VEPRIMTARIA PUBLICISTIKE E HAFIZ IBRAHIM DALLIUT*

Bedri Alimehmeti

Bedri Alimehmeti

Para se t’ju njoh me atë çka kam përgatitur në referatin tim lidhur me veprimtarinë publicistike të Hafiz Ibrahim Dalliut, desha të thoja dy fjalë me anën e të cilave dua të falënderoj nënkryetarin e shoqatës “Hafiz Ibrahim Dalliu”, z. Xhemal Balla, i cili prej vitesh i është përkushtuar me një zell vërtet për t’u marrë shembull, figurës dhe veprimtarisë së Hafiz Ibrahim Dalliut. Librat e njëpasnjëshëm që ka botuar kushtuar pikërisht kësaj figure të ndritur jo vetëm të trevës së Tiranës, por të mbarë kombit, dëshmojnë më së miri këtë gjë, pa harruar që edhe ky tubim i sotëm është fryt i kontributit të tij.

Po kështu një falëndërim të veçantë dua të bëj në adresë të shoqatës “ALSAR”, me drejtues z. Mehdi Gurra, falë kujdesit të të cilit u mundësua organizimi i kësaj veprimtarie, e cila sot më datë 22 nëntor 2012 përkon mjaft bukur me një datë shumë të rëndësishme për historinë e kombit tonë. 104 vite më parë, më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir u dha fund punimeve Kongresi, i cili kishte nisur më 14 nëntor, ku u vendos përfundimisht Alfabeti i gjuhës shqipe. Ai alfabet pra, me të cilin shkruajmë e lexojmë sot. E pra në atë Kongres pjesëmarrës ka qenë edhe Hafizi ynë, i madhi Ibrahim Dalliu. Madje, ai bashkë me klerikët e tjerë muslimanë pjesëmarrës në atë Kongres ishin mbështetësit kryesorë për vendosjen e alfabetit të përgatitur nga shoqëria “Bashkimi”, që drejtohej nga At Gjergj Fishta. Fakt ky që dëshmon se sa largpamës ishin ata për interesat e kombit.

Por, nuk mbaron këtu. Ishte po Hafiz Ibrahimi me gjithë këta hoxhallarë të nderuar muslimanë, absolutisht vetëm me këta hoxhallarë, që financuan gjatë ditëve të punimeve të kongresit për blerjen dhe vënien në punë të një shtypshkronje elektrike, moderne për kohën, ku u shtypën numrat e parë të gazetës “Bashkimi i Kombit”, e cila i bëri jehonë vendimeve historike të Kongresit. I përmenda këto fakte, sepse në këtë aspekt historiografia shqiptare, është për të ardhur keq, thuajse ka heshtur. Ndaj them se, në kuadër të këtyre kremtimeve me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë ia vlen të evidentohen edhe këto kontribute padyshim dinjitozë.

Gjithsesi tani të përqendrohemi në analizën e veprimtarisë publicistike të Dalliut.

Figura e ndritur e Hafiz Ibrahim Dalliut padyshim që është numri një i frymëzimit, imitimit e përkushtimit për çdo tiranas të vërtetë. Dëshiroja ta thoja këtë që në krye të asaj çka do të përpiqem të them pak më poshtë për krijimtarinë e tij të gjerë e të pamatë publicistike e letrare. Them kështu sepse vepra e Hafiz Ibrahim Dalliut është ajo e një atdhetari të flaktë të orëve të para, e një mësuesi të shquar, që si askush bëri aq shumë për përhapjen e gjuhës shqipe, e një publicisti të gjithanshëm e të rrallë për kohën, që diti të depërtojë edhe nëpër skutat më të errëta të prapaskenave të asaj kohe për të nxjerrë në dritë të diellit të vërtetën, e një shkrimtari e poeti që ndonëse shkroi vetëm pak vepra letrare, na ka lënë aq shumë, sa që edhe sot pasi po bëhet një shekull nga botimi i tyre, tiranasit ende i mbajnë nëpër gojë dhe vargje prej tyre shpesh i recitojnë me njëri tjetrin. Ndodh kështu sepse gjithçka, Hafiz Dalliu ia kushtoi popullit e kombit. Dhe ndonëse ishte një teolog i shkolluar në një universitet oriental, aspironte dhe luftonte me të gjitha forcat që vendi i tij të kishte një qeverisje perëndimore, me qëllimin e madh aq evident edhe në ditët e sotme të të gjithë shqiptarëve, që atdheu i tij Shqipëria të bënte pjesë në Europën perëndimore.

Publicistika e Dalliut e ka zanafillën e saj që në krye të shekullit të kaluar, natyrisht shumë më shpejt se sa veprat e tij letrare. Ndaj edhe fillimisht ne do të përpiqemi të marrim në analizë pikërisht krijimtarinë e tij publicistike, ndonëse jemi të përgjegjshëm, që sado të jemi përpjekur për ta analizuar sa më thellë, prapëseprapë do të mbeten ende hapësira të pashkelura, në ato ç’ka hedhur në faqet e shtypit të shekullit të kaluar një nga mendjet më të ndritura të këtij kombi, Hafiz Ibrahim Dalliu.

Së pari, firma e Hafiz Dalliut u duk në faqet e periodikëve “Bashkimi”, “Dita e re” dhe “Zani i ri”, kjo e fundit ishte gazeta e parë tiranase, që drejtohej nga miku i tij i ngushtë, personaliteti dhe orientalisti më i shquar shqiptar Osman Myderrizi, por veçanërisht penda e Dalliut spikati në faqet e gazetës “Xhoka”, përpos që ajo nuk mungoi edhe në organet e klerit musliman si “Udha e së vërtetës” dhe “Zani i naltë”, ku ai padyshim kishte obligimet e petkut fetar që mbante. Por shkëlqimin e vërtetë, dinjitoz ende vezullues edhe në ditët e sotme, penda potente e Dalliut do ta shfaqë në faqet e gazetës “Dajti”, të cilën e ideoi, e krijoi dhe drejtoi vetë për tre vite me radhë në 130 numra të rregullta, që arriti të botonte gjatë kësaj kohe.

Publicistika e tij në faqet e “Dajtit” dëshmon më së miri për rolin që kishte marrë përsipër të luante dhe misionin e detyrat që i kishte vënë vetes, ku parësore ishte ndihmesa e madhe, madje e pandalshme, që duhej dhënë për ta çuar vendin përpara në rrugën e zhvillimit e të qytetërimit. Dhe këtë mision fisnik, që ka marrë përsipër ta bëjë nëpërmjet publicistikës, fare lehtë mund ta konstatojë cilido që do të ulet e të shfletojë koleksionin e plotë të kësaj gazete. Dhe në këtë mision Dalliu ka parasysh të informojë saktë, shkurt e thjeshtë lexuesit me ngjarjet e brendshme e të jashtme, të karakterit politik e shoqëror me kusht për t’u pasqyruar ashtu siç ndodhin në të vërtetë. Së dyti, t’i analizojë, gjykojë e komentojë ato në frymën e interesave kombëtare, me synimin për ta drejtuar kombin e tij në hullinë e mirësisë, përparimit e qytetërimit europian. Së treti, të luajë rolin e një kritikuesi të rreptë për çdo hap të gabuar të qeverisë, teksa të godasë e qortojë pa hezitim të gjithë zyrtarët, që do të veprojnë në kundërshtim me ligjet e shtetit. “Dajti” do t’i tregojë gjithë Shqipërisë kiblen, udhën e drejtë. “Nuk do e bëjmë pleshtin bullë” – thekson ai në editorialin e kësaj gazete më 15 janar të vitit 1924 – “tue zmadhue një send të vogël, për me shfry mllefet dhe nuk do vocrrojmë ndonjë ngjarje të madhe për hatër e frykë të kërkujt. Do ju shkrujm paansisht dhe do gjykojmë me gjak të ftohët…” Për çka citova më lart mendoj se nuk ia vlen fare komenti im, ndonëse ndihem shumë mirë si tiranas që Dalliu ynë gati një shekull më parë i ka njohur e përdorur aq mirë parimet bazë të etikës së gazetarit.

Por veçmas kësaj, Dalliu e ndjente më shumë se kushdo domosdoshmërinë e bashkimit, njësisë e unitetit kombëtar duke e parë këtë si faktor të rëndësishëm jo vetëm për përballimin e rrezikut, që mund t’i kanosej vendit nga jashtë por edhe si kusht për zhvillimin, përparimin e demokratizimin e vendit, për ta shëndoshur shoqërinë shqiptare, që lëngonte nga problemet. Dhe ishte kjo e vetmja mënyrë për t’iu bërë ballë tendencave përçarëse krahinore, fisnore e fetare. Ndaj pikërisht për këto probleme ai shkruan në kryeartikullin e “Dajtit” më datë 1 janar 1925 me titull: “Ndryshimi dhe shpresë e jonë”. Kurse në artikullin “Qytetnimi” në faqet e brendshme të këtij numri ndër të tjera shkruan: “…qytetnimi asht pasunia e asaj njerëzie që mendon e punon”. Një temë kjo të cilën ai e shtjellon mjeshtërisht edhe në artikujt e tjerë, si “Atdhetarë e tradhëtarë”, në artikujt “Ku jemi”, “Qysh jemi e si duhet të jemi”, të cilët për nga ajo çka ka marrë përsipër të trajtojë, mendojmë që në shumë drejtime i shërbejnë ende kohës që jetojmë.

Dalliu në faqen e parë të “Dajtit” nuk abuzon asnjëherë me tituj bombastikë të kronikës së zezë, ndonëse rastet i ka pasur të shumta për ta bërë këtë gjë, siç kanë vepruar rëndom kolegët e tij nëpër gazeta të tjera. Vetëm një herë në kushtet e dhimbjes së madhe, për humbjen e ish-nxënësit të tij në Normalen e Elbasanit, Avni Rustemit, është i detyruar për ta bërë këtë gjë. Sepse prej kohësh atë e kishte mik e bashkëluftëtar të idealit kombëtar ndaj nuk ngurron ta quajë “Hero i kombit”, dhe “Zëri i nacionalizmës së vendit” (gazetar “Dajti”, 25 prill 1925).

Duke qenë një mjeshtër i vërtetë i publicistikës ai e ka përsosur vazhdimisht “Dajtin” e tij, me rubrika nga më të ndryshmet duke e bërë atë tejet të larmishme e tepër të kërkuar në treg nga lexuesit, e sidomos nga ata tiranas. Çka e dëshmon këtë është fakti që edhe sot nëpër shumë familje tiranas gjenden koleksione të plota të kësaj gazete, mundësuar nëpërmjet abonimit të rregullt, që kanë pas bërë që në atë kohë. Kështu lexuesit e “Dajtit” në faqet e tij gjenin jo vetëm lajmin politik e ekonomik, por edhe atë të problematikës, të kronikës së zezë, faqen letrare e atë të humorit. Kështu shumë të dashura ishin bërë për lexuesin e asaj kohe rubrikat: “Fjalë pa doganë”, “Letër e hapur” dhe sidomos “Dajti në gaz”, jehona e së cilës edhe pse kanë kaluar dekada vitesh gjithsesi ende nuk është shuar. Ibrahim Dalliu ishte ndër ata atdhetarë demokratë, i cili donte ta shihte Shqipërinë duke ecur në një udhë të re nën shembullin e demokracive europiano-perëndimore. Ndaj në majën e goditjes së humorit të tij të hollë, por edhe në sa e sa artikuj do të jetë gjithnjë administrata e shtetit dhe nëpunësit e saj anadollakë. “Populli lipset ta dijë mirë – shkruan ai në një artikull më 13 gusht 1924 – se ai asht zot i vetes e i pasunis së vet, e nuk asht rob i urdhnave të qeverisë, kur ata urdhna janë kundra ligjit, si në kohën e sundimit turk ose të sunduesve të tjerë. Edhe qeveritarët lipset ta mbajnë gjithmonë parasysh se ato s’janë gjë tjetër veçse shërbëtorë të popullit me rroga të veçanta”. Por më fort se kurrë qeverinë dhe administratën Dalliu do t’i godasë në radhët e rubrikës “Dajti në gaz”. Për ironi të fatit tek e lexon edhe këtë rubrikë historike dhe njëkohësisht fantastike do ta quaja unë për nga ajo që çfarë është trajtuar e shigjetuar nëpër ato radhë përsosmërie humori e sarkazme të pashoq, shumë nga anët negative të kryeqytetit të atëhershëm, që godiste i madhi Dalliu si baltën, pluhurin, ndotjen, kanalet, rrugët, mejhanet e zhurmshme, nëpunësit e korruptuar etj., janë imediate edhe sot për Tiranën tonë.

Gjithsesi zhvillimin e përparimin e Shqipërisë Hafiz Ibrahim Dalliu e shikon te arsimi dhe vetëm te arsimi. “Që arsimi i rregullt – shkruan ai në një kryeartikull të gazetës “Dajti” me titull “Vetëm arsimi” – do të zhdukë injorancën dhe do të syprimojë një jetë të lumnueshme për mbarë kombin…” “Nuk ka sepse – vijon Dalliu në një artikull tjetër më 11 korrik 1924 po në “Dajti” – arsimi të shihet nga qeveria si e mbramja brimë e kavallit” dhe po aty thekson “se pa shkolla të mira e pa mësues të zotë, nuk do të kemi qytetarë të vlefshëm, për vete e për shoqninë, prandaj të hapen sa më shumë shkolla të mesme të mira, me mësues të mirë me vegla e mjete mësimore të mira.” Dhe pikërisht për problemin e arsimimit të popullatës Dalliu, për të pasur një efektshmëri sa më të madhe nç qeverinë e asaj kohe në faqet e gazetës së tij angazhon për të shkruajtur penda të tilla kalibri si Lumo Skëndo, Haxhi Isuf Banka, Ferit Vokopola, Mehdi Frashëri etj.

Publicistika e Hafiz Ibrahim Dalliut, e cila sikurse thamë është shumë e gjerë dhe e shpërndarë nëpër faqet e periodikëve të ndryshëm, gjithsesi me atë ç’ka marrë përsipër të trajtojë nëpërmjet saj mendja dhe penda e tij, mendoj se do të ishte vërtet një punë me vlerë nëse një ditë, faqet më të ndritura të kësaj krijimtarie të begatë të përmblidheshin në një vëllim më vete, i cili mendoj se padyshim do të shërbente jo pak edhe në ditët tona. Sepse Dalliu ynë edhe pse ishte klerik musliman i mirëfilltë posedonte një shkallë të lartë emancipimi ekonomiko-shoqëror të stilit europiano-perëndimor, vërtet për t’u pasur zili nga kushdo.

Dhe së fundi, në mbyllje të këtyre që thashë, kisha dëshirë t’ju lexoja një poezi timen kushtuar Hafiz Ibrahim Dalliut.

PËRPARA MONUMENTIT TË HAFIZ IBRAHIM DALLIUT

(Shkruar për inat të Maks Velos)*

Çallma e bardhë
si bora e Dajtit
xhybja lehtë
të derdhet shtatit

Dritë në shpirt
flori në mendim
djalë i Tironës
hafizi ynë Ibrahim

Për gjuhn’e shqipes
për Islam e Muhamed
për Shqipninë e shenjtë
jeta jote shkoj krejt

Nuk t’u ndal fryma
penda nuk të reshti
nuk iu tute hasmit
stuhisë e rrebeshit

Herë me pushkë
e herë me penë
nuk e ndale luftën
për mëmëdhenë

Se ty ndaj të thonë
Hafiz Ibrahim Dalliu
që për Shqipninë
krejt jetën e shkriu

Dhe kurrë s’u tut
e asnjëherë s’u dha
vigan i pamposhtur
n’doresh ja Resul Allah![1]

Se je bir i Tironës
“zonjës barkmbarë
që gjithnjë ka nxjerrë
shumë shqiptarë”[2]


* Kumtesë e mbajtur në seminarin kushtuar Hafiz Ibrahim Dalliut, organizuar nga shoqata “Hafiz Ibrahim Dalliu”, më datë 22 nëntor 2012, në sallën e Akademisë së Shkencave, Tiranë.

* Në një artikull botuar para disa kohësh në gazetën “Shekulli” (26 janar 2004) Maks Velo u përpoq të denigrojë figurën madhore të atdhetarit, luftëtarit e mësuesit të gjuhës shqipe, poetit, shkrimtarit e publicistit të shquar tiranas Hafiz Ibrahim Dalliu “Mësues i popullit” dhe “Martir i Demokracisë”. Në atë artikull famëkeq Maks Velo përpiqet të baltosë edhe monumentin e Hafiz Ibrahim Dalliut vendosur nga populli i Tiranës në sheshin përpara Medresesë, që tashmë mban emrin “Hafiz Ibrahim Dalliu”. Si ish i burgosur politik, Maks Velo duhej të kishte shumë më tepër respekt për të madhin Hafiz Ibrahim Dalliu, që burgun e diktaturës komuniste e provoi shumë më përpara se ai, që në vitin 1945.

[1] Shprehje fetare: “Në dorën tënde o i dërguari i Allahut”.

[2] Shprehje krahasuese, të cilën ai e përdorte shpesh për Tiranën. Me termin shqiptarë, Ibrahim Dalliu identifikon gjithmonë atdhetarët.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme