
Masakra tek “Livadhi i Kasës” në veçanti dhe ato në Opojë në përgjithësi që i bëri Serbia, duhet të kuptohen në kontekst të rrethanave politike që kanë mbizotëruar në Opojë, Gorë, Lumë, Prizren dhe gjithandej nëpër Kosovë.
Duke njohur këto rrethana do të kuptojmë më mirë edhe synimet dhe përmasat e këtyre masakrave, po rrjedhimisht edhe pasojat, e të cilat u vunë në dukje dhe u shpjeguan në mënyrë objektive e me kompetencë nga referuesit para meje. Prandaj, në këtë paraqitje tonën, duke anashkaluar renditjen kronologjike të ngjarjeve dhe të rrethanave që sollën deri te këto masakra, si dhe statistikat, do t’i përmendim disa çështje të tjera që lidhen me masakrat serbe në Bresanë dhe sidomos me masakrën tek “Livadhi i Kasës”.
Që në fillim duhet thënë se pushtimi i Kosovës nga Serbia në vitin 1912, kishte qenë thyerja e madhe e jetës së opojarëve në këto hapësira, kishte qenë përmbysja e gjithçkaje, dhe jo vetëm në Opojë, por në gjithë Kosovën. Egërsinë e forcave pushtuese serbe të cilat kishin tmerruar çdo kënd që e kishte parë me sytë e tij, më së miri i përshkruajnë raportet e ndryshme të konsujve, gazetarëve të kohës, udhëpërshkruesve, si Edit Durham,, Leon Trocki, etj., e të cilët kanë vërtetuar se, përveç dëmeve materiale që kanë shkaktuar ushtritë serbo-malazeze mbi shqiptarët, është bërë edhe gjenocid i paparë, duke mos kursyer as moshë dhe as gjini.,
Mizorive dhe agresionit serb pra, sikurse dihet dhe sikurse u tha, nuk u shpëtuan as popullata e Bresanës në veçanti dhe ajo e Opojës dhe e Gorës në përgjithësi.
Megjithatë, duhet pranuar se pasojat e pushtimit të gjatë dhe të egër serb, në mendësinë shqiptare pra edhe atë opojare, kanë lënë pasoja të rënda, edhe në aspektin e fshirjes së botëkuptimit për kontinuitetin e historisë së tyre, përkatësisht të luftës çlirimtare kundër pushtuesit serb. E vërteta është se opojarët kanë organizuar dhe kanë bërë luftëra të armatosura kundër pushtuesit serb, prej vitit 1912 e këndej, mbase edhe më herët, sa herë që u janë krijuar sado pak mundësi, por vlera e atyre luftërave çlirimtare nuk është deponuar e plotë në kujtesën tonë historike.
Për të qenë sa më i saktë në konstatimin tonë, theksojmë faktin se që nga koha kur është aktualizuar ngritja e një pllake përkujtimore për të masakruarit tek “Livadhi i Kasës”, kisha biseduar me familjar dhe miq të mi të moshave dhe kualifikimeve të ndryshme duke ua parashtruar pyetjen se çka dinin për “Livadhin e Kasës”. Me anë të kësaj pyetjeje doja të gjeja një të dhënë më shumë për hulumtimin tim, por rezultati, fatkeqësisht, ka qenë zhgënjyes. Disa e dinin se aty kishte ndodhur një masakër dhe kaq, pa ndonjë hollësi tjetër, për disa të tjerë “Livadhit të Kasës” sikur nuk donin t’ia përmendin emrin , e disa të tjerë nuk e dinin me saktësi se ku gjendej varri masiv, dhe të ngjashme. Nuk dua të bëj asnjë lloj gjykimi të këtij problemi në bazë të kësaj miniankete tendencioze, por megjithatë marr lirinë të konstatoj se kjo na tregon se ka elemente të fshirjes së kujtesës historike. Mbase thënë më saktë, ka një informacion të fragmentuar dhe të deformuar për këto ngjarje.
Prandaj e përgëzoj organizatorin e kësaj akademie dhe e quaj shumë me vend ngritjen pllakës përkujtimore për të masakruarit në “Livadhin e Kasës” dhe të tjerëve në Bresanë.
Marrë të drejtën po ashtu, që të propozoj që pllaka të tilla të ngritën edhe në fshatrat e tjera të Opojës ku kanë ndodhur masakrat, si në Brrut, Bellobrad, Plavë, po edhe në Gorë, dhe për ngritjen e një memoriali për të gjithë të vrarët nga pushteti serb gjatë shekullit që shkoi.
Natyrisht puna e parë që duhet bërë është identifikimi dhe saktësimi i të gjithë të masakruarve dhe të vrarëve, qoftë në Bresanë, qoftë në fshatrat e tjerë të Opojës, po edhe të Gorës, sepse edhe sot e kësaj dite, nuk dihet me siguri se sa opojarë qenë vrarë dhe masakruar më 1913 nga okupatori serb, shifrat për këto mizori ndryshojnë nga njëri burim në tjetrin. Kjo prandaj mbetet një punë për t’u bërë në të ardhmen, në radhë të parë nga historianët dhe intelektualët e Opojës dhe me gjerë. Sikundërqë mbesin për t’u ndriçuar edhe veprimtaria e personaliteteve që u vranë apo u masakruan te “Livadhi i Kasës” dhe në vende të tjera. E themi me keqardhje, dhe me një dozë të fajit personal, se edhe sot e kësaj dite kanë mbetur të pandriçuar rrethanat politike dhe zhvillimi ngjarjeve në Opojë para 1912, dhe sidomos kanë mbetur pa u ndriçuar edhe masakrat që ndodhën më 1913 dhe pasojat që sollën ato në vitet në vazhdim, e të cilat vite e themi me shumë bindje kanë qenë ndër më të vështirat për popullatën e Opojës. Nëpër duar na kanë kaluar një numër i konsiderueshëm i dokumenteve arkivore që bëjnë fjalë për rrethanat e vështira që kishte përjetuar popullata e Opojës gjatw viteve 1912-1918, siç ishin, p.sh. vitet e urisë, apo, siç njihej ndryshe, zija e bukës, vdekjet nga tifoja, dhimbja e barkut etj.. Kjo mbetet një punë për t’u bërë.
Gjithashtu kur bëhet fjalë për masakrën te “Livadhi i Kasës”, është obligim i yni intelektual dhe patriotik që të ndriçohen personalitetet që u masakruan në këtë vend. Është e ditur se një ndër objektivat kryesore që kishte pushtuesi serb ishte edhe likuidimi i udhëheqësve të lëvizjes shqiptare dhe personaliteteve të shquara të një vendi. Dhe kjo bëhej me një qëllim të caktuar, sepse me likuidimin e prijësve fetar dhe atdhetar dhe udhëheqësve të atij vendi, pushtuesi mendonte se më lehtë do t’i arrinte synimet e tij.
Prandaj nuk ishte e rastit vrasja e Mulla Avdisë së Kuklibegut, figura e të cilit nuk na është e njohur, përveç faktit se ai kishte qenë një hoxhë përparimtar, trim dhe guximtar, dhe i cili, përveç tjerash, kishte qenë mësues i bejtexhiut Mulla Mehmet ef. Salihut. Është obligim të njohim edhe figurën e Mulla Xheles, një tjetër personalitet dhe udhëheqës i shquar i masakruar tek “Livadhi i Kasës”.
Për Mulla Xhelën, ne dimë shumë pakë, sa kohë që në një dokument/diplomë të cilën Haxhi Rexhep ef. Ismaili ia kishte lëshuar djalit të tij hafëz Adanit në vitin 1947, mulla Xhela cilësohet me epitete të mëdha dhe i njihen disa merita të rëndësishme. Aty, përveç të tjerash, shkruan se pikërisht Xheladini i biri Maliqit, ishte ai që më 1908 kishte iniciuar hapjen, ose, më mirë me thënë, rihapjen e Medresesë së Opojës në Bresanë, e cila medrese më pas do të luante një rol me rëndësi në arsimimin dhe emancipimin fetar dhe kombëtar të popullatës së Opojës. Në këtë dokument, gjithashtu, Mulla Xhela cilësohet me titullin “Gazi”. E “gazi” në atë kohë ishte titulli dhe epiteti që u jepej luftëtarëve të shquar që luftonin në vijat e frontit me qufarët, ndryshe “gazi” d.m.th. hero, ngadhënjimtarë. Kjo na jep të kuptojmë se Mulla Xhela kishte qenë një luftëtarë dhe trim që ishte dalluar në luftërat kundër serbëve.
Por këtu shtrohet një pyetje e ligjshme dhe logjike se ku do ta ketë marrë këtë epitet Mulla Xhela, në cilat luftëra qe dalluar ai? Edhe kjo mbetet një pyetje që kërkon hulumtim, por mua ma thotë mendja, dhe në këtë drejtim flasin edhe faktet, se mulla Xhela dhe Mulla Avdia do të kenë qenë veprimtarë të Lidhjes së Prizrenit dhe këtë titull ai do ta ketë marrë në mbrojtje të territoreve shqiptare në frontin e Nishit a Prokuples ose në Plavë e Guci.
Edhe një tjetër bashkëkohanik i Mulla Xhelës po nga ana jonë do ta ketë marrë epitetin “gazi”, e ai është Arif Gazi Krusha nga Krusha e Gorës, i cili po ashtu kishte qenë pjesëmarrës dhe veprimtar i dalluar i Lidhjes së Prizrenit. Rrjedha e fakteve, ndonëse në shikim të parë të përcipta, na shtyjmë të mendojmë se Mulla Avdia dhe Mulla Xhela ishin nxënës e më pastaj edhe bashkëmendimtarë dhe bashkëveprimtarë besnikë të opojarit tjetër Haxhi Ymer Prizrenit të mirënjohur. Pra, Lidhja e Prizrenit kishte anëtarët dhe veprimtarët e saj edhe në Opojë, të cilët madje edhe qenë shquar në këtë drejtim.
Po ashtu në dokumentin tashmë të përmendur në gjuhën arabe, Haxhi Rexhepi, për Mulla Xhelën thotë se “ka vdekur si shehidë”. Këtë të dhënë e konsiderojmë si shumë të rëndësishme, jo vetëm për faktin se është thënë nga një njeri me autoritet e myderriz i shquar dhe i cili shumë mirë e ka ditur peshën dhe rëndësinë e të qenit shehidë dhe faktin se kush mund të quhet shehid, por kjo e dhënë vërteton fjalët e Mulla Xhelës, e të cilat janë përjetësuar edhe në poezinë “Livadhi i Kasës (epitaf)” të Demir Reshitit, ku thuhet se Baba Xhelë në momentet e fundit para pushkatimit dhe kur ishte nxjerrë para tytave dhe bajonetave të okupatorit serb kishte bërtitur me sa zë që kishte: “Mos ia ktheni shpinën shkavit, ai jezit na shehidë”. Këto fjalë të Mulla Xhelës dëshmojnë katërçipërisht për vetëdijen e lartë fetare dhe atdhetare që kishte pasur ky personalitet dhe popullata e Opojës në përgjithësi. Kjo thënie e Mulla Xhelës mund të merret edhe si një fetva, si një vendim juridik legjitim i plotfuqishëm sipas parimeve islame, se armikut, pushtuesit nuk duhet kthyer shpinën, por ai duhet luftuar, sepse fundja ata kishin një garanci hyjnore se sa të jenë gjallë, janë në vendin që Zoti ua kishte zgjedhur që të ishin aty, e në qoftë se do të vriteshin për ta mbrojtur atë vend, ata do të kishin favore të tjera në botën tjetër. Në anën tjetër, kjo i trimëronte ata se ndaj një katili, jezidi e zullumqari, kushdo qoftë ai, nuk duhej të dorëzoheshin dhe as t’i nënshtroheshin.
Natyrisht asnjë nga të masakruarit tek “Livadhi i Kasës”, as Mulla Avdia, as Mulla Xhela, as Haxhi Idrizi, as Mulla Veli Begu i vrarë , dhe as të tjerët, nuk janë masakruar rastësisht dhe që të gjithë e meritojnë respektin, kujtimin dhe kujdesin tonë. Ata kanë qenë përfaqësues të denjë të pjesës më elitare të Opojës së asaj kohe.
Prandaj, në qoftë se bashkëshortja e Mulla Avdisë në rrethana shumë më të pafavorshme, kishte gjetur guximin dhe mbi varrin masiv te “Livadhi i Kasës” kishte ngritur një pllakë me mbishkrimin në osmanishte për të masakruarit aty, ne sot kemi më shumë arsye për t’i përkujtuar ata dhe për t’i përjetësuar deri në infinit të bëmat dhe emrat e tyre.
Është koha që “Livadhi i Kasës”, nga një vend “i panjohur”, nga një vend “i frikës” e “i tmerrit”, të shndërrohet në një vend të kujtesës historike jo vetëm për Bresanast dhe Opojarët, po për të gjithë ata që do të kalojnë këndej pari, një vend nga ku do t’u kallxohet gjeneratave çfarë u kishin bërë pushtuesit të parëve të tyre. Kjo çështje kërkon një kujdes dhe mbështetje jo vetëm individuale, por edhe institucionale dhe shtetëror.
Në këtë drejtim do të ishte e udhës që nga nesër dy orët e para nga lënda e historisë në shkollat e Opojës t’u kushtohen masakrave serbe në fshatrat e Opojës, për masakrat te “Livadhi i Kasës”, për masakrat në Brrut, Zym, Rrencë, Bellobrad, Plavë etj. dhe për djegien dhe plaçkitjen e Opojës. Jo për të ngjallur tek nxënësit ndjenjën e urrejtjes ndaj atyre që i kanë bërë këto masakra, por për të mos harruar se kush i ka bërë, dhe sidomos për të qenë mirënjohës për kontributin që të parët tanë kanë dhënë për çështjen kombëtare, sepse liria që sot gëzojmë është kurorëzim i shumë përpjekjeve atdhetare dhe të dobishme të shumë gjeneratave.
Dhe fare në fund, më lejoni të konstatoj se kombet e konsoliduara historinë e kanë koherente, të pashkëputur. Një ngjarje e ndodhur para qindra vjetësh përjetohet si të kishte ndodhur dje. Është koha e fundit pra, që edhe ne të fillojmë ta përjetojmë ashtu historinë tonë.
Ju faleminderit!
Bresanë, 04.11.2012