Biografia e Kadi Ebu Bekr ibn el-‘Arabi el-Maliki (468-543 H)

Ebu Bekr ibn el-Arabi el-Maliki

 

Kadi Ebu Bekr ibn el-‘Arabi (468-543 H / 1076-1148) al-Meʿafirī, al-Isbili, i lindur në Sevilla në vitin 1076, ishte gjykatës (kadi) dhe dijetar i fikhut Malikij nga el-Endelusi. Është transmetuar që ai ka qenë nxënës i Huxhet-ul-Islam el-Gazaliut për ca kohë. Ai ishte ekspert në fikhun Malikij. Babai i tij ishte nxënës i Ibn Hazmit, ndonëse ky e konsideron atë të devijuar. Një biografi e detajuar në lidhje me të është shkruar nga bashkëkohësi i tij Kadi Ijjad, kadiu dhe dijetari i famshëm malikij nga Ceuta (vd. 1148).

Ibn el-‘Arabi iu përkushtua studimeve të tij, dhënies mësim dhe shkrimeve. Shkollimi i hershëm i Kadi Ebu Bekrit i ishte kushtuar Kur’anit. Ai u bë hafiz në moshën nëntë vjeçare dhe kaloi tri vite duke thelluar njohuritë e tij të Kur’anit, duke i rritur (njohuritë e tij) duke studiuar Arabishten dhe matematikën. Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare ai dinte dhjetë kiraete të ndryshme me të gjitha rregullat e recitimit të lidhura me to. Kjo ishte themeli mbi të cilin dija e tij e madhe është bazuar.

Ai shkroi shumë libra, në disa fusha të ndryshme, përfshirë hadith, fikh, usul, akaid, shkencat Kur’anore, letërsi, gramatikë dhe histori.

Në të gjitha tridhjetë e pesë veprat shkruhet që janë prej lapsit të Kadi Ebu Bekrit (dmth, të shkruara nga vet ai), duke përfshirë çdo aspekt të dijes së tij të pasur dhe duke shfaqur thellësinë e tij në çdo fushë të dijes. Fatkeqësisht, vetëm disa prej tyre janë ende në ekzistencë dhe ato më së shumti njihen prej përmendjeve (referencave) që i kanë bërë autorët tjerë për to. Ai është i njohur për tefsirin e tij të madh të Kur’anit, që i mori njëzet vite për ta shkruar, ishte në tetëdhjetë vëllime, dhe ishte në ekzistencë disa shekuj pas vdekjes së tij. Dy prej librave të tij mbi Kur’anin, përdoren ende çdo ditë nga mijëra musliman anembanë botës – vepra “Ahkam el-Kur’an” dhe Nasih we’l Mensuh në Kur’an. Këto dy libra tregojnë natyrën e lidhjes së Kadi Ebu Bekrit me librin e Allahut.

Është e qartë që ai, si Sahabët dhe gjithë muslimanët e mëdhenj para tij, e ka parë Kur’anin së pari si burim të veprave. Ai nuk e ka parë atë si diçka që duhet studiuar në mënyrë akademike, por si burim praktik i udhëzimit, që duhet vazhdimisht të futet aplikohet dhe praktikohet në çështjet e përditshme të komunitetit musliman. Pra të dy këto tekste janë tërësisht të orientuara në veprime, duke na treguar si ajetet Kur’anore mundet, dhe duhet zbatuar në jetët tona, dhe duke na treguar dallimin në lidhje me ato ajetet që nuk duhet vepruar pas tyre, sepse ato janë zëvendësuar me tjera të cilat duhet [pasuar].

Ai ndërroi jetë (në udhëtim) gjatë kthimit të tij prej Marrakeshit, një ditë para se të arrinte në qytetin Fes. Shoqëruesit e tij e bartën trupin e tij në qytetin e madh të dijes dhe ai u varros jashtë Bab el-Mahruk në 7 Rebiu’l-Ewwel 543 H, që korrespondon me 25.7.1148. Allahu e pastë mëshiruar atë dhe ia mbushtë varrin e tij me dritë dhe bekime dhe i dhuroftë atij një pozitë të lartë në Xhenet.

a) Veprat e tij:

  • Akti i interpretimit (Kanunu Te’wil).
  • Dispozitat e Kur’anit (Ahkamul Kuran).
  • Dritat e agimit (Envarul Fexhr).
  • Ajetet anuluese (abroguese) dhe te anuluarat (abroguarat) (En-nasih we’l-Mensuh).
  • Pishtarë mbi shpjegimin e Muwattas së Imam Malikut r.a (El Kubsu fi Sherhi Muveta Malik).
  • Gjërat që të mbrojnë nga sprovat (Avasim minel Kavasim).
  • Aftësia e argumentimit mbi shpjegimin e Sunenit të Tirmidhiut (Aridatul Ahvedhi).
  • Rrugët drejtë Muwettasë se Imam Malikut (Mesalik ala Muweta Malik).
  • Drejtësia në çështjet e polemikave (El Insafe fi mesail el Hilaf).
  • Fisnikët e zgjedhur (E’janul A’jan).
  • Përmbledhës në shkencën e Usulit (El Mahsul fi Usuli Fikh).
  • Libri i dijetarëve të Kelamit (Kitabul Mutekelimine).
  • Komenti i dy sahihëve (Sherh Sahihajn).
  • Hadithet Muselselat.
  • Hadithet (Shtatëshe).
  • Koment hadithit “Nena e Zer’a-së” (Sherh Hadith Umu Zer’a).
  • Shpjegim Hadithit të Xhabirit për ndërmjetësimin (Sherh hadith Xhabir fi Shefa’ah).
  • Shpjegim hadithit të “ifkit”.
  • Libri ku takohen Buhariu dhe Muslimi (Musahafet Buhari we Muslim).
  • Problematikat misterioze në Kur’an dhe Hadithe (Mushkilu Kur’ani we Hadith).
  • Problematikat dhe ndalesat (En Davahi ve Navahi ).
  • Mesazhi (letra) e shenjës (Risaletu el Gurreh).
  • Piedestali mbi emrat dhe cilësitë supreme të Allahut (Emedul Aksa bi Esmail Lahi el Husna ve Sifatihil Ulja).

b) Mësuesit e tij:

Ka dëgjuar (mësime dhe transmetime) në Andaluzi (vendlindje) nga babai i tij Ebu Muhamed Abdullah ibn Muhamed ibn Abdullah ibn ‘Arebij dhe daja i tij Ebu’l-Kasim el-Hasen el-Hewzenij, poashtu nga Ebu Abdullah Es-Serkustij, nga el-Hafidh Ebu el-Mudhafer Abdurrahman ibn el-Kasim esh-Sh’abij el-Malikij, nga Ebu Xh’afer ibn Ahmed ibn el-Hasen ibn Ahmed ibn el-Hasen el-Kada’ij, si dhe nga fekihu malikij i njohur Ebu Bekr Et-Tertushij el-Malikij. Babai i tij ishte nga shokët më të ngushtë të Ibn Hazm Dhahiriut, kurse i biri Ebu Bekri, ishte nga kundërshtarët më të mëdhenj të atij, dhe njihej me qëndrimet e renda dhe sulmet e ashpra ndaj tij. Doli në udhëtim për në lindje për të marrë dituri duke e shoqëruar babai i tij, dhe ra qark tërë qyteteve të famshme siç janë Bagdadi, Aleksandria, Kajroja, Damasku, Horasani, etj. Kthimi i tij për në vendlindje ishte kah viti 491 H.

Prej daljes së tij nga Andaluzia, ai viziton qytetin Bexhaja (qytet bregdetar në Algjer), aty merr dituri nga Ebu Abdullah el-Kela’i, e pastaj viziton qytetin el-Mehdije (poashtu në Algjer), aty merr dituri nga Ebu’l-Hasen ibn el-Haddad el-Hawlani, pas një rruge të largët arrin në qytetin e Aleksandrisë, e aty merr dituri nga dijetari i kohës Ebu’l-Hasen Ali ibn el-Musheref ibn el-Muslim el-Enmati, me të zbritur në Egjipt (Kajro), ai u takua me dijetarët e kohës njëri ndër më të njohurit ishte Ebu’l-Hasen el-Hul’ij, nga të cilët mori dituri në lëmi të ndryshme. Gjatë vizitës në tokat e Shamit, në Damask, u takua dhe mori dituri nga shumë dijetarë të kohës ndër ta ishin edhe Ebul-Fet’h Nasr el-Makdesij dhe el-Hafidh Ebu Muhamed ibn el-Ekfani Hibetullah Ahmed ibn Ahmed. Me zbritjen e tij në tokën e Kudsit, ai përfitoi dituri nga el-Hafidh Mekij ibn Abdus-Selam Ebu el-Kasim Er-Remili el-Makdesij, ku gjatë udhëtimit për andej, nga mundimet e rrugës së largët, ndërroi jetë babai i tij, dhe e varrosi atje. Pasi kreu haxhin në tokat e shenjta, ai mori dituri edhe nga ulematë me famë të asaj kohe në tokat e Hixhazit. Në Meke u takua dhe mori dituri nga Ebu Abdullah el-Husejn Et-Taberiu, nga Ibn Talha dhe nga Ibn Bendari. Me arritjen e tij në Bagdad, u takua me ulematë e mëdhenj të kohës, si Huxhetul Islam Ebu Hamid et-Tusi el-Gazali dhe Imam Ebu Bekr esh-Shashi. Poashtu takohet edhe me Hatib Et-Tebrizijn nga i cili mori letërsi arabe, si dhe shumë të tjerë.

c) Nxënësit e tij:

  1. El-Kadi ‘Ijjad,
  2. Ebu Zejd Es-Suhejli,
  3. Ebul-Hasen Abdurrahman ibn Abdullah ibn Ahmed, el-Al’lameh el-Endelusij el-Malikij,
  4. Ebu Zejd Abdurrahman ibn Muhamed ibn Jahja el-Gumerij,
  5. Abdurrahman Ibn Hubejsh el-Kadi,
  6. El-Hafidh Muhamed ibn Abdullah ibn Jahja ibn Ferexh el-Xhed el-Fehrij,
  7. Muhamed ibn Abdullah ibn Muhamed ibn Abdullah ibn el-Arebij (djali i tij), e shumë të tjerë…

Vullnet Mehmeti, Drilon Gashi, Fatih Ibrahimi

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme