, I, Sarajevë, 2000, fq. 61-62.
[4] Alija Izetbegović, Islam …, op. cit., fq. 124.
[5] Haris Silajdzić, Islam i humanizacija savremenog društva, Etika u islamu, op. cit., fq. 52-53.
[6] A. Izetbegović, Moral i religija, op. cit., fq. 26.
[7] A. Izetbegović, Moral i religija, op. cit., fq. 26.
[8] Ismet Ozel, Tri çështje: Teknika, civilizimi dhe tëhuajësimi, Shkup, 1998.