Duke e lexuar veprën “Osmanët” të autorit Osman Nuri Topbash

I. Si e njoh autorin


            Jeta ka dashur që autorin ta njoh nga distanca, fillimisht nga miqtë e përbashkët e më pastaj nga veprat e tij të përkthyera në gjuhën shqipe. Edhe pse nuk jam i thirrur të flas për të, sepse ka më të thirrur se sa unë, megjithatë në këtë rast do t’i shtroj përshtypjet e mia modeste para auditorit të respektuar që kam para vetes.

Osman Nuri Topbashi (Stamboll 1942) është njëri prej teologëve dhe intelektualëve me dhunti të rrallë. Ai shkruan lehtë, qartë dhe thjeshtë. Stili i tij është i kapshëm, mahnitës dhe, do ta quaja, magjik. Ai trajton tema të vështira me një gjuhë të shkoqitur e të kuptueshme për të gjitha shtresat. Duke lexuar veprat e tij, tek ai zbuloj një natyrë kreative, zbuloj se vepra e tij reflekton qetësi të brendshme, urti mirëkuptimi ndërmjet botës së njeriut dhe botës, por i cili me po aq guxim flet për fenomenet dhe dukuritë që shumë autorë të tjerë i heshtin. Ai nuk nxiton drejtë zhurmës dhe qëndron larg pangopësisë për të qenë në qendër të vëmendjes ndërsa në dëm të oponentëve, nëse do të mund t’i quaja kështu rivalët e tij ideorë ...


II. Vepra “Osmanët – Me personalitetet dhe institucionet e tyre monumentale”


            Libri që po e trajtojmë në gjuhën turke është botuar në vitin 1999, kurse në gjuhën shqipe në vitin 2009. Për fat të keq u dashtë të kalojnë 3-4 vite për ta shqyrtuar, që paraqet një lëshim për të gjithë neve. Përse e them këtë? Për arsye se leximi i veprës sjell reflekse që përballen, fërkohen dhe zateten me probleme si nga e kaluara ashtu dhe nga e tanishmja dhe e ardhmja.

Vepra paraqet një temë që në pikëpamjen fetare, morale por edhe politike, ekonomike dhe kulturore ndërlidhet drejtpërdrejt edhe me hapësirën tonë por edhe me njerëzit tonë, si sundues apo të sunduar. Vepra paraqet një tërësi homogjene e ndarë në dy pjesë: e para, paraqet pjesën politike, ushtarake dhe ekonomike dhe e dyta paraqet pjesën fetare, shpirtërore, morale dhe kulturore.

 

III. Disa përsiatje rreth përmbajtjes së veprës “Osmanët”

 

Autori edhe pse johistorianë në mënyrë brilante, shtigjeve të Mukaddimes së Ibn Haldunit, e fillon veprën e tij duke e përkufizuar historinë: “Popujt dhe kombet i japin vazhdimësi vitalitetit të tyre në skenën e historisë në sajë të elementeve të vetëdijshmërisë besimore-fetare, gjuhësore dhe historike”, (fq. 7) për të vazhduar më tutje: “Historia është një pishtar i cili, me anë të evidentimit dhe analizës së shkaqeve dhe rezultateve të përjetuara nga njerëzimi në kornizën e këtyre dy elementeve, u ndriçon popujve dhe kombeve rrugët e tyre vetjake.” (fq. 7).

Autori, historianët dhe historiografinë, pa tre elementet bazë (1. vetëdijshmëria besimore-fetare, 2. gjuhësore dhe 3. historike), i quan të ndikuar nga autorë armiq të Islamit dhe të Turqisë dhe me koncepte të shtrembëruara, që nuk do ta shpjegojnë saktë të kaluarën as që do të orientohen drejt të ardhmes. (fq. 8).

Autori me pjekuri të pashembullt pohon se “për sa kohë që një komb i njeh historinë e vërtetë dhe udhëzuesit materialë-shpirtërorë të tij, si dhe i vlerëson ata siç duhet, tregon se është një komb i madh e i përparuar.” Duke e marrë parasysh se kjo është një sëmundje që ka përfshirë shumë popuj, jo vetëm Turqinë, por edhe ne shqiptarët, kërkesa për rishkrimin e historisë, është imediate në të gjitha pikëpamjet: intelektuale, shkencore, politike, ekzistenciale. Këtë bukur e thotë Efendi Topbash: “Kurrë s’ka qenë e sigurt e ardhmja e atyre që nuk mbështeten në të kaluarën”, përkatësisht “Rrënjët duhet të na zgjaten kah e kaluara, kurse degët, kah e ardhmja!” (fq. 9).

Osman Nuri Topbash, me sens prej historiani e analisti objektivë në veprën e tij, meditoi e analizoi, hulumtoi e studioi dhe konstatoi se me kalimin e kohës po del në shesh se akuzat e qëllimshme ose injorante nuk kanë asnjë vlerë. Po ashtu, ai konstatoi se “e djeshmja dhe e sotmja e historisë botërore nuk mund të njihen pa u njohur historia osmane”. (fq. 10).

Akuzat për dhunë individuale dhe institucionale nga Perandoria Osmane, akuzat për dhunë ushtarake dhe ekonomike, sharjet për sulltanët dhe shtrembërimet për veprimtaritë e tyre, e shtyrën autorin që t’i qaset më seriozisht akuzave të përmendura dhe reflektimeve të tyre në histori, kulturë, përditshmëri etj.[1] Preokupimi i autorit dha edhe rezultatin që e kemi para nesh, një vepër të shkëlqyeshme, që u ngjason krijimeve të autorëve me nam në këtë fushë.


Sulltanët osmanë – si perceptohen ndër ne?

 

Perandoria Osmane, përkatësisht Turqia dhe sulltanët, si personalitete kryesore të perandorisë, për evropianët gjatë disa shekujve të fundit por edhe në kohën aktuale, paraqet obsesion shpirtëror dhe preokupim permanent diplomatiko-ushtarak, politiko-ekonomik e kulturoro-shkencor. Deri sa te disa Perandoria Osmane konsiderohet si “njëra prej shfaqjeve më të rëndësishme të tërë Mesjetës në Lindje dhe në Perëndim”[2], te disa të tjerë ata ofendohen herë me terma etnikë e herë me ata religjiozë. Ata quhen dhunues e eksploatues, mashtrues e blasfemues ndaj “të vërtetës” kristiane[3]. Këto akuza nuk do të ndalen deri në ditët tona. Akuzat e tilla te ne shqiptarët zakonisht bazohen në pararendësit fanatikë kristianë, si Pjetër Bogdani, i cili Islamin e quan “pafeja orientale” (infedelta orientale), kurse Muhammedin a.s. bari beresh e delesh.

Mirëpo, Osman Nuri Topbash rrëfimin e fillon ndryshe. Ai mëson se njeriu përbëhet nga dy vlera të çmuara: jeta, fryma dhe mundësitë materiale. Njerëzit e përkushtuar Zotit mjaftohen me këto dy vlera, dhurata. Gjithashtu, autori ynë i nderuar na bën thirrje që sot, në këtë kohë kiçi dhe shundi të vlerave, në këtë kohë të forcës dhe të sundimit të egos, kemi së tepërmi nevojë t’i observojmë këto personalitete monumentale, t’i kuptojmë dhe të përfitojmë nga struktura ndjesore e tyre, nga vetëmohimi i tyre, duke e ringjallë atë, siç është rasti i Osman Gaziut dhe brezit të tij. (fq. 31 e tutje).

Duke përshkruar brendësinë e sulltanëve Osman Nuri Topbash do të shkruajë se “brenda një kohë shumë të shkurtër, ata e bartën emocionin e besimit që kishin në zemra, në të katër anët e botës, gjithashtu, qenë ata që i mbushën faqet e arta më të zgjedhura të historisë.” (fq. 11).

Autori u përgjigjet kundërshtarëve të osmanlinjve në mënyrë të shkëlqyer kur pohon se “shteti osman përbën një ndër etapat më të shkëlqyera të historisë islame pas periudhës së as’habëve”, është shtet që e ngriti “tërë popullsinë e vet, nga sundimtari e gjer te bariu, me dashurinë për Profetin!” (fq. 12). Për sa u përket sulltanëve, autori pohon: “Nuk ka sundimtar osman që të ketë urdhëruar hapjen dhe leximin e postës së ardhur nga Medina, pa marrë sërish abdest, pa u ngritur vetë në këmbë dhe pa i puthur dhe vënë në ballë letrat dhe shkresat e ardhura që atje!” (fq. 12).

Kur njeriu përballet me këtë gjendje, sado i ngurtë në zemër e shpirt, nuk mund e të mos emocionohet, për këto modele edukate e respekti të papërsëritshëm. Tërë këtë e më së miri e përshkruajnë fjalët e Osman Gaziut se “qëllimi ynë s’është ndonjë trimëri botërore, por vetë lartësimi i Fjalës së Allahut”, maksimë kjo të cilën e ndoqën të gjithë sulltanët. (fq. 12).

Edhe Orhan Gaziu e porositi Sulltan Muratin I: “S’mjafton t’i bëjmë osmanët sundues mbi dy kontinente! Sepse përpjekja për lartësimin e Fjalës (fesë) së Allahut është një çështje aq e madhe sa të mos e nxënë dy kontinente!” (fq. 13). (Shih faqet: 31-40)

Por, vetë Sulltan Murati I, duke dhënë shpirt në Betejën e Kosovës, bëri një testament të papërsëritshëm: “I qeshë lutur dhe përgjëruar Zotit që të ma mundësonte sherbetin e dëshmorësisë nëse fitorja e Islamit do të kushtëzohej prej vdekjes sime! Kështu, pra, lutja m’u pranua! Lavdëruar dhe falënderuar qoftë Allahut! Po e mbyll jetën pasi e pashë fitoren e ushtarëve islamë!” (fq. 13).

Në vazhdim të fjalimit, në Betejën e Kosovës, ai tha: “... Një fitore e famshme që do ta arrijmë sot, do të bëhet shkak për lartësimin e Fjalës së Allahut në të gjithë Rumelinë!” (fq. 44). (Shih faqet: 41-52)

Sundimi i drejtë dhe human osman manifestohet edhe në thënien e një fisniku bizantin, Notarasit, nga koha e Sulltan Mehmetit II Fatihut: “Parapëlqej të shoh në Stamboll çallmën e turqve sesa shapkën e kardinalëve.” (fq. 13).

Përse e themi këtë? Sepse Mehmeti II Fatihu ishte ushtarak kulmor, i cili e mori Konstantinopolin e pamposhtur për disa shekuj më 1453. Ishte dijetar, sepse mësuesi i tij Akshemsedini i tha: “... unë dua që ti të jesh jo një sulltan i paditur dhe injorant, por një sundimtar i ditur, i ndjeshëm dhe i zgjuar!” Kjo iu tha duke e pasur parasysh hadithin e Muhammedit a.s.: “Sigurisht që Konstantinopoli do të ngadhënjehet! Ç’komandant i mirë është që do të ngadhënjejë mbi të dhe ç’ushtarë të mirë janë ata që do ta ngadhënjejnë atë!” (fq. 98). Ai nuk mësoi vetëm dijet ushtarake dhe politike, por edhe fikhore, të tefsirit, të kelamit, matematikës etj. (fq. 99).

Madhështia e sundimtarit shihet edhe nga tregimi vijues: ka qenë traditë atëherë por edhe sot që kundërshtari i mposhtur në fushëbetejë, t’i nënshtrohet dhunës së paparë deri në vrasje mizore e përçmuese. Por, a ndodhi kjo me rastin e marrjes së Konstantinopolit nga ana e muslimanëve. Jo, nuk ndodhi, madje patriku i këtij qyteti, i mahnitur me qëndrimin e muslimanëve ndaj tij dhe tyre, i ra ndër këmbë Mehmetit II Fatihut. Por, Fatihu i tha: “Në fenë tonë është e ndaluar përulja para njerëzve siç bëhet përulja dhe rënia në tokë para Zotit! Ngrihuni! Juve, dhe bashkë me ju, të gjithë të krishterëve, po jua kthej të gjitha të drejtat dhe liritë!”. (fq. 107).

Pra, Mehmeti II Fatihu nuk ishte çfarë e paragjykoi papa Piu II, me rastin e rënien e kështjellës së Smederevës në Serbi më 20 qershor 1459, me ç’rast e quajti “portë të arrestimit”. (F. Babinger, Mehmet Pushtuesi dhe koha e tij, Prishtinë,1989, fq. 189), nuk ishte as “përbindësh i helmuar” (fq. 193), as gjendja në atë kohë, nga frika e rënies së Serbisë dhe Hungarisë, kur Pjetro Tomazi i shkruan nga Budimi një miku të tij në Venedik: “Çështja e të krishterëve gjendet në rrezikun më të madh.” (Ibid., fq. 188).

Një personalitet tjetër që e ka trazuar Evropën por edhe vendin është diç më i vonshëm krahasuar me të përmendurit më lartë, e ai është Sulltan Abdylhamiti II (1842-1918). Disa këtë sulltan e përshkruajnë autokrat, sundues të fuqishëm, disa e quajnë antishqiptar, ndërsa sunduesi gjerman Bismarku e përshkroi si vijon: “Nëse në botë ka njëqind gram mendje, nëntëdhjetë gram ndodhen te Abdylhamiti, pesë gram tek unë dhe pesë gram tek të gjithë të tjerët!”

Autori i librit, nëpërmjet copëzave të jetës së Abdylhamidit II na ofron një pasqyrë komplete për këtë personalitet. Ishte njeri i dijes botërore dhe shpirtërore, me dhunti të pashembullt. Edhe pse në rrethana të vështirësuara politike e mori qeverisjen, ai sundimin e tij tridhjetë e tre vjeçar e përfundoi në mënyrën më të mirë në kohën e dhënë. Autori ofron shpjegime konkrete se si Abdylhamiti II ishte pengesa kryesore për realizimin e disa projekteve antiislame: daljen ujore të Rusisë në Mesdhe, tubimin e hebrenjve në tokën e Palestinës dhe formimin e shtetit izraelit, problemi ermen e të tjera, ndaj edhe këto qarqe bënë trillime të ndryshme, thurën komplote madje edhe bënë shkarkimin e tij nga posti i halifit (sulltanit). Me të drejtë autori shfronësimin dhe vdekjen e Abdylhamitit e quajti me fjalët vijuese: “E gjithë bota islame pothuaj pati mbetur jetim”. (fq. 230).

Kjo është përgjigjja më e mirë për ata të cilët kokat i kanë përplot paragjykime për Islamin, sulltanët dhe sulltanatin. (fq. 212-233)

 

Faktorët shpirtëror të shpërfillur?!

 

Shumë autorë jomuslimanë por dhe muslimanë perandorinë osmane e trajtojnë nga ana e jashtme, formale, sipërfaqësore, duke i shpërfillur faktorët shpirtëror, të cilët nëse nuk janë më të shumtë se ata materialë, atëherë janë orientues, drejtues, alfa dhe omega e perandorisë osmane. Që të dy këta faktorë shtetit osman i japin ekzistencë historike dhe themel moralo-shpirtëror. Autori Osman Nuri Topbash me akribie të rrallë heton një fakt që zakonisht “harrohet” në veprat e këtij lloji, e ajo është vazhdimësia e shtetit osman nga selxhukët. Ata nuk formuan entitet të ri politik, por vazhduan jetën vetëm pas rënies së tyre, me një dallim cilësor, e ky dallim konsiston në atë se osmanët nuk paraqiteshin si dinasti, por si bashkim entitetesh, vlerash dhe me një frymë të përbashkët që do të njihet si osmanlinjë. (fq. 255-257) Për këtë arsye, ky shtet është quajtur edhe Shteti i Lartë Muhammedian (Devlet-i Aliyye-i Muhammediyye), duke synuar prejardhjen e lartë.

Autori Topbash ka identifikuar pesë faktorë kryesorë për lindjen, zhvillimin dhe sukseset e perandorisë: 1. Përkushtimi ndaj urdhrave të Allahut; 2. Fryma mobilizuese; 3. Përgatitja e elitës së shtetit; 4. Struktura shoqërore dhe shpirtërore e popullit dhe; 5. Përsosmëria e drejtësisë dhe administrimit. (fq. 546-556)

1. Përkushtimi ndaj urdhrave të Allahut

Historianët muslimanë besojnë se jeta e një perandorie, e një shteti, varet nga përkushtimi i popullit dhe sunduesit ndaj faktorëve ndikues që formojnë themelin e shtetit dhe jetëgjatësinë e tij. Shteti osman, duke përvetësuar besimin e pastër, si në aspektin politiko-ekonomik por edhe moralo-shpirtëror, përjetoi një ngjitje të përshpejtuar drejt Absolutes, që kemi vërejtur nga disa shkëputje të shkurtra gjatë ligjërimit.

2. Fryma mobilizuese

Kontakti i osmanëve me muslimanët e hershëm në Iran dhe në vende të tjera dha të kuptohet se osmanët kanë frymë të përbashkët me frymën e përgjithshme islame. Nga një tribu 400 çadrash, me Islamin osmanlinjtë u bënë perandori 24 milionë m2, u bënë mësues dhe udhërrëfyes botëror në fushën e besimit, xhihadit, shkencës dhe artit.

3. Përgatitja e elitës së shtetit

Në perandorinë osmane të gjithë personat që konsiderohen bartës potencial të përgjegjësisë së shtetit përgatiteshin në mënyrë të veçantë. Ata posedojnë disa virtyte, dhuratë e Zotit, pa të cilat dhunti nuk mund të bëheshin prijatarë të botës. Në këtë aspekt, Sulltan Selimi i Rreptë tha: “Të mos na bëjnë krenarë duartrokitjet e vdekatarëve, kurorat e fitores dhe komplimentet e tyre dhe, pastaj krenaria të na shtrijë për tokë.”

4. Struktura shoqërore dhe shpirtërore e popullit

Nëse struktura shoqërore dhe shpirtërore do të bazohej vetëm në arsye, kjo do  të ishte një pikëpamje shterpe. Për këtë arsye, osmanët përvetësuan edhe fenë në kuptimin e gjerë, sepse çdo pjesëshmëri do të çonte në dështim. Këtij faktori i ndihmoi pa masë edhe institucioni i vakufit, i cili paraqiste pjekuri shpirtërore dhe ekuilibrues social dhe moralo-shpirtëror në shoqëri.

5. Përsosmëria e drejtësisë dhe administrimit

Drejtësia është ndër shtyllat kryesore të shtetit. Ky parim me shekuj shërbeu si pishtar për popullin osman, duke i ofruar njerëzimit të drejta dhe drejtësi. Fakti që Mehmeti II Fatihu doli në gjykim me një qytetar kristian dhe humbi kundrejt tij, tregon madhështinë e një sunduesi por edhe të një sistemi të drejtësisë. (fq. 555-553).


III. Në fund

 

I detyruar ta përfundoj këtë ligjërim ndjehem i pafuqishëm përballë gjithë atij thesari të theksuar në vepër, e të cilat unë do t’i kaloj. Megjithatë, vepra u dedikohet të gjithë lexuesve, të zakonshëm dhe profesionalistë ndërsa leximi i veprës, pa dyshim do të nxisë për disa disponim emocional dhe për disa shqetësim intelektual jo të zakonshëm, duke vënë në lëvizje më shumë arterie.

Vepra duhet të lexohet më shumë se një herë. Secili lexim do të reflektojë ndjenja të veçanta. Do të ndjehet se sinqeriteti dhe serioziteti gjatë shkrimit të veprës, maturia dhe pjekuria e manifestuar, dashuria që ngjall mburrje e krenari, janë vlera që nuk i gjen kudo. Vepra na mëson por edhe qorton, udhëzon dhe ofron mirëkuptim, bashkim, përparim dhe mbi të gjitha ofron një pasqyrë të re për Perandorinë Osmane, e cila nëpër histori është blasfemuar e anatemuar dhe shpallur për fajtor kujdestar për të kaluarën, tanishmen dhe të ardhmen tonë. Mbi të gjitha, autori në mënyrë mjeshtërore në një vend dhe hapësirë e vendos botën materiale dhe atë shpirtërore, nga Ademi e deri te Muhammedi a.s.


IV. Krejt në fund


            Vepra “Osmanët - Me personalitetet dhe institucionet e tyre monumentale”, e autorit Osman Nuri Topbash është një arritje e jashtëzakonshme materiale dhe shpirtërore, një sukses intelektual, është një vepër që e nderon autorin dhe sfondin e historisë së përgjithshme, historisë politike, është një kontribut për përshpirtërinë, kulturën dhe qytetërimin islam, osman, turk, shqiptar, boshnjak, arab.

Në dobi të vlerave pozitive të veprës vlen të theksohet edhe përgatitja e mirë teknike dhe estetike e librit. Sidomos mahnit gjuha e lehtë, e thellë, përplot mjete stilistike, që e bën veprën më të këndshme për lexim, më të lehtë në përdorim e më të kuptueshëm në përmbajtje.

Ju faleminderit për durimin që patët! Mbetshi në paqen dhe mëshirën e Allahut të madhëruar.



[1] Edhe një islamofob e turkofob si B. Lewis pohon se “pjesa më e madhe e Rumelisë nuk u asimilua kurrë as nga Islami dhe as nga ndikimi i gjuhës turke”. Sipas: Bernard Lewis, Lindja e Turqisë moderne, Tiranë, 2004, fq. 25.

[2] Joseph von Hammer, Historija turskog (osmanskog) carstva, 1, Zagreb, 1979, fq. VII.

[3] Për paragjykimet, gjenezën, rrugën, mënyrat etj. Shih në: Nexhat Ibrahimi, Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, botimi V i plotësuar i ndryshuar, Prishtinë, 2011, fq. 83-148.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme