Islami ndërmjet realitetit dhe stereotipave evropiane

Në të vërtetë legjenda thotë se Evropa (si personalitet - hy), erdhi nga Azia, nëna e të gjitha religjioneve... Madje, Evropa, si kontinent i “vjetër”, është një vend gjeografikisht i papërcaktuar e cila në praktikë dëshmon se është një dilemë dhe një kompleks i pa zgjidhur evropian, ndërsa kufiri aktual është vetëm si kufi artificial historiko-politik... Pasi që Evropa nuk e posedon përcaktimin e saj natyrorë-gjeografik, atëherë në tavolinën e dyshimit vihet edhe themeli i saj i brendshëm shpirtërorë, fetarë, kulturorë dhe tradicional, pasi që dihet se krishterizmin Evropës ia “dhuroi” Azia...

Ndoshta kjo “traumë gjeografike” ishte shkaktare që ajo nga gjiri i saj të nxit ndjenjën agresive dhe kolonizuese ndaj popujve dhe territoreve tjera që janë më larg nga vet ajo. Evropa - edhe pse që nga shekulli XI nuk ishte e sulmuar (e as që ishte vend tërheqës për pushtuesit) - prej atëherë e deri më sot udhëhoqi disa luftëra kryqëtare-ideologjike, e më pas robëruese dhe kolonizuese. Nëse bëjmë një vështrim historik mbi kontributin evropian ndaj të tjerëve do të shohim se gjendja nuk është aq pozitive. Pikërisht nga ky kontinent do të lind Kisha si institucion në krye me Papën që do të shkaktojë mjaft fërkime dhe mosmarrëveshje brenda saj, pastaj Inkuizicioni si zëvendësim i Gjyqit Hyjnor, protestantizmi, luftërat kryqtare-ideologjike, kolonizimi (lexo: plaçkitje e Botës së Tretë nga Anglia, Franca, Rusia, Hollanda, Italia, Belgjika, etj.), dy luftërat botërore dhe shumë negativitete të tjera turpëruese - madje, edhe copëtimi i trojeve etnike shqiptare erdhi pikërisht nga zyrat evopiane…

Historia e Evropës mesjetare kristiane është përplot konflikte brendasektare. Të gjitha ato rryma religjioze fetare krishtere u kundërshtuan me ashpërsi të pakompropis nga Kisha katolike. Një përgjigje e atillë inkuizicioniste ishte edhe ajo ndaj hugenotëve skizmatik të Francës. Akti mëkatar i Kishës katolike që u ndërmor kundër hugenotëve shënoi datën më të zezë të historisë së “religjionit të dashurisë”. Sulmi ndaj tyre ndodhi atëherë kur hugenotët kremtonin Natën e Shën Bartolomeut 23-24 gusht të vitit 1572 e njohur si “Nata e Bartolomeut”. Këtë natë tinëzisht u sulmuan dhe u mbytën mijëra besimtarë të sektit hugenotë nga katolikët. Më pas, u mbytën edhe mbi njëqind mijë hugenotë të tjerë anembanë Francës. Po ashtu, kishte edhe akte të tmerrshme kundër religjionit dhe besimtarëve hebrenj, kur dihet se Talmudi gjatë mesjetës disa herë u ndalua dhe u dogj nga të krishterët dhe kështu u shpallën një varg ndalesash, duke mos lejuar përkthimin e Librit të Shenjtë në gjuhën e popullit. Ndalesat e atilla ishin më evidente në Francën e shekullit XII e këndej. Koncili i Lateranit i mbajtur në vitin 1215 solli një dokument i njohur si Magna charta libertatum sipas së cilit hebrenjtë, me qëllim që të njihen, detyrohen që të mbajnë nga një shenjë me ngjyrë të verdhë, ndërsa në vitin 1267 papa Klementi IV përmes ediktit të quajtur Turbato corde, urdhëron Gjyqin e Inkuizicionit spanjoll që t’i dëbojë të gjithë hebrenjtë nga Spanja, e më vonë (në prag të shekullit XXI) një papë tjetër të kërkojë falje për këtë “gabim” të Kishës !!!

Kjo nuk i pengoi Kishës, që në fund të shekullit XX, Papa Gjon Pali II të shkojë mbrapa deri në vitin 1415, duke i kaluar hugenotët e vitit 1572, e duke i harruar valdenezët e albigenezët (shek. XIII), e të kërkojë falje(!) për arrogancën e Kishës katolike që e ushtroi kundër reformatorit religjioz çek Jan Husit në vitin 1415, i cili u dënua me vdekje - djegie në stivë. Madje edhe sot e kësaj dite autorët e Gjyqeve famëkeqe inkuizicioniste gëzojnë famën më me nder në qarqet kishtare katolike anembanë botës, ndër ata edhe Thoma Akuini (1225-1274) i cili e kishte formuluar vendimin e Kishës kundër heretikëve, ku thuhej: “Herezia është mëkat, për ç’arsye, duhet që heretiku jo vetëm të eskomunikohet nga Kisha, por edhe të mbytet”.

Për Evropën është absurde dhe tragjike që viti më i rëndësishëm në historinë e saj të jetë viti 1492 - vit kur është zbuluar Amerika. Njëkohësisht kjo do të thotë edhe zhdukje e myslimanëve dhe hebrenjve në Spanjë, kurse nga ana tjetër ky vit është edhe fillimi i zhdukjes dhe dëbimit të indianëve të Amerikës Veriore, të Mesme dhe asaj Jugore. Zbulimet e detarëve evropian do t’i ndihmojnë Evropës që pranë kontinentit amerikan, të pushtohen dhe kolonizohen Afrika, pothuajse e tërë Azia, përveç Kinës, Rusisë, Australisë dhe Okeanisë. Këto kolonizime i realizonin duke i ç’rrënjosur vendasit plotësisht nga vendet e tyre. Ashtu që para luftës së Parë Botërore, kolonitë Britanike arritën të zgjerohen njëqind herë më tepër se vet Anglia...

Po qe se gjurmojmë nëpër histori e të përkujtojmë lëvizjet e avarëve, hunëve, vandalëve, mongolëve dhe sllavëve në Evropë, do të shohim se ata patën një rol destruktiv në kontinentin e vjetër, e nëse vështrojmë historinë e përhapjes së islamit në Kontinentin e Vjetër, atëherë gjendja diametralisht është e kundërt, pra këtu do të shohim se ardhja e myslimanëve në Evropë (fillimshekulli VIII i erës së re) do të shënojë një rilindje të vërtetë kulture e shkencore, si p.sh. në Andaluzi (Spanjë), gjë për të cilën nuk ka nevojë të bisedohet.

Tani parashtrohet pyetja:

Pasi që gjendja ishte kështu, atëherë pse Evropa i harroi hunët, avarët, mongolët, tatarët, sllavët (madje edhe hebrenjtë) dhe të gjithë popujt tjerë aziatikë të cilët me barbarizëm okuponin dhe pushtonin, e asnjëherë nuk i harroi myslimanët dhe islamin të cilët kurrë nuk kanë shkatërruar e kolonizuar (madje as në Evropë)? Pse të minimizohet gjithë ai kontribut kulturor e qytetërues të cilin islami ia dhuroi evropërëndimit? Pse Evropa (e Bashkuar) dhe Perëndimi nuk ia vënë veshin ndjenjave raciste brenda gjirit të tyre kur dihet se sipas një ankete të Organizatës ndërkombëtare për luftë kundër racizmit është konstatuar se një nga tre evropianët është racist i ashpër: Belgjikë (“unë jam racist i ashpër” 22%), Francë - 16%, Austri - 14%, ndërsa vetëm 26% të austriakëve deklaruan se aspak nuk janë racistë! Këto janë fakte që vinë nga banorët e shteteve me qytetërim të lartë evropian, gjë që për myslimanin është absurd një mendim i këtillë për të tjerët, sepse Kur’ani Fisnik në mënyrë kategorike e gjykon dhe e ndalon diskriminimin racor ose klasor të cilitdo lloj. Myslimanët janë të ftuar që të gjithë njerëzit t’i konsiderojnë të barabartë, sepse Allahu i krijoi të atillë. Ngjyra e lëkurës ose syve të dikujt, flokët ose karakteristikat tjera fizike më tepër janë rezultat të ligjeve natyrore se sa bazë në të cilën do të ndërtoheshin superioritetet ose inferioritetet racore. A nuk është e shkruar: “Mishi dhe gjaku nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Zotit”.

Gjatë disa shekujve, përmes arsimimit të gabuar dhe propagandës perëndimore, me sukses ua lanë trurin miliardë njerëzve duke i inkuadruar edhe disa myslimanë të pashkolluar që gabimisht të besojnë se në aspektin mental dhe gjenetik të bardhët janë më superiorë se të tjerët, veçanërisht nga zezakët afrikan. Sa është mjerim të shohësh se sa të bardhë kanë rënë në kurthin e besimit se bota do të ngec mbrapa drejt fazës joqytetëruese të barbarizmit pa udhëheqjen e tyre konstante. Vallë, a thua kjo nuk është vazhdimësi e verbëruar e doktrinës për “barrën e njeriut të bardhë”? Siç duket ndjenjat dhe vlerësimet e këtilla raciste nuk janë asgjë tjetër, përveç se vazhdimësi e traditës së lashtë paganike që u trashëgua nga sumerët, akajët, asirianët, babilonasit, grekët dhe nga romakët, sipas të cilëve statut të njeriut, personalitetit, qenies së lirë politike, posedojnë vetëm qytetarët e polisit dhe Romës, ndërsa të tjerët janë robër dhe barbar, pra vegla që flasin. Siç duket, miti paganik i gjakut dhe trupit është veshur me rrobe të religjionit, që është shumë më i rëndë dhe mëkat më i madh: “Ju jeni racë e zgjedhur, komb i shenjtë”. (Letra e parë e Pjetrit II).





Evropa dhe paragjykimet e gabuara ndaj islamit


Në Evropë, ndikimi i gjerë i islamit, veçanërisht ndihet në kohën më të re, edhe atë gjatë dialogjeve aktuale dhe në tubimet e llojeve të ndryshme. Në shumë edicione të cilat i publikoi drejtori i Akademisë Shkencore Islame (IWA) në Keln prof. dr. Abdul Xhevad Fallaturi, më së shpeshti përshkruhen paragjykimet e Perëndimit ndaj Islamit të cilat ua mbjellin fëmijëve që nga bankat shkollore, siç janë fatalizmi, xhihadi etj. (A. Falaturi, ‘Islam in Religious Muslim Education’, extbooks in Europe, Keln, 1990).

Qëndrimet muslimane ndaj Perëndimit, rrënjët i kanë në të kaluarën e largët. Përderisa të krishterët kanë mundur të jetojnë, të udhëtojnë dhe të tregtojnë në mbarë botën paramoderne myslimane, zakonisht për myslimanët ishte mjaft vështirë ta vizitojnë Evopën, e cila deri diku e toleronte praninë e hebrenjve ndërsa atë të myslimanëve assesi! Për ambasadën e parë osmane në Anglinë e Elizabetës, thuhet se personeli i saj duhej t’i nënshtrohej kryqëzimit, edhe atë para se të zbarkohen në limanin Portsmouth. Prandaj, përfytyrimet myslimane për Evropën deri vonë ishin mjaft të turbullta. Ky imazh i urrejtjes fetare evropiane mjaft iu kontribuoi disa qëndrimeve myslimane ndaj Evropës, kështu që sot ende ekzistojnë shumë fshatarë egjiptasë të cilët thjesht nuk mund të besojnë se në Angli është i lejuar ekzistimi i xhamive! Evropa është parë si kontinent i errët, kontinent ku në mënyrë dhelparake janë shtrembëruar mësimet e pastra të Isaut dhe ku janë të panjohura vlerat e pastra dhe mikpritëse të besimtarëve të vërtetë në ato vende jobesimtarësh!

Për shumicën e të krishterëve I Dërguari, Muhammedi a.s., ishte Antikrisht, ndërsa jeta e tij, sipas tyre, nuk ishte asgjë tjetër përveç se një pështjellim mashtrues, i shfrenuar dhe idhujtarik! Në shumë vise fshatare të Spanjës edhe sot e kësaj dite nënat i frikësojnë fëmijët e tyre përderisa janë të padëgjueshëm, duke iu kanosur me djallin e quajtur Mahoma! Kënga Chanson de geste e lartëson Riçard Zemërluanin (Richard the Lionheart) i cili ushtronte dhunë ndaj muslimanëve ‘duke i mbytur për hir të dashurisë ndaj Zotit’.

Algjeria, La France mussulmane (Franca muslimane), siç e quanin françezët Alegjerinë, është një shembull tipik dhe dëshpërues për studimin e qëndrimit dhe stereotipave perëndimore ndaj orientales (lexo: islamit), kur dihet se gjatë viteve pesëdhjeta të shekullit të kaluar, për nxënësit algjerianë ishte i ndaluar arsimimi në gjuhën e tyre amtare, madje fëmijët ishin të detyruar që ta mësojë këngën: “Nos ancetres les Gaulois ataient blonds” (Parardhësit tanë Galët ishin bjondë). Mirëpo, vetë Franca nuk u nda aq lehtë nga Algjeri…

Letërsia evropiane pothuajse është e mbushur me qëndrime stereotipe kur bëhet fjalë për islamin dhe myslimanët. Kënga për Rolandin (Chanson de Roland) është një shembull mjaft i qartë për këtë. Aty këndohet: “Ai i shkaktoi disfatë Mahoundit (Të Dërguarit, Muhammedit) dhe Apolonit, dhe Jupiterit, dhe ascarotin dhe (e mundi) Kur’anin”! Këto vargje nga Chanson de Roland tregojnë për kinse pesë hyjnitë te muslimanët! Është me rëndësi të theksojmë se Chanson de Roland është dokumenti i parë i rëndësishëm perëndimor që merret me çështjen e myslimanëve, gjegjësisht me këngën për disfatën e të krishterëve nga myslimanët. Për ta kuptuar më përsëafërmi islamofobinë evroperëndimore, duhet ti lexojmë edhe thëniet e Shën Bernardit i cili kishte shkruar: “I krishteri përjeton famë në vdekjen e myslimanit, sepse në atë mënyrë edhe Krishti adhurohet”. Ky qëndrim tradicional i arsyetuar me besimin se njerëzimi mund të shpëtojë vetëm duke e mbrojtur famën e Krishtit dhe se myslimanët, hebrenjtë dhe të gjithë të tjerët janë shpirtkëqij kategorikë, zgjati një periudhë jashtëzakonisht të gjatë. Shumë vonë, respektivisht në shekullin e tetëmbëdhjetë, shumë historianë e braktisën mendimin se myslimanët janë idhujtarë.

Sot, në periudhën e globalizmit dhe osamabinladenizmit, Islami është bë një gogol rreth të cilit mund të flasë çdo kush si të dëshirojë dhe si ti vijë më lehtë. Vetëm para pesëdhjetë apo njëqind vjetëve, paragjykimet më të popullarizuara në Evropë ishin të drejtuara kundër bashkësive hebraike, ndërsa sot në masë të konsiderueshme, në shënjestër të atyre paragjykimeve janë myslimanët dhe islami. Pra, ato sulme kundër hebrenjve u realizuan dhe u lansuan pikërisht nga trualli evropian, gjë që sot bëhet edhe kundër myslimanëve. Sidoqoftë, retorika islamofobike vazhdon të manifestohet në forma dhe në skena të ndryshme, si në filma ashtu edhe në meda. Zgjedhjet vendore belge që u mbajtën në vitin 1996, treguan se vetëm në qytetin Antverpen 27 për qind të votuesve e përmbanin partinë Vlaams-Bllok, në të vërtetë formacionin neofashist, motoja e të cilëve thërret në ndalimin e Islamit në Belgjikë, ndërsa për Turqinë shekullariste ende nuk ka vend në Unionin Evropian, edhe atë vetëm për atë se i përket kampusit islamik, gjë të cilën haptazi e shprehu Austria “demokratike”. Romanet e tipit “Vargjet Satanike”, bëhen Këngë e re për Rolandin (Chanson de Roland), ndërsa sot Rolandi është zëvendësuar me karikaturat për profetin…





Shembull nga e kaluara ose pse prapambeturia?


Po qe se mallëngjehemi për epokën e pastër islame, atëherë e përmendim dhe mendojmë në kohën e halifëve të drejtë. Atëherë kur kritikohemi për dobësinë tonë shkencore, ne thirremi në periudhën kohore prej shekullit VIII e deri në shekullin XIV, në ato kohë kur myslimanët ndërtuan sistem gjigant të diturive shpirtërore dhe natyrore, e kështu krenohemi. Natyrisht, shkaqet e prapambeturisë nuk duhet kërkuar askund tjetër, por në veten tonë. Sipas reformatorëve islamik (Mevdudiut, Afganiut, Muhammed Abduhusë, Kutbit) shkaku kryesor qëndron në falsifikimin, shtrembërimin dhe në lëndimin e vlerave origjinale të islamit, si dhe në molisjen religjioze të myslimanëve që sollën deri te përhapja e besëtytnive. Kjo ide është e bartur me vetëdijen historike dhe religjioze, por është e lidhur edhe me mendimin dogmatik: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli përderisa ai popull nuk ndryshon vet”. (Kur’an)
Problemi ynë qëndron aty se shpirti mysliman shekuj me radhë vuan nga njëdimenzionaliteti, pra islami është kuptuar vetëm si fe që posedon karakter ritual, e asgjë më tepër. Prandaj, imponohet nevoja dhe përgjegjësia e myslimanëve të mbarë botës, e veçanërisht atyre që janë në kontakt me Evropën, që vazhdimisht ta kenë në mendje se Islami nuk është religjion (fe) arab, afrikan ose aziatik. Përkundrazi, islami është “fe e përsosur” e shpallur nga Allahu i Plotfuqishëm për të gjithë njerëzit dhe është aplikativ edhe në problemet më të vështira me të cilat ballafaqohet njerëzimi bashkëkohor. Myslimanët në Evropë munden më së miri ta interpretojnë fenë e tyre po qe se për çdo ditë kujdesshëm ofrojnë shembull të jetës islame; jetë e plotësuar me karakteristikat shpirtërore, harmoni dhe pajtueshmëri familjare, mirëqenie, kuptueshmëri, durim, lexim, mësim, respekt, mendje dhe urtësi, agjërim shembullor dhe lutje, jetë pa alkool, pa bixhoz, pa narkotikë dhe pa agresivitet. Jetë të vërtetë islame duke patur synim njohurinë drejt Krijuesit, diturinë dhe harmoninë ndërmjet krijesave.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme