Ndikimi i të drejtës romake mbi fikhun

Është shfaqje e zakonshme dhe e natyrshme që sistemet juridike, sikurse edhe institucionet e tjera njerëzore, të pësojnë ndikimin e sistemit që i paraprinë apo që janë bashkëkohës.[1] Për këptë arsye, nuk do të ishte e çuditshme nëse e drejta islame do të ishte nën ndikimin e të drejtës romake apo të drejtës së ndonjë prej popujve të mëhershëm, pa marrë parasysh në shkallën apo rrugët e ndikimit. Mirëpo, për ekzistimin fuqinë e këtij ndikimi mund të flitet vetëm pas hulumtimit të hollësishëm dhe të themeltë. Madje, edhe atëherë, rezultatet do të paraqesin supozime, por jo edhe fakte të pakontestueshme. Kjo është për atë shkak sepse sistemi i të drejtës kërkon kalimin e kohës në të cilin zhvillohet nën ndikimin e mijëra faktorëve. Gjatë konstatimit të të pathyeshmet, vështirësitë rriten kur vërehet se nuk ka asnjë juristë, nga të cilët shumica është pa dyshim i ndershëm, i cili ka lënë çfarëdo dëshmie se ka përdorur burimet e huaja. Gjithashtu, e dimë se ky huazim apo përdorim, nëse ka pasur, i përkiste rëndësisë së rendit të dytë, kurse ligjvëniet njerëzore pësojnë ndikim, së pari të traditës së vendit në të cilin ka lindur, e pastaj edhe të traditave të viseve të huaja. Në fund, supozimet janë të pafundme, dhe në fakt, disa shkencëtarë perëndimorë kanë depërtuar deri në atë skajë, duke theksuar:

 “Është e mundur, apo, thënë më saktë medoemos vijon, se të gjitha bazat më të rëndësishme dhe rregullat e përgjithshme në të drejtën islame nuk janë asgjë tjetër pos e drejta romake mbretërore lindore në trajtën arabe ... Shohim se shkollat e të drejtës romake, librat të cilat janë shfrytëzuar në to, gjykatat të cilat e kanë aplikuar, gjykatësit dhe nëpunësit admintrativë të cilët janë bazuar në studimet e kësaj të drejte janë gjendur në vendet në të cilat ka lindur sistemi i shkencës juridike islame me idetë e tyre dhe institucionet e tyre të zhvilluara dhe në të cilën ekziston lidhje e çuditshme: ndonjëherë harmoni e ndonjëherë heqja dorë nga parimet themelore të të drejtës së vonshme romake. Kur mendojmë për këtë fakt, pa dyshim vijmë deri te përfundimi se sistemi i fikhut nuk është gjë tjetër pos sistem i të drejtës romake, në një masë i ndryshuar. Në të vërtetë ... tregohet se fikhu është vetëm sistem i të drejtës së Perandorisë Lindore Romake (Bizantit) të përshtatur nevojave të administratës arabe (islame)”.[2]

Para së gjithash, kushti themelor për akses shkencor për këtë problem është njohja e themeltë e zhvillimit të të dy sistemeve juridike, po këtë shikim në historinë e të drejtës islame, rrethanat e jetës së juristëve dhe mjedisit në të cilin kanë jetuar. Pa kurrfarë pretendimesh për një dije të tillë, do të orientohemi në ekspozenë e këtij problemi në pikat kryesore. Të fillojmë nga fillimi:

 

Një shikim në historinë e fikhut

 

Është e mirënjohur që bazën e tërësisë së të drejtës islame e përbënë Kur’ani dhe Hadithi. Kur’ani është tërë ajo që Allahu xh. sh. ia ka shpallur Pejgamberit të tij Muhammedit a.s. Hadith janë fjalët e Pejgamberit të Zotit, veprat e tij dhe pëlqimi e miratimi i veprimeve të bashkëkohësve të cilët e kanë besuar. Hadithi quhet edhe Sunnet.

Ka edhe gjera tëp tjera në të cilat duhet dhënë shenjë. Kjo është që, sipas Islamit, njeriu nuk ka autorizim që lejojë atë që e ka ndaluar Kur’ani dhe Hadithi, dhe për këtë arsye nuk ka autoritet njerëzor i cili do të mund t’ua ndalonte muslimanëve atë që e ka lejuar Kur’ani apo Sunneti i Pejgamberit të Zotit. Për këtë arsye, tradita (urfi dhe adeti), e edhe analogjia, pranohen si burim i të drejtës islame vetëm për çështjet për të cilat nuk flet Kur’ani e as Sunneti, i cili e shpjegon Librin e Zotit. Deri te kjo vjen me kusht që këto tradita dhe rezultate të përfundimit logjikë mos t’i kundërvihen frymës së burimeve parësore – Kur’anit dhe Sunnetit të Pejgamberit.

Nuk mund të përgënjeshtrohet se disa ndikime të huaja kanë lënë gjurmë në të drejtën islame. Madje edhe Kur’ani i urdhëron Pejgamberit të Zotit që, në rrethanat e nevojës, të ndjek rrugën e pejgamberëve të Zotit të cilët kanë ardhur para tij – Ibrahimit, Musait dhe Isait alejhim’us-selam. Kështu thuhet, pas përmendjes së dymbëdhjetë pejgamberesh:

Këta janë ata (pejgamberët e përmendur), të cilët Perëndia i ka udhëzuar në rrugën e drejtë, andaj edhe Ti (o Muhammed!) ndiqe rrugën e tyre...”. (El-En’am, 90);

“Pastaj ty të kemi porositur: “Paso fenë e Ibrahimit – të prirur kah e mira!” Ai nuk ka qenë prej idhujtarëve.” (En-Nahl, 123);

“Shembull i mrekullueshëm për ju është Ibrahimi dhe ata që kanë qenë me të ...”. (El-Mumtehaneh, 4);

Dhe ata të cilët e besojnë atë që t’u shpall Ty dhe atë që është shpallur para teje, dhe të cilët për ahiretin janë të bindur...”. (El-Bekare, 4).

Përveç kësaj, Buhariu, Tirmidhiu dhe të tjerë nga radhët e muhaddithëve të vjetër transmetojnë:

“Pejgamberi i Zotit ka dëshiruar të pajtohet me pasuesit e shpalljeve qiellore (ehl’ul-kitab) në atë që nuk i është urdhëruar”, d.m.th. kur nuk k a pasur shpallje të drejtpërdrejtë për ndonjë çështje. Këtë hadith e transmetojnë në lidhje me çështjen e krehjes së flokëve.

Në aspekt të traditave të arabëve idhujtarë, të cilët nuk ndoqën shpalljet qiellore, Ibn Hanbeli e ka transmetuar hadithin (në Musnedin e tij, v. III, fq. 425) i cili arrin deri te Muhammedi a.s., kurse kuptimi i të cilit tregon se Pejgamberi i Zotit ka vepruar në frymën e anëve të mira të xhahilijetit (periudhës paraislame). Të gjithë e dimë se haxhi, një nga shtyllat e Islamit, ka ekzistuar te arabët paraislamë, dhe se Islami e ka konfirmuar pas përmirësimit dhe pastrimit nga elementet pagane. Është e pamundur të pohohet se të gjitha traditat e arabëve paganë të cilat Islami i ka konfirmuar rrjedhin nga praktika e përcaktuar e pejgamberëve pararendës, e sidomos Ibrahimit a.s., i cili e vendosi të birin e tij Ismailin në Mekë. Për shembull, duket e padukshme që vrapimi ndërmjet Safasë dhe Merves, ku Haxherja, gruaja e Ibrahimit a.s., së koti kërkonte ujë ta fikë etjen e të birit të saj, i qe urdhëruar Ibrahimit a.s. Mendoj se kjo i përket epokës së mëvonshme. Historianët muslimanë, sikurse është Ibn Habib El-Bagdadi e të tjerë, kanë shkruar lista të gjatat traditave të xhahilijetit të cilat Islami i ka ruajtur pasi nuk i kundërviheshin bazave të tij, por, përkundrazi, ishin me to në pajtim. Për shembull, dije – dëmshpërblimi për vrasje në lartësi prej njëqind deveve ishte risi të cilën e futi Abd’ul-muttalibi, gjyshi i Pejgamberit të Zotit, kurse Islami e ka pranuar. Si është e njohur, fëmija më i dashur i Abd’ul-muttalibit e ka goditur fati që të viktimizohet si sakrificë. Që të lirohet nga kjo, Abd’ul-muttalibi ka sakrifikuar një numnër të caktuar deveshë dhe këtë numër e ka rritur sa herë që zari binte mbi djalin e tij. Në fund, kur numri i deveve arriti njëqindfishin, zari ra mbi devetë. Kështu shpëtoi djali i tij.

E ngjashme me këtë është edhe kasame – institucioni për përcaktimin e vlefshmërisë së dëshmitarëve, të cilët betohen në Zotin, me qëllim të konfirmimit të thënieve të tij. Në rast të mungesës së dëshmive të plota për dyshimin ndaj një personi për krim, nëse numri i caktuar i kushërinjve të tij përbetohet se ai nuk është fajtorë, do të konsiderohet i pafajshëm. Numri i caktuar i njerëzve të cilët e kanë konstatuar këto tradita ka qenë në jetë dhe ka mundur të dëshmojë se Islami i ka pranuar dhe konfirmuar. Ngjashëm është edhe me haraxhin apo tatimin në tokë, i cili së paku në Irak – sipas thënieve të El-Mes’udit – në kohën e halifit Omer është ruajtur ashtu çfarë ka qenë para ardhjes së Islamit. Është e njohur se këto dispozita përbënin një pjesë të të drejtës sasanidase, të cilët më herët e zotëronin Irakun.

Islami u shfaq në Mekë. Është e natyrshme që muslimanët së pari u takuan me traditat e këtij qyteti tregtar. Pejgamberi i Zotit disa tradita të atjeshme i ka shfuqizuar, deri sa disa i ka mbajtur.nuk duhet harruar se edhe kur Pejgamberi i Zotit nuk ka intervenuar nmë aspekt të ndonjë tradite të Shokëve të tij, ajo traditë përbën pjesë të fikhut meqë hyn në tërësinë e Sunnetit nën emrin e “miratimit të pejgamberit të Zotit.

Pasi që Pejgamberi i Zotit e ka lëshuar Meken dhe u shpërngul në Medinë – duke gjetur ndër qytetarët e qytetit të vetë hebraikët, të cilët në duart e tyre mbanin administrimin me jetën ekonomike në kuptimin më të gjerë – u përsërit po ashtu sikur edhe në Mekë në aspekt të shfuqizimit apo ruajtjes së disa traditave. E shohim se si muhaxhirët (refugjatët nga Meka) sjellin traditat e tyre dhe mënyrën e jetës së tyre, që e rrit diversitetin në të drejtën zakonore të Medinës, të përbërë nga shumë fise. Së këndejmi e drejta islame ka nisur rrugës së zhvillimit të ri në fushaën e ekonomisë, raporteve shoqërore dhe të ngjashme. Për një kohë të shkurtër, Medina u bë kryeqyteti i shtetit e cila përfshinte tërë gadishullin arab. Pejgamberi i Zotit e kishte bërë zakon të kërkojë që fiset arabe të cilat e pranojnë Islamin të shpërngulen në Medinë. Kështu në rrugët e Medinës mund të shihen banorët e Jemenit, Arabisë Veriore, Etiopisë dhe Iranit, e madje edhe Bizantit (sidomos skllavët të cilët e kanë pranuar Islamin). Është e padiskutueshme se të gjithë këta njerëz të ndryshëm, sidomos ata me prejardhje nga Jemeni dhe nga vendet e tjera të qytetëruara, në kohën e Pejgamberit të Zotit kanë dhënë kontributin e vet në përparimin e të drejtës islame në kohën e formimit të saj.

Për më pak se pesëmbëdhjetë vjet pas vdekjes së Pejgamberit të Zotit në Medinë ishte halif Osmani r.a., me atributet e prijësit suprem shtetëror, duke drejtuar me shtetin e cila shtrihej në trri kontinente – Azi, Afrikë dhe Evropë – në të cilin fliteshin së paku dymbëdhjetë gjuhë dhe i cili ishte djepi i disa qytetërimeve të vjetra. Vendet e Islamit nuk kanë pushuar të shtriheshin edhe pas kësaj kohe. Kjo madhështi nuk ka pushuar, por ka zgjatur afër njëmijë vjet.

Është e natyrshme sëkëndejmi të përfundohet se juristët muslimanë nuk i kanë njohur vetëm dispozitat e të drejtës romake, e cila është aplikuar në Siri dhe Egjipt, por edhe atë iraniane, gotike (në Spanjë), induse e madje edhe e drejta budistike kineze, të aplikuar në Turkestan dhe Azi të Mesme. Kjo njohje ka rezultuar ose nga vështrimi i jetës së “të mbrojturve” (ehl’udh-dhimmeh) ose nga raportet kontaktuale dhe afarizmit pasuror me ta.

Ekziston edhe faktori tjetër rëndësia e të cilit nuk është i vogël. Ky është kalimi i joarabëve në Islam në ditët e para të përhapjes së tij. Kjo ka rezultuar me shfaqjen e mëvonshme të juristëve të mëdhenj muslimanë në radhët e këtyre konvertitëve. Si shembull ta marrim Ebu Hanifen, me prejardhje iranian. Ndër imamët e mëdhenj (themeluesit e shkollave juridike) gjejmë numër të madh dijetarësh, me prejardhje joarabë, të quajtur “klientë” (mewali). Para tyre pa dallim kanë mësuar edhe arabët edhe joarabët.

Duke e vështruar lindjen dhe zhvillimin e fikhut, nuk mund të përjashtojmë mundësinë dhe probabilitetin e ndikimit të huaj në shkallën e caktuar bë dispozitat apo traditat juridike të muslimanëve, qoftë në përpunim, shkrim apo sistemim të dispozitave. Ndërkaq, pyetja sa është pikëarritja e çdo elementi të huaj individualisht kërkon hulumtim të veçantë. Këtu dëshirojmë të hulumtojmë vetëm një element të tillë, duke u përpjekur, me fjalë të tjera, të shtrojmë disa aspekte të ndikimit të të drejtës romake mbi fikhun.

Në këtë çështje tregohen dy drejtime për hulumtim: A ekziston vërtetë ngjashmëria e sistemit të të drejtës romake dhe islame? Nëse ngjashmëria ekziston, a është kjo pasojë e huazimit apo ndikimit, apo ka mundësi për ndonjë shpjegim tjetër.

 

A ka ngjashmëri ndërmjet dispozitave të të drejtës romake dhe islame?

 

Në lidhje me çështjen e parë, nuk jam në gjendje të gjej kurrfarë ngjashmërie ndërmjet këtyre dy sistemeve në aspekt: ritualeve (namazit, agjërimit, haxhit, zekatit, e madje as e zekatit të cilin e përcaktoi Kur’ani (IX, 20): “Zekati i përket të varfërve, të mjerëve, atyre që e tubojnë”), dhe më tej dispozitave ndëshkimore për krimet e mëdha (hudud), trashëgimisë, borxheve dhe kamatave, kushtetutës shtetërore, martesës, divorcit, ligjshmërisë së prejardhjes së fëmijëve, të drejtës ndërkombëtare publike, sistemit gjuqësor, çështjet e burimeve të së drejtës dhe përdorimit të tyre. Madje edhe në çështjen e robërisë dhe çlirimit nuk ekziston ngjashmëri ndërmjet dy sistemeve. Vetëm në fushën e raporteve pronësore (muamelat) janë të mundra në njëfarë mënyre disa ngjashmëri.

Gjatë shpjegimeve të këtyre ngjashmërie disa orientalistë pohojnë se depërtimi i Islamit në ditët e hershme në krahinat bizantine Siri, Palestinë dhe Egjipt ka rezultuar me hyrjen nën ndikimin e të drejtës romake të cilën e ka aplikuar në ato zona. Është e mundur, shtojnë ata, që ky ndikim nuk është sendërtuar vetëm me anë të administratës të cilën muslimanët e trashëguan në viset e pushtuara por edhe nëpërmjet mijëra nënshtetasëve bizantinë të cilët patën kaluar në Islam, apo nëpërmjet qindra mijëra të tjerëve të cilët nuk e patën pranuar Islamin, as që ikën në zonat jashtë domenit të pushtimeve muslimane, por pranuan të mbeten si nënshtetas të muslimanëve, si “të mbrojtur”, dhe vazhduan të jetojnë sipas dispozitave të deriatëhershme bizantine të cilat tashmë patën kaluar mnë traditë.

Idetë e këtilla logjikisht janë të pranueshme. Ndërkaq, kjo mbetet vetëm, supozim, i cili, që të jetë i pranueshëm për fakt historik, kërkon dëshmi. Nga ana tjetër, nuk mund të shpërfillen disa fakte të cilat i kundërvihen këtij supozimi.

 

Dëshmitë për mosekzistimin e ndikimit romak

 

1. Nuk është kontestuese se personaliteti i Pejgamberit të Zotit është themel i burimit të të drejtës islame. Muslimanët e pranojnë Kur’anin vetëm nëpërmjet transmetimit të Pejgamberit. Kurse Suneti apo Hadithi, është vetëm fjalë apo vepër apo pëlqim i Pejgamberit të veprimeve të as’habëve. Kurse Pejgamberi i Zotit nuk e ka njohur as greqishten, as latinishten, madje as sirianishten, që do t’i mundësonte që të arrijë kontakt të drejtpërdrejtë me të drejtën romake të asaj kohe. Nga lindja e tij në Mekë në gadishullin arab (jashtë administrimit bizantin) e kaloi thuajse tërë jetën në mesin e popullit të tij në Hixhaz. Sa i përket udhëtimit të tij në vendet bizantine, ajo ka qenë krejt e rrallë, vetëm disa ditë, dhe se edhe nuk merret parasysh. Ka udhëtuar vetëm dy herë në veri të Palestinës. Në udhëtimin e parë ka qenë fëmijë prej nëntë apo dhjetë vjetësh. Në udhëtimin e dytë ka pasur rreth njëzet e katër vjet, por nuk ka qëndruar atje më shumë se dy apo tre javë. Përveç kësaj, nuk ka kurrfarë kujtese për ekzistimin e njohësve të të drejtës romake në mesin e bashkëkohësve apo pasuesëve të Pejgamberit. Në bazë të kësaj, ne, thënë më së buti, e refuzojmë pohimin se një pjesë e fikhut e nxjerr nga Kur’ani dhe Hadithi ka pësuar çfarëdo ndikimi nga e drejta romake.

2. Është e natyrshme që e drejta islame në fillim është bazuar në traditë, si të Mekkes, qytetit të lindjes së Pejgamberit, ashtu edhe të Medinës, qyteti në të cilin i ka kaluar dhjetë vitet e fundit të jetës, e pastaj edhe të gadishullit arab në përgjithësi. Në tërë gadishullin arab, madje as në pjesën e tij qendrore, nuk vërejmë asnjë shkëndijë që do të na tregonte në gjurmët e të drejtës romake. Edhe pse pushteti bizantin nominalisht shtrihej edhe në veri të gadishullit arab, bizantinët në këtë zonë nuk e kanë aplikuar të drejtën e tyre. Këtë e konfirmojnë edhe historianët bizantinë. Sa u përket tregtarëve arabë, sidomos të atyre nga Meka, ata me zellë shkonin në panairet e krahinave bizantine, por i vizitonin edhe tregjet e Irakut (krahinës persiane) dhe tregjet e vendeve të tjera. Nëse do të thuhej se këta tregtarë kanë sjell në viset e tyre, para Islamit, ide juridike të bazuara në të drejtën romake, kjo do të ishte mundësi së cilës do të mund t’i kushtohej vëmendje e caktuar. Mirëpo, pohimi se këta tregtarë kanë qenë nën ndikimin ekskluzivisht të tëp drejtës romake, e jo edhe të drejtës së shteteve të tjera, paraqet shtrirje të pabazuar të të drejtës romake, që e refuzon edhe arsyeja edhe natyra e vetë gjerave.

3. Të gjitha shkollat e vjetra të të drejtës islame lindën në viset të cilat nuk ishin nën administrimin bizantin, për shembull, në Hixhaz dhe Irak. Kjo është e                                                                                    saktë si në aspekt të shkollave juridike shi’ite ashtu edhe të shkollave të ehli’s-sunetit. Zejditët dhe imamitët (shi’itët), hanefistët dhe malikitët (ehli’s-suneti) lindën dhe u zgjeruan në Kufë dhe Medinë. Këto qytete kanë qenë përjashtimisht arabe. Juristi i vetëm i rëndësishëm, bashkëkohës i themeluesve të këtyre shkollave dhe me ta i lidhur, i cili banonte në Bejrut, ka qenë El-Evza’iu. Sipas transmetimit të Edh-Dhehebiut (Tedhkire el-huffadh, v. I, fq. 168) mbante prejardhje nga skllavërit nga Sindi (Pakistani Perëndimor). Në Bejrut e kaloi pjesën e dytë të jetës. Përkundër kësaj, medhhebit i tij nuk zgjati shumë. Shkolla juridike shafi’ite dhe hanbeliste lindën në Bagdad, qytet i cili ishte jashtë ndikimit bizantin. Shkuarja e Imam Shafi’iut në Egjipt nuk ka rëndësi për këtë çështje, meqë është zhvilluar gjatë ditëve të fundit të jetës së tij kur tashmë e ka zgjuar dhe themeluar mendimin e tij në shkollat e të drejtës islame në vendet jashtë administrimit bizantin, Irak dhe Hixhaz. Është e pamundur që e drejta romake në të të ketë ndikuar nëpërmjet qëndrimit në Egjipt në shekullin e tretë hixhrij.

