Gëte, Islami dhe poezia

Keqkuptimet ndaj Islamit dhe poeti kryeneç

Në një letër dërguar Lavaterit më 1776 Gëte shkruan : “ Unë jam duke lundruar në dallgën e botës…i vendosur për të zbuluar, për të fituar, për të luftuar, për të dështuar apo për ta hedhur veten në erë’. Dhe njëmend, i gjendur midis turmës së realitetit të vrazhdë europian në ndërlidhjen e jetës shoqërore e personale, dhe mbase falsitetit letrar e ideologjik që e kishte përfshirë gjithandej truallin letrar të Perëndimit, Gëte ngrihet papajtueshëm përmes këtyre dallgëve, me shpirtin e dëlirë e të ndërgjegjshëm poetik ‘i vendosur për të zbuluar’ vetë çiltërsinë e botës e jo për të pranuar gjëra të servirura, ‘i vendosur për të luftuar’ qoftë rezultat i kësaj lufte edhe dështimi apo vetasgjësimi. Por ai jo vetëm që nuk dështoi as nuk u harrua, por duke shestuar një shpirt të ri vërtetësie, jo vetëm në poezi, u ngrit në piedestalin e legjendës letrare dhe humane.

Është shkruar mjaft për Gëten si poet, është shkruar mjaft edhe për Gëten si njeri, por kësaj radhe do të ndalemi shkurtimisht vetëm në aspektin tematik të raportit të Gëtes ndaj Islamit, e duke qenë se Gëte para së gjithash ishte poet, të poezisë së tij ndaj Islamit.

Është fundi i shek. XVIII dhe gjysma e parë e shek. XIX. Europa veçse e kishte një bagazh të tërë insinuatash, paragjykimesh, fyerjesh, inkriminimesh e blasfemive ndaj Islamit dhe personit të quajtur Muhamed. Derisa Rudolf Suthajm ( shek.XIV ) e kishte quajtur ‘herezinë muhamedane’ mbjellë të Satanait si dhe ‘adhurim për idhullin Mahomet’ , përderisa më vonë Washington Irwing në kopertinën e një libri të tij e kishte paraqitur në figurë profetin e egër arab me Kuranin në një dorë dhe shpatën në dorën tjetër; tani me Gëten po lindte ngadalë por këmbëngulshëm në qarqet intelektuale europiane e përgjithësisht perëndimore një frymë e re për Islamin, më parë e panjohur, e cila me kalimin e kohës gjithnjë e më tepër po kalonte në simpati të hapur e në shekullin e kaluar dhe tash edhe me pranimin e Islamit si besim nga shumë figura të njohura të kulturës e të shkencës. Këtë e bën më kurioz fakti se edhe Gëte në fillimet e karrierës së tij dhe diçka më vonë ishte njëri ndër ata që e kishin korruptuar profetin Muhamed a.s., por ky qëndrim i tij i i keqinformuar evoluonte drejt të së vërtetës sa më shumë që poeti vinte në kontakt me Islamin e myslimanët.



Simpatia për Muhamedin a.s. dhe Kur’anin

Nëse në përkthimin e një vepre të Volterit në fillim e kishte quajtur Muhamedin më shumë se një herë mashtrues, vetëm disa vite më vonë mund të vërejmë tek Gete lindjen e një simpatie të dukshme por akoma me një dozë rezerve, çka mund të vërehet prej dramës së tij të papërfunduar ‘Muhamedi’ ( rreth 1773 ), për të vazhduar më vonë në anim dhe mbrojtje të hapur për Islamin, qëndrime këto që janë skalitur në mënyrë të mrekullueshme përjetësisht në ‘Divanin Perëndimoro Lindor’. Qysh në poezinë ‘Kënga e Muhamedit’ që mendohet të jetë e të njëjtës kohë me dramën e papërfunduar, vërehet një qëndrim mjaft i ndërruar i tij ndaj Muhamedit, krahasuar me periudhat e mëparshme. Tani Muhamedi më nuk është mashtrues por burim ndriçues i cili ku le gjurma qelin lule. Fëmijërinë dhe rininë e tij nuk e mëkuan mashtrimet apo djajt si përflitej me neveri aso kohe, por frymërat e mira, oqeani mallzhuritur- e vërteta që me nostalgji prêt bijtë e saj nga shkretëtira. I gjendur midis shkëmbit të mermertë, pra vrazhdësisë dhe pabesisë që e rrethonin, Muhamedi nuk u ndal dot nga asgjë, as nga lulet që pushtojnë plot me mall por me frymën e tij nga e cila blerojnë lëndinat arrin që ta shkatërrojë shkëmbin e urrejtjes dhe të nxjerrë nga ai lumenjtë që brohorisin :



‘ O vëlla! Vëlla, na merr…

Tek yt at plak i moçëm

Te i përjetshmi oqean,

Që me mall e krahëhapur

Po na pret –

Krahët ah, që kot po hapen

Të na përqafojnë ne:

Se në shkretëtirë ne

Na thith rëra etjemadhe,

Dielli sipër ma thith gjakun.’



Por Muhamedi pa u ndalur turret tutje, ‘u jep emër vendeve, ku vë gjurmë ngre qytete’ dhe duke e shuar me mirësi e drejtësi etjen e rërës, të kallurit e diellit, u thotë vëllezërvë : ‘Ejani të gjithë’, ‘ dhe kështu ia sjell vëllezërit, dhe thesaret dhe të bijtë prindit, me buqime e brohori ia përcjell mu në zemër’.

Në atë kohë Kurani i cili ne fillim për Gëten kishte qenë monoton e neveritës tani si shprehet vetë ‘ ai ( Kurani) të mrekullon, të bën t’a respektosh, të bën për vete’ ndaj gjatë gjithë jetës do ta kishte pranë vetes, shpeshherë duke cituar nga ai ajete si shembull urtësie.

Në atë kohë ai gjerësisht ishte njohur me Islamin, muslimanët, poetët e mëdhenj të Islamit si Sadiu, Rumiu e sidomos Hafizi të cilin Gëte e preferonte mjaft shumë e i cili ishte edhe një simbol i shpeshtë dashurie në poezinë e tij. Në poezinë “Ribashkimi” për Hafizin Gëte shkruan:



‘Hafiz, me ty të jem kam mall,

Në garë! Gaz e dhimbje mal

Të shkulen, ne u bëjmë ballë!

Të dua e të pi ngaherë

Si ti, se ç’krenari e rrallë.”



I tër ai zjarr, entuziazëm e frymëzim që kishte lindur në të gjatë kontaktit me klasikët e mëdhenj të Islamit, kulturën Islame në përgjithësi, dhe pse jo edhe me direkt Kuranin pikë së pari mbase, tani do të skalitej fuqishëm tek poezitë e tij në përmbledhjen ‘Divani Perëndimoro Lindor”, një titull mjaft kuptimmadh për të cilin shkrimtari egjiptian Taha Husein thotë: ‘Divani nuk është thjeshtë një ngjarje e rëndësishme në historinë letrare të Gëtes së madh; ajo është një ngjarje me rëndësi në historinë e letërsisë europiane’.

Gëte – dëshmori i humanizmit

Nëse në jetë Gëte ishte subtil dhe direkt në poezi ai është edhe më i afërt, më i imponueshëm, më tepër bindës, më shumë fjalë pak por kuptimplotë. Dashuria, paqja, mirësia, dëlirësia, drejtësia është kryetema e të gjitha poezive të tij prej a deri në zh. Në Islamin dhe nëpërmjet Kuranit Gëte mësoi dhe shprehu tek Divani një kuptim fare të thjeshtë dhe më të drejtë të këtyre virtyteve në jetën e përditshme, jashtë kornizave të joorigjinalitetit dhe ngurtësisë. Për të Islami nuk është dogmë, një tog bestytnishë të rëndomta religjioze por jetë e natyrshme, e thjeshtë reale, pra rroba e përshtatshme dhe e natyrshme e zemrës së njeriut. Në mënyrë të mrekullueshme e shpreh këtë tek Pranimi. Nëpërmes dialogut që zhvillohet mes hyrisë dhe poetit (lexo: Gëtes) ai e shpreh qartësisht pikërisht atë që u tha më lart. Nëse Hyria si fakt për ‘hyrje në xhenet’ kërkon dëshmi të themi ‘zyrtare’, plagë e fjalë oficiale, poeti, Gëte i përgjigjet me gjuhën e madhërishme poetike por të rrjedhshme e të kuptueshme, me një kuptim çuditërisht të njëmendtë të Islamit që mbase për shumë nga mesi i vetë muslimanëve mbetet gjë e paditur. Nga ‘Pranimi’ kuptojmë se duke qenë Islami vetë jeta , mirësia e natyrshme e mbjellë në njeriun atëherë vlen edhe e anasjellta; lufta e pandërprerë në jetë për drejtësi, dashurinë, plagët e panumërta shpirtërore nga e keqja në rrugën për përjetësimin e mirësisë, drejtësisë; janë vetë Islami. Siç do të shprehej vetë poeti tek ‘Divani’: ‘po qe se Islami është devocion i Perëndisë, në Islam jetojmë e vdesim të gjithë’.

Si përfundim le të jetë fjala e vetë Gëtes, poezia e tij e mrekullueshme ‘Pranimi’ në përkthimin e vyer të Jorgo Bllacit.



PRANIMI



Hyria

Jam rojtarja e xhenetit,
Ndaj qëndroj këtu në prag;
A s’më thua ku po vete
Ti që po na vjen nga larg?
Ke luftuar për Kuranin?
Je dëshmor i tij vërtetë?
Apo kot nga an’ e anës
Vjen të futesh në xhenet!
Po të jesh dëshmor, ahere
Xhvishu plagët mi rrëfe
Sepse ndryshe, te kjo dere
As t’afrohesh nuk të le

Poeti

Liro pragun të hyj brenda,
Mos më tall mos më mundo!
Derisa njeri kam qenë,
Kam luftuar domosdo!
Shihmja plagët kraharorit,-
As që numurohen dot,-
Ca nga brengat dashurore,
Ca nga jeta derte plot.
Por gjithnjë kam ëndërruar
Për të shenjtën drejtësi;
Mirësia, kam kënduar,
Mbetet në përjetësi.
Hoqa keq e mora plagë.
Po te njerëzit pa pushim
Dashurinë ndezi flakë
Zjarr’ i thellë i shpirtit tim.
Nëm pra dorën, hyri drite
Le ti numurojmë tok
Të pavdekësisë vite,
Me gishtërinjtë e tu ngamot!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme