Në Turqinë e trazuar të kësaj vere plot turbullira, e tronditur prej ndërhyrjeve online të një Vëllai të Madh gjithnjë e më invaziv, kërkohen shpjegime të arsyeshëm, me shpresën e gjetjes së pikës ku ka nisur gjithçka. Që nuk është ajo që imagjinon shumëkush: domethënë përplasja mes dy frymave në vend: nga njëra anë laikët, shumë prej të cilëve vazhdojnë të ushqejnë nostalgji për intransigjencën Qemaliste; nga ana tjetër islamikët, shumë prej të cilëve duan një peshë më të madhe të fesë në jetën politike. Një interpretim bindës i asaj që po ndodh është më shumë social se sa politik. Një politolog turk e ka shpjeguar situatën me një thjeshtësi mahnitëse: “Në dekadën e fundit, politikat ekonomike të AKP (partia e Erdogan) kanë transformuar Turqinë në një shoqëri ku klasa e mesme është bërë shumicë. Është rritur cilësia e jetës, është frenuar varfëria, ka patur rritje ekonomike. Por tani klasa e mesme kërkon respektimin e të drejtave individuale dhe ngre për partinë në qeverisje pyetjen se si të përcaktohet demokracia”.
Forca e klasës së re të mesme turke në fakt e ka modifikuar antropologjikisht shpërndarjen tradicionale në territorin e një popullsie të përbërë. Eshtë një fenomen që ndërthuret me urbanizimin masiv të mrikro-sipërmarrësve, tregtarë të vegjël dhe profesionistë të anadollit dhe një juglindje shumë periferike, që kanë braktikur siguritë bujqësore dhe provinciale për të kërkuar fatin mbi të gjitha në Stamboll, të joshur prej tentakulave të një qyteti të mrekullueshëm, të cilit nuk i ka rezistuar as Dan Brown në librin e tij të fundit, Ferri.
Arti i rregullimit
Turqit kanë qenë gjithmonë mjeshtra në artin e rregullimit, edhe kur vendi jetonte në varfëri të përhapur duke lënë të fryhet kasta e miliarderëve që të gjithë i njihnin dhe i respektonin, dhe shumëkush u shërbente. Pak më shumë se 10 vjet më parë, kur një kafe kushtonte një milion e gjysmë lira turke, një e përditshme një milion, dhe inflacioni arrinte në 70%, ndihej një lloj fatalizmi i përhapur. Ndonjë vëzhgues thoshte, me një pothuajse racizëm, se “turqit janë një popull modest dhe i bindur, udhëhequr nga liderë të nivelit të lartë, sidoqoftë më i lartë se ai i popullit”. Për nivelin e lartë të liderëve ka shumë për të kundërshtuar, por e sigurtë ka qenë gjithmonë bindja e njerëzve: një bindje që megjithatë dukej si bijë e tolerancës me të cilën konsideroheshin biznesi dhe trafiqet. Në fshatra, pranë kufijve me Gjeorgjinë, armëninë, Iranin, Irakun dhe sirinë është shumë i përhapur, pothuajse dominues një respekt natyror për fenë, mbi të gjitha kur feja ushqehet me poezi. Kulti i Dervishit, që në një farë kuptimi është si një murg, duket vërtetë ndriçues. Dervishi është një person i mençur që jeton në varfëri, duke u përshtatur me thjeshtësinë, pastërtinë, dhe i shkëputur nga materializmi dhe dobësitë e tjera njerëzore.
Mutacion antropologjik
Por është e qartë që sot, me mutacionin për të cilin flitej e që ndoshta është në zanafillë të revoltës për pemët në Parkun Gezi, objektivi i thjeshtë për një jetë të qetë është atakuar nga paraja, nga pasuria e re dhe nga një vetëdije e re.
Pasi është arritur kënaqësia ekonomike, tani klasa e mesme kërkon më shumë liri, ushqyer prej imazhit të vendit fitues. Një imazh që propagandohet nga vetë kryeministri Erdogan. Por kryeministri, padyshim shumë i aftë dhe karizmatik, është shumë arrogant për të kuptuar tërësisht papranueshmërinë: në fakt është e vështirë të lidhësh rikthimin në konservimin social (dhe fetar në kuptimin islamik) më të ngurtë, me kapitalizmin absolut, dhe me një politikë të jashtme ekumenike dhe pajtuese, mbi të gjitha me botën arabe. Duhet nisur nga strategjia e re turke: “Asnjë problem me fqinjët” dhe të kuptosh përse “Turqia aspiron për statusin e fuqisë globale, duke shfrytëzuar kolokacionin e saj gjeopolitik si dhe aftësinë e saj të rrezatimit kulturor dhe zhvillimit ekonomik bazuar në marrëdhëniet speciale me fqinjët, të trashëguara nga perandoria otomane”.
Turqia refuzon ende testin e ndërgjegjes mbi të kaluarën e saj, duke nisur nga genocidi armen, që në mos ishte genocid, është njësoj sikur të ishte vëllai binjak. Një vëlla që mund të quhet edhe masakër sistematike, kryer në vitet e shpërbërjes së perandorisë. Megjithatë brezi i ri, i lodhur nga dogmat, është gati të diskutojë. Me armeninë jo vetëm ka nisur shkrirja, por po shkohet drejt normalizimit. Festuar, nëse mund të thuhet kështu, nga presidentët e dy vendeve në fushën e futbollit, gjatë kualifikimeve për botërorin 2010, pasi kishin rënë në të njëjtin grup.
Me gjigandin iranian, Ankaraja kë një raport të dyfishtë: e përkëdhel dhe ia ka frikën. Zgjedhja e Hasan Rohanit mund të përmirësojë klimën politike mes dy republikave, por mbetet gjithnjë problemi i pakicës kurde. Kurdët, të ndarë në katër vende (Siri, Irak dhe Iran e Turqi) kanë një ëndërr për momentin të parealizueshme, domethënë shtetin e tyre, por ndjekin një objektiv më realist, atë të shumicës autonome.
Eshtë e qartë që kurdët e Irakut, një tjetër vend fqinj me Turqinë, jo vetëm janë autonomë, por në Bagdad janë aktorët e vërtetë të pushtetit. Dhe janë sponsorët e parë të kurdëve sirianë, të cilëve regjimi i Assad u ka dhënë shumë liri për të mos hapur një tjetër front. Është e qartë që për Turqinë objektivi parësor ishte të arrihej një kompromis i pranueshëm me kurdëtr e saj, kushtëzuar nga PKK, lëvizja revolucionare e udhëhequr nga Abdullah Ocalan, që po vuan dënimin në ishullin e Imrali, në detin Marmara. Armëpushimi, i shpallur nga Oçalan pas shumë tratativave me qeverinë e Ankarasë, ishte një dhuratë e rëndësishme për erdoganin: erdhi pikërisht në ditët kur, falë ndërmjetësimit të Obamës, u lehtësua disi tensioni mes Turqisë dhe Izraelit.
Fuqi rajonale.
Janë shumë të veçanta dhe interesante marrëdhëniet mes Turqisë dhe Bullgarisë, pavarësisht shekujve të pushtimit otoman. Sa për të filluar, në Bullgari jeton një pakicë myslimane me origjinë turke, që politikisht shpreh një forcë të respektuar politike, pothuajse gjithmonë vendimtare në formimin e qeverive që kanë pasuar njëra tjetrën pas rënies së regjimit komunist të Teodor Zhivkovit. Regjim që nuk respektonte të drejtat njerëzore të askujt, aq më pak ato të pakicës myslimane. Deri në atë pikë sa udhëheqja vendosi të vcazhdojë me sllavizimin e emrave bullgarë me origjinë turke. Sot, përfaqësuesit e lëvizjes janë natyrisht në qeveri, në mbështetje të socialistëve që kanë drejtimin. Megjithatë, ka diçka tjetër që bashkon turq e bullgarë: tërheqja prej levantinizmit. Edhe në vitet më të këqinj të diktaturës komuniste, në vend kishte treg të zi dhe trafiqe që regjimi i toleronte. Duke ndjekur rregullin e një kompromisi të heshtur: bindje në këmbim të tolerancës. nëse dikush ishte i bindur, mbyllej njëri sy, ndonjëherë edhe të dy. Prandaj në Bullgari ndiheshe më i lirë se sa në Rumaninë e Çausheskut.
Një kapitull më vete i takon Greqisë. Shkëmbimi i popullatave në vitet 20 të shekullit që kaloi, ishte padyshim i dhimbshëm, por krijoi kushtet për paqen. Grekët megjithatë nuk kanë harruar mbi 400 vite pushtim, dhe mbi të gjitha në nivel popullor ndjenja e armiqësisë ka mbetur. Por që sot, në dallim me 20 vite më parë, brezat e rinj i shohin vuajtjet e një të kaluare të largët me më shumë ftohtësi. Mes Greqisë dhe Turqisë polemikat janë të shumta: duke nisur nga çështja e qipros, ishull i ndarë, me një pjesë turke që bota nuk do që ta njohë si shtet; duke vazhduar me sovranitetin mbi hapësirën ajrore të Egjeut lindor.
Në gjysmën e dytë të viteve 90 u rrezikua madje luftë për një ishull të vogël, me emrin imia, që banohet vetëm nga dhitë, ku një provokator kishte vendosur flamurin e gjysmëhënës. Athina vazhdon, emocionalisht, ta quajë Stambollin një qytet grek. E quajnë të gjithë Kostandinopojë. Megjithatë kur erdhi në pushtet Erdogan, marrëdhëniet me Kishën ortodokse janë përmirësuar dukshëm. Patriarku ekumenik Bartolomeu i jeton në Fanar të Stambollit, është nënshtetas turk, dhe voton për AKP: jo i detyruar, por me bindje. Të krishterët në Turqi janë më të lirë sot se sa në vitet e laicizmit.
Në ndihmë të Greqisë në krizë. Kur nisi kriza e frikshme ekonomike në Greqi, lideri i parë politik që shkoi në Athinë me dorën shtrirë ishte pikërisht Erdogan, i shoqëruar nga ministra e biznesmenë. Dhe është e rëndësishme të theksohet diÇka: Turqia, ndonëse e ftohur disi, vazhdon të shohë hyrjen në BE si një objektiv për tu arritur. Pavarësisht revoltës në sheshin Taksim, tratativat për kapituj të ndryshëm të negociatave do të rinisin. Dhe mbështetësja më e madhe e hyrjes së Turqisë në BE është Greqia. Arsyeja është e thjeshtë. Do të donte të shkurtonte shumë shpenzimet ushtarake që i duken të panevojshme, por që sot janë absolutisht ndër më të lartat./metropol