4. Damasku, kryeqendra emevit, gjendej në ish-zonën bizantine. Mirëpo, në atë kohë ky qytet shquhej me interesimin dhe studimin profesional të Kurë’anit dhe Hadithit, letërsisë arabe, hjiostorisë dhe medicinës. Në kohën për të cilën flasim, në viset më herët të nënshtruaraq të drejtës romake nuk gjejmë dijetarë muslimanë të cilët interesohen shumë për shkencën e të drejtës islame. Pas një kohe të shkurtër, abasidët morën sundimin nga emevitët dhe e sollën kryeqendrën në Bagdad, të ndërtuar në krahinën iraniane, të cilën e rrethonin traditat e Persisë e jo Romës. Gjatë kohës abasite radikalisht ka shpërthyer entuziazmi për studimin e fikhut. Merita për këtë i përket halifit El-Mensurit i cili gjatë sundimit të tij (745-775) e përqendroi vëmendjen në shkencat juridike. Ky halif ka kërkuar nga imam Maliku të shkruajë një vepër nga e drejta islame për të cilën do t’i urdhëronte që të aplikohet para të gjithë gjykatave të shtetit islam[3], (si transmeton Ez-Zerkani në hyrje të komentimit të tij në veprën El-Muwatta të Imam Malikut). Në epokën e mëhershme (qoftë në kohën e Hulefai-rashidinëve, qoftë në kohën e emevitëve) nuk gjejmë askënd që është marrë me të drejtën islame e që është jashtë Kufes, qyteti afër Bagdadit kurse edhe më larg nga ndikimi bizantin. Kufa ishte qyteti për mbrojtjen e krahinës dhe rrethinës, vendbanim i ushtarëve muslimanë, pa edhe një të huaj. Nuk ka qenë ky qytet tregtar i cili do të tërhiqte njerëz me prejardhje dhe orientim të ndryshëm.

5. Nuk ka dyshim se ekzistojnë disa shprehje të ngjashme në të dy sistemet në gjuhën arabe, përkatësisht në gjuhën latine. Për shembull:

Shprehja latine

Shprehja arabe

Jurisprudentia (shkenca juridike)

Fikhu

Responsa prudentium (përgjigjja e juristit)

Fetvaja

Jurisconsultus (këshilltari për çështjet juridike)

Muftiu

Consensus (pëlqimi, ujdia)

Ixhma‘i

Usus (praktika e gjatë)

Adeti

Consusetudo populi Romani (tradita e banorëve të Romës)

‘Urfu ehli-l-medineti

Ratio legis (shkaku i ligjit)

‘Il-letu-sh-sher‘i

Opinio (opinioni, mendimi, gjykimi)

Re’ji

Salus populi (mirëqnia, interesi i popullit)

Maslehatun ‘amme, istislahi

Është me rëndësi që përkundër situatës, në logjikë, filozofi, gjeografi, medicinë, dogmatikë, në shkencës e të drejtës islame asesi nuk gjejmë shprehje të arabizuara të marra nga gjuha greke dhe latine, e madje as në fillim të shkencës së fikhut në veprat e para nga kjo fushë. Në shkencat e përmendura hasim shprehje të arabizuara të përdorura në ditët e para të këtyre disiplinave (disa edhe sot janë në përdorim: filozofia, gjeografia) për të cilat vetëm më vonë janë gjetur fjalë përkatëse në gjuhën arabe.do të cekim si shembull se autorët arabë së pari kanë përdorur “usulijjet”, pastaj “rububijjet” dhe në fund “ilahijjet” (për përcaktimin e teologjisë). Ose së pari kanë përdorur “matametika”, pastaj “ta’lim” që në fund ta zgjedhin fjalën “rijadijjat”. Përkundër kësaj, madje as në periudhën më të vjetër të të drejtës islame nuk kemi gjetur asnjë shprehje profesionale të nxjerr nga baza romake. Kemi gjetur disa fjalë të nxjerra nga abza e huaj, më së shumti persiane apo arameite – të cilat përdoren në afarizimin tregtar (sikurse është “sakk” – çek dhe “softexhe” – kambial).

Ndërkaq, është e sigurtë se këto fjalë kanë hyrë në gjuhën arabe para Islamit. Sidoqoftë, ato nuk janë nxjerr nga baza latine apo greke. Sa u përket sinonimeve arabe për shprehjet juridike latine të cilat i cekëm në fillim, ata të gjithë janë nxjerr nga Kur’ani kerimi. Madje edhe fjala fikh (në kuptimin shkenca juridike) është marrë nga ajetet kur’anore. Këtyre fjalëve, nëse do Allahu, do t’u kthehemi më vonë. Mund të themi se këto ide dhe koncepte janë të përbashkëta për të gjithë njerëzit. Po sikur edhe vetëm latinët t’i kenë zbuluar këto shprehje, çka i pengon që këtë ta bëjnë gjithashtu edhe pasardhësit e tjerë të Ademit dhe Havës. Ajo që na përkrah në këtë çështje është fakti se këto fjalë, të përbashkëta për sistemin e të drejtës romake dhe islame, janë të ngjashme vetëm sipas formës së jashtme kurse të ndryshme sipas kuptimit dhe vëllimit të domethënies. Për shembull, shprehja “ixhma`” nuk ka kurrfarë lidhje me fjalën latine “konsensus” nga pikëpamja e domethënies profesionale. “Tradita e banorëve të medinës” (në medhhebin maliki) nuk është bazuar në themelin e njëjtë bë të cilin është bazuar edhe “tradita e banorëve të Romës”, sepse “tradita e banorëve të Medinës” faktikisht nuk është traditë e medinasëve – pasi ata nuk kanë kurrfarë paprekshmërie – por fjala është për mendimet mendjemprehta të juristëve se kjo traditë ka marrë miratimin e Pejgambertit të Zotit, se medinasit kanë vazhduar që ta praktikojnë pasi që Pejgamberi i ka parë që ashtu po veprojnë.ata i kanë ruajtur lejimet e Pejgamberit të Zotit në traditën e tyre, më shumë se muslimanët në cilën do anë në të cilën Pejgamberi nuk ka jetuar.

6. Përkundër asaj që është e saktë për shkencat e tjera, nuk mund të gjejmë përkthim të asnjë vepre nga e drejta e huaj (romake apo tjetër) në gjuhën arabe në kohën e formësimit të shkencës juridike te muslimanët. Si u dëshmuam pak më parë, as rastësisht nuk mund të gjejmë ndër muslimanët juristë të udhëzuar në gjuhët të cilat do t’u mundësonin njohjen e të drejtës romake, drejtpërdrejt apo tërthorazi. Gjithashtu, muslimanët e asaj kohe nuk e kanë harruar qortimin të cilin Pejgamberi i Zotit ia drejtoi hasreti Umerit për shkak tëp leximit të tevratit, edhe pse ai ishte njëri ndër s’habët më të dashur, më besnikë dhe më të ditur nëp çështjet e fesë.

7. Në të vërtetë të gjithë juristët, madje edhe ata nga koha e pas Pejgamberit dhe as’habëve, kanë mbirë në viset në të cilat nuk është aplikuar e drejta romake dhe të cilët kanë qenë jashtë ndikimit të saj. Në të shumtën kanë qenë iranianë dhe turkmenistanezë të cilët kanë jetuar nën sundimin e traditave budistike persiane dhe kineze.

8. Është vërtetë se burimet islame flasin për dispozitat e huaja të cilat muslimanët i kanë mbajtur. Mirëpo, këto dispozita nuk kanë qenë romake (por dispozitat persiane për tatimin në pronë, për shembull).[4] Një e dhënë që jep shenjë në dispozitat romake, në të cilën kemi hasur, është një vend në librin Kitab’ul-haraxh nga Ebu Jusufi, gjykatësi suprem i Harun Er-Rrashidit, bashkëkohësit të Karlit të Madh. Aty thuhet se halifi Omer r.a. i ka shkruar zyrtarit të doganës në Heriapolis, duke i urdhëruar që nga çdo tregtar i huaj që hyn në vendin e Islamit t’i merret nëp emër të doganës sasia që i përgjigjet sasisë të cilin vendi i këtij tëhuaji e kërkon nga muslimanët të cilët hyjnë në të. Pasi që kjo dispozitë është aplikuar njëjtë edhe ndaj bizantinëve të cilët hyjnë në vendet islame, e drejta doganorte bizantine ka hyrë nëpërmjet reciprocitetit , qoftë edhe përkohësisht, në të drejtën islame. (duhet dhënë shenjë se ed rejta islame nuk ka synuar që dispozitat e tij në këtë çështje të jenë të njëjta në të gjitha krahinat e Islamit). Ekziston edhe një ngjarje tjetër e cila barabartë ka të bëjë edhe me Bizantin edhe me Iranin. Ebu Davudi (në Sunenin e tij, libri mbi shëndetin, kapitulli për “Gajlin” transmeton nga Maliku, kurse ky nga Pejgamberi i Zotit, i cili ka thënë: “Kam menduar ta ndaloj “gajletun” deri sa nuk jam kujtuar që bizantinët dhe persianët këtë e bëjnë, dhe nuk i bënë dëm fëmijëve.” Maliku thotë: “`Gajletun’ është marrëdhënia (intime) me femrën e cila i jep gji femrës”. Nuk është vështirë të vërehet në këtë shembull se arabët vepronin po atë që e bënin edhe bizantinët dhe persianët sa i përket kësaj gjendjeje. Sikur Pejgamberi i Zotit ta kishte realizuar synimin e tij, do të ishte kjo dispozitë e re e kundërt me bizantinët dhe persianët. Nga ky shembull shohim se thuajse nuk ekziston mbështetje në të drjetën romake. Përkundrazi, gjejmë mbështetje më të dukshme në të drejtën iraniane. E kemi përmendur transmetimin e El-Mes’udit se hasreti Omeri r.a. I ka gjetur dispozitat persiane për tatimin pronësor të drejtë në masë të caktuar dhe se me rastin e pushtimit të Perandorisë Sasanidase ka urdhëruar që të ruhen këto dispozita ashtu çfarë kanë qenë, edhe pse nuk ka vepruar ashtu ndaj tatimeve bizantine për tatimin pronësor në Siri, Egjipt dhe viset e tjera të cilat muslimanët i kanë çliruar nga pushteti bizantin. Shembulli tjetër: në Iran prej më herët nga ata të cilët nuk e kanë kryer shërbimin ushtarak është marrë tatimi për kokë njeriu, e quajtur kizje: Pas kësaj Kur’ani erdhi me urdhrin e xhizjen. Madje edhe gjuhëtarët konsiderojnë se fjala “xhizje” është arabizuar – është nxjerr nga fjala persishte “kizje”.

9. Kur’ani sidomos urdhëron që jomuslimanët të banuar në vendet islame gëzojnë lirinë dheautonominë juridike dhe gjyqësore: dispozitat e jomuslimanëve aplikohen mbi jomuslimanët nëpërmjet gjykimit të klerikëve të tyre) Kur’an, V, 42-50). Kur’ani urdhëron: “Pasuesit e Inxhilit le të gjykojnë sipas asaj që Allahu në të ua ka shpallur.” Ashtu edhe hebraikët dhe “klientët “ e tjerë. Nga kjo rezulton se e drejta islame nuk është përzier me të drejtat e huaja dhe se ndërmjet tyre nuk ka ndërraporte vepruese. Kjo është për shkak sepse kjo dispozitë të cilin e solli Kur’ani nuk ka mbetur vetëm fjalë e thatë; shohim se në tërësi është aplikuar në kohën e Pejgamberit, hulefai-rrashidinëve, emevitëve, abasitëve, osmanëve dhe sunduesve të tjerë muslimanë. Çdo bashkësi e “klientëve” (kristianëve, hebraikëve, zjarradhuruesve dhe të tjerëve) ka pasur sistemin vetjak juridik dhe gjyqësor në të cilët shteti islam kurrë nuk është përzier. Rastet në të cilat jomuslimanët i janë drejtuar gjykatave islame, duke i shtrirë mbi të tyret, kanë qenë të rralla. Të dyja palët është dashur të pajtohen të dalin para gjyqtarit islam – pa marrë parasysh a i përkasin dy bashkësive të ndryshme (p.sh. kristian dhe hebraik) apo i përkasin bashkësisë së njëjtë – nëse për shkaqe të caktuara nuk janë pajtuar të dalin para gjyqtarit të bashkësisë së tyre. Në këtë rast, gjyqi islam ka aplikuar të drejtën islame. Në këtë mënyrë nuk ka ardhur deri te përzierja e sistemeve të ndryshme juridike.

10. Në fillim të pushtimeve të veta muslimanët qenë detyruar që në të njpëtjën kohë të luftojnë në dy fronte – me Iranin dhe Bizantin. Para se të kalojnë pesëmbëdhjetë vjet pas vdekjes së Pejgamberit të Zotit, shteti islam është shtrirë prej Spanjës veriore deri në Turkestanin kinez, në gjatësi, dhe prej Ermenisë Veriore deri në Indinë Perëndimore, në gjerësi (flasim për kohën e halifit Osman ibn Affanit). Banorët e këtij shteti të madh kanë folur së paku dymbëdhjetë gjuhëdhe kanë qenë pjesëtarë të gjashtë qytetërimeve të vjetra. Çdo popull ka pasur kulturë dhe drejtësi të veçantë. Nëse përkundër gjendjes së këtillë dikush pohon se e drejta islame ka qenë nën ndikimin e atyre nënshtetasve të cilët më herët qenë nën sundimin e të drejtës romake, kurse nuk ka pësuar ndikim të drejtësisë së nënshtetasve të tjerë, atëherë kjo është e shtrirje e paqëndrueshme dhje përkushtimi i verbër ndaj të drejtës romake.

11. Ekzistojnë dallime bazore ndërmjet të drejtës islame dhe romake. Në aspekt të perceptimit të të drejtës: romakët të drejtën e tyre e quajnë ius, që do të thotë “e drejta”, deri sa muslimanët të drejtën e tyre e quajnë fikh, që do të thotë “njohuri, perceptim, të kuptuar” (njohja e të drejtave dhe detyrimeve të një personi – si e ka përkufizuar Ebu Hanife). Në ekspozimin e dispozitave praktike në përmebldhjet juridike: romakët librat e tyre i kanë ndarë në tri pjesë: personat, gjësendet dhe akuzat, deri sa juristët muslimanë librat e tyre i kanë ndarë në kapitujt e ibadetit (ritualet), muamelatit (raportet pasurore) dhe të ukubatit (ndëshkimet). Pas kësaj nuk duhet përmendur se muslimanët nuk kanë ndarë asgjë nën sundimit e të drejtës qoftë ka të bëjë me shërbimin Zotit, rregullimin kushtetues të shtetit[5], veprimit të sunduesit – që sot quhet e drejta ndërkombëtare publike dhe private (pozita e të huajit në gjendjen e paqes, luftës dhe neutralitetit), e drejta romake nuk është preokupuar për çështjet e tilla: as për ritualet, as për kushtetutën, as për të drejtën ndërkombëtare. Madje edhe në çështjet të përbashkëta për të dyja sistemet juridike, shohim për shembull që patriapotestas, apo sundimi i babait ndaj anëtarëve të familjes, paraqet boshtin e rregullimit të shoqërisë romake. Diç të tillë Islami fare nuk e njeh, sepse përgjegjësia individuale e çdo personi të mençur dhe madhor në aspekt të të drejtave dhe obligimeve është baza e dispozitave islame. E drejta te romakët është shprehje e vullnetit popullor,e vullnetit të njeriut, deri sa e drejta islame bazohet në vullnetin e Allahut, e cila i është shpallur Pejgamberit. Përveç kësaj, si një prej karakteristikave të të drejtës romake është shumësia e formaliteteve të padobishme. Madje edhe autori anglez Post në hyrje në veprës Institucionet të Gajit (fq. 24-25.) thotë: “Këto janë formalitete të bezdishme”. Këto formalitete kanë përfshirë fjalë dhe lëvizje të caktuara të domosdoshme për kontestin gjyqësor. Nëse nëse do të vinte deri te abstenimi edhe më i vogël nga kjo, gjykata do ta refuzonte shqyrtimin e akuzës (shih, Institucionet e Gajit[6], fq. 4-11, Hyrje nga penda e Postit, fq. 17, 455.) përkundër kësaj, gjyqësia islame shquhet me mospraninë e ngatërresave, imtësi dhe gjerësi në procesin gjyqësor. Duhet shtuar se dallimi bazor ndërmjet sistemit juridik islam dhe romak buron nga ajo që baza e fikhut është besimi në Zotin Një dhe të Vetëm, kurse e drejta romake është e bazuar në besimin politeist. Nga kjo bazë mugullojnë dhe degëzohen dallimet në çështjet e shumta ndërmjet dy sistemeve.

12. Dispozitat të cilat përcaktohen me emrin e drejta romake nuk janë përjashtimisht me prejardhje romake. Autori i përmendur anglez (Post) thotë: “E drejta romake edhe më do të ishte në thjeshtësi të pazhvilluar sikur mos të vinte në kontakt me viset lindore.” (Po aty, fq. 15). e drejta romake kështu ka pësuar ndikim të Afrikës veriore, Sirisë dhe Azisë së Vogël. Shkencëtari francez Çollinet dhe të tjerë, pas verifikimit këmbëngulës, arritën deri në  përfundim se e drejta e cila quhet romake në të vërtetë ka qenë nën ndikimin e vendeve lindore. Përveç kësaj, edhe Gaji, juristi më i madh romak, ka qenë me prejardhje nga Lindja – nga Azia e Vogël. Pas shfaqjes së Islame, e drejta romake tashmë ishte zhdukur në krahinat lindore të mbretërisë bizantine, kurse vendin e tij e kanë zënë traditat vendore dhe zakonet dhe arbitrimet klerikale dhe të murgëve.

E drejta romake kështu ka pësuar ndikim të Afrikës Veriore, Sirisë dhe Azisë së Vogël. Shkencëtari francez Çollinet dhe të tjerët, pas verifikimit të mundimshëm, erdhën deri në përfundim se e drejta e cila quhet romake në fakt ka qenë nën ndikimin e veneve lindore. Përveç kësaj, edhe Gaj, juristi më i madh romak, ka qenë me prejardhje nga Lindja – nga Azia e Vogël. Pas shfaqjes së Islamit e drejta romake tashmë nuk ekzistonte në krahinat lindore të Perandorisë Bizantine, kurse vendin e saj e kanë zënë traditat dhe zakonet vendore dhe arbitrazhi i klerikëve dhe murgëve. Për shkak të funksionit të tyre ata e urrenin të drejtën romake dhe e kanë shpërfillur, sepse ajo për ata ka qenë e drejtë e idhujadhuruesve. Pa dyshim, shkak për këptë në rend të parë ka qenë mosdurimi fetar ndaj paganëve romakë, edhe pse për klerikët gjatë kësaj synimi kryesor ka qenë rregullimi i pushtetit gjyqësor në duart vetjake në masën më të madhe të mundshme, e madje edhe marrjen e këtij pushteti nga duart e shërbyesve civil. Autori anglez Wilson në hyrje në librit të tij Të drejtat e muslimanëve në Indinë britanike (Anglo-Muhammadan Law), thotë: “Është e pasigurtë se a janë shfrytëzuar nënshtetasit e perandorit Justinian me kodifikimin e tij, sepse kryesisht ka qenë nëp gjuhën latine, deri sa, nga ana tjetër, shumica e nënshtetasve të tij kanë folur greqisht, e disa madje sirianisht apo arabisht. Përveç kësaj, kjo përmbledhje ligjesh shumë herë është ndryshuar nga ana e autorit të tij (Justinianit) gjatë tridhjetë viteve të fundit të sundimit të tij, më së shumti për shkak të karakterit të tij të çuditshëm. Ekzistojnë edhe shkaqe të tjera të cil=ët lejojnë të përfundojmë se ligjet perandorake bizantine në atë kohë mezi kanë lënë gjurmë jashtë krahinave qendrore. Në krahinat e largëta të pjesës lindore të shtetit rrallë kush i është drejtuar gjykatave zyrtare: gjykimi i kontesteve është kërkuar nga krerët fetarë, peshkopët dhe famullitarët, bashkësitë e ndryshme kristiane. Klerikët nuk e kanë njohur drejtpërdrejt të drejtën romake. Burimet e vjetra romake deri te ata kanë depërtuar nëpërmjet një apo më shumë ndërmjetësve, por atëherë të përzier me elementë të tjerë joromakë.”

 

Përfundim

 

Nga e shtruara më sipër shohim se kontributi i të drejtës romake ndër burimet e huaja të cilët kanë ndikuar në të drejtën islame është aq i vogël sa që nuk merret në konsideratë. Meqë muslimanët në po këtë kohë janë shtrirë në vende të shumta, vendet e kulturave të ndryshme të vjetra lartë të zhvilluara sikurse janë jemeni, Egjipti, India e të ngjashme, nuk mund të thuhet se prej të gjitha këtyre burimeve në të drejtën islame ka ndikuar vetëm e drejta e romakëve. Kjo do të ishte një shtrirje e paqëndrueshme.

Sikur fikhu të ishte nën ndikimin e huaj, do të ishte nën ndikimin e të gjitha drejtësive të huaja. Dhe atëherë, pjesa e të drejtës romake në këtë nuk do të ishte as një përlind. Dhe këtë,në aspekt të dispozitave për të cilat nuk ka ekzistuar burim as në Kur’an as në Hadith, as në traditën e vjetër arabe, por duhet drejtuar burimeve të huaja.

 

Përktheu[7]: N. Ibrahimi



[1] Dr. Muhammed Hamidullahu këtë ligjëratë e ka mbajtur në tubimin e orientalistëve indianë në Hajderabad më 1941. Dy vjet më vonë, artikulli është botuar në revistën e Akademisë së Shkencave të Hajderabadit. Është përkthyer në gjuhën franceze, turke etj. Pas kontrollimit nga autori, në vitin 1968, është përkthyer edhe në gjuhën arabe.

[2] Sheldon Amos, History and Principles of the Civil Law of Rome as Aid to the Study of Scientific and Comparative Jurisprudence (1883), fq. 406-410.

[3] Më gjerësisht për këtë shih: Muhammed Hamidullah, “Unjësimi i dispozitave dhe kodifikimi i fikhut nga ana e Imam Imam Zejd Ibni Aliut, Ebu Hanifes, Malikut dhe Shafiut”, Iman (Rabat), gusht 1971, v. XV, nr. 110, fq. 98-113.

 

[4] Ndërkaq, muslimanët i kanë ndërruar bazat e tatimit në Egjiptin dhe Sirinë bizantine. Shih: D. Dennet, Conversion and Poli Tax (Konvertimi dhe tatimi për kokë njeriu). Vepër e vlefshme, por për fat të keq, e papërkthyer në gjuhët muslimane.

[5] Imam Shafi‘iu, për shembull, në kapitullin “Udhëheqja në namaz” diskuton edhe për udhëheqjen e shtetit dhe hilafetit.

[7] Burimi i përkthimit: Revista Islamska misao, Sarajevë, V/1983, nr. 57, fq. 11-16.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme