“Shën Gjergji” sinonim i idhullit “buvane” te kurejshitët paganë

Hyrje

Njeriu në historinë e vet, parimisht ka besuar në ekzistencën e Allahut të Lartësuar (Ez-Zuhruf: 87). Por, ai jo gjithmonë ka besuar në Allahun për zot të Vetëm dhe se vetëm Atij i takon çdo formë e adhurimit. Kjo e fundit, ka qenë kërkesë e secilit pejgamberë për çdo shoqëri njerëzore: “... Të gjithë ata thoshin:Adhuroni vetëm Allahun, e shmanguni idhujve” (En-Nahl: 36). Një parim i këtillë mbetet veçanti e besimit islam. Por ç’e do, që në mungesë të njohurive fetare, një pjesë e muslimanëve, kanë rënë pre e festave joislame, duke lidhur besueshmëri në to. I këtillë është rasti me festën e “Shën Gjergjit”.

I. NJOHJE ME “SHËN GJERGJIN”

1.1. Historiku dhe profili i “Shën Gjergjit”

“Shën Gjergji”, është emër i një personi të krishterë që ka jetuar para shpalljes së Kur’anit. Ka lindur rreth vitit 275 pas Krishtit prej prindërish të krishterë. I ati ishte nga Kapadohia, e ëma nga Lida e Palestinës. Nga historia mësohet se tërë jetën e ka kaluar duke e mbrojtur krishterizmin. Për meritat e tij krishterizmit, “Shën Gjergji”, shndërrohet në një figurë të shenjtë dhe mitologjike. Atij i atribuohen çudira të jashtëzakonshme. Për biografinë e tij, kanë ardhur më shumë se një verzion.
Thuhet se në moshën 18 vjeçare shkoi ushtar në Nikomedi, e cila në atë kohë ishte kryeqendër e pjesës lindore të shtetit romak. Aty mori grada ushtarake, madje edhe të princit. Mirëpo, perandori Dioklecian, i nxitur nga ndihmësi i tij Galer, të cilët i përkitnin besimit pagan dhe ishin kundërshtar të tërbuar ndaj të krishterëve, në vitin 303 pas Krishtit, e shpalli dekretin e tij të parë kundër fesë së krishterë dhe të krishterëve. Sipas dekretit në fjalë, urdhërohej shkatërrimi i kishave dhe suprimimi i të gjitha të drejtave civile e politike për të krishterët dhe që të arrestoheshin ata që besojnë Krishtin. Por ç’e do që “Shën Gjergji”, i cili në këtë kohë ishte 28 vjeçar, dhe ndonëse ishte ushtar i perandorit, nuk do të dorëzohet para këtij urdhëri. Ai, do të vehet në ballë të mbrojtjes së të krishterëve dhe krishterizmit. Kur i vdiç e ëma, gjithë pasurinë e saj e dha në ndihmë të krishterizmit. Për këtë këmbëngulësi të tij në krishterizëm, perandori Dioklecian përmes njerëzve të tij përdori lloj-lloj toturash, që të heqte dorë nga ai. E lidhën në rrotë, që njihej si dënimi më i rëndë dhe saherë që rrotullohej ajo, i çante trupin. Pasi i dhanë një dënim të rëndë dhe e lanë për të vdekur, përsekutuesit shkuan në tempullin e tyre të mbushur me idhuj, që t’i sillnin kurban perëndive të tyre. Mirëpo, në befasi para tyre paraqitet “Shën Gjergji” i shëndoshë si molla. “Shën Gjergji” këtë shpëtim të tij, ia atribuon Jezu Krishtit. Me këtë veprim të jashtëzakonshëm, ky ndikoi te ushtria që të konvertoheshin në krishterizëm. Madje dy nga kryegjeneralët e medhenj Anatoli dhe Protoleoni e pasuan atë.
Perandorit edhe më shumë i shtohej mëllefi. Ai organizoi edhe ndëshkimin tjetër ndaj “Shën Gjergjit”, duke e hudhur në një furrë të gëlqeres. Edhe kësaj radhe kur e hapin furrën, “Shën Gjergjin” e gjejnë të padëmtuar. Në pyetjen se kush e shpëtoi, ai përgjigjet: “o mbret, Krishti, Biri i Perëndisë, është ai që edhe mua edhe gjithë besimtarët na mbulon me krahë të padukshëm e na ruan prej çdo dëmtimi.” “Shën Gjergji” vazhdimisht propagandonte fenë e tij të krishterë. Thuhet se për ta pasuar fenë e tij, i është kërkuar ta ringjallte një të vdekur, dhe ai në emër të Jezu Krishtit, e kishte bërë këtë. Mirëpo, perandori Dioklecian, si një pagan i përbetuar, për asnjë moment nuk i besonte. Kjo bënte, që torturat ndaj tij mos të ndaleshin. Pas shumë torturash, më në fund, perandori vendosi ta ekzekutojë me shpatë. Xhelati me shpatën e tij ia heqi qafën dhe jeta e “Shën Gjergjit” mori fund në vitin 303.
Për, kontributin dhënë krishterizmit, emri i tij nuk harrohet kurrë nga zemrat e krishtera. Kisha Orthodokse ka thurur himne shumë të bukura për jetën dhe veprat e tij. Eshtë cilësuar: atlet i hyjshëm, luan i lavdishëm, yll i shkëlqyer, margaritar i shumëçmuar, ushtar i Krishtit, Davidi i ri e të tjera.

1.2. “Shën Gjergji” është festë e krishterë

Më lartë, në vija konceptuale, u prazantua profili i “Shën Gjergjit”. Vetë titulli ‘shën’, e që është titull kishtar dhe i jepet personave për kontribut të shquar dhën krishterizmit, qartëson se “Shën Gjergji” është festë me bazë kristiane. Krishterizmi figurën e tij e ka shenjtëruar dhe për të ka inskenuar lloj-lloj legjendash, në mënyrë që t’i mbushë mendjen njerëzve që janë të dhënë për të besuar në gjëra të kota (besëtytni). Të gjitha veprat e mbinatyrshme që i atribuohen Shën Gjergjit, e që disa prej tyre u cituan më lartë, nuk do mend se janë një mashtrim dhe mitologji. Sipas këtyre të dhënave, “Shën Gjergji”, del të jetë, jo një njeri i ‘mbërrinë”, por një ‘hyjni’, që nuk i nënshtrohet ligjeve fizike të natyrës, pasi atij i mveshen çudira mbinatyrore. Viktimë e këtij mashtrimi, fatkeqësisht ka edhe prej muslimanëve, të cilët duke mos i vënë këto rrëfime irracionale nën thjerrzën e arsyes dhe udhëzimit të Allahut, shfaqin besueshmëri naive, gjë që rreshtohen në grupin e njërzve të devijuar nga udhëzimi i Allahut të Lartësuar.

1.3. Përmbajtja e festës së “Shën Gjergjit”

“Shën Gjergji”, fund e krye shoqërohet me veprime të palejueshme dhe besëtyte. Ato veprime, në esencë kanë karakter të pakuptim dhe irracional. Si festë, festohet në muajin maj të çdo viti. Në disa rajone mbahet me datën 5 apo 6 maj, e në disa të tjera para këtyre datave apo pas tyre. Ndoshta përse muaji maj, shënon fillimin e sigurtë të kohës së nxehtë, gjersa edhe bjeshkët e larta, në këtë muaj e fitojnë ngrohtësinë e plleshmërisë. Prandaj, “besohet se nëse kontaktohet me tokën vjen plleshmëria, kështuqë vajzat rrokullisen nëpër livadhe për të pasur fat në martesë, kurse nuset për të pasur fëmijë. Ato ditë bëhen pastrime, rituale dhe spërkaten skutat e shtëpive dhe objektet e saj.” Pastaj, njerëzit me paramendim shkojnë te teqet e ndryshme, apo tyrbet dhe qëndrojnë pranë tyre duke kërkuar shërim, mbarësi dhe shëndet. Në rajonin e Prizrenit, kjo festë festohet kësodore: më 5 maj, njerëzit tubohen në varrezat e vjetra të qytetit, që njihen me emrin “Karabash”; aty gjendet edhe një ‘tyrbe’ rreth sëcilës bëhet nderim, hedhin të holla, bëjnë nezër, presin qengja etj, të gjitha këto duke besuar se mbrojnë nga e keqja dhe çojnë në fat dhe mbarësi. Vajzat e reja, marrin filiza pemësh me gjelbrim, të cilat i vendosin nëpër dyer të shtëpisë, duke besuar se ato japin mbarësi dhe begati. Në natën e 5 majit, fëmijët dhe të rriturit lahen me lula, duke kërkuar shëndet për vetveten dhe mbrojtje nga të ligat, deri në vitin e ardhshëm. Këto janë disa prej formave që implikon “Shën Gjergji”, mbase ka edhe veprimë të tjera të ndryshme, varësisht prej vendit dhe rajoni.
Të gjitha këto veprime, janë besëtytni të qarta, që manifestojnë politeizëm (shirk – besueshmëri në hyjni të tjera krahas besimit në Allahun), dhe ndalohen rreptësisht nga feja Islame.

1.4. “Shën Gjergji” nuk është festë kombëtare

Pa dyshim “Shën Gjergji” nuk është festë kombëtare, sepse festat kombëtare, lidhen me veprime të cilët kanë rëndësi kombëtare. Ndërsa “Shën Gjergji”, nuk reflekton kurrfarë ngjarje të karakterit kombëtar. Po ashtu “Shën Gjergji” nuk është festë ndërkombëtare, pasiqë dihet botërisht se kjo festë ka karakter lokal dhe provincional.

1.5. “Shën Gjergji” nuk është festë islame

Fakti se “Shën Gjergji” është festë me prejardhje të krishterë, vërtetohet se ai nuk ka prejardhje islame. Festat islame dihen se cilat janë. Ndërsa “Shën Gjergji”, bazuar në emrin e tij dhe përmbajtjen e tij, mohon çdo mundësi që të ketë lidhje me ngjarje a veprime të karakterit islam.

II. Besimi islam e ndalon kremtimin e “Shën Gjergjit”

2.1. Besimi islam është i dëlirë nga besëtytnia

Parim thelbësor i besimit islam është tevhidi – Njëshmëria e Allahut. Muslimani, imanin e tij e bazon në “tevhid” dhe këtë nuk e shoqëron me asgjë prej besëtytnive dhe mitologjive. Ai beson në “tevhidin rububijjeh’, se Allahu është i Vetmi Krijues Absolut, që krijon çdo gjë, të mirën dhe të keqën; beson në “tevhidin uluhijjeh”, se Allahu është i Vetmi, të Cilit i takon adhurimi, dhe se askujt nuk duhet drejtuar për çdo nevojë përpos Tij; dhe beson në “tevhidul esmai ves-sifati”, se Allahu është i Vetmi që posedon emrat dhe cilësitë e Tij absolute, dhe se askush nuk është i përsosur dhe nuk ka kapacitete për t’iu përgjigjur nevojave tona përpos Allahut.
Këto janë vijat e trasha të besimit islam, të cilat nuk mund të thyhen e as të tejkalohen. Me këto cilësi nuk mund të cilësohet askush prej krijesave, sepse a priori bëhet ‘hyjnizim’ i atyre krijesave. Në këtë aspekt, besimi islam është i pastër nga besëtytnitë, të cilat manifestojnë besueshmërinë e njeriut, që në përmbajtjen e tyre kanë karakter irracional dhe qesharak, sepse nuk përkojnë me perceptimin racional si një formë që dikton besimi i vërtetë.

2.1. “Shën Gjergji” implikon elemente të shirkut - politeizmit

‘Shëngjergji’, që paraqet besueshmëri të kotë (besëtytni), drejtpërdrejt inkorporon elemente të shirkut – politeizmit, dhe vjen në kontradiktë me besimin islam në tri llojet e tevhidit.
a) Shirku në ‘tevhidin rububijjeh’. Ky lloj i shirkut, nënkupton besueshmërinë se një krijesë, apo gjësend mund të krijojë diçka, pa pasur ndonjë shkak të arsyeshëm. Për shembull, njerëzit besëtyt, besojnë se nëse kontaktohet me tokën ditën e “Shën Gjergjit”, vjen plleshmëria, apo nëse njeriu lahet me lula, do të jetë i shëndoshë deri në vitin e ardhshëm. Pastaj, vendosja e lulave nëpër cepat e shtëpisë, etj. Kjo do të thotë, se këtyre gjësendeve i jepen elemente hyjnore, kur dihet se ato nuk kanë kurrfarë shkaku të arsyeshëm që mund të japin ndonjë efekt. Përvetësimi i kësaj besueshmërie, i bën injorim të drejtpërdrejtë Allahut të Madhëruar duke ia atribuar edhe dikujt tjetër krahas Allahut, sovranitetin e Krijuesit, Sunduesit, Furnizuesit, Ndihmuesit, etj.
b) Shirku në ‘tevhidul-uluhijjeh’. Në këtë kategori të ‘shirkut’ bëjnë pjesë të gjitha veprimet me karakter të besueshmërisë dhe adhurimit, të cilat i drejtohen dikujt tjetër, e jo Zotit, apo në të njëjtën kohë i drejtohen edhe Zotit të Madhëruar, po edhe dikujt tjetër në cilësinë e ndërmjetësuesit. Për shembull, në ditën e “Shën Gjergjit”, njerëzit tubohen te tyrbet apo teqet; sillen rreth tyre, duke besuar se shpirtërat e të vdekurve mund të ndikojnë në çështjet e kësaj bote, edhe pas vdekjes së tyre; se ata i dëgjojnë kërkesat e të gjallëve dhe mund t’ia plotësojnë dëshirat e tij, etj. Për “shenjtërinë” e tyre, bëhet nezër (zotim) dhe therren kafshë. Me këto veprime shprehet përulshmëri (nënshtrim), ndërsa shprehja e përulshmërisë në konceptin e adhurimit dikujt tjetër përpos Allahut, është shirk ndaj Allahut i Cili është i Vetëm që meriton t’i nënshtrohemi e askujt tjetër.
c) Shirku në ‘tevhidul-esmai ve’s-sifat’. Shirku në këtë kategori, përfshinë bindjet besëtyte, duke i dhënë krijesave atributet e Krijuesit, dhe e kundërta, duke i dhënë Krijuesit atributet e krijesave. Besimi në besëtytni, nuk do mend se është një manifestim ideal dhe real i atribuimit të cilësive të Allahut, krijesave. Për shembull, në ritualet e “Shën Gjergjit” veprohet një besëtytni e tillë, sikurse është larja me lule, lutja e të vdekurve etj.
Në këtë konstelacion, përfundimisht themi se besëtytnia e “Shën Gjergjit”, parimisht nuk është diçka që e mohon drejtpërdrejt Allahun (kufër), por themi se ajo e shpie njeriun në rrezikun e ‘politeizmit - idhujtarisë’ apo siç njihet në terminologjinë fetare ‘shirkut’ – të adhuruarit dikend tjetër krahas Allahut. Një gjendje të këtillë, Allahu e ka sinjalizuar në Kur’an:
وَمَا يُؤْمِنُ أَكْثَرُهُمْ بِاللَّهِ إِلَّا وَهُمْ مُشْرِكُونَ
“Dhe shumica e tyre nuk e beson ndryshe Allahun, vetëm se duke i shoqëruar (zota të tjerë)” (Jusuf:106). Pra, e besojnë Allahun, por këtë besim e shoqërojnë edhe me bësëtytni të tjera, rival besimit në Allahun. Këtë veprim, Allahu i Lartësuar e ka ndaluar rreptësisht:
وَلَا تَدْعُ مِنْ دُونِ اللَّهِ مَا لَا يَنْفَعُكَ وَلَا يَضُرُّكَ فَإِنْ فَعَلْتَ فَإِنَّكَ إِذًا مِنَ الظَّالِمِينَ

“Dhe mos lut tjetër kë pos Allahut, ndonjë (idhull) që nuk të sjell as dobi as dëm, e nëse bën atë, dije se i ke bërë padrejt vetvetes” (Junus:106). Po ashtu thotë: ”E nga njerëzit ka asish që në vend të Allahut besojnë idhujt, që i duan (i madhërojnë) ata, sikur (që besimtarët e vërtetë e duan) Allahun, …” (El-Bekare:165).

2.2. “Shën Gjergji”, paraqet festimin e një feste joislame

Pa dyshim, shëngjergji nuk është festë islame. Nga historia islame mësohet se, një ngjarje e ngjashme me “Shën Gjergjin”, ka ekzistuar edhe në kohën e injorancës, pra, para se t’i vinte shpallja Muhamedit a.s.. Por Pejgamberi a.s., kundrejt trysnisë nga xhaxhai i tij, ka refuzuar të marrë pjesë në të, dhe në çdo ceremoni, që ka implikuar veprime të ndaluara.
Transmeton Ummu Ejmene, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të, e cila ka thënë: Në çdo vit, kurejshët shkonin pranë një idhulli i njohur si “buvane”, të cilin e madhëronin, therrnin kafshë (kurban) për të dhe për hirë të tij izoloheshin për një ditë të tërë. Edhe xhaxhai i Pejgamberit a.s. Ebu Talibi, prezantonte në atë festë bashkë me popullin e tij, dhe Pejgamberit s.a.v.s. i fliste që edhe ky të marrë pjesë me të. Mirëpo, ishte e kotë dhe se Pejgamberi a.s. mohonte një gjë të tillë. Madje thotë transmetuesja: e kam parë Ebu Talibin dhe hallat e Pejgamberit a.s., të nervozuar ndaj tij. Këto të fundit i thonin: ne frikësohemi për ty për atë që ti po largohesh nga zotat tanë. Dhe i thonin: çka mendon ti o Muhamed, do që t’i sjellish një festë popullit tënd, në të cilën ata nuk do të bëhen bashkë?! Ata vazhdonin me fjalë, ndërsa Pejgamberi a.s. shkoi dhe u largua prej tyre, ashtu si ka dashtë Allahu. Pastaj u kthye i frikësuar tej mase (sikur të ketë parë ndonjë gjë). Ato përsëri iu drejtuan, duke i thënë: çka të ka ndodhur? (Pejgamberi a.s.) tha: unë frikësohem të marr pjesë aty ku më prek shejtani. Ato i thanë: nuk ndodhë që Zoti ty të sprovojë me shejtan, gjersa ti i ke këto cilësi të mira, e që nuk i ka kush. Po, çka ishte ajo që e paje? (Pejgamberi a.s.) Tha: E pash se kur tentoja t’i afrohesha njërit prej idhujve, m’u personifikua një njeri shumë i bardh dhe i gjatë, që më bërtiste nga përmbrapa teje: “O Muhamed, mos e prek idhullin!”. Ummu Ejmene thotë: Muhamedi, kurrë nuk ka marrë pjesë në festat e tyre deri sa i erdhi pejgamberia.”
Gjersa, Pejgamberi a.s. ka refuzuar të marrë pjesë, në kohën kur ende nuk ishte pejgamber, por çfarë mund të flasim për kohën pas gradimit të tij?! Prandaj, muslimani rreptësisht e ka të ndaluar të pjesëmarrë në festat e besimeve tjera. Sepse umeti islam përbën një koncept unikat, të bazuar në doktrinën e besimit islam, i cili as nuk pranon ndryshim, as tjetërsim e as plotësim. Në saje të tij, muslimanët e ndërtojnë jetën e tyre, dhe posedojnë tiparet e identitetit besimor dhe kulturor, me të cilat veçohen. Këto tipare, përvijojnë gjithë mendësinë besimore të muslimanit. Ndërsa festimi i një feste joislame, veçanërisht që ka karakter të besueshmërisë devijante (kupto: besëtytnisë), sikurse që është “Shën Gjergji”, paraqet kundërshtim të asaj mendësie.
E, ai i cili i mban festat e huaja, veçanërisht ato që implikojnë besueshmëri, ka përvetësua tipare, që e rreshtojnë në anën e tyre. Transmeton Ibni Omeri, i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut ka thënë: مَنْ تَشَبَّهَ بِقَوْمٍ فَهُوَ مِنْهُمْ -“Kush i përngjan një populli, ai është prej tyre.”

2.3. Konkluza akaidore e çështjes

Ndonëse, ‘besimtari’ besëtyt, e beson Allahun e që kushtimisht mund të llogarisim për një fije shprese në çështjen e tij, në anën tjetër është fatale vendimi se, megjithkëtë, Allahu i Madhëruar nuk i ka llogaritur për besimtarë ata që e kanë besuar Allahun për Krijues, por krahas adhurimit ndaj Tij, kanë adhuruar edhe idhuj (idole) të tjerë, apo që adhurimin ndaj Tij e kanë përzier me besëtytni dhe mitologji. Në Kur’an, lexojmë se sikur idhujtarët të pyeteshin se kush i krijoi qiejt dhe tokën ata gjithësesi do të thonin “Allahu” (shih: Ez-Zuhruf:87); pastaj sikur të pyeteshin se kush i furnizon me begati, gjithësesi do të thonin “Allahu” (shih:Junus:31). Domethënë, ata kanë patur ‘besim’ në Allahun, mirëpo, krahas Tij kanë adhuruar edhe ‘fuqi mbinatyrore’ të tjera, përfshirë nga llojet e gjësendëve që vetë i kanë gdhendur apo kultet e personaliteteve të vdekura, të cilët i kanë konsideruar për ndërmjetësues te Zoti i Vërtetë. (shih: Ez-Zumer:3; Junus:18). Këtë besueshmëri të tyre Allahu i Madhëruar e ka quajtur shirk – politeizëm.
Mirëpo, është jetike të theksojmë se pesha e përgjegjësisë tek muslimanët, respektivisht tek ata që e mbajnë festën e “Shën Gjergjit, varet nga forma e involvimit në të dhe intenziteti i besueshmërisë në ritualet besëtyte të “Shën Gjergjit”. Nuk mund të tërhiqet një paralele e përgjegjësisë për të gjithë pa dallim, sepse, bazuar në realitetin ekzistues të festimit të “Shën Gjergjit”, pjesëmarrja e tyre varion:
a) Pjesa dërrmuese e muslimanëve që e mbajnë “Shën Gjergjin”, nuk lidhin kurrfarë besueshmërie në ‘hyjnitetin’ mitologjik të tij. Njerëzit e këtillë, këtë zakonisht e bëjnë nga mungesa e njohurive fetare islame, dhe për shkak se janë adaptuar në një mendësi të tillë, e cila kryesisht është shndërruar në manifestim argëtimi, e aspak në diçka që ndërlidhet me besueshmëri në ritualet besëtyte të “Shën Gjergjit”. Kjo kategori nuk mund të akuzohet shumë rëndë për këtë veprim, mbase nuk mund të shfajësohet për kontribut për përformancën e festimit të “Shën Gjergjit”, dhe për mosbojkotimin e tij;
b) Një pjesë e caktuar prej tyre, festën e “Shën Gjergjit” e mirëpret për levërdi ekonomike, sikurse janë tregëtarët e ndryshëm, blegëtorët, etj., pasiqë në ditën e “Shën Gjergjit”, bëhet grumbullim i madh i njerëzve. Kjo kategori imponon një analizë të gjithanshme, pasiqë presioni i varfërisë, mbetet një opsion i tolerueshëm në shumë rrethana. Në të kundërtën, edhe kjo kategori nuk mund të shfajësohet nga përgjegjësia e përformancës dhe mosbojkotimit;
c) Një pjesë e caktuar, marrin pjesë në festën e “Shën Gjergjit” dhe veprojnë disa veprime, që klasifikohen besëtytni e qartë, por që konsiderohen si besëtytni me intenzitet më të zbehtë, sikurse është besueshmëria se kontaktimi me tokën në këtë ditë sjellë bereqet, pastaj larja me lula e trupit në këtë ditë... etj. Më së paku që mund të thuhet për veprimet e këtilla, është se ato janë prej mëkateve që meritojnë ndëshkimin e Allahut të Lartësuar, në proporcion me intenzitetin e bindjes; dhe
d) Një pjesë e caktuar, marrin pjesë në festën e “Shën Gjergjit”, dhe veprojnë disa besëtytni, që klasifikohen shirk i pastër (politeizëm), sikurse është lutja ndaj të vdekurve dhe sjellja rreth ‘tyrbeve’, qoftë duke iu drejtuar atyre si ndërmjetësues, në atë mënyrë siç veprojnë të krishterët, të cilët u rrëfehen priftërve për mëkatet e bëra..., ku priftërit veprojnë si ndërmjetësues mes njerëzve dhe Zotit, qoftë duke iu lutur atyre drejtpërsëdrejti për falje të mëkateve. Tubimi i kësaj kategorie të muslimanëve rreth tyrbeve në ditën e “Shën Gjergjit”, i ngjason tubimit të kurejshitëve në kohën e injorancës rreth idhullit “buvane”, që u përmend më lartë, e në të cilën Pejgamberi a.s. kishte refuzuar të marrë pjesë. Njerëzit e kësaj kategorie, pa dyshim se e ngarkojnë vetveten e tyre me barrë shumë të rëndë.

2.4. Dispozita ndaj pjesëmarrësit në festën e ‘Shën Gjergjit”

a) Dispozita e kësaj bote, e cila nënkupton procedurën e rregullt, sipas së cilës besëtyti (pjesëmarrësi në festën e “Shën Gjergjit”) duhet të përballet për besëtytninë që aplikon. Së pari, i qartësohet ndalesa e saj me argumente nga bazat e fesë, sepse ajo konsiderohet devijim nga rruga e vërtetë, prandaj duhet ta braktisë menjëherë. Nëse nuk heqë dorë nga forma e besueshmërisë, pason vendimi në varësi me intensitetin e kotësisë së besueshmërisë apo rrezikut të besëtytnisë, duke filluar nga masat më të ulëta të ndëshkimit, e deri te akuza për apostazi - dalje nga Feja Islame (مرتد), për se pason ekzekutimi i tij.
b) Dispozita e botës tjetër. Në botën tjetër, personi që shkon me mëkatin e shirkut - politeizmit, do të ketë dënim të rëndë, pasiqë Allahu i Lartësuar ka dëshmuar në Kur’an se politeistët (ku potencialisht mund të bëjnë pjesë edhe besëtytët hijerëndë) dhe mosbesimtarët do të jenë përgjithmonë në xhehennem (shih: El-Maide: 72-73), ndërsa mëkatarët nga besimtarët janë në dëshirën e Allahut, nëse do i falë dhe i shpie në xhennet me mëshirën e Tij, e nëse do i dënon me drejtësinë e Tij aq sa është pesha e mëkatit të tyre në këtë botë. Çështja e tyre është në mëshirën e Allahut të Madhëruar (shih: El-Bekare: 284).

Përfundim

Vëlla i nderuar, motër e nderuar!
Tani e ke të qartë se festa e “Shën Gjergjit” nuk është islame. Përkundrazi, ajo është me prejardhje kristiane e me përmbajtje pagane. Si e tillë, ty nuk të bën nder e as dobi, veçse dëm. Largohu prej saj njëherë e përgjithmonë dhe mos e infekto besimin tënd islam me idhujtari! Mos u bëj valltar në vallen e humnerës dhe të shkatërrimit! Mëshira e Allahut është e hapur gjithmonë. Ai është Krijuesi yt dhe vetëm Ai të bën mirë. Për gjithçka, lutju Atij që është i Gjallë e nuk vdes kurrë, e jo atyre që vetveten e tyre e kanë bërrë të rëndë! Mos e nënçmo Allahun, duke iu drejtuar me lutje varreve, tyrbeve e teqeve, duke bërë zotim për ta, duke u besuar luleve të fatit, larjes me to dhe çka tjetër mos më keq! Ato janë mashtrim, nuk mund të të ndihmojnë asgjë. Jij falënderues vetëm ndaj Allahut për të gjitha të mirat! Thirre ndërgjegjen tënde të besimit të pastër, që mëshira e Allahut të mëshirojë ty, familjen tënde, prindërit e tu, vëllezërit, fëmijët dhe farefisin mbarë! Mos e sulmo përkatësinë tënde islame, duke iu bashkuar festimit të një feste të krishterë! Përgjegjësinë për këtë, nuk mund të ta justifikojë dot askush. Jeta, është një dritare e shkurtër, prandaj jetoje atë si musliman dhe vdiq i tillë. Nëse nuk punon për këtë, vështirë se imanin do ta kesh shokë të pandashëm në momentet e vdekjes.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme