Shpifje në akiden (kredon) e Imam Shafiut!

Nuk është hera e parë që has në shpifje ndaj personaliteteve të botes islame dhe për shkak të eksperiencës në fushën e diskutimit teologjik (ilahijat), i kam marre gjerat me sportivitetin e nevojshëm.

Por Imam Shafiu është një personalitet i veçante për mua, për njohjen e të cilit kam shpenzuar një dekade intensive të rinise time.

Bëhet fjalë për 100 tekstet që qarkullojnë nëpër mediume dhe audienca ku me to mbështetet dogma e materializimit të lartësimit të Allahut, nën mantelin e nocionit “Uluw”. Një miku im ka rënë viktimë e këtyre teksteve përmes copy/paste, redaktimin e të cilave do t’i sjell në një ‘note’ (‘shënim) të veçantë të ndarë me pjesë. Për sa i përket fotografisë së mëposhtme:

Teksti:
الإمام الشافعي ( ت 204 هـ ) . قال رحمه الله : القول في السنة التي أنا عليها ورأيت أصحابنا عليها , أهل الحديث الذين رأيتهم فأخذت عنهم مثل : سفيان ومالك وغيرهما : الإقرار بشهادة أن لا إله إلا الله وأن محمد رسول الله , وأن الله على عرشه في سمائه يقرب من خلقه كيف شاء . ( وصية الإمام الشافعي ص / 53 – 54 ) .

22- وقال أيضاً : ( وأن الله عز وجل يرى في الآخرة ينظر إليه المؤمنين أعياناً جهاراً ويسمعون كلامه وأنه فوق العرش ) . ( وصية الإمام الشافعي ص / 38 – 39 ) .

Imam Shafiu (ra) (vd. 204 h.) ka thënë: “Fjala në Sunnet, tek i cili bazohem unë dhe kategoria jonë, Ehli Hadithi, të cilët i kam parë dhe prej tyre kam marrë si: Sufjani, Maliku, etj.: Deklarimin me Shehadetin se s’ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Allahut, dhe se Allahu është mbi Arshin e Tij në Qiellin e Tij, i afrohet krijesave te Tij ashtu siç dëshiron. (Wesijet el-Imam esh-Shafi’ij, fq. 53-54)

Ka thënë gjithashtu: “Dhe se Allahu a.xh. shihet në Ahiret, besimtarët shohin drejt Tij objektivisht dhe hapur, e dëgjojnë fjalën e Tij dhe Ai është sipër Arshit". (Wesijet El-Imam Esh-Shafi’ij, fq. 38-39).

Së pari,
këto dy deklarime janë të marra nga libri “Muktesar El-Uluw” fq. 176, gjithashtu edhe tek Ibnul Kajjim në librin e tij “Ixhtima el-Xhujush”.

Se dyti,
ka një problem se cituesi (miku im) nuk sjell senedin por mjaftohet me citimin e tekstit ashtu siç qarkullon rëndom nëpër auditore dhe kjo formë nuk konsiderohet shkencore dhe aspak serioze nga ana e tij, kështu që jam i detyruar ta paraqes senedin si pika kryesore e shkencave islame mbi të cilën bazohemi në pranimin apo refuzimin e një fjale apo thënieje:

Senedi: (zinxhiri)
(روى شيخ الإسلام أبو الحسن الهكاري ، والحافظ أبو محمد المقدسي بإسنادهم إلى أبي ثور وأبي شعيب كلاهما عن
الإمام محمد بن إدريس الشافعي)
Transmeton Shejh ul-Islami Ebu’l Hasen el-Hekkariju dhe El-Hafidh Ebu Muhammed El-Makdesiju me isnadin e tyre deri tek Ebu Theur dhe Ebu Shu’ajb, të dy këta prej Imam Muhamed ibn Idris esh-Shafi’ij.

Së treti:
Le te shohim personat që transmetojnë këtë thënie:

● Ebu’l Hasen el-Hekkariju: Një prej shpifësve dhe mashtruesve.
Vetë Dhehebiu (që e ka cituar këtë thënie në librin el-Uluw) ne biografine e personit ne fjale thotë:
“Ebu’l Kasim ibn Asakir ka thënë: Nuk ka qenë i besueshëm.
Ibn Nexhxhar ka thënë: i akuzuar për shpikje të hadithit dhe strukturim të senedit”. [përfundon citati]. {Dhehebiu, el-Mizan el-I’tidal", vëll. III, fq. 112}

Hafiz Ibn Haxheri thotë: "Në të shumtën e haditheve të tij ekzistojnë "garaib" dhe të këqija (garaib - shtojca në tekst ose në sened ose në të dyja bashkë). Në hadithin e tij ekzistojnë gjëra të shpikura. Kam parë të shkruar nga disa muhadith se ai në Asbahan i shpikte hadithet".  {Lisan el-Mijzan, vëll. IV, fq. 159; botimi el-Hindijeh}


Ebu’l Wefa El-Halebij et-Tarabulsiju:
Ali ibn Ahmed, Shejh ul-Islam, Ebu’l Hasen El-Hekkarij, ka thene Ibn En-Nexhxhar: I akuzuar per shpikje te hadithit dhe strukturim te senedeve. E ka cituar Dhehebiju ne biografine e Abduselam ibn Muhamed".  {el-Keshf el-Hathijth a’men Rema bi Wed’il Hadith, vëll. I, fq. 184}

● Ebu Shu’ajb: Pretendojnë se ky transmeton akiden e Imam Shafiut. Në fakt Ebu Shu’ajb ka lindur 2 vjet pas vdekjes së Imam Shafiut. [Tarih Baghdad, 9/436]

Për sa i përket librit të Ibn Ebi Ja’la në “Tabekat”, vëll. I, fq. 283 dhe të Ibnul Kajjim “Ixhtima el-Xhujush el-Islamijeh” fq. 165.
Prej njerëzve që kanë transmetuar në mënyrë false këtë lloj akide në gjuhën e Imam Shafiut është Abdulaziz ibn Fejsal er-Raxhihiju i cili e ka përmendur ne librin e tij “Huda es-Sari” në zinxhirët e transmetimit të shejh Ismail el-Ensarij.

Është e pakuptueshme se si mund te sillen këto lloj thëniesh ku në sened gjendet edhe:

● Ebu’l Izz Ahmed ibn Ubejdilah ibn Kadish që është shpifës dhe shpikës.
Dhehebiju në Mizan 1/118 thotë: Ibn Nexhxhar ka thënë: Ishte i dobët (daif) në transmetim, konfuz gënjeshtar, nuk merret për baze dhe imamët kanë rezerva. Sem'aniju ka thënë: Ibn Nasir fliste keq për të. Abdulwehhab el-Enmatij ka thënë: ishte konfuz. Më pas Sem'aniju ka thënë: Kam dëgjuar Ibn Nasir të thotë: Ka shpik hadith të Pejgamberit s.a.v.s. dhe këtë e kam konfirmuar.
Umer ibn Alij El-Kureshiju ka thënë: Kam dëgjuar Hafizin Ebu’l Kasim Alij ibn El-Hasen të thotë: Më ka thënë mua Ibn Kadish: Dikush shpiku një hadith në favor të Aliut (k.w.) dhe shpika unë një hadith në favor të Ebu Bekrit. A nuk bëra mirë?
Thash (Dhehebiu): Kjo tregon për injorancën e tij tek krenohet për gënjeshtër (në emër) të Pejgamberit s.a.v.s." [përfundon citati].

Po kështu ka folur edhe Ibn Haxheri në Lisan el-Mijzan 1/218.

● El-‘Isharij, (pas Ibn Kadish) është Ebu Talib Muhamed ibn ‘Alij el-‘Isharij, prej tij është përhapur kjo akide e rreme në gojën e Imam Shafiut përmes konfirmimit të vet Dhehebiut, e Dhehebijun e ka cituar Ibn Haxheri në Lisan el-Mijzan.

Dhehebiu ka thënë në Mizan 3/656:
Muhamed ibn Ali ibn El-Fet'h Ebu Talib el-‘Isharij, Shejh i sinqertë dhe i njohur, por e kanë korruptuar dhe ka folur në këtë mënyrë (korruptive)... prej tyre hadithi i shpikur në mbarësinë e Natës së Ashurës dhe prej tyre është edhe Akideja e Shafiut.
(shkurtimisht) Dhehebiu, më pas, ka folur për muhadithët e Bagdadit se si e kanë lënë Isharijun të transmetoj këto kotësira. Duke përfunduar fjalën e tij për ‘Isharijun “i pa referueshëm”.

Sa i përket citimit nga libri i el-Uluw, kopja ime e cila është e Dimashkijut (dorëshkruesit të librit), Dhehebiu për të dyja fjalët e Imam Shafiut thotë: Senedi është "Wah" (jo serioz, i dobët), ku në fillim ka thënë nuk e njoh Senedin. Megjithëse Dhehebiu në atë kohë ishte një 25 vjeçar dhe në pak vite ka hequr dorë nga libri në fjalë, duke thënë:

“E kam kuptuar se (ky libër) përmban transmetime të pabaza dhe thënie nga njerëz që kanë folur lirshëm (pa përgjegjësi), kështu që unë nuk u përmbahem atyre shprehjeve, as nuk i ndjek ata njerëz aty – Allahu i faltë ata – as nuk i konsideroj vetën të lidhur me këto derisa të jem gjallë. Ky është besimi im, dhe e di që Allahu – “Askush nuk është sikur ai” (44:11).” { Cituar dhe reprodukuar me fotografi në fillim të veprën Uluw të Dhehebiut, botimi i Shejh Hasan `Ali es-Sakaf’ (fq. 3-4) } !!!


p.s. Njerëzit që duan të bëjnë të diturin, nuk mund t’u shërbejnë programe dhe software për të zgjidhur situata pa e kopsitur mirë atë "copy" dhe pastaj "paste".

Alban Çuli,

18 Muharrem 1434 H.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme