Shejh ul-Islam Ibn Haxher el-Askalani (773-852 H)

430921_10151152535682455_2137070513_n

 

Familja e Ebu’l-Fadl Ahmed ibn Haxherit[1] e ka origjinën në krahinën e Kabisit në Tunizi. Disa anëtarë të familjes së tij u patën vendos në Palestinë, të cilën e lanë përsëri pasi u ballafaquan me kërcënimin e kryqëzatave, ndërsa ai është lindur në Egjipt në vitin 773, i biri i dijetarit shafi’ij dhe poetit Nuredin ‘Ali. Të dy vdiqën gjatë fëmijërisë së tij, dhe ai më vonë e lavdëron motrën e tij të madhe, Sitt el-Rakb[2], për sjelljen si “nëna e tij e dytë”. Të dy fëmijët mbeten në kujdestarinë e vëllait të gruas së parë të babait të tij, Zekiuddin el-Kharrubi, i cili e futi Ibn Haxherin e ri në një shkollë Kur’ani (kuttab) kur arriti moshën pesëvjeçare. Aty ai shkëlqeu, duke memorizuar tërë Suren Merjem në një ditë të vetme, dhe duke vazhduar me memorizimin e teksteve, si, veprën Muhtesar të Ibn el-Haxhibit në Usul. Gjatë kohës që ai shoqëroi el-Harrubiun në Mekke në moshën 12 vjeçare, ai ishte mjaftueshëm kompetent sa për të udhëhequr namazin e teravive në qytetin e shenjtë, ku ai kaloi shumë kohë duke studiuar dhe duke përkujtuar Zotin në mes të thjeshtësisë së shtëpisë së Harrubiut, Bejt el-‘Ajna’, dritarja e të cilës ishte me pamje nga Guri i Zi. Dy vite më vonë, kujdestari i tij ndërroi jetë, dhe shkollimi i tij në Egjipt iu ngarkua dijetarëve të hadithit Shemsuddin ibn el-Kattanit, i cili e futi atë në kurset e mbajtura nga dijetarët e mëdhenj të Kajros el-Bulkini (vd. 806) dhe Ibn el-Mulakkinit (vd. 804) në fikhun Shafi’ij, dhe Zejnuddin el-‘Iraki (vd. 806) në hadith. Pas kësaj ai e pati të mundur të udhëtoj në Damask dhe Jerusalem, ku studioi nën Shemsuddin el-Kalkashandin (vd. 803), Bedruddin el-Balisiun (vd. 803) dhe Fatime bint el-Menxha el-Tanuhijje (vd. 803). Pas një vizite tjetër në Meke dhe Medine, dhe në Jemen, ai u kthye në Egjipt.

Kur ai arriti moshën 25 vjeçare u martuar me brilanten Anes Hatun, asokohe 18 vjeçare. Vetë ajo ishte një eksperte hadithi e pavarur, me ixhaze (diplomë autorizimi) nga Zejnuddin el-‘Iraki, dhe në prezencën e burrit të saj, u mbante ligjërata publike grumbujve të Ulemave (dijetarëve) në mesin e të cilëve ishte edhe Imam es-Sahavi. Pas martesës, Ibn Haxheri u vendos në shtëpinë e saj ku ai jetoi deri kur ndërroi jetë. Shumë veta kanë vënë re si ajo sillej rreth të moshuarve, të varfërve dhe të hendikepuarve, të ndihmuarit e të cilëve ishte kënaqësi dhe privilegj për të. Aq shumë u përhap reputacioni i saj për shenjtëri saqë gjatë periudhës pesëmbëdhjetë vjeçare sa ishte vejushë, periudhë të cilën ajo e shfrytëzoi për vepra të mira, ajo mori propozim martese nga Imam ‘Alamuddin el-Bulkini, i cili konsideronte se martesa me një grua me aq shpirtmirësi dhe bereqet do të ishte burim i lartë krenarie.[3]

Me tu vendosur në Egjipt, Ibn Haxheri dha mësim në shtëpizën sufiste (hanikah) të Bejberve për afër njëzet vite, dhe pastaj në shkollën e hadithit e njohur si “Dar el-Hadith el-Kamilijje”. Gjatë këtyre viteve, ai herë pas here ka shërbyer si gjyqtar shafi’ij në Egjipt.

Ishte në Kajro kur Imami shkroi disa prej librave më të dobishme të shtuara ndonjeherë bibliotekës së civilizimit Islam. Prej këtyre janë el-Durar el-Kamina (fjalor biografik me figurat kryesore të shekullit të tetë), një komentim mbi dyzet hadithet e Imam en-Neveviut (një dijetar për të cilin kishte respekt të veçantë); Tahdhib el-Tahdhib (një shkurtim i veprës Tehdhib el-Kemal, enciklopedisë së transmetuesve të hadithit nga el-Mizzi), el-Isabe fi temjiz es-Sahaba (fjalori biografik më i përdorur i sahabëve), dhe Bulugh el-Meram Min Adilet el-Ahkam (në fikhun shafi’ij).

Ibni Haxheri nisi detyrën e madhe të grumbullimit të (veprës) Fet’h el-Bari në vitin 817. Filloi si seri e diktimeve formale për studentët e tij të hadithit, pas së cilës ai e shkroi atë me dorën e tij dhe e qarkullonte kapitull për kapitull nëpër nxënësit e tij, të cilët e diskutonin me të një herë në javë. Me përparimin e punës dhe me rritjen e famës së autorit të saj, bota islame shfaqi një interes për veprën e re. Në vitin 833, i biri i Timurit, Shahruhi, i dërgoj një letër sulltanit Memluk, Eshref Bersbeut duke kërkuar disa dhurata, përfshirë një kopje të Fet’h ul-Barit, dhe Ibni Haxheri e kishte të mundshme t’ia dërgonte tre vëllimet e para. Në vitin 839, kërkesa u përsërit, dhe vëllime tjera i janë dërguar, deri kur, gjatë sundimit të el-Zahir Xhakmakut, i tërë teksti është përfunduar dhe një kopje komplete është dërguar. Ngjashëm, sulltani Maroken Ebu Faris ‘Abd el-‘Aziz el-Hafsi kërkoi një kopje para kompletimit. Kur u përfundua, në muajin Rexhep të vitit 842, një festim i madh u mbajt në një vend të hapur afër Kajros, në praninë e Ulemave, kadijve (gjykatësve) dhe personazheve udhëheqës të Egjiptit. Ibn Haxheri u ul në një platformë dhe lexoi faqet e fundit të veprës së tij, dhe pastaj poetët recituan eulogji dhe u shpërnda ar. Një historian thotë, që ky festim, ka qenë “festimi më i madh atë epokë në Egjipt”.[4]

Ibni Haxheri ndërroi jetë në vitin 852. Funeralin e tij e ndoqën ‘pesëdhjetëmijë njerëz’, përfshirë sulltanin dhe halifin; ‘edhe të krishterët u mërziten’. Ai mbahet mend si një njeri i sjellshëm, i shkurtër, i hollë dhe mjekër-bardhë, një tifoz i shahut dhe kaligrafisë, i dhënë shumë pas bamirësisë; ‘i mirë me ata që i bënë dëm, dhe falës për ata që kishte mundësi t’i ndëshkonte’[5] Një jetë e tërë afërsi me hadithin e ka mbushur atë përplot me dashuri të thellë për të Dërguarin (s.a.v.s.), siç tregohet më së miri në poezinë e mbledhur në Divan. Disa rreshta mjaftojnë për ta shfaqur këtë[6] {është hequr nga përkthimi}.


Përktheu: Fatih Ibrahimi

Shkëputur nga libri “Selections from the Fath al-Bari…”, përkthyer nga Abd el-Hakim Murad.

[1] Këto detaje janë marrë prej Muhammed ibn Ahmed ibn Ijas, Beda’i el-Zihir fi waka’i el-duhur (Kairo: el-Haj’a el-Misrijje el-‘Ammeli’l-Kitab, 1404/1984), II, 268-70; Jusuf ibn Taghribirdi, el-Menhal el-Safi we’l-mustewfa ba;d el-wafi (Kairo, el-Haj’a el-Misrijje el-‘Ammeli’l-Kitab, 1984), 19-23; Shemsuddin es-Sahavi, el-Daw’ el-Lami’ li-ehl el-kam el-tasi‘ (Kajro: Mektebet el-Kuds, 1353), III, 36-40; Aftab Ahmed Rahmani, ‘The life and Works of Ibn Hajar al-‘Asqalani [Jeta dhe veprat e Ibn Haxher el-‘Askalanit] , Islamic Culture 45 (1971), 203-212, 275-293; 46 (1972), 75-81, 171-178, 265-272, 353-362; 47 (1973), 57-74, 159-174, 257-273. Vepra e Rahmanit është nxjerrë kryesisht prej një dorëshkrimi të Imam Sahaviut për biografinë e Ibn Haxherit, el-Xhewahir we’l-Durer.

[2] Emri i saj ‘e bija e shalës’, i është dhënë asaj kur është lindur gjatë një udhëtimi për në Hixhaz.

[3] Rahmani, IC 46 (1972), 353. Atë kohë Anes Hatun ishte në të shtatëdhjetat e saj.

[4] Ibn Ijas, 207.

[5] Ibn Taghribirdi, 23.

[6] Diwan Ibn Haxher el-‘Askalani, bot. Sejid Ebu’l Fazl (Hyderabad, n.d.), 16. Ky botim përdor dorëshkrimin origjinal të ruajtur në Bibliotekën Kombëtare të Egjiptit

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme