E keqja e shqiptarëve

image
 

Ditët e ndërrimit të viteve, si rregull, sjellin njëfarë apatie dhe shkrehjeje edhe në publicistikë. Në ndërrimin e viteve 2012-1013 për afro një javë në Tiranë nuk dolën gazeta në qarkullim. Egërsia e programeve televizive ra disi për t’i lënë më shumë hapësirë humorit vulgar, këngëve e valleve pa shumë shije, filmave jo aq tërheqës, deri rrëfimeve e bisedave kot më kot. Të gjitha këto u shoqëruan edhe me plot lajme tronditëse për ndodhi e për krime tragjike. 

 

Do të ishte mirë që titulli i këtij shkrimi të kishte zënë vend me kohë mbi kapakun e një libri të mirëfilltë studimor si në librin “Le mal français” (“E keqja franceze”) të politikanit e shtetarit francez Alen Peirefit, bashkëpunëtorit të afërt të Gjeneralit De Gol, kur ky ishte President i Francës. Libri me titull “Le mal français” është botuar në Francë në vitin 1979. Në të është bërë një analizë e thelluar dhe në frymë kritike e të gjitha aspekteve të jetës kombëtare dhe shtetërore, politike dhe ekonomike, shpirtërore dhe kulturore, administrative dhe shoqërore, si dhe të politikës së jashtme e të diplomacisë së Francës. Ai cilësohej nga revista “Le Point” si: “Libri më i rëndësishëm që është shkruar mbi vendin tonë qysh nga koha e luftës”. 

Kuptohet vetvetiu se një libër i ngjashëm, mbi “Të keqen shqiptare (Le mal albanais)”, do të ishte shumë i dobishëm për shqiptarët në fillim të shekullit XXI, kur shqiptarët ndodhen në udhëkryqin e historisë së tyre dhe nuk arrijnë dot të bien në një mendje se çfarë duan e çfarë u duhet; çfarë duhet të kërkojnë e çfarë duhet të pranojnë nga ato që u ofrohen; çfarë duhet të nderojnë e të mbrojnë dhe çfarë duhet të rishikojnë nga historia e trashëgimia e tyre; çfarë duhet të ripërtërijnë e çfarë duhet të flakin nga kujtimet, doket dhe huqet e tyre, nga mënyra e tyre e të jetuarit e të ëndërruarit; çfarë stereotipash duhet të braktisin e çfarë tabush duhet të krijojnë e të rrënjosin në mendimin e sjelljen e tyre politike kombëtare lidhur me miqtë e me armiqtë; çfarë përfytyrimi duhet të kenë mbi individualitetin, personalitetin dhe dinjitetin kombëtar shqiptar, etj. Shqiptarët ende nuk e dinë mirë se ku janë, ku po shkojnë, çfarë po lënë pas si të panevojshme dhe se çfarë i pret përpara si e panjohur. Me një fjalë, shqiptarët janë në një krizë të përgjithshme e të gjithanshme, që degëzohet në një mori krizash specifike në të gjitha fushat. Nuk mund të pritet sa të dalë një penë e fortë shqiptare si ajo që ka shkruar “Le mal français” për t’u ballafaquar me “të keqen shqiptare”. Prandaj duhet bërë përpjekje që, edhe nëpërmjet copëzash publicistike, të gërvishtet lëkura e së keqes, gjatë këtij viti të trishtë 2013, kur mbushet shekulli i copëtimit të kombit e të trojeve etnike shqiptare. 

* * *

Ditët e ndërrimit të viteve, si rregull, sjellin njëfarë apatie dhe shkrehjeje edhe në publicistikë. Në ndërrimin e viteve 2012-1013 për afro një javë në Tiranë nuk dolën gazeta në qarkullim. Egërsia e programeve televizive ra disi për t’i lënë më shumë hapësirë humorit vulgar, këngëve e valleve pa shumë shije, filmave jo aq tërheqës, deri rrëfimeve e bisedave kot më kot. Të gjitha këto u shoqëruan edhe me plot lajme tronditëse për ndodhi e për krime tragjike. 

Në një atmosferë si kjo ai që nuk shkëputet dot nga leximi e ndjen të nevojshme të gjejë diçka të këndshme e të dobishme për të lexuar pa u sforcuar. Libri i parë që mora të lexoja për këtë vit ishte përmbledhja e shkrimeve satirike të shkrimtarit dhe poetit shqiptar që pëlqej më shumë, Mitrush Kutelit (alias Dhimitër Pasko), e titulluar “Havadan më havadan”. Me satirat e sarkazmat e tij shkrimtari ka prekur një tematikë të larmishme nga jeta, zakonet, huqet, psikologjia dhe politika e shqiptarëve deri në LDB. Por, ato duken sikur janë shkruar për të stigmatizuar edhe ngjarjet e zhvillimet e sotme në shoqërinë shqiptare. Kur në gazetat e Shqipërisë lexon tituj si “djali u vetëvar se e keqtrajtuan në polici për akuzën e vjedhjes së pesë pulave të fqinjit” ose “kryeplaku i fshatit vrau fqinjin se i ra me shuplakë djalit të tij për vjedhjen e dy pulave” ose “dy të rinj u plagosën me thika për një gërvishtje të makinës ose pas një grindje në vendin e parkimit”, të dalin para syve skenat e dhimbshme dhe qesharake në satirat e Kutelit: “dikush kishte vrarë dikënd vetëm se duke kaluar rrugës i kishte shkelur hijen, ose e kishte vështruar vëngër”; “dikush kishte vrarë një kalimtar që shkonte rrugës në punën e vet për t’i provuar bashkëbiseduesit se arma që po vajiste kishte qitje të saktë”, “njërin e kishin vrarë se i kishte sytë të zinj, tjetrin se i kishte të gjelbër, të tretin se i kishte të hirrët, dhe njerëzit nuk kuptonin më se të çfarë ngjyre duhej t’i kishin sytë e tyre që të mos viheshin në shënjestër të armëve të trimave pa tru në kokë”.  

Po të jetonte Kuteli sot, mund të llahtarisej me larminë e absurditeteve për të cilat bëhen krime të shumta e tejet të shëmtuara. Në satirat e tij Kuteli nuk bën fjalë për “baballarë që vrasin bijtë, për bij që vrasin babën, nënën ose gjyshen për ca para që të luajnë bixhoz, të blejnë drogë, të shkojnë në lokal nate”. Vrasjet në emër të Kanunit që stigmatizonte Kuteli sot janë shumë më të përçudnuara. Figurën e lopçarit të fshatit, të cilit në satirën e Kutelit i shkrepi të bëhej “kaçak” që të fliste fshati për të dhe pyeste gjithnjë “ç’thotë fshati për mua?”, sot e gjejmë shpesh në figurën e politikanit, të pushtetarit, të propagandistit që pasi ka dalë “kaçak” në politikë e në propagandë e vepron krejt mbrapsht me fodullëk dhe pyet “ç’mendon elektorati apo opinioni publik për mua?”. Servilizmi ndaj pushtetarëve e shefave, korrupsioni, fryma e tarafit, që i vinte në lojë Kuteli, sot janë në përmasa të pakrahasueshme me ato të kohës kur ai i shkroi satirat. Çdo gjë që vërejmë, që prekim, që provojmë, na tregon se “e keqja shqiptare” është shtrirë e thelluar në përmasa e me ritme marramendëse. Politikanët partiakë të përfshirë në rivalitetin për pushtet, zëdhënësit e propagandistët e tyre dhe disa grupime të mbyllura opinionistësh “të pavarur”, flasin të shumtën e kohës “havadan më havadan” që ashtu të trullosin opinionin publik.

Në atmosferën e një debati të pazakontë, që u ndez midis shqiptarëve pas deklarimit të papritur të kryeministrit të Shqipërisë se edhe ai ishte kthyer në mbështetës për idenë e bashkimin kombëtar të shqiptarëve, nga libri “Havadan më havadan” më tërhoqën së tepërmi tri skicat e para satirike “Jam patriot”, “Edhe unë jam patriot!” dhe “Patriot, una”, ku shpërthen një sarkazëm e fortë ndaj atyre që spekulojnë me patriotizmin për të nxjerrë përfitime për vete. 

Në skicën “Jam patriot” ka një renditje fjalësh të fuqishme që nuk të bën dora t’i cungosh kur të duhet të citosh: “Rroftë Shqipëria! Rroftë atdheu kombëtar shqiptar! Rroftë Flamuri nacional shqiptar, kombëtar, kuq e zi me zhgabën madhështore, trimërore, dykrenore, shqiptare e Lekës, Pirros edhe e Skënderit, që e ngriti Ismail Qemali! Rrofshin gjithë dëshmorët edhe heronjtë e kombit që vdiqnë për mëmëdhenë! Rroftë! Rroftë! Rroftë!". I them këto të gjitha nga fundi i zemrës, i mëlçisë dhe i plëncit kombëtar, sepse jam patriot i vërtetë edhe i flakët, si flaka e zjarrit! I kulluar si llomi! I pastër si balta! I drejtë si drapri! Kurdoherë kam qenë patriot kombëtar, i drejtë dhe me qëndrim të patundur si shkëmbi. Kam prova sa të doni dhe sa të mos doni. 

Në skicën e dytë “Edhe unë jam patriot” na shfaqet një “më i hershëm në patriotizëm”, i cili më 1925 kishte thirrur “rroftë republika, rroftë presidenti e qeveria kombëtare”, që në emër të popullit pa brekë u dërgonte telegrame urimi ministrave kur merrnin postin dhe shpërblehej me të mira prej tyre; i cili më vonë i predikoi popullit se republika duhej të kthehej në monarki “si në kohën e Skënderbeut” dhe kur e pa se “populli u mërzit me republikë” i tha tij se “duhej të bëheshim perandori kombëtare” e zuri të thërriste “Duçe, Duçe”. Kur ranë Duçja me Viktorin (Emanuelin) në Itali, filloi të mendonte se kujt do t’ia shiste edhe një herë lëkurën, siç ia kërkonte “zanati i tij i patriotit kombëtar”. 

Në skicën e tretë “Patriot, una” Kuteli bën fjalë për patriotë edhe më të vjetër që kishin lëvduar me radhë Sulltanin e Stambollës, Mbretin e bukur të Nemces, para se të përuleshin para atij shkurtabiqit të Italisë. Kuteli ka shkruar kështu para se në skenën e historisë shqiptare të shfaqeshin “patriotët komunistë”, që do të përuleshin para Titos, Stalinit e Maos dhe “patriotët e demokracisë”, që po përulen para gjithkujt, sidomos para “integruesve europianë”, që të qëndrojnë ata në pushtet ose të rrëmbejnë ata pushtetin kur nuk e kanë. Çfarë sëmundje e vjetër, e pakuruar dhe në dukje e pakurueshme qenka kjo e “patriotizmit shqiptar” jo-nacionalist!

Sarkazma e fuqishme e Kutelit zbulon se si prej kohësh disa shqiptarë kanë bërë pazar me patriotizmin e interesin kombëtar, si është ngjizur e pse ka vazhduar deri në ditët tona kriza e nacionalizmit shqiptar. Në periudhën që erdhi pasi ishin shkruar satirat e Kutelit kjo krizë e nacionalizmit u kthye në një dukuri të përgjithshme, në antinacionalizëm politik, ideologjik e kulturor. Edhe pas shembjes së komunizmit kriza e nacionalizmit nuk kaloi. Gjatë 20 viteve të paskomunizmit tipat që ka fshikulluar Kuteli nuk kanë munguar në politikën, në mendimin politik, në kulturën e në propagandën shqiptare dhe kanë ndikuar në përhapjen e të keqes së antinacionalizmit në opinionin publik. Prandaj edhe debatet rreth çështjes së bashkimit kombëtar shqiptar janë kthyer në një “kakofoni patriotike” zërash kumbues politikë, intelektualë e propagandistikë në të gjitha territoret shqiptare. 

Megjithatë edhe kjo kakofoni nuk është krejt pa dobi. Dobia e saj e parë është se opinioni publik shqiptar po vëren se çështja e bashkimit kombëtar nuk paska qenë një çështje e kapërcyer, sikurse i është predikuar për disa dekada, por qenka një çështje e shtruar për zgjidhje, siç kanë filluar ta quajnë tashmë edhe disa organe të propagandës që kanë heshtur deri tani. Një dobi tjetër është se opinioni publik do të kuptojë më mirë rëndësinë e bashkimit kombëtar dhe do të vetëdijesohet se cilat forca politike, cilat rryma të mendimit politik e cilët intelektualë duhet të mbështesë që të çohet përpara çështja e bashkimit kombëtar dhe të ngushtohen hapësirat për veprimtarinë e “patriotëve” që ka demaskuar me kohë Kuteli. Gjëja më pozitive në këtë kakofoni zërash të nacionalizmit të ripërtërirë politik populist, të “nacionalizmit të vonuar”, të “antinacionalizmit të prapambetur”, të “antishqiptarizmit vulgar”, “ të patriotizmit të trembur nga fantazmat ndërkombëtare”, të “intelektualizmit mistrec”, është se kësaj radhe çështja e bashkimit kombëtar shqiptar u ngrit në nivel qeveritar, pra hyri në programin zyrtar shtetëror pas deklaratave të kryeministrit Berisha në Shkup e në Vlorë me rastin e kremtimit të 100-vjetorit të pavarësisë dhe në paraqitjet e tij të mëvonshme televizive. Si e pati kryeministri këtë punë, nga qejfi apo nga zori, me dëshirë të vet e me vullnet të mirë, apo me hile dhe nën trysninë e sinjaleve ndërkombëtare, kjo është punë për të dhe do ta shohim më vonë. 

Tani për tani ka rëndësi që vetë kryeministri i Shqipërisë shpalli para shqiptarëve dhe para diplomacisë ndërkombëtare se shqiptarët duhet të bashkohen, se bashkimi kombëtar shqiptar nuk mund të trajtohet më si një “aspiratë e lavdishme, por e vdekur”, siç shprehej gjatë shumë vitesh, por duhet parë e trajtuar si një problem i shtruar për zgjidhje. Për nacionalistët dhe nacionalizmin e sinqertë shqiptarë që gjatë 20 viteve kanë predikuar e kërkuar pikërisht këtë orientim të politikës zyrtare shtetërore e qeveritare, kjo është një fitore e madhe teorike dhe praktike, përderisa një kryeministër kundërshtar i idesë së bashkimit kombëtar shqiptar u bë promovues e mbështetës i kësaj ideje. 

Të tërbuar nga këto zhvillime janë vetëm ata (pseudo)shqiptarë që kurrë nuk e kanë dashur dhe nuk e duan bashkimin kombëtar shqiptar me vetëdije të plotë, apo për mendjelehtësi në gjykimin e trajtimin e problemit dhe për interesa të posaçme. Këta edhe tani do të ngrihen kundër bashkimit kombëtar shqiptar, do të bëjnë çështje të përbashkët me nacionalizmat antishqiptarë sllavë e grek në Ballkan, duke tjerrë lloj-lloj argumentesh të shpëlara gjeopolitike, juridike-ndërkombëtare, gjeostrategjike, realiste-pragmatiste, moderniste-mondialiste për të çorientuar më tej shqiptarët. Ata do të përsërisin si më parë deklaratat se bashkimi shqiptar qenka i vonuar dhe i kapërcyer në histori, se është i panevojshëm në demokraci, është i pakuptimtë në epokën e të drejtave të njeriut e të individit, anakronik në kohën kur kufijtë shtetërorë do të humbasin rëndësinë e tyre; është i papajtueshëm me liberalizmin europian, i padëshiruar dhe i patolerueshëm për diplomacinë ndërkombëtare, madje do të rezultoka i sikletshëm për vetë shqiptarët e bashkuar që e paskan të vështirë të merren vesh midis tyre. “Argumenteve” të tilla u ka dalë boja. 

Libri i Kutelit, me të cilin nisa punën e vitit 2013, lexohej shpejt. Prandaj pas tij mora në dorë një libër të veçantë dhe tejet intrigues që kërkon durim e përqendrim të madh për t’u lexuar, “Hakmarrja e gjeografisë. Çfarë na tregon harta për konfliktet e ardhshme dhe betejën kundër fatit”” (Robert D. Kaplan, “The Revenge of Geography. What the Map Tells Us About Coming Conflicts and the Battle Against Fate”, Random House, New York, 2012). Publicisti i mirënjohur amerikan, Robert D. Kaplan, është edhe autor i librit “Fantazmat ballkanase. Një udhëtim nëpër histori” (“The Balkan Ghosts. A Journey Through History”, 1993). Është thënë se ky libër i Robert D. Kapllanit mbi Ballkanin kishte tërhequr vëmendjen e ish-presidentit amerikan Bill Klinton, kur iu desh të përpunonte vendimet e rëndësishme që duhej të merrte për Bosnjën dhe për Kosovën. Kjo është një arsye më shumë që libri “Hakmarrja e gjeografisë” të lexohet me kujdes dhe me nge nga vëzhguesit politikë. 

Në këtë libër Robert D. Kapllan ka bërë një paraqitje dhe analizë të thelluar krahasuese të teorive të gjeografëve dhe të mendimtarëve të mëdhenj të gjeopolitikës në të shkuarën e afërme dhe të largët, me qëllim që të përshkruajë në mënyrë kritike strumbullarët e zhvillimeve historike dhe të hedhë vështrimin mbi ngjarjet globale që po ndodhin. Autori ka synuar në radhë të parë të nxjerrë në pah se “gjeografia është pikënisja e vetë vargut të ngjarjeve njerëzore”, të shpjegojë ndikimin e faktorëve gjeografikë krahas faktorëve të tjerë, në përcaktimin e zhvillimeve botërore deri sot dhe në të ardhmen, duke qenë i vetëdijshëm se “po shkel në një terren të rrezikshëm kur e ngre gjeografinë në një piedestal”. Për të mos u keqkuptuar, ai ka shkruar se: “Sigurisht gjeografia, historia dhe karakteristikat etnike ndikojnë, por nuk përcaktojnë ngjarjet e ardhshme”( f. 30, 36).

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme