Domethënia e frazës “Allahu ia pastë falë imanin”

Hyrje


Identiteti islam, tashmë është çështje e ditur se është njëri ndër formuesit kryesor të identitetit të përgjithshëm kombëtar shqiptar të shqiptarëve në përgjithësi. Si tipar i kësaj, muslimanë e hapësirave mbarëkombëtare, në bisedat e tyre të rëndomta, përdorin fraza, dhe idioma që referojnë të vërteta nga spektri i identitetit islam. Disa prej këtyre frazave kanë karakter të përgjithshëm, që përdoren edhe nga muslimanët edhe nga jo muslimanët, sikurse janë p.sh. vallahi – pasha Zotin, pastaj ‘inshallah’ – nëse do Allahu, etj., fraza këto që shpesh dëgjojmë të përdoren edhe nga pjesëtarët e konfesioneve të tjera, e disa prej tyre, e që janë mjaft shumë, janë karakteristkë vetëm për muslimanët. Njëra prej këtyre, të cilën do ta shpjegojmë në këtë punim është shprehja: ‘Allahu ia pastë falë imanin’, që përdoret për ngushëllime me rastin e vdekjeve.



Fokusimi i çështjes

Prej detyrimeve që i ka muslimani ndaj vëllaut të tij musliman, sa morale aq obligative, është solidarizimi me të si në raste të gëzimit, duke u gëzuar për gëzimin e tij, si në raste të hidhërimit, duke bashkëndier për hidhërimin e tij. Në ambientet tona të proviniencë islame, në këtë aspekt ekziston një solidarizim madhështor dhe kulturë e vacant në këtë. Veçanërisht, me rastin e vdekjeve, ku familjarët dhe të afërmit e të ndjerit, pranojnë vizita dhe ngushëllime të sinqerta nga miqtë, të afërmit dhe dashamirët e shumtë, pa marrë parasysh se këta janë miqtë e tij apo në raporte miqësore të të tërthorta. Bëhet hyrje – dalje e madhe. Edhe kjo e ka të mirën e vet, madje shumë të madhe.
Njerëzit e mësynë familjen e ‘rahmetlisë’, që është goditur me humbjen e një anëtari të familjes. Dy tre minuta apo pesë minuta, janë ato që secili nga vizitorët, me kënaqësi dhe sinqeritet i shpreh ngushëllimet e veta të gjallëve (familjarëve dhe të pranishmve), duke iu thënë: “Allahu iu lashtë shëndosh, bëni sabër, mos u mërziteni!”, për të vazhduar me një uratë (lutje) për të vdekurin me fjalët: “Allahu ia pastë falë imanin.” Fjalë e madhe kjo, apo jo?
Uratë ma të madhe për të vdekurin, me rastin e ngushllimeve ndaj të gjallëve, se sa fjalët: ‘Allahu ia pastë falë imanin’, nuk ka. Sepse imani është kulmi i të mirës, sikurse që kufri është kulmi i së keqes.
Shtrohet pyetja, përse të bëhet kjo dua, për sa kohë ne e konsiderojmë besimtar prej besimtarëve?
Është e vërtetë se ne e njohim të tillë, por pasiqë ai ka vdekur e çështja e imanit është një lidhje misterioze ndërmjet robit dhe Allahut, dhe nuk dihet se si e ka përfunduar jetën e tij, me iman apo pa të, atëherë, bëhet kjo dua duke synuar atë që është më e mirë për robin, e ai është imani – besimi. Në bazë të këtij konstatimi, rezultohet se duaja: ‘Allahu ia pastë falë imanin” implikon në përmbajtjen e vetë dy të vërteta besimore, të cilat e karakterizojnë jetën e njeriut në këtë botë, dhe të ardhmen e tij në botën tjetër:
1. E para, ka të bëjë me principin besimor sipas të cilit njeriu në këtë botë e posedon lirinë e zgjedhjes (vendosjes) dhe mund të bëhet besimtar, pasiqë ka qenë më parë pabesimtar dhe, anasjelltas të bëhet pabesimtar pasiqë ka qenë besimtar. Fati besimor i njeriut nuk dihet deri në vdekje; dhe
2. E dyta, ka atë bëjë me atë se vlera e imanit është e arritura më e madhe për njeriun në këtë botë dhe garantuesi i vetëm për shpëtim nga dënimi i përjetshëm në xhehennem në botën tjetër.



1. Fati besimor i njeriut nuk dihet deri në vdekje

Fati besimor i njeriut është çështje e kompetencës së Allahut të Madhëruar. Askush nuk e di, se si do të mbarojë jeta e tij, përpos Allahut të Madhëruar. Fakti se Allahu ia ka lënë në dorë njeriut zgjedhjen për besim , atëherë me këtë e ka lënë të hapur portën e mundësisë së ndryshimit të njeriut, respektivisht kalimin e tij prej një gjendje të pabesimit në atë të besimit dhe anasjelltas. Allahu nuk ia imponon askujt imanin edhe pse nuk është i kënaqur me kufrin e robërve të Tij.
Allahu është i kënaqur me njeriun besimtar, ndërsa është i pakënaqur me njeriun pabesimtar. Madje është i hidhëruar me të përshkak të mohimit të tij. Si varësi e këtij qëndrim hyjnor të Allahut të Madhëruar, njerëzit për nga kualfikim i tyre në të ardhmen (në botën tjetër), ndahen në dy grupe kryesore: 1. njeriu i lumtur (ألسعيد – es-seidu) dhe 2. njeriu ‘i palumtur’ (ألشقي - esh-shekijju). Pra në Ditën e kijametit kanë me ekzistuar vetëm dy kategori njerëzish:
• “të lumturit”, një epitet për besimtarët që vdesin me iman dhe jetën e tyre e mbarojnë duke qenë besimtar; dhe,
• ‘të palumturit”, një epitet për ata që nuk vdesin me iman dhe jetën e tyre e mbarojnë duke qenë pabesimtarë.
Besimtari është ‘i lumtur’ për derisa është besimtar në këtë botë, ndërsa nëse kalon në mosbesim dhe vdes në këtë gjendje, ndërrohet në ‘i palumtur’, pasi ka qenë i lumtur (فقد إنقلب شقيا بعد أن كان سعيدا). Ndërsa pabesimtari është ‘i palumtur’ për derisa është pabesimtar në këtë botë, e kur të kalojë në besim dhe vdes në këtë gjendje, ndërrohet në ‘i lumtur’, pasi ka qenë ‘i palumtur’ (فقد إنقلب سعيدا بعد أن كان شقيا), sipas ajetit të Kur’anit : “Thuaju atyre që nuk besuan, nëse heqin dorë (nga rruga e tyre e gabuar dhe besojnë) do t’u falet e kaluara…” (Kur’ani, El-Enfal: 38).
Fakti se në shumë hadithe vërtetohet se fundi e njeriut llogaritet sipas asaj se si e përfundon jetën e tij, me iman apo pa të, lutja për të vdekurin ‘Allahu ia pastë falë imanin” përbën një rëndësi të madhe.
Në një hadith që e transmeton Buhariu nga Sehel bin Sead r.a., transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. për një njeri që konsiderohej ndër më të pasurit e muslimanëve dhe, megjithë se kishte luftuar bashkë me të, me një rast Resulullahi s.a.v.s., e kishte cilëuar si një njeri me tipare të banorëve të xhehennemit, duke thënë: ‘kush dëshiron që ta shohë një njeri prej banorëve të xhehennemit le ta shikojë këtë’. Ç’e do që, njeriu në fjalë pas një plagosje në betejë, e mbyt vetveten me shpatën e vet. Këtë ndodhi, Pejgamberit a.s. ia rrëfen një dëshmitar, i cili vjen te Pejgamberi a.s. dhe i thotë: dëshmoj se je i Dërguar i Allahut. Pejgamberi a.s. itha: çka ka ndodhur? Njeriu i tha: “ke thënë për filanin se kush dëshiron që ta shohë një njeri prej banorëve të xhehennemit le ta shikojë këtë”, e ai ishte prej më të pasurve nga ne. Pasi u plagosë, unë e dija se nuk ka vdekur, ai e shpejtoi vdekjen e vet duke e mbytur vetveten. Pejgamberi s.a.v.s. me atë rast tha:
فَقَالَ النَّبِيُّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ عِنْدَ ذَلِكَ إِنَّ الْعَبْدَ لَيَعْمَلُ عَمَلَ أَهْلِ النَّارِ وَإِنَّهُ مِنْ أَهْلِ الْجَنَّةِ وَيَعْمَلُ عَمَلَ أَهْلِ الْجَنَّةِ وَإِنَّهُ مِنْ أَهْلِ النَّارِ وَإِنَّمَا الْأَعْمَالُ بِالْخَوَاتِيمِ
“Ndodhë që njeriu të veprojë një vepër, që i përket banorëve të xhehennemit, ndërsa ai të jetë prej banorëve të xhennetit, dhe ndodh që të veprojë vepër të banorëve të xhennetit, ndërsa ai të jetë prej banorëve të xhehennemit. Me të vërtetë veprat vlerësohen sipas asaj se si përfundojnë.”
Ky hadith, është argument se e ardhmja e lumtur e njeriut në botën tjetër, është varësi e drejtpërdrejtë e rrethanave të vdekjes. Këtë e kanë vërtetuar edhe dijetarët e ymmetit.
Dijetari i madh, Muhamed El-Gaznevij El-Hanefij (v. 593 h) në lidhje me këtë thotë: “Kush vdes me iman ai e ka arritur lumturinë e përjetshme (ألسعادة الأبدية- es-seadetul ebedijjetu), e kush përfundon me mosbesim (Allahu na ruajtë), e ka fituar jolumturinë e përherëshme (ألشقاوة الأبدية - esh-shekavetul ebedijjetu).
Pra, “Lumturia” dhe “jo lumturia” varet prej përfundimit të jetës së njeriut, ndërsa fundi i jetës së njeriut është i caktuar në caktimin ezelij të Allahut të Madhëruar.
I lumturi (ألسعيد – es-seidu), është ai që është caktuar për të qenë i tillë me kaderin (caktimin e paraqenë) dhe kadanë (realizimin e veprës sipas caktimit të paraqenë) të Allahut xh. sh., ndërsa i palumturi (ألشقي - esh-shekijju) është ai që është caktuar për të qenë i tillë me ‘kaderin’ dhe ‘kadanë’ e Allahut.
Allahu i Madhëruar i di të gjitha gjendjet dhe lëvizjet e njerëzve para se ato të ndodhin apo t’i krijojë. Allahu është i gjithëdijshëm për çdo gjë në mënyrën më të detajizuar. Ai i di qëndrimet e njerëzve, si kur është fjala për besimin dhe adhurimin ndaj Tij si kur është fjala për mosbesimin dhe mosadhurimin. Allahu e di se njeriu a do të jetë i lumtur apo do të jetë i palumtur në botën tjetër. Pra, a do të jetë prej banorëve të xhennetit apo banorëve të xhehennemit. Në lidhje me këtë janë transmetuar shumë hadithe. Prej tyre është hadithi i vërtetë, të cilin e transmeton Buhariu nga Ali iben Ebu Talibi r.a. se Resulullahi s.a.v.s. ka thënë:
فَقَالَ مَا مِنْكُمْ مِنْ أَحَدٍ إِلَّا وَقَدْ كُتِبَ مَقْعَدُهُ مِنْ النَّارِ وَمَقْعَدُهُ مِنْ الْجَنَّةِ قَالُوا يَا رَسُولَ اللَّهِ أَفَلَا نَتَّكِلُ عَلَى كِتَابِنَا وَنَدَعُ الْعَمَلَ قَالَ اعْمَلُوا فَكُلٌّ مُيَسَّرٌ لِمَا خُلِقَ لَهُ أَمَّا مَنْ كَانَ مِنْ أَهْلِ السَّعَادَةِ فَيُيَسَّرُ لِعَمَلِ أَهْلِ السَّعَادَةِ وَأَمَّا مَنْ كَانَ مِنْ أَهْلِ الشَّقَاءِ فَيُيَسَّرُ لِعَمَلِ أَهْلِ الشَّقَاوَةِ ثُمَّ قَرَأَ فَأَمَّا مَنْ أَعْطَى وَاتَّقَى وَصَدَّقَ بِالْحُسْنَى الْآيَةَ
“Nuk ka njeri nga ju që të mos ia kishte shkruar Allahu vendin e tij në xhennet ose në zjarr. Një njeri i tha: O i Dërguari i Allahut, atëherë përse të mos qëndrojmë duke u mbështetur në atë që na është shkruar e të mos veprojmë asgjë? Muhamedi s.a.v.s. tha: veproni, sepse secilit i është lehtësuar që të veprojë për atë që është krijuar, të lumturve (xhennetlinjve) u lehtësohet që të veprojnë veprat e të lumturve (xhennetlinjve), ndërsa jo të lumturve (xhehennemlinjve) u lehtësohet që të veprojnë veprat e jo të lumturve (xhehennemlinjve)…”
Përmbajtja e këtij hadithi na qartëson dy çështje:
E para është se gjithëdituria e Allahu e përfsdhinë çdo gjë që ka ndodhur, që ndodhë dhe që do të ndodhë në të ardhmen në pafundësi, krahas asaj se kjo gjithëdituri nuk ka karakter të imponimin e as të ndikimit në veprimet e njeriut, por ka karakter pasqyrues dhe joimponues; dhe
E dyta është ajo që na bënë të mendojmë se njeriu mund të jetë pjesëtarë i besimit islam, por nëse është shkruar në caktimin e Allahut të Madhëruar, që ai të jetë prej të palumturve, atëherë fund i tij do të vijë në këtë përfundim. Dhe e kundërta, njeriu mund të mos jetë pjesëtar i besimit islam, por nëse është shkruar që ai të jetë prej të lumturve, fund i tij do të mbarojë në këtë përfundim.
Pikërisht kjo mundësi e ndërrimit të gjendjes, është ajo që njeriun besimtar e bën të pasigurt në besimin e vet, duke e provokuar për kujdes të shtuar rreth besimit të tij. Në të vërtetë kjo për besimtarin paraqet një indikacion besimor që ai të lutet te Allahu i Madhëruar që fundin e jetës së tij, t’ia mbarojë me iman. Derisa kjo është kështu, atëherë edhe lutja ndaj të vdekurit për një përfundim të këtillë, është një uratë e rëndësishme, madje më e rëndësishme.
Në këtë kontekst, janë më se të njohura lutjet (duatë) e Pejgamberit s.a.v.s., e që e adreson po këtë çështje. Transmeton Shehru bin Havsheb, i cili i ka bërë një pyetje Umi Selemesë, njëra nga gratë e Pejgamberit a.s.: cila ka qenë duaja më e shpeshtë e Pejgamberit a.s. kur ka qenë te ti. Ajo thotë: duaja më e shpeshtë e Pejgamberit a.s. kur ka qenë tek unë ka qenë: يَا مُقَلِّبَ الْقُلُوبِ ثَبِّتْ قَلْبِي عَلَى دِينِكَ -“O Ti që i rrotullon zemrat e njerëzve, përforco zemrën time në fenë Tënde”. Ebu Suleme vazhdon: i thashë: o Dërguari i Allahut përse duaja më e shpeshtë e jotja është “O Ti që i rrotullon zemrat e njerëzve, përforco zemrën time në fenë Tënde”? Ai tha: O Umi Seleme, ajo (rrotullimi i zemrave) nuk është në dorë të njeriut. Ajo është në dorë të Allahut, atë që do e drejton e atë që do e devijon”
Lutja të këtilla, transmetohen edhe prej sahabëve r.a. – shokëve të Pejgamberit s.a.v.s. Më e drejtpërdrejtë nga këto, është ajo që transmetohet nga Omeri r.a., i cili duke bërë tavaf rreth Qabes e lexonte këtë dua:
أللهم إن كنت كتبتني في أهل السعادة فأثبتني فيها و إن كنت كتبتني علي الشقاوة فامنحني و أثبتني علي السعادة
“O Allahu im, nëse e ke shkruar që unë të jem prej njerëzve të lumtur (besimtarëve), më përforco në këtë, e nëse e ke shkruar që të jem prej të palumturve (pabesimtarëve), më transfero (më fal) dhe më përforco në lumturi”



2. Imani është garantuesi i vetëm për shpëtim në botën tjetër

Lutja “Allahu ia pastë falë imanin”, për shkak të rëndësisë që ka imani për njeriun në botën tjetër, paraqet një urtësi të thellë me një kuptim mjaft domethënës.
Në konceptin islam, vlera e jetës së njeriut është e kushtëzuar nga pranimi ose mospranimi i besimit islam dhe i fesë islame në tërësi (Kur’ani, El-A’raf: 179). Njeriu që nuk e ka përvetësuar këtë cilësi, ka humbur rastin sublim dhe e ka devijuar qëllimin e ardhjes së tij në këtë botë. Jeta e ka kuptimin e vet, vetëm me imanin, dhe assesi ndryshe (Kur’ani, Edh-Dharijat:56). Mosbesimi është akti më i shëmtuar që njeriu mund ta bëjë në këtë botë, respektivisht është akti që e rrënon konceptin e mirëfilltë të njerëzisë së njeriut. Çdo vepër e keqe pa marrë parasysh dëmin e saj e ka një derë të sigurtë, që e mbanë të gjallë shpresën, përpos kufrit (mosbesimit), i cili nuk pranon kurrfarë tolerimi e as justifikimi. Përpos kësaj, pra, rrënimit të vyrtytit të mirëfilltë njerëzor, kufri e ka pasojën tjetër të rëndë, atë të ndëshkimit në botën tjetër. Për pabesimtarët, Allahu ka dëshmuar se do të jenë përgjithmonë në dënimin më të rëndë të botës tjetër. Për ta, të cilët vdesin si pabesimtar, as nuk ka falje e as shpëtim. Allahu në Kur’an thotë: “Allahu i ka mallkuar jobesimtarët dhe për ta ka përgatitur zjar të ndezur fortë. Aty do të mbesin përgjithmonë dhe nuk do të gjejnë kë t’i mbrojë apo t’i ndihmojë” (Kur’ani, El-Ahzab:64-65).
Duke llogaritur se çfarë pasoja ka kufri, pra dënimin e rëndë dhe të përjetshëm në botën tjetër; duke patur parasysh atë që është thënë më lartë se njeriu deri në fund të jetës së tij, nuk e ka të garantuar fundin e jetës së vet nëse do të vdes me iman apo jo; pastaj duke e patur parasysh atë që e ka thënë Pejgamberi s.a.v.s. se “veprat vlerësohen sipas asaj se si përfundojnë”, rezultojmë se lutja
“Allahu ia pastë falë imanin”, pra që në botën tjetër të shkojë me iman, bëhet akoma më atraktive dhe interesante. Përse e them këtë?
Këtë e them, sepse, njeriu që e mbaron jetën e tij me iman, është për qëllim imani në kuptimin e mirëfilltë e jo imani formal, pra që e deklaron besimin islam dhe atë nuk e kundërshton me asnjë formë të llojeve të mohimit, sikurse është mohimi i ndonjë çështjeje që konsiderohet prej domosdoshmërive të asaj me të cilën ka ardhë Resulullahi s.a.v.s. (فيما علم مجيئه به ضرورة), apo lejimi i ndonjë mëkati (إستحلال المعصية), qoftë i vogël ai, apo i madh, me kusht që të qenurit e tij mëkat, të vërtetohet me argument të prerë nga bazat e fesë, pa marrë parasysh të bëmat e tij të këqia (mëkatet), pozita e tij në botën tjetër, është e garantuar për shpëtim. Sa i përket mëkateve, çështja e njeriut i nënshtrohet dëshirës së Allahut, nëse do e falë e nëse do e dënon aq sa është vlera e mëkatit. Mirëpo fundi i tij do të jetë në xhennet, për hirë të imanit me të cilin ka dalë nga kjo botë. Dijetarët kur flasin për peshën e imanit në raport me të këqiat e besimtarit, marrin një krahasim. Ata thonë sikur të gjitha të këqiat që mund t’i bëjë besimtari të hedhen në njërën anë të peshojës e imani në anën tjetër, pa dyshim imani do të peshojë më rëndë se të gjitha ato. Pejgamberi s.a.v.s. në një hadith të cilin e transmeton Imam Hakimi nga Muadh bin Xhebeli, thotë:
مَنْ كَانَ آخِرُ كَلاَمِهِ - لاَ اِلَهَ اِلاَّ الله - دَخَلَ الْجَنَّة
“Kush e thotë fjalën e fundit (kush vdes me) La ilahe il-lall-llah – Nuk ka zot tjetër përveç Allahut hyn në Xhennet” .
Deklarimi i imanit dhe moskundërshtimi i tij, është akti madhor që njeriut i mundëson shpëtim në botën tjetër, edhe nëse ka dalë nga kjo botë me asnjë prej zbatimit të obligimeve me të cilat Allahu na ka ngarkuar. Sepse dijetarët kanë thënë vlera e imanit, është aq e madhe sa që nuk mund të shpaguhet me asnjë kundërvlerë. Dijetarët kur flasin për peshën e imanit në raport me të këqiat e besimtarit, marrin një krahasim. Ata thonë sikur të gjitha të këqiat që mund t’i bëjë besimtari të hedhen në njërën anë të peshojës e imani në anën tjetër, pa dyshim imani do të peshojë më rëndë se të gjitha ato.
Kjo nuk do të thotë se të këqiat e tij nuk do ta rëndojnë atë. Jo. Ndonëse kjo është në dëshirën e Allahut. Imam A’dham Ebu Hanife r.h. thotë:
”Nuk themi se besimtarit nuk do t’i bëjnë dëm mëkatet e tij, e as se ai do të hyjë në xhehennem. Dhe as nuk themi se ai do të qëndrojë përgjithmonë në zjarr po qoftë ai edhe mëkatar, vetëm nëse nga kjo botë del (vdes) si besimtar (me iman)”
Ky konstatim bazohet në shumë hadithe të Pejgamberit të cilat qartazi citojnë daljen nga zjarri i xhehennemit dhe hyrjen në xhennet për gjithmonë të atij që e deklaron besimin dhe qëndron i paluhatur në atë. Le t’i citojmë disa prej këtyre haditheve:
مَنْ ماَتَ وَ هُوَ يَعْلَمُ أنَّهُ لاَ إلَهَ إلاَّ الله دَخَلَ الْجَنَّةَ
1. “Kush vdes duke e ditur (besuar) se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, do të hyjë në xhennet.
أتاَنِي جِبْرِيلُ عَلَيْهِ السَّلاَمُ فَبَشَّرَنِي أنَّهُ مَنْ ماَتَ مِنْ أُمَّتِكَ لاَ يُشْرِكُ بِاللهِ شَيْئاً دَخَلَ الْجَنَّةَ . قُلْتُ : وَ إنْ زَنَى وَ إنْ سَرِقَ ، قال : وَ إنْ زَنَى وَ إنْ سَرِقَ .
2. “Më erdhi Xhibrili dhe më solli një lajm të gëzuar duke thënë se kush vdes prej ummetit tënd duke mos i bërë Allahut rival - shok, do të hyjë në xhennet”. E unë i thashë: “A edhe nëse ka bërë prostitucion (zina) dhe nëse ka vjedhur”? Ai tha: “Edhe nëse ka bërë prostitucion dhe nëse ka vjedhur”.
َنْ أَبِي سَعِيدٍ الْخُدْرِيِّ أَنَّ النَّبِيَّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ يُخْرَجُ مِنْ النَّارِ مَنْ كَانَ فِي قَلْبِهِ مِثْقَالُ ذَرَّةٍ مِنْ الْإِيمَانِ
3. “Do të dalë prej zjarrit ai i cili në zemrën e tij ka iman - besim sa grimca e atomit”
أَشْهَدُ أَنْ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ وَأَنِّي رَسُولُ اللَّهِ لَا يَلْقَى اللَّهَ بِهِمَا عَبْدٌ غَيْرَ شَاكٍّ فِيهِمَا
إِلَّا دَخَلَ الْجَنَّةَ
4. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër pos Allahut dhe se unë jam i Dëruguari i Allahut, janë këto dyja që robi, nëse nuk dyshon në ta dhe me ta e takon Allahun, do të hyjë në xhennet.”
Dhe hadithe të tjera.
Prandaj, rëndësia që ka imani për pozitën e njeriut në botën tjetër (ahiret), pa dyshim është ajo që refron lutjen tonë ndaj të vdekurit me rastin e ngushëllimeve me fjalët: “Allahu ia pastë falë imanin”. E, sipas një përkthimi më të përgjithshëm kjo do të thotë “Allahu e shpiftë në xhennet”.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme