MOS E SHANI KOHËN

Në fillim të sjellim hadithin, i cili transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë:

 

 “Mos e shani kohën, se me të vërtetë Allahu është koha”;

Ky hadith gjendet në: -Sahih-un e Buhari-ut, kitabu`l Edebi, bab: la tesubbud-dehre, 5713; -Sahihu`l Muslim, kitabu el-Elfadhu mine`l edebi ve gajriha; 2246; -Musnedu`l Imam Ahmed,  9972 dhe 21601; -Sunen ebi Davud, kitabu`l edebi; bab: fi rexhulin je subbu-dehre, 5274.

Ky Hadith shumë është marrë nga armiqtë tanë dhe është interpretuar se Zoti është koha, se koha është e barabartë dhe e vjetër me Zotin, se koha nuk është e krijuar, siç pandehnin natyralistët dhe filozofët.

Por vallë, si duhet muslimani ta kuptoj këtë hadith?

 

Ky hadith bën pjesë në hadithet Muteshabiha (të dy kuptimta) dhe nuk lejohet të komentohet, sepse është e pamundshme që të definohet saktësisht qëllimi i tij; pasi hadithi është me kuptim metaforik e nuk mund të kuptohet direkt nga teksti por duhet të shikohet qëllimi. Dhe duhet theksuar se hadithet e Pejgamberit a.s. nuk duhet përkthyer tekstualisht sidomos kur ka të bëj me tekstet muteshabiha. Pra, përkthimi kuptimor i hadithit është "mos e shani kohën se unë jam Krijuesi i kohës". Nuk mund të themi se koha është sikur Zoti apo të jetë zot, pasi Zoti është pa fillim dhe pa mbarim, ndërsa koha ka fillimin e vet. Zoti është krijues i kohës, kurse koha është e krijuar dhe nuk është e krijuar vetvetiu. Apo të themi se Zoti është i barabartë me kohën dhe Zotin e përfshin koha, që del se Zoti është i krijuar siç është koha e krijuar, gjë që është e pamundur. Këto komente dhe interpretime janë nga ata që nuk e kanë kuptuar Qenien e Zotit.

Po ashtu, Buhari-u dhe Muslim-i transmetojnë prej Ebu Hurejres se i dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: ”Allahu i Madhërishëm thotë: Biri i Ademit më fyen kur e shan kohën, e në fakt Unë jam koha, e ndërroj natën dhe ditën”. Kuptimi i këtij hadithi është se injorantët në kohën e injorancës thoshin: Qoftë e mbrapshtë koha, na u bë kjo e kjo. Pra, veprat e Allahut të Madhërishëm ia veshin kohës dhe e shajnë atë. Ndërkaq, realisht këto gjëra i bën Allahu xh.sh.. Për këtë, u ndalua sharja e kohës. Kështu e ka komentuar këtë hadith Ibn Kethiri në tefsirin e tij.

Kurse sipas imam Nevevi-ut thotë se ky hadith ka kuptim alegorik dhe shkaku i tij është se arabët e kanë pasur shprehi që të fyejnë kohën në raste mjerimi, fatkeqësie dhe nga ndodhitë e këqija që ju kanë ndodhur, si humbja e pasurisë, pleqëria apo vdekja, e në këso raste thoshin: “Oj koha e mjerë!”, e pastaj është thënë ky hadith për tu tërhequr vërejtjen, që mos e shani Krijuesin e fatkeqësive, pra, mos e shani kohën.

Sipas Shafii-ut dhe Ebu Ubejdes, kur arabët e shanin kohën, ata kanë sharë Krijuesin e asaj kohe, pra nuk janë pajtuar me Kaderin e Zotit, sepse bërësi i fatkeqësisë është Allahu e nuk është koha, e për këtë e ka ndaluar sharjen e kohës.

Hattabiu ka thënë: “Kjo do të thotë që unë jam pronari i kohës dhe udhëheqësi me gjërat të cilat kanë të bëjnë me kohën. Sipas kësaj, ai i cili e shan kohën për atë pse ajo e bënë atë dhe e bartë, ai në këtë mënyrë do ta shan Krijuesin e vet, i Cili e ka krijuar atë, d.m.th. kohën”.

Ibni Kajjim el-Xheuzijje thotë: “Në këtë ndalesë (në sharjen e kohës) përfshihen tri rreziqe të mëdha. Rreziku i parë, është sepse shahet ajo që nuk e meriton sharjen, sepse koha është njëra nga krijesat e nënshtruara të Allahut xh.sh. e cila i nënshtrohet ligjeve të Tij dhe e cila është e përulur. Prandaj, sipas kësaj, ai i cili e shan kohën, domosdoshmërish duhet të shahet dhe të urrehet.

Rreziku i dytë, është sepse ajo sharje në vete përmban shirk, sepse ai i cili e shan kohën, e shanë atë për shkak se mendon që ajo atij i sjell dëm dhe dobi. Përveç kësaj, sharësi në të njëjtën kohë, është edhe dhunues, sepse i bënë dëm atij që nuk e meriton atë, i ka dhënë ndokujt diç që nuk e meriton atë, ia ka ndaluar dikujt diç, që nuk e meriton që ajo t`i ndalohet. Koha te ata që e shajnë atë është dhunuesi më i madh. Kështu shumë të paditur janë kategorik në mallkimin dhe nënçmimin e saj (kohës).

Rreziku i tretë i sharjes së kohës, është ajo sepse sharja e tyre ka të bëj me Atë i Cili e ka krijuar rrethanën kohore, sikurse e vërteta t`i pasonte epshet e tyre, do të zhdukeshin qiejt e toka. Andaj, për shembull, nëse koha do të ishte në përputhshmëri me epshet dhe dëshirat e tyre, atëherë ata do ta lavdëronin dhe do ta lartësonin atë... Andaj, në të gjitha këto, koha nuk ka asnjëfarë ndikimi. Sipas kësaj, sharja e kohës në të vërtetë është sharja e Allahut xh.sh. prandaj të sharët e kohës, e shqetëson Allahun.

Pra, sharja e kohës, sillet në mes dy mundësive, njëra prej tyre ka të bëj me atë i cili e shanë. E para, ai i cili e shanë kohën e shanë Allahun, ndërsa e dyta që ai me atë sharje bën shirk, sepse nëse është i bindur që koha së bashku me Allahun, kanë ndikim mbi jetën, atëherë ai në të vërtetë është mushrik (politeist), por nëse është i bindur që vetëm Allahu e jep kohën edhe përkundër kësaj, ai e shanë Atë i Cili e ka dhënë kohën, atëherë ai në të vërtetë e ka sharë Allahun”. (Ibni Kajjim el-Xheuzijje, “Zadul-Mead”, vëll.2, fq.345-347)

 

Kuptimi i termit “Dehër-kohë”

 “Ed-dehru” d.m.th. kohë, epokë, periudhë, i përhershëm, i amshuar. Fjala Dehrun në Kuran përmendet 2 herë (në suren Xhathije, 24 dhe Insan, 1). Disa komentues kanë deklaruar se emri “dehr” i cekur në hadith është një ndër emrat e Zotit prandaj thotë mos e shani kohën se “ed-Dehru” jam Unë, kurse sipas komentit të imam Muslimit “Dehrun” nuk është nga emrat e Zotit. Emrat e Allahut janë të gjithë të bukur, sepse përmbajnë domethënie të përkryera, bëhet e ditur që (الدهر – Ed-dehru) "koha", nuk është prej emrave të Allahut. Kjo fjalë (koha) nuk përmban domethënie të bukur dhe të përkryer që të jetë prej emrave të Allahut dhe sepse “Ed-dehru” është emër i kohës, koha është e krijuar, ajo është – ”kalimi i ditëve dhe i netëve”. Allahu xh.sh. thotë në Kur’an për mohuesit e ringjalljes: "Ata thanë se kjo nuk është gjë tjetër vetëm se jetë e kësaj bote, vdesim e ngjallemi dhe nuk na shkatërron (zhduk) vetëm se (Ed-dehru) koha." Këtu bëhet fjalë se shkatërruese është “ed-dehru” e cila është: “kalimi i ditëve dhe i netëve”. Ndaj –“Ed-dehru” (koha), nuk ka ndonjë domethënie të bukur, të përkryer që të jetë emër prej emrave të bukur të Allahut. Për sa i përket hadithit të Profeti s.a.v.s, ku thuhet se Allahu i Lartësuar ka thënë: "Më bën keq Mua biri i Ademit (më shan, nuk më lartëson, pastron, dëlirëson nga të metat), ai e shan kohën kur Unë jam koha. Në dorën time është komandimi dhe rregullimi i çështjeve. Unë bëj ndryshimin e natës dhe të ditës”.

Ky hadith nuk tregon se koha është prej emrave të Allahut. Ajo që shanin disa nga bijtë e Ademit, është: “koha në të cilën ndodhin ngjarje të ndryshme dhe e cila përbëhej nga kalimi i ditës dhe i natës”. Të gjitha këto janë të krijuara prandaj fjala e Allahut në hadith "…Unë jam koha..." - është shpjeguar me fjalët që kanë ardhur pas saj - "…në dorën time është komandimi dhe rregullimi i çështjeve, Unë bëj ndryshimin e natës dhe të ditës.".
Allahu me fjalën “koha ed-dehru” ka pasur për qëllim; “ Unë jam krijuesi i kohës, bëj ndryshimin e ditës dhe të natës.”. Në hadith, koha është përshkruar si diçka që ndryshon dhe rrotullohet. Allahu nuk mund të jetë Ai që ndryshon dhe rrotullohet, por Ai që bën ndryshimin dhe rrotullimin. Të gjitha këto fakte, tregojnë se koha nuk është prej emrave të bukur të Allahut.

 

Koha

Allahu xh.sh. është një Qenie që ka krijuar edhe materien edhe kohën, por në të njëjtën kohë është i pavarur prej të dyjave; astrofizikani i njohur Hugh Ross thotë: “Nëse fillimi i kohës është në konkurrencë me atë të universit, sipas teoremës së hapësirës, atëherë shkaku i krijimit të universit duhet të jetë ndonjë Qenie që vepron me një dimension kohor plotësisht të pavarur nga dimensioni kohor i kozmosit edhe që ka ekzistuar para tij, ky konkluzion na tregon se Zoti nuk është vetë universi dhe nuk është pjesë përbërëse e tij”.

Por, koha ka një cilësi të ngjashme me Zotin, e ajo është se është e pa mundshme të kuptohet se çka është koha, është diçka për të cilën nuk ka vend mendja e njeriut, dhe se në shikim të parë koha duket si pa fillim dhe pa mbarim; Koha është çështje e ndërlikuar për të cilën njeriu nuk ka aftësi të arrin të kuptoj se çka është koha, njeriu të vetmen gjë që ka arrit rreth kohës është matja e saj, pra zbulimi i orës, kurse më andej nuk ka mundur të hulumtojë mendja e njeriut.                                                                                       Allahu xh.sh. çdo kund në kur`an kur është betuar, është betuar në diçka që ka shumë vlerë, e një ndër ato betime në të cilat betohet Zoti është koha, kjo është sureja el-Asr në ajetin e parë. Koha nuk duhet të shahet nga vlera e madhe që ia ka dhënë Zoti, sepse Zoti nuk toleron asnjë krijesë të shahet, e leje më ato në të cilat është betuar Zoti. Apo është sikur ti betohesh në diçka, e dikush e shanë atë në të cilin betohesh.

 

Sharja e kohës

 

Koha është e krijuar nga Allahu, e si krijesë e Zotit, nënkuptohet që nuk duhet të shani krijesën e Tij; dhe Zoti ndalon që të shahet pa marrë parasysh se çfarë krijese bëhet fjalë, siç thotë një fjalë e urtë: “respektoje krijesën për hir të Krijuesit”, pasi sharja e kohës nënkupton sharje indirekte të Zotit, kur e shan krijesën e Zotit, e shan Krijuesin, nëse dikujt ia ofendon veprën, e ke ofenduar autorin. Allahu xh.sh. e ndaloi sharjen në tërësi, e kur njeriu shahet, ai do të shaj ndonjë krijesë, e Zoti nuk do që ti shahet krijesa, por pasi nuk i cek që të gjitha krijesat mos shahen, e ka zgjedhur kohën për vlerën e madhe që ka dhe Zoti thirret nëpërmes saj se Unë jam Koha.

 

Pra, nëse shahet koha duke pasur për qëllim sharjen e krijuesit të kohës, është shirk, por nëse e shajmë kohën duke mos pas qëllim Zotin, edhe kjo është haram pasi besimtari duhet të bëj durim, e nëse vetëm themi oh, kohë e nxehtë apo kohë shumë ftohtë, me këtë nuk gabojmë asgjë.

 

Mos e shani kohën, se të shahet koha është sikur të shash kaderin (përcaktimin) e Zotit, pasi njeriu shan diçka apo e shanë kohën kur nuk është i kënaqur nga diçka që e ka goditur, kjo faktikisht është mospajtim me kaderin, pra, ka lidhje të ngushtë me kaderin e Zotit.

 

Dehrijunët

 

Sipas disa dijetarëve thuhet se ky hadith aludon në atë që mos shahet koha sepse ka njerëz të cilët e adhurojnë kohën siç janë Dehrijunët apo natyralistët, e nëse ju e shani kohën, atëherë edhe ata do t`ua shajnë juve Zotin tuaj, prandaj nuk lejohet, duke u bazuar në ajetin: “Ju mos ua shani ata (zota) që u luten (idhujtarët) pos Allahut, e (si hakmarrje) të fyejnë Allahun nga armiqësia, duke mos ditur (për madhërinë e Tij)... (En-am; 108). Pasi ata e kanë ngritur kohën në nivelin e Zotit, kur ata me gojët e tyre deklaronin se: “Nuk na shkatërron asgjë pos kohës” (Xhathije, 24), ata thonë se pasi nuk ka Zot, e koha është zoti i vetëm i cili na zhduk.

 

Koha si krijesë e Zotit

Allahu xh.sh. kur e krijoi kohën, edhe atë ia atribuoi Vetes, nuk toleroi që dikush ta shajë atë, por assesi nuk nënkuptohet se koha si krijesë është e barabartë me Të, pasi në shumë vende në Kuran, hasim në ajete, që aludojnë në nxitjen e besimtarit për ndonjë vepër, por në fakt jo se Zoti është i varur nga ajo vepër apo krijesë. Siç është p.sh. ajeti: “O besimtarë, nëse ju ndihmoni Allahun, Ai u ndihmon juve...” (Muhamed:7). Këtu jo se Zoti kërkon ndihmë nga besimtarët, por i nxit që ta mbrojnë fenë e Allahut xh.sh.  Apo siç është hadithi i Pejgamberit s.a.v.s. ku interpreton fjalët e Zotit: “Unë isha i uritur e ti nuk më ushqeve! Njeriu thotë: po si të ushqej kur Ti je Zoti i botave....Unë isha i sëmurë e ti nuk më vizitove...” etj, fjalë të ngjashme me këto, pra, jo se Zoti ka nevojë, por pjesa e cila i referohet diçkaje, tregon Zoti se ai send ka vlerë, si ndihma ndaj besimtarëve, ndihma ndaj fesë, dhënia ujë udhëtarit, vizita e të sëmurëve, të ushqyerit varfanjakët, pra, Zoti i përshkruan sikur njeriu është duke ia bërë të mirën direkt Zotit edhe pse ai ia bën të mirën njerëzve, pra, edhe koha ka një vlerë të veçantë te Allahu, prandaj edhe Zoti thirret me të. Kur te njerëzit e përparuar vlerësohet aq shumë që mos humbin as një sekondë, atëherë edhe ma shumë e vlerësojnë kohën si tërësi e jo më ta shajnë. Raste të tjera në kuran kemi edhe shumë si p.sh. xhamisë apo Qabes i thuhet Bejtullah (shtëpia e Zotit) jo se Zoti ka nevojë për shtëpi, (Haxhxh;26) apo se Ai rri dhe jeton në xhami, por nga vlera që ka, Zoti e ka emërtuar ashtu, po ashtu thotë: “E Pejgamberi atyre u pat thënë: “Kini kujdes devenë e All-llahut (Nakatallahi)...” (Shems 13), pra, deveja është deve, por nga vlera që ka, është quajtur Deveja e Zotit, “Ibadallah” (rob të Zotit) (Safat 40); “Resulullah” (I Dërguari i Allahut)  (Ahzab 40), apo “Ruhilah” (Jusuf 87), fjala “jukridullahe” në (Bekare 245), ose në “juharibunallahe” (Maide 33); “Ardullah” – toka e Zotit (A`raf, 73), e shumë ajete të tjera, ku në to tregohet vlera e madhe që ka e jo se Zoti ka nevojë për të.

 

Përfundim

Ky hadith i Pejgamberit a.s. është ngushtë i lidhur me besimin e muslimanit, duhet theksuar se kjo ka të bëj me akiden (me themelet e besimit Islam) dhe assesi nuk guxojmë qe Allahun Fuqiplotë ta cilësojmë me atë se është kohë apo se ai është i barabartë me të, se kjo kundërshtohet me fillet dhe normat e pakontestueshme të besimit Islamit. Por njerëzit në bisedat e tyre të përditshme e përdorin një formulim të fjalëve të tilla, ku edhe shpesh thonë se koha e keqe ka ardhur, apo koha është ashtu, do të thotë shumë gjëra që ndodhin nuk ia atribuojnë Allahut por kohës, dhe Allahu i Madhërishëm thotë se nuk ka koha fuqi të bën diçka, por Unë jam Ai që bëjë, pra Unë e kam dhënë kohën, Unë jam koha, nëpërmjet shfrytëzimit të kohës në vepra të mira, arrin tek Unë. Pra, nëse e shfrytëzojmë kohën si duhet, do të arrijmë në mëshirën e Allahut xh.sh.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme