Adriani, shtron pyetjen për Katedralen, por, e di se ajo ende nuk ekziston. Në oborrin e shkollës “Xhevdet Doda” gjendet gurthemeli i Katedrales, trualli i cili po përdoret si parking, vend ku po hidhen mbeturinat dhe ku po luajn fëmijët. Nuk e di se a kanë dështuar parashikimet e ideatorëve për ndërtimin e Katedrales katolike “Nëna Terezë” në truallin e caktuar, por ajo që po ngjan rreth saj është shqetësuese.
Mënyra se si është caktuar trualli për Katedralen, imponimi i vënies së gurthemelit, me 26. 08.2005, i cili u bë nën patronazhin e Presidentit të ndjerë dr.I.Rugova, i cili favorizonte fenë katolike, paralajmëronin ndasi dhe kokëçarje. Në këte ceremoni merrte pjesë Kardinali nga Amerika, por jo edhe Myftiu i Kosovës, Mr. N. Tërrnava! Vëllezërit dhe miqtë duhet të janë bashkë gjithnjë. Kot flitej që Katedralja do të jetë simbol i bashkimit, i tolerancës dhe i mirëkuptimit, kur vet institucionet shtetërore e politike praktikisht vepronin kundër këtyre vlerave. Këtë po e dëshmojnë edhe shkrimet e botuara nëpër gazetat shqiptare, sikurse që është edhe gazeta “Java”.
Këto, dhe shumë arsye të tjera, pa dëshirën tonë, po na shtyjnë që të merremi me çështjen e katedrales katolike-politike në Prishtinë.
A.N. thotë: “s’e kuptoj pse prish punë katedralja në Prishtinë ... kundërshtimi i ndërtimit të saj në Prishtinë e dëmton të ardhmen e Kosovës.” Këte nuk e besoj.
Nuk prish punë Katedralja, por njerëzit të cilët fenë dhe “Nënën Tereze” e përdorin për interesa personale dhe politike. E (keq)përdorin fenë katolike në dëm të fesë islame dhe të shumicës shqiptare muslimane. Të gjitha këto veprime dëmtojnë interesat kombëtare të shqiptarëve. Dhe, aty ku ka imponime dhe kushtëzime, nuk ka vend për mirëkuptim dhe tolerancë. Kjo është një arsye më tepër që prish shumë punë.
Mosndërtimi i Katedrales kurrësesi nuk mund të rrezikojë të ardhmen e Kosovës. Procesi i lirisë është i pandalshëm dhe liria natyrshëm i takon edhe popullit shqiptar, anipse është me shumicë muslimane. Në këte rrugë shqiptarët duhet të ecin bashkë.
Kundërshtojmë ndërtimin e Katedrales, e cila do të ndërtohet për një grusht katolikësh (të cilët e kanë një kishë në Prishtinë) në vendin dhe oborrin e një shkolle shqipe, kurse injorohet kërkesa e qytetarëve shumicë për ndërtimin e një Qendre Islame në Prishtinë. Kjo Qendër Islame, përveç shqiptarëve, do t’u shërbente edhe qytetarëve turq, boshnjak, ashkali, egjyptas, etj., që do të dëshmonte rëndësinë e saj.
Pse përkrahësve të Katedrales, qe po na shiten si shqiptarë, nuk iu shkon ndërmend të bëjnë fjalë edhe për interesat fetare të shqiptarëve (vëllezërve) muslimanë?
E kundërshtojmë Katedralen, sepse në emër të saj dhe të Kosovës, shqiptarëve muslimanë po iu ecet me hile. Këto dallime janë të dëmshme, të padurushme, tepër të bezdisshme dhe shumë të rrezikshme për të ardhmen e të gjithë shqiptarëve.
Nuk e di se për cilat vende të lindjes së mesme flet AN., në të cilat s’mund të ndërtohen vepra kultesh alternative, por e di që në Kosovë ka njerëz të kishës katolike të cilët me sytë çel po shohin ëndërra të zeza dhe haptas flasin për konvertime të shqiptarëve muslimanë në fenë katolike. Ne e dimë se çka dmth toleranca ndërfetare tek populli me tri besime.Të vetëdijshëm për këte gjithnjë kemi qenë tolerantë e për paqe, por edhe kjo ka një kufi.
Populli shqiptar (edhe pse politika ldkiste e ka izoluar nga bota islame) ka lidhje të natyrshme shpirtërore me të gjithë popujt vëllezër muslimanë, dhe këto lidhje do të forcohen së bashku me zgjimin islam të të gjithë muslimanëve të botës. Botë në të cilën duhet të këtë liri, demokraci, barazi, drejtësi, paqe dhe ardhmëri për të gjithë njerëzit dhe popujt.
AN. duhet ta dijë se një gjë e këtillë nuk mund të arrihet duke pretenduar që shqiptarët të kthehen mbrapa në sh.XIV me qëllim për të ndërtuar katedrale dhe për t’i konvertuar në fenë katolike
Shqiptarët sot i kanë besimet fetare dhe nuk iu duhen kurrëfarë konvertime të reja, shqiptarëve u duhet emancipim i vërtetë kombëtaro-fetarë. Duhet kuptuar se historia e popullit shqiptar nuk fillon me krishtenizmin. Ajo është shumë më e vjetër.
Ne si njerëz sot duhet të krijojmë kushte më të mira dhe mundësi për secilin njeri besimtar që në fenë e vetë, në tokën shqiptare të zhvillohet e të përparojë dhe të jetë sa më afër Zotit. Kështu populli shqiptar në këte copë Kosovë, do të mund të shërbejë si model i mirë për popujt tjerë muslimanë (qofshin këta të lindjes së mesme) dhe për vetë popujt europianë, për tolerancën fetare dhe identitetin shekullor të shqiptarëve, jo vetëm, musliman. Identitet të cilin po e rrezikojnë përfaqësuesit e kishës katolike-politike dhe përkrahësit e tyre, jo vetem, në Kosovë.
Ardiani në vend që të bëjë fjalë për këtë, ai kritikon shkrimin e Migjen Kelmendit, i cili e paska krahasuar dhe barazuar ndërtimin e katedrales katolike me atë të kishës ortodokse. Kishat janë kisha, por, këto kanë ngjajshmëri edhe për faktin që të dyjat në mënyra të ndryshme iu janë imponuar qytetarëve të Prishtinës.
Askush nuk ka thënë që katolikët nuk janë në shtëpi të vet. Por, kjo vlen edhe për qytetarët tjerë ortodoksë, etj. Tokën Zoti e ka krijuar për të gjithë njerëzit.
Duhet thënë haptas se kisha katolike sot është më e rrezikshme për ne, se sa ajo serbe, sepse kjo po kërkon konvertimin e shqiptarëve muslimanë në fenë katolike. Po dihet se çka mendon kisha pravosllave për Kosovën, por prej tyre kurrë nuk mund të presim pavarësinë. Por, nuk kemi pritë që kisha katolike të mundohet të na bëjë kurbanë në emër te interesave të katolicizmit politik. Secili besimtar i mirë duhet të jetë edhe patriot .
Adriani thotë: Katolikët e Kosovës janë jo ma pak shqiptarë sesa pjesa tjetër e popullsisë, janë në shtëpi të vetë e duan çka u takon, ...”
Në këtë mënyrë nuk është e mundur të matet shqiptarizmi, por mjafton të themi se vetë prezenca e shumicës muslimane i dëshmon vlerat kombëtaro-fetare dhe forcën e cila është garancë për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës. Kosovës në të cilën feja zyrtare do të duhej të ishte feja islame. Katolikët nuk mund të jenë një grusht i të priviligjuarve që t’iu plotësojmë të gjitha dëshirat të cilat prishin harmoninë ndërfetare të shqiptarëve. Më e drejtë do të ishte sikur të ndërtohej një Qendër Islame e Kosovës, të cilës do t’i përshkruhej shtetësia me karaktere islame, sesa një katedrale me shumë pak besimtarë katolikë, karakteri i shtetit të krishterë. Besoj se kjo nuk do të rrezikonte përkatësin europiane të popullit shqiptar. Faktet janë kokëforta, së bashku me realitetin kosovar, realitet në të cilin shumicës i takon të garantojë pakicat.
Sa i përketë ndihmave të kishës katolike që i ka dhënë popullit të Kosovës në kohën e luftës dhe mbas saj, çka na përkujton Ndreca, këtë askush (sidomos M.Kelmendi) nuk e ka injoruar. Askush nuk mund të harrojë ndihmën politike dhe atë ushtarake të popujve miq të Kosovës. Populli shqiptar është popull shumë mirënjohës. Por këto ndihma nuk duhet të kushtëzohen për qëllime tjera
Nëse besimi është çështje e ndërgjegjes dhe kurkush nuk ka të drejtë me cenue dhe me gjyku ndërgjegjen e të tjerëve, sikurse cek Adriani, atëherë shtrohet pytja: A ka dikush të drejtë për të keqpërdorur ndërgjegjen e besimit për qellime tjera?
I ndjeri Mark Sopi, si ipeshkvi i Kosovës (tre muaj para se të vëhej gurthemeli i katedrales në Prishtinë) para Komitetit të Kongresit Amerikan, mes tjerash thotë: ”Katolikë kanë qenë edhe muslimanët e Kosovës ... sot kanë nostalgji për fenë e të parëve (në krishtërim) dhe nuk është çështje e vështirë prapë të kthehen në te, sepse sot kemi këso raste të tilla të konvertimit dhe ky fenomen po rritet dita ditës. Duhet t’u ndihmohet në këte ndergjegjësim fetar.”
Shumë e çuditshme, a po?
Çfarë ndërgjegje është kjo dhe a ka nevojë të komentohet kjo veprimtari antiislame dhe antikombëtare? Si mund të luhet kështu me fatin e popullit shqiptar? Si mund të keqpërdoret ndryshe liria fetare dhe demokracia?
Çka mund të presin diçka të mirë shqiptarët e besimit islam nga një ipeshkv i tillë? Asgjë! Pse krerët e kishës katolike pranuan të shkojnë në Amerikën mike pa përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës? Kësaj i thuhet që nën petkun e fesë në emër të Zotit t’i përçajsh shqiptarët dhe t’i sherbejsh Djallit. A ka diçka më të keqe?
Ne sot jemi muslimanë të cilët e njohim dhe e duam fenë tonë. Edhe pse nuk mund të lavdërohemi me të kaluaren islame, ne jetojme në tokën tonë ku islami frymëzon dhe inspiron shumicën e popullit shqiptar me tepër se 6 shekuj. Populli shqiptar do t’i del zot kombit, por do t’i qendrojë gjithmonë besnik fesë islame, sepse në Kur’an thuhet: “Te Zoti fe (e vërteta dhe e pranuara) është vetëm Islami” (3:19). Për ne kombi dhe feja janë një tërësi e pandashme, janë krijesa të Zotit.
AN. i inspiruar nga krerët e kishës katolike thotë: Për me ndertue një kishë në Kosovë mjafton që kosovarët katolikë ta duan një gjë të tillë ...”
Po, pse vetëm për një grusht katolikësh po vlejka ky rregull, kurse jo edhe për miliona shqiptarë muslimanë? A ja vlen që për kisha e kryqe të rrezikohet toleranca ndërfetare uniteti dhe interesi i populli shqiptar?
AN., në lidhje me debatin e qytetarëve, thotë se populli në Kosovë ka zgjedhur përfaqësuesit e vetë të denjë, të cilëve u ka besuar një mandat në pushtet ...”
Nuk më besohet se ata janë të denjë. Atje po lulëzon korrupcioni dhe keqpërdorimet e ndryshme të mafijave. Këtë me mirë e dinë qytetarët e Prishtinës. Sa i përket mandatit të besuar, kjo nuk dmth se ata duhet të keqpërdorin pushtetitn dhe besimin e dhënë nga populli. Prandaj reagimet (jo sa duhet) janë prezente dhe të arsyshme.
Adriani na flet për ndërtimin e xhamive në Europën e krishterë, por harron të cekë pse kjo nuk po ngjan në Prishtinë dhe në Tiranë, kryeqendra të banuar me shumicën shqiptare të besimit islam? Janë shqiptarët europianë apo nuk janë?
Ndërtimet e tyre në Europë kanë shumë dallim nga kishat katolike-politike në Kosovë.
Pse katedralja katolike, në një mjedis me shumicë muslimane, paska rëndësi për Prishtinën, për Kosovën ... dhe mbarë botën, sikurse kishte deklaruar Kardinali Mc Carrick, kurse një Qendër Islame jo? Çka dmth ky favorizim i njërit besim, dhe për çfarë qëllime po bëhet kjo? Pse po heshtin ata të cilët janë të obliguar të flasin?
Xhamijat e ndërtuara në Europë (e as në Kosovë) nuk kanë pretendime armiqësore ndaj besimtarëve të krishterë, për t’i konvertuar në fenë islame.
Se çfarë qëllime kanë krerët e kishës katolike dëshmon rasti i ndërtimit të Kishës katolike në fshatin Kuqishtë të Pejës, një vend në të cilin nuk ka asnjë besimtar katolik. Argat i kishës katolike-politike ishte bërë edhe prefekti i Pejës, Lajci. Kurse Ndue Kajtazi, famulltar i kishës Shën Ndou në Gjakovë, thotë: “pas ndërtimit të kishës mbi 80 përqind të rugovasve do të konvertohen në fenë katolike” (Lajm 20.07.05). Fyerje te rënda dhe provokative për muslimanët. Si mund të durohen këto?
Që është edhe meë keq, këtyre punëve djallëzore po u shërbejnë edhe disa pseudointelektualë. Dr.Mujë Rugova në intervistën e tij në gazetën “Lajm” (5 gusht 2005), përkrahë dhe nxitë që edhe zonat e tjera shqiptare të ndjekin shembullin e Kuqishtës, në luftën e kryqëzatave katolike të shek. XXI. Të nxisësh luftë fetare tek shqiptarët sot, kur Kosova është në prag të shpalljes së pavarësisë, kjo nuk është mençuri por fanatizëm fetar dhe varfëri shpirtërore intelektuale. Dr.M.Rugova na flet për misionarë të paguar të Sadamit, Gadafit dhe Arafatit. Kjo është një propagandë më e fëlliqur se ajo serbe, dhe dëshmon se autori i tyre, njeri (me titullin e doktorit të shkencave) por i pa kurrëfar ndjenje përgjegjësie për fjalën e thënë publike. Ku e çojnë popullin shqiptar të këtillët?
Në shërbim të kujt janë ndërtuesit e kishave katolike-politike dhe kush i paguan?
Është për t’u brengosur që edhe në Shqipëri ka tendenca të këtilla. Atje besimtarët ortodoksë po e kryqëzojnë harmoninë fetare me anë të ngritjeve të kryqeve. Ishte rasti në Elbasan, qytet me shumicë të besimit musliman, dhe rasti në rrethin e Sarandës ku u ngrit një kryq prej betoni me lartësi prej mbi pesë metra. (“Bota Sot”, shtator 2004).
Kush na qenka Shan Zefi që paska të drejtë të insistojë për të ndërtuar katedrale katolike në vendin ku gjendet gjimnazi “Xhevdet Doda”, në qendër të Prishtinës? Pse kjo nuk vlen edhe për përfaqësuesit e besimit islam?
Kosova nuk është Francë, dhe as Prishtina Paris. Pasi kjo dihet, atëhere pse po zbatojnë dhunë psikike mbi shqiptarët muslimanë? Është hipokrizi dhe mashtrim i ideatorëve të Katedrales kur thonë se, ajo mund t’i shërbejë tolerancës dhe mirëkuptimit, kur po dihet që prej fillimit kjo kishte shkaktuar nervozizëm, përçarje dhe moskuptime të mëdha midis njerëzve. Kishte eksplodim të granatës. Me të tillë njerëz nuk mund të ndërtohet e nesërmja e Kosovës?
Adriani thotë: “Mendoj se shumica muslimane e shqiptarëve e din fort mirë se nderi dhe nami i Islamit nuk mbrohet tue cenue kishat katolike, prandaj nuk besoj se në gjinin e besimtarëve tolerantë ka me pas vend për idena që janë të importueme prej jashtë”.
