Sapo i bëra një koment frontespicit të revistës TIMES, me titull ERDOGAN’S WAY dhe mendova të dal me këtë shkrim natyrisht më të kompletuar se komenti.
Së pari, le t’ia japim hakun Qezarit ashtu siç e meriton. Revolucioni Francez dhe Rilindja Evropiane i futën në gji botës moderne në shpërgenj gjarprin ateizëm, në thelb të të cilit kishte ateizëm, anarki, revolucion, proletariat, komunizëm, nazizëm, anarko-sindikalizëm – të gjitha këto të karakterizuara nga neveria ndaj gjithçkaje të arsyeshme dhe njerëzore – dhe, më në fund, demokraci me këtë gjarpër në gji, për pasojë, fatalisht të parealizueshme! Natyrisht, duke krijuar edhe lidershipin (perënditë pagane), edhe lumpenin (veglat qorre) përkatës!
Por unë dua të përqëndrohem dhe sa më shkurt në historinë e Turqisë dhe aktualitetin e saj, sepse kjo temë nuk konsumohet dot as me vëllime të tëra.
Perënditë pagane dhe veglat e tyre futën kokën në perandorinë osmane qysh në kohën e Tanzimatit. Atëherë, perandoria botërore qindravjeçare s’ishte më tjetër gjë veçse një “i Sëmurë i Bosforit” siç e thërrisnin ata me gëzim të madh! Perënditë pagane i përgatitën veglat e tyre plangprishëse në Francë, pastaj i futën në Turqi si kuaj të Trojës duke ua bërë të qartë se si duhej ta shpëtonin vendin (lexo: ta përgatitnin për t’u gëlltitur prej tyre). Rinisë iu injektua në shpirt pasioni i anarkisë, jo kultura e demokracisë, e pluralizmit, e konkurrencës politike dhe e votës së lirë. Ja, tek e shohim me sytë tona sot se si zbresin rrugaçët dhe anarkistët e të gjitha ngjyrave në sheshin e betejës duke e nxjerrë mllefin e pamundësisë së vet në rrugën paqësore, mbi gurët e trotuareve, xhamat e dyqaneve, makinat e qytetarëve, etj. duke krijuar përshtypjen se aty kanë kaluar hordhi vandalësh prehistorikë! Më e keqja është se tani ata përkrahen nga intelektualë me tituj profesorësh dhe artistësh të cilët i kanë të mbushura shpirtrat, përveç ideologjive të vjetra të përbindshme, edhe me mllefin e verbër antiislam.
Këtë rrugë përshkoi demokracia e brishtë turke gjatë rreth 80-90 vjetësh qysh nga dita kur zgjuarsia e Ataturkut mundi të krijonte republikën turke me ç’mund të shpëtohej nga hirërat e ish shtetit gjigant. U bënë grushte shteti, u përmbysën me forcë qeveri legjitime të dala nga votat e lira, u shpërndanë parlamente, u var një kryeministër dhe një tjetër, partia e të cilit kishte dalë e para në zgjedhjet e lira, u detyrua të jepte dorëheqjen pas një fushate gjigante diskreditimi, etj. Më në fund, erdhi dita që si kryebashkiak i metropolit të bëhej një djalosh energjik i dalë nga lagjet e varfra të zonës Kasëmpasha: Rexhep Tajjip Erdoğan! Ai që do t’ia sillte ujin atij farë metropoli i cili më 1994 nuk kishte ujë as për të larë duart! Por ai kishte një “minus” të madh: kishte mbaruar një shkollë të mesme fetare, gjë që perënditë pagane as e kanë honepsur dot gjer më sot, as kanë për ta honepsur dot kurrë! Janë pikërisht ata intelektualë që kanë mbushur sot sheshet e Taksimit duke kërkuar diçka që s’e dinë as vetë, duke u dhënë mbështetje “legjitime” me logjikë foshnjarake, por edhe në mënyrë të ndërgjegjshme, rrugaçëve dhe anarkistëve, por, më në fund, edhe duke e përplasur kokën pas rrugës së re të qeverisë së Erdoğanit të mbështetur në funksionimin e institucioneve legjitime të shtetit!
“The Erdogan’s Way” – “Rruga e Erdoğanit”, një rrugë demokratike, paqësore dhe legjitime, e ka ngritur sot Turqinë në shkallët më të larta të zhvillimit ekonomiko-kulturor duke e bërë, njëkohësisht, vendin e vetëm në botë që s’u prek nga kriza financiare globale!
Mirëpo kjo ka zgjuar tërbimin e perëndive pagane, një nga institucionet e të cilave është Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilit Turqia e Erdoğanit ia mbylli dyert. Një institucion tjetër i këtyre perëndive, Parlamenti Evropian, nxori, ditët e fundit, një vendim ku dënonte qëndrimin “antidemokratik” të Turqisë (posaçërisht Erdoğanit) ndaj ngjarjeve të Parkut të Shëtitjes, pa e ndarë shapin nga sheqeri! Edhe qytetari më i thjeshtë pyet: “More zotni, po kush je ti që nxjerr vendime për Turqinë? Ti shih veten tënde, Greqinë e të tjera si ajo! Ti ndodhesh me Turqinë vetëm në fazën e negociatave!” Parlamenti Evropian i përgjigjet me mendjemadhësi: “Po unë jam nga perënditë pagane të Olimpit!” Dhe qytetari i thotë: “Shko, atëherë, atje ku e ke vendin, në gërmadhat e Akropolit mbi Athinë!”