
PËRGJIGJJA: E para: E falënderoj All-llahun e Madhërishëm, i Cili më udhëzoi që prej fillimit të jetës sime ideore dhe misionare ta ndjeki metodologjinë objektive (mesatare), e cila bazohet në këndvështrimin e drejtë dhe gjithpërfshirës, si dhe distancohet nga skajshmëritë në ashpërsi dhe tolerancë. Këtë metodologji e kam sqaruar në hyrjen e vetë librit “Hallalli dhe harami në Islam”, në botimin e parë të tij, ku theksova: Ndoshta lënda e hallallit dhe haramit në shikim të parë duket e lehtë, por në fakt ajo është e rëndë dhe delikate, sepse asnjë autor, as në të kaluarën e as tash, nuk ka arritur t’i sistematizojë të gjitha detajet e kësaj lënde në një libër të veçantë, por studiuesi hollësitë e kësaj lëmie i gjen të shpërndara nëpër tërë kaptinat e fik’hut islam dhe brenda librave të tefsirit dhe hadithit.
Metodologjia ime në këtë libër
Po ashtu, duhet cekur edhe atë se, një problematikë e këtillë ia imponon autorit ta përcaktojë qëndrimin e vet përkitazi me shumë çështje rreth të cilave janë ndarë në mendime dijetarët në të kaluarën dhe kanë polemizuar për to, si dhe shkoqitjen e tyre nga dijetarët e kohës sonë.
Aprovimi dhe përparësia e një mendimi ndaj një tjetri në çështjet e hallallit dhe haramit kërkon maturi, studim të gjatë dhe konsultim të gjerë të literaturës, pasi që ekskluzivisht t’ia kushtojë studiuesi mundin e vet kërkimit të vërtetës për hirë të Zotit.
Unë kam vërejtur se, pjesa dërrmuese e studiuesve bashkëkohorë islam dhe atyre që flasin për Islamin kryesisht u takojnë dy taboreve:
Njërit tabor iu rrëmbye të pamurit nga fatamorgana e qytetërimit perendimor, i fascinoi ky idhull i madh dhe ata iu nënshtruan atij; për të sakrifikuan kurbane, qëndruan para tij me shikime të përulura dhe të kapluar nga poshtërimi; ata janë që principet dhe bontonin e Perendimit e pranuan si çështje superlative e cila nuk mund as të kundërshtohet e as të diskutohet. Nëse përputhet Islami me atë në diçka, e madhërojnë Zotin nga gëzimi, e nëse Islami e kundërshton atë në diçka, atëherë të bëjnë kompromis dhe afrim, apo të kërkojnë falje e të gjejnë arsyetim, ose së fundi, t’i ndryshojnë sendet nga kuptimi i vërtetë e t’i tjetërsojnë, sikur Islami është i detyruar t’i nënshtrohet qytetërimit, filozofisë dhe bontonit perendimor. Këtë e kuptojmë prej fjalëve të tyre kur flasin për disa gjëra që i ka ndaluar Islami,si: statuat, lloton, kamatën, mëvetësimin me ndonjë femër që nuk e ke të ndaluar për martesë, rrebelimin e gruas ndaj feminizmit të saj, mbajtjen e arit dhe mëndafshit nga ana e burrave, e shumë gjëra tjera, si dhe për disa gjëra tjera që i ka lejuar Islami, si: shkurorëzimi dhe poligamia. Pra, sipas tyre, e lejuar është ajo që e lejon Perendimi, kurse e ndaluar është ajo që e ndalon Perendimi. Ndërkaq, harruan se Islami është fjala e All-llahut, kurse fjala (feja) e All-llahut çdo herë ajo është më e larta (superiorja). Islami ndiqet nga tjerët, e ai nuk imiton dikë; ai lartësohet, e nuk mund të ngritet diçka mbi të. A ka logjikë që Zoti ta pasojë njeriun, ose a është e logjikshme që Krijuesi t’u nënshtrohet pasioneve të krijesave? “E sikur të përputhej e vërteta me dëshirat e tyre, do të shkatërroheshin qiejt e toka dhe çdo gjë që gjendet në to.” (El-Mu’minun: 71); “Thuaj: ‘A ka ndokush prej idhujve tuaj që ndonjë të humbur ta drejtojë në rrugën e drejtë?’ Thuaj: ‘Vetëm All-llahu udhëzon në të vërtetën’. Atëherë pra, a është më e drejtë të shkohet pas atij që udhëzon në rrugën e drejtë, apo pas atij që nuk udhëzon, (sepse nuk mund ta udhëzojë as vetveten), vetëm nëse prej dikuj tjetër udhëzohet? Ç’është me ju? Si gjykoni?” (Junus: 35) Ky pra është njëri tabor.
Ndërkaq tabori i dytë u bllokua në mendime të caktuara në disa çështje të hallallit (të lejuarës) dhe haramit (të ndaluarës) si rezultat i aprovimit të një teksti ose konteksti në ndonjë libër, dhe mendoi se mu kjo është Islami, ashtu që nga mendimi i tij nuk lakoi asnjë milimetër, e, po ashtu, as që pretendoi t’i peshojë argumentet e medhhebit (drejtimit juridik) apo mendimit të vet, t’i krahasojë me argumentet e tjerëve dhe ta nxjerr të vërtetën pas komparacionit dhe analizës së mirëfilltë.
Kështu, kur pyetet për qëndrimin e sheriatit ndaj muzikës, këngës, shahut, arsimit të gruas, zbulimit të fytyrës dhe shputave të dorës, apo çështje tjera të ngjashme me këto, më e afërt për gjuhën apo lapsin e tij është fjala: haram (e ndaluar). Ndërkaq ky tabor e ka harruar etikën dhe metodologjinë e selefit (të parëve) përkitazi me këto çështje, sepse ata thonin haram vetëm për ato çështje, ndalueshmëria e të cilave është decide, ndërkaq për çështjet tjera, jo të këtij rangu, thonin: e urrejmë, ose nuk e preferojmë, ose shprehje të ngjashme me këto.
Unë u mundova që mos t’i takoj asnjërit prej këtyre dy taboreve:
Nuk pranoj në fé që për idhull ta marr Perendimin, pasi e zgjodha All-llahun për Zot, Islamin për fé dhe Muhammedin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] për Pejgamber.
Po ashtu, në aspektin ideor, nuk pranoj të pasoj një drejtim (medhheb) të caktuar në të gjitha çështjet dhe problematikat, pa ia vërë veshin se a ia ka qëlluar ose ka gabuar. Kjo, sepse imituesi, siç thotë ibn el-Xheuziju: “Është i pa sigurtë në atë që e imiton, imitimi e pasivizon kreativitetin e mendjes, sepse mendja është për të logjikuar dhe analizuar. I shëmtuar është ai që i jepet kandil drite ta ndriçojë rrugën, kurse ai e fikë dhe ec në terr.”1
Po, nuk e kam kushtëzuar veten me ndonjë prej medhhebeve (drejtimeve juridike) dominuese në botën islame, sepse e vërteta nuk kufizohet vetëm në një medhheb; po ashtu, imamët (prijësit) e këtyre medhhebeve nuk ia kanë atribuar vetes pagabueshmërinë, por ata janë gjurmues pas njohjes së të vërtetës – nëse ia qëllojnë, kanë dy shpërblime, e nëse jo, atëherë vetëm një.
Imam Maliku thotë: “Çdo njeriu, përpos Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], i pranohen dhe refuzohen mendimet.” Imam Shafiu thotë: “Mendimi im është i vërtetë, por ka mundësi të jetë edhe i gabueshëm; dhe, mendimi i tjetrit është i gabueshëm, por ka mundësi të jetë edhe i vërtetë.”
Nuk i ka hije një dijetari musliman, i cili posedon aftësi karahasuese dhe klasifikuese, të bëhet rob i një medhhebi, apo t’i nënshtrohet një mendimi të caktuar të fik’hut, por prej tij kërkohet që të jetë rob i argumentit; për atë argumenti autentik dhe fakti i fortë janë më meritor për t’u pasuar, ndërkaq mendimi i cili ka mbështetje labile dhe argument të dobët është i refuzuar, po sado që të jenë përkrahësit e tij. Që prej kohësh ka thënë Aliu [radijall-llahu anhu]: “Mos e identifiko të vërtetën me njerëzit, por njihe të vërtetën, do t’i njohish ata që i përkasin asaj.”
E dyta: E falënderoj shumë, me falenderim të këndshëm dhe të bekuar, ashtu siç e meriton Hirësia e Tij, Madhështia e fuqisë së Tij, dhe për nderë të mirësive të Tija të mëdha e të pa numërta për të cilat nuk kam mundur ta shprehi as falënderimin më të vogël ndaj Tij.
Prej këtyre mirësive është edhe ajo që All-llahu i Madhërishëm u mundësoi pranim te muslimanët kudo që të jenë, e kjo është prej mirësisë dhe begatisë së të Madhit Zot ndaj meje, qofshin të larta faktet e Tij dhe të shenjtë emrat e Tij, saqë libri im “Hallalli dhe harami” vetëm në gjuhën arabe e ka parë dritën e botimit të katërdhjetë. Kjo ngase ai botohet në shumë vende dhe publikohet nga shumë palë: në Kajro, Liban, Algjeri, Marok, Kuvajt etj. Po ashtu, duhet përmendur edhe atë se libri është përkthyer edhe në shumë gjuhë,si: turqisht, urdisht, malajzisht, indonezisht, persisht, bengalisht, anglisht, gjermanisht, kinezisht, etj.2
Klasifikimi (nxjerrja) e haditheve të librit është respekt ndaj tij
E treta: Nuk ka dyshim se, klasifikimi i haditheve të librit tim “Hallalli dhe harami” nga ana e shkencetarit të shquar, shejh Muhammed Nasiruddin el-Albani – All-llahu e mëshiroftë - paraqet një lloj konsiderate ndaj librit dhe autorit, sepse ekspertët e hadithit që prej kohëve më të hershme nuk janë marrë me klasifikimin e haditheve të librave pa peshë dhe të pa vlefshme, por ata përkujdesen për librat të cilat kanë vlerë dhe peshë shkencore dhe që gëzojnë famë te dijetarët dhe masa dërrmuese.
Kështu, vërejmë se dijetari i shquar, hafidh Ez-Zejleij bën klasifikimin e haditheve të librit “El-Hidaje” në fik’hun e medhhebit (drejtimit juridik) hanefij, në një libër të cilin e quajti “Nasbu er-raje”, për hirë të pozitës së lartë dhe popullaritetit të librit te dijetarët e medhhebit hanefij. Po kështu veproi edhe dijetari i shquar, hafidh Ibn Haxheri në klasifikimin haditheve të librit “El-Hidaje”, “Fet’hu-l-aziz” apo “Esh-sherh el-kebir” të Rafi’iut, ndaj librit “El-Vexhiz” të Gazalijut në fik’hun e Shafi’iut. Këtë e bëri në librin e njohur “Telhisu-l-habir”; po ashtu, i njëjti dijetar bëri edhe klasifikimin e haditheve të tefsirit të Zamahsheriut “El-Keshaf”.
Kështu veproi edhe hadithologu në zë, hafidh El-Irakiju në klasifikimin e haditheve të librit të Gazaliut “Ihjau ulumid-din”, si dhe shumë libra tjera të njohura te ekspertët e kësaj discipline.
Për këtë, më gëzoi pa masë fakti që hadithologu i njohur, shejh Albani t’i përkushtohet që prej kohësh klasifikimit të haditheve të librit tim “Hallalli dhe harami”, si dhe librit “Si e zgjodhi Islami problemin e varfërisë”. Po ashtu, hadithologu në fjalë bëri edhe klasifikimin e haditheve të librit të misionarit të madh islam, shejh Muhamed el-Gazalit “Fikhus-sire”.
Unë e lexova librin e shejh Albanit “Gajetu-l-merami”, dhe vërejta gjykimin e tij për dobësinë e disa haditheve, e këtu dëshiroj të përmendi disa vërejtje të rëndësishme:
Disa hadithe përmenden për ilustrim, e jo si mbështetje faktografike
E para: Unë disa herë përmendi disa hadithe të dobëta sa për ilustrim, e jo si faktografi për lëndën, e as që të mbështetem vetëm në ato gjatë argumentimit.
Kjo, sepse në të shumtën e rasteve një dispozitë konfirmohet me dëshmi tjera nga tekstet autentike apo kriteret (rregullat) e miratuara, e pastaj në këtë kontekst përmendet edhe hadithi, edhe nëse është i dobët, siç thashë, për ilustrim, ndërkaq këtë veprim, sipas njohurive që i posedoj, nuk e ka përjashtuar asnjë prej dijetarëve të mëparshëm. Kush i lexon librat e shejhu-l-Islam Ibn Tejmijes dhe nxënësit të tij të shquar Ibn el-Kajjimit do të hasë shumë raste të këtilla. Bile, edhe vetë imam Buhariu, krahas asaj se ka qenë kategorik në refuzimin e haditheve të dobëta, në përmbledhjen e tij të haditheve autentike “El-Xhami’us-sahih” përmend disa hadithe mual-leka - me zinxhir transmentuesish të ndërprerë, jo të plotë, të cilat janë të dobëta. Këto hadithe ai i transmenton jo me forma decide, por p.sh. thotë: është thënë, është transmentuar, përmendet, ose tjera të ngjashme me këto.
Në disa raste kam vepruar në këtë mënyrë, sepse kur kam përmendur ndonjë hadith, si psh: “Pastrohuni, sepse Islami është i pastër”, ky hadith, edhe pse është i dobët, nuk konfirmon ndonjë dispozitë juridike, sepse urdhëri për pastërti është vërtetuar nga faktet e qarta dhe të prera kur’anore e të Sunnetit.
Faza e pasimit të pararendësve
E dyta: Ka disa hadithe të cilat i kam përmendur duke u mbështetur në atë që i kanë klasifikuar të vërteta (sahih) ose të mira (hasen) dijetarët e mëparshëm prej ekspertëve të hadithit, juristët e sunnetit, dhe pranoj se unë nuk kam debatur rreth klasifikimeve të tyre përkitazi me këto hadithe, por vetëm i kam ndjekur dhe kam përcjellur prej tyre, e nuk ka asgjë jo të zakonshme që një jurist të konsultojë hadithologët, sepse nuk ka asnjë dijetar i cili e ka trajtuar një çështje në të gjitha shkencat.
Në këtë rast mund të paraqitet ndonjë mangësi në hadith, të cilën e vëren dijetari i kohës tonë ndërkaq u ka kaluar dijetarëve të mëhershëm, e sa e sa gjëra të hershmit ua kanë lënë më të vonshmëve!
Shembull për këtë është fakti se unë jam bazuar në gjykimin e Ibn Haxherit se hadithi vijues është i gradës hasen - i mirë: “Kush e bllokon rrushin në kohën e vjeljes, që pastaj t’ia shet ndonji çifuti, krishteri apo atij që e bën verë, është gjuajtur në zjarr me vetëdije.”
Këtë hadith e përmend Ibn Haxheri në librin e tij “Bulugu-l-merami min edil-leti-l-ahkami” dhe thotë: “Këtë e transmenton Taberaniu në përmbledhjen “El-Euset” me zinxhir transmentuesish të gradës hasen - i mirë.”
Ibn Haxherit i atribuohet grada e lartë “emiru-l-mu’minin” (udhëheqës i besimtarëve) në shkencën e hadithit, ai është i rrallë në botë në përvetësimin e haditheve dhe nxënien e tyre, andaj, nëse unë ose dikush tjetër e ndjek këtë dijetar, nuk qortohet, po edhe nëse dikush që vjen pas i përmirëson diçka në qëndrimet e tij; ai nuk është i pagabueshëm.
Në lidhje me këtë hadith, kam hasur se dijetari i shquar Es-San’ani e ka komentuar këtë hadith në librin e tij “Subulu es-selami”, dhe nuk shtoi gjë në gjykimin e Ibn Haxherit se është i gradës hasen - i mirë; po ashtu këtë e përmend edhe Siddik Hasen Hani në librin “Er-reudatu en-nedijje”, dhe thotë: “Zinxhiri i transmetuesve të këtij hadithi është i gradës hasen - i mirë, sikur që thotë Ibn Haxheri; po ashtu, e përmend edhe Bejhekiju dhe shton: “ose atij që dihet se e bën verë.” Këtë e përforcon hadithi i Ebu Umames, që e transmenton Tirmidhiu, se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Mos i shitni këngëtaret, mos i bleni e as mos i mësoni, sepse nuk ka dobi në tregtinë me ato, dhe fitimi i tyre është i ndaluar (haram).” Në këtë kapitull ka edhe hadithe tjera. Maliku transmeton prej Ibn Omerit se disa njerëz prej Iraku thanë: “O baba i Abdurrahmanit, ne blejmë hurma dhe rrush dhe i bëjmë verë, pastaj e shesim!” Abdullah ibn Omeri tha: “Unë për ju në këtë çështje e kam për dëshmitarë All-llahun, melekët dhe ata që na kanë dëgjuar prej xhinve dhe njerëzve, se unë nuk u urdhëroj që ta shitni, as ta bleni, as ta bëni verë, as ta pini, sepse vera është punë e fëlliqtë e djallit. Them: Të këtij mendimi janë dijetarët.”3
Kjo më tërhoqi pas hadithit në fjalë dhe më bëri ta pranoj, siç thashë, duke e imituar Ibn Haxherin, sepse gjatë asaj kohe kam qenë në fazën e imitimit ekskluziv në lëminë e hadithit dhe nuk kisha filluar të gjurmojë në këtë sferë, por pjesërisht dola nga prangat e imitimit në hadith kur fillova të shkruaj për zekatin.
Pastaj erdhi dijetari i shquar, shejh Nasiruddin Albani dhe konstatoi se hadithi është shumë i dobët për shkak të një transmentuesi, gjegjësisht El-Hasen ibn Muslim el-Mervezij et-Taxhir.4 Dhehebiju në librin e tij “Mizanu-l-iëtidal” thotë: “Ka përcjellur transmetim të trilluar mbi verën.” Ebu Hatimi thotë: “Hadithi i tij dëshmon për gënjeshtër”, Ibn Hibbani thotë: “Na ka lajmëruar Muhamed ibn Abdullah ibn el-Xhunejdi, na ka rrëfyer Abdu-l-Kerim ibn Abdu-l-Kerim (në origjinal: Abdullah) Es-Sukeriju, na ka rrëfyer El-Hasen ibn Muslim Et-Taxhir… Them: (Dhe e përmendi hadithin)… Në lidhje me gradën e hadithit të konfirmuar nga Ibn Haxheri, shejh Albani thotë: “Hamendje, nuk e di nga ka ardhur, kjo është e madhe që të habit të jetë prej tij!”
Është e çuditshme pasi unë e hasa që Ibn Haxheri ta përmend El-Hasen ibn Muslim el-Mervezijun - i cili është mangësia e këtij hadithi - dhe i përmend, po ashtu, bukvalisht qëndrimet e Dhehebijut në “Mizan” dhe ibn Ebu Hatimit…! Qoftë larg të metave All-llahu, i Cili është i vetëm i përkryer.
E falënderoj All-llahun e Madhërishëm, i Cili më udhëzoi që prej fillimit të jetës sime ideore dhe misionare ta ndjeki metodologjinë objektive (mesatare), e cila bazohet në këndvështrimin e drejtë dhe gjithpërfshirës, si dhe distancohet nga skajshmëritë në ashpërsi dhe tolerancë. Këtë metodologji e kam sqaruar në hyrjen e vetë librit “Hallalli dhe harami në Islam”, në botimin e parë të tij, ku theksova: Ndoshta lënda e hallallit dhe haramit në shikim të parë duket e lehtë, por në fakt ajo është e rëndë dhe delikate, sepse asnjë autor, as në të kaluarën e as tash, nuk ka arritur t’i sistematizojë të gjitha detajet e kësaj lënde në një libër të veçantë, por studiuesi hollësitë e kësaj lëmie i gjen të shpërndara nëpër tërë kaptinat e fik’hut islam dhe brenda librave të tefsirit dhe hadithit.
Konstatimi i dobësisë së hadithit nga ana e Albanit ka mundësi të diskutohet
E treta: Sipas mendimit tim, shejh Albani është dijetari më i njohur i hadithit në kohën tonë, e në veçanti në disciplinën e klasifikimit, vërtetimit dhe dobësimit, mirëpo krahas saj, fjala e tij nuk është përfundimtarja në çdo hadith të cilin e konfirmon ose e dobëson, sepse ka raste që me të nuk pajtohen disa dijetarë tjerë të kohës sonë, si p.sh. shejh Habiburrahman el-A’dhamij, shejh Shuajb el-Arnauti, shejh AbdulFettah Ebu Gudde dhe të tjerë.
Nuk është jo e zakonshme që këta mos të pajtohen me të në disa çështje, ashtu sikur edhe ai vetë nuk është pajtuar me disa dijetarë të mëdhenj për disa hadithe. Po ashtu, disa tjerë në verifikimin e haditheve miratojnë metodologji tjetër, që ndryshon nga e shejh Albanit, sikur veproi eruditi Ahmed Muhamed Shakir, All-llahu e mëshiroftë.
Pra, gjykimi i shejh Albanit për dobësinë e një hadithi nuk është argument decid dhe fjala përfundimtare.
Bile, them: shejh Albani, All-llahu e mëshiroftë, disa herë ca hadithe i klasifikon të dobëta në një libër, të njëjtat i klasifikon autentike në një libër tjetër.
Këtë e vërejta për sa i përket hadithit: “Çdo musliman i cili e vret një bilbil, ose diçka më të madhe, pa të drejtë, All-llahu i Madhërishëm do ta pyes për atë.” E pyetën Pejgamberin: “E çka është me të drejtë në këtë, o Pejgamber i All-llahut?”, ai tha: “Ta therrë dhe ta hajë, e jo t’ia këpus kokën dhe ta gjuaj.” Këtë hadith e transmetojnë Nesaiu dhe Hakimi, dhe thotë: Zinxhiri i transmetuesve të tij (senedi) është i vërtetë (sahih) i transmetuar prej Abdullah ibn Amrit. Këtë hadith shejh Albani e klasifikon të dobët në verifikimin e haditheve të librit “Hallalli dhe harami”, hadithi nr. 47.
I njëjti rast është me hadithin: “Kush e vret një bilbil, do ta padis te All-llahu Ditën e Gjykimit. Do të thotë: O Zot, ky njeri më ka vrarë për kot, e jo për ndonji dobi.” Hadithin e transmeton Nesaiu dhe Ibn Hibbani në “Sahihun” e tij prej hadithit të kafshës së ikur. Po ashtu edhe këtë shejh Albani e klasifikon të dobët në hadithin nr. 46.
Unë nuk pëlqeva me të në sqarimet e mia rreth dy haditheve në fjalë në librin tim “El-Munteka min et-tergibi ve et-terhib” të imam Mundhiriut. Për hadithin e Abdullah ibn Amrit thashë: E ka transmetuar Nesaiu.
Ibn Haxheri në librin e tij “Telhisu-l-habir”, në verifikimin e hadithit “Kush caktohet gjykatës është therrë pa thikë”, të cilin ibn el-Xheuziju e pa me mangësi, thotë: Mjafton për fuqinë e tij që e ka nxjerrur Nesaiu. Të njëjtin e transmeton Hakimi, e pohon autenticitetin e tij dhe me këtë pëlqen edhe Dhehebiu (4233). Këtë hadith e transmeton edhe Ahmedi në “Musned” nën nr. 6551 dhe në verzion më të shkurtuar nën nr. 6500. Shejh Shakiri për të thotë: Zinxhirin e transmetuesve e ka të vërtetë. Me gjithë këta nuk u pajtua eruditi Albani, i cili hadithin në fjalë e klasifikoi të dobët në verifikimin e haditheve të librit “Hallalli dhe harami” për shkak të transmetimit të Suhejbit, shërbëtorit të ibn Amir el-Hadhait, me pretekst se ai është i panjohur (mexhhul), por këtë e përmend ibn Hibbani në librin “Eth-Thikat” (Të besueshmit). Po ashtu, për të shkroi biografi edhe Buhariu në “Et-tarihu-l-kebir”, dhe për të nuk përmendi asnjë kritikë negative. Ebu Hatimi bëri dallim mes këtij dhe Ebu Musa el-Hadhaut. Foli për biografinë e të parit pa mos përmendur kritika negative, ndërkaq për të dytin tha: Nuk njihet dhe nuk emërohet te të tjerët. Këtu qëndron edhe ajo se, Theuriu ka transmetuar prej Habib ibn Ebi Thabitit. Për këtë paraqiti karakteristikë Dhehebiu në “Mizanu-l-i’tidal”, dhe përmendi se disa prej tyre e kanë paraqitur të fortë. Hadithin e tij e ka transmetuar Shu’beja edhe përskaj kritereve të ashpra mbi transmetuesit.
Këtë hadith, po ashtu, e transmeton Tajalesiu në Musned-in e tij nën nr. 2279 prej Shu’bes dhe ibn Ujejnes. Prej versionit të tij e transmeton edhe Bejhekiu në “Sunen el-Kubra” (9279), Darimiju në Sunen-in e tij (284), Humejdi në Musned-in e tij nën nr. 578, i botuar me verifikimin e Habiburrahman el-A’dhamij.
Për hadithin e kafshës së ikur thashë: Hadithi gjendet te Nesaiu (7239), botimi i shtypshkronjës egjiptase në Az’har; po ashtu edhe në “Mevaridu edh-dham’an” (1071), kapitulli i ndalimit të therrjes pa dobi; po ashtu e transmeton Ahmedi (4389). Ky hadith dëshmon për hadithin para tij, të cilin e klasifikon autentik Ibn Hibbani dhe me këtë pëlqeu el-Mundhiriu, ndërkaq Albani, po ashtu, e konsideron të dobët, sepse ky transmetohet përmes Amir el-Ahvelit, e ky prej Salih ibn Dinarit, me pretekst se Salihu është i pa njohur (mexhhul), ndërkaq Amiri i dobët për shkak nxënies (mbamendjes) së keqe. Të parin e përmend Ibn Hibbani në librin “Eth-Thikat”. Axhuriu transmeton prej Ebu Davudit dëshmi që dëftojnë se Ma’meri po ashtu ka transmetuar prej tij dhe e ka quajtur me nofkën Ebu Shuajb, ndërkaq Dhehebiu nuk e ka përmendur te të dobtit. Të dytin, Amir el-Ahvelin, imam Ahmedi e paraqet të gradës “lejjin” (jo stabil në memorie), kurse Nesaiu thotë: Nuk është i fortë; ibn Meini thotë: Nuk prish gjë; Ebu Hatimi thotë: I besueshëm, nuk paraqet problem; Ibn Adiju thotë: Transmetimin e tij nuk e shoh problematik; Ibn Hibbani e përmend në pasardhësit e besueshëm të sahabeve; Saxhiju thotë: Është i kapshëm për shkak të sinqeritetit, pra, është i sinqertë (saduk) (Tehdhibu et-tehdhib). Këtë e rrumbullaksoi në formë koncize Ibn Haxheri në librin “Et-Tekrib”, dhe tha: I sinqertë, por gabon (sadukun juhtiu). Por nuk e cilësoi si shumë që gabon, apo që bën gabime kardinale. Transmetuesve të këtillë nuk u refuzohen hadithet në tërësi, por bëhen selektime. Kështu veproi Nesaiu. Për transmetuesin në fjalë tha: “Nuk është i fortë”, por prej tij transmeton në librin “El-Muxhteba”, për të cilin thuhet se kushtet në të mbi transmetuesit kanë qenë më të rrepta se të Ebu Davudit dhe Tirmidhiut. Këtë e përmend Dhehebiu në librin e tij “Ed-Dua’fau” dhe tha: E trajtojnë jo stabil në memorie Ahmedi dhe të tjerët, por të njëjtin e paraqesin të besueshëm Ebu Hatimi dhe Muslimi. Kjo, dhe prej tij ka transmetuar Muslimi në Sahihun e tij, e mos të flasim më për autorët e “Suneneve”.
Është për t’u habitur se pas kësaj vërejta në pjesën e parë të librit të shejh Albanit “Sahihu et-tergibi ve et-terhib” që ai e përmend hadithin e Abdullah ibn Amrit dhe e konsideron të gradës “hasen” (i mirë)! Shiko hadithin nr. 1084.