Është e drejtë e secilit të mendojë si të dojë, por shumica muslimane as që ka pasë e as që ka pretendime për të cenuar kishat katolike. Kisha katolike është ajo e cila po e cenon Islamin...
Nacional-Katolicizmi
Sado me qenë njeriu demokrat dhe tolerant, nuk mundet me qenë indiferent kur lexon:
“Sepse gjeografikisht, historikisht, kulturalisht, me shekuj dhe fetarisht jemi të krishterë”, thotë Dom L. Gjergji. Kjo është një genjeshtër. Si është e mundur që ky njeri i kishës t’i “gëlltitë” 6 shek.të kulturës, traditës dhe historisë islame në Kosovë? Ky është aktivitet i nacional-katolicizmit, të udhehequr nga priftërinjtë katolikë, të cilët me politikën e tyre, nën petkun fetar, po e helmojnë frymën tolerante vëllazërore të shqiptarëve të ushqyer dhe kultivuar në shekuj. Nuk është e njerëzishme që në emër të lirive fetare të luftojsh fenë e të tjerëve. Popullit shqiptar kurrësesi nuk i duhet një katolicizëm i tillë.
Sa i përket humbjes së përkrahjes së miqëve, kjo aspak nuk ka të bëjë me kundërshtarët e ndërtimit të Katedrales. Nëse kërkohet ndonjë përgjegjësi, atëherë këte duhet kërkuar tek organet udhëheqëse të Kosovës dhe tek ato ndërkombëtare.
Në emër të Katedrales prej fillimit është manipuluar. Për të arsyetuar ndërtimin e saj është (keq)përdorur edhe emri i humanistes “Nëne Terezës”, sikurse edhe i Gjergj Kastriot-Skenderbeut. Kjo është kuptuar shumë mirë dhe me kohë.
Adriani, si përkrahës i katedrales katolike, i ka dhënë të drejtë vetvetes edhe për t’i zbuluar “fytyrat e vërteta të islamit”. Alitë, Islamat, Bajramat e Mehmetat, të cilët i përmend ai, mund të jenë muslimanë vetëm me emra. Në Islam nuk ka besim pa vepra, dhe vepra pa besim. Ata të cilët e injorojnë vetvetën nuk kanë dinjitet fetar.
Adriani dhe muslimanët e tij duhet të përgjigjen: Pse shqiptarë ortodoksë e kanë katedralen në Tiranë, kurse muslimanët nuk e kanë një Qendër Islame. Pse shqiptarët katolikë e kanë katedralen e tyre në Tiranë, kurse shqiptarët muslimanë nuk e kanë Qendrën Islame?? Pse shqiptarët me rastin e festave të Bajramit të falen jashta xhamisë, në oborre dhe nëpër rrugë në asfalt në kohë të ftohta, në shi ... ? Ku është ndërgjegja?
Pse nënçmohen dhe pse përbuzen shqiptarët muslimanë?
Më ka befasuar Haxhi Dedë Bardhi, Kryegjyshi botëror i bektashive, i cili kishte pranuar që të nënshkruhej në Letrën e hapur të 32 intelektualëve shqiptarë, dërguar institucioneve të Kosovës, ku kërkohej të ndërtohet katedralja katolike në Prishtinë. Edhe ky nuk brengoset për vëllezërit e vetë muslimanë në Shqipëri, por për fatin e katedrales katolike-politike në Prishtinë. Çka i thuhet kësaj: patriotizëm, fetarizëm apo politikë e keqe? Është kjo për t’u qeshur apo për të qarë?
Kësaj nuk mund t’i thuhet tolerancë dhe atdhedashuri, por me tepër dyfytyrësi ndaj fesë islame dhe ndaj shqiptarëve muslimanë. Kjo nuk mund të mshifet.
Uroj që gjatë vitit të ardhshëm faktorët politikë, fetarë dhe intelektual shqiptarë të merren sinqerisht dhe moralshëm me punët të cilat u takojnë dhe mos të shkaktojnë huti, urrejtje dhe përçarje...
Falun, 29.12.2006