Disa dekada më vonë, saktë në vitin 1993, Çarls Krothamer, analisti politik amerikan, thirret ne tekstin e sipërtheksuar, dhe gjithashtu thekson kërcënimin gjeopolitik nga islami, duke përdorur parullat e ngjashme e madje edhe më të rënda.
Këso dhe komentime të ngjashme ka me bollëk me Perëndim, kurse rrënjët e tyre mund të gjenden në shekujt e hershëm, siç kemi shkruar edhe ne por edhe të tjerët në shkrime të veçanta.
Shtrohet pyetja: vërtet Perëndimi frikësohet nga Islami? A mos janë problemet e fundit, lufta në Irak, Afganistan, radikalizmi vehabist etj. manifestim i asaj që është thënë me dekada më herët.?!
Vërtet, në Perëndim ekziston frika nga Islami, dhe kjo frikë në mentalitetin perëndimor është sajuar me shekuj të tërë, duke satanizuar dhe anatemizuar Islamin në të gjitha format. Motivet kanë qenë të ndryshme, por sidomos fetare (deri në sh. XII), politike-ekonomike-fetare (kryqëzatat) dhe ekonomike-politike-fetare (rrethimi Osman i Vjenës etj) dhe gjeopolitike dhe kulturo-qytetëruese (kohëve të fundit). Edhe në format e reja Perëndimi paraqet frikën nga islami, duke u bazuar në format tashmë të njohura për shkencën botërore, për të sendërtuar synimet gjeostrategjike dhe gjeopolitike.
Kur kemi të bëjmë me luftën kundër terrorizmit, Al-Kaidën, Bin Ladenin e të tjera, mendojmë se ky fenomen nuk ngritet për shkak të frikës, por shfrytëzohet ekskluzivisht si pretekst për sendërtimin e synimeve gjeopolitike dhe gjeostrategjike të fuqive të mëdha. Duke mos hyrë në problemin e organizimit të saj, të përgatitjes, aftësimit, përkrahjes së saj, mendojmë se bota islame dhe binladenizmi nuk paraqet kurrfarë rreziku për Perëndimin, siç tentohet të paraqitet gjendja, sidomos në mediumet e Perëndimit. Përkundrazi, dobitë që Perëndimi i ka nga ekzistimi i Al-Kaidës dhe tërë asaj që lidhet me terrorizmin, janë të shumëfishta. Duke iu falënderuar luftës kundër terrorizmit fuqitë perëndimore, sidomos SHBA-të, kanë dominuar dhe po dominojnë me resurset më të mëdha të lëndës së parë (në Irak: nafta dhe gasi; në Afganistan: nafta, gasi dhe minierat e pasura) dhe për shkak të sferave të interesit politik: afrimi më afër fuqive atomike (Rusisë, Kinës, Indisë, Pakistanit etj.) edhe nga ky kend i botës.
Sa i përket problemit të terroristëve dhe terrorizmit, sado që ata të jenë të organizuar, ata nuk paraqesin dhe nuk mund të paraqesin forcë të mirëfilltë që do të mund të paraqiste rrezik të vërtetë për Perëndimin si dëshirohet të paraqitet gjendja. Për më tepër kur kemi parasysh teknologjinë moderne të përcjelljes, përgjimit, radarëve, sistemit të spiunazhit etj. Përveç kësaj, terroristët nuk janë dhe nuk mund te jenë të organizuar politikisht, që do t’iu shërbente si mbrojtje dhe përfaqësim në organizmat e politikës botërore. Në anën tjetër, CIA dhe shërbimet tjera inteligjente të shteteve perëndimore arrestojnë, burgosin, maltretojnë dhe madje vrasin thuajse kudo në botë (në Afganistan, Irak, Guatanamo, nëpër burgjet sekrete në disa vende të botës etj.) qoftë edhe për dyshimet më të vogla. Këtyre shërbimeve iu është dhënë përkrahje si nga shtetet jomuslimane ashtu edhe ato muslimane. Pa hyrë në motivet dhe synimet e vërteta të vendeve muslimane, mendojmë se ato janë të shantazhuara, të frikësuara, të kërcënuara dhe të mashtruara dhe kjo përkrahje është në shërbim dhe dobi të agresorëve e jo të dobi të vendeve muslimane.
Është e qartë se Perëndimi me propagandë dhe veprime konkrete sistematike, në vazhdimësi ka krijuar armiqë, kurse me dhunë mediatike, politike, ekonomike e ushtarake ka sendërtuar dominimin e Perëndimit ndaj vendeve muslimane. Me këtë dominim janë degraduar dhe degradohen të gjitha vlerat pozitive islame kurse Islami merrë ofendime dhe goditje të njëpasnjëshme duke mos mundur të demonstrojë vlerat politike, ekonomike, kulturore e sociale që posedon.
Ka edhe shumë faktorë të tjerë përse Perëndimit i përgjigjet ekzistimi i Al-Kaidës, por ne me këtë rast nuk do të lëshohemi në hollësitë tjera.