Mospajtimet në mes Iranit dhe botës arabe në fillim ishin më tepër të karakterit nacional se sa fetar. Kështu mund të përshkruhet periudha e perandorit iranian Reza Pahlavit, ndërkohë që periudha pas Revolucionit Islamik e Ajatullah Humejnit e vitit 1979 do të merr karakter fetar. Ishte hera e parë në kohën më të re, që Iranit po i jepej rasti të jetë prijës i Botës Islame. Për këtë edhe bëri çmos që ta shrijë ndikimin e vet kudo në vendet islame. Por, aty ku dëshironte ta bënte më së shumti ishte Egjipti. Në Egjipt ishte themeluar shteti i parë shiit i Fatimijëve gjatë viteve ( 969 – 1171 ). Mirëpo, Egjipti për shkak të një miqësie të kahershme ndaj Pahlavit, ishte i martuar me princeshën Fevzije, motrën e mbretit Faruk të Egjiptit. Në momentin kur ai ra nga pushteti, aleatët e tij perëndimorë nuk i siguruan qoftë edhe vend strehimi për të dhe familjen e tij. Për të Egjipti ishte vendi i vetëm, në krye të cilit ishte presidenti i atëhershëm, Muhamed Enver Es-sadat, i cili e strehoi, por për një hap të tillë atij iu desh t’i ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me Teheranin dhe regjimin e Humejnit.
Kështu pra ardhja në pushtet e Lëvizjes Islamike e “Vëllezërve Myslimanë” në Egjipt, pas Revolucionit të 25 janarit të vitit 2011, për Teheranin ishte një lajm i gëzueshëm, për realizimin e interesave të tij në një vend ku përveç tjerash gjenden një numër i konsiderueshëm i monumenteve shiite. Për këtë pra dhe hapi i parë që ndërmori Teherani ishte nënshkrimi i marrëveshjes për shkuarjen e turistëve iranian në mënyrë të organizuar në Egjipt. Kjo marrëveshje ishte e mirëseardhur për Egjiptin në kohën kur numri i turistëve nga bota është reduktuar në maksimum për shkak të gjendjes jo stabile pas revolucionit të 25 janarit të vitit 2011.
Marrëdhëniet e acaruara dhe humbjen e besimit në mes sunitëve de shiitëve më së miri e ilustron, analisti iranian, Ataallah Muhaxherani, në të përditshmen saudite, “Asharqal Avsat”, të datës 13 mars, i cili e përshkruan përvojën e qëndrimit të tij të shkurtër në Kajro. Në rrugën time për në pjesën e vjetër të Kajros në lagjen Han el-Halili mora një taksi, shoferi i të cilit më pyeti se a mos isha irakian. Unë ia ktheva , jo unë jam iranian. Pastaj më pyeti me një theks pak sa të lartë: sunit apo shiit? Ia ktheva: unë jam mysliman! Mirëpo ai ma ktheu: shiitët nuk janë mysliman ! Iu përgjigja: unë jam mysliman, besoj në profetin Muhamed, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të. Ai ma ktheu: mirëpo ai ishte profet sunit!.
Kështu pra vazhdoi diskutimi ynë, që herë pas here ishte i nxehtë dhe i ashpër, gjatë rrugëtimit tanë prej aeroportit e deri në lagjen e Kajros së Vjetër në Han el-Halili, gjatë së cilës unë u përpoqa ta bind bashkëbiseduesin tim se shiitët janë myslimanë dhe se unë jam mysliman po ashtu.
I njëjti refren i taksisistit të nesërmen u përsërit në hotelin e vjetër “Vindsor” në rrugën “Mbreti Fuad i Parë” ku pas sa e sa peripecish mezi sa gjeta një dhomë. Në mëngjes u zgjova dhe shkova të pijë çaj në verandën e hotelit ku po pinin çaj një numër i madh i njerëzve. Pranë meje ishte ulur një njeri në moshën mesatare. Hyra në bisedë me të, duke e përshëndetur me përshëndetjen tradicionale islame. “Esselamu alejkum !” Po ashtu e njoftova edhe me përkatësinë time kombëtare. Në fytyrën e tij u shfaqen disa emocione. Kuptova se filloi të mendojë diçka dhe me një herë më pyeti: “A je sunit apo shiit ?” Iu përgjigja:”unë jam mysliman !” Ma ktheu: “A është kjo përshëndetja e juaj?” Për të vazhduar: “Mirëpo, shiitët nuk janë mysliman”! Megjithatë, unë vazhdova diskutimin tim me këtë të ri, i cili quhej Ebu Bekr, deri në orën 11 të paradites. Në fund më puthi dhe më tha: “Dashtë Allahu që në një të ardhme të afërt të bëhesh sunit, sepse ti paske njohuri për Kur’anin”!.
Bashkëbiseduesi im pastaj vazhdoi: “Mirëpo, shiitët nuk besojnë në Kur’an e as në profetin, përveç kësaj ata ofendojnë shokët e profetit si dhe Aishen, njërën prej grave të profetit”. Kurse unë iu përgjigja: “Shiitët besojnë në Kur’an, mirëpo secili vend dhe secili popull ka ekstremistët e vet”. Po ashtu pyeta nëse ka dëgjuar për njërin nga komentet më të mirë të Kur’anit, autor i të cilit është dijetari i madh iranian Tabatabai. Ky koment mbështet në tre aspekte: filozofik, mistik dhe komenti i haditheve . Po ashtu e pyeta nëse ka njohuri se afër 500.000 ekzemplarë të Kuranit shtypen në Iran për çdo vit, të cilët janë identik me ekzemplarët e Kur’anit që shtypen në Egjipt si dhe në vendet tjera islame.
Për këtë njerëzit e fesë, qofshin ata sunitë apo shiitë, duhet të japin kontributin e tyre për afrimin e besimtarëve të dyja grupeve për tejkalimin e këtyre problemeve të rrezikshme, të cilat janë prezentë në shoqërinë myslimane. Njerëzit e fesë kanë përgjegjësi para Allahut për jetët e myslimanëve të pafajshëm, të cilët bien viktima të përçarjeve sektare si në Irak, Afganistan, Pakistan si dhe në vende tjera, sepse këta njerëz janë viktima të injorancës. Andaj, duhet ta dimë se vrasësit dhe individët, të cilët marrin aksione vetëvrasëse janë njerëz të rëndomtë, nga se ata janë të bindur se në atë mënyrë ata janë në shërbim të kauzës së tyre. Për këtë është obligimi i dijetarëve t’i korrigjojnë mendimet e tyre ndaj Islamit.
Andaj, ashtu siç thotë Muhamed Arkuni, ne kemi nevojë për “humanizimin dhe racionalizimin e Islamit më tepër se asnjë herë më parë”. Apo ashtu siç thotë Jusuf el-Kardavi ne kemi nevojë për “selefizmin e mistikëve dhe misticizimin e selefijve”. Është obligim i dijetarëve tanë t’i kundërvihen këtij ekstremizmi dhe fundamentalizmi, sepse kultura urrejtjes dhe e keqkuptimit do të jetë shkatërrimtare për të gjithë ne.