Kështu, pra, në shpejtësi ndryshon mendimi i shejh Albanit në pohimin e autenticitetit apo dobësisë, sa që gjen dallim në mes botimit të parë të librave “Sahihu el-Xhami’is-sagir ve zijadatuhu” dhe “Daifu el-Xhami’is-sagir ve zijadatuhu” dhe botimit të dytë të këtyre librave. Është prezente bartja e disa haditheve prej një libri në tjetrin dhe anasjelltas.
Mirëpo duhet ditur se kjo nuk i injorohet shejh Albanit, bile i merret gjest pozitiv dhe i jemi mirënjohës për një gjë të tillë, sepse ai kthehet në të vërtetën kur bindet në të pasi hasë në rrugë tjera të transmetimit të hadithit, ose pasi bindet në një transmetues për të cilin nuk ishte gjithaq i bindur para kësaj, ose pasi zbulon ndonjë mangësi që ndikon negativisht në zinxhirin e transmetuesve të hadithit ose tekstin e tij, e kështu me rradhë. Qëllimi i krejt kësaj është se kjo fushë ka hapësirë për gjurmim dhe dallim në mendime, ashtu që të vegjëlit nga ndonjëherë e vërejnë atë që u kalon të mëdhenjve.
Të dobësuarit e një hadithi nuk e anulon krejt qështjen
E katërta: Shpeshherë në disa çështje përmendi një hadith vetëm si argument ndihmës, e jo cilësor për çështjen adekuate, por bazament i saj është një ajet ose një hadith tjetër i gradës “sahih” (i vërtetë) ose “hasen” (i mirë), ose ndonjë parim i përgjithshëm, ndërkaq hadithi mban rolin e përforcuesit dhe ndihmuesit. Pra, ai është përforcues, e jo themel i një çështje.
Kështu, nëse e shikojmë hadithin të cilin e transmeton Darekutniu: “All-llahu ka caktuar detyra obligative (farze), andaj mos i leni pas dore; ka vënë kufij, e ju mos i tejkaloni ata; ka ndaluar disa gjëra, e ju mos i bëni ato; si dhe ka heshtur për disa gjëra nga mëshira ndaj jush e jo nga harresa, andaj mos gjurmoni pas tyre.” Shejh Albani këtë hadith e klasifikon të dobët, edhe pse Neveviu e ka klasifikuar të gradës “hasen” (i mirë), dhe po i njëjti e ka futur në serinë e “Erbein en-Nevevijje” (Katërdhjetë hadithet), të përmbledhura nga ky autor. Ky hadith nuk ka asnjë ndikim negativ përkitazi me çështjen për të cilën është përmendur, gjegjësisht parimit se: gjërat në esencë janë të lejuara.
Pra, ky hadith nuk është bazament i konfirmimit të këtij parimi, por bazament të tij janë shumë ajete të qarta dhe hadithe në autenticitetin e të cilave nuk ka dyshim, si p.sh. hadithi: “Atë që e ka lejuar All-llahu është hallall, atë që e ka ndaluar është haram, kurse për atë që ka heshtur është e falur.”
Andaj, dobësia e këtij hadithi nuk nënkupton anulimin e këtij parimi tërësisht, siç mund të mendojnë disa njerëz të ngutshëm.
Po kështu kam vepruar edhe për lëndë tjera, si p.sh. grumbullimi i ushqimit dhe deponimi i tij me qëllim profiti në kohë skamje, ku kam përmendur disa hadithe që përbuzin grumbullimin dhe protagonistët e tij. Por, bazament për këtë çështje është hadithi të cilin e transmeton Muslimi: “Grumbullimin e bën vetëm gabimtari”, e kësaj nuk i pengojnë pastaj edhe përmendja e haditheve tjera të cilët janë të dobët, si psh.: “Kush deponon një ushqim të grumbulluar katërdhjetë ditë është distancuar nga All-llahu dhe All-llahu është distancuar nga ai”,duke përmendur edhe atë se këtë hadith, të cilin e ka klasifikuar të dobët shejh Albani, e ka klasifikuar të gradës “hasen” (i mirë) Ibn Haxheri në librin “Fet’hu-l-Bari” dhe në librin “El-Kaulu-l-musedded fidh-dhebbi ani-l-musned”, e po ashtu e përmend Sujuti në librin e tij “El-Lea’li-l-mesnua.”
Dobësimi i një hadithi me një sened ose formulim nuk nënkupton dobësimin e tekstit
E pesta: Shejh Albani ndodh ta klasifikojë të dobët një hadith me një formulim, por kuptimi i tij është i vërtetë ose i mirë me një formulim tjetër, në një burim ose nga një sahab tjetër. Shejh Albani disa herë tregon për këtë dhe me këtë i ndihmon lexuesit, por disa herë nuk përmend një gjë të tillë.
Shembull për këtë është hadithi nr. 347, në të cilin qëndron se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e luste Zotin që ta mbrojë nga borxhi, dhe thoshte: “O Zot, kërkoj mbrojtje te Ti nga borxhet e shumta dhe tirania e njerëzve.” Këtë hadith shejh Albani e klasifikon të dobët nga transmetimi i Ebu Seid el-Hudriut të shënuar në përmbledhjen e Ebu Davudit. Kush ndalet te fjala “i dobët” në verifikimin e shejh Albanit, mendon se ky është gjykimi përfundimtar mbi hadithin në fjalë, ndërkaq ai në fund na tërheq vërejtjen se hadithi është i vërtetë, e transmeton Buhariu prej Enesit me një dallim të vogël në formulim. Thotë: E dëgjoja Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] shpesh të thotë: “O Zot, unë kërkoj mbrojtje te Ti nga brengat dhe dëshprimet, nga paaftësia dhe përtacia, koprracia, frika dhe zhytja në borxhe, dhe tirania e njerëzve.”
Kjo, edhe pse kur bëri verifikimin e hadithit nr. 374 (Thoshte: “O Zot, unë kërkoj mbrojtje te Ti nga brengat dhe dëshprimet”), për këtë hadith tha: “Sahih” (i vërtetë), e pastaj tregoi se ky hadith është i vërtetë te Buhariu, e jo te Ebu Davudi, kurse ky është pjesë prej hadithit të mëparshëm!
Funksioni i hadithollogut dhe fakihut (juristit)
E gjashta: Shejh Albani nuk është thjesht haditholog i pavarur i cili ndalet vetëm në verifikimin e hadithit nga aspekti i autenticitetit dhe dobësisë, dhe me këtë të mbarojë puna e tij, por ky ka mendimet dhe pikëpamjet e veta juridike, gjë që duket gjatë verifikimit të haditheve, deshi apo nuk deshi ai. Po ashtu, ai disa herë ndërhyn duke bërë vërejtje ndaj mendimit dhe zgjedhjeve të autorit të cilat përputhen me mendimet dhe zgjedhjet e tij personale, sikur që veproi në çështjen e këngës me instrument dhe pa të. Kjo ndërhyrje e këtillë atë e bën më të afërt me funksionin e juristit (fakihut) se sa hadithologut, dhe sikur të bëj vërejtje përkitazi me vërejtjet e tij, ose t’i demantoj disa gjëra, kjo do të kërkonte prej mua të përpiloj një libër komplet për çështjen në fjalë, ku do të debatoja rreth argumenteve të atyre që e lejojnë dhe atyre që e ndalojnë atë, duke e zgjedhur atë që e konsideroj se ka argument më të fortë dhe mendim më të drejtë, e ndoshta do ta bëj këtë me ndihmën e All-llahut.
Këto janë disa vërejtje të rëndësishme dhe të domosdoshme përkitazi me verifikimin e haditheve të librit tim nga ana e shejh Albanit, vlera e të cilit nuk mohohet, e të cilat ua paraqes atyre që e kanë parë librin e tij dhe janë kurreshtarë të dijnë për hadithet që i ka klasifikuar të dobët.
All-llahu e thotë të vërtetën dhe udhëzon në rrugë të mbarë.
Fusnotat:
1 Telbis iblis, f. 81.
2 Libri është përkthyer edhe në shqip dhe ka pësuar disa botime (sh.p.).
3 Er-Reudatu en-nedijje, vëll.II, f.99.
4 Këtë hadith e përmend el-Hejthemiju në librin “Mexhmea ez-Zevaid” dhe tha se e transmeton Taberaniu në “Euset”, dhe tha: Në të gjindet Abdu-l-Kerim ibn Abdu-l-Kerim, për të cilin Ebu Hatimi thotë: Hadithi i tij flet për gënjeshtër 490.
Hafidh Hejthemiu defektin e hadithit e sheh vetëm te Abdu-l-Kerimi.
Ibn Haxheri tregoi për biografinë e Abdu-l-Kerimit në librin “Lisanu-l-mizan” dhe e përmendi për të pohimin e Ebu Hatimit, e pastaj tha: Fjalët tjera të tij nuk u di. Në librin “Eth-Thikat” të Ibn Hibbanit qëndron: Abdu-l-Kerim ibn Abdu-l-Kerim el-Bexhelij transmeton prej Abdullah ibn Omerit, e prej tij transmeton Xhebare ibn el-Mugal-lis: hadithet i ka në rregull. Shihet se bëhet fjalë për të, e ndoshta refuzimi i Ebu Hatimit ka qenë për shkak Xhebares. Këtë e mbështet fakti se para kësaj Ebu Hatimi tha: Nuk e njoh. Shih: Lisanu-l-mizan 2256.