S’do mend se njeriu nuk ka dorë në përzgjedhjen e formës së jetuarit të tij, prandaj atij i është përcaktuar të jetojë në bashkësi. Kjo mënyrë e jetesës do rregull, disiplinë, kontroll, ligje, shkurt thënë njerëzimit i është imponuar të qeverisë. Për fat të tij, as në të kaluarën e as në të tashmen asnjë njeri nuk është i ndarë i kënaqur nga kjo botë me sistemin e tij qeverisës. Diku po çalohet, mirëpo përkundër kësaj të mete ai bën përpjekje të vazhdueshme për ta përmirësuar vetveten, por akoma nuk e ka gjetur sistemin qeverisës ideal.
Kronologji e shkurtër
Njeriu edhe pse di shumë pak për të kaluarën e popujve të zhdukur, nëse i referohet historisë së shkruar do të mësojë se njerëzimi paska kaluar nëpër disa sisteme të ndryshme, si dhe do të mësojë se asnjëherë nuk paska qenë i stabilizuar. Ndryshe nga popujt e tjerë, muslimanët pretendojnë se Muhammedi s.a.v.s. kishte arritur që beduinët e harruar në shkretëtirën e thellë të shekullit të VII-të t’i edukojë me fenë islame për t’u bërë thirrësit e drejtësisë më të lartë që ka njohur njerëzimi. Fatkeqësisht ky sistem me drejtësi të lartë nuk jetoi më shumë se dyzet vjet.
Përkundër jetës së shkurtër të sistemit musliman (622-661), ky sistem i pa shoq bëri të bien dy perandoritë më të mëdha të kohës. Ndryshe nuk mund të shpjegohet rënia e këtyre dy superfuqive. Ata që mundohen të japin shpjegime të tjera, ose nuk duan ta thonë të vërtetën ose nuk e kuptojnë domethënien e fjalës superfuqi botërore.
Që kur muslimanët shpallën kalifatin shtet monarkist, menjëherë u rikthye ekuilibri i forcave midis perandorive. Kështu në një farë mënyre mund të thuhet se botës iu rikthye forma e qeverisjes së vjetër, por kësaj iu shtua edhe një modifikim ri i qeverisjes midis drejtësisë më të lartë (hyjnore) dhe asaj monarkiste.
Kjo drejtësi e përzier me politikën monarkiste ditë e më shumë po humbiste hapësirën qeverisëse, gjatë kësaj krize as perandoria perse dhe as ajo bizantine nuk arritën ta përmbysin shtetin me këtë lloj sistemi për më shumë se trembëdhjetë shekuj. Të parët ishin integruar plotësisht në shoqërinë muslimane, ndërsa bizantinët nuk kishin as forcë e as motiv t’i rikthenin tokat e humbura nga ‘beduinët arabë’.
Pas disa shekujsh më saktë më 1054 perandoria bizantine do të ndahet, dhe, kështu do të prishet statusquoja midis dy superfuqive. Katolikët (perandoria perëndimore) në emër të apokalipsit arriti që në fundshekullin e XI-të të mobilizojë një ushtri të përbërë nga fshatarë të uritur të marshonin drejt vendeve të ‘shenjta’ për ta përjetuar ‘trimërisht’ ose ‘shpëtuar’ një numër të caktuar të krishterëve nga fundi i botës.
Siç na tregoi historia, ky mobilizim i parë rezultoi i pa suksesshëm, mirëpo kjo iniciativë katolike nuk do të ndalet edhe për dy shekujt e tjerë të ardhshëm. Këta do të vazhdojnë me mobilizime të reja duke marshuar drejtë tokave ‘të shenjta’. Njerëzimit i janë të njohura luftërat e kryqëzatës së dytë, së tretë dhe të katërt të cilat i shkaktuan dëme të mëdha civilëve muslimanëve, mirëpo asnjëherë nuk arritën t’i mposhtin në veçanti pasi dolën në skenë osmanët me përjashtim të gadishullit të Pirinejeve.
Lindja dhe rënia e sistemeve
Bota njihte shumë pak sisteme qeverisëse, mirëpo ligjet shumë të ashpra kishtare dhe thirrjet e vazhdueshme për të luftuar muslimanët bënë që elita e kësaj hapësire tokësore të ndryshojë diskursin e besimit të krishterë. Kështu ideologjia krishtere perëndimore mori tatëpjetën deri në mospërfillje të plotë nga evropianët.
Kjo krizë e brendshme evropiane do të shkaktojë destabilitet dhe anarki qeverisëse për disa shekuj me radhë në botë. Për ta evituar më të keqen brenda kontinentit, evropianët e trimëruar me tërheqjen e muslimanëve nga gadishulli Pirinej 1492, dhe në pamundësi të mbanin lidhjet konstante me Kostandinopojën nëpërmes rrugës Egnatia do t’ia mësyjnë pushtimeve të reja nga deti i hapur. Këto lëvizje të reja sollën edhe ndryshime shumë të mëdha në botë.
Brenda kësaj periudhe të zymtë për katolikët në Evropë dhe përhapja e ideve në kohën e renesancës ndër krishterë, u shfaq edhe sekti protestant i cili u mundua të paraqitej më i arsyeshëm se sa sektet e tjera krishtere. Papa për ta ishte antikrishti dhe ai duhej të luftohej. Ky sekt u ngrit në saje të ideologjisë materialiste të kohës, dhe vendi më i përshtatshëm për të vepruar ishte SHBA-ja e cila në shek. XX-të filloi të tregohej se ka të gjitha mundësitë të zëvendësojë rolin e Anglisë dhe Francës në botë.
Bota derisa po përparonte në fushën e teknologjisë, mbretërive me sfond fetarë si atij musliman dhe atij krishterë po iu ngushtohej hapësira. Shekulli XVIII-të dhe XIX-të ishin dy shekuj të ndryshimeve të mëdha për njerëzimin. Lindën sisteme qeverisëse të reja të cilat do të ndryshonin ligjet sa herë që u kërcënohej qeverisja nga brenda. Mirëpo erdhi dita që në shek.XX-të të lindë nazizmi, fashizmi komunizmi...të gjitha këto në emër të demokracisë dhe në emër të mirëqenies njerëzore.
Idetë nëse nuk pranohen nga Zoti ato do të pranohen atëherë ato do të pranohen idetë e aventurierëve të vetë qenies njerëzore. Kjo aventurë do t’i kushtojë shumë qenies njerëzore. Bota përnjëherë u gjend pran një kolapsi dhe kjo katrahurë do të përmbyllet me vrasjen e qindra milionë njerëzve dhe shkatërrimeve shumë të mëdha që solli Lufta e Dytë Botërore.
Sistemet ekzistuese
Sistemi perëndimorë jo vetëm që arriti të mbijetojë në saje të pasurisë së madhe që kishte grumbulluar nga plaçkitjet e popujve të varfër të Afrikës dhe Lindjes së Mesme dhe asaj të Largët. Kjo pasuri marramendëse ju mundësoi të kenë para të mjaftueshme edhe për hulumtime shkencore edhe rritjen e standardit të jetesës njerëzore. Thënë realitetin sot njerëzimi ka një zhvillim të lartë teknologjik. Tani, në emër të këtij zhvillimi teknologjik, evropianët dhe perëndimi i largët mundohen ta mbajnë primatin edhe më tutje në botë, sidomos pasi arritën ta mposhtin ‘demokracinë’ sipas modelit komunist.
Demokracia pluraliste e strukturuar sipas modelit perëndimorë edhe pse arriti ta mposhtë demokracinë moniste ajo nuk ka arritur t’i parandalojë antivlerat njerëzore, sikur korrupsionin, trafikimin e drogës, prostitucionin, alkoolin, martesën me gjini të njëjta e shumë të tjera dukuri negative. Jo se ju mungon teknologjia e sofistikuar, por, vetë struktura perëndimore është e ngritur në atë mënyrë saqë është e pamundur t’i eliminojë aventurat shfrenuese ose degjeneruese të cilat fatkeqësisht mbrohen me ligje të vendosura nga vetë ata.
Krahas këtyre dukurive, brenda këtij sistemi kemi edhe sistemin shumë të dobët bankar, i cili përligjë vjedhjen duke diskriminuar të varfrit. Ky sistem çuditërisht i pranuar nga laikët perëndimorë është vendosur qysh herët nga një popull shumë lakmitar në thesare dhe pasuri që pretendojnë se janë të zgjedhurit e Krijuesit të botëve. Pas krizës së shfaqur këto vitet e fundit në perëndim, çdo ditë e më shumë bankierët po i tërheqë sistemi bankar i ofruar sipas modelit islam i cili ka filluar të praktikohet kohëve të fundit në shumë shtete të botës.
Pas gjithë kësaj sa më sipër u tha, njerëzimi sot lëvizë në saje të këtij sistemi laik perëndimorë dhe atyre pak sistemeve diktatoriale që ekzistojnë në botë si dhe në saje të sistemit demokratik me sfond hindus dhe islam. Hë për hë sistemi i bazuar në parimet perëndimore laike të përziera me pak protestantizëm është dominues në botë.
Në fakt gjenerata jonë përjetoi një goditje në këtë fund shekull në saje të ndikimit protestant në elitat politike dhe ekonomike amerikane, mirëpo pas dështimit të tyre për apokalipsin e mundshëm në këtë fund milenium, forca e mendimit protestant ditë e më shumë po humbet edhe në perëndimin e largët të globit.
Në kërkim të sistemit ideal
Planeti Tokë për njerëzimin pas këtij zhvillimi të lartë teknologjik u bë një vend shumë i vogël, prandaj ky planet i vogël kërkon të ketë edhe një sistem të lartë dhe unik të drejtësisë. Nëse njerëzimi nuk do ta gjejë këtë sistem drejtësie ka rrezik ta shkatërrojë vetveten sa hap e mbyll sytë. Se cili do të ishte ai sistem mbarënjerëzorë, intelektualët njerëzimit duhet t’i ofrojnë idetë e tyre pilote që të mund t’i diskutojnë dhe të hapin debate nëpër konferenca të shumta që po zhvillohen për çdo ditë.
Kosova një vend shumë i vogël i shkëputur padrejtësisht nga shteti amë Shqipëria, është një vend shumë specifik dhe shumë i dobishëm për këtë lloj studimi. Pas tërheqjes së ushtrisë serbe më 1999-të, Kosova po shkon drejt konsolidimit të një shteti të ri në planet. Që Kosova të bëhet shtet i pranuar nga të gjitha shtetet e botës, duhet t’i kapërcejë disa pengesa të mëhershme!
Territori saj shumë i vogël prej afro 11 mijë km2 është vendi në të cilën janë përplasur tri civilizimet më dominuese të botës. Ortodoksët sllavë kishin pushtuar këtë vend në shekullin XIII-të dhe XIV-të, pastaj ky vend u dominua për pesë shekuj të tjerë nga civilizimi islam deri në vitin 1912 për t’u ripushtuar sërish nga ortodoksët sllavë deri në vitin 1999-të. Ky territor tani dominohet nga sistemi perëndimor i cili me anë të luftës 78 ditore bëri që civilizimi ortodoks lindor të kapitullojë dhe të tërhiqet nga Kosova.
Në këtë vend jetojnë 90% shqiptarë (98% musliman dhe 2%katolikë), 8% serbë (të gjithë ortodoksë) dhe pakicat tjera thuajse të gjithë muslimanë. Sipas regjistrimit të fundit në këtë vend jetojnë më pak se 1300 ateistë dhe më pak se 1800 të padeklaruar për identitetin e tyre. Kushtetuta e Kosovës është sendërtuar në saje të propozimeve të ish presidentit Marti Ahtisari i cili qe edhe kryenegociatori për Kosovën. Kjo kushtetutë përveç shumë lirive të tjera që ia njeh komuniteteve të ndryshme, ajo njeh edhe liritë fetare, që, fatkeqësisht i ka favorizuar dukshëm ortodoksët serbë.
Duket qartë se populli shumicë për hir të ndihmës së madhe dhe përkrahjes së vazhdueshme të SHBA-ve, ka pranuar çdo këshillë që i është thënë prej diplomatëve të SHBA-ve dhe të BE-së. Mirëpo gjithashtu duket qartë se edhe pas trembëdhjetë vjetëve ajo nuk ka hequr dorë nga mentaliteti i traditës dhe fesë islame, përkundër përpjekjeve që xhamitë të mbeten vetëm objekte muze e në asnjë mënyrë të ndërtohen të reja.
Nëse bëhet një vlerësim i shkurtër nga e kaluara jo fort e largët, ky popull ka dëshmuar se e do fenë e vet, e do lirinë dhe e do bashkëjetesën me të gjithë të tjerët të cilët nuk cenojnë natyrshmërinë njerëzore. A mund të mendohet se ky popull është aq naiv sa të mos jetë në gjendje të dallojë sistemin perëndimor dhe atë islam?
A mund t’i besohet atij që thotë se ndjekësit e besimit musliman janë shtresa më e prapambetur dhe e paditur e popullit? A mund t’i besohet kësaj thënie kur xhaminë e frekuentojnë politikanë, profesorë universiteti, policë, ushtarakë dhe të tjerë? Pra, çka i motivon këta të frekuentojnë xhaminë? A thua po ‘paguhen nga arabët’, janë të pa udhë apo janë të bindur thellë në fenë e tyre? Pas gjitha analizave hipotetike rezulton se intelektualët muslimanë kosovarë janë të bindur në besimin e tyre dhe atë e shprehin lirshëm.
Që këtu, ky vend është shumë i përshtatshëm dhe shumë i dobishëm për studime të nivelit mbarënjerëzorë. Populli shqiptarë mbase është populli i vetëm në botë që ka përjetuar thuajse të gjitha sistemet njerëzore me përjashtim të atij budist. Ky popull përkundër goditjeve të mëdha që ka përjetuar vetëm këto dy shekujt e fundit, tregoi se nuk i ka humbur shpresat dhe vazhdon të besojë në rikthimin e Drejtësisë Hyjnore-islamin e vërtetë.
A mund të mendohet për një çmenduri kolektive të këtij populli, apo këtë e bën të qëndrueshëm drejtpërdrejtë natyrshmëria hyjnore. Nëse do të konstatohet se kemi të bëjmë me një çrregullim mental të këtij populli, atëherë le të vazhdojë njerëzimi ma avazin e vjetër. Mirëpo nëse kemi të bëjmë me një popull të rregullt i cili e ka kuptuar Drejtësinë e Lartë dhe kjo e shtyn që të sfidojë sistemin e aleatit të tij (SHBA-të) që ia largoi pushtuesin e egër serb, atëherë intelektualët e anekënd botës duhet të kenë parasysh këtë të vërtetë dhe duhet analizuar gjerë e gjatë për të dalë nga projekti pilot në projekt të qëndrueshëm global.