Pengesat dhe perspektiva e dialogut ndërmjet Islamit dhe Kristianizmit - (Kapërcimi i paneklezianizmit / evrocentrizmit)

Kur’ani mëson se Islami nuk është religjion që është paraqitur me Muhammedin a. s.. All-llahu nuk është Zot i veçantë vetëm për muslimanët. As Muhammedi a. s. nuk ka pohuar për veten se është i pari prej të dërguarve të Zotit, por ka pohuar se Islami dhe kristianizmi (si fe qiellore) janë nga gurra e përbashkët shpirtërore(1), të njohura gjatë shekujve në traditën primordiale ibrahimiane, të cilat ndërsjellësisht gjithnjë takohen dhe gërshetohen në pikëpamje fetare, kulturale, qytetëruese, politike, ekonomike dhe gjeografike. Mirëpo, për shkak të ekskluzivizmit doktrinar dhe historik, të cilin kristianizmi, në format tashmë të njohura religjioze pakusht i konfirmon, i avanson dhe i mbanë për vetëveten ndërsa i konteston për religjionet jashtëkristiane, takimi dhe bashkëjetesa e islamit dhe kristianizmit gjatë historisë më tepër ka kaluar në shenjë të kontestimeve, armiqësive dhe kon-flikteve herë-herë të hapura e herë-herë të kamufluara.(2)

Inkuizicioni, kryqëzatat, kolonializmi, neoko-lonializmi dhe anatemat e vazhdueshme që kristianizmi i ka nisur kundër botës islame janë vetëm pikat më eklatante nyjore të asaj ngarkese negative me të cilin bota kristiane ka rrezatuar kundrejt botës islame.

Në distancën kohore prej shekullit XII - XV është krijuar tërë një literaturë, esencën e së cilës e përbëjnë sulmet e paramenduara dhe propagandistike në personalitetin e Pejgamberit, Muhammedit a. s. dhe në autenticitetin e librit të shenjtë të muslimanëve, Kur’anit. Një pjesë e konsiderueshme e literaturës së këtillë është shkruar me gjuhë aq jodinjitoze dhe me stil aq çoroditës që çdo pasardhës të ndershëm të kësaj kohe, të cilës do kulturë, të cilit do religjion dhe të cilit do civilizim qoftë, do ta kaplojë ndjenja e turpit dhe e shqetësimit.

Pasoi periudha e Renesansës (shekujt XV-XVI)(3). Fryma e kësaj periudhe, sikur edhe faza e parë, karakterizohet me armiqësi të shfrenuar të botës kristiane kundër botës islame. Personifikimi eklatant i gjallë i kësaj armiqësie është kardinali Nikolla nga Cuse (1401-1464) dhe vepra e tij De pace fidei, Guillaume Postel dhe vepra e tij De orbis terrae concordia (1543), dhe Jean Bodin(4) në Evropë, kurse Marin Barleti(5), Pjetër Bogdani(6) e të tjerë ndër shqiptarët.

Me qëllim të kontestimit sa më të themeltë të ekzistencës islame të botës muslimane në këtë kohë është bërë edhe përkthimi i Kur’anit në gjuhën latine nga ana e Ludovic Maraccit.(7)

Me kalimin e Renesansës erdhi periudha e Iluminizmit (shekujt XVIII–XIX).(8) Literatura në këtë periudhë është diç më e butë, më pajtuese ndaj islamit dhe muslimanëve. Dëshmitar për këtë është vepra e grofit françez Boulainvilliers me titull Vie de Mahomet (1730), në të cilën Muhammedin a. s. e paraqet në figurën e mendimtarit të lirë, të krijuesit të një religjioni natyror dhe intelektual. Në këtë kohë edhe françezi Du Ryer në vitin 1647 publikon përkthimin e parë françez të Kur’anit, kurse autori Sale në veprën e tij Preliminary Discourse në vitin 1734 ofron ekspozeun e parë objektiv mbi Islamin.(9)

Në shekullin XIX Napoleoni, komandant i njohur ushtarak françez dhe pasardhës i filozofisë së iluminizmit, pati shprehur simpati të theksuar ndaj Islamit në letrat e tij dërguar Kleberit, duke e quajtur Pejgamberin a. s. “…profeti ynë Mahometi”(10). Mirëpo, tërë kjo nuk e pengoi Kishën katolike të asaj kohe që me kolonializmin, i cili ishte në rritje e sipër, të bëhet bashkëpjesëtar në agresionin dhe gjenocidin, etnocidin dhe kulturocidin mbi botën islame.(11)

Periudha e shekullit XX do të prodhojë shumë shkencëtarë, historianë dhe orientalistë, të cilët, pak a shumë objektivisht, do t’i qasen hulumtimit të reli-gjionit dhe shpirtërores islame. Mjafton të përmendim Buhlen, Blacherin, M. Wattin, M. Rodinsonin, Miguel Asin Palaciosin, Louis Massignonin, të cilët secili në mënyrën e vet botën islame ia afroi Evropës në dritë krejtësisht të re.(12)

Mirëpo, kthesa kulminante në marrëdhëniet e islamit dhe kristianizmit do të ndodhë me mbajtjen e Koncilit të dytë të Vatikanit (1962-1964).(13) Pas këtij koncili në Vatikan, Kisha katolike pushoi të shqiptojë anatemë ndaj Islamit dhe muslimanëve dhe filloi të shkruaj në frymën e re konciliane: “Kisha shikon me respekt dhe muslimanët, të cilët i luten Zotit një, të gjallit dhe subzistentit, të gjithëmëshirshmit dhe të gjithëmundshmit, krijuesit të qiellit dhe Tokës, i cili u ka folur njerëzve.” (14)

Ata shpresojnë në frymën e re ekumenike: “Meqë gjatë shekujve ndërmjet kristianëve dhe muslimanëve erdhi deri te konfliktet dhe armiqësitë e shpeshta, Koncili i Shenjtë i fton të gjithë që, duke harruar ç’ka qenë, sinqerisht të angazhohen rreth mirëkuptimit reciprok dhe që bashkërisht të mbrojnë dhe avansojnë të drejtën sociale, të mirat morale dhe liritë për të gjithë njerëzit.”(15)

Deri sa Kisha katolike deklarativisht dhe në segmente të caktuara edhe praktikisht tregon shenja pajtimi, por jo edhe pranimi e njohjeje, bashkësitë evangjeliste, të personifikuara në teologët e tyreme ndikim W. C. Smith dhe H. Kramer, Marius Baar e të tjerë, mbajnë qëndrime ekstreme, duke përjashtuar muslimanët si partnerë përbisedime, dhe duke i konsideruar si armiqtë më të rrezikshëm për Perën-dimin.(16)

Muslimanët, sigurisht, nuk do të mund t’i harrojnë të gjitha armiqësitë, dhunën dhe padrejtësitë që u janë bërë dhe që edhe aktualisht po u bëhet, por do të provohet t’u falet atyre si shenjë e vullnetit të mirë dhe e zotimit fillestarë për takime ekumenike të reja, më të frytshme, më efektive dhe më të barabarta me të gjithë popujt, kulturat dhe traditat religjioze, veçan me ato kristiane.(17)

Por, takime frytdhënëse dhe efektive ekumenike nuk do të mund të ketë nëse nuk plotësohet kushti fundamental për takimet e tilla, e ai është barabarësia e pashmangshme e përfaqësuesve të të dy traditave religjioze në takimin dhe kuvendimin e tyre ndërfetar. Në rrafshin doktrinar kjo barabarësi asnjëherë nuk mund të arrihet, sepse kristianizmi nuk do të mund ta pranojë islamin si religjion të shpallur, Pejgamberin a. s., si një prej dërguarve të Zotit, dhe Kur’anin si Fjalën e shenjtë autentike dhe të frymëzuar prej Zotit, të zbritur nga qielli, e që në këtë proces ta anulojë raison d’etre vetjak. Për këtë arsye edhe dialogu mbi tridhjetëvjeçar ndërfetar ndërmjet kristianëve dhe muslimanëve në rrafshin e doktrinës fundamentale religjioze së koti edhe është zhvilluar. Përveç konfirmimit më të thellë të dallimeve të paka-përcyeshme reciproke pjesëmarrësit e takimeve dia-loguese ndërfetare nuk kanë arritur asgjë më shumë.(18)

Dhe ndonëse për Islamin nuk është me rëndësi thelbësore njohja, pranimi dhe dëshmimi nga ana e kristianëve për Islamin si religjion burimor, i mirëfilltë dhe universal, megjithatë thelbësore është që kristianët t’u pranojnë muslimanëve të drejtën e ekzistimit dhe shfrytëzimit të të mirave dhe vlerave në kupën qiellore dhe t’i trajtojnë si popull të Zotit(19), numri i të cilëve aktualisht kalon shifrën prej mbi një miliardë e gjysmë. Injorimi i muslimanëve, në kuptim të vargut të Palit në Letra Efesianëve 1, 9 (20), dhe dëbimi nga Evropa, siç ndodhi në të kaluarën, por edhe në luftërat e fundit të zhvilluara nga ana e pasardhësve të civilizimit kristian ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve të besimit muslimanë, në frymën e idesë së apostullit Palit mbi paneklezianizmin dhe pankristocentrizmin(21), duhet të përfundojnë.

Nëse i hedhet një shikim porosive të Koncilit II të Vatikanit dhe politikës aktuale evroamerikane, të cilët lavdërohen me liri e demokraci, do të shohim se deklaratat janë të paqëndrueshme, qesharake e madje edhe hipokrite.(22)

Mirëpo, që të eliminohet qëndrimi i standardeve të dyfishta në zbatimin e të drejtave njerëzore brenda civilizmit kristian dhe brenda civilizmit jokristian, është imediate që civilizimi jokristian në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me të tjerët, e veçan me civilizimin islam, përfundimisht të heq dorë nga dy ide që deri tash kanë orkestruar krijimin e strategjisë globale në botë e kjo është ideja e paneklezianizmit(23) jashtë të cilit gjoja nuk ka shpëtim për shpirtin individual dhe komunitar, ideja të cilën e inicon Shën Augustini në Civitae Dei, dhe ideja e evrocentrizmit, të cilën e inicon shoqëria sekulare e Evropës, e cila pretendon që të bëhet kriter i të gjitha gjerave dhe të gjitha vlerave në ‘shtëpi’ dhe në ‘botë’. Kisha duhet vetë ta udhëheq këtë betejë kundër dy ideve të lartëtheksuara, sepse tërë fatkeqësia e tyre do ta godasë në fund të fundit vetë Kishën. Nëse ideja e paneklezianizmit aplikohet me dhunë, ajo përfundon në kryqëzata dhe inkuizicion, kurse kjo do të thotë bumerang që kthen projektilin e hedhur në start. Njëjtë është edhe me evrocentrizmin, i cili në vend të procesit të akulturimit dhe inkulturimit, ku do ta kishin vendin idetë e fokusuara të paneklezianizmit dhe evrocen-trizmit, ato imponohen me forcë ushtarake, ekonomike, politike dhe kulturore dhe gjithnjë përfundojnë me ‘fashizëm’, i cili pas dëmeve që shkakton, vdesë në vetëvete, në gjakun e vet. Civilizimi kristian duhet vetë të ballafaqohet me këto dy ide në evroperëndim, sepse duhet ta ketë parasysh se pikërisht nga kjo frymë rezultoi fantazma dykrerëshe e modernizmit të pas-krupultë dhe sekularizmit të pashpirtë, të cilat në pangopësinë dhe nepësinë e tyre së pari do t’ia këputnin kokën vetë Kishës, sepse në gjenet e tyre më shumë pulson fryma e Evropës pagane se sa fryma e gjakut të Kristit.(24)

Prognozat futuriste të Samuel P. Huntingtonit dhe të tjerëve mbi konfliktet ndërmjet civilizimeve në shekullin XXI(25) dhe konfliktet aktuale në botë me elemente luftërash ndërmjet civilizimeve (Indonezia – Timori, Sudani – jugu pagan dhe kristian, Rusia (dhe komploti botëror) – Çeçenia, Serbia (sllavët) – Bosnja, Serbia (sllavët) – Kosova, Evro-Amerika - Afganistani, Evro-Amerika - Iraku, etj.)(26) janë elemente të mjaftueshme që:

1) Kisha katolike të ofrojë ndërsa Islami të pranojë dialogun konstruktiv e të mirëfilltë, të nxitur nga burimi i tyre i përbashkët shpirtëror, të identifikuara në gjenin primordial semit apo në traditën e përbashkët primordiale ademite. Në të kundërtën do të ketë afrime (aleanca) të civilizimeve tjera dhe mundësi për konfrontime të tjera ndërmjet civilizimeve në shekullin aktual;

2) Frymën luftarake që po e sjellë politika dhe ideologjia pagano-evropiane dhe evro-amerikane, me aleatët e vet: shkencën e pafe, teknikën e pashpirtë dhe moralin indiferent e servil po mbjell frikë nga shka-tërrimi dhe zhdukja me përmasa të mëdha ta zëven-dësojë me dialog. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë nuk do të ketë kuptim cilit komb i përkasim, çfarë doktrine ndjekim, cilin civilizim përqafojmë;

3) Të zhvillohet vetëdija nëpër vendet evropiane dhe në Amerikë mbi të drejtën në diversitetin nacional, fetar, kulturor etj. Përkatësisht, të zhvillohet vetëdija në kuptim të porosisë së Zhan-Pol Sartrit, i cili lidhur me veprën e Franc Fanonit shtron pyetje tejet interesante: “Përse ta lexojmë këtë libër kundër vetes” për t’u përgjigjur “… të na tregojnë se ç’kemi bërë prej tyre, për të kuptuar se ç’kemi bërë prej vetes … sepse, Evropës po i kërcënohet rreziku i madh i shkatërrimit.” “Dhuna kolonialiste nuk ka për qëllim vetëm t’i mbajë në fre ata njerëz të robëruar, por ajo synon edhe t’i dehumanizojë ata.” “Asgjë nuk do të kursehet për t’i zhdukur traditat e tyre, për t’i zëvendësuar gjuhët e tyre me tonat, për ta shkatërruar kulturën e tyre pa ua dhënë tonën.”(27) ”Meqë të tjerët bëhen njerëz kundër neve, del se ne jemi armiq të gjinisë njerëzore. Vlerat tona të dashura i humbin krahët; po t’i shikojmë për së afërmi. Nuk do të gjejmë asnjë që të mos jetë e zhytur në gjak.”(28)

Në të kundërtën, mirëkuptimi dhe ekumenizmi do të jenë pa kuptim dhe pa synime të larta.(29)

Thëniet e politikanit indus Xhavahel La’al Nehru se “Qytetërimi islam është nëna e qytetërimeve të reja” dhe të shkrimtarit anglez George Bernard Show se “Islami është fe e ardhmërisë”(30) janë manifestim i largimeve nga shtresimet dhe komplekset e trashëguara të konservuara(31) gjatë shekujve.


Përfundim

Perëndimi dhe Islami mund të bashkëjetojnë, sikur edhe Veriu i pasur dhe Jugu i varfër. Asnjë popull nuk paraqet ‘ujdhesë’ të vetëmjaftueshme. Porosia e All-llahut të madhëruar: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek All-llahu më i ndershëm ndër ju është ai që më tepër është i ruajtur…”. (El-Huxhurat, 13), kërkon angazhim dhe bashkërenditje për kristianët dhe muslimanët në shërbim të Zotit e kundër sekularizmit, materializmit, padrejtësive shoqërore dhe politike, së-mundjeve fizike dhe morale, konflikteve të armatosura dhe globalizimit të komunikimit intelektual, kulturor dhe komercial.

 

 

Shtojcë:

 

Shtetet më të mëdha botërore sollën këto luftëra

Nr.

Shteti

Numri i luftërave

Kohëzgjatja e të gjitha luftërave

1.

Anglia

38 luftëra

64 vjet

2.

Franca

17

58

3.

Rusia

13

28

4.

Italia

9

14

5.

Gjermania

6

10

6.

SHBA

5

11

7.

Japonia

3

6[1]

 

 


(1) Shih disa ajete Kur’anore për këtë qëllim: El-Ahkaf, 9; El-Hixhr, 10; Er-Rrum, 47; Gafir,78; El-Bekareh, 136 dhe 285; etj.
(2) Filip Hiti, Istorija Arapa od najranijih vremena do danas, botimi III, Sarajevë, 1985.
(3) Miroslav Pantic, Humanizam i renesansa, Cetinje, 1967, fq. 5-185.
(4) Resid Hafizovic, Muslimani u dijalogu s drugima i sa sobom - Svetopovijesne i hijeropovijesne paradigme, Sarajevë, 1423/2002,fq.72.
(5) Historia e jetës dhe e vepravet të Skënderbeut, botimi II, Prishtinë, 1982, fq. 45-490.
(6) Çeta e Profetëve, I, Prishtinë, 1990.
(7) Qëllimi i përkthimit të Kur’anit nga L. Maracci ishte refu-zimi i tij i Kur’anit, që tregon edhe vetë titulli në përkthim “Refutatio Alcorani”, 1698. Sipas: Maurice Bucaille, Biblija, Kur’an i nauka, botimi II, Sarajevë, 2001, fq. 405… .
Shih: Ekmeludin Ihsanoglu, Uvod u povijest pre-vodjenja znacenja Kur’ana, në: Enes Karic, Semantika Kur’ana, Sarajevë, 1998, fq. 587–590; Nexhat Ibrahimi, Dimensione kur’anore, pritet të botohet në Logos-A, Shkup.
(8) Samuel Enocch Stumpf, Filozofia: Historia & Problemet, Tiranë, (-), fq. 184 …
(9) R. Hafizovic, Muslimani u dijalogu …, op. cit., fq. 73.
(10) Ibid.
(11) Hišam Džait, Islam i Evropa, botimi II i plotësuar, Sarajevë, 1985.
(12) Ahmed Smajloviq, Felsefet’ul-istishrak we etheruha fi‘l-edeb’il-arabijj’il-measir, Kairo, 1980, fq. 780.
Po ashtu: Grup autorësh, Svijet islama, Beograd, 1978; Sufizam, përgatiti I. Shop dhe D. Tanaskovic, Beograd, 1980; Eva de Vitrej Mejerovic, Antologija sufijskih tekstova, Zagreb, 1990; Rozhe Garodi, Islami dhe kultura, Sarajevë, 1990.
(13) R. Hafizovic, Muslimani u dijalogu …, op. cit., fq. 74. Krhs.: Maurice Bucaille, Biblija, nauka i Kur’an, botimi II i plotësuar, Sarajevë, 2001, fq. 17-28.
(14) Nostra aetate, Concile oecumenique Vatican II, p. 696, sipas: Resid Hafizovic, Muslimani u dijalogu …, op. cit., fq. 74. Shih: Dokumentet Konciliare – Lumen Gentium, Dei Verbum, Gaudium Et Spes, Ferizaj, 1992.

(15) Sipas: Resid Hafizovic, Muslimani u dijalogu …, op. cit., fq. 74-75.
Në vitin 1970, Sekretariati i Vatikanit për jokristian, botoi dokumentin me titull “Orientimet për dialog ndërmjet kristianëve dhe muslimanëve”, botimi i tretë i të cilës u botua në vitin 1970, disa vite pas Koncilit II të Vatikanit, në të cilin kërkohen avansime në rrafshin e mirëkuptimit ndërfetar. Shih: Ancora, Romë, sipas: Maurice Bucaille, Biblija, Kur’an i Nauka, botimi II, Sarajevë, 2002, fq. 20-21.
(16) Dr. fra Luka Markovic, Uvod, në: Maurice Bucaille, Biblija, nauka i Kur’an, botimi II i plotësuar, Sarajevë, 2001, fq. 453-460.
(17) Disa takime të tilla janë bërë: Grup autorësh, Dijalog islamskih i evropskih ucenjaka, Sarajevë, 1979 etj.
(18) Sipas: Resid Hafizovic, Muslimani u dijalogu …, op. cit., fq. 75; Krhs.: Dijalog islamskih i evropskih ucenjaka, Sarajevë, 1979.
(19) Ekmeluddin Ihsanoglu, Zapad i Islam ka dijalogu, Sarajevë, 2001.
(20) Besëlidhja e Re, Ferizaj , 1980.
(21) Për Kosovën shih: Grup autorësh, Barbaria serbe mbi shqiptarët, Prishtinë, 2001; Për Bosnjën shih: Muharem Omerdic, Prilog proucavanju genocida, Sarajevë,
(22) Për esencën e politikës evropiane-amerikane shih: Nikola M. Nikolov, Komploti botëror, botimi IV, tetovë, 2003; Martin Lings, Drevna vjerovanja i moderna sujevjerja, Sarajevë, 1997; F. William Engdahl, Stoljece rata – Anglo-americka naftna politika i novi svjetski poredak, Zagreb, 2000.
(23) Gjithëpushteti kishtar.
(24) Sipas: Resid Hafizovic, Muslimani u dijalogu …, op. cit., fq. 78-79. Krhs.: Tomazh Masnak, Zoti i blasfemuar dhe demokracia perëndimore, Prizren, 2001.
(25) Haris Silajdzic, Albanski nacionalni pokret, Sarajevë, 1995, fq. 11- 41. Ahmet Davutoglu, Vetëperceptimet e qytetërimeve, Prishtinë, 2002.
(26) F. William Engdahl, Stoljece rata – Anglo-americka naftna politika i novi svjetski poredak, Zagreb, 2000; Nikola M. Nikolov, Komploti botëror, botimi IV, Tetovë, 2003. Muhamed Filipovic, Islam i teror, Sarajevë, 1423 h./2002.
(27) Zhan-Pol Sartr, në parathënien librit: Franc Fanoni, Të mallkuarit e botës, Prishtinë, 1984, fq. 1, 12.
Gjerësisht: S. H. Nasr, Srce islama, Sarajevë, 1423 h./2002.
(28) Ibid., fq. 23. Krahaso: Hišam Džait, Evropa i Islam, botimi II i plotësuar, Sarajevë, 1985, fq. 39-40.
(29) Më 1999, në Wiesbaden të Gjermnaisë, F. W. Engdahl, kandidaturën e George Bushi i Ri për kryetar të SHBA-ve (d.m.th. edhe fitoren e tij – vërejtja jonë) e sheh si gjendje se fryma e ‘Shekullit të luftës’ nuk ka përfunduar. F. William Engdahl, Stoljece rata – Anglo-americka naftna politika i novi svjetski poredak, Zagreb, 2000, fq. 366.
Shih gjerësisht për shkaqet e konflikteve ndërmjet Perëndimit dhe Islamit: Muhamed Filipovic, Islam i teror, Sarajevë, 1423 h./2002.
(30) Razgovor sa M. H. Fazlullahom, Islam je vjera buducnosti, Nur – casopis za kulturu i islamske teme, nr. 12/1997. Beograd, fq. 32.
(31) John L. Esposito, Islamska prijetnja – mit ili stvarnost?, Zenica, 2001.



[1] Nga: Nikolla M. Nikollov, Komploti botëror, fq. 201.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme