ECJA NËPËR KOHË E ÇARSHISË SË MADHE

Ezani i myezinit  kumbon.  Është vakti i namazit të xhumasë,  e besimtarët  thirren në xhaminë e Hadumit për të kryer obligimin fetar.

 

Që kur Bizeban Sulejman Efendia, i njohur si Hadum Aga, e ndërtoj këtë objekt  fetar islam, ndërmjet viteve 1594/95,   kjo  zonë në perendim të Kosovës ka ndryshuar. 

 

Deri atëherë vendi kishte shumë pak shtëpi dhe njihej si një fshat dhe qendër pazari. Xhamia e Hadumit  është objekti i parë dhe  më i rëndësishëm në këtë kompleks edhe sot e kësaj dite. Nuk ka asnjë i huaj që nuk ndalet në këtë vend. Aty është  qendra e Çarshisë së Gjakovës.

 

Me ndërtimin e këtij objekti fetar, nisën njëra pas tjetrës  të ndërtohen edhe objekte të tjera fetare, hane, shtëpi banimi, dyqane, për t’u përthekuar si një kompleks, i cili më vonë do të marrë emrin Çarshia e Madhe. Sot  njashtu  si dikur ajo  identifikon i qytetin e Gjakovës.

 

Ky kompleks  do të bëhejt një qendër  e rëndësishme pazari, zanatit, por edhe një kompleks më i madhë kulturorë – historik në mbarë vendin. Ajo  po mbijeton edhe sot, edhe pse ka kaluar dhe po kalon nëpër sfida të ndryshme të kohës. Ajo disa herë është djegur, duke përfshirë edhe luftën e fundit.  

 

Sfida e fundit: projekti i komunës së Gjakovës për revitalizimin e saj, i cili bëri bujë fillimisht tek ata që “jetojnë” me këtë kompleks dhe më pas tek ata që kërkojnë të mos preket autenticiteti i saj. Pa e pyetur fare Ministrinë e Kulturës që e ka në mbrojtje edhe këtë kompleks-komuna kishte nisur zëvëndësimin e kalldremit me pllaka mermeri. Punimet janë ndërprerë, por Çarshia me shekuj fsheh mijëra histori. 

 

Gjakova e shekullit XVI

 

Çarshia  e Madhe është vendi  ku janë zhvilluar shumë ngjarje të rëndësishme në periudha të ndryshme kohore, ndërsa brenda  saj kanë vepruar shumë personalitete të njohura. Objekte të rëndësishme që lidhën me fenë, historinë, zanatin dhe kulturën e vendit gjenden në këtë kompleks, prej disa hektarësh në qendër të Gjakovës.

 

 Sipas historianit Masar Rizvanolli  kjo çarshi paraqet një thesar të vërtet kulturo - historik. “Në kontestin e përgjithshëm, sipas ekspertëve të huaj, kjo pjesë paraqet një begati kulturore që e kanë pak popuj”, thotë  Rizvanolli. Në llojin e saj, sipas tij,  ajo paraqet një ansambël kulturo-historik unikat me dimensione të rralla”, shton më pas profesor Rizvanolli.

 

Para disa viteve Rizvanolli  ka bërë një studim për këtë kompleks i cili nis nga Ura e Islam Begut dhe përfundun në lagjën Mulla Jusuf. 

 

“Çarshia  ka lindur me paraqitjën e zejtarëve të parë. Lindi atëherë kur Gjakova fitoj statusin e kasabasë, kur më 1594-95 Sulejman Hadim Aga vakëfoi disa objekte publike që i ndërtoj vet, si xhaminë e Hadumit, një mejtep, një  bibliotekë, një hamam, një han dhe disa dyqane”, tregon Rizvanolli për fillet  e Çarshisë. 

 

Por të dhënat e para për këtë vend  nuk janë përshkruar nga vendasit, por  nga kronisti turk  Evlia Çelebiu,  që ka vizituar  Gjakovën më 1662.  Në bazë të përshkrimit të tij, “Gjakova i ka dy mijë shtëpi të stolisura që ndodhen mbi një fushë të gjërë. Ka dy xhami të bukura, mesxhide (xhami të vogla), hane të mbuluara me plumb. Ka një hamam të bukur që të kënaqë zemrën dhe nja treqind dyqane të ndryshme, të mbushura me mallra e me njëmijë lloj mjeshtrish. Meqë e ka klimën e këndshme, banorët janë të bukur dhe të dashur”.  

 

Çarshia e Madhe sot  pas disa shekujve është  një kompleks e cila numron mbi 500 dyqane,  shumë objekte të tjera, kulturore, fetare e  të zanatit. Më sakt në këtë zonë prej disa hektarësh, gjenden objektet më të rëndësishme,  historike e fetare të Gjakovës.

 

     

 

XHAMIA E HADUMIT NË GJAKOVË, THEMELUAR MË 1594

 

Përveç xhamisë së Hadumit, ndër më të mëdhat në vend, në këtë zonë gjenden edhe Teqeja e Madhe, ajo e shejh Eminit, Teqeja (Gjyshata) e Bektashinjëve, Medreseja e Madhe, por edhe objekte të tjera të rëndësishme,  që për disa shekuj kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e gjakovarëve dhe rrethinës, si  në edukimin  dhe mirëqenjën e tyre.

 

Mexhid Yvejsi një studius i feve, thotë se prezenca e objekteve fetare në këtë zone -  përveç prehjes shpirtërore, qytetarët e çdo moshe, gjinije, që i frekuentojnë, zhvillohen, lartësohen nga ana morale, shoqërore, edukative, kulturore, këto objekte fetare-kulturore i kanë sjell edhe të mira materiale për qytetin e Gjakovës. “Sepse gati çdo javë,  mos me thënë çdo ditë, vizitohen edhe nga vizitorë, përveç Kosovës, edhe nga vend të tjera. Disa herë personalisht kam qenë shoqërues e përkthyes i delegacioneve, turistëve nga Italia, Gjermania, Franca, Anglia, Turqia, Amerika, Izraeli etj., Pa një drekë, pa një darkë, pa ndonjë dhuratë, suvenire, petka kombëtare apo fetare, pa ndonjë buejtje nëpër hotele, asnjë nuk është larguar”, tregon Yvejsi.

 

Historiani Rizvanolli thotë se, meqë teqetë më interesante dhe xhamia e Hadumit përfshihen në kuadër të Çarshisë, atëherë ne duhet të sigurojmë një qasje sa më tërheqëse në të për turistët e huaj dhe të vendit”.

 

Çarshia e Madhe-muze i gjallë

 

 

 

                              ÇARSHIA E MADHE E GJAKOVËS 

 

 

 

Por Çarshia e Madhe e Gjakovës, sipas Mexhid Yvejsit,  përveç këtyre monumenteve, kishte e  ka edhe  shtëpi e dyqane karakteristike, është një muze i gjallë, që me arkitekturën e vaçantë, ku shprehej një fuqi krijuese e mjeshtërve vendas, mahniste kronistët e kohës, mahniste vizitorët e ndryshëm dhe frymëzonte ekspertë të lëmive të ndryshme”..

 

“Çarshia e Madhe e Gjakovës me Xhaminë e Hadumit, bibliotekën, mejtepin, me qindra shtëpi e dyqane, me Medresën e Madhe e Teqen Bektashiane, ishte jo vetëm qendër kulturore, fetare, historike, shoqërore, arsimore, edukative e politike, por ishte edhe qendra kryesore, më e fuqishmja, ekonomike e qytetit”, shton më pas ai. 

 

Hani i Haraçisë, është një prej objekteve më të bukura të këtij kompleksi që ekziston edhe sot e kësaj dite.  

 

Ai është një nga objektet më të vjetra.  “Hani është simbol i qytetit tonë i cili përfaqëson denjësisht të gjitha karakteristikat e qytetit të Gjakovës, thotë Ali Haraçia trashëgimtar i këtij objekti të vjetër i cili gjendet shumë afër xhamisë së Hadumit. Sipas Haraçisë kronistët e huaj kur kanë vizituar janë shprehur se Hani është kryevepra e Çarshisë së Madhe. Në bazë të gojëdhënave thuhet se shumë karavane  kanë kaluar nëpër këtë Han, pasi Gjakova ka qenë një rrugë tranzite për në Shqipëri. Por ky objekt i cili është renovuar  tërsisht më 2004, më shumë luan rolin e një restoranti i cili ofron ushqim autokton tradicional.

 

Por në Çarshinë e Madhe të Gjakovës, që prej themelimit, ushtroheshin dhjetëra zeje të ndryshme, duke filluar nga armëtarët, argjendarët, kazangjinjtë, lëkurëpunuesit , rrobaqepësit, zhgunaxhinjt, qëndistarët, zdrukthëtarët, kazazët,  qeleshepunuesit , gërçakxhinjtë, saraçët, opingaxhinjtë, cergaxhinjtë, çibukxhinjtë. Shumica prej tyre tashmë kanë pushuar aktivitet. 

 

Pjesë e objekteve që kanë shërbyer në të kaluarën nuk ekzistojnë, por disa  të tjera janë rikthyer.  Ta zëmë në këtë kompleks jo sikur në të kaluarën, nuk ekziston hamami.  Por  me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, në vitet e fundit tri objekte brenda këtij kompleksi janë ndërtuar dhe renovuar, sikur ta zëmë Sahat Kulla, Mejtepi Ruzhdie, objekti i shkollës së parë shqipe, apo objekti i  tabakëve.  Ky i fundit që prej ndërtimit më shumë po shërben si kafehane.

 

Por Çarshisë po i mungon prej viteve mungesa e bizneseve. Çdo ditë e më shumë  dyqanet e saj karakeristike  të punuara  nga druri po mbyllen. Në  vitet e fundit janë shuar edhe shumë zeje. Kjo situatë ka ardhur sidomos pas luftës së fundit.

 

 Gëzim Kika, një rrobaqepës, i cili në këtë kompleks  por punon  që në moshë të re, mendon se kjo pjesë akoma është e rëndësishme edhe përkundër që  atraktiviteti i zonës nuk është më sikur dikur . Ai thotë se nuk e ka ndërmend të largohet, duke pritur ditë më të mira në bisnesin e tij. Ai bënë krahasimin në mes viteve  si i ri dhe tash si një mesoburrë.  “Sot as për së afërmi kjo zonë nuk e ka namin që e kishte dikur”, thotë Kika. Çdo zejtar ka punuar  para disa viteve nuk ka pasur nevojë të bënte një punë tjetër. Por jo sot”, shton ai.

 

Prishtinë, 10 Nëntor  2012

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme