Ditë më parë në vendin tonë, krahas shumë zhvillimeve kishim edhe një festë e cila kohës së fundit pothuajse është bërë tradicionale. Fjala është për festën e Halloween-it, ku këtë vit u festua paksa më ndryshe në raport me vitet tjera. Madje, kishte edhe organizime (party) për të gjithë ata që dëshironin të festonin një festë të tillë. Në këtë refleksion jemi munduar që të paraqesim një analizë të kësaj feste dhe ndikimin e saj në shoqërinë kosovare. Shoqëria kosovare në realitet përballet me shumë sfida dhe probleme, si: varfëria e madhe, zhvillimi ekonomik, papunësia, etj, të cilat edhe ashtu paraqesin një demokraci të brishtë të shtetit të Kosovës. Festa e halloween-it, e njohur si festa e shtrigave tek ne që disa vite rresht ka filluar të festohet dhe nga ajo që shihet në këtë natë, mund të themi se është një destruktivitet i llojit të saj. Nëpër rrugët e qytetit fëmijët me maska dhe forma tjera të kostumeve promovojnë këtë festë. Mirëpo, ajo që nuk lë pa u vënë re është fakti se çfarë është kjo festë?. Nga e ka prejardhjen?. Çfarë ndikimi ka në shoqërinë kosovare?. Pyetje të cilat do të mundohemi t’u japim përgjigje më poshtë.