Mbi borën e bardhë një trup fatzi është shtrirë i alivanosur. Në një gjoks si mollat verore një zemër është sakatosur. Në një palë sy të zi është piktoruar një pikturë e kuqe dhe e gjakosur. Në erën e kësaj natë dimërore dëgjova një dialog që më ka plagosur. Në mes të malit, që bora një çarçaf të trashë ia kishte vendosur, ishte e shtrirë një vajzë gjysmë e vdekur. Mendova t’i afrohem e t’i ndihmoj, por me vete thashë: mbase është ndonjë e dhunuar dhe dëshiron të më manipulojë. Nuk i ka parë ata që e kanë dhunuar dhe tani dëshiron të hakmerret në meshkujt. Ose mund të jetë ndonjë kurth që ndokush më ka përgatitur. Mbase edhe mund të jetë thjesht një vajzë që bora e ka lodhur dhe ka vërtët nevojë ndokush për ta ndihmuar. Për deri sa unë po paragjykoja dhe po mendoja, nëse duhet t’i afrohem apo jo asaj vajze, kur papritmas erdhi vëllai i saj. Dialogu filloi dhe tani lexon atë:
Vëllai: Ç’po bën këtu, oj motër, ka dhjetë ditë që po të kërkojmë e nuk po të gjejmë dot. Tri ditë u bënë që kur po të kërkoj në rrugët dhe malet e ftohta, pa shkuar fare në shtëpi. Kush të ka sjellë në këtë vend dhe kush të ka bërë në këtë gjendje?
Motra: Nuk e di në ç’vend jam që ta di se kush më ka sjellë këtu. Nuk e di as në ç’gjendje jam që të ta them pse jam kështu. Por një gjë do ta them o vëlla i dashur. Hallall të qoftë që më gjete, se mbase do të kisha vdekur, mbase do të kisha vdekur e nuk do të kisha pasur mundësi të ta “bëj hallall” për çdo gjë që ke bër për mua.
Vëllai: Nuk ka gjë motër, nuk ke pse të ma bësh hallall, sepse unë jam vëllai yt dhe ta kam borxh këtë gjë. Por tani zgjohu dhe eja me mua, eja se qenke bërë akull.
Motra: Jo, vëllai im i dashur jo! Motra këtu do ta japë frymën e fundit. Ndërsa sa i përket hallallëkut, unë po bëja ironi por ti si gjithmonë, ke qenë dhe do të mbetesh kokëtrashë.
Vëllai: Nuk po të kuptoj?! Pak më parë më the se je gëzuar që jam këtu dhe se dëshiron të ma bësh hallall për çdo gjë që kam bërë për ty, ndërsa tani thua se po bëj ironi. Ç’do të thotë kjo?
Motra: Kjo do të thotë se nuk ta bëj hallall për asgjë dhe haram të qoftë për çdo gjë. Je ti ai që më solli në këtë vend dhe në këtë gjendje.
Vëllai: Ti je çmendur dhe nuk di se ç’po flet, por zgjohu dhe eja të shkojmë. Eja se nëna është çmendur nga malli për ty.
Motra: Nuk jam çmendur jo, shumë mirë e di se ç’po flas. Por, oh, ja që ti je koktrashë e nuk u gjet dot njeri këtu që ta dëgjojë atë që dua të ta them. Por si do që të jetë unë do ta them e ti mundohu të më kuptosh.
Vëllai im i dashur! Atëherë kur unë iu afrova moshës së pubertetit ti veçmë ishe 20-vjeçar. Duke u ndikuar nga ajo që shihja në rrugë, në televizor, në revista e në çka jo, unë fillova të ndiej veten si diçka të veçantë. Fillova të vesh pantollone të ngushta, nga dy numra më të vogla se sa duhej t’i vishja farmerkat. Ashtu i vishja edhe fanellat vetëm e vetëm të jem e vërejtur nga meshkujt. Por vetëm në shkollë dhe në shtëpi nuk kisha se si të jem në sytë e meshkujve. Fillova të shëtis pak më shumë rreth shkollës, qe besa dikur fillova të hyj edhe në kafenetë rreth shkollës. Kur kreva vitin e parë të shkollës së mesme fillova t’u përgjigjem pozitivisht edhe ftesave për në mbrëmje dhe ahengje. Rastësisht një natë takova një mashkull nga ata që ti i njeh, së paku i përshëndet kur i takon në rrugë dhe ai ishte djali i parë që shprehi simpatinë e tij ndaj meje. Shkëmbyem numrat e telefonit, shkëmbyem llogarinë fejsbukut të njëri-tjetrit dhe filluam të komunikojmë. Rashë në dashuri pa e ditur se ai djalosh as që kishte ndërmend të dashurohej ndonjëherë në mua. Më mashtroi me lutjet, me sjelljet dhe me dhuratat e tij të vazhdueshme deri sa vendosa t’ia jap vajzërinë time atij, me shpresë se një ditë do të jem gruaja e tij. Por ja që puna nuk ishte ashtu, ai humbi sikur sheqeri që humbet në çaj. Ëmbëlsinë e shijon, por sheqerin nuk e sheh. Fillova të vuaj nga mungesa e tij deri sa një ditë takova një tjetër sikur ai. Më ngushëlloi dhe më ledhatoi aq shumë me fjalë, saqë e harrova atë të parin. Ky i dyti ishte më pasanik, filloi të më shëtiste prej një qyteti në tjetrin, për një hoteli në tjetrin, deri sa një dit mbeta shtatëzënë nga ai. I tregova me shpresë se do ta përshpejtojmë martesën që fëmija të lindë pas dasmës sonë, por ai u largua dhe nuk më tha as lamtumirë. E abortova fëmijën me shumë vështirësi dhe iu ktheva prapë vuajtjes. Mendova se më askush nuk do të më mashtrojë duke më ngushëlluar. Edhe ashtu ndodhi, kaluan 7 muaj, përfundova vitin e dytë shkollor, pa mos kontaktuar me asnjë mashkull. Por një ditë mendova në vete dhe thashë: kështu do të mbetem pa u martuar! Pse nuk bëj edhe unë si vajzat e tjera, të filloj të dal me shumë meshkuj deri sa ta mashtroj ndonjërin dhe të bëhem gruaja e tij. Kështu bëjnë të gjithë ato vajza që gabojnë në dashuri. Fillova pastaj, o Zot, si rrëqethem kur e kujtoj, fillova të takohem me çdonjërin që më shprehte simpatinë deri sa numri i atyre me të cilët dola në takime me shpresë që me ndonjërin prej tyre të martohem, u bë i madh. Çdonjëri prej tyre e shfrytëzoi nderin tim, por asnjëri nuk pranoi të bëhet burri im. Para dhjetë ditëve, kur për herë të fundit dola nga shtëpia, u nisa për në mbrëmjen e vitit të ri. Por kur shkova të rregulloj flokët për atë mbrëmje, m’u desh të prisja deri sa të më vijë rradha. Dola të pi një cigare përpara salonit për zbukurim dhe rastësisht po kalonte një plak me një plis të bardhë. Të bëftë mirë cigarja, bijo, më tha plaku. Faliminderit mixhok, nuk e pi zakonisht, por sonte kemi festë e po parapërgatitem për mbrëmjen e vitit të ri dhe për këtë e dheza cigaren, që të ma heqë mërzinë që ma shkaktoi ky vit që po e lëmë pas. Nam të madh keni bërë ju që të festoni, shkollën e keni bër fet e juve ju ka mbetur të festoni. I tha këto fjalë plaku dhe ndërroi anën e rrugës duke vazhduar udhës së vet. Pa dashur i bëra këto pyetje vetes: Vërtet unë ç’po festoj sonte? Po shkoj për t’u argëtuar me shokët për ndërrimin e motmoteve. Po pra, por për çka duhet të festoj?! Të festoj për vajzërinë që e humba gjatë kohësh së shkollimit tim të mesëm?! Të festoj shfrytëzimin e nderit tim nga shumë meshkuj?! Të festoj gënjeshtrat e mia, ato gjëra për të cilat gënjeva prindërit dhe mësuesit e mi?! Në atë moment u lava me lot dhe fillova të vrapoj duke bërtitur: unë nuk meritoj të festoj. Dhe kështu vëllai im i dashur, unë arrita në këtë mal që as vetë nuk e di se cili është ky mal.
Vëllai: Zoti të vraftë, oj motër, po çka kam faj unë për këtë që më thua se unë të solla në këtë gjendje?!
Motra: Ke faj edhe shumë dhe për këtë asnjëherë hallall nuk do të ta bëj. Ti je mashkull dhe shumë mirë e ke ditur se çfarë do të reflektojë tek meshkujt nëse vishem ngushtë, shkurt dhe me rroba provokuese. Përse as edhe një herë të paktën nuk më the të mos vishem ashtu? Ti je mashkull dhe e di shumë mirë se një vajzë që shkon në ahengje, në mbrëmje gazmore, në distoketa dhe në të tjera vende si këto, ajo është gjahu i meshkujve gjuetarë nëpër ato vende, e të atillë janë 90% e meshkujve. Kur e ke ditur shumë mirë këtë gjë, pse asnjëherë nuk më ndalove të shkoja në këto vende?! Ti shumë mirë e dije se ku shkoja! Ti je mashkull dhe e di çfarë cile kanë shumica e meshkujve të sotit drejt nje femreje e cila pranon të dalë të pijë kafe me ata, pse asnjëherë nuk më pyete ku dhe me kë isha?! Tërë ditën bën xhiro nëpër qytet duke u munduar të mashtrosh motrat e dikujt, sikur se të tjerët mashtruan motrën tënde dhe asnjëherë nuk ndave një ditë që të më përcillje mua dhe të më largoje nga ai zjarr vdekjeprurës, pse nuk e bërë asnjëherë këtë, pse?! “Hallall të qoftë!” për gjithë atë që e ke bërë për mua. Tani më lër të vdes në këtë çarçaf të bardhë nga bora dhe kthehu në shtëpi, por mos i trego askujt se më ke parë. Nesër do të jem e ngrirë, eja dhe më merr nga ky vend e më varros diku! …
“ Hallall të qoftë, o vëllai im” – i tha motra. Ky ishte një tregim i imagjinuar nën dritën e qiririt që po shkrin popullin e vet nga errësira për ta shpëtuar. Por është shumë e lehtë të imagjinohet një tregim i atillë në këtë shoqërinë tonë jomorale, në këtë shoqëri ku shkollat janë bërë korzo të takimeve, svilata modeje por nganjëherë edhe striptis-bare.
Për fund një gjë do t’jua them: Vëreni gishtin në kokë dhe vendosni me seriozitet ta largoni imoralitetin nga shoqëria jonë, nga kjo shoqëri që deri dje, që nga para era jonë, nuk e njohu imoralitetin. Këtë do ta bëni duke shikuar gjërat nga dy aspekte dhe këto dy aspekte janë të fshehura në thellësinë e tregimit që rrëfyem. Aspekti i parë është ky: “Asnjëri prej nesh nuk do të dëshironte që me motrën e tij të ndodhë ajo që ndodhi me atë motrën e atij vëllaut në tregimit tonë. Andaj të jemi më të kujdesshëm ndaj motrave tona dhe t’i ruajmë ato nga vullkani i kësaj kohe.” Ndërsa aspekti i dytë është: “ Çdonjëra vajzë me të cilën ndonjëri prej nesh, eventualisht, mendon të tallet, ta shfrytëzojë nderin e saj dhe ta hedhë atë pastaj si një mbeturinë në rrugë, çdonjëra vajzë është motra e ndokujt. Për deri sa një gjë nuk dëshiron ndokush t’ia bëjë motrës tënde, mos e bëj as ti me motrën e ndokujt!” Vetëm kështu rinia jonë shqiptare dhe muslimane, e cila dalëngadalë po e humb krenarinë e saj me moral, do të mund ta kthejë krenarinë e vet duke kthyer vlerat morale të cilat gati i kemi humbur. Por edhe vajzat duhen të kenë kujdes, të mos lejojnë ndokush ta nëpërkëmbë nderin e tyre.
01/ 01/ 2013