
1.
Festimet për përvjetorin e njëqindtë të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë që u bën në këto ditët e fundit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e në vende të tjera të botës ishin disa nga festimet më të mëdha që shqiptarët mund të kenë bërë në historinë e tyre ndonjëherë. Të lidhur nëpërmjet mjetevë të komunikimit, rrugëve, vizitave të ndërsjellta e shkollimit masiv, shqiptarët sot në të tre shtetet ku ata jetojnë me shumicë në Ballkan kanë ndërtuar idenë e një komuniteti imagjinar, apo të kombit. Siç u vu re nga kremtimet më të fundme, klasat politike shqiptare sot në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, nacionalizmin e kanë kthyer në një prej armëve të tyre më të rëndësishme për të fituar popullaritet dhe goditur kundërshtarët. Duke qenë se shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë, shteti u ka munguar përgjatë të gjithë shekullit të njëzetë, entuziazmi nacionalist është më i forte në mesin e tyre, sesa mes shqiptarëve të Shqipërisë, të cilët, janë “ngopur” me idetë e kombit dhe shtetit përgjatë të gjithë shekullit të kaluar. Edhe pse ndjenjat nacionaliste ekzistojnë edhe në Shqipëri, në përgjithësi, personat që shfaqin më shumë tendencë ndaj nacionalizmit, për mendimin tim janë popullatat e provincave dhe ato më pak të edukuara, të cilat, nëpërmjet demonstrimeve nacionaliste kërkojnë në njëfarë mënyrë që të bëhen pjesë e jetës qytetare të vendit. 2. Në këtë vit që klasa politike shqiptare e ka shënuar si vitin e 100-të të ekzistencës së shtetit shqiptar, përveç euforisë mediatike që ky 100 vjetor ka gëzuar, mendoj se duhen analizuar edhe arritjet e rëniet e shqiptarëve në këtë 100 vjeçar. E gjëja e parë që duhet të theksojmë këtu është se Shqipëria nuk u krijua në 28 nëntor 1912 siç pretendon regjimi i Tiranës, por në 29 korrik 1913. Në këtë datë Konferenca e Londrës – e cila kishte edhe konsensusin e vetë Perandorisë Osmane – vendosi që Shqipërinë të mos e linte më si një protektorat turk në Adriatik, por ta shpallte shtet të pavarur, nën mbikqyrjen e Fuqive të Mëdha dhe të sunduar nga një princ që ato do t’ia caktonin. Përndryshe nga ç’pretendon historiografia kombëtare e Shqipërisë, e cila meritat për krijimin e Shqipërisë ja jep Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit dhe bandës së tij, në fakt grupi më i fuqishëm politik i Shqipërisë në këto vite ka qenë ai që përfaqësohej nga Esat Pasha. Siç tregon edhe Princ Vidi në kujtimet e tij, Esati posedonte një ushtri të tijën e cila ishte forca dominuese e asaj kohe. Ndërsa Ismail Qemali dhe grupi i toskëve e disa katolikësh përreth tij konsideroheshin si agjentë të Greqisë, Austrisë dhe italianëve, Esati, gëzonte respektin e shumicës muslimane të Shqipërisë, e cila, e kishte vlerësuar tejmase rolin e tij në mbrojtjen e Shkodrës nga sulmi serbo-malazez-katolik gjatë luftës ballkanike. Pa luftën e Esat Pashës dhe Hasan Riza Pashës, sot Shkodra nuk do të ishte pjesë e Shqipërisë e ndoshta vendi as që do të ishte konsideruar për t’u bërë shtet në Konferencën e Londrës. 3. Krijimi i Shqipërisë si shtet më vete në vitin 1913, erdhi si pasojë e intrigave dhe kapriçove që një grup politikanësh shqiptarë, me në krye Hasan Prishtinën dhe Ismail Qemalin luanin në parlamentin osman. Të pakënaqur me zhvillimet që kishin ndodhur në Turqi që prej rënies së sulltan Abdylhamitit, këta politikanë që nuk kishin marrë përfitime politike nga udhëheqja xhonturke ishin bërë pjesë e opozitës osmane, përreth Partisë së Hyrijet ve Itilafit (Partisë së Marrëveshjes dhe Lirisë). Grupimi itilafist rreth të cilit qëndronin shumë politikanë kurdë, armenë, arabë, shqiptarë e turq ishte i gatshëm t’i vinte flakën Turqisë, vetëm e vetëm për të rrëmbyer disa kocka nga pushteti. Këtë bëri edhe grupi i Hasan Prishtinës, të cilët, nxitën fanatikën muslimanë kosovarë me në krye Isa Boletinin dhe Riza Beg Gjakovën, që të çohen në luftë kundër xhonturqve dhe kërkojnë lirimin nga burgu të sulltan Hamitit. Por ndërsa kosovarët luftonin për të ndryshuar sistemin xhonturk dhe sjellë në pushtetin Abdylhamitin, Hasan Prishtina dhe klika frankmasone e deputetëve shqiptarë të Stambollit, e përdorën revoltën hamidiane kosovare, për të avancuar ide nacionaliste, sipas të cilave ata kërkonin që vilajetet perëndimore me popullata shqiptare të Turqisë në Evropë të administrohen nga shqiptarë, e gjuha shqipe të jetë pjesë e administratës. Rrëmujrat që Hasan Prishtina e Isa Boletini organizuan në Kosovë, shkaktuan trazira të mëdha në Turqi. Qeveria xhonturke e cila ishte munduar të shtypë rebelët kosovarë që donin lirimin e Bab’ Hamitit, dështoi e dha dorëheqje në 4 shtator 1912. Qeveria që erdhi në pushtet me kryeministër Ahmet Muhtar Pashën, ia bëri qejfin politikanëve shqiptarë, dhe pranoi kërkesat e tyre. Por kërkesat e grupit nacionalist të Hasan Prishtinës nënkuptonin që vilajetet multifetare dhe multietnike të Manastirit, Janinës, Shkodrës dhe Kosovës që këtej e tutje do të dominoheshin nga një etni e vetme – shqiptarët. Duke qenë se fillimshekulli i XX ishte shekulli i çmendurive nacionaliste, grekët, serbët, malazezët dhe bullgarët – si kundërpërgjigje ndaj kërcënimit shqiptarist - organizuan një Ententë Ortodokse Ballkanike, me të cilën i shpallën luftë Perandorisë Osmane në rast se kjo nuk tërhiqej nga kërkesat e shqiptaristëve. Qeveria osmane e pranoi luftën dhe nuk u tërhoq nga vendimet e saja. Por ndërsa trupat qeveritare osmane dhe mijëra redifë muslimanë shqiptarë u mobilizuan për të luftuar dhe mbrojtur Turqinë, shumë nga personat që njiheshin si “shqiptarë” apo nacionalistë në këtë kohë në vilajetet “shqiptare” në Ballkan, dhe shumica e të krishterëve shqiptarë, jo vetëm që nuk luftuan për të mbrojtur Turqinë Evropjane por në shumë raste, si me rastin e Ismail Qemalit apo katolikëve të Mirditës e Malësisë së Shkodrës, bashkëpunuan me grekët e serbët në mënyrë që të sabotonin mbrojtjen osmane. Ushtria osmane e cila u morr me mbrojtjen e territoreve të banuara nga shqiptarët ishte “Ushtria Perëndimore” apo “Orduja e Garbit” nën të cilën qendronte “Orduja e Vardarit” e cila do të përballej me serbët e ndahej në divizione si “Kollurdia e Janinës” e cila do të mbronte tokat çame dhe jugun, “Kollurdia e Ishkodrës” e cila mbronte frontin me Malin e Zi etj. Si pasojë e numrit inferior të trupave osmane, hapërdarjes së madhe, dhe mungesës së municioneve ushtria osmane dhe redifët shqiptarë u thyen në shumë fronte nga kundërshtarët ortodoksë. Pjesa e ushtrisë osmane që tregoi heroizmin më të madh në mbrojtjen e Turqisë Evropjane të Perëndimit, ishte Kollurdia e Shkodrës e cila e mbështetur nga redifët e Elbasanit, Tiranës, Durrësit, Peqinit, Krujës, Dibrës, Beratit, dhe popullata muslimane e Shkodrës dhe e Selimijes (Lezhës) arriti që t’i rezistojë sulmit serbo-malazez deri në prill të vitit 1913. 4. Shqipëria është një shtet i cili lindi falë humbjes së Turqisë në Luftën e Parë Ballkanike. Në këtë luftë shqiptarët ishin të ndarë në disa taborre. Në njërën anë qëndronin muslimanët të cilët të udhëhequr nga Hasan Riza Pasha, Esat Pashë Toptani, Musa Qazimi, Haxhi Qamili, Esat Pashë Janina, Hamid Borshi etj luftonin me grekët e serbët. Në anën tjetër qendronin pakicat ortodokse e katolike, të cilat në shumë raste i pritën krahëhapur pushtuesit e krishterë. E në anën tjetër qëndron ai grup të cilin historiografia e Tiranës e quan qeveria e Vlorës, dhe kryesohej nga Ismail Qemali, dhe një shpurë agjentësh italianë e austriakë që merrnin udhëzime nga Roma dhe Vjena. Në këtë mish mash interesash, personi i cili meriton që të quhet Ati i vërtetë i Shqipërisë, është ministri i jashtëm britanik, Sir. Eduard Grey i cili siç tregon në kujtimet e tija, vendosi që të krijoj Shqipërinë (sëbashku me ambasadorët e tjerë të Fuqive të Mëdha) në mënyrë që shtetet e Evropës të mos hynin në luftë me njëra tjetrën për të ndarë tortën osmane. 5. Ndryshe nga ç’pretendon qeveria e Tiranës dhe historianët e saj, krijimi i Shqipërisë si shtet më vete nuk ishte një akt që u mirëprit nga shqiptarët e asaj kohe. Në kohën kur Esat Pashë Toptani udhëhiqte trupat turke dhe shqiptare në mbrojtje të Shkodrës, Ismail Qemali i dërgoi një letër Pashait tiranas, të cilit, i tregonte që shpura e tij kishte shpallur pavarësinë e Shqipërisë, pasi, sipas Qemalit, vetëm në këtë mënyrë mund të mbijetonte Islamizma në Evropë. Por Esat Pasha dhe muslimanët e Shqipërisë jo vetëm që nuk e njohën qeverinë e Ismail Qemalit, por siç tregon Hafiz Ibrahim Dalliu pasi u kthyen nga Shkodra në 1913 donin të shkojnë në Vlorë e të shkatërrojnë klikën e Qemalit. Ndërsa muslimanët i shikonin Qemalistët si tradhëtarë, ortodoksët e jugut me në krye Spiro Milon deklaruan ndarjen nga Shqipëria e nuk pranonin të kishin të bënin asgjë me turko-allvanosët. Sikur të mos kishte qenë ndërhyrja e Evropës, e cila Ismail Qemalin e çoi në mërgim, dhe solli Vidin, shpura e Ismail Qemalit do ishte vrarë që në vitin 1913 nga muslimanët të cilët, shpalljen e pavarësisë e quanin tradhëti ndaj Kalifatit dhe Islamit. 6. Qeveria që Evropa themeloi me Princ Vidin në Shqipëri, zgjati vetëm gjashtë muaj. Në shtator të vitit 1914, Vidi u detyrua të largohet nga Durrësi, pasi muslimanët e Shqipërisë me në krye muftiun e Tiranës, Musa Qazimin dhe Haxhi Qamilin, dëbuan mercenarët e Vidit nga të gjithë qytetet e vendit, e në 15 shtator 1914 nën udhëheqjen e Mustafa Ndroqit, shpallën në Durrës ribashkimin e vilajetit të Arnautllëkut me Kalifatin Osman. Edhe pse qeveria islamike e Mustafa Ndroqit nuk zgjati gjatë, pasi me fillimin e Luftës së Parë Botërore Shqipëria u pushtua nga trupat serbe, bullgare, italiane, austriake, franceze dhe greke, ideja e Shqipërisë ngeli e vështirë për t’u pranuar nga shqiptarët. Ortodoksët e jugut u dekluan kundër vendimeve të Konferencës së Londrës e shpallën bashkim me Greqinë, katolikët donin bashkim me Serbinë, ndërsa muslimanët donin ose bashkim me Turqinë, ose, krijimin e një Shqipërie Islamike me Esat Pashën si president. 7. Grupet e vogla nacionaliste shqiptare, të cilat përbëheshin kryesisht nga vllehë protestantë të Korçës e Elbasanit, katolikë dhe disa muslimanë bektashij, ishin të shqetësuar për të ardhmen e Shqipërisë. Kush ka lexuar korrespondencat e arkivave austriakë, londinezë dhe italianë e ka të qartë luftën që këta “nacionalistë” bënin në këtë kohë pranë kancelarive evropjane, të cilave u kërkonin që ta zhdukin Esat Pashën, t’ua marrin pronat muslimanëve dhe të sjellin në pushtet të krishterët. Vrasja e Esat Pashës në 13 qershor 1920 dhe zhvillimi i Kongresit të Lushnjes në janar 1920 përbëjnë dy nga momentet më me rëndësi në krijimin e Shqipërisë në shekullin e njëzetë. Edhe pse siç thashë më sipër, Eduard Grey duhet të konsiderohet si shpikësi i Shqipërisë, karakteri laik i saj, ku të krishterët morrën pozita sunduese në vend nisi në vitin 1920. Për sa kohë që Esat Pasha ishte i gjallë, Shqipëria do të ishte krijuar si një Turqi e vogël. Dmth si një shtet i cili do të dominohej nga muslimanët, dhe të krishterët do të gëzonin pozitat që gëzonin shqiptarët në Jugosllavi apo Greqi. Esati i urrente grupet e vllehëve e bektashijtë e Toskërisë dhe katolikët kundër të cilëve kishte luftuar kur mbronte Shkodrën. Ai gëzonte autoritet në Perëndim dhe në Konferencën e Paqes në Paris, pasi, me zgjuarsi e kishte radhitur Shqipërinë me palët fituese të Luftës së Parë Botërore. Në fjalimin e tij të famshëm në Paris mbi Shqipërinë, Esati u kërkoi Fuqive të Evropës që ta trajtonin vendin e tij si fuqi fituese të luftës e për këtë kërkonte kompensime tokësore. Prandaj, zhdukja e Esatit ishte një akt që e kërkonte edhe arsyetimi diplomatik evropjan i kohës, pasi ata nuk donin një Shqipëri të forte e Islamike. Për më tepër, Esati, kishte ndërtuar mardhënie të mira me Serbinë, e cila te ai shikonte një aleat me të cilin do të balanconte kërcënimin katolik-italian në Adriatik. Kur Esat Pasha u vra në Paris në qershor 1920, gazetat e Beogradit akuzuan Italinë si shtetin që kishte gisht në vrasjen e tij. E në fakt shteti që më shumë përfitoi nga vrasja e Esatit, ishte Italia. 8. Me vrasjen e Esat Pashës, Shqipërisë i nisi një kapitull i ri në jetën e saj. Qeveritë që u themeluan pas Kongresit të Lushnjes, edhe pse ushtarakisht u dominuan nga beu i Matit, Ahmet Zogolli, intelektualisht u dominuan nga toskët ortodoksë dhe bektashi e katolikët e veriut të cilët ushqenin urrejte të madhe kundër Islamit. Kur në dhjetor 1922 Shqipëria adaptoi kushtetutën e saj të parë, fati i Islamit në Shqipëri morri të tatëpjetën. E shkruar nga Fan Noli, Ndre Mjeda, Koço Tasi, Stavro Vinjahu, Ali Këlcyra, Ibrahim Xhindi, Mehdi Frashëri, Shevqet Daji, Kadri Hoxha, Milto Tutulani, Mustafa Kruja dhe Luigj Gurakuqi, Kushtetuta e Parë e Shqipërisë së Paslushnjes apo më saktë Statuti i Zgjeruar i Lushnjes e deklaroi Shqipërinë shtet laik. Deputet e krishterë dhe bektashij si Ali Kërlcyra, Mehdi Frashëri, Milto Tutulani, Ndre Mjeda, Fan Noli, Stavro Vinjahu etj nëpër debatet e tyre në parlamentin shqiptar i detyruan grupin e muslimanëve që drejtohej nga Zogu që të heqin çdo shenjë Islami e sheriati nga jeta e Shqipërisë së re. Duke qenë inferiorë intelektualisht, grupi i Zogut, jo vetëm që u bëri lëshime të krishterëve, por me Kodin Civil që u adoptua në 1928, u’a kristjanizoi jetën muslimanëve shqiptarë njëherë e përgjithmonë. Muslimanët e Shqipërisë që ishin shumica, u detyruan që ditë pushimi të kenë të djelën dhe jo të xhumanë, flamuri i tyre u vendos me ligj të jetë ai me shqiponjën ortodokse, gjuha shqipe u vendos të shkruhet me gërma latine, ligjet e martesës, të pasurisë, së kohës etj i morrën si të krishterët e Evropës etj. Ndërsa katolikët i ruajtën lidhjet e tyre me Vatikanin, dhe gjatë periudhës së ndërmjet luftës, ndërtuan me dhjetra institucione, media, dhe kleri i tyre i pasuruar me liretat e Italisë zbriti nga malet në Tiranë duke u bërë thirrje muslimanëve për konvertim, muslimanët vetë u ndanë me dhunë nga Kalifati, dhe jeta e tyre fetare u kontrollua nga disa hoxhallarë frikacakë e fukarej që u mblodhën përreth Komunitetit Musliman. Por edhe Zogu vetë që i bëri gjithë këto lëshime të krishterëve nuk e pati të gjatë. Shteti i tij ishte një shtet i dështuar që jetonte me lëmoshët e Italisë. Edhe pse ai u mundua të hiqet si perëndimor, duke u martuar me një katolike, ndryshuar mbiemrin e tij nga Zogolli për në Zog, nxjerr motrat e tija cullak, dhe fshehur pas idhullit të Skënderbeut, Evropa asnjëherë nuk e pranoi atë si një monark të denjë të Shqipërisë. Kur italianët e aneksuan Shqipërinë në 7 prill 1939, Fuqitë e Evropës nuk bën asnjë zhurmë kundër këtij aneksimi. Disa nga ministrat kryesorë të Zogut, të cilët deri në atë kohë ishin shitur si nacionalistë anti-turq sakaq nxituan t’i lëpihen Duçes dhe dhurojnë kurorën e Shqipërisë, ndërsa katolikët e Shkodrës me në krye Gjergj Fishtën i bekuan avionët pushtues të Italisë – si pëllumba të Krishtit. 9. Sikur blloku nazi-fashist të mos ishte mundur nga Bashkimi Sovjetik, sot, Shqipëria do të ishte një emër i harruar e thjeshtë një rajon i Italisë. Por fitorja e Luftës së Dytë Botërore nga Bashkimi Sovjetik dhe amerikanët, dhe më pas konflikti i Stalinit me Titon, bëri të mundur që Shqipëria të rilindë sërisht si shtet në vitin 1945. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë e cila zgjati nga viti 1946 deri në 1990 përbën fazën e tretë në historinë e shtetit shqiptar. Ky shtet i cili u udhëhoq me dorë të hekurt nga Enver Hoxha deri në 1985, konsolidoi njehërë e mirë idenë e shqiptarisë. Nëse në kohën e Zogut, shteti shqiptar nuk kishte marrë akoma fizionominë e tij, modernizmi që komunistët i sollën vendit, industrializimi, edukimi, urbanizimi masiv të cilët u shoqëruan me elektrifikimin e vendit, arritën që të penetrojë pothuajse të gjithë indet e shoqërisë shqiptare. Por shqiptari i ri që u krijua si pasojë e institucioneve modernizuese të shtetit komunist shqiptar nuk kishte më lidhje me shqiptarin e kohës së Esat Pashës e Haxhi Qamilit apo edhe me kuislingët e Fishtës. Shqiptari i realizmit socialist në vitin 1967 u çua kundër Zotit, e u ndërtua si një njeri pa ide mbi hyjnoren e përkohësinë e jetës së kësaj bote. Ndërtimi i Shqipërisë komuniste pati efekte edhe mbi muslimanët shqipfolës të Jugosllavisë. Këta, të cilët deri në vitet 1950, siç tregon poezia e Esat Mekulit, “Turk Elhamdulila” e imagjinonin veten akoma si Isa Boletini e Riza Beg Gjakova, si turk dini, pas marrjes së pushtetit nga Tito në Jugosllavi dhe bashkëpunimit të tij me Tiranën, e hapjen e Universitetit të Prishtinës, nisën që që nga turq dini ta imagjinojnë veten si shqiptarë kreshnikë. Forca e filmave të Kinostudios Shqipëria Sot, dhe e propagandës së mediave të Shqipërisë Socialiste ishte ajo që arriti ti ndjellë kosovarët drejt Tiranës. Forca e mediave të Tiranës dhe librave shkollorë që kosovarët huazuan nga Shqipëria në këto vite, i detyruan kosovarët që jo vetëm të braktisin dialektin e tyre gegë dhe adoptojnë si gjuhë të shkruar toskërishten e Tiranës, por në të njëjtën kohë, ta shohin veten si pjesë e kombit shqiptar dhe tani nuk ëndërronin më udhëheqësinë e Bab Hamitit, por udhëheqësit Enver. Në festimet për pavarësinë që u bën në Vlorë këtë 28 nëntor, kosovarët që kishin ardhur me kuaj e me xhamadanë që i përngjasonin kosovarëve të Isa Boletinit në filmin Nëntori i Dytë që realizoi kauri Kiço Blushi në 1982, janë shembulli më i mirë që tregon forcën që mediat dhe filmat e spindoktorët kaurë të Tiranë kanë luajtur në ndërtimin e identitetit shqiptar kosovar. 10. Rënia e komunizmit dhe liberalizimi i jetës në Shqipëri në vitet 90, lufta e Kosovës e vitit 1999, Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 dhe heqja e barrierave kufitare si pasojë e proçesit të integrimit në Evropë, i kanë shkatërruar kufijtë që Konferenca e Londrës vendosi për shqiptarët në 1913. Përmirësi i rrugëve dhe mjeteve të komunikimit i ka afruar shqiptarët e të gjithë shteteve ballkanike aq shumë me njëri tjetrin, sa qysh kur ata ishin në kohë të Perandorisë Osmane. Fukarallëku dhe joshja me para që Evropa i ka bërë Ballkanit Perëndimor në këto vitet e fundit i ka bërë shtetet e rajonit tonë që të humbasin pavarësinë që ato gëzonin vite më parë e si pasojë të tolerojnë edhe bashkimin e shqiptarëve. Por ndërsa shqiptarët janë bashkuar si njerëz, Shqipëria po e humbet sërisht pavarësinë e saj. Nëse projekti për krijimin e Konfederatës së Bashkimit Evropjan nuk dështon, nuk do të jetë çudi që pas disa dekadash Shqipëria, Kosova e Maqedonia të humbasin pavarësinë e të kthehen në vilajete të Evropës, siç ishin vilajete të Turqisë 100 vite më parë. Sidoqoftë, forca kryesore që i motivon shqiptarët që të afrohen me njëri tjetrin sot nuk është më ideali i tyre i vjetër, turqinizmi, por tashmë është shqiptarizmi i cili u predikua gjatë kohës së Shqipërisë Socialiste. Nacionalizmi shqiptarist i cili është ndërtuar në Tiranë dhe është shumë popullor në Kosovë dhe Maqedoni po sjell efekte deislamizuese te shqiptarët e këtyre vendesh, dhe shpesh edhe katoliçizuese – siç shihet me rastin e hapjes së kultit të Nënë Terezës. Po ndërsa në Kosovë e Maqedoni, nacionalizmi është një ideologji e forte, pasi kosovarët janë konvertë të rinjë, në Shqipëri ku ai është krijuar, ai e ka humbur forcën. Ndërsa kosovarët vijnë me pushime në Durrës dhe Vlorë e bëjnë tavaf në Kështjellën e Krujës që ndërtuan komunistët, shqiptarët e Tiranës kanë qejf të vizitojnë perëndimin. Ndërsa kosovarët lënë emrat e tyre muslimanë në favor të emrave shqiptarist, shqiptarët e Shqipërisë marrin emra perëndimorë. Sesa e vlerësojnë shqiptarët e Shqipërisë pavarësinë e vendit të tyre, u pa në datën 28 nëntor kur qeveria e Sali Berishës i ndau popullit tortën e pavarësisë në prani të liderëve kosovarë. Mileti i uritur dhe i paedukuar që ishte mbledhur në sheshin Skënderbej të Tiranës, i dëshmoi të gjithë botës dhe “pelegrinëve” kosovarëve në veçanti që ai nuk ishte mbledhur aty për të festuar “mevludin e pavarësisë”, por për të mbushur barkun me tortë. 11. Gjatë vizitës së fundit në Shqipëri, sekretarja e shtetit amerikan, Hillari Klinton, deklaroi se Amerika ka qenë me shqiptarët për 100 vitet e kaluara, e do të jetë me ta edhe 200 vitet që do të vijnë. Ndërsa deklarata e znj. Klinton ishte një broçkull historike, pasi amerikanët me shqiptarët janë vetëm në këto 30 vitet fundit, pyetja që shtrohet është se edhe sa kohë do të jetojë Shqipëria? Po amerikanët edhe sa kohë do të qëndrojnë përkrah tyre? Në himnin që vllahu Aleksandër Stavre Drenova i ka shkruar shqiptarëve, ndër të tjera thuhet: Se Zoti vetë e tha me gojë Që kombe shuhen përmbi dhé, Po Shqipëria do të rrojë; Për të, për të luftojmë ne! Por edhe sa vite do të jetojë Shqipëria? Në këto 100 vitet e fundit që prej shpalljes së pavarësisë, Shqipëria është zhdukur në vitin 1914 kur muslimanët e ribashkuan me Turqinë ndërsa ortodoksët me Greqinë. U rikrijua në 1920 nga nacionalistët të cilët me në krye kuislingun Mustafa Kruja i’a dhuruan Italisë në 1939. U rikrijua sërisht në vitin 1948 pasi Enver Hoxha shkatërroi grupin e titistëve të Koçi Xoxes që donin bashkim me Jugosllavinë, dhe gati sa nuk u nda në vitin 1997 si pasojë e luftës civile në vend dhe ndërhyrjes së Greqisë dhe Italisë. Tani, që Shqipëria po bëhet kandidate për hyrjen në Bashkimit Evropjan, dhe nëse BE-ja i kalon krizat e saj, Shqipëria rrezikon të zhduket përsëri brenda Perandorisë Evropjane. E nëse kriza ekonomike thellohet edhe më tej në Amerikë mundësia e të qenit të amerikanëve me shqiptarët edhe për 200 vitet që do të vijnë, do të jetë pamundur. Pra pyetjes se edhe sa vite do të jetojë Shqipëria, duhet t’i përgjigjemi që vetëm Allahu e di.