1. Dorëheqja në 28 shkurt 2013 e Papë Ratzingerit nga posti i drejtuesit të Kishës Katolike, ishte një ndodhi e cila e ka tronditur rëndë botën katolike anë e mbanë botës. Që prej themelimit të saj në shekullin e katërt, Kisha Katolike, përveç adaptimit të herezisë së besimit në trinitet, nëpërmjet peshkopëve e papëve të saj ka pretenduar se është pasardhëse e apostujve të Krishtit, ndërsa Papët se janë trashëgimtarët e Shën Pjetrit. Që prej kohës kur perandori Kostandin shpiku Krishtërimin Roman e deri në kohën e iluminizmit e revoltës protestante në Evropë, Kisha Katolike ka shërbyer për të krishterët e Perëndimit si një Kalifat i fesë. Pra si një institucion i cili sa me luftë aq edhe me intriga është munduar që të ruaj e imponojë mesazhin romano-katolik nëpër botë. Kisha Katolike ka luajtur një rol me rëndësi edhe në frenimin e mesazhit të profetit Muhamed në Perëndim, pasi falë luftërave që ajo ka nxitur kundër muslimanëve ajo i ka privuar popujt e Evropës për shekuj me radhë nga marrja e mesazhit hyjnor të Kuranit. Edhe pse pas zhvillimit të shteteve kombëtare në Evropë e revolucionit francez, ajo e humbi pushtetin e saj përballë laicizmit, gjatë shekullit të 20 ajo është munduar që të shpëtojë çfarë të mundi nga popullatat e Evropës të cilat e kanë braktisur atë në masë. Një metodë që Kisha Katolike është munduar të adaptojë gjatë shekullit të 20 për të ruajtur pozitat e saja në shoqëritë e Perëndimit, është që të shfaqet si kampione e nacionalizmit, antikomunizmit dhe e ndershmërisë. Për këtë arsye Kisha është rreshtuar sa me Duçen e Hitlerin, aq edhe me Amerikën gjatë Luftës së Ftohtë. Por rënia e nacionalizmit pas Luftës së Ftohtë e marrja fund e rrezikut komunist ndaj Perëndimit, Kishën sot e ka lënë pa aleatët e saj të fundit ideologjik që ajo kishte. Arma e fundit që Kishës i kishte ngelur për të justifikuar veten e saj si një institucion i mirë në Perëndimin e paskomunizmit ka qenë pretendimi i saj se klerikët katolikë janë njerëz të mirë dhe të virtytshëm. Për këtë arsye Kisha edhe ka shpenzuar me miliona dollarë në dekadat e fundit për të fryrë figurat e papëve, misionareve e priftërijve të saj, të cilët Vatikani i tregon si shenjtorë e njerëz me cilësi mbinatyrale. Këtë strategji të Kishës ne e kemi dëshmuar edhe në Ballkan, ku klerikë që nga Nënë Tereza e deri te Zef Pllumi janë sponsorizuar e rrëfyer si supermenë, nacionalistë e humanistë nga Kisha, e cila nuk di se çfarë mesazhi tjetër ti përçojë botës, e cila gjithnjë e më tepër e ka të vështirë të besojë përrallën e saj mbi Jezu Krishtin. 2. Por skandalet që e kanë kapur Kishën Katolike në kohët e fundit, librat që janë botuar kundër saj, e për më tepër skandalet seksuale që kanë plasur brenda vetë Vatikanit e kanë kërcënuar më shumë se kurrë ekzistencën e Kishës në Perëndim. Dorëheqja e Papë Jozef Ratzingerit nga posti i Papës që ndodhi pak ditë më parë, dëshmon këtë krizë të madhe të Krishtërimit perëndimor i cili po zhduket shumë shpejt në Perëndim. Historia e Papë Ratzingerit i cili papëroi nga viti 2005 deri në 28 shkurt 2013, kur ai dha dorëheqje i turpëruar e nën presione – pasi nuk mundi të ndalë dot më sulmin e mediave kundër kolegëve të tij pederastë dhe pedofilë – përmbledh fare qartë situatën ku Kisha Katolike gjendet sot. Papë Ratzingeri i cili trashëgoi papatin nga Papë Karol Vojtila, kur e nisi papllëkun e tij u mundua fillimisht të manipulojë opinionin publik në Perëndim me frymën bushiste “të luftës kundër terrorit” duke sulmuar muslimanët. Në fjalimin që mbajti në shtator 2006 në Universitetin e Regensburgut në Gjermani, ai sulmoi Islamin të cilin e quajti fe të përhapur me shpatë dhe të keqe, duke shpresuar kështu që të gjejë aleatë të rinjë në Perëndim për të përkrahur rolin e Kishës. Por sulmi në vend se ti jepte mbështetje Kishës prodhoi kundërefekt. Kundër Papës u çuan shumë kritikë të cilët e turpëruan për fjalimin agresiv e i përmendën faktin që në rininë e tij kishte qenë një pioner hitlerian. Roli i Kishës ka pasur rënie të mëtejshme në Perëndim pasi në SHBA president u zgjodh Obama dhe fryma majtiste e ateiste sot dominon pjesën më të madhe të mediave dhe universiteteve perëndimore. Bashkimi Evropjan, qarqet intelektuale e qeveritë e Evropës as që duan të dëgjojnë rekomandimet e Papës. Mosbesimi, droga, homoseksualizmi, seksi jashtëmartesor, e të gjithë llojet e mëkateve dhe pabesive që kanë pushtuar sot Perëndimin e kanë kthyer Kishën Katolike në një institucion të huaj për vlerat e Evropës dhe Perëndimit, dhe Kisha është në hall që të gjejë ide e marifete për të legjitimuar prezencën e saj. Edhe në Itali e cila vite më parë shihej si bastioni i fundit i Katoliçizmit, mileti ka nisur në masë të madhe që të mos pagëzohet e nuk e sheh më veten si katolik. Ndërsa popujt e Evropës nuk e shohin më veten si të Krishterë, e të krishterët e fundit të Kishës vijnë nga Azia, Afrika dhe Amerika Latine, Papa dhe Vatikani janë përballur në këto vitet e fundit me hetime agresive të gazetarëve dhe organeve gjyqësore të cilët ua kanë zhveshur priftërijve mantelin e rremë të shenjtërisë që ata pretendonin të kenë. Botimi i librit me dokumentet private të Papës “Sua Santità. Le carte segrete di Benedetto XVI” nga Gianluigi Nuzzi, e skandalet e njohura si Vatileaks të cilat janë ekspozuar nga gazeta La Repubblica e që përmbajnë dosje prej qindra faqesh që tregojnë mbi një rrjet të mirëorganizuar priftërijshë pederastë që operojnë brenda Vatikanit e kanë shkatërruar imazhin e Kishës njëherë e përgjithmonë në Perëndim. Që nga Amerika, Irlanda e deri në Itali kundër Kishës Katolike rëndojnë një seri akuzash e gjyqesh, ku priftërijtë janë dënuar e po dënohen njëri pas tjetrit për abuzime seksuale që ata kanë bërë me besimtarë e tyre ndër vite me radhë. 3. Dorëheqja e Papë Ratzingerit si kre i Kishës Katolike në këtë shkurt 2013, ishte dorëheqja e parë që një papë katolik ka bërë që prej vitit 1415, kur Papë Gregori XII dha dorëheqje si pasojë e sherrit për pushtet brenda Kishës. Zëvendësimi i tij me Papën argjentinas, Jorge Mario Bergoglio, i cili ka marrë titullin Papë Françesku, duke kopjuar kështu emrin e misionarit mesjetar Shën Françesku i Asizit, është një përpjekje e re brenda Kishës për të rigjetur veten në zallamahinë në të cilën ajo gjendet sot. Edhe pse propaganda e Vatikanit, Papë Bergoglion po mundohet ta tregoj si njeri të varfër që vjen nga Amerika Latine, përdor autobuzin, ka një mushkëri për të marrë frymë, i lan këmbët të sëmurëve me SIDË dhe që do të sjellë ndryshime rrënjësore në Kishën Katolike, mundësitë që ky papë të sjelli ndryshim në Kishën Katolike dhe Krishtërimin, i cili sot veten e quan Perëndim, janë shumë të pakta. Pa hipur ende mirë në fron, Papë Bergoglio po akuzohet nga britanikët si nacionalist argjentinas, nga të majtët si fajtor në rrëmbimin e mbajtjen peng të dy priftërijve argjentinas nga junta ushtarake në vend, e në Argjentinë i kanë dalë edhe gra që dëshmojnë për mëkatet e tyre më plakun që sot është shpallur Papë. 4. Në këto kohë furtunash globale kundër Katoliçizmit, ku italianët, gjermanët, amerikanët etj po lëshojnë në masë fenë, dhe ish-besimtarët në të gjithë Perëndimin janë lëshuar kundër priftërijtë sa me gjyqe aq edhe me denoncime, Kisha Katolike duket se të ardhme të sigurtë do të ketë vetëm në Shqipëri në mesin e muslimanëve që i janë bërë asaj aleatë. Kështu psh. kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha menjëherë pas zgjedhjes së Papës i ka çuar një telegram ku i ka thënë që: “Shqipëria dhe shqiptarët ruajnë lidhje tradicionale të ngushta e të shkëlqyera e me Selinë e Shenjtë e me Atin e Shenjtë” dhe për këtë e ka ftuar për vizitë “në Shqipëri si Ati më i lartë shpirtëror i bashkatdhetarëve tanë të besimit katolik e më gjerë, por edhe si një mik i madh e i shquar i kombit shqiptar”. Në të njëjtën linjë më kryeministrin është deklaruar edhe president Nishani i cili po ashtu i ka thënë Papës se po e pret me padurim “bashkëpunimin tradicional dhe të frytshëm me Selinë e Shenjtë,” dhe në emër të “popullit shqiptar” e ka ftuar ta mikpresi “Shenjtërinë e tij sa më parë në Tiranë.” Në krah të Papë Françeskut qëndrojnë edhe dy media militante katolike të Berishës që drejtohen nga dy ish-muslimanë, gazeta MAPO dhe 55. Ndërsa në gazetën MAPO të Naim-Henri Çilit, Katoliçizmin e mbrojnë për çdo javë Dom Gjergj Meta, Dom Ardian Ndreca e Alfred Lela, Vatikani duket se aleatët më të mëdhenjë të tij i ka në gazetën 55 dhe Institutin e Kërkimeve Politike “Alcide de Gasperi” të cilët komandohen nga drejtori vllaho-ortodoks i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë Aurel Plasari dhe ish-muslimani Fahri Balliu. Librat që Fahri Balliu ka botuar nën inspirimin e Aurel Plasarit, si psh. Kujtimet e At Zef Pllumi, botimet për Nënë Terezën, “Lavdia e Klerit Katolik Shqiptar”, dy vëllimet e librit “Jezusi i Nazaretit” shkruar nga Papa Benedikti XVI etj, duket se janë edhe arsyet pse Papë Ratzingeri përpara se të largohet nga posti i tij, i dërgoi një pergamenë mirënjohje Fahriut, me motivacionin «mirënjohjeje për kontributin e tij në mbrojtje të katolicizmit.» Pra, në këto kohë të vështira të Kishës Katolike në Perëndim, kur papët e priftërijtë jetojnë nën terrorin e mediave dhe gjykatave, Shqipëria duket si e vetmja Kështjellë Graniti që qëndron ende besnike në brigjet e Adriatikut, e ashtu si edhe 600 vite më parë përballë hordhive turke – mbron Katoliçizmin dhe pushtetin e Atërve të Shenjtë që papërojnë në Vatikan. Ashtu si Skënderbeu dikur që mbronte Romën nga ushtritë e Islamit, edhe sot nën udhëheqjen e atletëve muslimanë të Krishtit si Fahri Balliu, Henri Cili e Sali Berisha, Papë Françesku, besoj se duhet të ndjehet i sigurtë që përtej detit ka ende burra që ai i ka për aleatë në këto kohë të vështira për besimin dhe Kishën e Jezu Krishtit në Vatikan.