Katarza papale e Gjon Palit të Dytë dhe “mëkatet” e Kishës katolike

Tema “vdekja e papës” nuk mungoi edhe në ligjerimet e disa xhamive - vende ku adhurohej vëtëm një Zot, ku mohohej “trinia”, ku personaliteti i Isaut a.s. ngritet vetëm aq sa e ka ngritë edhe vet Kur’ani Fisnik, e jo më tepër...

Gjithë ai publicitet, si nga bota krishtere, ashtu edhe nga ajo islame, bëri që papa të kuptohet dhe të vlerësohet si “njeri i mirë” ose së paku të harrohen “mëkatet” e Kishës nga e kaluara...

Turmat e njerëzve që erdhën në varrimin e Papa Gjon Palit II në Vatikan, nuk ishin asgjë tjetër por manifestim i dashurisë për të qenë sa më afër me shenjtorët, e jo vetëm kjo, por ata në një farë mënyre edhe kërkonin falje për mëkatet e tyre, pasi që pendimi është edhe rruga më e mirë drejt pastrimit shpirtëror. Besimtarët katolikë për faljen e mëkateve të tyre iu drejtohen klerikëve, ndërsa ata që gjenden pikërisht para “dritares”, kërkojnë falje nga vet Papa. Mirëpo, “dritarja” për disa ditë mbet e mbyllur. Besimtarët e krishterë nuk kishin se nga cila dritare të kthehen për faljen e mëkateve, por një gjë të atillë e bënë vetëm pasi u zgjidhet papa i ri.

Pasi që besimtarët katolikë për mëkatet e tyre kanë se kah mund të drejtohen, qoftë kah klerikët ose drejt “dritares”, atëherë kah cila anë është kthyer Papa për mëkatet e tij ose për mëkatet e përgjithshme të Kishës? Kjo pyetje rrjedh nga ajo se, siç dihet, Kisha gjatë historisë së saj ka bërë “mëkate” mjaft të rënda ndaj jokrishterëve, madje edhe vet autoritetet kishtare të Vatikanit pranuan një gjë të atillë.

Sidoqoftë, papa shpeshherë (në mënyrë verbale) është shprehur lidhje me kërkimin e faljes, madje edhe para turmave të njerëzve, gjë që kemi patur rastin t’a shohim edhe përmes ekraneve televizive. Autoriteti më i lartë kishtar i Vatikanit, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, shpesh herë është lutur që Zoti t’ua falë mëkatet dhe gabimet e bëra në të kaluarën, “mëkate” këto të cilat i bëri Kisha gjatë historikut të saj. Lutjet e këtilla nuk munguan edhe në prag të mileniumit të tretë, gjegjësisht në fund të shekullit XX e në fillim të shekullit XXI.

Ndër lutjet më publike të Papës ishin ato në prag të vitit 2000. Me këtë rast ai kishte thënë se edhe të krishterët janë të gatshëm që t’ua falin të tjerëve për dëmin e shkaktuar ndaj tyre. Papa e shpalli vitin 2000 si Vit i Shenjtë ose jubilej me të cilin do të shënohet fillimi i mileniumit të tretë kristijan. Thuhet se ky ishte papa i parë, pas Hadrijanit VI të vitit 1523, që haptazi të kërkojë falje për gabimet nga e kaluara e jetës së Kishës katolike, edhe atë duke i numëruar në një listë të quajtur mea clupa ku i kishte numëruar gabimet, gjest krishter të cilin e quajtën mjaft pozitiv... Papa Gjon Pali II pohoi se koha para vitit të ri 2000 është kohë e vërtetë për të kërkuar falje në emër të Kishës.





Pendim përmes enciclica ut unum sint 1995 dhe Nostra Aetate



Në disa raste vet Papa kishte kërkuar falje për “gabimet” që i kishte bërë Kisha ndaj të tjerëve, siç ishte ajo në vigjilje të mileniumit të tretë. Me këtë rast ai deklaroi:

“Sot, në vigjilje të jubileut të Madh, ndiej nevojë që të shpreh keqardhjen dhe indinjatën time më të thellë për vdekjen mizore të Jan Husit dhe për pasojat e konfliktit dhe të ndarjes në mendjet dhe zemrat e popullit çek. Plagët që datojnë që nga shekujt e kaluar, doemos të shërohen nëpërmjet mardhënjeve të reja pozitive”.

Një pendim të këtillë Papa e kishte shpreh edhe në vitin 1992 në SHBA, kur autoktonëve indianë të Amerikës veriore iu kishte kërkuar falje për atë që kolonizatorët evropian me Bibël në dorë i kishin mbytur, persekutuar dhe dëbuar qindra apo milionë indianë... (Kujt iu ka kërkuar falje, pasi që ata sot nuk ekzistojnë në SHBA, sepse u zhdukën në emër të Biblës???). Pendim të njëjtë u shpreh edhe në vitin 1995, atëherë kur Papa Gjon Pali II, përmes një teksti papal të quajtur Enciclica ut unum sint 1995, haptazi kishte kërkuar falje për gabimet historike të Kishës.

Mëkat, që në disa raste është përmendur edhe nga autoriteti më i lartë i Vatikanit, është edhe ai i ndarjes së Kishës në dy rite, në Catolic dhe në atë Orthodoks (v. 1054), ndërsa në vitin 1998, në emër të katolikëve, Papa do të kërkojë falje nga hebrenjtë për atë se Kisha e ka ndihmuar nacizmin dhe realizimin e holokaustit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kur jemi te holokausti, mund të thuhet se ajo që në histori u shënua si datë e zezë për hebrenjtë të Gjermanisë, e që ishte edhe fillimi i holokaustit, është edhe e ashtuquajtura Nata e Kristaltë (Kristallnacht), gjegjësisht nata ndërmjet 9-10 nëntorit të vitit 1938, kur nacistët gjermanë të frymëzuar nga antihebreizmi (e jo kundër të gjithë semitëve, sepse popull semit janë edhe arabët, etj.) sulmuan hebrenjtë dhe shkatërruan pjesë të mëdha të pasurisë së tyre, dyqane, si dhe shkatërruan 191 sinagoga dhe i burgosen rreth 30 mijë hebrenjë. Andaj, hebrejtë vazhdimisht pohojnë se gjatë luftës së Dytë Botërore Kisha katolike luajti një rol të madh kundër tyre, ndërsa teologët të krishterë e mohojnë një gjë të këtillë.

Të përmendim edhe atë se antisemitët (antihebrenjtë) më të dalluar evropianë ishin edhe Gjon Gojarti, Zhak Kalvini, Martin Luteri, Deni Dideroi, Voteri, Monteskje, etj.

Edhe pse ky qëndrim i Kishës katolike ndaj hebrejëve të Evropës gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte manifestim i qartë antisemit, prapseprap, për çudi hebrejtë nuk e kanë alarmuar aq shumë këtë çështje, por përkundrazi, Vatikani bëri një studim në fushën e miqësisë me hebrejtë, gjë të cilën hebrenjtë e pritën me mirëseradhje. Në të vërtetë, në organizim të Vatikanit është mbajtur një simpozium me temë: “Rrënjët e antisemitizmit”, ku janë kërkuar shumë pyetje, ndër cilat edhe këto:

-Si duhet të komentohen fajësimet e hebrenjve që gjenden në Dhjatën e Re?

-Si të komentohet qëndrimi antihebrej shumëshekullorë i katolicizmit?

-Si duhet të jetë përgjigja e katolikëve për antisemitizmin e tyre ndaj hebrenjëve? etj.

Tubimi në fjalë ishte pikërisht për holokaustin. Në fund të simpoziumit, gjashtëdhjetë teologë katolikë u bashkuan në një qëndrim se në të ardhmen ndaj hebrejëve dhe Izraelit duhet të bëhen më të qetë dhe më kujdesshëm. Kardinali Roger Etchegaray theksoi se qëllimi i simpoziumit është që të thellohet paqa dhe marrëdhënjet ndërmjet të krishterëve dhe hebrejëve. Është theksuar se një hap më serioz i parë i tillë është bërë atëherë kur në Koncilin e Dytë të Vatikanit në dokumentin e quajtur “Nostra Aetate”, është gjykuar antisemitizmi, që në një farë doze ekziston në radhët e besimtarëve katolikë. Në këtë dokument hebrejtë quhen “vëllezërit tanë më të vjetër”.

Siç shihet “antisemitistët” u vëllazëruan me “bashkëpunëtorët” e Pilatit, ndërsa (për intereset e tyre të ngushta) i harruan Netët e tyre, si të kristalta, ashtu edhe atë Bartolomeje...

Pas këtij takimi historik, marrëdhënjet ndëmjet katolikëve dhe hebrejve janë përmirëusar, edhe pse mjaft pyetje mbetën të hapura. Siç është e njohur Vatikani edhe në mënyrë zyrtare e pranoi Izraelin, por qëndrimet fundamentale të të dy religjioneve mbetën të pa ndryshuara. Temë e veçantë në këtë simpozium ishte antisemitizmi.

Pas simpoziumit, teologët hebrej ishin të përmbajtur në vlerësimin e rezultateve nga ky simpozium. Nga ana tjetër, teologët katolik nuk dëshirojnë t’a humbin primatin për të sjellur ndonjë gjykim për të kaluarën, sepse Kisha katolike gjithnjë e më shumë dëshiron të mbajë rejtingun e saj në skenën e jetës religjioze. Papa insistonte që të bisedohet për të gjitha pyetjet që janë me interes vital për mbarë njerëzimin, me këtë edhe për të gjitha religjionet, mendim që tek ortodoksët dhe muslimanët shkaktoi mosbesim. Poashtu këtë akt të Kishës katolike edhe hebrejtë e shohin me rezervë, edhe pse Vatikani ndonjëherë gjen personalitete me prejardhje hebreje ose konvertitë nga hebreizmi, të cilët i shpall si “të shenjtë nga Kisha”, siç ishte Tereza Benedikt (Edith Stein).

Me rastin e shpalljes si ditë përkujtimi për holokaustin, më 09.10.1998, Papa Gjon Pali i Dytë në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, bëri edhe një orvatje mjaft diplomatike me qëllim që me hebrejtë të bëhet sa më i afërt. Fjala është për çifuten Edith Stein të cilën e shpalli si të shenjtë. Ceremoninë e kanonizimit të Edith Steinit (murgeshë hebreje e cila konvertoi në katolicizëm), e udhëhoqi vet papa Gjon Pali II.

Edith Stein është e lindur në vitin 1891 në qytetin Vroclav, që tani i takon Polonisë. Ajo kishte studiuar në Gjermani, ku gjatë studimeve kaloi në katolicizëm. Gjatë Luftës së Dytë Botërore në gusht të vitit 1942, qe deportuar nga nazistët gjermanë në kampin e përqëndrimit në Aushvic e cila një muaj më vonë, nën emrin Tereza Benedikt, si motër e sektit karmelit, është helmuar në njërën nga komoret e gazit.

Në këtë ceremoni prezentuan edhe ish kancelari gjerman Helmut Koll dhe ish kryeministri polak Jerzhi Buzek.





“Hebrenjtë perfid” bëhen “vëllezërit tanë të vjetër në fe”



Një ndër çështjet më problematike që ekziston ndërmjet të krishterëve dhe hebrenjëve, e që unë do t’a quaj si “konflikt mileniumik”, është edhe ai që ka të bëjë me tradhëtinë kundër Jezusit (Isaut a.s.), gjegjësisht me atentatin ndaj tij.

Kisha katolike deri në prag të shekullit XXI konsideroi se hebrenjtë janë bartës të fajit apo “mëkatit kolektiv” për atë që e “mbytën Jezusin”, gjë për të cilën Kisha ende nuk mund të qetësohet. Gjatë historikut të saj, Kisha katolike në liturgjitë e saja shpeshherë hebrenjtë i quajti “hebrenjtë perfid”, “hebrenjtë e fëlliqur”, etj. Mirëpo, në kohën më të re, gjegjësisht në prag të mileniumit të tretë, Papa Gjon Pali II hebrenjëve ua fali gabimin (!) dhe ata përsëri i quajti “vëllezërit tanë të vjetër në fe”.

Kjo ishte një mbulesë e mëkatit me një mëkat tjetër... Këto janë orvatje për t’i mbuluar mëkatet e kryera nga vet Kisha katolike, ndërsa për ato të rejat nuk kanë kohë të përqëndrohen.





Protestantët dhe deklarata e përbashkët për “Shkencën e shpëtimit”



Një ndër orvatjet për një pajtim ndërskizmatik krishter mund të llogaritet edhe pajtimi historik ndërmjet katolikëve dhe protestantëve, orvatje kjo që u realizua në vitin 1999. Në të vërtetë, me nisjativën e Vatikanit, ky ishte një hap pikërisht pas 482 viteve armiqësi dhe konflikt të ashpër ndërmjet katolikëve dhe protestantëve.

Ndarja e thellë ndërmjet tyre daton që nga viti 1517, atëherë kur Martin Luteri në dyert e kishës së Wirtembergut, kishte vendosur letrën e shkruar prej 95 qëndrimeve teologjike reformiste kundër diktaturës papale romake dhe komentimit të tyre të fesë. Ky ishte një akt i ndjenjës ku shkaktoi lindjen e reformacionit protestant, e cila përsëri shkaktoi ndarjen e botës krishtere dhe luftërat e panumërta fetare, ku humbën jetën disa qindra mijëra njerëz.

Luteri i Wirtembergut me lëvizjen e tij të quajtur protestantzëm, Vatikanit i solli mjaft telashe, madje ky konflikt ende vazhdon me intensitetin e vet (ndërmjet katolikëve dhe protestantëve të Irlandës Veriore dhe Anglisë, etj.)...

Sidoqoftë, të gjitha këto konflikte shekullore ndërmjet protestantëve dhe katolikëve, Papa Gjon Pali II u orvat që t’i mbyllë në vitin 1999. Ata nënshkruan Deklaratën e përbashkët për “shkencën e shpëtimit”. Në dokumentin, që nga përfaqësuesit e të dy anëve është përpiluar tridhjetë vite, ekziston e shkruar se: “E gjithë ajo që ka ndodhur në të kaluarën ndërmjet vëllezërve, në realitet ka qenë vetëm një mosmarrëveshje, e asgjë tjetër”.

Njëri nga nënshkruesit e këtij dokumenti tha: “Ne kuptuam se nuk jemi larg në mendime për fenë, por parasëgjithash kemi fjalor të ndryshëm”.

Kjo marrëveshje mund të komentohet edhe ndryshe. Në të vërtetë, nëse njëkohësisht mund të jenë në të drejtë edhe ata që fenë e trajtojnë si artikuj tregëtarësh (katolikët dhe Kisha), që Luteri në kohën e tij argumentoi duke thënë se ajo është praktikë e Vatikanit, po edhe ata të cilët nga pasuesit e “religjionit të dashurisë” (lexo: nga të krishterët) u mallkuan si heretikë të llojit më të rëndë (protestantët), atëherë me lëndën e mosmarrëveshjes së tyre diç nuk është në rregull. E mosmarrëveshja, si duket qëndron pikërisht tek Vatikani dhe krishterizmi.

Në këtë konferencë të pajtimit, përfaqësues i rreth një milijarde katolikëve (i emëruar sipas Gjon Palit të Dytë), ishte Edvard Idris Cassidy, ndërsa rreth 60 milionë protestantë i përfaqësoi kryetari i Federatës Luteriane Botërore, peshkopi Kristian Krause.





Mëkate apo krime të organizuara



Kujdes të veçantë duhet t’i kushtojmë thënieve të këtilla kur kërkohet falje ose pranohet gabimi vetëm si “gabim” ose si “mëkat”, e nuk shkohej më tej... Gjatë pendimeve të atilla të kreut më të lartë të Vatikanit, siç duket u lanë anash bogumilët, muslimanët, katarët, albigenezët, valdenezët, templarët dhe shumë të tjerë...

Më se e vërtetë është se Papa asnjëherë nuk kërkoi falje për “Çekanin e shtrigave” (Malleus maleficarum), të cilin romansieri Den Braun e përmend në “Kodin e Da Vinçit” të tij, për Natën e Bartolomeut ose për Natën e Kristaltë...

Mëkati “Papal” dyfishohet edhe atëherë kur harrohen dënimet e ushtruara edhe ndaj Ivan Skot Eriugeniut (v. 1225), Xhon Viklifiut (1384), Kalvinit, Sigerit të Brabandit (përfaqësuesit më të njohur françez të mësimeve të averroizmit) i cili me vendim të Gjyqit të Inkuizicionit, në vitin 1277 në Paris u gjykua me vdekje, Xhordano Brunon, të cilin e dogjën në stivë drujsh në sheshin Campo di Fiori në Romë në vitin 1600, Miguell Serveton (1511-1553), të cilin në vitin 1553 inkuizicioni e dogj të gjallë në stivë, Luçilio Vaninin reformist dhe filozof i njohur italian, i cili për shkak të mendimeve të tija të lira, në vitin 1619 nga ana e Inkuizicionit u gjykua me këputjen e gjuhës, etj. Poashtu edhe Domenik Skandela (shek. XVI) nga Fruili i Italisë Veriore, kishte përjetuar fatin e njëjtë nga Kisha katolike[1]. Të gjithë ata i “hëngri” Kisha dhe i “shëroi” zjarri, sepse sipas Kishës “zjarri shëron” (ingis sanat), ndërsa stiva ishte një dënim adekuat për “heretikët dhe librat e tyre”.

Siç kuptohet lëvizjet e këtilla skizmatike u kundërshtuan me ashpërsi të pakompropis nga Kisha katolike kudo që u gjetën ata. Një përgjigjje e atillë inkuizicioniste ishte edhe ajo ndaj hugenotëve skizmatik të Francës. Akti mëkatar i Kishës katolike që u ndërmor kundër hugenotëve shënoi datën më të zezë të historisë së “religjionit të dashurisë”. Sulmi ndaj tyre ndodhi atëherë kur hugenotët kremtonin Natën e Shën Bartolomeut 23-24 gusht të vitit 1572 e njohur si “Nata e Bartolomeut”. Këtë natë tinëzisht u sulmuan dhe u mbytën mijëra besimtarë të sektit hugenotë nga katolikët. Më pas, u mbytën edhe mbi njëqind mijë hugenotë të tjerë anembanë Francës.

Kjo nuk i pengoi Kishës, që në fund të shekullit XX, Papa Gjon Pali II të shkojë mbrapa deri në vitin 1415, duke i kaluar hugenotët e vitit 1572, e duke i harruar valdenezët e albigenezët (shek. XIII), e të kërkojë falje(!) për arrogancën e Kishës katolike që e ushtroi kundër reformatorit religjioz çek Jan Husit në vitin 1415, i cili u dënua me vdekje - djegie në stivë. Madje edhe sot e kësaj dite autorët e Gjyqeve famëkeqe inkuizicioniste gëzojnë famën më me nder në qarqet kishtare katolike. Vërtetë teologjia krishtere mburret me autoritetin e Thoma Akuinit (1225-1274), por nëse hedhim një vështrim ndaj veprimtarisë së tij si teolog katolik më me ndikim, atëherë do ta kemi të qartë se Maks Beri ka të drejtë në konkludimet e tij kur ai ia zë për të madhe Akuinit për qëndrimet e tij si domenikan, i cili edhe kishte formuluar vendimin e Kishës kundër heretikëve, ku thuhej: “Herezia është mëkat, për ç’arsye, duhet që heretiku jo vetëm të eskomunikohet nga Kisha, por edhe të mbytet[2].

Mund të pyesim: Për ç’arësye u dënuan këta dijetarë e reformatorë? Pse Viklifiu e kundërshtoi ashpër pushtetin papal, duke pohuar se “thelbin e doktrinës krishtere e përbën vetëm Shkrimi i Shenjtë, e jo predikimet e interpretimet e Papës”? Pse u bë gjithë ai teror ndaj dijetarëve dhe librave? Mund të thuhet se kjo është një ngulfatje e mendimit të lirë të cilën sot perëndimi (lexo: bota krishtere) mundohet t’a imponojë në vendet e Treta...

Sa i përket librave, duhet përmendur vetëm atë se Talmudi gjatë mesjetës disa herë u ndalua dhe u dogj nga të krishterët. Në mesjetë u shpallën një varg ndalesash duke mos lejuar përkthimin e Librit të Shenjtë në gjuhën e popullit. Ndalesat e atilla ishin më evidente në Francën e shekullit XII e këndej. Në vitin 1299 Edikti i Tuluzit (Francë) ua ndaloi laikëve që t’i posedojnë dhe t’i lexojnë tekstet e shenjta biblike të Besëlidhjes së Vjetër dhe të Re...[3]. Elen Vahjt thotë se pushteti i Papës ka bërë përpjekje që t’a fshehë “Fjalën e së vërtetës” nga populli [4].

Koncili i Lateranit i mbajtur në vitin 1215 solli një dokument sipas së cilit hebrejtë, me qëllim që të njihen, detyrohen që të mbajnë nga një shenjë me njgyrë të verdhë, ndërsa në vitin 1267 papa Klementi IV përmes ediktit të quajtur Turbato corde, urdhëron Gjyqin e Inkuizicionit spanjoll që t’i dëbojë të gjithë hebrenjtë nga Spanja, e më vonë (në prag të shekullit XXI) një papë tjetër të kërkojë falje për këtë “gabim” të Kishës !!!

Prapseprap, kur nga hebrenjtë kërkohet falje për dëbimin e rreth 30 mijë hebrenjëve nga Spanja (të shekujve XIII, XV dhe XVI), në anën tjetër anashkalohet një histori krejtësisht e errët kur bëhet fjalë për dëbimin dhe zhdukjen e disa milionë muslimanëve (të shekujve XII, XV-XVI) nga kjo siujdhesë, që gjatë administrimit islamik quhej Andaluzi.

Historia e dëbimit të muslimanëve nga Spanja shpeshherë është treguar në një mënyrë jo të dhëmbshme, e kur flitej për hebrejtë dhe dëbimin e tyre nga ky vend, atëherë përmendet dhe vajtohet me një vokabular mjaft të gjerë. Tragjedinë muslimane dhe humbjen e kulturës islame nga kjo siujdhesë e llogaritnin si një ndodhi kolaterale.

Absurd është të krahasohen hebrenjtë e Spanjës, që ishin vetëm disa mijra (20 deri në 30 mijë), me muslimanët të cilët deri në rënien e Granadës në vitin 1492 ishin mbi tre milionë, të cilët më vonë që të gjithë u konvertuan me dhunë në krishterizëm, u mbytën ose u dëbuan nga Spanja edhe atë duke bërë shkelje të marrëveshjes. Ajo ishte një “mëkat” mjaft i rëndë që u bë me bekimin e Kishës katolike të Spanjës. Në të vërtetë, në vitin 1492 inkuizitorët nënshkruan një marrëveshje me muslimanët e cila përmbante 27 nene dhe kishte të bëjë me dorëzimin e Granadës udhëheqësve të krishterë. Sipas kësaj marrëveshje krishterët duhej t’ua garantonin muslimanëve jetën e sigurtë, liritë dhe të drejtat njerëzore, traditat, fenë, objektet fetare (xhamitë), të praktikuarit e rregullave të jurisprudencës Islame në jetën e përditshme, mbrojtjen dhe sigurinë e vakufeve, etj. Poashtu, krishterët ishin të obliguar (sipas marrëveshjes), që muslimanëve t’ua garantojnë lirinë e vetpërcaktimit, se assesi nuk do të pasojë konvertimi i tyre (muslimanëve) në fenë krishtere. Në marrëveshje parashihej edhe mbrojtja e autoritetit të ulemasë (dijetarëve Islam), lejimi i mbajtjes së armës personale për muslimanët, mosshqetësimi i muslimanëve, mosmbajtja e shenjave të veçanta për identifikim, etj.

Në aneksin e parë të kësaj marrëveshje, mbreti Ferdinand dhe mbretëresha Izabela zotohen në nderin dhe në fenë krishtere se do t’i zbatojnë në përpikmëri të gjitha nenet e marrëveshjes. Mirëpo, ç’ndodhi? Në vend që t’i përmbahen marrëveshjes, kardinali kastilijan, në sahat-kullën më të lartë të qytetit (pjesë e një xhamie), vendosi një kryq. Kjo ishte vetëm një shenjë për fillimin e gjenocidit të përgjithshëm ndaj muslimanëve dhe hebrenjëve të Spanjës. U rrënuan të gjitha xhamitë, disa mijëra banjo publike, bezistene, imarete, medrese, biblioteka dhe shkolla...

Gjatë qeverisjes tetëshekullore të muslimanëve, Spanja ishte një vend multietnik, multiracor, multikulturorë, multikonfesional dhe multiqytetërues. Që nga viti 1492 e deri në supremacionin e kryqëtarëve, Spanja bëhet kryesisht vend monokonfesional.

Në vitin 1501 mbreti Spanjoll urdhëroi që të gjithë muslimanët e krahinave të Kastiljes dhe Leonit, doemos t’a ndërrojnë fenë e tyre ose të shpërngulen. Akti më i tmerrshëm ishte ai i vitit 1556, atëherë kur Filipi i II nxorri ligjin, sipas së cilit të gjithë muslimanët e mbetur në Aragonë (krahinë në Spanjë) doemos të largohen nga feja Islame, nga gjuha arabe, nga mënyra e jetës dhe veshëmbathjes islame. Në vitin 1609, Filipi i III nënshkruan urdhërin për persekutimin e plotë, respektivisht për spastrimin etnik ndaj të gjithë muslimanëve të siujdhesës Pirineje. Me këtë urdhër janë persekutuar më shumë se një milionë muslimanë, kurse gjatë 117 viteve të inkuizicionit krishter spanjoll, nga Spanja (Andaluzia) u dëbuan, u mbytën dhe u zhdukën më tepër se tre milionë muslimanë. Dëbimi i muslimanëve ishte shpallur detyrë e shenjtë fetare nga kryepeshkopi i Valensisë. Ai kanosej me “hakmarrje nga qielli” poqese kursehen pabesimtarët (lexo: muslimanët)...

Ndonëse inkuizicioni ishte themluar me qëllim që në Evropë t’iu kundërvihet lëvizjeve heretike, magjistarëve dhe manipulantëve, sakrificë e vërtetë u bënë indianët e Amerikës Veriore dhe asaj Jugore, muslimanët e Spanjës, hebrejtë dhe shkencëtarët. Heshtja e sotme e Kishës ndaj krimeve që u kryen, e që janë duke i kryer ithtarët e saj në Palestinë, Kavkaz, Irak, Sudan, para disa viteve në Kosovë e në Bosnje (ku vetëm në Srebrenicë për dy ditë u mbytën mbi dhjetë mijë muslimanë), etj., s’është asgj tjetër, përveç se vazhdimësi e heshtur e Inkuizicionit krishter, si dhe hipokrizi publike botërore me bekimin e heshtur të Vatikanit.

“Fusha e mëkatit” të Kishës është mjaft e zgjeruar edhe ndaj zezakëve afrikanë, ndaj indianëve të Amerikës Veriore, ndaj aborixhinëve të Australisë dhe ndaj vendasëve të Meksikës, ku nga dhjetë milion vendas të Meksikës, “religjionin e dashurisë” të inkuizicionit e përjetoi çdo i dhjeti banorë. “Njerëzit superiorë evropianë” me Bibël në dorë i detyronin zezakët e Afrikës, që përmes anijeve të transportohen në Amerikë, bashkëpunëtor të të cilëve ishin edhe marinarët portugjez dhe ata spanjoll. Rruga e inkuizicionit evropian vazhdoi edhe me shfarosjen e popujve indian, siç ishin sijuksët, çejenët, apaçët (të Amerikës Veriore), astekët, inkët dhe majët (të Amerikës Latine), si dhe me shkatërrimin e kulturës dhe qytetërimit të tyre. Gjithë kjo faqe e zezë e historisë krishtere u realizua nga njerëzit e Evropës dhe pikërisht nga territori evropian.





Evropa djep i kontraverseve



Evropa si “kontinent i vjetër”, që në një aspekt është një vend gjeografikisht i papërcaktuar, në praktikë dëshmon se është një dilemë dhe një kompleks i pa zgjidhur interkontinental, ndërsa kufiri aktual i saj është vetëm një vijë artificiale historiko-politike. Në të vërtetë nuk dihet se ku gjendet kufiri natyrorë dhe gjeografik midis Azisë dhe Evropës, ndoshta me të drejtë Pol Valery edhe e quan atë vetëm si “një vazhdimësi e Azisë”, ndërsa sipas G. de Rejnold Evropa është “siujdhesë e madhe ku përfundon kontinenti i gjërë aziatik në Perëndim”. Me këto nocione gjeografike Evropa u quajt edhe nga Elize Rekli, Ogist Himli, Raul Bashnari, etj. Për këta Evropa nuk paraqet tërësi të pavarur, por vetëm një nga siujdhesat e Azisë”, madje një legjendë thotë se Evropa (si personalitet hy), erdhi nga Azia, nëna e të gjitha religjioneve[5]...

Ndoshta kjo traumë “gjeografike” ishte shkaktare që ajo nga gjiri i saj të nxit ndjenjën agresive dhe kolonizuese ndaj popujve dhe territoreve tjera që janë më larg nga vet ajo. Si duket këto tipare negative Evropa i trashëgoi nga Perandoria Romake, sepse për ata ekzistonte vetëm Roma dhe qytetarët e saj dhe çdo kush që gjendej jashtë kufijve të Perandorisë Romake, konsiderohej barbar. Në Perandorinë Romake qytetari romak kishte privilegje të pakufizuara në krahasim me një qytetari të kolonisë. Në çdo vend, qytetari romak mund t’iu drejtohej administratorëve me fjalët: “unë jam qytetar romak”. Kjo fjalë ishte si një formulë magjike, pas së cilës të gjithë ata që e dëgjonin, tregonin respekt të veçantë ndaj personit të këtillë.

Për Perandorinë Romake Juvenali thoshte se politika e saj kolonizuese bën zhveshjen e njerëzve deri në asht[6], ashtu siç - shumë shekuj më vonë, një oficer britanik në kuadër të trupave paqëruajtëse në Ballkan - do të deklarojë: “Më vjen turp të them se jam anglez kur më kujtohet se çfarë kemi bërë në Indi, Australi, Amerikë dhe në shumë vise të botës. Ne, thjeshtë i kemi shtrydhë… i kemi shtrydhë ata popuj… deri në asht”.

Romakët e kishin zakon që popujt kundërshtarë t’i paraqesin si kriminelë dhe armiq të mbarë gjinisë njerëzore, andaj edhe asnjëherë nuk i’u kanë përmbajtur kontratave paqësore, veti të cilën me fanatizëm e kultivuan edhe kolonizatorët. Kultura e kolonizatorëve karakterizohej me atë që veten e konsideronin si qenje të vetme e cila meriton të jetë prodhues i vetëm i vlerave kulturore, gjë të cilën duhet t’a pranojnë edhe të tjerët ! Ky mëkat i madh i tyre mjaft e rëndoi botën, e cila nuk mendonte si ata.

Evropa edhe pse që nga shekulli XI nuk ishte e sulmuar (e as që ishte vend tërheqës për pushtuesit), prej atëherë e deri më sot udhëhoqi disa luftëra kryqëtare-ideologjike, e më pas pushtuese, robëruese dhe kolonizuese ndaj vendeve të ndryshme jashtëevropiane, madje kontributi i Evropës në një aspekt është dukshëm negativ. Duke filluar që nga Kisha si institucion në krye me Papën që shkaktoi mjaft fërkime dhe mosmarrëveshje brenda saj, pastaj; inkuizicioni si zëvendësim i Gjyqit Hyjnor, ndarja e krishterimit në tre rite (katolik, ortodoks dhe protestant), kolonizimet universale të kontinenteve dhe popujve, luftërat kryqëtare-ideologjike, plaçkitja e resurseve dhe pasurive të ndryshme natyrore të Botës së Tretë, dy luftrat botërore, nasizmi, rasizmi dhe shumë negativitete tjera turpëruese... Evropës i japin një ngjyrë vërtetë të errët. Dukuritë më bashkohore në historinë e Evropës, nga të cilat kisha asnjëherë nuk mori mësime adekuate janë pikërisht kryqëzatat, inkuizicioni, dy luftërat Botërore, fashizmi nazist dhe stalinizmi bolshevik. Epidemitë e këtilla dhe ky errësim kolektiv i trurit që i orienton njerëzit në krime kolektive (kryqëzatat, inkuizicioni, nacizmi, fashizmi), u paraqitën në Evropë - në brendinë e kompleksit kulturo-historik të saj, në brendinë e kishës Romano-katolike, por edhe në brendinë e Rusisë ortodokse, siç ishte stalinizmi bolshevik...

Për Evropën është apsurde dhe tragjike që viti më i rëndësishëm në historinë e saj të konsiderohet viti 1492 - vit kur është zbuluar Amerika. Njëkohësisht kjo do të thotë edhe fillim i zhdukjes së muslimanëve dhe hebrenjëve nga Spanja, kurse nga ana tjetër ky vit është edhe fillimi i zhdukjes dhe dëbimit të indianëve të Amerikës Veriore, të Mesme dhe asaj Jugore.

Mund të thuhet se sot (shek. XXI), Evropa ende nuk është zbrazur nga ndjenjat raciste, e një gjë të atillë nuk mundi t’a bëjë as Kisha. Organizata ndërkombëtare, në kuadër të luftës së saj kundër rasizmit në botë, në vitin 1998 në të gjitha shtetet e Unionit Evropian zhvilloi një anketë, sipas së cilës është konstatuar se një nga tre evropianët është rasist i ashpër. Në atë anketë figuronte pyetja: “A je racist”? Përgjigja e të anketuarëve ishte: në Belgjikë 22% të të anketuarëve u deklaruan: “unë jam rasist i ashpër”, në Francë 16%, në Austri 14%, etj. Këto fakte e brengosën faktorin ndërkombëtarë si dhe atë evropian, sepse nga banorët e shteteve me qytetërim të lartë evropian nuk janë pritur këso paragjykimesh. Unioni evropian është mjaft i brengosur për faktin se sot në shek. XXI Evropa është e vërshuar me idetë rasiste.

E këtu mund të pyesim: Nga lindi një qëndrim i këtillë racist në Evropë? Pse antisemitizmi nuk u çrrënjos me eliminimn e Gjermanisë naziste?

Në fund edhe një herë do të themi se Papa dhe Kisha katolike asnjëherë nuk pranunan se gjatë historisë së tyre kanë bërë krim dhe terror, por të njëjtat i konsideronin vetëm si “gabim” apo “mëkat”, e asgjë tjetër, duke përfshirë këtu edhe aktet e inkuizicionit. “Bota e besimit të vërtetë” dhe “religjioni i vërtetë i dashurisë” nuk mund asnjëherë të pajtohet se aktet e atilla ishin vetëm “mëkat”...

Sot përsëri më të afërt shpirtërisht dhe pse jo edhe fizikisht, janë të krishterët dhe hebrenjtë, se sa hebrenjtë dhe muslimanët, edhe pse hebrenjtë nga muslimanët çdo herë kanë qenë të mbrojtur, si në Spanjë, si gjatë periudhës së dëbimit të tyre nga të krishterët, ashtu edhe kur u strehuan nën ombrellën e Perandorisë Osmane. Tani bëhet pyetja: Përse hebrenjtë, gjatë tre mijë viteve persekutimesh, mundimesh, padrejtësishë, dhunë, robëri, gjenocid dhe holokaust - e që asnjëra nga këto fatkeqësi nuk ishte nga muslimanët - përsëri nuk mësuan asgjë? Pasi që hebrejtë u njohën dhe u pranuan si krijesa dhe njerëz të barabartë vetëm nga muslimanët, atëherë përse si armiq më të mëdhenj i konsiderojnë pikërisht muslimanët? Ndoshta arësyeja qëndron aty se ata, ashtu siç edhe të krishterët, besojnë në lajthitjen satanike... “Jehuditë dhe të krishterët thanë: “Ne jemi bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij”. (Kur’an: el-Maide, 18).

Kjo ndjenjë, logjikë dhe ky vlerësim i njerëzve nuk është asgjë tjetër, përveç se vazhdimësi e traditës së lashtë paganike që u trashëgua nga sumerët, akajanët, asirijanët, babilonasët, egjiptasët, grekët dhe nga romakët, sipas të cilëve statut të njeriut, personalitetit, qenjes së lirë politike, posedojnë vetëm qytetarët e polisit dhe Romës, ndërsa të tjerët janë robër dhe barbar, pra vegla që flasin. Sot, miti paganik i gjakut dhe trupit është veshur me rrobe të religjionit, që është shumë më i rëndë dhe mëkat më i madh: “Ju jeni racë e zgjedhur, komb i shenjtë”. (Letra e parë e Pjetrit II).


Përfundim

Historia e administrimit islamik asnjëherë nuk shënoi ndonjë edikt antisemit ose anti krishter. Në bekgraundin e kulturës dhe historiografisë islame nuk mund të gjendet kurrfarë Enciclica ut unum, Natë Bartolomeje, Natë të Kristaltë ose Turbato corde, sipas së cilave do të persekutohen ose mbyten ithtarët e religjioneve të tjera. Pushteti i muslimanëve asnjëherë nuk ua ndaloi Biblën (Dhjatën e Re) të krishterëve ose Talmudin hebrenjëve, por përkundrazi, administrimi musliman (kudo që sunduan ata), ndërtoi edhe kisha, sinagoga dhe tempuj të ndryshëm fetar për besimtarët përkatës.

Sidoqoftë, bota islame e ka të qartë se për çfarë arësye Kisha dhe Papa nuk kërkoi falje për atë që u dëbuan e u mbytën qindra e milionë muslimanë në Spanjë, Afrikë, Bosnje, Kosovë, Kaukaz, Palestinë etj... ose për krimin e pafalur kundër dashurisë dhe paqës, kundër kulturës dhe qytetërimit.., e për atë një ditë para Zotit do të jepet llogaria, edhe pse dyshohet, vallë, a besuan vërtetë në Zot apo jo.

“As jehuditë, e as krishterët nuk do të jenë të kënaqur me ty deri që të pasosh fenë e tyre…”. (Kur’an: El Bekare, 120).
--------------------------------------------------------------------------------

[1] GINZBURG, Karlo, ‘Djathi dhe krymbat - bota e një mullisi të shekullit XVI’, “Çabej MÇM”, Tiranë, 1998, f. 65-66.
[2] BEER, Max, ‘Opça historija socijalizma i socijalnih borba’, Zagreb, 1933, f. 151
[3] WHITE, G. Ellen, ‘Beteja e madhe ndërmjet Zotit dhe djallit’, ‘Znaci na vremeto’, Shkup, 2003, f. 647.
[4] WHITE, G. Ellen, ‘Beteja e madhe ndërmjet Zotit dhe djallit’, po aty, f. 256, nën titullin: “Bibla dhe revolucioni françez”.
[5] RU@MON, Deni de, ‘Dvaeset i osum vekovi na Evropa’, Kultura, Skopje, 1997, f. 39-40.
[6] Max Beer, ‘Opça historia socijalizma i socijalnih borba’, 1933, Zagreb, f. 78.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme